Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 January 2026Main stream

RUMANI – Shtatë tifozë të PAOK-ut humbin jetën në një aksident

27 January 2026 at 16:23

ATHINË, 27 janar /ATSH-ANA/ – Shtatë tifozë të skuadrës greke të futbollit të PAOK-ut u konfirmuan sot të vdekur nga ambasada greke në Rumani, pas një aksidenti rrugor pranë Timishoarës.

Pasagjerët udhëtonin me një furgon që po shkonte në Francë, i cili u përplas ballë për ballë në fshatin Lugojel, në rajonin Timis të Rumanisë.

PAOK-u do të luajë të enjten kundër francezëve të Lille, në ndeshjen e vlefshme për Europa League.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis tha se ishte “thellësisht i tronditur” kur dëgjoi për aksidentin tragjik që mori jetën e shtatë tifozëve të PAOK-ut në Rumani.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri tha se “jam thellësisht i tronditur që u informova për aksidentin tragjik në Rumani që mori jetën e shtatë të rinjve grekë. Qeveria greke dhe ambasada jonë janë në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet lokale, duke ofruar çdo mbështetje të mundshme”.

“Në momente të tilla të vështira, së bashku me të gjithë grekët, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për të afërmit e viktimave dhe familjen PAOK”, shtoi ai./ a.jor.

The post RUMANI – Shtatë tifozë të PAOK-ut humbin jetën në një aksident appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Epilogu i pengut të fundit izraelit lejon përparimin e planit Trump

27 January 2026 at 07:37

JERUZALEM, 27 janar /ATSH-AFP/ – Më në fund mund të themi se nuk ka më pengje në Gaza.

Izraeli riatdhesoi dje trupin e Ran Gvilit, të fundit prej tyre, duke shënuar fundin e luftës së gjatë të familjeve në një shoqëri të traumatizuar nga sulmi i 7 tetorit 2023.

Ky epilog duhet të lejojë përparimin në planin e Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Territoret Palestineze dhe në veçanti rihapjen e pikës kufitare të Rafahut me Egjiptin, dalja e vetme nga Rripi i Gazës pa kaluar nëpër Izrael.

“Jemi në prag të fazës tjetër të planit amerikan”, deklaroi kryeministri Benjamin Netanyahu.

”Por, faza tjetër nuk është rindërtimi, ajo konsiston në çarmatosjen e Hamasit dhe demilitarizimin e Gazës”, shtoi ai.

Ushtria kishte treguar më parë se, pas procesit të identifikimit, kishte informuar familjen e pengut Ran Gvili se i dashuri i tyre ishte identifikuar zyrtarisht dhe ishte riatdhesuar për varrim.

Netanyahu e përshëndeti atë si “një arritje të jashtëzakonshme për shtetin e Izraelit”.

“Ne i kthyem të gjithë, deri te pengu i fundit”, i tha ai parlamentit.

”Qeveria e ka përmbushur misionin e saj moral”, pohoi ai, ndërsa ushtria mburrej se e kishte mbajtur premtimin e saj “për të mos braktisur kurrë askënd”.

“Kjo është një periudhë që po i vjen fundi”, reagoi Orna Cheled, një banore 70-vjeçare e Tel Avivit, e cila tha se ishte “shumë e prekur”.

“Por, nuk mendoj se situata është zgjidhur, se ka mbaruar vërtet… në fund, ne thjesht duam të jetojmë në paqe”, shtoi ajo.

“Ndihet si një lloj mbylljeje. Është shumë prekëse”, tha Rebecca Geller, 46 vjeç, një ish-punonjëse e Forumit të Familjeve, shoqata kryesore izraelite për të afërmit e robërve.

Ndërkohë, nëntë të burgosur palestinezë u liruan nga Izraeli dhe u shtruan në spital në Gaza, sipas Spitalit të Martirëve Al-Aksa në Deir el-Balah (Gaza qendrore).

– Fundi i luftës –

Gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën në Rripin e Gazës, 251 persona, përfshirë 44 të vdekur, u rrëmbyen si pengje.

Nga 207 pengjet e marra gjallë, 41 vdiqën ose u vranë në robëri.

Ran Gvili, një oficer policie, u vra në aksion në moshën 24 vjeç, ndërsa mbronte kibucin ”Alumim”.

Deri më tani, vetëm trupi i tij nuk ishte kthyer në Izrael si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit që hyri në fuqi në Gaza nën presionin amerikan më 10 tetor.

“Me kthimin e (Ran) Gvilit, një hero që dha jetën e tij për të mbrojtur komunitetin e tij, më në fund mund të themi: nuk ka më pengje në Gaza”, shkroi Forumi i Familjeve.

“Ajo që filloi si një tronditje e paimagjinueshme u bë një nga betejat më të vendosura qytetare, morale dhe njerëzore në histori”, shtoi ai, një luftë që tani “ka mbaruar”.

Kanalet televizive transmetuan vazhdimisht imazhe të arkivolit të Ran Gvilit, të mbështjellë me një flamur izraelit dhe të rrethuar nga ushtarë.

“Duhet t’i shihni nderimet që po ju bëhen këtu. E gjithë forca policore është me ju, e gjithë ushtria… i gjithë kombi… Jam krenar për ju, biri im”, deklaroi babai i tij gjatë një shërbimi përkujtimor.

Të dielën, forcat izraelite nisën një kërkim në një varrezë në Gazën veriore.

Hamasi kishte deklaruar më parë se u kishte ofruar ndërmjetësve në konflikt “të gjitha detajet dhe informacionin” që zotëronte në lidhje me vendndodhjen e trupit. Ai pohoi se zbulimi konfirmoi “angazhimin” e tij ndaj armëpushimit.

– Udhëtimi është një ëndërr –

Kthimi i këtij pengu të fundit hap rrugën për rihapjen e Rafahut, një pikë kalimi thelbësor për shpërndarjen e ndihmës humanitare.

Kjo rihapje është kërkuar prej kohësh nga Kombet e Bashkuara dhe komuniteti humanitar, por Izraeli tashmë ka specifikuar se do të jetë “e kufizuar” për këmbësorët dhe do t’i nënshtrohet “një mekanizmi gjithëpërfshirës inspektimi izraelit”.

Në terren, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit çdo ditë, situata humanitare mbetet e tmerrshme për afërsisht 2,2 milionë palestinezë.

“Bota nuk interesohet për ne. Për ne, udhëtimi është një ëndërr për t’u rikthyer në jetë”, thotë Maha Youssef, 37 vjeç, e zhvendosur në Qytetin e Gazës nga lufta.

“Edhe nëse është e vështirë financiarisht dhe ndoshta e paqëndrueshme, fëmijët e mi mund të shohin se si është jeta normale dhe ta përjetojnë atë, dhe të paktën mund të shkojnë në shkollë”, shton ajo.

Faza e dytë e planit Trump, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor, kërkon, përveç çarmatimit të Hamasit, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite, e cila ende kontrollon më shumë se gjysmën e territorit, dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së përshëndeti kthimin e Trupi i Ran Gvilit, duke bërë thirrje për “zbatim të plotë” të marrëveshjes së armëpushimit pas më shumë se dy vitesh lufte./  a.jor.

The post KOMENT – Epilogu i pengut të fundit izraelit lejon përparimin e planit Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 27.01.2026

27 January 2026 at 07:33

NJU DELHI – Samiti BE-Indi.

TOKIO (Japoni) – Fillon fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.

TOKIO (Japoni) – Dy pandat e vetme të Japonisë nisen për në Kinë.

PEKIN (Kinë) – Kryeministri finlandez Orpo takohet me presidentin kinez, Xi Jinping.

LISBONË (Portugali) – Debat televiziv midis dy kandidatëve në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

MOSKË (Rusi) – Diplomatë perëndimorë marrin pjesë në ceremoninë e Ditës së Përkujtimit të Holokaustit.

BERLIN (Gjermani) – Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit

BRUKSEL (Belgjikë) – Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit në Parlamentin Evropian.

BEOGRAD (Serbi) – Protesta e studentëve nën sloganin “Dituria është fuqi”.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Betejë ligjore për fustanet e Amy Winehouse të shitura nga miqtë.

VJENË (Austri) – Konferencë për shtyp nga Ministria e Punëve të Jashtme e Austrisë mbi rikthimi i shtetësisë austriake për pasardhësit e viktimave të nazizmit.

STRASBURG (Francë) – Presidentja moldave Maia Sandu i drejtohet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

OAKLAND (Shtetet e Bashkuara) – Hapet gjyqi kundër Meta-s për varësi nga mediet sociale.

DES MOINES (Shtetet e Bashkuara) – Vizitë e presidentit Trump./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 27.01.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 26 January 2026Main stream

BM – Starmer në Kinë në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me Pekinin

26 January 2026 at 21:01

LONDËR, 26 janar /ATSH-DPA/ – Kryeministri britanik, Keir Starmer do të udhëtojë sot drejt Kinës, në vizitën e parë kryeministrore në tetë vjet, konfirmoi zyra e tij.

“Starmer do të fluturojë gjithashtu për në Japoni këtë javë”, tha zyra e tij në Downing Street.

Vizita shënon një moment të rëndësishëm në përpjekjen e udhëheqësit të Partisë Laburiste për të ndërtuar ura me Pekinin pas një ngrirjeje në marrëdhëniet kino-britanike në vitet e fundit të qeverisë së mëparshme konservatore.

Kjo vjen pasi planet kontroverse për të ndërtuar një ambasadë të re gjigante kineze në Londër u miratuan nga qeveria e Starmer javën e kaluar.

Starmer do të shoqërohet nga udhëheqës biznesi, ndërsa ai kërkon të përmirësojë marrëdhëniet tregtare me superfuqinë në këtë udhëtim, i cili është i pari i një kryeministri britanik që nga vizita e Theresa May në vitin 2018.

Starmer përballet me presion nga vendi për të ngritur disa tema të vështira me udhëheqësin kinez Xi Jinping, përfshirë aktivitetin e spiunazhit të Kinës, trajtimin e pakicës ujgure dhe burgosjen e Jimmy Lai, një aktivist pro demokracisë në Hong Kong dhe shtetas britanik.

Një burim nga Downing Street tha se qeveria ishte e vendosur të ndiqte një qasje “të fortë dhe të pjekur” ndaj marrëdhënies së saj me Pekinin që “i vë familjet britanike në radhë të parë”.

Ai shtoi se “të fusim kokën në rërë dhe të pretendojmë se Kina nuk ka rëndësi do të ishte e pamatur, duke e bërë Britaninë e Madhe më të varfër dhe më pak të sigurt”./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post BM – Starmer në Kinë në një përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me Pekinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHËNIM – Merr fund saga e 251 pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi më 7 tetor 2023

26 January 2026 at 18:23

TEL AVIV, 26 janar /ATSH-AFP/ – Me njoftimin e sotëm për riatdhesimin e eshtrave të Ran Gvilit në Izrael, asnjë nga 251 pengjet e rrëmbyera më shumë se dy vjet më parë nuk mbahet aktualisht në Rripin e Gazës.

Shumica – 207 prej tyre – ishin rrëmbyer të gjallë gjatë sulmit të paprecedentë të nisur nga lëvizja islamike palestineze Hamas në Izrael më 7 tetor 2023.

Nga këta, 166 mbijetuan dhe 41 vdiqën në robëri, përfshirë tre që u vranë gabimisht nga ushtria izraelite në dhjetor 2023.

Ndërsa muajt kalonin, u zbulua se 44 pengjet e mbetura ishin vrarë më 7 tetor 2023 dhe ishin çuar në Rripin e Gazës.

Shumica dërrmuese e pengjeve (216), qofshin të vdekur apo të gjallë, ishin izraelitë, përfshirë rreth 100 me shtetësi të dyfishtë ose edhe të trefishtë.

Gjithashtu u rrëmbyen 31 fermerë tajlandezë, dy studentë nga Nepali dhe Tanzania, një punonjës shëndetësor filipinas dhe një shtetas franko-meksikan.

Lirimet dhe riatdhesimet u kryen kryesisht gjatë dy armëpushimeve në nëntor 2023 dhe janar-shkurt 2025, si dhe që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor.

Pesë pengje të gjalla u liruan gjithashtu jashtë periudhave të armëpushimit nga Hamasi, ndërsa tetë individë të gjallë dhe 50 trupa u riatdhesuan gjatë operacioneve ushtarake izraelite.

– Dy fëmijë vdiqën në robëri –

Shumica e pengjeve (166) u kapën në kibuce pranë kufirit me Rripin e Gazës, veçanërisht në kibucin ”Nir Oz” (76) dhe kibucin ”Beeri” (34).

Dyzet e tre pengje u rrëmbyen gjithashtu ndërsa përpiqeshin të iknin nga festivali muzikor  ”Tribe of Nova”.

Ndërsa pengjet ishin kryesisht civilë, kishte edhe 25 ushtarë, shumica dërrmuese e të cilëve ishin të rinj që kryenin shërbimin e tyre ushtarak në bazat përreth Rripit të Gazës.

Pothuajse gjysma e këtyre ushtarëve (11) u morën tashmë të vdekur.

Pengu më i ri, Kfir Bibas, ishte një foshnjë tetë muajsh e gjysmë kur u rrëmbye së bashku me nënën dhe vëllain e tij katërvjeçar.

Të 36 të miturit e marrë peng u kthyen të gjallë, përveç vëllezërve Bibas, të cilët u riatdhesuan në arkivole në shkurt të vitit 2025.

Midis pengjeve të rritur, 71 ishin gra dhe 144 ishin burra.

Katër pengjet ishin më të moshuar se 85 vjeç në kohën e rrëmbimit të tyre.

Dy u kthyen të gjallë dhe dy vdiqën./  a.jor.

The post SHËNIM – Merr fund saga e 251 pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi më 7 tetor 2023 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Qeveria nuk do të ndërhyjë në një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës nga kombëtarja gjermane

26 January 2026 at 16:20

BERLIN, 26 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane nuk do të përfshihet në një debat rreth një bojkoti të mundshëm të Kupës së Botës në futboll, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, tha ministrja e Shtetit për Sportin, Christiane Schenderlein.

“Vendimet për pjesëmarrjen ose bojkotimin e ngjarjeve të mëdha sportive janë përgjegjësi e vetme e shoqatave përkatëse sportive, jo e politikanëve”, tha Schenderlein në një deklaratë qeveritare të hënën.

Ajo tha se vlerësimi varet nga federatat përkatëse, duke emëruar Federatën Gjermane të Futbollit (DFB) dhe organin botëror qeverisës FIFA.

“Qeveria federale do ta pranojë këtë vlerësim”, tha ajo.

Një zëdhënës i qeverisë tha të hënën se nëse ekipi kombëtar gjerman ishte i përfshirë, nuk i takon qeverisë të vendosë për pjesëmarrjen e ekipit në gara.

Ka pasur konsiderata për bojkot në Gjermani dhe disa vende të tjera evropiane në lidhje me politikën e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump në lidhje me Groenlandën dhe në frontin e brendshëm, me një të shtënë të dytë fatale në fundjavë nga oficerët e imigracionit amerikanë.

Eksperti i politikës së jashtme të demokratëve, Jurgen Hardt, kishte ngritur së fundmi çështjen e bojkotit nëse SHBA-të do të aneksonin Groenlandën.

Trump tha javën e kaluar se SHBA-të nuk do të përdornin forcë ushtarake.

Të shtënat në Minneapolis të shtunën nxitën komentet e zëdhënësit të hënën, pasi gazetarët e ngritën çështjen.

Zëvendëspresidenti i DFB-së dhe kryetari i ”St Pauli”, Oke Gottlich, bëri thirrje për të paktën një debat mbi bojkotin javën e kaluar, duke i thënë gazetës ”Hamburger Morgenpost” se ”për mua koha ka ardhur patjetër”./  a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Qeveria nuk do të ndërhyjë në një bojkot të mundshëm të Kupës së Botës nga kombëtarja gjermane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 26.01.2026

26 January 2026 at 07:33

BRUKSEL (Belgjikë) – Takim i ministrave të BE-së.

PEZINOK (Sllovaki) – Fillimi i rigjykimit të organizatorit të dyshuar të vrasjes së gazetarit sllovak, Jan Kuciak.

PARIS (Francë) – Gjykim i apelit për katër persona të përfshirë në vrasjen e një mësuesi.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – 100 vjet më parë lindi televizioni – Shpikësi skocez John Baird jep demonstrimin e parë publik.

VILVORDE (Belgjikë) – Tranzicioni energjetik – Inaugurimi pranë Brukselit i një prej parqeve më të mëdha të baterive në Evropë, i menaxhuar nga firma franceze ”Engie”.

AMSTERDAM (Holandë) – Meta apelon vendimin e gjykatës holandeze në lidhje me Instagram dhe Facebook.

MINNEAPOLIS (Shtetet e Bashkuara) – Seancë dëgjimore mbi kërkesën e Minesotës për një urdhër të përkohshëm kufizues kundër operacionit të ICE në shtet.

KOMBET E BASHKUARA (Shtetet e Bashkuara) – Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi forcimin e multilateralizmit./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 26.01.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

SINTEZË – Zemërim nga Franca në Australi, pas komenteve të Trump mbi Afganistanin

25 January 2026 at 14:09

PARIS, 25 janar /ATSH-AFP/ – Australia iu bashkua zemërimit të shkaktuar nga komentet e Donald Trump, kur tha se aleatët e NATO-s kishin mbetur “shumë larg vijave të frontit” në Afganistan, duke bërë që presidenti amerikan të tërhiqej pjesërisht nga komentet e tij.

Përballë kësaj krize të re, e cila shpërtheu pikërisht kur tensionet mbi Groenlandën dukeshin se po lehtësoheshin, Trump dukej se miratoi një ton pajtues duke lavdëruar rolin e ushtarëve britanikë, pasi foli me kryeministrin Keir Starmer, i cili i kishte denoncuar komentet si “fyese”.

“Ushtarët e mëdhenj dhe SHUMË të guximshëm të Mbretërisë së Bashkuar do të qëndrojnë gjithmonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Në Afganistan, 457 vdiqën, shumë u plagosën rëndë dhe ata ishin ndër luftëtarët më të mëdhenj. Është një lidhje shumë e fortë për t’u thyer ndonjëherë”, deklaroi Donald Trump në platformën e tij Truth Social.

Në një intervistë të enjten me ”Fox News”, presidenti amerikan sulmoi vendet e tjera anëtare të NATO-s gjatë konfliktit 20-vjeçar në Afganistan, duke pretenduar se aleatët kishin “qëndruar shumë larg vijave të frontit” dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin pasur kurrë nevojë për to”.

Mbretëria e Bashkuar pësoi numrin e dytë më të lartë të viktimave në Afganistan pas Shteteve të Bashkuara (2 400 vdekje).

Ndërsa kërkoi falje për rolin e ushtarëve britanikë, Donald Trump nuk tha asgjë për përfshirjen e ushtarëve nga vendet e tjera.

Pas vendeve evropiane, Australia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por mori pjesë në koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të për të dëbuar Al-Kaedën nga fortesat e saj afgane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, gjithashtu i denoncoi këto vërejtje si “krejtësisht të papranueshme”.

Kryeministri Anthony Albanese vlerësoi “guximin” e gati 40 000 trupave australiane të vendosura gjatë dy dekadave (2001-2021).

“Ata ishin sigurisht në vijën e parë për të mbrojtur, së bashku me aleatët tanë të tjerë, demokracinë dhe lirinë, si dhe për të mbrojtur interesat tona kombëtare”, theksoi ai.

Franca, Danimarka, Italia dhe Polonia gjithashtu shprehën zemërimin e tyre.

“Këto deklarata të papranueshme nuk kërkojnë koment. Kreu i Shtetit dëshiron t’u ofrojë ngushëllim familjeve të ushtarëve të rënë dhe të përsërisë mirënjohjen dhe kujtimin me respekt të kombit”, tha një burim pranë presidentit francez Emmanuel Macron.

Franca pati 89 vdekje në Afganistan midis viteve 2001 dhe 2014.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu “habinë” e saj dhe kërkoi “respekt” pas deklaratave të zotit Trump, me të cilin ajo konsiderohet aleate.

Kryeministri polak Donald Tusk kujtoi pjesëmarrjen në një ceremoni lamtumire në vitin 2011 për pesë ushtarë polakë të vrarë në aksion në Afganistan.

“Oficerët amerikanë që më shoqëruan më thanë se Amerika nuk do t’i harronte kurrë heronjtë polakë. Ndoshta do t’ia kujtojnë këtë presidentit Trump”, shkroi ai në X.

Në Danimarkë, kryeministrja Mette Frederiksen e konsideroi “të padurueshme që presidenti amerikan po vë në pikëpyetje angazhimin e ushtarëve aleatë në Afganistan”.

Shoqata Daneze e Veteranëve tha se ishte “pa fjalë” në përgjigje të vërejtjeve të Donald Trump.

Ajo po bën thirrje për një marshim të heshtur të shtunën, më 31 janar, në Kopenhagë për të protestuar kundër këtyre sulmeve.

Grindja e parë midis dy vendeve erdhi nga komentet e bëra nga zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i cili, gjatë një vizite në bazën amerikane në Pituffik në Grenlandë në mars 2025, e quajti Danimarkën një “aleat të keq”.

“Kemi kaluar nga vërejtjet ofenduese në ato të pahijshme. Dhe tani ndiejmë se është një tradhti. Kjo nuk është vetëm e pavërtetë, por është padyshim diçka ndaj së cilës duhet të reagojmë shumë, shumë me vendosmëri”, tha zëvendëspresidenti i shoqatës, Soren Knudsen.

Knudsen shërbeu në Afganistanin jugor në vitin 2006 dhe ishte zëvendëskomandant i një misioni të NATO-s në vitin 2012, i përbërë kryesisht nga trupa amerikane.

Sipas forcave të armatosura daneze, 44 ushtarë danezë kanë vdekur në Afganistan, 37 u vranë në aksion dhe shtatë të tjerë vdiqën nga sëmundje, aksidente ose lëndime të tjera./  a.jor.

The post SINTEZË – Zemërim nga Franca në Australi, pas komenteve të Trump mbi Afganistanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Japonezët u japin lamtumirën dy pandave të vetme që kthehen në Kinë

25 January 2026 at 13:23

TOKIO, 25 janar /ATSH-AFP/ – Shumë admirues po u japin sot lamtumirën dy pandave jashtëzakonisht të njohura në Kopshtin Zoologjik të Tokios, të cilat po përgatiten të kthehen në Kinë duke e privuar arkipelagun nga këto kafshë ikonike për herë të parë në gjysmë shekulli.

Të huazuara si pjesë e programit “diplomacia e pandave” të Kinës, këto kafshë kanë simbolizuar miqësinë midis Pekinit dhe Tokios që nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre diplomatike në vitin 1972.

Megjithatë, ky largim vjen mes tensioneve të larta diplomatike midis dy fuqive fqinje.

Japonia kishte vetëm këto dy panda binjake – Lei Lei dhe Xiao Xiao – në Kopshtin Zoologjik të Tokios në distriktin Ueno.

Vizitorët e kopshtit zoologjik u prekën deri në lot ndërsa shikonin dy pandat duke ngrënë filiza bambuje.

Kthimi i papritur i pandave u njoftua muajin e kaluar pasi kryeministrja konservatore e  Japonisë, Sanae Takaichi, sugjeroi që Tokio mund të ndërmarrë veprime ushtarake në rast të një sulmi ndaj Tajvanit.

Kjo deklaratë provokoi zemërimin e Pekinit, i cili e pretendon ishullin si pjesë të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar pushtimin e tij me forcë.

“Mendoj se të shohësh panda mund të ndihmojë në ndërtimin e urave me Kinën. Kjo është arsyeja pse dua vërtet që ato të kthehen në Japoni”, tha Gen Takahashi, 39 vjeç, një banor i Tokios i cili vizitoi kopshtin zoologjik me gruan e tij dhe vajzën e tyre dyvjeçare.

Qeveria Metropolitane e Tokios, e cila menaxhon kopshtin zoologjik, kishte treguar më parë se dy kafshët ikonike do të ishin në ekspozim publike deri këtë të diel.

Dy pandat do të largohen me avion nga Japonia dy ditë më vonë dhe pritet të mbërrijnë më 28 janar në një strukturë në Kinë ku jeton motra e tyre e madhe, Xiang Xiang.

4 400 fituesit me fat të një lotarie online mundën të admironin me radhë pandat katërvjeçare, ndërsa të tjerë, të mbledhur pranë kopshtit zoologjik, shfaqnin me krenari veshje, çanta dhe lodra prej pelushi me temë pandash.

Mayuko Sumida udhëtoi për disa orë nga rajoni Aichi në Japoninë qendrore me shpresën për t’i parë ato, edhe pse nuk fitoi lotarinë.

“Jam plotësisht e magjepsur. Japonia do të mbetet pa asnjë panda. Është mjaft e trishtueshme”, tha Mayuko./  a.jor.

The post SOFT NEWS – Japonezët u japin lamtumirën dy pandave të vetme që kthehen në Kinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Sasi e konsiderueshme kokaine sekuestrohet në portin e Patras

25 January 2026 at 12:40

PATRAS, 25 janar /ATSH-ANA/ – Sasi të mëdha kokaine dhe kanabisi u sekuestruan nga oficerët e Autoritetit Qendror Portual të Patras pas një inspektimi të një kamioni, ndërsa dy burra, të moshës 49 dhe 41 vjeç, u arrestuan në lidhje me rastin.

Konkretisht, sipas Rojës Bregdetare, gjatë një inspektimi të një kamioni të drejtuar nga 49-vjeçari, i cili ishte shkarkuar në portin jugor të Patras nga një anije që vinte nga një port italian dhe pas një alarmi nga një qen zbulimi narkotikësh, oficerët zbuluan 20 pako plastike që përmbanin kokainë në kabinën e shoferit, me një peshë totale bruto prej 22 kilogramësh dhe 693 gramë.

Një inspektim i mëvonshëm i zonës së ngarkesës zbuloi 163 pako plastike me kanabis hidroponik të papërpunuar, me një peshë totale prej 133 kilogramësh dhe 669 gramë si dhe 20 pako plastike me kokainë me një peshë totale bruto prej 21 kilogramësh dhe 942 gramë.

Pas hetimeve të mëtejshme, 41-vjeçari u arrestua në zonën e Haidarit në Atikë, ku kishte mbërritur me makinë për të marrë një pjesë të lëndës narkotike.

Një kontroll në shtëpinë e 49-vjeçarit në Chalkoutsi, Atikë, zbuloi një armë zjarri, një thikë gjuetie me teh 25 centimetra, 13 pulla nga kompani të ndryshme greke dhe bullgare dhe një laptop.

Për më tepër, një kontroll në një dyqan në pronësi të 41-vjeçarit në Athinë zbuloi 5 700 euro në para të thata, 285 lira turke, një laptop, një telefon celular, tri karta SIM, një peshore precize dhe një regjistrues CCTV./ a.jor.

The post GREQI – Sasi e konsiderueshme kokaine sekuestrohet në portin e Patras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

IRAN – ”Time Magazine”: Deri në 30 000 të vrarë gjatë trazirave

25 January 2026 at 12:01

TEHERAN, 25 janar /ATSH-DPA/ – Numri i të vdekurve nga trazirat që tronditën Iranin për javë të tëra mund të kalojë 30 000, tha ”Time Magazine”.

“Deri në 30 000 njerëz mund të jenë vrarë nga forcat iraniane të sigurisë vetëm më 8 dhe 9 janar, kur vendi pa disa nga protestat më të mëdha të valës aktuale”, raportoi sot media amerikane duke cituar dy zyrtarë të lartë lokalë të shëndetësisë.

”Në ato ditë, numri i trupave të vdekur i mbingarkoi kapacitetet shtetërore për t’i zhdukur ata”, thanë zyrtarët, duke shtuar se autoriteteve iu mbaruan qeset e kufomave dhe në vend të ambulancave u përdorën rimorkio.

Protestat shpërthyen në Iran në fund të dhjetorit mes një krize ekonomike në thellim dhe inflacioni në rritje, por shpejt evoluan në demonstrata politike kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

Forcat e sigurisë së Iranit i kanë shtypur me dhunë trazirat, me raporte që tregojnë se mijëra njerëz janë vrarë.

Sipas agjencisë së lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran me seli në SHBA (HRANA), grupi ka konfirmuar 5 495 vdekje, përfshirë 5 149 protestues, ndërsa përpiqet të verifikojë 17 031 vrasje të dyshuara.

Thuhet se 7 403 persona të tjerë janë plagosur rëndë në shtypjen brutale nga forcat e sigurisë, ndërsa 40 887 u arrestuan.

Aktivistët kanë theksuar vazhdimisht se verifikimi i numrit të të vdekurve kërkon kohë, mes një ndërprerjeje të vazhdueshme të internetit të zbatuar nga autoritetet iraniane tre javë më parë.

Autoritetet e kanë vendosur numrin zyrtar të të vdekurve në 3 117, me mbi 2 400 të vrarë gjatë “aktiviteteve terroriste”, sipas ambasadorit iranian në Gjenevë.

Teherani ka akuzuar armiqtë e tij të betuar, Izraelin dhe SHBA-në, se qëndrojnë pas protestave, duke i fajësuar ata për shumë të vdekur, por pa dhënë prova./ a.jor.

The post IRAN – ”Time Magazine”: Deri në 30 000 të vrarë gjatë trazirave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Stuhitë lënë pa energji elektrike 300 000 familje dhe zbrazin qindra supermarkete

25 January 2026 at 11:12

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-AFP-DPA/ – Një stuhi e madhe dimërore përfshiu Shtetet e Bashkuara verilindore të dielën pasi solli reshje të dendura dëbore në rajonet qendrore, duke kërcënuar miliona amerikanë me ndërprerje të energjisë elektrike dhe ndërprerje të transportit për shkak të temperaturave të ulëta.

Misisipi, Luiziana dhe Teksasi janë ndër shtetet më të prekura, me më shumë se 300 000 familje të prekura nga ndërprerjet e energjisë në të gjithë vendin, sipas faqes së internetit poweroutage.us.

Shumë supermarkete u zbrazën në përgjigje të parashikimeve nga Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) që parashikonin reshje të dendura dëbore dhe akumulim akulli me pasoja potencialisht “katastrofike lokale” nga fushat jugore deri në bregdetin e Atlantikut.

Në total, 20 shtete, si dhe kryeqyteti i SHBA-së, Uashington, D.C., shpallën gjendje të jashtëzakonshme.

”Përafërsisht 14 000 fluturime për në dhe nga Shtetet e Bashkuara u anuluan gjatë fundjavës, dhe mijëra të tjera u vonuan”, sipas FlightAware.

Stuhia, e përshkruar si “jashtëzakonisht e përhapur dhe e zgjatur” nga NWS, është shkaktuar nga mbërritja e një mase ajrore arktike nga Kanadaja.

Në Nju Jork, ku temperaturat pritet të mbeten nën zero gjatë gjithë ditës dhe parashikohen deri në 30 centimetra borë për Central Park, kryetari i bashkisë Zohran Mamdani u bëri thirrje banorëve të shmangin të gjitha udhëtimet jothelbësore.

Një vendim do të merret sot në lidhje me një mbyllje të mundshme të shkollave të hënën.

Reshjet e borës u regjistruan të shtunën në Shtetet e Bashkuara qendrore, veçanërisht në Kansas, Oklahoma dhe Missouri, ku disa zona kishin 20 centimetra.

Dallas, një qytet jugor më i mësuar me temperatura të buta, pa termometrin të binte në minus 6°C.

Në Hjuston, strehimoret, përfshirë ato për të pastrehët, u hapën të shtunën pasdite në këtë qytet me gati 2,4 milionë banorë.

Ndërsa rrjeti elektrik i Teksasit përjetoi një ndërprerje të gjerë gjatë stuhisë së fundit të madhe dimërore në vitin 2021, autoritetet siguruan publikun për qëndrueshmërinë e tij këtë herë.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi të shtunën se kishte miratuar deklaratat e emergjencës për 12 shtete në Jug dhe përgjatë Bregut Lindor, gjë që do të lejojë vendosjen më të shpejtë të burimeve nga FEMA, agjencia amerikane e menaxhimit të fatkeqësive.

“Qëndroni të sigurt dhe qëndroni ngrohtë!” presidenti amerikan bëri thirrje përsëri në platformën e tij Truth Social./  a.jor.

The post SHBA – Stuhitë lënë pa energji elektrike 300 000 familje dhe zbrazin qindra supermarkete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Witkoff: Bisedime të tjera për Ukrainën në Abu Dabi

25 January 2026 at 10:23

ABU DABI, 25 janar /ATSH-DPA/ – I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff tha se bisedimet që synojnë t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës do të vazhdojnë në Abu Dabi javën e ardhshme, pas negociatave të para të drejtpërdrejta midis dy palëve të premten dhe të shtunën.

“Bisedimet ishin shumë konstruktive dhe u bënë plane për të vazhduar bisedat javën e ardhshme në Abu Dabi”, tha Witkoff në një postim në platformën e mediave sociale X.

Negociatat synojnë të gjejnë një mënyrë për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës, të urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin pothuajse katër vjet më parë në shkurt 2022.

Rusia po kërkon që Ukraina të lëshojë territor, të braktisë shpresat e saj për anëtarësim në NATO dhe të heqë dorë nga ushtria e saj e fuqishme në mënyrë që t’i japë fund dhunës.

Ukraina ka refuzuar të tërhiqet më tej nga zonat që ende nuk janë pushtuar nga forcat ushtarake ruse.

Duke vepruar si ndërmjetëse, SHBA-ja do që të bindë të dyja palët të bëjnë kompromis.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se negociatat trepalëshe ishin konstruktive dhe se u diskutuan shumë tema.

Ai tani pret raportin e detajuar nga delegacioni ukrainas pas kthimit të tyre.

Hapat e mëtejshëm do të vendosen në nivelin e udhëheqësve të vendit./ a.jor.

The post FOKUS – Witkoff: Bisedime të tjera për Ukrainën në Abu Dabi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Tensione në rritje në Mineapolis, pasi një qytetar vritet nga një oficer federal

25 January 2026 at 09:39

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-DPA/ – Tensionet u rritën më tej në Mineapolis, në shtetin amerikan të Minesotës, pasi një burrë vdiq pasi u qëllua nga një oficer federal në incidentin e dytë të tillë në qytet këtë muaj.

Sekretarja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS), Kristi Noem tha në një konferencë për shtyp se oficerët e DHS të shtunën në mëngjes “po kryenin një operacion të synuar në Mineapolis kundër një të huaji të paligjshëm” të kërkuar për krime, përfshirë sulm të dhunshëm, kur atyre iu afrua një person “me një pistoletë gjysmautomatike 9,0 milimetra”.

Noem tha se njëri nga oficerët qëlloi me armë pasi individi “reagoi me dhunë”.

“Duke pasur frikë për jetën e tij dhe për jetën e kolegëve të tyre oficerë përreth tij, një agjent qëlloi në mënyrë mbrojtëse. Mjekët ishin menjëherë në vendngjarje dhe u përpoqën t’i jepnin ndihmë mjekësore subjektit, por ai u shpall i vdekur në vendngjarje”, tha Noem, ndërsa një foto e armës u shfaq në një ekran pranë saj.

Sekretarja e DHS-së theksoi se burri mbante gjithashtu municion shtesë dhe nuk kishte me vete një dokument identifikimi.

“Kjo duket si një situatë ku një individ mbërriti në vendngjarje për t’u shkaktuar dëme maksimale individëve dhe për të vrarë forcat e rendit”, tha ajo.

Shefi i Policisë së Mineapolis e kundërshtoi këtë rrëfim dhe tha se personi vdiq pak më vonë në një spital.

Shefi i policisë shtoi se individi ishte një 37-vjeçar, shtetas i bardhë mashkull i Mineapolis, i cili me sa duket ishte shtetas amerikan.

”New York Times” raportoi, duke cituar dëshmitarë okularë, se të paktën 300 demonstrues u mblodhën në vendin e incidentit në Mineapolis brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Oficerët thuhet se përdorën gjithashtu gaz lotsjellës dhe sprej me piper.

Pas të shtënave fatale gjatë operacionit federal në Minneapolis, presidenti i SHBA-së Donald Trump sulmoi kryetarin e bashkisë së qytetit dhe guvernatorin e shtetit të Minesotës.

“Kryetari i bashkisë dhe guvernatori po nxisin kryengritje me retorikën e tyre pompoze, të rrezikshme dhe arrogante!” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Guvernatori i Minesotës Tim Walz, një demokrat, i kërkoi Trumpit në një konferencë për shtyp të tërhiqte forcat federale nga shteti.

“Largojeni këtë forcë nga Minesota, ata po mbjellin kaos dhe dhunë”, tha ai.

Kryetari i bashkisë së Mineapolis, Jacob Frey, gjithashtu demokrat, postoi në X.

“Sa njerëz të tjerë duhet të vdesin ose të qëllohen para se kjo të mbarojë? Presidenti Trump, po ju bëj thirrje që ta vini popullin amerikan dhe këtë qytet amerikan në radhë të parë dhe ta largoni ICE-n”, shkroi ai.

Më herët në janar, një oficer nga Zbatimi i Imigracionit dhe Doganave (ICE) qëlloi një grua 37-vjeçare në makinën e saj në Minneapolis.

Rasti shkaktoi zemërim dhe protesta të mëdha.

Administrata republikane amerikane e përshkroi veprimin si vetëmbrojtje, ndërsa demokratët e opozitës dhe demonstruesit folën për forcë të tepërt dhe mungesë transparence në hetim./  a.jor.

 

The post SHBA – Tensione në rritje në Mineapolis, pasi një qytetar vritet nga një oficer federal appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Meloni i kërkon Trumpit rikonfigurimin e Bordit të Paqes

25 January 2026 at 08:51

ROMË, 25 janar /ATSH-ANSA/ – Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni tha se i ka kërkuar presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump të ndryshojë konfigurimin e Bordit të tij të Paqes për ta bërë më të lehtë për Italinë dhe vendet e tjera që të regjistrohen në të.

Meloni ka thënë se Roma është e interesuar të jetë pjesë e bordit, por nuk është në gjendje të bashkohet për momentin sepse ka aspekte që bien ndesh me kushtetutën italiane.

“Thashë se ka probleme objektive kushtetuese për ne për mënyrën se si është konfiguruar iniciativa dhe kërkova gatishmërinë e tij për të rihapur këtë konfigurim për të përmbushur nevojat jo vetëm të Italisë, por edhe të vendeve të tjera evropiane”, tha Meloni në një konferencë për shtyp me kancelarin gjerman Friedrich Merz pas një samiti ndërqeveritar Itali-Gjermani në Romë.

“Duhet të përpiqemi ta bëjmë këtë punë. Prania e vendeve si e jona mund të bëjë një ndryshim. Ky është qëndrimi ynë, pastaj do të shohim se cilat janë kufijtë për të gjetur qëndrime të përbashkëta”, tha Meloni, deklaratë që u miratua edhe nga kancelari Merz.

“Lidhur me Bordin e Paqes, unë personalisht do të isha i gatshëm të hyja në të nëse ai do të shoqëronte procesin e Gazës në një fazë të dytë. Por, në çdo rast, nuk mund t’i pranojmë strukturat aktuale të qeverisjes. Jemi gati të eksplorojmë formate të reja me SHBA-në”, tha Merz.

Meloni tha gjithashtu se shpresonte që përpjekjet e Trump do t’i jepnin fund luftës në Ukrainë, duke shtuar se, nëse ndodh kjo, qeveria e saj do të mbështesë dhënien e çmimit Nobel për Paqen presidentit të SHBA-së.

“Shpresoj se do të jemi në gjendje t’ia japim çmimin Nobel për Paqen Trumpit. Kam besim se ai mund të bëjë një ndryshim për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme edhe për Ukrainën, dhe pastaj, më në fund, ne do të jemi në gjendje ta nominojmë Donald Trumpin”, deklaroi Meloni./ a.jor.

The post ITALI – Meloni i kërkon Trumpit rikonfigurimin e Bordit të Paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kravata për zonjat si simbol mode dhe emancipimi

25 January 2026 at 08:28

PARIS, 25 janar /ATSH-AFP/ – Nicole Kidman, Demi Moore apo Bella Hadid.

Aktoret dhe modelet po e vënë me besim kravatën, aksesorin thelbësor për burrat, një gjest që rezonon veçanërisht fuqishëm në një kohë kur të drejtat e grave janë nën kërcënim.

Qoftë e kombinuar me një kostum, siç bëri Nicole Kidman në shkurt 2025 në ”Critics’ Choice Awards” ose me një fustan të zi dhe këmishë transparente, siç bëri Demi Moore nëntorin e kaluar në Berlin, ky aksesor, i lidhur prej kohësh me burrat me kostume dhe vendin e punës, është rishfaqur në gardërobat e grave në sezonet e fundit.

E popullarizuar në tapetin e kuq në vitet 1970 nga aktorja e ndjerë amerikane Diane Keaton, kravata është përqafuar së fundmi nga modele si Bella Hadid dhe Loli Bahia, të cilat të dyja i janë nënshtruar stilit djaloshar.

“Ne e shohim atë jo vetëm në tapetin e kuq, por edhe në zemër të qarqeve të pushtetit politik dhe ekonomik, ku gratë kryesore veshin një aksesor që, deri vonë, mbeti pothuajse ekskluzivisht mashkullor”, tha ekspertja e modës Patrycia Centeno.

“Është një mënyrë për të pohuar vendin e grave në një botë dhe një sistem që mbetet thellësisht patriarkal”, thekson kjo eksperte.

Influenceret kanë kontribuar gjithashtu në vendosjen e kravatës si një element kryesor i modës së grave.

– Emancipimi i grave –

Ky aksesor, pararendësit e të cilit mund të jenë shamitë e lidhura rreth qafës që mbanin mercenarët kroatë në shekullin XVII, tashmë ishte shfaqur disa herë në gardërobat e grave.

Që nga shekulli XIX e këtej, kravata u përvetësua nga intelektualët francezë George Sand dhe Colette.

Gjithashtu vishej nga britaniket në fillim të shekullit XX.

”Aksesori mbahet nga disa feministe si një shenjë e fitimit të të drejtave dhe e  dukshmërisë në sferën publike”, vëren Marine Chaleroux, një historiane mode.

Aktorja gjermane Marlene Dietrich dhe stilistja e modës Coco Chanel gjithashtu e përqafuan atë.

”Në vitet 1980 dhe 1990, ndërsa gratë filluan të ngjiteshin në shkallët profesionale, kravata u bë një simbol vizual i kësaj qasjeje gjithnjë e më të rëndësishme në pozicione të larta drejtuese në kompani të mëdha ose poste të nivelit të lartë”, shton Marine Chaleroux.

”Këto kthime ciklike të kravatës në gardërobat e grave shpesh përkojnë me periudha cenueshmërie kur të drejtat sfidohen”, vëren historiania.

Ky vëzhgim gjen jehonë veçanërisht të fortë sot, pasi shumë organizata feministe denoncojnë një rënie të të drejtave të grave në mbarë botën, në një kohë kur retorika reaksionare është në rritje.

E ringjallur nga gratë, kravata është rikthyer gjithashtu kohët e fundit në pistat e meshkujve.

Gjatë sfilatave të modës për meshkuj në Paris këtë javë, ajo ishte e pranishme në pothuajse çdo sfilatë, nga Louis Vuitton te Dries Van Noten, përfshirë Issey Miyake.

”Por, nën ndikimin e një stili femëror të konsideruar më krijues, veshjet për meshkuj po shohin shfaqjen e kravatave pothuajse të modës së rrugës, të veshura me pantallona shumë të gjera, mbi bluza, bluza me kapuç ose edhe të veshura qëllimisht gabimisht, siç shihet te Dior”, vëren Marc Beaugé, drejtor i revistës për veshjet për meshkuj ”L’Étiquette”.

”Kjo do ta transformojë këtë aksesor, krejtësisht të padobishëm, shumë tradicional, shumë mashkullor, i cili kërkon saktësi të madhe për sa i përket jakës, nyjës dhe gjatësisë, në një lloj ëmbëlsire në modë”, siguron ai./  a.jor.

The post FOKUS – Kravata për zonjat si simbol mode dhe emancipimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Zemra mund të rigjenerohet pjesërisht pas një infarkti

25 January 2026 at 07:47

MILANO, 25 janar /ATSH-ANSA/ – Në kundërshtim me idenë e përhapur gjerësisht, zemra e njeriut mund të rigjenerohet pjesërisht pas një infarkti.

Studiuesit e udhëhequr nga Universiteti i Sidnejt kanë vërejtur se qelizat e muskulit të zemrës fillojnë të riprodhohen pas një dëmtimi të tillë, megjithëse ato nuk janë në gjendje të parandalojnë plotësisht formimin e disa indeve, të cilat më pas dëmtojnë efikasitetin e zemrës.

Zbulimi, i botuar në revistën ”Circulation Research”, hap mundësi të reja për terapitë rigjeneruese për sëmundjet kardiovaskulare, shkaku kryesor i vdekjes në nivel global.

Studiuesit e udhëhequr nga Robert Hume ishin në gjendje të përdornin, për herë të parë, mostra të indeve të gjalla të zemrës njerëzore të marra nga pacientët që i nënshtrohen një operacioni bajpas, një procedurë kirurgjikale që synon rivendosjen e rrjedhjes së gjakut duke anashkaluar arteriet e bllokuara.

Falë këtyre mostrave, autorët e studimit ishin në gjendje të renditnin molekulat e ARN-së, të cilat mbajnë udhëzimet për ndërtimin e proteinave të koduara në ADN, duke vëzhguar nga afër metabolizmin e indit kardiak.

Të dhënat treguan për herë të parë se, pas një infarkti, ndarja dhe përhapja e qelizave të muskulit të zemrës në të vërtetë rriten, një fenomen i vërejtur më parë vetëm tek minjtë.

“Ndërsa ky zbulim i ri në lidhje me rigjenerimin e qelizave muskulore është emocionues” komenton Hume

”Por, ai nuk është i mjaftueshëm për të parandaluar efektet shkatërruese të një ataku në zemër. Prandaj, shpresojmë që me kalimin e kohës të zhvillojmë terapi që mund të përforcojnë aftësinë natyrore të zemrës për të prodhuar qeliza të reja dhe për t’u rigjeneruar”, shton ai./ a.jor.

The post FOKUS – Zemra mund të rigjenerohet pjesërisht pas një infarkti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Një postim i Shtëpisë së Bardhë me Trumpin dhe një pinguin që ’’pushtojnë’’ Groenlandën shkakton ironi

25 January 2026 at 07:41

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-ANSA/ – Një postim i Shtëpisë së Bardhë, i gjeneruar me IA dhe i publikuar në X, është bërë viral.

Ai ka një foto të presidentit Trump duke ecur në dëborë me një pinguin që mban flamurin amerikan dhe duke u drejtuar drejt maleve të akullta me flamurin e Groenlandës.

Një ide e marrë nga dokumentari i vitit 2007 ’’Encounters at the end of the world’’ nga Werner Herzog, i cili gjithashtu kap një pinguin që largohet nga grupi i vetëm në drejtim të kundërt me rrymën.

Por, imazhi i postuar nga menaxherët e medieve sociale të manjatit ka shkaktuar një sasi të bollshme ironie dhe memesh në mediet sociale duke filluar me faktin se pinguinët jetojnë vetëm në Hemisferën Jugore.

Disa i kujtojnë presidentit se shkurtimi i fondeve për arsimin mund të mos ketë qenë një ide e mirë, dhe disa në vend të kësaj e lënë pinguinin të flasë: “E dini që kjo nuk është Groenlanda, apo jo?”

Të tjerë postuan një hartë që nxjerr në pah zonat ku mund të gjenden pinguinët.

Megjithatë, memet më armiqësore sugjeruan se shoqëruesi më i mirë i Trump në pushtimin e Groenlandës do të ishte një ari polar.

Ish-ministri kanadez i Mbrojtjes dhe kryeministri i Albertës, Jason Jennedy, komentoi se “ai… ngatërroi vazhdimisht Islandën me Groenlandën, tani stafi i tij po ngatërron Antarktidën me Groenlandën. Kombi më i fuqishëm në Tokë po drejtohet si një shfaqje kllounësh”.

“Trump dëshiron të përsërisë edhe një herë se është një idiot i plotë. Groenlanda nuk është shtëpia e pinguinëve dhe Trump nuk ka të drejta as për Groenlandën dhe as për pinguinët. A është kjo vërtet Shtëpia e Bardhë? Pra, Shtëpia e Bardhë është një shaka injorante”, tha ekonomisti i njohur suedez, Anders Aslung.

Së fundmi, ka nga ata që kujtojnë një tjetër gafë të Shtëpisë së Bardhë që përfshinte këto kafshë, kur në Ditën e Çlirimit presidenti i sapozgjedhur vendosi gjithashtu tarifa për ishullin Heard dhe ishullin McDonald, të populluar vetëm nga pinguinë të pafajshëm./  a.jor.

The post SOFT NEWS – Një postim i Shtëpisë së Bardhë me Trumpin dhe një pinguin që ’’pushtojnë’’ Groenlandën shkakton ironi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 25.01.2026

25 January 2026 at 07:33

HUELVA (Spanjë) – Manifestim në nderim të viktimave të aksidentit hekurudhor.

NJU DELHI (Indi) – Vizitë e Antonio Costa, President i Këshillit Evropian, dhe Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.

BURMA – Zgjedhje parlamentare.

PEKIN (Kinë) – Vizitë e kryeministrit finlandez, Petteri Orpo.

HAMBURG (Gjermania) – Samiti i Energjisë në Detin e Veriut.

SANTA CRUZ (Bolivi) – Futboll – Ndeshje miqësore Bolivi-Meksikë.

LONDËR – Futboll – Premier League./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 25.01.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AGJENDA NDËRKOMBËTARE 24.01.2026

24 January 2026 at 07:33

VARSHAVË (Poloni) – Vizitë e presidentes moldave, Maia Sandu.

PARIS (Francë) – Demonstrata në solidaritet me kurdët e Sirisë

SPINDLERUV MLYN (Republika Çeke) – Ski alpin – Kupa e Botës për femra.

LONDËR – Futboll – Ndeshjet e Premier League./ a.jor.

The post AGJENDA NDËRKOMBËTARE 24.01.2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌