Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

27 vjet nga nisja e ushtarëve të UÇK-së, Bekim Jashari kujton heroizimin e Mujë Krasniqit dhe 40 bashkëluftëtarëve

14 December 2025 at 10:57


Anëtari i familjes Jashari dhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka përkujtuar sot 27-vjetorin e nisjes së rreth 150 ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt Kosovës, pas stërvitjes dhe armatimit në Shqipëri.

Sipas Jasharit, në mëngjesin e 14 dhjetorit 1998, në Likenet e Hasit, në Gorozhup të Pashtrikut, Komandanti i Brigadës 113 të UÇK-së, Mujë Krasniqi – Kapuqi, së bashku me 40 bashkëluftëtarë, ranë heroikisht në përballje me forcat serbe, duke u bërë të pavdekshëm në historinë e lirisë së Kosovës.

Ai theksoi se Komandanti Mujë Krasniqi ishte ndër bashkëluftëtarët e parë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, me të cilin veproi që në ditët e para të organizimit të UÇK-së.

Bekim Jashari shprehu krenari dhe respekt të përjetshëm për jetën dhe veprën e Komandant Kapuqit dhe bashkëluftëtarëve të tij, si dhe për të gjithë dëshmorët e kombit. /Telegrafi/


Sot në Shkup do të mbahet protesta “Unë Jam UÇK”

13 December 2025 at 09:50


Sot në Shkup do të protestohet kundër gjykimit të ish-luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.

Protesta e thirrur nga OVL-UÇK pritet të nisë nga ora 13:00 në sheshin “Skënderbe” në Shkup.

Ajo është përkrahur nga shumë figura politike, nisur nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin e sotëm.

“Më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë. Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë”, tha ai.

Ndryshe nga Ahmeti, Gazmend Syla nga OVL-UÇK tha se pjesëmarrja e tyre paraqet rrezik serioz për arrestim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, për shkak të listave të Europolit të dërguara nga Serbia.

“Ne ju preferojmë luftëtarëve tanë të UÇK-së që mos me marrë atë rrugë, sepse nuk kemi garancë. Edhe sikur ta kërkojmë, është e pamundur që shteti i Maqedonisë së Veriut të japë garanci kur je në listat e Europolit”, deklaroi Syla.

Kujtojmë se protesta ka karakter paqësor, ndaj kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha edhe pse nuk e përkrah protestën do të mundësoi siguri dhe mbarëvajtje të qetë të tubimit.

Surroi: Rambujeja ishte minuta larg dështimit, historia e Kosovës do të ishte krejt ndryshe

7 December 2025 at 21:34


Publicisti Veton Surroi ka thënë se në negociatat e Rambujesë delegacioni kosovar ka qenë “disa minuta larg dështimit”, çka sipas tij do të kishte ndryshuar tërësisht rrjedhën historike të vendit.

Gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Muhamet Mustafën, ekspertin e ekonomisë, Surroi kujtoi se në dy momentet historike kryesore për Kosovën ka pasur thirrje për unitet, por shpesh të nxitura nga faktorët e jashtëm.

“Në Rambuje ne jemi bashkuar, sepse në masë të madhe e kanë kërkuar amerikanët. Ata kanë dalë si garantues të bashkimit tonë”, rrëfeu ai.

Ai tregoi se delegacioni kosovar, edhe pse funksionoi si ekip, ka qenë shumë afër prishjes së marrëveshjes për shkak të mospajtimeve të brendshme.

“Në Rambuje ne kemi qenë shumë afër dështimit, disa orë larg dështimit, disa minuta larg dështimit”, u shpreh Surroi, duke theksuar se edhe prania e sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, nuk do të kishte qenë e mjaftueshme pa vullnet të brendshëm politik.

Sipas tij, momenti kritik u zgjidh vetëm pasi propozoi një formulë kompromisi që u pranua nga të gjithë.

“E pranonim dokumentin dhe e pranonim pa ndryshime, për të mos hyrë në rinegociim që do ta zbehte dokumentin. Kjo e shpëtoi pozicionin tonë politik”, ka thënë Surroi, duke kujtuar përgjigjen që ia dha ministrave të Jashtëm, mes tyre edhe italianit Lamberto Dini, i cili ishte kundërshtues ndaj delegacionit kosovar.

Ai vlerësoi se përkundër vullnetit të mirë të fuqive të mëdha, bashkimi nuk është i mundur pa gatishmërinë e brendshme.

“As vullneti i mirë i superfuqisë nuk mund të të detyrojë për bashkëpunim nëse ti nuk do”, shtoi Surroi.

Surroi foli edhe për procesin e Vjenës, duke thënë se funksionoi më mirë pasi u zhvillua në rrethana tjera, pa rrezik për jetën dhe me mbështetjen e miqve ndërkombëtarë.

Publikohen pamjet e rralla nga 28 Nëntori 1997: Dalja e parë publike e UÇK-së në ceremoninë e varrimit të mësuesit Halit Geci

27 November 2025 at 23:00


Arbër Geci ka publikuar për herë të parë, pamje të rralla nga ceremonia e varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë, më 28 nëntor 1997 — dita që njihet edhe si dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pamjet historike tregojnë atmosferën e asaj dite, kur qindra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit mësuesit Geci, ndërsa para tyre u shfaq publikisht UÇK-ja, duke shënuar një moment kyç në historinë e rezistencës.

Publikimi i këtyre pamjeve rikthen kujtesën e një ngjarjeje që konsiderohet pikë kthese në organizimin dhe paraqitjen e UÇK-së, vetëm pak muaj para shpërthimit të luftës së vitit 1998./Telegrafi/

Veteranë të UÇK-së dhe policë, shënjestër e arrestimeve nga Serbia

26 November 2025 at 23:51


Pikëkalimet kufitare me Serbinë po vazhdojnë të mbesin problematike për ish-ushtarët e U֞ÇK-së e policët e ish-policët kosovarë.

Ata që po rrezikojnë të kalojnë përmes tyre, në shumicën e rasteve po ndalohen e akuzohen nga Serbia me pretendimet për krime lufte.

Rasti i fundit ishte të martën ku u ndalua ish-pjesëtarë i UÇK-së, Avni Qenaj.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po shprehen të shqetësuar dhe apelojnë bashkëluftëtarit që t’i evitojnë pikëkalimet kufitare me Serbinë.

Sipas tyre, vetëm gjatë këtij viti janë ndaluar rreth dhjetë persona.

“Me dhjetra po, kemi shumë raste, gjatë viteve t fundit kemi arrestimin e bashkëluftëtarit tonë nga Peja që nuk ekzistonte në databazën tonë, kishim rast në Rahovec, dy vëllëzër nga Rahoveci para disa kohësh, njëri u lirua ndërsa tjetrin e mbajtën një javë pastaj e liruan por diku dhjetë raste I kemi brenda këtij viti me ndalime e maltretime nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Gazmend Syla – OVL-UÇK.

Një rast konkret të maltretimit e mbajtjes padrejtësisht e ka shprehur vajza e ish-luftëtarit Hazir Hazirit që tash e tre muaj është duke u mbajtur nga autoritetet serbe.

“Gjendja e tij e tij psikologjike është e rënduar dhe emocionalisht po e përjeton shumë rënd sidomos parasysh moshën e tij, 77 vjecar dhe nuk ka asnjë lidhje me akuzat, këtë gjë e ka vërtetuar edhe avokati që ne e kemi angazhuar, që i ka mbaruar të gjitha procedurat ligjore dhe ai është duke u mbajtur pa asnjë provë, pa asnjë evidencë, dëshmi tash e tre muaj”, ka theksuar Kaltrina Haziri – Vajza e Hazir Hazirit, raporton RTVDukagjini.

Një nga rastet që mori më së shumti vëmendje kohëve të fundit ishte edhe arrestimi i ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu që nga qershori deri në nëntor u mbajt në paraburgim.

Ndonëse nuk ishte polic në atë periudhë, ai ishte arrestuar pretendimin se kishe marrë pjesë në aksionin e Policisë së Kosovës në zmbrapsjen e sulmit terrorist në Banjskë, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri policor i Kosovës Afrim Bunjaku, dhe tre terroristë serbë.

Haradinaj me mesazh të fortë: Luftëtarët e UÇK-së nuk mund të zbehen nga propaganda

23 November 2025 at 12:44


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot një reagim të fuqishëm në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, duke akuzuar qeverinë për harresë të qëllimshme dhe përpjekje për t’i zbehur meritat e tyre në shërbim të atdheut.

Në mesazhin e tij, Haradinaj thotë se çdo ditë që kalon, qeveria po i largon luftëtarët nga kujtesa publike, ndërsa propaganda po synon t’i shtyjë drejt harresës kolektive.

Ai thekson se fillimisht ata u injoruan, më pas u ofenduan, madje edhe për veshjen e tyre, sa herë marshonin në përvjetore e tubime përkujtimore.

Haradinaj akuzon pushtetin për orkestrim dokumentesh e procesesh gjyqësore që, sipas tij, kanë synim të qartë: dobësimin e figurës së luftëtarit.

Por ai shton se përtej çdo goditjeje politike, struktura shpirtërore dhe mendore e luftëtarit mbetet e paprekshme.

“Luftëtarët jetojnë gjithmonë me qëllime të qarta. Ata nuk kanë frikë nga stuhitë, sepse stuhitë e kanë frikë vendosmërinë e tyre”, shkruan ai, duke i cilësuar plagët e tyre si medalje dhe heshtjen si urdhër.

Haradinaj i konsideron luftëtarët si njerëzit që kanë parë nga afër vijën e hollë mes jetës dhe vdekjes, të cilët tashmë po shuhen natyrshëm, krenarë dhe stoikë, me një peng të vetëm, që nuk e patën fatin e dëshmorëve.

Ai apelon se të mbeturit gjallë do të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë, më të fortë se propaganda që synon t’i zbehë.

“Lumët ju, si thotë populli, për kontributin, sakrificën dhe shembullin. Mjerë ata që do të humbin gjithmonë me turp”, përfundon Haradinaj, duke dhënë nderime për atdheun. /Telegrafi/

Durkee: S’kam parë prova që aktet e dhunës ishin drejtuar nga UÇK-ja gjatë 1999-ës

12 November 2025 at 17:01


Michael Durkee gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se nuk ka parë ndonjë provë se aktet e dhunës në Kosovë gjatë verës së 1999-ës ishin të drejtuara nga Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Megjithatë, Durkee tha se ka pasur raste kur ka pasur dyshime për përfshirjen e tyre në këto akte, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ka pasur raste që ka pasur dyshime për përfshirjen e udhëheqjes së UÇK-së. Mua nuk më kujtohet të kem parë ndonjë provë konkrete personalisht që këto të kenë qenë akte dhune të drejtuara nga UÇK-ja. Unë se çfarëdo që dëgjoja ia raportoja gjeneralit Clark”, tha Durkee.

Përveç kësaj, Durke deklaroi se këto raste ishin më shumë raste sporadike.

“Por, këto ishin më shumë raste sporadike që ndodhnin në bazë”, tha Durkee.

Me kaq përfundoi seanca e sotme në këtë rast gjyqësor për të vazhduar sërish me dëshminë e këtij dëshmitari e cila pritet të përfundojë nesër.

"Nuk i marr unë vendimet për UÇK-në", Hill flet për takimin me Rexhep Selimin

10 November 2025 at 16:48


I dërguari i atëhershëm amerikan për Ballkanin, Christopher Hill, gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ka treguar për një takim që kishte zhvilluar me Rexhep Selimin në Likoc, për të cilin fillimisht kishte menduar se ishte personi që merrte vendime në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hill ka rrëfyer se ishte acaruar kur e kuptoi se Selimi nuk ishte ai që merrte vendimet, pasi ky i fundit i kishte thënë se duhej të priste.

Sipas tij, në takim kishin qenë edhe Fehmi Agani si pjesëtar i LDK-së, si dhe gazetarët Veton Surroi dhe Blerim Shala. Në delegacionin e Hill ishin edhe asistentja dhe zëdhënësi për shtyp i ambasadës amerikane në Shkup.

“Ka qenë një Fehmi. Më duket se në këtë takim ka qenë një pjesëtar i LDK-së, më duket Fehmi Agani; dy shqiptarë të njohur: Veton Surroi – gazetar ka qenë, dhe Blerim Shala personi i dytë”, ka deklaruar Hill.

Ai ka sqaruar se ky takim ishte pjesë e përpjekjeve për të kuptuar se kush e udhëhiqte UÇK-në dhe si të arrihej që ajo të bëhej pjesë e një procesi politik.

“Mendova se kjo ishte urgjente sepse kishim një draft-autonomi dhe nuk po arrinim që ta negocionim sepse nuk u përfshi askush. Duhej të formonim një ekip që të mos ishim në situatë ku përfshiheshin persona që nuk do të pranonin rezultatet”, është shprehur ai.

Hill ka përmendur se takimet kishin vazhduar edhe ditën e nesërme, gjatë së cilës, gjatë udhëtimit në drejtim të Shtimes, automjeti i tyre ishte qëlluar me armë zjarri.

“Saktë! Më duket se shkuam në Shtime dhe aty kishte luftime. Në atë udhëtim më kujtohet se Fehmi Agani tha se është provokim prej serbëve. Meqë automjeti ynë u godit me plumba – ishte i blinduar, fatmirësisht – atëherë vendosëm ta ndërprisnim udhëtimin”, ka rrëfyer Hill.

Ai ka treguar se në takim ishte kërkuar rikonstrukturimi i UÇK-së me një kryeministër të ri, ndërsa në takim kishte marrë pjesë edhe Mehmet Hajrizi.

Sipas Hill, Rexhep Selimi vetëm i kishte falënderuar dhe kishte thënë se çështjet do t’i përcilleshin “shefit të Shtabit”.

“Hill i kishte thënë se kishte menduar që vetë Selimi ishte shef i Shtabit dhe ishte habitur kur ky i tha se jo. I thashë: ‘Dhe ju jeni personi që po më thoni se nuk jeni ai që merrni vendimin?’ – ai u përgjigj: ‘Jo, unë nuk jam ai’”, ka treguar Hill, duke shtuar se ishte acaruar shumë pasi Selimi i kishte thënë se vendimi mund të merrej “javën tjetër”.

Ai theksoi se kishte ndjesinë se askush nga përfaqësuesit e UÇK-së nuk donte të merrte përgjegjësi për ndonjë vendim konkret.

“Fillimisht më thanë që do takohem me një person që do merrte vendim, por në thelb nuk donte që askush të merrte asnjë lloj përgjegjësie. Për asnjë diskutim të vërtetë,” tha Hill.

Diplomati amerikan foli edhe për një takim tjetër në Junik, ku kishte takuar një person të UÇK-së me mjekër dhe rroba kamuflazhi, por që – sipas tij – as ai nuk ishte udhëheqës i organizatës.

“UÇK-ja për ju ishin terroristë, për të tjerët luftëtarë të lirisë” – profesori britanik i përgjigjet gazetarit serb

3 November 2025 at 16:52


Profesori i historisë në Universitetin e Oxfordit, James Pettifer, ka folur për periudhën e luftës në Kosovë në një intervistë për Televizionin Publik të Serbisë (RTS), ku ka komentuar perceptimet e ndryshme rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në pyetjen e gazetarit serb, i cili e cilësoi UÇK-në si “organizatë terroriste”, Pettifer kujtoi se perceptimet për këtë çështje kanë qenë gjithmonë të ndryshme dhe shpesh varen nga këndvështrimi politik.

“Një nga temat me të cilat merreni është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Keni shkruar se ajo ishte ndoshta lëvizja e parë e suksesshme kryengritëse në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Ne e konsiderojmë atë si organizatë terroriste. Në fakt, edhe Shtetet e Bashkuara e konsideronin të tillë deri në qershor të vitit 1998, kur Richard Holbrooke u takua me udhëheqësit e UÇK-së. A ishte kjo një pikë kthese në politikën e SHBA-ve?”, pyeti gazetari.

Në përgjigje, profesori britanik tha se termi “terrorist” është i debatueshëm dhe shpesh përdoret në mënyrë të ndryshme nga vende të ndryshme.

“Siç e dimë, ata që për disa janë terroristë, për të tjerë janë luftëtarë për liri. Këtë mund ta shihni çdo ditë në televizion, në rastin e Palestinës. Askush në botë nuk është dakord se çfarë saktësisht është ‘terrorist’. Politologët shkruajnë libra të gjatë për këtë”, tha Pettifer.

Profesori James Pettifer është autor i disa librave mbi historinë moderne të Ballkanit dhe zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë studime të rëndësishme mbi rolin e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.

Moisiu për protestën në Tiranë: Jam UÇK, mbajtja e çlirimtarëve në burg është padrejtësi

14 October 2025 at 21:32


Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ka njoftuar se do të marrë pjesë në protestën që do të mbahet në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një deklaratë për Top Channel, Moisiu tha se nuk mund të qëndrojë indiferent, pasi sipas tij, goditja ndaj çlirimtarëve është edhe goditje ndaj vetë sakrificës së popullit shqiptar.

“Nuk mund të rrija me një anë, është shumë e rëndësishme sepse ne nuk duhet t’i mbrojmë jo thjeshtë si individë, por si drejtues në veçanti punën e tyre. Goditja ndaj tyre është e padrejtë, por njëherit godet edhe gjakun e njerëzve tanë,” tha Moisiu.

Ai ka treguar gjithashtu se i ka takur ish-krerët e UÇK-së në Hagë, duke e quajtur mbajtjen e tyre atje të paligjshme.

“Për fat të mirë m’u dha mundësia dhe i kam takuar. Dhe më ka ardhur shumë keq kur i pashë. Është padrejtësi, mbajtja e tyre është e paligjshme atje,” u shpreh Moisiu.

- YouTube www.youtube.com

​Kosova dhe Kroacia, si trajtohen veteranët e luftës në dy shtete që dolën nga lufta?

28 September 2025 at 10:44


“Sot po jetojmë për të mbijetuar”, kështu rrëfen ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Bahri Shala. 56-vjeçari nga Peja, i cili është baba i dy fëmijëve, të ardhurat e vetme mujore i ka nga pensioni i veteranit të luftës. Kjo shumë thotë se është e pamjaftueshme, meqë nuk i lejohet të bëjë punë tjetër.

Qeveria në fillim të këtij viti, rriti pensionet për të gjitha kategoritë e dala nga lufta, por jo edhe sa paga minimale në vend. Me këtë rritje, veteranët e luftës marrin pension mujor prej 204 eurosh.

Bahri Shala, i cili ishte pjesë e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, flet për jetën e rëndë të pasluftës.

“Sot është pothuajse për të mbijetuar [jetesa], sot për nesër, sot hamë, nesër ndodhë që duhet të shikojmë çka po na ndihmon dikush, apo çka po vjen diku. Se ti me 200 euro nuk ke mundësi të mbijetosh. Të drejtën e punës na i kanë ndalë, atë na i kanë ndalë, disa beneficione nuk t’i lejojnë hiç se do të ishte dashur shteti, sikur Kroacia që e ka të qet në rast social, shteti ta bjen për një muaj gjërat edhe ti e kalon dhe nuk e ke problem për bukë apo për gjëra elementare. Fëmija nëntë apo tetë vjeç ai nuk të pyet, a ki a s’ki, ai si të qohet të thotë ‘babë bukë’”, shprehet ai.

Në kohën kur në Kosovë po bëhej gjenocid nga shteti serb, Bahri Shala thotë se i ishte bashkuar luftës me idealin për liri.

Teksa kujton jetën pas çlirimit të vendit, ai tregon se mezi arriti të sigurojë strehim, ndërkohë që deri para katër vjetësh nuk kishte as kulm mbi kokë.

“Ka qenë e nevojshme që shteti të merret me strehim dhe me çdogjë. Unë prej vitit 2000 kam jetuar herë në një shtëpi të një shokut, herë në një shtëpi të një shokut, faleminderit prej tyre që ma kanë lëshuar shtëpinë pa qira. Se me qenë edhe qiraja, unë nuk do të dilja askund. Edhe ata i falënderojë përzemërsisht që më kanë ofruar ndihmë”, shprehet ai.

Me ligjin për veteranët e luftës së viteve 1998-1999, shuma e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale e përcaktuar në Kosovë.

Bahri Shala nga Peja kërkon rishikim të ligjit që t’i mundësohet edhe punësimi.

“Shtetit unë veç një mesazh, ju kisha lut që të shikoni të bëhet një pagë minimale për veteranin edhe ata që janë të aftë për punë që t’u lejohet të punojnë. Që të futet në ligj edhe t’i lejohet për të punuar, sikur invalidi që e ka të drejtën e punës edhe neve të na lejohet që të punojmë”, shprehet ai.

Pas rënies heroike të familjes Jashari në Prekaz, luftës çlirimtare iu bashkua edhe Aziz Hyseni nga Podujeva, i cili në atë kohë po jetonte në Kroaci. Fillimisht ai kishte shkuar në Tropojë të Shqipërisë që të armatoset, e më pas në Morinë, Junik dhe zonën operative të Llapit ku ka qenë edhe zëvendëskomandant brigade.

Ai shpreh kritikat e tij për mungesë të trajtimit institucional të veteranëve të luftës për gati tri dekada.

“Unë kam probleme shëndetësore, pas luftës kam pasur sulm në zemër, kam pasur sulm në kry, i kam unazat e deformuara, gjunjtë më dhëmbin tërë kohën. Jo veç unë, po shumica [e veteranëve]. Njerëzit e marrin si asgjë hiç, por dy orë ose një orë në front është sa 20 vjet në protesta apo demonstrata se psikologjikisht është më e rëndë, se lufta nënkupton vrasje, ose të vret ose e vrave. Dhe në demonstrata del e hedh një guri, ose hedh lotësjellës por ndodhë edhe që e kalon. Psikologjisht lufta është shumë më e rëndë”, rrëfen ai.

Ligji për vlerat e luftës i miratuar në vitin 2014 parasheh të drejta në shërbime falas, ku “veteranët e UÇK-së dhe anëtarët e familjes së ngushtë gëzojnë të drejtën e shërbimit shëndetësor falas”.

Megjithatë, ky ligj nuk është zbatuar në tërësi, thotë nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gazmend Syla.

“Shkruan [në ligj] sepse obligohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të themelojë qendrën e stresit postraumatik. Një qendër që për neve ka qenë tepër e rëndësishme. Paslufte secili qytetar që ka marrë pjesë në luftë, lirisht po e them sepse nisem prej vetës por edhe për shumë bashkëluftëtarë të tjerë, nuk është që kemi qenë shumë të barabartë, në një tavolinë me një qytetar tjetër i cili nuk e ka përjetuar luftën. Pasojat kanë qenë evidente në çdo mes. Luftëtarët e lirisë zgjidhjen e problemit e kanë parë përmes armës, përmes pushkës në fillim po flas”, shprehet ai.

Lidhur me themelimin e qendrës së stresit postraumatik, KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Që nga pasfluta, Syla thotë për KosovaPress se rreth 60 bashkëluftëtarë kanë bërë vetëvrasje.

“Traumat shfaqen dhe fatkeqësisht traumat nuk shfaqen aty për aty, menjëherë apo pas një viti. Por zakonisht ne duke u plakur, traumat po thellohet dhe bëhen edhe më të rënda. Kemi diku mbi 58-59 është numri që kanë bërë vetëvrasje prej bashkëluftëtarëve tanë. Shto këtu disa prej tyre shumica edhe disa të tjerë kanë bërë aksidente shumë paslufte, për shkak të këtyre traumave, jemi të bindur që është ashtu. Po ashtu ka shumë prej tyre që për të kaluar këtë stres dhe këto trauma të luftës e kanë gjet vetën në alkool, tash ky alkool edhe ua ka prishur familjet”, shton Syla.

Si shkak i asaj që kanë përjetuar në luftë, Aziz Hyseni, i cili ka qenë zëvendëskomandant brigade në zonën operative të Llapit thotë se shumë veteranë edhe sot kanë nevojë për trajtim.

“Edhe sot kanë nevojë [veteranët për trajtim], edhe sot kanë nevojë, jo të gjithë për fat, mirëpo kanë nevojë. Sepse ne po harrojmë që këto çrregullimet, këto ndryshimet e jashtëzakonshme me kohën, vjen ngarkesa edhe dikur ose shpërthen dhe për njerëzit që nuk janë të përshtatshëm që kanë probleme familjare, ose që kanë edhe probleme materiale për ta është më se e domosdoshme. Mirëpo, një kohë shteti edhe nuk ka pasur mundësi, tash mundësi ka por me gjasë nuk ka interes, nuk janë të interesuar askush”, thekson ai.

Para se t’i bashkohej UÇK-së, Aziz Hyseni në vitin 1991 ishte lajmëruar vullnetar për kyçje në ushtri të Kroacisë, ku ai mori pjesë në luftime për gati një vit.

“Në Kroaci jam lajmëruar vullnetarisht në vitin 1991 për kyçje në ushtri të Kroacisë, kam shkuar jam lajmëruar më ka pranuar Rrahim Ademi dhe më kanë thënë menjëherë. Edhe më kanë kyç komandant i baterisë të topave, 130 milimetra se unë jam artilier përndryshe. Dhe kam vazhduar derisa është çliruar Dubrovniku, kam marrë pjesë në luftime aktive. I kam 275 ditë luftë në Kroaci derisa e kemi hequr edhe pengesën e fundit që e ka mbajtur Dubrovnikun në rrethim”, rrëfen Hyseni, i cili më pas kishte bërë kërkesë që të shkyçet nga ushtria kroate.

Ai thotë se në Kroaci “veteranët trajtohet me respekt dhe dinjitet”.

“Edhe te populli kroatë, ushtria është diçka e shenjtë edhe ka mbetur e tillë, edhe sot veteranët trajtohen me respekt edhe me dinjitet...Veterani që e ka statusin e veteranit është veteran, ka sigurim shëndetësor. E dyta, ata që konkurrojnë për punë nëse e ka përgatitjen adekuate kanë avantazh në punë publike, qoftë komunale, qoftë republikane kanë avantazh edhe pranohen që e ka përgatitjen. Veterani i ushtrisë kroate nuk mund të jetë i papunë, detyrimisht është i punësuar sepse e ka mundësinë të punësohet në institucione publike, e ka mundësinë për kreditim, me kredi të volitshme, të lehta, të kthyeshme, e ka mundësinë që të ju jepet toka, me qindra hektarë tokë nëse dëshirojnë të punojnë tokën”, deklaron ai për KosovaPress.

Tom Kaçinari, i cili është kryetar i bashkësisë së shoqatave të vullnetarëve në Kroaci, tregon se si trajtohen kategoritë e dala nga lufta nga Ministrisë së Veteranëve Kroat.

“Vullnetari e ka minimalisht koeficientin 1.85 edhe shumëzohen ditët dyfish sa ditë ke qëndruar në luftë aq shumëzohen për pension. Ki përparësi tjera të shkollimit të fëmijëve në shkollë, përveç atyre të drejtave për shëndetësi, ne i kemi gjashtë qendra që i kemi formuar për shërim të veteranëve të veçanta. Mundesh tri javë ditë bashkë me bashkëshorten tënde që të shkosh edhe të relaksohesh e shërohesh, krejt pa para. Që je invalid i ke të gjitha pa para, në çdo spital përparësi, të mundësohet që të shkosh në banjë të shtetit. Është përparësia e punësimit sepse kur e kemi demobilizuar ushtrinë, është dashur të bësh diçka me atë njerëz”, deklaran ai.

Shteti kroat ka mundësuar punësimin e veteranëve të luftës, thotë ndër tjera Kaçinari, për çka shton se vlerë të madhe kanë vullnetarët, pensionet e të cilëve dallojnë edhe sipas gradave ushtarake.

“Pensionet janë të dyfishta, invalidi nëse invaliditeti i tij që mund të jetë 20, 30, 40 për qind, në qoftë se ai invaliditet e ka sjellur deri tek situata që ai nuk mund më të punojë, atëherë e qesin në pension. Nëse nuk je për ushtar i thonë pensioni profesional, nëse t’u ka marrë mundësia e punësimit të përjetshme, atëherë ajo është pension i cili vjen i cili e ka peshën më të lartë. Por kur të shkosh në pension, ke punuar para ushtrie të hyn ai stazh në llogari, të hyn grada jote, në qoftë se ke qenë epror, në qoftë se e ke pasur detyrën ushtruese edhe ajo ta rrit pensionin.

Ka lloj-lloj, mund të jemi në një vend të plagosur, por njëri e ka pensionin dy mijë euro, e njëri e ka ndoshta 700 euro... Varet a je invalid 20 për qind, apo 80 për qind apo 100 për qind. 100 për qind i kemi dy kategori, të kategorisë së parë janë në karrocë se nuk mund të kujdesen për vetën por atyre ua paguajnë edhe personin e veçantë, i cili ju rrinë gati gjithë ditën dhe atë e paguan shteti. Shteti invalidëve ua blen edhe veturën e re çdo pesë vjet se ajo quhet si karrocë për me mujt invalidi që të shkojë”, tregon ai.

Veterani i luftës në Kroaci mund të punësohet dhe nuk merr pensionin, ndërkohë që kur të arrin pensionin e moshës atëherë merr shumën jo më të ultë se 45 për qind e pagës mesatare në vend.

“Veterani nuk ka pension si veteran, por kur të shkojë në pension e kemi një ligj i cili thotë se pensioni i veteranit nuk mund të jetë më i vogël se 45 për qind të rrogës mesatare e cila është në shtet një vit para se të shkojë në pension...Nëse ka qenë rroga mesatare 1200-1400 euro, përfundi 45 për qind nuk mund ta merr..... Kur të shkosh si vullnetar në pension, varet a shkon si ushtarak, apo sipas ligjit të veteranëve, atëherë është ligj i veçantë, atëherë ke të drejta të tjera, por nëse nuk e ke shfrytëzuar, je vullnetar dhe ke qenë i plagosur në këmbë por ke mundur të ecësh dhe nuk ke hyrë në pension dhe ke vazhduar të punosh, kur të shkosh në pension, atëherë ta dhënë përparësi koeficientin me të cilën të shumëzohen ditët, te këta tjerët shumëzohen me 1.20 ose 0.80 atëherë ne 1.85 atëherë kemi vlerën dhe peshën më të madhe”, shprehet ai.

Në Kroaci janë 518 mijë veteranë të regjistruar, në mesin edhe tyre janë 3200 shqiptarë, ku 2800 e kanë statusin e vullnetarit, 87 dëshmorë, 37 të zhdukur dhe 250 janë invalidë.

Ndërkaq, në Kosovë sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë 37 mijë veteranë që e marrin pensionin, nga gjithsejtë 47 mijë të regjistruar. /KP/

Basha distancohet nga artikulli për UÇK-në: Kam hequr tërësisht kapitullin dhe emrin tim nga bashkëautorësia

24 September 2025 at 21:33


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka reaguar sërish lidhur me një artikull akademik ku përmendet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke deklaruar se është distancuar plotësisht nga ai publikim.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Basha ka bërë të ditur se ka kërkuar nga revista ku ishte botuar punimi i tij, i realizuar gjatë studimeve para 13 vitesh, që të tërhiqej tërësisht nga publikimi.

“Me t’u vënë në dijeni që një punim i imi nga studimet para 13 viteve ishte përfshirë si kapitull i veçantë në kuadër të një publikimi më të gjerë, në të cilin gabimisht isha listuar si bashkëautor, unë kam bërë kërkesë që Kapitulli 3, ku kam kontribuar unë, të hiqet tërësisht nga ai publikim”, shkroi Basha.

Ai tha se Komiteti i Publikimeve i revistës e ka miratuar kërkesën dhe ka hequr jo vetëm kapitullin në fjalë, por edhe emrin e tij nga autorësia, pasi nuk ka kontribuar në pjesët e tjera të artikullit.

Në publikimin ku figuroi emri i Bashës, ndër të tjera thuhej se fondet për UÇK-në “erdhën nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, por edhe nga trafikantët e drogës që operonin në Evropën Perëndimore dhe SHBA”.

Marrëveshja e demilitarizimit, Duncan: Nuk pranuam që Thaçi ta nënshkruante si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme

23 September 2025 at 16:14


Diplomati britanik John Duncan është duke vazhduar ende me dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Aktualisht ai është duke u marrë në pyetje nga paneli i gjyqtarëve të Speciales rreth marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së.

Duncan tha se nuk pranuan që kjo marrëveshje të nënshkruhej nga Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.

Ai u pyet nga gjyqtari Kristof Barthe nëse Thaçi donte të nënshkruante këtë marrëveshje në cilësinë e tij si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës?

Gjyqtari gjerman Kristof Barthe

“Po bëni pyetje shumë të hollësishme për negociata që kanë zgjatur 13 orë. Po përpiqem të kujtoj se çfarë ka ndodhur saktësisht. Nëse më kujtohet si duhet…na thanë që duhet të nënshkruante z.Thaçi e jo gjenerali Çeku. Përgjigja jonë ishte se nëse doni këtë gjë jemi të gatshëm ta pranojmë këtë por ne nuk do ta përmendim këtë në cilësinë e tij si kryeministër i qeverisë së përkohshme, pasi do të minonte të tërë operacionin. Prandaj, arritëm në kompromisin që kishim arritur në dy ditët e shkuara”, tha dëshmitari.

Duncan theksoi se UÇK-ja dëshironte që ky dokument i marrëveshjes, në mënyrë të tërthortë të ishte edhe pranim i Kosovës.

“Ne, iu kemi thënë që nuk mund ta pranojmë këtë gjuhë dhe e shpjeguam përsëri. Kjo ka vazhduar gjatë gjithë kohës derisa i mbaruam bisedimet”, tha ai.

Diplomati britanik u pyet edhe për një takim “privat” që kishin mbajtur, për të cilin gjyqtari i kërkoi të tregonte me emra se kush ishin në takim.

“Ishim unë, gjenerali Reeth dhe James Rubin, nga pala kosovare ishin gjenerali Agim Çeku, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi”, tha Duncan. /Telegrafi/

Pas dy dëshmive ndërkombëtare, sot në Hagë do të dëgjohet dëshmitari i tretë i mbrojtjes së Thaçit

22 September 2025 at 07:30


Sot do të vazhdojë procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë me dëshminë e radhës nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Kësaj radhe do të dëshmojë një shtetas britanik, i treti në listën e dëshmitarëve të propozuar nga ekipi mbrojtës.

Kjo dëshmi vjen pas paraqitjes së James Rubin dhe Paul Williams javën e kaluar, të cilët dhanë deklaratat e tyre në mbështetje të qëndrimeve të mbrojtjes.

Rubin, ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit dha një pasqyrë të rolit ndërkombëtar gjatë luftës në Kosovë, duke theksuar se Thaçi në nuk kishte pasur autoritet për të vendosur për veprime brenda UÇK-së, dhe se akuzat ndaj tij dhe të tjerëve janë të pabaza.

Ndërsa Paul Williams i cili shërbeu si këshilltar ligjor për delegacionin kosovar në Rambuje, u përqendrua në aspektet ligjore të ndërhyrjes dhe formimit të institucioneve të përkohshme në Kosovë pas luftës, si dhe konfirmoi atë që tha ish-zyrtari amerikan Rubin sa i përket autoritetit të Hashim Thaçit mbi negociatat për marrëveshje në Rambuje.

Seanca sot pritet të nisë në orën 09:00 dhe është pjesë e procesit ku mbrojtja ka paraparë të paraqesë gjithsej 11 dëshmitarë gjatë javëve në vijim.

Këta dëshmitarë synohet të hedhin dritë mbi rolin e Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij gjatë dhe pas luftës në Kosovë, duke kundërshtuar akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /Telegrafi/

Buxhovi: Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit ishte komplot kundër rezistencës institucionale

21 September 2025 at 13:38


Me rastin e 27-vjetorit të vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, shkrimtari dhe historiani Jusuf Buxhovi ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, duke e cilësuar këtë akt si pjesë të një komploti të mirorganizuar kundër rezistencës institucionale të Kosovës.

Sipas Buxhovit, vrasja e kolonelit Krasniqi më 21 shtator 1998 në Tiranë, nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një skeme më të gjerë për të ndarë rezistencën institucionale nga ajo e armatosur, në kohën kur po konsolidohej Qeveria e Kosovës në ekzil.

“Vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit në Tiranë më 21 shtator 1998 ishte pjesë e skenarëve të huaja, që lëvizja institucionale me shtetin paralel të mos ndërlidhet me rezistencën e armatosur,” shkruan Buxhovi.

Ai rikujton se që nga fundi i vitit 1992, Qeveria e Kosovës kishte përfshirë në përbërje Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Rendit, të cilat u detyruan të pezullojnë përkohësisht veprimtarinë pas presioneve ndërkombëtare.

“Nga ana amerikane, presidentit Rugova iu kërkua që të vazhdohet rezistenca institucionale me shtetin paralel si politikë pa luftë, ndërsa rezistenca e armatosur të aktivizohet kur të vijë koha – e përcaktuar nga amerikanët dhe aleatët, por që edhe si e tillë, me partnerët e zgjedhur prej tyre, do të ishte " luftë pa politikë”” shpjegon autori.

Në këtë kontekst, Buxhovi thotë se emërimi i kolonel Ahmet Krasniqit në krye të FARK-ut nga Qeveria Bukoshi në mars të vitit 1998 dhe marrëveshja me përfaqësuesin e UÇK-së, Adem Demaçi, për bashkërendimin e rezistencës së armatosur, mobilizoi kundërshtarët e kësaj qasjeje.

“Aktivizimi i kolonel Ahmet Krasniqit mobilizoi kundërshtarët e këtij pajtimi historik deri te përmasat e komplotit për vrasjen e tij në Tiranë,” përfundon Buxhovi.






“Jo padrejtësisë” - gjithçka nga zëri i shqiptarëve që u dëgjua sot në Hagë kundër Speciales

14 September 2025 at 18:35


Nga Kosova, Gjermania, Zvicra, Austria e shumë vende të tjera të Evropës, mijëra shqiptarë morën rrugën drejt Hagës këtë të diel për të bërë zërin e tyre të dëgjohet para Gjykatës Speciale.

Me flamuj kuqezi, pankarta dhe thirrje për drejtësi, diaspora dhe qytetarë nga Kosova u bashkuan në një protestë të organizuar nga mërgata shqiptare, me mbështetjen e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).

Protestë në Hagë telegrafi.com

Ekipi i Telegrafit i cili po qëndron këto ditë në Hagë, e përcolli nga afër protestën, ku u përcollen mesazhe për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe kundërshtim ndaj asaj që u quajt padrejtësi ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mijëra qytetarëve iu adresua, ish-ambasadori holandez në Kosovë, Robert Bosch.

Bosch tha se etiketimi i UÇK-së si “organizatë kriminale” është i padrejtë dhe një ofendim edhe për NATO-n që kishte bashkëpunuar me të gjatë luftës.

Ai theksoi se UÇK-ja ishte çizmja e NATO-s.

telegrafi.com

Ndërsa Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së, rikujtoi se lufta nuk kishte qenë për pushtet, por për liri, ndërisa kërkoi drejtësi të paanshme dhe jo të përdorur politikisht.

Nga podiumi foli edhe Fatmir Koci bashkëorganizator i protestës nga mërgata, i cili theksoi se protesta nuk ishte vetëm një shprehje pakënaqësie, por një thirrje e fortë për të rikujtuar se UÇK-ja është simbol i lirisë dhe sakrificës së popullit shqiptar.

Ai tha se akuzat e Speciales janë të njëanshme dhe se historia nuk mund të shtrembërohet përmes proceseve gjyqësore.

Nis protesta në Hagë, Gucati: UÇK nuk lindi nga urrejtja, por nga padrejtësia telegrafi.com

Protestuesit mes thirrjeve të vazhdueshme “Liri për Çlirimtarët”, "UÇK, UÇK" e cilësuan Specialen si një instrument selektiv, që po përqendrohet vetëm te ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare.

Ata kërkuan lirimin e tyre dhe respekt për sakrificat që sollën lirinë e Kosovës.

Pas përfundimit të fjalimeve, protestuesit u zhvendosën sërish drejt objektit të Gjykatës Speciale, por aty u përballën me një kordon të policisë holandeze dhe njësitit special, të cilët nuk lejuan që turma të qëndronte gjatë përpara ndërtesës.

Megjithatë, gjithçka përfundoi në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill 2023, me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit./Telegrafi/





Hasani për Specialen: Nuk ka logjikë që provat e përpunuara të kenë status të barabartë me dëshmitë e njerëzve si Wesley Clark

8 September 2025 at 21:46

Tashmë po afrohen pesë vite nga nisja e gjykimit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, proces që prej fillimit është shoqëruar me kritika dhe reagime të shumta, ndonëse kjo gjykatë u themelua nga vetë Kosova.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani, ka vlerësuar se gjyqtarët e Speciales kanë pasur kushte ideale për të punuar, për të mbrojtur dëshmitarët dhe për të siguruar çdo provë të mundshme.

Megjithatë, ai ka kritikuar mungesën e transparencës, veçanërisht për mungesën e institutit të mbrojtjes në liri për të akuzuarit, në një fazë kur provat tashmë ishin administruar.

Në një intervistë për RTK, Hasani e cilësoi këtë proces maratonik si politik, duke e krahasuar me Tribunalin Penal Ndërkombëtar.

Sipas tij, gjykime të tilla shpesh zhvillohen ndaj territoreve dhe popujve të caktuar, ndërsa Kosova u godit nga një narrativë e ndërtuar prej Serbisë me mbështetjen e Rusisë.

“Serbia arriti përmes Rusisë të krijojë narrativën se Kosova është shtet kriminal. Amerika kaloi në defansivë. Këto janë gjykime politike, ndaj territoreve të caktuara”, tha Hasani.

Ai shtoi se provat e përpunuara nga Serbia nuk mund të kenë besueshmëri, pasi ligji e lidh vlefshmërinë e tyre me integritetin e dëshmitarit.

“Kam parë raste kur dëshmitë janë manipuluar, si rasti i Nazim Bllacës. Një dëshmi e përpunuar nga Serbia nuk mund të ketë besueshmëri”, theksoi profesori.

Hasani përmendi edhe peshën e dëshmive të mbrojtjes, duke veçuar ish-komandantin e NATO-s, Wesley Clark, si dëshmitar të rëndësishëm.

“Nuk ka logjikë që provat e përpunuara të kenë status të barabartë me dëshmitë e njerëzve si Clarku, i cili e dinte çdo zhvillim në Ballkan në atë kohë. Jam optimist që të akuzuarit do të marrin lirinë”, u shpreh ai.

Procesi në Hagë pritet të vazhdojë me dëshminë e dëshmitarëve të mbrojtjes nga data 15 shtator.

The post Hasani për Specialen: Nuk ka logjikë që provat e përpunuara të kenë status të barabartë me dëshmitë e njerëzve si Wesley Clark appeared first on Telegrafi.

Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës kundër Gjykatës Speciale: Jam krenare me UÇK-në

7 August 2025 at 17:23

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, i është bashkuar protestës në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen në Hagë, duke e cilësuar këtë tubim si një mbrojtje të vlerave kombëtare.

“Sot kam dalë këtu për t’i mbrojtur vlerat tona kolektive. Është pak me vonesë, por shpresoj që të jetë protestë e fortë për t’i mbështetur vlerat tona të UÇK-së,” u shpreh ajo për Klan Kosova.

Krasniqi theksoi se vlerësimi i saj për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka ndryshuar kurrë, duke kujtuar përkushtimin e familjes së saj ndaj luftës për liri.

“Në vitin 1998 kur është betuar vëllai im për të luftuar për UÇK-në, është edhe ditën e sotme.”

Ajo u shpreh krenare për UÇK-në dhe për ushtrinë që Kosova e ka sot, duke nënvizuar rolin e saj historik në çlirimin dhe ndërtimin e vendit.

The post Vasfije Krasniqi i bashkohet protestës kundër Gjykatës Speciale: Jam krenare me UÇK-në appeared first on Telegrafi.

E mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë: Më dhunuan në prani të babës, s’mundi të bëjë asgjë

28 July 2025 at 21:31

Atë kohë si 18 vjeçare, duke qenë se ishte krah i babait, mes lotësh ajo rrëfen se si kur shkoi në shtëpinë e saj për ta kërkuar të atin, të cilin ia kishin zënë paramilitarët serbë dhe e kishin lidhur me konop për karrigeje, u kap nga forcat serbe edhe ajo, ku përjetoi dhunimin në sy të babait.

E gjithë kjo, ajo tha se ndodhi në shtëpinë e familjarit të saj, të cilin, thotë se e ka sikurse axhën e saj.

“Jo, shtëpia…prej asaj shtëpie kemi kaluar në shtëpinë tjetër e axhës, mund ta quaj axhë se lidhjet familjare i kemi ashtu. E kishin lidhur babën për karrige, me konop. Baba i gjakosur ka qenë komplet. Pastaj me kanë marrë mua, me kanë zhvesh, me kanë lidhur. Afër babës, në prezencë të babës, veç me kujtohet një fjalë që i kanë thënë babës shikoje të dy do të jeni të vdekur. Se, baba bërtiste në pjesën tjetër dhe u mundojke së bashku me karrige. Ajo është pjesa më e ndjeshme që mund ta flas tash. Kanë qenë dy vetë, i treti i dehur me shishe në dorë dhe mua me ka humbur komplet vetëdija, nuk kam qenë më e vetëdijshme”, rrëfen ajo mes lotësh.

Teksa rrëfen tmerrin që përjetoi në prani të babait, ajo thotë se të gjitha rrobat i ishin shqyer me thika.

“Po, edhe këtu ma kanë futur thikën, por baba e kishte të pamundur të bëjë diçka për mua. Pastaj mua me ka rënë të fikët, nuk kam ditur asgjë, kam qenë e zhveshur, si u zgjidh baba nuk e kanë mbytur babën, si u zgjidh, si ka arritur të më mbështjell me batanije, nuk e di unë, veç e kam parë vetën në ****, në traktor, që më kishte dërguar baba dhe e kam parë vetën në *****. Deri në atë kohë e dëgjoja zërin e babës, por kam menduar se jam në ëndërr, duke më folur”, thotë ajo në një rrëfim në RTVDukagjini.

E mbijetuara e dhunës seksuale thekson se ishte babai i saj me butësinë e tij, afërsinë e tij, ajo, sot nuk do të ishte.

Madje, babai i kishte lënë një amanet, që ajo të mos dorëzohet, pavarësisht dhunës që përjetoi.

The post E mbijetuara e dhunës seksuale në Kosovë: Më dhunuan në prani të babës, s’mundi të bëjë asgjë appeared first on Telegrafi.

Sveçla konfirmon ndalimin e Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje ndaj UÇK-së, do të përballet me ligjin

18 July 2025 at 22:33

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas deklaratave të zyrtarit serb Igor Popoviq, i cili gjatë një fjalimi në Rahovec e cilësoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste.

Sveçla konfirmoi edhe zyrtarisht se Popoviq është ndaluar në pikën kufitare në Bërnjak dhe ndaj tij priten masa konform ligjeve në fuqi.

Sipas tij, Popoviq që është ndihmësdrejtor në të ashtuquajturën “Zyrë për Kosovë” në Serbi – me deklarimet e tij ka nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike në Republikën e Kosovës.

“Deklarimet e tij gjatë fjalimit kanë nxitur urrejtje e përçarje ndëretnike në vendin tonë. Ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si organizatë terroriste, duke i krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda në historinë botërore”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Ai konfirmoi se Popoviq pas ndalimit në pikën kufitare në Bërnjak është dërguar në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

“Nuk do të tolerojmë fyerje dhe përdhosje të historisë sonë, e aq më pak të Luftës sonë Çlirimtare të udhëhequr nga UÇK-ja. Kjo pjesë e historisë gëzon respektin e të gjithë botës përparimtare”, theksoi ministri në detyrë.

Sveçla shtoi se deklarimet si të Popoviqit janë “model millosheviqian” që mbahen ende gjallë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Deklarimet e modelit millosheviqian, që administrata politike e Serbisë të drejtuar nga Vuçiq i mban ende gjallë dhe i shpërndan kudo, janë të dënueshme sepse janë përçarëse, të pavërteta sepse janë të trilluara, dhe të dëmshme sepse janë në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare të fqinjësisë dhe shoqërive përparimtare”, përfundoi Sveçla. /Telegrafi/

The post Sveçla konfirmon ndalimin e Popoviqit: Nuk tolerojmë fyerje ndaj UÇK-së, do të përballet me ligjin appeared first on Telegrafi.

❌
❌