Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ka shënuar rritje të konsiderueshme të ndërhyrjeve kirurgjike gjatë vitit 2025, duke realizuar 500 operacione më shumë krahasuar me vitin 2024.
Sipas të dhënave zyrtare të spitalit, gjatë vitit 2025 janë kryer gjithsej 3 mijë e 369 operacione kirurgjike, një shifër kjo më e lartë edhe në raport me vitet paraprake.
Ndërhyrjet janë realizuar me sukses të plotë nga ekipet mjekësore të degëve kirurgjike.
Operacionet janë kryer në Kirurgji të Përgjithshme, Ortopedi, Otorinolaringologji, Oftalmologji, Urologji si dhe në Obstetrikë dhe Gjinekologji, duke reflektuar një angazhim të shtuar dhe kapacitete më të avancuara shërbimi për pacientët.
Drejtuesit e institucionit kanë përgëzuar stafin e degëve kirurgjike dhe të anestezionit, përfshirë mjekët, infermierët dhe stafin tjetër mbështetës, për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e palodhshme gjatë gjithë vitit 2025. /Telegrafi/
Një grua rreth moshës 53 vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një zjarri që ka kapluar një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.
Sipas tij, viktima ka jetuar me babain e saj dhe ka qenë e palëvizshme.
“Një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës është përfshirë nga flakët, ku për pasojë ka mbetur pa shenja jete një grua rreth moshës 53 vjeçare e cila ka qenë duke jetu veç me babën dhe ka qenë e palëvizshme. Ende nuk dihen rrethanat e zjarrit dhe policia është duke u marr me rastin”, ka thënë Graishta. /Telegrafi/
Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Gjilanit ka publikuar bilancin vjetor të punës për periudhën janar–dhjetor 2025, duke prezantuar të dhëna të detajuara mbi aktivitetet inspektuese në fushën e ndërtimit, veprimtarive afariste, komunikacionit, mjedisit dhe hapësirave publike.
Në sektorin e ndërtimit, gjatë vitit 2025 janë hartuar gjithsej 308 procesverbale, janë shqiptuar 15 gjoba dhe janë shqyrtuar 36 ankesa nga qytetarët.
Nga Drejtoria theksohet se është rritur ndjeshëm vetëdijesimi i qytetarëve për pajisje me leje ndërtimi, ndërsa ndërtimet e larta janë mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm përmes matjeve gjeodezike për çdo etazhitet.
Inspektorët kanë realizuar përcjellje të vazhdueshme të punimeve, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së ndërtimit.
Në fushën e veprimtarive afariste, gjatë vitit janë inspektuar 261 biznese, shumica prej tyre biznese të reja. Për këtë periudhë janë hartuar 261 procesverbale, janë realizuar 163 pranime të kushteve minimale teknike për subjekte afariste, si dhe është bërë kontrolli i dokumentacionit të konformitetit të mallrave sipas standardeve evropiane.
Po ashtu, është mbyllur një subjekt afarist dhe janë shqiptuar 10 gjoba mandatore, ndërsa të hyrat nga pranimet teknike kanë arritur vlerën prej 14,600 euro.
Drejtoria ka raportuar edhe për bashkëpunim me Policinë e Kosovës lidhur me organizimin e ahengjeve të maturantëve, ku gjatë inspektimeve janë ndaluar pijet alkoolike për persona nën moshën 18-vjeçare.
Në sektorin e komunikacionit janë hartuar 176 procesverbale, janë iniciuar 35 kundërvajtje dhe janë shqiptuar 10 gjoba. Inspektimet kanë përfshirë linjat komunale të autobusëve, taksitë legale dhe ilegale, si dhe aktivitete vetëdijesuese në shkolla fillore të mesme të ulëta, ku gjatë muajit shtator janë mbajtur ligjërata me temën “Fëmijët miq në trafikun rrugor” në tetë shkolla të zonës urbane të Gjilanit.
Në aspektin e mjedisit, Drejtoria ka monitoruar hapësirat urbane dhe rurale, duke trajtuar kërkesa dhe ankesa të qytetarëve për ndotje, hedhje të mbeturinave dhe pajisje me leje mjedisore komunale. Pas inspektimeve në terren janë lëshuar vendime, gjoba, afate ligjore dhe akte të tjera normative.
Po ashtu, është bërë monitorimi i zbatimit të lejeve mjedisore për subjektet afariste dhe është realizuar bashkëpunim me operatorë publikë për pastrimin e disa lokacioneve në qytet.
Gjatë vitit 2025, Drejtoria e Inspekcionit ka bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, MMPHI-në, KPMM-në, prokurorinë, ndërmarrjet publike lokale dhe kompani të shërbimeve publike, duke përfshirë “Hidromorava”, NPL “Tregu”, “Eco Higjiena” dhe KEDS-in.
Në kuadër të shqyrtimit të ankesave zyrtare, janë shqiptuar 13 gjoba mandatore, janë hartuar 109 procesverbale dhe janë pranuar 39 kërkesa zyrtare. Sipas Drejtorisë, masat e ndërmarra kanë përfshirë vërejtje verbale, ndërprerje punimesh, dhënie afatesh ligjore dhe shqiptim gjobash.
Drejtoria e Inspekcionit në Gjilan vlerëson se puna gjatë vitit 2025 ka kontribuar në forcimin e zbatimit të ligjit, rritjen e rendit dhe përmirësimin e standardeve në fusha të ndryshme të jetës publike në komunë. /Telegrafi/
Ekipet e KRM “Pastrimi” po vazhdojnë angazhimin në terren edhe gjatë orëve të natës, me qëllim të largimit të mbeturinave të grumbulluara dhe vendosjes së kontejnerëve në zonat ku është paraqitur nevojë urgjente.
Nga kjo ndërmarrje bëhet e ditur se puna po zhvillohet me intensitet të shtuar, lagje pas lagjeje dhe derë më derë, në mënyrë që situata të rikthehet në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.
KRM “Pastrimi” ka falënderuar qytetarët për durimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se angazhimi i ekipeve nuk do të ndalet derisa gjendja të stabilizohet plotësisht dhe shërbimi të jetë në nivelin e duhur. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vazhdon të mbetet adresa e parë e besimit për qytetarët, përmes bashkëpunimit dhe veprimeve të përgjegjshme në shërbim të komunitetit.
Sipas njoftimit, mbrëmë rreth orës 22:00, në Stacionin Policor në Podujevë, dy qytetarë me inicialet S.B dhe L.B kanë dorëzuar një portofol të gjetur, i cili përmbante para dhe dokumente personale.
Pas procedurave të nevojshme, portofoli i është kthyer pronarit të tij, duke përmbyllur me sukses rastin.
Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe gjestin human, duke vlerësuar veprimet që forcojnë besimin dhe solidaritetin në shoqëri. /Telegrafi/
Ekipet e KRU “Hidrodrini”, të sektorit të Kanalizimit nga Istogu dhe Peja, kanë realizuar intervenime pastrimi dhe zhbllokime të rrjetit të kanalizimit në tre lokalitete të fshatrave të Istogut.
Zhbllokime janë kryer në fshatrat Gurrakoc, Saradran dhe Zabllaq, si pasojë e bllokimeve të shkaktuara nga mbeturina të ngurta, gjëra ushqimore të jashtë përdorimit dhe objekte të tjera që rrjeti i kanalizimit nuk është i destinuar t’i përballojë.
KRU “Hidrodrini” apelon tek qytetarët që të shmangin hedhjen e materialeve të papërshtatshme në kanalizim, për të garantuar funksionimin e rregullt të sistemit dhe shmangien e dëmeve. /Telegrafi/
Hidromorava njofton konsumatorët se, për shkak të një defekti në gypin e ujësjellësit, furnizimi me ujë në rrugën “Mbretëresha Teutë” në lagjen “Dheu i Bardhë” është ndërprerë.
Kompania bën të ditur se çdo ndryshim në situatë apo informacion shtesë do t’i bëhet i ditur qytetarëve përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.
Konsumatorët ftohen të tregojnë mirëkuptim dhe durim deri në normalizimin e furnizimit. /Telegrafi/
Pas një shtyrjeje të përkohshme të procesit mësimor për shkak të problemeve të ngrohjes qendrore, nga data 19 janar, mësimi në shkollat e Komunës së Fushë Kosovës ka rifilluar në ambiente të ngrohta dhe të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Gjatë kësaj periudhe, janë instaluar dhe riparuar sisteme të reja ngrohjeje në shkollat “Mihal Grameno”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Lismiri”, “Daut Bogujevci” dhe “Vëllezërit Frashëri”, duke siguruar kushte më të mira për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Komuna ka publikuar një video ku tregohet ambienti i përmirësuar mësimor, ndërsa nxënësit tashmë vijojnë mësimin në kushte më të sigurta dhe komode.
Autoritetet komunale bëjnë me dije se arsimi mbetet prioritet kryesor dhe do të vazhdojnë angazhimet për përmirësimin e kushteve në të gjitha institucionet arsimore. /Telegrafi/
Në një aksion të ndërmarrë sot nga Drejtoria e Inspekcionit dhe trupa inspektuese e Komunës së Obiliqit, është liruar prona e uzurpuar në fshatin Plemetin, konkretisht objekti i Shtëpisë së Kulturës, i cili ishte në shfrytëzim pa bazë ligjore për më shumë se 25 vjet.
Sipas njoftimit të komunës, ky veprim shënon një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të rendit ligjor dhe respektimit të së drejtës së pronës.
Aksioni është realizuar në përputhje të plotë me ligjet në fuqi, duke dëshmuar angazhimin e institucioneve komunale për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik.
Drejtoria e Inspekcionit thekson se do të vazhdojë trajtimin e të gjitha rasteve të uzurpimit të pronës, pa dallim, duke respektuar parimet e barazisë dhe sundimit të ligjit.
Ky aksion tregon përkushtimin institucional të Komunës së Obiliqit për forcimin e rendit juridik dhe garantimin e të drejtave pronësore për qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Behram Latifin drejtor të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Sipas njoftimit të komunës, Latifi ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, drejtimi i përgjithshëm. Ai ka përvojë profesionale në sektorin publik, ku ka shërbyer si zyrtar ligjor dhe zyrtar ekzekutiv në Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe në Inspektoratin e Punës, ku ka mbajtur disa pozita, përfshirë zyrtar të lartë për bashkëpunim profesional, ushtrues detyre i menaxherit të personelit dhe udhëheqës i Divizionit për Cilësi të Inspektimeve dhe Standardizim të Gjobave.
Po ashtu, Latifi ka përvojë edhe në sektorin privat, ku ka ushtruar detyra menaxheriale.
Kryetari Bulliqi i ka uruar Latifit suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re, duke shprehur besimin se ai do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural në Komunën e Podujevës. /Telegrafi/
Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit njofton se po vazhdon zbatimi i masave për rritjen e sigurisë në trafik.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, Njësiti i Trafikut të Kryeqytetit është duke realizuar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në bazë të monitorimit të kamerave të sigurisë.
Nga data 13.01.2026 deri më 19.01.2026 nga kjo njësi janë shqiptuar 1369 gjoba për kundërvajtje të ndryshme, përfshirë edhe përdorimin e telefonit mobil gjatë vozitjes, të cilat janë evidentuar nga kamerat e sigurisë apo gjatë zbatimit të detyrave të rregullta.
Me këtë rast, Policia e Kosovës u bën apel të gjithë shoferëve që të shmangin përdorimin e telefonit gjatë vozitjes dhe të respektojnë rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve. /Telegrafi/
Në fshatin Nagavc të komunës së Rahovecit ndodhet një lis shumëvjeçar, i njohur nga banorët si “Lisi i Mujës”, i cili mbart një histori të veçantë dhe është futur në listën e objekteve nën mbrojtje nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që nga viti 2016.
Në pamje të parë, ky lis mund të duket i zakonshëm, por sipas banorëve të fshatit, ai është shumë i vjetër dhe nuk mbahet mend as nga paraardhësit e tyre.
Ata kanë treguar për Telegrafin se ndër vite lisi është shfrytëzuar edhe si pikë ndalese nga kalimtarë të shumtë, për shkak të kuriozitetit dhe veçantisë që ka.
Megjithatë, “Lisi i Mujës” ka nisur të dëmtohet si pasojë e proceseve natyrore, ndërsa një degë e tij tashmë është thyer. Banorët shprehin shqetësim se mungesa e mirëmbajtjes po e kthen këtë monument natyror në rrezik për fshatin.
Sipas banorit të Nagavcit, Sadat Gashi, lisi nuk është mirëmbajtur prej vitesh, ndonëse ndodhet nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës.
Ai thekson se një nga degët e lisit gjendet mbi telat e rrymës elektrike dhe ekziston rreziku që të shembet në çdo moment, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke rrezikuar dhjetëra shtëpi të fshatit.
Po ashtu, një pjesë e degëve shtrihen mbi rrugën kryesore të fshatit Nagavc, çka paraqet rrezik serioz për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të ruhet kjo vlerë natyrore, por njëkohësisht të garantohet siguria e qytetarëve. /Telegrafi/
Kuvendi Komunal i Malishevës ka miratuar sot, me shumicë votash, buxhetin e Komunës së Malishevës për periudhën 2026–2028, me theks të veçantë në vitin 2026, i cili kap vlerën prej 22,088,710 euro.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka vlerësuar miratimin e buxhetit si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e komunës dhe për realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve.
“Ky buxhet është besim, punë dhe investim për çdo lagje e çdo fshat, për fëmijët tanë dhe për Malishevën Urbane që po e ndërtojmë bashkë”, ka deklaruar Kastrati.
Ai ka falënderuar anëtarët e Kuvendit Komunal për përkrahjen e dhënë, duke theksuar se miratimi i buxhetit krijon bazë të qëndrueshme për realizimin e projekteve zhvillimore dhe përmirësimin e shërbimeve publike.
“Faleminderit për besimin dhe përkrahjen” ka shtuar kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati.
Sipas Komunës së Malishevës, buxheti i miratuar synon investime të balancuara në të gjitha zonat e komunës, duke përfshirë zhvillimin urban, infrastrukturën, arsimin dhe mirëqenien e qytetarëve. /Telegrafi/
Tutje bëhet e ditur se gjatë arrestimit është përdor edhe sprej zyrtar.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që kanë sulmuar fizikisht dhe me mjete të forta katër zyrtarë policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare. Gjatë arrestimit është përdorur edhe sprej zyrtar”, thuhet në raport.
Ndërkaq, të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Një incident zjarri ka ndodhur sot rreth orës 02:00 të mëngjesit në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Sylejman Vokshi” në Deçan, ku është dashur ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, i cili ka bërë të ditur se zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i tij ende nuk dihet.
“Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i Shkollës Fillore ‘Sylejman Vokshi’ për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Zjarri kishte përfshirë drutë për ngrohje të shkollës, ndërsa shkaku i zjarrit ende nuk është i njohur,” ka deklaruar Hulaj.
Sipas tij, për rastin janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat po merren me hetimin.
“Menjëherë janë lajmëruar edhe Policia e Kosovës, e cila është duke u marrë me rastin në përputhje me procedurat ligjore,” ka shtuar ai.
Hulaj ka theksuar se pavarësisht incidentit, procesi mësimor në këtë shkollë nuk do të ndërpritet, pasi objekti shkollor ka alternativa për ngrohje.
“Njoftojmë opinionin publik se procesi mësimor në Shkollën Fillore ‘Sylejman Vokshi’ do të vazhdojë pa asnjë ndërprerje, pasi që shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje,” ka bërë të ditur drejtori i Arsimit.
Në fund, Hulaj ka falënderuar të gjitha institucionet e angazhuara për reagimin e shpejtë.
“Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional, sidomos duke marrë parasysh kushtet e vështira dhe temperaturat e ulëta, ku kanë qëndruar në terren gjatë gjithë natës,” ka përfunduar ai. /Telegrafi/
Drejtoria për Inspektorat e Komunës së Fushë Kosovës ka realizuar sot inspektime në disa zona të qytetit, me qëllim lirimin e hapësirave publike dhe rregullimin e rendit në trotuare dhe sipërfaqe të përbashkëta.
Gjatë këtyre inspektimeve janë evidentuar raste të bllokimit të hapësirave publike, si dhe shfrytëzime të paautorizuara në zona publike. Në disa raste është kërkuar largimi i menjëhershëm i pengesave, janë dhënë paralajmërime në vend dhe janë iniciuar procedura për trajtim administrativ, në përputhje me kompetencat ligjore të Inspektoratit.
Drejtori për Inspektorat në Komunën e Fushë Kosovës, Durim Hajra, ka bërë thirrje për përgjegjësi qytetare dhe institucionale.
“I ftojmë të gjitha bizneset dhe qytetarët që të mos i zënë hapësirat publike dhe të mos pengojnë lëvizjen e lirë të këmbësorëve, qasjen për persona me aftësi të kufizuara, si dhe sigurinë e përgjithshme në qytet. Inspektimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen dhe në rast të mosrespektimit do të merren masa shtesë, përfshirë gjoba dhe largim të detyrueshëm të pengesave, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ai.
Ai ka falënderuar qytetarët dhe bizneset për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e treguar gjatë këtij aksioni.
Nga Komuna e Fushë Kosovës bëhet e ditur se mbetet e përkushtuar në krijimin e kushteve për një ambient më të rregullt, të sigurt dhe një cilësi më të mirë jete për të gjithë qytetarët. /Telegrafi/
Temperaturat mëngjesin e së hënës u ulën në minus, e për këtë mësimi në shkollën e mesme ekonomike në Gjilan vazhdoi me orar të shkurtuar 30 minuta.
Edhe ndërrimi i pasdites që janë nxënësit e mjekësisë e vazhdojnë mësimin me gjysmë orari.
Situatë e njëjtë për shkak të mungesës së furnizimit me dru është edhe në gjimnazin natyror.
Drejtori i shkollës thotë se presin që situata të stabilizohet.
“Javën e parë kemi pasur probleme për dru nuk kena mjaftueshëm por s'kemi mungese, shpresojmë që prap do të vijnë, sa i përket nxemjet edhe shkollës është hapësirë e madhe edhe problemin kryesor e kemi me dritaret që janë deformuar po kemi probleme”, ka thënë Bekim Mustafa – drejtor i shkollës.
Ai thotë se në këtë shkollë nga pasditja synohet të kthehen në orar të rregullt, për shkak se temperaturat janë më të larta.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Gjilan që janë opozitë thonë se partia në pushtet ka dështuar për të bërë furnizimin me dru me kohë.
“Gjithashtu edhe në objekte të administratës komunale është alarmante në secilën zyre ka katër 5 nxemse dhe është një çoroditje totale e pushtetit komunal rreth menaxhimit të kësaj situate. E gjithë kjo mendojmë se është si rezultat i harlisjes së kryetarit para zgjedhjeve që një vit bëri investime të paplanifikuara, shkeli kontratën kornizë”, ka thënë Fitim Guda- asamblist i LDK-së.
Dukagjini ka pyetur për këtë çështje në Komunën e Gjilanit, por ata nuk janë përgjigjur.
Pyetjeve dhe interesimit të televizionit nuk i është përgjigjur as ushtruesi i drejtorit të Arsimit në Gjilan, Luan Kastrati./Tv Dukgjini/
Në kuadër të formimit të Kabinetit të ri të qeverisjes lokale, kryetari i Komunës së Dragashit, Bexhet Xheladini, ka njoftuar sot emërimin e Raisa Shabani Jelmazi si drejtoreshë të Drejtorisë për Mbrojtje, Shpëtim dhe Shërbime Publike.
Ky emërim shënon një hap të rëndësishëm drejt avancimit të barazisë gjinore në institucionet lokale, pasi Jelmazi bëhet drejtoresha e dytë grua në Kabinetin e kryetarit Xheladini.
Sipas tij, kjo tregon përkushtimin për një përfaqësim të denjë të grave në pozita vendimmarrëse dhe për mbështetjen e barazisë gjinore në qeverisjen lokale.
Përveç aspektit gjinor, Jelmazi përfaqëson edhe komunitetin joshumic, duke kontribuar në vizionin e qeverisjes gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, pa dallime etnike apo sociale.
Kryetari Xheladini i ka uruar drejtoreshës Jelmazi suksese në detyrën e re dhe ka theksuar pritshmërinë për një bashkëpunim të frytshëm në shërbim të interesit publik dhe të qytetarëve të Dragashit. /Telegrafi/
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se Thirrja Publike për Skemën e Granteve për Energji të Pastër është e hapur dhe do të vazhdojë deri më 31 janar 2026.
Sipas udhëzimeve të Ministrisë, aplikuesit mund të kërkojnë subvencion për sisteme baterish për ruajtjen e energjisë elektrike, përfshirë edhe ata që tashmë posedojnë sisteme solare fotovoltaike ekzistuese, si pasues të njëhsorit apo si prosumatorë.
Subvencionimi përcaktohet sipas kapacitetit të instaluar të baterive dhe konfigurimit teknik të dorëzuar në aplikim, pa kufizim të drejtpërdrejtë të kapacitetit (kWh), por brenda vlerës maksimale të mbështetjes financiare të përcaktuar në thirrje.
Për të ndihmuar aplikuesit, Ministria e Ekonomisë ka përgatitur dokumentin “Përgjigje për pyetjet më të shpeshta në lidhje me grant skemën për energji të pastër”, i cili përmban sqarime të detajuara mbi kriteret dhe procedurat e aplikimit.
Komuna e Drenasit i bën thirrje qytetarëve dhe subjekteve private të shfrytëzojnë këtë mundësi për investime në energji të pastër dhe të qëndrueshme, duke përmirësuar efikasitetin energjetik dhe duke kontribuar në mbrojtjen e ambientit.
Afati i fundit për aplikim: 31 janar 2026. /Telegrafi/
Komuna e Hanit të Elezit bën të ditur se Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, ka hapur thirrjen për aplikim për Programin e Pagesave Direkte për vitin 2025, duke mbështetur sektorin e blegtorisë dhe akuakulturës.
Fermerët dhe subjektet e regjistruara mund të aplikojnë për pagesa direkte për: qumësht sipas kategorive të cilësisë, therjet e raportuara të gjedhit, akuakulturë, viçat për majmëri dhe zogjtë për majmëri (brojlerë). Afati i aplikimit fillon më 19 janar 2026 dhe përfundon më 18 shkurt 2026, në ora 16:00.
Kriteret për secilën kategori përfshijnë identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve në sistemin AUV, dorëzimin e sasisë minimale të produkteve bujqësore sipas kategorive përkatëse, si dhe dokumentacion të plotë për cilësinë, kontratat dhe pagesat e kryera.
Subvencionimi bëhet në bazë të sasive dhe klasave të produkteve:
Qumësht: 0.07 €/litër (Klasa Ekstra), 0.04 €/litër (Klasa e Parë), 0.02 €/litër (Klasa e Dytë)
Gjedh i therur: 50 €/krerë
Viça për majmëri: 25 €/krerë
Zogj për majmëri (brojlerë): 0.20 €/zog
Akuakulturë: 0.30 €/kg peshk të shitur
Dokumentacioni i detajuar për çdo kategori dhe mënyra e subvencionimit janë të qarta në thirrjen e hapur nga Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë, e cila garanton mbështetje të plotë dhe transparencë për fermerët dhe subjektet aplikues.
Për informacione shtesë, aplikuesit mund të konsultohen me uebfaqen e zyrës së komunës së Hanit të Elezit dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë. /Telegrafi/