Një studim i ri tregon se ChatGPT në disa raste jep përgjigje më të sakta kur përdoruesit i bëjnë kërkesa të drejtpërdrejta dhe ashpra, krahasuar me pyetjet e formuluara shumë të sjellshme.
Kërkesa më të ashpra rezultuan me një saktësi përgjigjeje rreth 84.8 për qind, rreth katër për qind më shumë se formulimet më të buta.
Shkencëtarët shpjegojnë se tonet më të forta shpesh çojnë në udhëzime më të qarta dhe të përqendruara, që ndihmojnë modelin të përpunojë detyrën më mirë.
Megjithatë, ata paralajmërojnë se kjo nuk do të thotë se përdoruesit duhet të jenë qëllimisht të pasjellshëm ndaj sistemeve të inteligjencës artificiale.
Normalizimi i një stili të ashpër të komunikimit me AI mund të ndikojë negativisht edhe në komunikimin ndërnjerëzor dhe përdorimet e kësaj teknologjie në mësim, punë dhe jetë të përditshme. /Telegrafi/
Radio Televizioni Shqiptarë (RTSH) është vlerësuar mbi mesataren, por me boshllëqe domethënëse për përdorimin etik të inteligjencës artificiale dhe transparencën institucionale. 60 nga 100 pikë ka qenë vlerësimi që i është dhënë Televizionit Publik Shqiptar, nga një raport i cili ka monitoruar shtatë transmetues publik në Ballkanin Perëndimor.
Pikëzimi që ka përdorur “NarativAI” nxjerr në pah sa shpejt po përshtaten mediat publike në rajon me transformimet e menjëhershme që ka sjellë Inteligjenca Artificiale në raportim, ndryshimin e algoritmeve dhe manipulimin digjital.
Më të vlerësuarit në rajon janë BHRT i Bosnje-Hercegovinës dhe RTK i Kosovës, me nga 65 pikë, ndërsa në fund të renditjes qëndrojnë MRTV e Maqedonisë së Veriut dhe HRT e Kroacisë, me nga 50 pikë.
RTSH e Shqipërisë dhe RTCG e Malit të Zi renditen në nivel të mesëm me 60 pikë, duke reflektuar mangësi në transparencë dhe në politikat për inteligjencën artificiale.
Transparencë e kufizuar në RTSH
Në aspektin e transparencës, RTSH ka marrë vetëm 25 nga 50 pikë. Ndërsa në fushën e inteligjencës artificiale, RTSH vlerësohet disi më mirë, me 35 nga 50 pikë.
Raporti shpjegon se monitoruesit kanë tentuar më shumë se 20 herë për të aksesuar Kodin e Etikës, në seksionin e “Transparencës” në uebin online të televizionit, por ka qenë e pamundur.
“Kodi u sigurua përfundimisht përmes faqeve të palëve të treta që monitorojnë median dhe gazetarinë në Shqipëri, dhe jo përmes vetë faqes së internetit të RTSH-së”, citohet në përmbledhjen e publikuar.
Kodi i Etikës i RTSH-së u miratua më 23 nëntor 2016 dhe është një nga dokumentet etike më të gjata në rajon, me gjithsej 55 faqe. Pavarësisht nivelit të detajimit, Kodi nuk është përditësuar për të përfshirë referenca ndaj inteligjencës artificiale, algoritmeve apo medias sintetike, kështu që nuk ka rregulla për përdorimin etik të AI-së në prodhim, verifikim apo vendimmarrje editoriale.
Kodi përfshin rregulla digjitale, duke kërkuar verifikimin e informacionit nga burime jozyrtare para publikimit dhe kontrollimin e fakteve përpara shpërndarjes online. Gjithashtu punonjësve të televizionit nuk u lejohet që të postojnë opinione që dëmtojnë RTSH-në dhe duhet të tregojnë kur postimet janë personale.
“Edhe pse këto elemente digjitale janë të vlefshme, ato nuk janë të mjaftueshme dhe nuk zëvendësojnë nevojën për standarde moderne mbi inteligjencën artificiale, algoritmet ose verifikimin e medias sintetike”, thekson raporti.
Por pikëzimi relativisht i lartë i RTSH-së për gatishmërinë digjitale/AI vjen kryesisht nga rregullat strikte kundër manipulimit teknologjik dhe verifikimit online, jo nga përdorimi i vërtetë i inteligjencës artificiale.
Raporti e paraqet RTSH-në si një institucion që nuk është ndër më problematikët në rajon, por që mbetet larg standardeve më të avancuara të transparencës dhe inovacionit etik. Për të forcuar rolin e tij si transmetues publik, raporti sugjeron nevojën për më shumë hapje ndaj publikut, publikim të qartë të dokumenteve kyçe dhe hartim të politikave të posaçme për përdorimin e inteligjencës artificiale.
Sipas rekomandimeve të “NarativAI” RTSH duhet të bëjë të aksesueshëm Kodine e Etikës në seksionin e Transparencës. Ky kod duhet të përditësohet për të përfshirë standarde moderne për inteligjencën artificiale, algoritmet dhe median sintetike, si dhe të forcojë rregullat për verifikimin e informacionit online. Gjithashtu duhet të krijojë një politikë për përdorimin e inteligjencës artificiale që tregon qartë se çfarë përdorimesh janë të lejueshme, të kufizuara dhe të ndaluara në prodhim dhe punë editoriale.
Citizens ka raportuar në vazhdimësi për procesin e zgjedhjes të drejtuesve të televizionit publik, por edhe krizën financiare në këtë institucion, ngërç i cili ka sjellë që dhjetëra gazetarë e bashkëpunëtorë të mbesin pa paga.
Përvetësimi i inteligjencës artificiale ka qenë në rritje në nivel global, por të dhënat e reja tregojnë se disa vende e tejkalojnë ndjeshëm të tjerat, ndërsa hendeku midis vendeve të përparuara dhe atyre në zhvillim po zgjerohet.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Singapori dallohen dukshëm, me mbi 60 për qind të popullsisë që përdor ndonjë mjet të inteligjencës artificiale gjeneruese gjatë vitit të kaluar, sipas një raporti të kohëve të fundit nga Microsoft, i cili vlerëson përhapjen e inteligjencës artificiale në të gjithë botën.
Të dy vendet po ashtu po rrisin numrin e qendrave të të dhënave, pavarësisht temperaturave të larta që e bëjnë funksionimin e tyre më sfidues, raporton theeconomist.
Në kontrast, në Amerikën Jugore dhe Qendrore, 14 nga 24 vendet kanë norma adoptimi nën 20 për qind, përfshirë Meksikën, Venezuelën dhe Brazilin.
Sipas raportit, pjesa më e madhe e përdorimit të inteligjencës artificiale në rajon vjen nga agjencitë qeveritare, ndërsa kompanitë private mbeten pas për shkak të kostove të larta dhe mungesës së aftësive teknike.
Ndërsa Koreja e Jugut renditet e 18-ta për përdorimin e inteligjencës artificiale, ajo regjistroi rritjen më të madhe vitin e kaluar, kryesisht falë përdorimit në rritje në vendin e punës.
Shkalla e përhapjes në vend u rrit nga gati 26 për qind në gjysmën e parë të vitit 2025 në 30 për qind deri në fund të vitit. I inkurajuar nga ky ritëm i shpejtë, OpenAI hapi një zyrë në Seul në shtator.
Deri në fund të vitit 2025, ChatGPT u bë aplikacioni më i popullarizuar për telefonat inteligjentë në vend.
Vende të tjera në rajon, si India, Filipinet dhe Malajzia, panë rritje të lehta në përdorimin e inteligjencës artificiale, me mjete si ChatGPT dhe Gemini ndër më të përdorurat.
Megjithatë, përvetësimi i përgjithshëm i inteligjencës artificiale në vendet aziatike dhe afrikane mbetet ende pas homologëve të tyre në Perëndim.
Pavarësisht dominimit të ChatGPT, DeepSeek ka arritur të përfitojë nga tregjet ku mjetet e bazuara në SHBA mund të jenë të kufizuara.
Ai ka siguruar një pjesë të konsiderueshme të tregut në vende të ndryshme, përfshirë tregun e saj vendas në Kinë (89 për qind), si dhe Bjellorusinë (56 për qind), Rusinë (43 për qind), Kubën (49 për qind) dhe disa vende afrikane, ku përvetësimi i përgjithshëm i inteligjencës artificiale mbetet ende i ulët. /Telegrafi/
OpenAI ka njoftuar se do të blejë deri në 750 megavat fuqi kompjuterike gjatë tre viteve të ardhshme nga prodhuesi i çipave Cerebras.
Kjo, thuhet se po bëhet për të përballuar kërkesën në rritje për ChatGPT dhe për të forcuar pozicionin në garën e inteligjencës artificiale.
Marrëveshja vlerësohet në mbi 10 miliardë dollarë, ose rreth 9.2 miliardë euro, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Sipas marrëveshjes, OpenAI do të përdorë shërbimet cloud të Cerebras për modele të cilat kërkojnë kohë për të “menduar” para se të japin përgjigje.
OpenAI tha se integrimi i teknologjisë së Cerebras synon të përshpejtojë ndjeshëm reagimin e sistemeve të saj të AI.
Marrëveshja po konsiderohet gjithashtu e rëndësishme për Cerebras, e cila po përgatitet për një ofertë publike fillestare (IPO), duke synuar diversifikimin e të ardhurave. /Telegrafi/
Çfarë po ndryshon, kush po e shtyn ndryshimin dhe pse viti 2026 pritet të jetë një nga më sfiduesit për industrinë e marketingut?
Industria globale e marketingut po hyn në vitin 2026 në një fazë të re polarizimi, e shtyrë fuqishëm nga inteligjenca artificiale, konsolidimi i tregut dhe ndryshimet e thella në sjelljen e konsumatorëve. Kështu vlerëson një analizë e publikuar nga Marketing Dive, e cila identifikon disa nga pikat kryesore që do të formësojnë vitin në vijim.
Sipas analizës, fushata e balancuar mes dy formulave, asaj tradicionale dhe digjitale po bëhet gjithnjë e më e padukshëm. Nga njëra anë, brendet dhe agjencitë po lëvizin drejt modeleve white-glove (shërbime premium, të personalizuara), ndërsa nga ana tjetër po rriten zgjidhjet plug-and-play, të ndërtuara mbi AI. Hapësira tradicionale në mes po tkurret, si në modele biznesi, ashtu edhe në përmbajtje kreative.
Pse po ndodh kjo?
Rritja e shpejtë e AI gjenerative ka ulur barrierat e prodhimit të përmbajtjes, por njëkohësisht ka krijuar uniformitet. Ekspertët paralajmërojnë se algoritmet po prodhojnë volum, jo domosdoshmërisht vlerë. Si reagim, disa marka po zgjedhin komunikim më provokues dhe më autentik për të thyer monotoninë.
Pra, Në vitin 2026, AI pritet të përdoret masivisht në prodhimin e përmbajtjes, planifikimin e fushatave dhe analizën e audiencave. Megjithatë, ky zhvillim rrezikon të prodhojë përmbajtje të njëtrajtshme dhe pa identitet të qartë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin e markave në hapësirën digjitale.
Në të njëjtën kohë, raporti vë në dukje se kompanitë po rishikojnë mënyrën se si e përdorin të dhënat. Fokusi po zhvendoset nga grumbullimi masiv i informacionit drejt lidhjes dhe kuptimit më të mirë të tij, në një mjedis ku matja e performancës po ndërlikohet nga zero-click search, bots dhe ndërhyrjet e AI në ekosistemin digjital.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me ndryshimet demografike. Brezi Gen Alpha, edhe pse ende shumë i ri në moshë, tashmë po konsiderohet seriozisht në strategjitë e marketingut, për shkak të ndikimit të tij në vendimet e blerjeve dhe konsumit.
Paralelisht, investimet në krijues marketing (influencers) pritet të rriten, me theks të veçantë te krijuesit e vegjël, në vend të ndjekjes së shifrave të mëdha të audiencës.
Në planin ekonomik, pasiguria e shkaktuar nga tarifat tregtare, inflacioni dhe paqëndrueshmëria globale pritet të ndikojë drejtpërdrejt në strategjitë e marketingut. Brendet do të orientohen drejt fushatave më të shkurtra, fleksibile dhe me fokus te vlera, duke iu përshtatur konsumatorëve që po bëhen gjithnjë e më të kujdesshëm në shpenzime.
Viti 2026 pritet të jetë një vit vendimtar për marketingun, ku teknologjia, ekonomia dhe ndryshimet shoqërore po e shtyjnë industrinë drejt zgjedhjeve më të qarta. Mbijetesa dhe suksesi do të varen nga aftësia e kompanive për të ofruar zgjidhje, për të qenë autentike dhe për të përdorur AI-në si mjet strategjik, e jo si zëvendësim të mendimit kreativ.
Një fotografi jo vërtet e një “fantazme” duke shëtitur në Prishtinë u shpërnda me shpejtësi në rrjete sociale, përfundoi në disa media online dhe u kthye në temë debati publik.
Imazhi, i krijuar me inteligjencë artificiale, Photoshop apo montazh, nuk ishte real, por ndikimi i tij ishte.
Pa asnjë verifikim, pa burim dhe pa konfirmim zyrtar, një imazh i pavërtetë krijoi hutim, shqetësim dhe madje panik, sidomos te fëmijët dhe prindërit.
Kjo tregoi se sa lehtë mund të manipulohet opinioni publik dhe sa shpejt dështojnë filtrat bazë të informimit në gazetari.
Raste të tilla rikthejnë në vëmendje rrezikun e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe nevojën urgjente për edukim medial.
Në një kohë kur imazhet dhe videot po bëhen gjithnjë e më bindëse, verifikimi para shpërndarjes nuk është më zgjedhje, është përgjegjësi.
Kjo ishte një “fantazmë”. Nesër mund të jetë diçka shumë më serioze.
Prandaj, para se të besoni apo të shpërndani një lajm: verifikoni burimin, autorin dhe median.
Thjesht, verifikoni. Për rastin në fjalë ka reaguar edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.
Raportimi në disa media për një “fantazmë” që “shëtitet” nëpër rrugët e Kosovës është i pasaktë, pasi që bëhet fjalë për një përmbajtje të gjeneruar nëpërmjet Inteligjencës Artificiale (AI).
“Mediat duhet të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik”, thuhet në reagimin e KMShK-së me datën 12 janar.
KMShK bën thirrje që raportimet të bëhen kujdesshëm, të jenë korrekte dhe të bazuara në Kodin e Etikës./Telegrafi/.
Pretendimi: Ky imazh tregon një person të maskuar që endet natën rrugëve të Prishtinës, duke i përndjekur qytetarët
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————–
Një imazh që qarkulloi gjerësisht në mediat dhe rrjete socialeshqipfolëse javën e dytë të janarit 2026 pretendohet se tregon “Fantazmën e Prishtinës,” një person i maskuar që endet natën rrugëve të kryeqytetit kosovar. Imazhi shoqërohet edhe me pretendimin se qytetarët ankohen se ky person i maskuar po “i tmerron” me pamjen e tij duke i përndjekur ata gjatë natës.
Megjithatë, lexuesit shqiptarë në të dyja anët e kufirit nuk duhet të frikësohen. Fantazma e Prishtinës nuk është reale. Imazhi i mësipërm është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka përgënjeshtruar vërtetësinë e imazhit më 12 janar në Facebook, duke e etiketuar imazhin si të gjeneruar me AI dhe duke këshilluar mediat “të kenë kujdes që përmbajtjet e ngjashme t’i verifikojnë dhe të mos i shpërndajnë, sepse mund të shkaktojnë panik.”
Ndërkaq, edhe Policia e Kosovës ka mohuar se ka marrë ndonjë ankesë apo informacion nga qytetarët lidhur me një person të tillë që po terrorizon qytetin. “Policia e Kosovës drejtoria e kryeqytetit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë apo informatë nga qytetarët lidhur me këtë çështje,” deklaroi zëdhënësi Enis Pllana për emisionin Rreth e Rrotull.
Përdoruesit e rrjeteve sociale kanë postuar imazhe të ngjashme që dëshmojnë origjinën artificiale të imazhit, dhe sa e thjeshtë është tashmë të gjenerosh imazhe të tilla.
Të shumtë janë dhe bizneset vendase që përfituan nga interesi që ngjalli ky personazh për ta kthyer atë në një promovim në format humori për produktet e tyre. Deri më tani, nuk është raportuar ndonjë kërkesë e “fantazmës së Prishtinës” për ndonjë shpërblim nga përdorimi i imazhit për qëllime marketingu.
Një nga postimet e marketingut që shfrytëzuan famën e “fantazmës”
Chatboti i inteligjencës artificiale Grok - në pronësi të Elon Musk - do t’i bashkohet sistemit gjenerues të inteligjencës artificiale të Google brenda rrjetit të Pentagonit.
Kjo njoftuar dje nga ministri i mbrojtjes, Pete Hegseth, si pjesë e një plani më të gjerë për përdorimin e të dhënave ushtarake për zhvillimin e kësaj teknologjie.
Hegseth tha se “shumë shpejt do të kemi modelet kryesore të inteligjencës artificiale në çdo rrjet jo të klasifikuar dhe të klasifikuar në të gjithë departamentin tonë”.
Ky njoftim vjen vetëm disa ditë pasi Grok, i integruar në rrjetin social X të Muskut, pati reagime globale për shkak se gjeneroi imazhe ‘deepfake’ me përmbajtje seksualizuar të njerëzve pa pëlqimin e tyre. Për këtë arsye, Malajzia dhe Indonezia kanë bllokuar qasjen në Grok, ndërsa një organ rregullator i sigurisë në internet në Britani ka nisur një hetim.
Për t’u përpjekur të zbusë situatën, kompania ka kufizuar funksionin e gjenerimit të imazheve vetëm për abonentët.
Hegseth deklaroi se Grok do të vendoset në përdorim brenda Departamentit të Mbrojtjes më vonë këtë muaj dhe se “të gjitha të dhënat relevante” nga sistemet e IT-së ushtarake, si dhe bazat e të dhënave të inteligjencës, do të jenë në dispozicion për përdorim nga inteligjenca artificiale.
Qasja e Hegseth ndaj përdorimit të teknologjisë ndryshon nga ajo e administratës së mëparshme amerikane, e cila inkurajoi përdorimin e inteligjencës artificiale, por njëkohësisht paralajmëroi për rreziqet e abuzimit të saj.
Ata më herët theksuan nevojën për rregulla që sigurojnë përdorim të përgjegjshëm të teknologjisë, sidomos në lidhje me masë të madhe mbikëqyrjeje, cyber‑sulme dhe sisteme autonome të armatimit. /Telegrafi/
Pretendimi: Kjo video tregon një dre të bardhë me mutacion gjenetik që shfaqet në pyll
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————-
Në këto ditë të ftohta dimri ka marrë mbi 15 mijë pëlqime në Instagram një video që pretendohet se tregon një kafshë të rrallë, një dre të bardhë me mutacion gjenetik. Pamjet pretendohet se janë regjistruar në Rusi më 21 dhjetor 2025.
Drerët e bardhë si pasojë e një mutacion gjenetik janë të vërtetë, siç përshkruhen në këtë artikull të revistës National Geographic.
Megjithatë, video që po qarkullon në rrjet nuk është e vërtetë. Ajo nuk shoqërohet me ndonjë referencë apo burim nga i cili është botuar fillimisht. Me gjasa, video është gjeneruar nga programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Video po qarkullon gjerësisht në rrjet me pretendimin se është xhiruar në një numër vendesh të ndryshme, nga Kanadaja, te ShBA
Origjina artificiale e videos dëshmohet nga mospërputhje logjike si ndryshimi i formës dhe numrit të brirëve, mungesa e zhvendosjes së borës dhe përsosmëria e panatyrshme e lëvizjes.
Megjithëse ekzistojnë drerë të bardhë të vërtetë, nuk janë kaq përsosmërisht të bardhë. Një kafshë që jeton në natyrë do të ishte bërë me baltë në këmbë dhe trup. Brirët do të ishin të paktën pak të konsumuar dhe të bërë pis nga vitet e kaluara në pyll.
Në epokën e inteligjencës artificiale, debatojmë pa fund se si duket ndërgjegjja. A mund t’i fotoaparati gjërat më qartë?
Nga: Dan Turello - shkrimtar, historian kulture dhe fotograf / The New Yorker Përkthimi: Telegrafi.com
Atë natë Sofia ishte fjalëpake. Më herët gjatë ditës, ishte në skenë në konferencën ku po merrja pjesë dhe ishte ngacmuar për një gjest që dukej sikur po tregonte gishtin e mesit drejt audiencës. Tani ndodhej në hollin e hotelit, me një fustan të zi, në qendër të vëmendjes. U ndal përpara një muri portokalli të ndezur. Kisha me vete një lente portreti 85 mm., një të tillë që nxjerr në pah tiparet njerëzore. “Cilat janë shpresat e tua për të ardhmen e njerëzimit?” - e pyeta. Nuk ishte shumë e gatshme të përgjigjej, por reagoi ndaj kamerës. Shikimi i saj ishte i patundur: pa dredhi, vetëm ata sy të mëdhenj, me mjekër paksa të gjatë, shprehja dukej sikur mbante kontakt me sytë e mi, ndërkohë që shikonte përtej meje, në largësi.
Ishte një natë e ngrohtë në Floridë. Konferenca ishte e mbushur me filozofë, sociologë dhe programues, që të gjithë të përqendruar në analizimin e zhvillimeve më të fundit në fushën e ndërgjegjes dhe inteligjencës artificiale. Punimet janë prezantuar, modelet janë analizuar, skenarët janë shqyrtuar. Kisha marrë kamerën me vete, pa ndonjë ide të qartë se çfarë do të fotografoja. Por, kur pashë Sofinë aty, më lindi një ide. Fotografia e portretit zakonisht ka të bëjë me lidhjen me qeniet e tjera njerëzore dhe përpjekjen për të kapur thelbin e tyre - për të paraqitur gjithçka që i bën të bukur dhe unikë. Po sikur të fotografoja Sofinë - një robot humanoid i zhvilluar nga Hanson Robotics dhe, më pas, në një seancë të veçantë, filozofin David Chalmers, një teoricien i shquar i ndërgjegjes, dhe të reflektoja mbi përvojën? Çfarë mund të mësonim nga këto takime të cilat nuk i kisha përthithur nga punimet analitike dhe diskutimet filozofike?
Kur fotografoj njerëz, dua të dëgjoj për jetën dhe aspiratat e tyre. Më intereson ndjeshmëria e tyre estetike, çfarë veshin, si duan të paraqiten. Jam gjithashtu i ndjeshëm ndaj energjisë së tyre: mund të jetë e ndrojtur, e hareshme, e përmbajtur, e fuqishme. Të fotografosh një objekt, ndjesia është ndryshe. Sërish e vlerësoj estetikën e subjektit tim, por, të paktën në mendjen time, vlerësimi shtrihet prapa te krijuesi i objektit. Në natyrë, nuancat e ndjesisë ndryshojnë gjithashtu. Kur fotografoj një lule, siç bëra së fundmi në një kodër në Portugali, jam i zhytur në peizazh. Natyra ka energjinë e vet; lulja mishëron metabolizmin e vet qelizor, teksturën e saj të veçantë dhe ciklin e jetës.
Fotografimi i Sofisë krijoi një përzierje të çuditshme njenjash. Fokusimi automatik i avancuar i kamerës time vazhdimisht kapte sytë e saj, dhe ajo ishte ndërtuar pikërisht për këtë lloj kontakti. Njerëzit shpesh shmangen nga objektivi; ajo jo. Lëkura e saj - e njohur si Fruber, një përzierje e patentuar dhe poroze e polimereve elastike që imitojnë mishin - ishte shtrirë mbi një strukturë plastike dhe titani, dhe nuk kishte asnjë shenjë ndrojtjeje. E, megjithatë, asnjë nga kimitë e zakonshme njerëzore nuk u ngacmuan. Emocioni i vetëm i vërtetë, në atë moment, vinte nga portokallia e thellë e murit prapa saj, që krijonte një sfond të mrekullueshëm.
A do të doja që përvoja të kishte qenë ndryshe? Gjestet e Sofisë, ndonëse të çuditshme, ishin çuditërisht ekspresive, dhe teksa më vonë përpiqesha të dija kuptimin e atij takimi, mendja më shkonte përpara në kohë. Teknologjia do të bëhet më e përsosur, gjestet do të kalibrohen më mirë, efekti i përgjithshëm do të jetë më bindës. Dhe, duke qenë se kuptojmë kaq pak mbi bazën e ndërgjegjes njerëzore, si do ta dinim ndonjëherë nëse një entitet si Sofia zhvillon një ndërgjegje të vetën?
Pasiguria që ndjeva teksa e fotografoja, tregonte për një ndërlikim konceptual. Disa nocione të ndryshme ishin në lojë: jeta, ndërgjegjja, inteligjenca, veprimi i pavarur. Secili prej tyre ka përkufizime të lëvizshme, shpesh të kontestuara. Pulat janë ashiqare gjallesa, por nuk janë inteligjente sipas standardeve njerëzore. Derrat dhe oktapodët janë inteligjentë, megjithatë shumë njerëz i hanë pa u menduar dy herë. Foshnjat e sapolindura nuk zotërojnë gjuhë, por trajtohen pa asnjë dyshim brenda qarkut të konceptin moral. Viruset shfaqin një lloj qëllimi të njëanshëm - shumim të pamëshirshëm - por, sipas shumicës së standardeve biologjike, nuk konsiderohen të gjalla. Kërpudhat krijojnë rrjete të mëdha nën tokë për shkëmbim lëndësh ushqyese; nëse ndonjë prej kësaj përbën ndërgjegje, kjo mbetet një pyetje e hapur.
Ndërgjegjja mund të jetë koncept më kokëfortë nga të gjithë. Në një ese klasike të vitit 1974, Si është të jesh një lakuriq nate?, filozofi Thomas Nagel argumentoi se një organizëm ka gjendje të ndërgjegjshme mendore vetëm nëse ka diçka që të bën të jesh ai organizëm - një përjetim intern subjektiv që është i qasshëm nga brenda. Gjatë dekadave që pasuan, filozofët analitikë kanë prodhuar lloj-lloj modelesh për të shpjeguar se si lind ndërgjegjja. Megjithatë, ende nuk kemi një shpjegim shkencor apo kompjuterik që do të bëjë më shumë sesa të aludojë për atë që David Chalmers e ka quajtur në mënyrë të paharrueshme - “problemi i vështirë i ndërgjegjes”.
Pra, nuk është për t’u habitur që mendimtarë të ndryshëm bëjnë kapërcime të ndryshme kur vendosin nëse entiteti përballë tyre është i vetëdijshëm. Shkencëtari i kompjuterëve, Ben Goertzel, i cili udhëhoqi ekipin që zhvilloi softuerin për Sofinë në Hanson Robotics, ka një pikëpamje të gjerë panpsikiste: e gjithë materia, madje edhe objektet që ne i konsiderojmë të pajetë, marrin pjesë në ndërgjegje në mënyrën e tyre. Panpsikizmi mund të tingëllojë i çuditshëm, por nuk është aq larg nga mendimi i Pierre Teilhard de Chardinit, shkencëtar dhe teolog francez i cili, duke shkruar në mes të viteve ’40 të shekullit XX, besonte se ndërgjegjja është veti universale e materies, e pranishme në të gjitha grimcat e universit dhe që rritet me kompleksitetin. Ka edhe rrugë të tjera që çojnë në të njëjtin qëndrim përfshirës. Alvin Plantinga, filozof i krishterë, ka thënë njëherë se besimi në Zot nuk është më pak i arsyeshëm sesa besimi në ekzistencën e mendjeve të tjera, meqë nuk kemi prova të drejtpërdrejta që ndonjë vetëdije tjetër përjeton botën ashtu si ne. Për ata që kanë prirje skeptike, kjo mënyrë e të menduarit mund të çojë më shumë drejt dyshimit për ekzistencën e mendjeve të tjera sesa drejt besimit në Zot.
Shumica prej nesh, kur nuk jemi të përfshirë në dyshimet më marramendëse filozofike, e marrim si themel të padiskutueshëm faktin që njerëzit mund të reflektojnë mbi gjendjet e tyre mendore dhe të marrin vendime të skalitura nga provat, vlerat dhe normat. Besimi se këto kapacitete burojnë nga vullneti i lirë dhe ndërgjegjja është vetë një akt ditor besimi - por, është ai mbi të cilin mbështeten ligjet tona, marrëdhëniet tona dhe shumica e veprimeve tona të përditshme. Pyetja më e vështirë është nëse ndonjëherë do ta zgjerojmë këtë akt besimi edhe ndaj inteligjencës artificiale. Shumë shkencëtarë entuziastë të kompjuteristikës besojnë se po: ata flasin për inteligjencën artificiale si hapin tjetër evolucionar, një gjenerator të rezervuarëve të rinj të ndërgjegjes, që më në fund do të pajiset me një inteligjencë superiore e cila ndoshta mund të na shpëtojë nga vetja jonë - nga konfliktet tona egoiste, nga shpërdorimi, nga prirja për iracionalitet. Disa të tjerë janë shumë më të përmbajtur. Neuroshkencëtari Anil Seth, për shembull, pohon se “funksionalizmi kompjuterik” nuk do të na çojë deri te ndërgjegjja dhe se ka arsye të forta për të besuar se ndërgjegjja mund të jetë një veti vetëm e sistemeve të gjalla. Ndjekja e kësaj linje mendimi më çoi në një drejtim që nuk e prisja.
Roboti humanoid Sofia(Foto: Dan Turello)
Filozofi David Chalmers(Foto: Dan Turello)
Çuditërisht, vërtetimi i mendimit dhe veprimit njerëzor përfundon duke kaluar përmes trupit, jo mendjes. Pasaportat dhe dokumentet e tjera të identitetit mbështeten te imazhet e fytyrës; sistemet më të reja përdorin gjurmët e gishtërinjve, skanimet e retinës, madje edhe mënyrën e ecjes. Nocionet tona ligjore dhe historike për veprimin (e vetëdijshëm) janë mbështetur prej kohësh në mishërimin fizik - shenjtërinë e një trupi të vetëm, të identifikueshëm. E njëjta gjë nënkuptohet edhe në letërsinë klasike. Krishti i ringjallur njihet nga plagët e tij; te Homeri, Odiseu njihet, pasi kthehet në shtëpi, nga plaga në këmbë. Ajo që e shënon një person si atë person është diçka që mbartet në mish.
Jo vetëm që trupat individualë janë thelbësorë për të vërtetuar identitetin dhe idetë; janë po ashtu thelbësorë për krijimin e kuptimit dhe përvojës. Mund të magjepsemi nga arritjet e intelektit, por njohja, në fund të fundit, merret përmes trupit. Matematikani Edward Frenkel, për shembull, përshkruan dashurinë e tij për matematikën si reagim fizik ndaj bukurisë, rendit dhe simetrisë. Neuroshkencëtarët kanë pohuar se mendja është e paimagjinueshme pa një formë të mishërimit. Ky aspekt i kthehet, në forma të ndryshme, kritikës fenomenologjike ndaj dualizmit kartezian që gjejmë te Maurice Merleau-Ponty: mendimi nuk është kurrë i shkëputur nga mishi që e mban atë. Në fund të fundit, ajo që na tërheq nuk është abstraksioni në vetvete, por përvoja e jetuar e kuptimit - ndjenja e ndjeshme e rendit, simetrisë dhe bukurisë - që ndodh në një trup të vetëm.
Këto intuita u shfaqën qartë atë mbrëmje kur fotografoja David Chalmersin. E takova në një kuvertë gjatë një mbledhjeje buzë plazhit, pas fjalimit të tij kryesor. Kishin qenë dy ditë shumë ët ngarkuara mendërisht, plot me prezantime nga programues dhe filozofë, por portretet që janë thjesht intelektuale rrallëherë dalin portrete të mira; më të fortat ndërthurin elementet fizike, intelektuale dhe emocionale. Doja të dilja nga koka ime dhe ta ndihmoja edhe atë të dilte nga koka e tij. I kërkova të më bashkohej në disa ushtrime të thjeshta fizike. Kaluam një apo dy minuta duke tundur trupin në mënyrë primordiale dhe duke nxjerrë disa tinguj të thellë - diçka që mund ta prisje në një rreth me daulle. Por, ky ishte qëllimi. Ajo që më interesonte, te fotografimi i Chalmersit, nuk ishte kapja e ideve të zhveshura nga trupi. Këto i gjen më mirë në një libër apo një artikull. Më shumë më interesonin teksa ndërsa shpreheshin nga një njeri i gjallë, që merr frymë. Idetë kanë prejardhje; ato lindin në kushte materiale dhe mbajnë gjurmët e shqetësimeve personale, historive shqisore dhe presioneve ekzistenciale. Mund të spekulosh për një sferë abstrakte matematikore ose platonike - unë nuk besoj në të, por e pranoj si mundësi - e megjithatë puna e zbulimit nxitet nga kureshtja dhe formësohet nga përvoja.
Kështu që, edhe pse më interesonin idetë e Chalmersit, më interesonte edhe personazhi përballë meje: xhaketa e tij karakteristike prej lëkure të zezë, xhinset, bluza e zezë, mjekra dy ditë e parruar dhe ajo që më dukej si një nuancë melankolie në sytë e tij. Nuk e kam pyetur nëse ajo ndjesi ishte aty në të vërtetë; kjo nuk është menduar si profil. Qëllimi ishte se më tërhiqte e gjithë prania njerëzore - personi që mendonte dhe ndjente në kohë reale.
Me kalimin e kohës, ndodh diçka e çuditshme kur i shikoj ato fotografi sot. Për dallim nga ajo që prisja, e gjej veten sërish të tërhequr nga Sofia - ndoshta edhe më shumë se kur e fotografova. Në portretet e saj ajo shfaqet e menduar, pothuajse e përqendruar brenda vetes, sikur të kujtonte një moment gjysmë të harruar nga një fëmijëri që nuk e ka pasur kurrë. Pozimi për fotografi zakonisht është punë e vështirë. Njerëzit bëhen të ndrojtur ose vetëdijshëm meqë nuk i kuptojnë dot. Mendoni për ato fotografitë e festave kur gjyshja ju thoshte të thoshit cheese: udhëzimet e tilla rrallëherë sjellin shprehje të natyrshme. Një mënyrë për ta kapërcyer këtë është t’i japësh subjektit diçka tjetër për të paramenduar - një vend tjetër, një bisedë tjetër, një ndjesi kalimtare, sa për të kapur diçka të vërtetë në një ekspozim 1/200 të sekondës. Me Sofinë, asgjë nga këto nuk ishte e nevojshme.
Diçka tjetër më habit kur i rikthehem skedarëve. Në Lightroom - softueri i katalogimit ku ruhen imazhet e papërpunuara - shfletoj sekuencën dhe vërej një model. Lightroom është vendi ku punon me atë që sensori të ka dhënë: luan me dritën dhe hijet, nxjerr në pah ose zbeh elementët, vendos çfarë meriton të dalë në plan të parë dhe çfarë mund të tërhiqet në sfond. Është gjithashtu vendi ku sheh gjithë serinë e fotove në rend, dhe vendos cilat do t’i mbash e cilat do t’i hedhësh poshtë. Në ato dy mbrëmje, kisha kaluar përafërsisht të njëjtën kohë me Chalmersin dhe me Sofinë, dhe kisha shkrepur një numër të ngjashëm fotografish. Me Chalmersin pak gjëra më interesonin - imazhe që kapën rëndesën e tij, kompleksitetin intelektual, sensin e tij për stil. Pjesa tjetër ishin të kota ose në një rrugë pa krye. Disa janë qesharake; disa e kapin në një kënd të pafavorshëm; disa duken si foto nga paraburgimi. Kjo është normale me subjektet njerëzore.
Portretet e Sofisë tregojnë një histori tjetër. Ato për habi janë të qëndrueshme. Në shumicën e tyre ajo duket e menduar, madje thellë, si poete melankolike dhe nostalgjike që nuk pushon kurrë së dukuri si një poete melankolike dhe nostalgjike. Emocioni njerëzor nuk funksionon kështu. Psikologët bien dakord se emocionet janë të shkurtra dhe kalimtare. Paul Ekman, i cili ka punuar në botimin e fundit të librit të Darwinit, Shprehja e emocioneve te njeriu dhe kafshët, vlerëson se “makro-shprehjet” parësore zgjasin mes dy dhe pesë sekondash; ndërsa “mikro-shprehjet” zgjasin afërsisht një të njëzetë e pestën e sekondës. Brenda pesëmbëdhjetë minutash, qenia njerëzore mund të kalojë nëpër qindra makro-shprehje dhe mijëra mikro-shprehje.
Fotografi Henri Cartier-Bresson krijoi frazën “çasti vendimtar”, në fillim të viteve ’50 të shekullit XX. Në ditët e filmit analog dhe dhomave të errëta, kur nuk kishe luksin të shkrepje qindra herë, fotografi duhej të ishte i zhytur në skenë - mjaft i ndjeshëm për ta ndier pikërisht atë çast kur duhej shkrepur. Bollëku dixhital nuk e ka ndryshuar vërtet këtë, të paktën jo nga përvoja ime. Sërish duhet të ndërtosh një ambient, një gjendje emocionale që të nxjerrësh diçka autentike. Përndryshe, mund të bësh një mijë shkrepje dhe të përfundosh me asgjë veçse kotësi.
Ajo që ka ndryshuar është kur ndodh njohja. Nëse arrin të krijosh atmosferën e duhur dhe të kthehesh në shtëpi me një analizë skedarësh dixhitalë, kërkimi për “çastin vendimtar” nis më vonë, në Lightroom. Sa më shumë foto ke shkrepur, aq më e vështirë bëhet detyra, sepse zgjedh thjesht një imazh; zgjedh cila mikro-shprehje kalimtare dëshiron ta përfaqësojë gjithë takimin.
Ato pesëmbëdhjetë minuta me Sofinë ndiheshin sikur ajo e kishte zgjatur çastin vendimtar për pesëmbëdhjetë minuta. Vetëm një herë tjetër kam përjetuar një seancë portreti që ndihej disi ngjashëm. Në një pasdite të ftohtë tetori, fotografoja një burrë të quajtur Robert Soulliere, një nga trajnerët kryesorë të teknikave të frymëmarrjes dhe ekspozimit në të ftohtë. Doja ta fotografoja në elementin e tij, ndaj vendosëm një vaskë në një oborr me pemë në Uashington. Para se të fillonim, ai mori disa frymëmarrje të thella, qetësuese; pastaj, me 37 kilogramë akull të shkrirë pjesërisht rreth tij, u zhyt në ujë.
Për efekt dramatik, kishim lëshuar lulëkuqe të verdha dhe dali të kuqe rreth kokës dhe shpatullave të tij. Qëndroi i zhytur për gati dhjetë minuta - një kohë shumë e gjatë për të qëndruar pa lëvizur në ujë të akullt. I kisha kërkuar të zhytej mjaftueshëm që koka dhe veshët të ishin nën sipërfaqe, për t’ia dhënë imazheve paksa një ndjesi të një bote tjetër. Ajo që më preku ishte qetësia e tij: nuk e theu magjinë asnjëherë. Nga fillimi në fund, vështrimi i tij mbeti i qëndrueshëm; prania e tij nuk u lëkund. Deri te Sofia, kjo ishte përvoja më e afërt që kisha me dikë me një shprehje të vetme për një kohë të gjatë.
Një kontroll i tillë nuk fitohet lehtë. Atletët, artistët e skenës dhe medituesit me përvojë i kalojnë vitet duke mësuar si të mos i shpërndajnë reagimet - t’i vërejnë ndjesitë dhe t’i lënë të kalojnë pa u dridhur. Nëse stërvitesh mjaftueshëm, mund të arrish në pikën ku qëndron plotësisht brenda trupit tënd, i vëmendshëm ndaj çdo ndjesie: të ftohtit që djeg, mpirja e gishtërinjve të këmbës, rrezet e holla të diellit të vjeshtës që ngrohin ballin. Dhe, nëse je aq i përqendruar, mund të përballosh shikimin e një të panjohuri pa hezitim, me sytë që shfaqin një lloj përmbajtjeje.
Robotët - dhe njerëzit që i ndërtojnë ata - kanë problemin e kundërt. Inxhinierët po përpiqen t’u japin makinave kontroll muskulor, më të shpejtë dhe më të detajuar, në mënyrë që fytyrat e tyre të mund të ndryshojnë dhe të marrin pjesë në rrjedhën e shprehjeve të besueshme. Nëse ato shprehje do të ndihen ndonjëherë të plota dhe bindëse, kjo mbetet pyetje e hapur. Bindëse për çfarë, saktësisht? Vështrimi njerëzor mbart një histori. Ato shkëndija të çastit të emocioneve lidhen me kujtime fëmijërie - aroma e shiut, një melodi e lidhur me dikë që kemi dashur - që kërkojnë trupa dhe gjithë atë kujtesë të shtresuar qelizore që vjen me ta.
Sa për Sofinë, nuk kam asnjë mënyrë për të ditur nëse, ndërsa kishte kontakt me mua, ajo “mendonte” diçka - meditonte mbi retë elektronike që kalonin përmes qarqeve të saj - apo thjesht po zbatonte një rutinë të paracaktuar. Pas sesionit fotografik, mbrëmja po përfundonte. Të ftuarit po shpërndaheshin. Ishte koha që edhe Sofia të largohej. Ndërsa ndodhej ende në hollin e hotelit, ndihmësit e saj ia hoqën fustanin e mbrëmjes, e fikën, e çmontuan dhe futën pjesët në një kuti të madhe të zezë. Në Mahabharata, zhveshja publike e Draupadit ndihmon në ndezjen e një lufte. Në Floridë, asnjë trup shpëtimi nuk u mblodh. E zhveshur dhe e çmontuar, Sofia u mbart, makineria u zbulua, dhe çdo dukje e ndërgjegjes u zhduk sapo u hoq kostumi. /Telegrafi/
Gazeta “SI”- Bota e mediave po ndryshon rrënjësisht. Sipas raportit më të fundit të Reuters Institute për trendet globale, modeli tradicional i gazetarisë, i ndërtuar mbi klikime, SEO dhe motorët e kërkimit, po mbyllet , jo sepse publiku nuk kërkon informacion, por sepse rrugët përmes të cilave ky informacion shpërndahej nuk funksionojnë më si dikur.
Google nuk është më dera e audiencës
Botuesit e lajmeve parashikojnë një rënie dramatike. Trafiku nga motorët e kërkimit, kryesisht Google, pritet të ulet rreth 43% në tre vitet e ardhshme. Dhe ky nuk është një parashikim abstrakt. Tashmë trafiku global nga Google Search ka rënë me 33%, ndërsa Google Discover ka humbur mbi 20% të audiencës.
Për dekada me radhë, mediat kanë ndërtuar përmbajtjen e tyre mbi pëlqimet dhe algoritmet: tituj klik-bait, lajme të shpejta, artikuj “SEO-friendly”. Sot, Google dhe AI po japin përgjigjen direkt tek përdoruesi, duke shmangur artikujt origjinalë. Me fjalë të tjera: lajmi është aty, por klikimi nuk është më i garantuar.
Çfarë nuk mund ta zëvendësojë AI
Raporti zbulon se drejtuesit e mediave në 51 vende po riorientojnë investimet. Më shumë në gazetari investigative, raportim në terren, analiza kontekstuale dhe histori njerëzore; më pak në lajme rutinë dhe përmbajtje të përgjithshme. Mesazhi është i qartë: AI mund të prodhojë informacion, por nuk mund të japë kuptim, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
YouTube po merr fronin
Një tjetër trend i rëndësishëm është ndryshimi i platformave. YouTube nuk shihet më si rrjet social, por si “televizioni i ri” i medias. Për vitin 2026, shumica e botuesve planifikojnë të investojnë më shumë në këtë platformë sesa në çdo tjetër. Pas saj vijnë TikTok dhe Instagram, ndërsa SEO, Facebook dhe X (ish-Twitter) po humbin rëndësi. Publiku sot kërkon jo thjesht informacion, por zë, fytyrë dhe lidhje personale.
AI nuk është shpëtimi financiar
Pavarësisht entuziazmit për inteligjencën artificiale, shumica e mediave nuk e shohin atë si burim të qëndrueshëm të ardhurash. Vetëm rreth 20% e drejtuesve presin të ardhura të konsiderueshme nga marrëveshjet me platformat e AI; pjesa tjetër pret fitime minimale ose aspak. Në fakt, AI shpesh kërkon investime të reja, role teknike dhe rritje kostosh operative.
Pra, AI nuk po i jep zgjidhje krizës ekonomike të medias; thjesht po e zhvendos atë.
Gazetaria që mbetet e pazëvendësueshme
Në një kohë ku informacioni gjenerohet automatikisht, ajo që mbetet e pazëvendësueshme është gazetaria e terrenit që pyet, lidh faktet dhe flet me emër dhe përgjegjësi. Në fakt po ndodh ajo që e ndan gazetarinë nga zhurma.
Në fund, raporti i Reuters Institute paralajmëron se e ardhmja e medias nuk është në AI, por zëri dhe fytyra njerëzore që sjell kuptim dhe përmbajtje.
Rasti i fundit i “Fantazmës së Prishtinës”, e cila ishte një fotografi e fabrikuar u shpërnda gjerësisht në rrjete sociale dhe u publikua edhe nga disa media pa verifikim të fakteve, ka rikthyer në vëmendje rrezikun që paraqesin imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale (AI) dhe ndikimin e tyre në perceptimin e publikut për realitetin.
Ky rast, tregoi se sa lehtë një përmbajtje e rreme vizuale mund të merret si e vërtetë dhe të prodhojë dezinformim masiv.
Lidhur me këtë rast, për Telegrafin kanë folur Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID, dhe Kastriot Fetahaj, inxhinier i sigurisë kibernetike dhe zhvillues i softuerit për kompaninë amerikane The Daily Wire, të cilët shpjegojnë pse imazhet e gjeneruara nga AI janë gjithnjë e më bindëse dhe pse publiku shpesh u beson atyre.
Sipas Rizanajt, besueshmëria e fotografive të krijuara nga AI varet shumë nga tema që ato paraqesin.
“Kjo varet nga përmbajtja që publikohet. Nëse përmbajtja lidhet me tema për të cilat ka shumë informacion vizual në internet, atëherë mundësia që këto foto të duken origjinale, reale dhe më të besueshme është shumë më e madhe. Megjithatë, ekzistojnë edhe raste kur gjenerohen përmbajtje me cilësi të ulët, të njohura si ‘slop AI’,” thotë ai.
Edhe Fetahaj thekson se zhvillimi teknologjik e ka bërë dallimin mes reales dhe të rremes gjithnjë e më të vështirë.
“Fotot dhe videot e gjeneruara nga AI mund të duken shumë të besueshme, sidomos për një sy të patrajnuar. Teknologjia ka avancuar ndjeshëm dhe në shumë raste e bën të vështirë dallimin mes përmbajtjes së gjeneruar dhe asaj reale, veçanërisht kur imazhet shihen shpejt dhe pa verifikim,” shprehet ai për Telegrafin.
Një nga arsyet pse raste si “Fantazma e Prishtinës” arrijnë të bindin një pjesë të publikut lidhet me mënyrën se si njerëzit e përpunojnë informacionin.
Rizanaj shpjegon se “forma e komunikimit përmes imazheve është më e lehtë sepse nuk kërkon shumë angazhim të trurit për t’u kuptuar, ndërsa teksti i shkruar kërkon përqendrim dhe analizë për të kuptuar faktet që përmban”.
Në të njëjtën linjë, Fetahaj vëren ndikimin e rrjeteve sociale në këtë sjellje.
“Sot është bërë trend që informacioni të merret më shumë nga imazhet dhe videot sesa nga artikujt e shkruar. Rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në këtë sjellje, sidomos platformat me përmbajtje të shpejtë si TikTok, ku njerëzit konsumojnë informacion në pak sekonda dhe rrallë ndalen të lexojnë burime të plota”, ka theksuar Fetahaj për Telegrafin.
Sa i përket ndikimit në perceptimin e ngjarjeve reale, hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj thekson se besimi i publikut shpesh lidhet me bindjet personale.
“Varet nga rastet. Për shembull, në aspektin politik, nëse përmbajtja i përshtatet bindjeve ose qëndrimeve të personit që e sheh, atëherë mundësia për t’i besuar është më e madhe. Po ashtu, edhe në raste të krizave të caktuara, kur publikohen imazhe që lidhen me ngjarjen, besueshmëria e tyre mund të rritet,” thotë ai.
Ndërkaq inxhinieri i kibernetikës, Kastriot Fetahaj paralajmëron se pasojat mund të jenë serioze.
“Këto imazhe mund të shkaktojnë konfuzion dhe të deformojnë perceptimin e publikut, sepse shumë njerëz nuk e marrin mundin të lexojnë kontekstin, burimin apo sqarimet. Shpesh, ajo që shohin e marrin si ‘informacionin e parë’ dhe kanë prirje t’i besojnë, edhe kur është e rreme ose e manipuluar”, ka shtuar Fetahaj.
Të dy ekspertët pajtohen se nevojiten mekanizma rregullues, por qasjet dallojnë. Rizanaj thekson domosdoshmërinë e rregullimit dhe transparencës.
“Po, duhet të ketë rregullim të qartë për përmbajtjet e krijuara nga AI, sidomos në platformat e mediave sociale, duke kërkuar që ato të identifikohen dhe etiketohen si përmbajtje të gjeneruara nga AI. Përveç kësaj, është e nevojshme të ketë edhe edukim për publikun, për ta njohur dhe kuptuar natyrën e këtyre përmbajtjeve”, ka deklaruar Rizanaj.
Ndërsa Fetahaj vlerëson se kufizimet ligjore janë të vështira për t’u zbatuar në praktikë.
“Vendosja e kufizimeve ligjore është e vështirë, sepse edhe identifikimi i imazheve të gjeneruara nga AI nuk është gjithmonë i lehtë dhe shpesh kërkon analiza të detajuara ose mjete të specializuara,” thotë ai.
Fetahaj ka shtuar se një qasje më efektive mund të jetë ndalimi dhe penalizimi i shpërndarjes mashtruese (kur paraqitet si e vërtetë), si dhe përmirësimi i raportimit dhe heqjes së shpejtë të përmbajtjes nga platformat sociale sapo identifikohet.
Në fund, çështja e përgjegjësisë mbetet kyçe. Rizanaj thekson se përgjegjësinë duhet ta mbajë faqja ose llogaria në mediat sociale që e publikon imazhin duke nënvizuar vështirësinë e identifikimit të autorëve të vërtetë.
“Për këtë arsye, rregullime ligjore dhe mekanizma mbikëqyrës janë të nevojshme për të siguruar që përmbajtjet mashtruese të jenë të ndëshkueshme dhe për të mbrojtur publikun nga dëmet që mund të shkaktojnë”, shprehet ai.
Kurse Fetahaj shton se përgjegjësinë kryesore duhet ta mbajë personi që e shpërndan imazhin duke e paraqitur si të vërtetë, sidomos kur kjo shkakton dëm, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të madh mes institucioneve të sigurisë dhe platformave sociale.
“Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të bashkëpunojnë më ngushtë me platformat e rrjeteve sociale për të ndalur përhapjen, për të kërkuar të dhëna kur ka raste dëmi, dhe për të mundësuar identifikimin e personave përgjegjës. Në praktikë, kjo nuk po funksionon gjithmonë si duhet, dhe në shumë raste institucionet kanë qenë të kufizuara ose joefektive për të ndërmarrë veprime konkrete”, u shpreh inxhineri i kibernetikës.
Rasti i “Fantazmës së Prishtinës” mbetet një shembull konkret se si mungesa e verifikimit dhe fuqia e imazheve të rreme mund të çojnë në dezinformim, duke nxitur debat për përgjegjësinë e mediave, platformave dhe vetë publikut në epokën e inteligjencës artificiale. /Telegrafi/
Po humbisni një “klasë” të re PC-sh dhe mund të mos jeni të përgatitur për gjeneratën e ardhshme të informatikës nëse nuk kaloni në një PC Copilot+.
Ky argument vjen nga ekipi i marketingut të Microsoft, por është në përputhje me vizionin e përgjithshëm të kompanisë.
Të gjithë PC-të e rinj tani janë “PC me AI”, por nëse zotëroni pajisje më të vjetra, po humbisni diçka, sipas Microsoft, transmeton Telegrafi.
“PC-të Copilot+” janë “klasa e re” e PC-ve me Windows dhe Microsoft argumenton se “Të gjithë PC-të Copilot+ janë PC me Windows 11, por jo të gjithë PC-të me Windows 11 janë PC Copilot+”.
Por çfarë kualifikohet si një “PC Copilot+”? Sipas Microsoft, çdo pajisje që ka deri në 16 GB RAM, 256 GB SSD dhe një NPU me mbi 40 TOP është një PC Copilot+.
Në fakt, disa “PC me AI” më të vjetër nuk kualifikohen si “PC Copilot+” sepse kanë më pak se 40 TOP NPU. Për shembull, një Spectre (2024) nuk kualifikohet si një PC Copilot+ sepse ka vetëm 10 TOP NPU.
Për ata që nuk e dinë, NPU qëndron për Njësinë e Përpunimit Neural dhe përdoret posaçërisht për detyrat e Inteligjencës Artificiale (AI) dhe Mësimit Automatik (ML).
Microsoft shton se PC-të e ndërtuara me NPU "janë të sigurt, [mbështesin] përpunimin e AI në pajisje, i fuqizojnë përdoruesit të punojnë, krijojnë dhe komunikojnë në mënyrë më efektive".
Kompania nuk do t'ju tregojë se edhe një GPU laptopi lojërash është më se e mjaftueshme për të ekzekutuar modele AI në nivel lokal, sepse kjo nuk do t'i shiste PC-të e sofistikuara AI.
"PC-të Copilot+ janë PC-të më të shpejtë dhe më inteligjentë me Windows ndonjëherë", argumenton Microsoft në një dokument marketingu të parë nga Windows Latest.
"PC-të Copilot+ janë të dizajnuara për të mbështetur inovacionet AI të sotme dhe të nesërme", vuri në dukje Microsoft.
"Përmirësimi në një PC Copilot+ ndihmon të siguroheni që jeni të përgatitur për gjeneratën e ardhshme të informatikës", thuhet ndër tjera.
Microsoft nuk shpjegon se si këto PC me AI ju përgatisin për gjeneratën e ardhshme të informatikës, veçanërisht kur miratimi i AI-së është arsyeja e vetme pse po shohim rritje të çmimeve të RAM-it ose GPU-së. /Telegrafi/
CEO i Meta, Mark Zuckerberg, tha të hënën se kompania po lanson një iniciativë të re "të nivelit të lartë" të quajtur Meta Compute, ndërsa investon më shumë para në qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën që fuqizon shtytjen e saj të IA-së.
Zuckerberg bëri të ditur se Meta planifikon të ndërtojë "dhjetëra gigavat" kapacitet këtë dekadë dhe "qindra gigavat ose më shumë" me kalimin e kohës, përcjell Telegrafi.
"Mënyra se si ne projektojmë, investojmë dhe bashkëpunojmë për të ndërtuar këtë infrastrukturë do të bëhet një avantazh strategjik", shkroi Zuckerberg në një postim në Facebook.
Meta ka thënë se planifikon të investojë 600 miliardë dollarë në infrastrukturën dhe vendet e punës në SHBA, duke përfshirë qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale, deri në vitin 2028.
Santosh Janardhan, kreu i infrastrukturës së kompanisë, dhe Daniel Gross, i cili iu bashkua Meta vitin e kaluar nga startup-i i inteligjencës artificiale Safe Superintelligence, do të udhëheqin iniciativën e re Meta Compute.
Dy drejtuesit do të punojnë ngushtë me Dina Powell McCormick, presidenten dhe nënkryetaren e sapoemëruar të Meta, e cila do të përqendrohet në partneritetin me qeveritë dhe entitetet sovrane për të ndihmuar në ndërtimin dhe financimin e infrastrukturës.
Powell McCormick është një ish-zëvendës këshilltar i sigurisë kombëtare i presidentit Donald Trump dhe kaloi 16 vjet në Goldman Sachs. /Telegrafi/
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka reaguar lidhur me raportimet e publikuara në disa media për një të ashtuquajtur “fantazmë” që pretendohet se po shëtitet nëpër rrugët e Kosovës, duke i cilësuar ato si të pasakta dhe jo të verifikuara.
Sipas KMShK-së, përmbajtjet në fjalë janë të gjeneruara përmes Inteligjencës Artificiale (AI) dhe nuk bazohen në fakte reale. Institucioni ka bërë të ditur se ka pranuar shqetësime nga qytetarët lidhur me këto publikime, të cilat kanë shkaktuar konfuzion dhe shqetësim në opinion.
KMShK u bën thirrje mediave që të tregojnë kujdes të shtuar në raportim dhe të verifikojnë çdo përmbajtje para publikimit, veçanërisht ato që mund të shkaktojnë panik ose dezinformim te publiku.
Në reagimin e tij, Këshilli thekson se raportimet duhet të jenë të sakta, profesionale dhe në përputhje me Kodin e Etikës së Gazetarisë, duke shmangur shpërndarjen e materialeve të pavërtetuara apo të manipuluara nga teknologjitë e reja.
“Përgjegjësia mediatike është thelbësore për informimin korrekt të qytetarëve dhe ruajtjen e besimit të publikut”, thuhet në reagimin e KMShK-së./Telegrafi/
Ylli i futbollit, argjentinasi Lionel Messi, ka pranuar se nuk e përdor kurrë ChatGPT ose ndonjë mjet tjetër me Al.
Jo se nuk i pëlqejnë, por sepse nuk është mësuar me to dhe përdorimin e tyre.
Në një intervistë të kohëve të fundit, ai tha se Al nuk është pjesë e rutinës së tij të përditshme.
Por, për dallim prej tij, Messi zbuloi se gruaja e tij Antonela përdor ChatGPT gjatë gjithë kohës, duke e pyetur për receta, ushqim dhe shumë pyetje të tjera gjatë ditës.
Kontrasti brenda shtëpisë së tyre pasqyron një realitet më të gjerë rreth përdorimit të Al.
Për disa njerëz, Al është bërë tashmë një asistent i përditshëm që ndihmon me vendime të vogla dhe kuriozitet të përditshëm, ndërsa për të tjerët ende është e panevojshme. /Telegrafi/
Google ka prezantuar funksione të reja inteligjente për Gmail.
Kompania ka transformuar shërbimin e postës elektronike në një asistent personal për organizimin e emaileve dhe detyrave të përditshme.
Ndryshimet kryesore përfshijnë:
Inbox me AI: Email-et tani ndahen automatikisht në detyra urgjente dhe tema për t’u përcjellë, duke e bërë më të lehtë fokusimin te gjërat më të rëndësishme.
Kërkim inteligjent: Përdoruesit mund të kërkojnë informacion në email me gjuhë natyrale, jo vetëm me fjalë‑kyçe.
Ndihmë në shkrim: Vegla si Help Me Write, Suggested Replies dhe Proofread sugjerojnë përmirësime në drejtshkrim, stil dhe strukturë, duke lehtësuar komunikimin.
Të gjitha këto funksione tani janë të qasshme për të gjithë përdoruesit pa pagesë, ndërkohë që ata që preferojnë versionin klasik të Gmail mund të zgjedhin ta mbajnë pamjen tradicionale të postës.
Ekspertët e teknologjisë e shohin këtë lëvizje si një hap të rëndësishëm drejt integrimit të inteligjencës artificiale në jetën e përditshme të përdoruesve të internetit. /Telegrafi/
Startupi kinez i Inteligjencës Artificiale DeepSeek pritet të lansojë modelin e tij të gjeneratës së ardhshme të Al, V4, i cili paraqet aftësi të forta kodimi.
Testet e brendshme nga punonjësit e DeepSeek sugjeruan se V4 mund të tejkalonte rivalët si Claude i Anthropic dhe seria GPT e OpenAI në detyrat e kodimit.
Modeli më i fundit V4 ka bërë gjithashtu përparime në trajtimin dhe përpunimin e kërkesave jashtëzakonisht të gjata të kodimit, një avantazh i mundshëm për zhvilluesit që punojnë në projekte komplekse softuerësh.
Startup i DeepSeek me seli në Hangzhou është shfaqur si një lojtar kyç në përpjekjen e Kinës për të ndërtuar ekosistemin e vet të Al dhe për të forcuar sektorin vendas të çipave.
Reuters raportoi më parë se startupi është përballur me kritika në disa vende për shkak të praktikave të tij të sigurisë dhe privatësisë. /Telegrafi/
Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë zbuluar dy shtesa të rrezikshme për Google Chrome që kanë marrë informacionet private të përdoruesve nga bisedat me “chatbot” e inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT dhe DeepSeek.
Shtesat e quajtura “Chat GPT for Chrome with GPT‑5, Claude Sonnet & DeepSeek AI” dhe “AI Sidebar with Deepseek, ChatGPT, Claude, and more” ishin instaluar nga mbi 900 mijë përdorues para se të hiqeshin nga dyqani zyrtar i Chrome.
Ato dërgonin në fshehtësi bisedat dhe faqet që vizitonin përdoruesit tek serverë të jashtëm, çdo 30 minuta.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo praktikë, e njohur si “prompt poaching”, mund të rrezikojë informacionin personal, ide biznesi dhe të dhëna konfidenciale, duke i bërë ato të qasshme nga sulmues të jashtëm.
Përdoruesit këshillohen të kontrollojnë shtesat e tyre, të heqin ato me origjinë të paqartë dhe të mos japin leje për qasje në përmbajtjen e faqeve pa qenë të sigurt. /Telegrafi/
OpenAI po lanson ChatGPT Health, i cili është një vend i veçantë brenda ChatGPT ku mund të lidhni llogaritë tuaja Apple Health, MyFitnessPal, Function, Weight Watchers, AllTrails, Instacart dhe Peloton dhe të bëni pyetje në lidhje me shëndetin tuaj.
OpenAI thotë se ChatGPT është "i projektuar në bashkëpunim të ngushtë me mjekët" për të "ndihmuar njerëzit të marrin një rol më aktiv në kuptimin dhe menaxhimin e shëndetit dhe mirëqenies së tyre". Dhe të përdorin më shumë ChatGPT, transmeton Telegrafi.
Bazuar në "analizën e de-identifikuar të bisedave", OpenAI e di se mbi 230 milionë njerëz në të gjithë globin tashmë e pyesin ChatGPT-në në lidhje me shëndetin dhe mirëqenien, dhe ChatGPT Health është menduar si një vend për ta bërë këtë më të sigurt.
Në Health, ekziston "enkriptim dhe izolim i ndërtuar me qëllim", thuhet në njoftimin për shtyp të OpenAI, "për të mbajtur bisedat shëndetësore të mbrojtura dhe të ndara në ndarje".
Kompania gjithashtu premton se nuk do të përdorë bisedat tuaja të Health për të trajnuar modelet e saj, dhe thekson se nëse dëshironi siguri shtesë, mund të aktivizoni vërtetimin shumëfaktorësh.
OpenAI po bashkëpunon me b.well, "rrjetin më të madh dhe më të sigurt të të dhënave shëndetësore të lidhura drejtpërdrejt për konsumatorët amerikanë", i cili "i përmbahet standardeve më të larta të industrisë në sigurinë dhe privatësinë e të dhënave" nëse dëshironi të lidhni edhe të dhënat tuaja mjekësore.
Modeli special i Health mund të shpjegojë, ndër të tjera, rezultatet e analizave laboratorike në një gjuhë të kuptueshme, të përgatisë pyetje për një takim, të interpretojë të dhëna nga pajisjet e veshshme dhe aplikacionet e Wellness-it dhe të përmbledhë udhëzimet e kujdesit. Për të përdorur Health, thjesht zgjidheni atë nga menyja anësore në ChatGPT.
ChatGPT Health tani është i disponueshëm për "një grup të vogël përdoruesish të hershëm" jashtë Zonës Ekonomike Evropiane, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Integrimet e të dhënave mjekësore janë vetëm për SHBA-në. /Telegrafi/