Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka publikuar raportin javor të shërbimeve të kryera, duke bërë të ditur se gjatë javës së kaluar kanë lindur 19 foshnja, prej tyre 11 vajza dhe 8 djem.
Sipas raportit, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 2.803 vizita specialistike, ndërsa janë regjistruar 234 pranime të reja në spital.
Mesatarisht kanë qenë të shtrirë 173 pacientë.
Në sektorin e diagnostikës dhe laboratorit, 1.671 pacientë kanë kryer gjithsej 20.457 analiza, ndërsa janë realizuar 65 operacione.
Po ashtu, janë kryer 761 ekzaminime me rëntgen, 304 ultrazëra, 74 ekzaminime me MRI dhe 17 mamografi.
Spitali njofton se janë kryer 209 seanca dialize, 31 gastroskopi, 9 kolonoskopi, 54 ekzaminime ekokardiografike dhe 25 teste ergometrie. Në kuadër të shërbimeve të fiziatrisë janë ofruar 293 trajtime fiziatrike.
Nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës theksohet se shërbimet shëndetësore vazhdojnë të ofrohen pa ndërprerje, 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë. /Telegrafi/
Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Pejë ka njoftuar se nesër do të hapet zyrtarisht Qendra e Urgjencës në Bogë, e cila do t’u ofrojë shërbime shëndetësore urgjente dhe të mjekësisë familjare banorëve dhe vizitorëve të të gjitha fshatrave të Rugovës.
Kjo qendër e re pritet të përmirësojë ndjeshëm qasjen në shërbime mjekësore, duke mundësuar intervenim më të shpejtë, kujdes profesional dhe siguri më të lartë për komunitetin lokal, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Sipas njoftimit, Qendra e Urgjencës 194 do të jetë funksionale 7 ditë të javës, nga ora 08:00 deri në 18:00, duke siguruar mbulim të vazhdueshëm shëndetësor në zonën malore të Rugovës.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e mëngjesit në Loxhë të Pejës, ku si pasojë një person ka ndërruar jetë.
Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Driton Rugova.
"Sot rreth orës 07:50 Policia është njoftuar për një aksident trafiku në fshatin Loxhë të Pejës, ku të përfshira janë dy vetura dhe si pasojë, përveç dëmeve të konsiderueshme materiale janë lënduar edhe dy persona, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se njëra nga të aksidentuarit nuk ka mundur t’i përballoj plagët dhe ka ndërruar jetë”, tha Rugova.
Ndërkaq, nga Spitali i Pejës bëhet e ditur se personi tjetër është duke u trajtuar dhe aktualisht ndodhet në gjendje stabile, jashtë rrezikut për jetën.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar nga hetuesit e aksidenteve. /Telegrafi/
Shkodran Nikçi, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka bërë të ditur se deri më tani janë intervistuar rreth 30 persona, kryesisht nga komuna e Deçanit dhe Junikut, të cilët kanë qenë komisionerë dhe kanë statusin e personave të dyshuar.
Ai në emisionin FVE, shtoi se intervistimet do të vazhdojnë për mbi 200 komisionerë, si dhe për kryesuesit e qendrave të numërimit.
Ai theksoi se po grumbullohen edhe prova materiale, dhe pas intervistimit të komisionerëve dhe kryesuesve do të merren masat ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale.
“Janë intervistuar deri me tani rreth 30 persona kryesisht nga komuna e Deçanit dhe Junikut që kanë qenë komisonerë, në cilësinë e personave të dyshuar ndërkaq do të procedohen tutje edhe komisonerë të tjerë nga këto dy komuna për ditën e nesërme për të pasuar me pas për intervistimin e kryesuesve. Ne kemi kompetencë territoriale në pesë komuna dhe në të gjitha këto kemi grumbulluar prova të cilat dyshohet për manipulim të votave edhe jemi duke ndërmarrë veprime hetimore. Fillimisht intervistohen komisonerët si të dyshuar, janë diku mbi 200 komisionerë që do të intervistohen me autorizimin e prokurorit të shtetit nga hetuesit e hetimeve rajonale te drejtorisë së policisë në Pejë”, ka deklaruar ai.
Në pyetjen nëse do të përfshihet edhe komuna e Pejës, zëdhënësi u shpreh se Prokuroria në Pejë po ndërmerr veprime hetimore, duke shtuar se puna më voluminoze do të jetë pikërisht në këtë komunë.
Ndërsa në pyetjen për lirim të të intervistuarve, Nikçi tha se nuk është e qartë nëse intervistimi ka përfunduar plotësisht.
Peja është komuna e radhës ku është ndërmarrë aksioni i prokurorisë lokale me në fokus hetimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve, brenda subjekteve politike.
Sipas njoftimit zyrtar të prokurorisë, autorizimi i parë për nisjen e hetimeve është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme po zhvillohen me autorizimet e prokurorëve të caktuar prej saj, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës.
“Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve, me qëllim sqarimin dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Hetimet janë ende në fazën fillestare dhe autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me subjektet apo numrin e personave të përfshirë.
Një ditë më parë, të paktën 65 komisionerë nga komuna e Vitisë janë ndaluar për tu intervistuar në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të votave gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor.
Deri më tani ka komisionerë të arrestuar dhe të ndaluar në Prizren, Mitrovicë dhe Malishevë në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me votat.
Edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka autorizuar Policinë që të nisë grumbullimin e provave për manipulim të votave të kandidatëve për deputet në komunën e kryeqytetit.
Gjykata Themelore në Pejë, departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.
Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /Telegrafi/
Një person i cili ishte në kërkim policor është arrestuar dhe i njëjti gjatë shoqërimit duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion i ka kanosur verbalisht zyrtarët policorë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 08:50 në rrugën “Qerim Muriqi”, në Pejë.
Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Rr. Qerim Muriqi, Pejë/ 02.02.2026 – 08:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ishte në kërkim policor dhe i njëjti gjatë shoqërimit, duke u transportuar me veturë zyrtare për në stacion, i ka kanosur verbalisht zyrtarët policor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/
“Pasha Zotin s’kom ma” – dalin pamjet ku dy persona me thikë në dorë i marrin paratë në një institucion financiar në Pejë
Janë publikuar pamjet nga momenti i grabitjes së ndodhur më 28 janar 2026 në një institucion financiar në Pejë, ku dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e një thikë kanë arritur t’i marrin paratë punonjëses.
Ngjarja kishte ndodhur rreth orës 15:45 në rrugën “Eliot Engel”, sipas informacioneve të Policisë së Kosovës.
Në pamjet e publikuara nga Kallxo.com dëgjohet një nga grabitësit duke thënë “paret” ndërkaq punëtorja dëgjohet teksa thotë “Pasha Zotin s’kom ma”, derisa ua jep një shumë të parave.
Të dyshuarit marrin paratë dhe largohen drejt një destinacioni të panjohur.
Mirëpo policia sot ka njoftuar se ka arritur të arrestoj dy persona që lidhen me këtë rast dhe një rast tjetër që kishte ndodhur me 21 dhjetor 2025. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas hetimeve për dy raste grabitjeje, të ndodhura më 21.12.2025 dhe 28.01.2026 në rrugët Bekim Berisha dhe Eliot Engel në Pejë, janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë.
Pas intervistimit, dhe me vendim të prokurorit, të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të këtyre rasteve kanë vazhduar deri në arrestimin e tyre. /Telegrafi/
Universiteti “Haxhi Zeka” dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi strategjik, e cila shënon një nga hapat më të rëndësishëm institucionalë në historinë e zhvillimit akademik dhe shkencor të Universitetit “Haxhi Zeka”.
Kryetarja e ASHAK-ut, Justina Pula bashkë me akademik Fejzullah Krasniqi, nënkryetar i ASHAK, akademik Bardh Rugova, sekretar shkencor dhe akademik Frashër Demaj, sekretar i seksionit të shkencave shoqërore, pritën në takim zyrtar delegacionin e Universitetit “Haxhi Zeka”, në përbërje: Prof. Dr. Armand Krasniqi, Rektor; Dr. Sc. Prof. asoc. Emine Pozhari, Kryesuese e Këshillit Drejtues; Dr. Sc. Prof. asoc. Alma Shehu-Lokaj, Prorektore për Mësim dhe Shkencë si dhe Adnan Lataj, Drejtor i IT-së në Universitetin “Haxhi Zeka”.
Në njoftim thuhet se kjo marrëveshje hap një kapitull të ri bashkëpunimi institucional, përmes të cilit Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës krijon hapësirë dhe mundësi konkrete që Universiteti “Haxhi Zeka” të jetë bashkëpunëtor aktiv dhe kontribuues i drejtpërdrejtë në aktivitetet shkencore, kërkimore dhe akademike që ASHAK zhvillon në kuadër të programeve të saj.
“Ky bashkëpunim u mundëson studiuesve dhe stafit akademik të UHZ-së përfshirje në projekte të përbashkëta kërkimore, botime shkencore, konferenca, tryeza akademike dhe iniciativa të tjera me rëndësi kombëtare.
Për Universitetin ‘Haxhi Zeka’, kjo marrëveshje përfaqëson një moment kyç në realizimin e misionit të tij shkencor dhe akademik. Ajo konfirmon orientimin strategjik të universitetit drejt ndërtimit të një profili të konsoliduar kërkimor dhe krijon, për herë të parë në vend, një mundësi reale për diversitet shkencor të nivelit të lartë akademik edhe në universitetet publike jashtë qendrave tradicionale akademike”, thuhet në njoftim.
Tutje thuhet se bashkëpunimet e këtij lloji, të ndërtuara në planin akademik dhe shkencor në dimensionin vertikal, përbëjnë rrugën e së ardhmes për homogjenizimin, forcimin dhe unifikimin e shkencës kosovare, duke reflektuar karakterin e saj shumëdisiplinar dhe duke rritur ndikimin e dijes në zhvillimin shoqëror, ekonomik dhe kulturor të Republikës së Kosovës.
“Kjo marrëveshje dëshmon angazhimin e përbashkët të të dy institucioneve për avancimin e dijes, rritjen e cilësisë shkencore dhe ndërtimin e një ekosistemi akademik bashkëkohor, të hapur dhe gjithëpërfshirës në nivel kombëtar”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Sot, më 29 janar 2026, Dogana e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë (AKI), ka realizuar një operacion të përbashkët kontrolli në Pejë dhe Gjakovë, ndaj disa barnatoreve për të cilat ekzistonin dyshime të bazuara për posedim dhe tregtim të barnave të kontrabanduara.
Në kuadër të këtij aksioni janë angazhuar shtatë njësi operative, prej të cilave një njësi ka kryer kontrolle në territorin e Gjakovës, ndërsa gjashtë njësi të tjera kanë realizuar kontrolle në territorin e Pejës.
Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë evidentuar parregullsi në posedimin e medikamenteve, konkretisht mungesë e dokumentacionit përkatës dhe e banderolave fiskale, ndërsa në disa lokacione të tjera nuk janë konstatuar shkelje.
Si rezultat i operacionit, janë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, vlera e përafërt e të cilave vlerësohet të jetë rreth 10 mijë euro.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në përputhje të plotë me procedurat standarde operative dhe përbën një tjetër angazhim konkret në luftimin e kontrabandës, mbrojtjen e shëndetit publik dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Institucioni ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, do të vazhdojë kontrollet dhe veprimet operative ndaj çdo aktiviteti të kundërligjshëm./Telegrafi/
Një rast grabitje ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Pejës, në rrugën “Eliot Engell”.
Dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e thikës kanë arritur të marrin një shumë parash në një këmbimore.
Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Rreth orës 15:45 policia është informuar për një rast grabitje në një këmbimore. Sipas deklaratës së punëtores dy persona të maskuar, njëri prej tyre kishte edhe armë të ftoftë thikë kanë arritur të marrin një shumë parash”, tha Gashi.
Ai shtoi se punëtorja ka deklaruar se nuk e di shumën e saktë të parave që i janë grabitur, derisa personat e dyshuar kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes.
Policia aktualisht ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po merret me veprimet e tjera hetimore. /Telegrafi/
Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ambienti” ka dërguar vërejtje me shkrim për bizneset që kanë detyrime të papaguara ndaj kompanisë, duke i rikujtuar ata për përmbushjen e obligimeve financiare në përputhje me rregulloret dhe marrëveshjet në fuqi.
Sipas njoftimit, bizneset që janë paralajmëruar ftohen të paguajnë detyrimet e tyre brenda afatit të përcaktuar, në mënyrë që të shmangen masa të mëtejshme nga ana e Kompanisë “Ambienti”.
Ky veprim synon sigurimin e respektimit të obligimeve financiare dhe garantimin e funksionimit të rregullt të shërbimeve komunale. /Telegrafi/
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është diskutuar për Kuvendin Qendror të partisë që do të mbahet më 31 janar 2026, në të cilin pritet të vendoset për votëbesimin ndaj kryetarit Lumir Abdixhiku.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kryesisë kanë diskutuar hapur për situatën aktuale në parti, duke analizuar zhvillimet e fundit dhe sfidat politike.
Sipas njoftimit, shumica e diskutimeve kanë qenë në mbështetje të kryetarit Lumir Abdixhiku dhe vazhdimit të udhëheqjes së tij.
Në Kuvendin Qendror të 31 janarit pritet që delegatët të shprehen përmes votës lidhur me besimin ndaj kryetarit aktual, një proces që shihet si i rëndësishëm për orientimin e mëtejmë politik të LDK-së./Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit E.I., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri E.I. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.
"Veprimi dyshohet se është kryer ndaj ish-bashkëshortes së tij, dhe paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale".
Paraburgimi i është caktuar nga data 20.01.2026, ora 13:50, dhe do të zgjasë deri më 19.02.2026, ora 16:00. /Telegrafi/
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Pejë, në koordinim me Prokurorin kompetent dhe me autorizim të Gjykatës, ka ndërmarrë veprime hetimore lidhur me një rast të dyshuar për veprën penale “Deklarim i rremë”.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi të mjaftueshme se personat e dyshuar F.SH. (2000) dhe A.K. (2005), më datë 13 janar 2026, në ambientet e Qendrës për Pajisje me Dokumente të Identifikimit (QPD) në Pejë, kanë deklaruar rrejshëm, duke garantuar për identitetin e saktë të një personi tjetër të dyshuar, A.R. (2003).
Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa pas përfundimit të intervistimit, prokurori kompetent ka nxjerrë vendim për ndalim policor ndaj dy personave të dyshuar.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve ekonomike, korrupsionit dhe çdo vepre tjetër penale, duke garantuar ligjshmëri, transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Rreth orës 20:00, të së martës një veturë është përfshirë nga flakët në rrugën “Papa Klementi” në Pejë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Sonte rreth orës 20:00 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Papa Klementi’ një veturë ishte kapluar nga zjarri. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe zjarrfikësit. Nuk ka persona të lënduar, ndërsa janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” tha Gashi.
Ai bëri të ditur se në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe prokurori i shtetit dhe eksperti i zjarrit për të hetuar shkaqet e incidentit.
Sipas tij, vetura ishte private dhe në pronësi të një pjesëtari të Policisë së Kosovës.
Hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit janë në vazhdim.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka publikuar statistikat e shërbimeve shëndetësore të realizuara gjatë javës së kaluar, duke bërë të ditur se në këtë periudhë kanë lindur gjithsej 21 foshnje, prej tyre 14 vajza dhe 7 djem.
Sipas njoftimit, gjatë javës janë kryer 2.637 vizita specialistike, ndërsa janë regjistruar 300 pranime të pacientëve. Mesatarisht, në baza ditore, kanë qenë të shtrirë 203 pacientë.
Në laboratorët e spitalit, 1.774 pacientë kanë realizuar gjithsej 22.886 analiza, ndërkohë që janë kryer edhe 71 operacione të suksesshme. Po ashtu, janë ofruar 200 trajtime të dializës për pacientët që kanë pasur nevojë për këtë shërbim.
Në kuadër të diagnostikimit dhe ekzaminimeve, janë realizuar 542 rëntgenë, 276 eho, 62 rezonanca magnetike, si dhe 6 mamografi. Gjithashtu, janë kryer 17 ergometri dhe 58 ehokardiografi.
Në repartet përkatëse janë realizuar edhe 5 kolonoskopi, 33 gastroskopi, si dhe 179 shërbime fiziatrike.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë theksohet se këto shifra dëshmojnë për angazhimin dhe përkushtimin e stafit shëndetësor në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët e rajonit. /Telegrafi/
Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të ndërhyrjeve kirurgjikale gjatë vitit të kaluar, duke realizuar gjithsej 3,279 operime, apo rreth 9 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak.
Sipas njoftimit të spitalit, ky volum pune nënkupton një mesatare prej rreth 13 operimesh të kryera në çdo ditë pune, duke reflektuar përkushtim të lartë profesional dhe përgjegjësi maksimale ndaj pacientëve.
Nga menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm në Pejë theksohet se këto rezultate janë dëshmi e kapaciteteve profesionale të stafit shëndetësor, funksionimit të qëndrueshëm të reparteve kirurgjikale dhe besimit të vazhdueshëm të qytetarëve në shërbimet shëndetësore që ofron ky institucion.
Sa i përket repartit me numrin më të madh të operimeve, kryeson Kirurgjia me 1,453 ndërhyrje, e ndjekur nga Obstetrika me 633 operime dhe Urologjia me 433 operime.
Spitali i Përgjithshëm në Pejë vlerëson se këto shifra pasqyrojnë angazhimin e vazhdueshëm për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe përmirësimin e vazhdueshëm të kujdesit shëndetësor për qytetarët e Pejës dhe rajonit. /Telegrafi/