Lojërat Olimpike 2026 – Polemika në Itali mbi praninë e një divizioni amerikan të ICE-së
MILANO, 27 janar /ATSH-AFP/ – Një divizion i Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) do të jetë i pranishëm në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina (6-22 shkurt) për të kontribuar në sigurinë e ngjarjes, por duke shkaktuar reagime të forta në Itali.
“Në Lojërat Olimpike, Shërbimi i Sigurisë Kombëtare (HSI) i ICE-së do të mbështesë Shërbimin e Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, si dhe vendin pritës, në vlerësimin dhe zbutjen e rreziqeve që lidhen me organizatat kriminale transnacionale”, njoftoi ICE në një deklaratë.
“Natyrisht, ICE nuk kryen operacione imigracioni jashtë vendit”, deklaroi agjencia, duke theksuar se “të gjitha operacionet e sigurisë mbeten nën autoritetin italian”.
Mijëra agjentë të ICE u vendosën nga presidenti Donald Trump në disa qytete amerikane si pjesë e një fushate kundër imigracionit të paligjshëm.
Veprimet e tyre kanë shkaktuar protesta të gjera, dhe vrasjet e fundit nga agjentët e tyre të dy qytetarëve amerikanë, Renee Good dhe Alex Pretti, të dy 37 vjeç, në rrugët e Minneapolis (veriu i Shteteve të Bashkuara), kanë provokuar zemërim.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ICE-së, i cili do të mobilizohet gjatë Lojërave Olimpike Milano-Cortina, lufton ndërkombëtarisht, veçanërisht kundër trafikut të drogës dhe terrorizmit, sipas faqes së internetit të ICE-së.
Agjentët e akuzuar për dhunë në Shtetet e Bashkuara i përkasin një divizioni tjetër (Operacionet e Zbatimit dhe Largimit), përgjegjës në veçanti për deportimet, por kjo nuk ka parandaluar polemikat në Itali.
“Ata nuk janë të mirëpritur në Milano, nuk ka dyshim për këtë”, deklaroi kryebashkiaku i qytetit, Giuseppe Sala, në radion RTL 102.5./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post Lojërat Olimpike 2026 – Polemika në Itali mbi praninë e një divizioni amerikan të ICE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.