Rama: Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike
TIRANË, 23 janar /ATSh/ Në të gjithë territorin e vendit vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale, pamje nga një tjetër ndërhyrje e forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
“Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike”, shkruan Rama, ndërsa ndau pamje nga prishja e një ndërtese të ndërtuar pa leje.
E nisur në muajin korrik të vitit të kaluar, nisma për lirimin e hapësirave publike është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 18 065 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 13 947 raste, ndërsa 4 118 të tjera janë në proces shqyrtimi.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
/m.q/r.e/a.f/
The post Rama: Vijojmë kudo punën për të liruar hapësirat publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
