Nga milionat te Fenerbahce te misioni Bundesliga: Kontrata e habitshme e Dzekos te Schalke
Edin Dzeko u bë lojtar i ri i Schalke 04 në mes të javës së kaluar, ndërsa gazeta gjermane Bild ka zbuluar detajet e kontratës dhe të ardhurave të tij.
Ish-sulmuesi i Fiorentinës mbërriti në Gelsenkirchen si lojtar i lirë dhe nënshkroi kontratë deri në fund të sezonit aktual, pra për rreth pesë muaj.
Sipas Bild, Dzeko do të përfitojë pak më pak se 300 mijë euro si pagë bazë për këtë periudhë. Në kontratë është përfshirë edhe një bonus prej 400 mijë eurosh, të cilin sulmuesi boshnjak do ta përfitojë nëse Schalke siguron ngjitjen në Bundesliga.
Pavarësisht afrimit të një emri me përvojë të madhe, lojtari më i paguar i ekipit pritet të mbetet kapiteni Kenan Karaman, paga vjetore e të cilit vlerësohet në rreth 800 mijë euro.
Klubet kroate paguajnë më shumë
Këto shifra kanë befasuar tifozët e Dzekos, sidomos në Bosnje dhe Hercegovinë. Nëse paga e tij do të ishte për një sezon të plotë, ajo do të arrinte në rreth 600 mijë euro, një shumë që aktualisht e fitojnë disa lojtarë te Dinamo Zagreb dhe Hajduk Split, madje edhe më shumë.
Te Dinamo, lojtarët kryesorë përfitojnë deri në një milion euro në vit, ndërsa te Hajduk, Marko Livaja ka kontratën më të lartë, rreth 850 mijë euro në vit. Për krahasim, te Fenerbahçe, Dzeko përfitonte rreth 5 milionë euro në sezon.
Ardhja e Dzekos te Schalke 04 po konsiderohet si një përforcim kyç në luftën për rikthim në elitën e futbollit gjerman.
Pritet që ai të ketë ndikim jo vetëm në fushë, por edhe në dhomat e zhveshjes në fazën vendimtare të sezonit. Dzeko ka debutuar tashmë për Schalken në derbin ndaj Kaiserslautern, që përfundoi 2-2, ku ai shënoi edhe golin e tij të parë për “Minatorët”. /Telegrafi/
