Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 February 2026Main stream

Talenti i vogël i shahut/ 8-vjeçari fiton kampionate dhe synon arenën ndërkombëtare

1 February 2026 at 14:07

TIRANË- Eden Begotaraj është nxënës në klasën e dytë. Vetëm 8 vjeç, ai është një vogëlush i apasionuar pas lojës së shahut. Që në moshë të vogël, Eden ka kuptuar se ky sport, i njohur ndryshe si sporti i të zgjuarve, stërvit mendjen dhe zhvillon të menduarin logjik.

Pas vetëm një viti stërvitje, 8-vjeçari ka marrë pjesë në 5 kampionate kombëtare. Në një prej tyre, ku konkurruan rreth 120 fëmijë nga mosha 8 deri në 18 vjeç, Eden arriti të rrëmbejë vendin e parë, duke spikatur mes bashkëmoshatarëve dhe më të rriturve.

Ai shprehet se kjo fitore ka bërë krenare gjithë familjen e tij, ndërsa thekson se rezultati është fryt i një pune të gjatë, përkushtimi dhe disipline. Për vogëlushin, shahu nuk është thjesht një sport. Ai tregon se falë këtij pasioni ka arritur rezultate shumë të mira edhe në mësime, veçanërisht në lëndët që kërkojnë logjikë dhe përqendrim.

Eden e përshkruan veten si një shpirt luftarak, por shahu i ka mësuar edhe një nga mësimet më të rëndësishme të jetës: të pranosh humbjen dhe të mësosh prej saj.

Sporti është pjesë e përditshmërisë së Edenit, ndërsa ëndrrat për të ardhmen janë të mëdha. Përveç dëshirës për t’u bërë arkitekt, ëndrra e tij më e madhe është të përfaqësojë Shqipërinë në kampionatet ndërkombëtare të shahut.

Ndërkohë, për shumë prindër, shahu po shihet gjithnjë e më tepër si një mënyrë efektive për të ndihmuar fëmijët të arrijnë rezultate më të mira në mësime. Vogëlushi 4-vjeçar, Tian Ndou, është një prej shembujve, i cili prej 5 muajsh ka nisur kursin e shahut, duke hedhur hapat e parë në këtë sport të mendjes.

Eden dhe Tian janë shembulli se shahu nuk njeh moshë dhe se pasioni për lojën e mendjes lind që në fëmijëri. Me përkushtim dhe mbështetje, këta vogëlushë po hedhin sot hapat e parë drejt suksesit të nesërm.

Zhvendosja e Kadastrës së Vlorës në Tiranë/ Rama u përgjigjet kritikave: Shërbimi do jepet online, drejtori të tjera do zhvendosen

1 February 2026 at 09:44

TIRANË– Kryeministri i vendit Edi Rama në podkastin e përjavshëm “Falasim” iu dha përgjigje akuzave për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës, në Tiranë.

Sipas Ramës, zhvendosja e zyrës në kryeqytet nuk cenon shërbimin ndaj qytetarëve.

Ai u shpreh se synimi i qeverisë është që institucioni i Kadastrës të jetë tërësisht e digjitalizuar, ku qytetarët do mund të aplikojnë online pa pasur nevojë të ënden zyrave të tjera, siç ka ndodhur deri tani.

Më tej, Rama u shpreh se rasti i zhvendosjes së Kadastrës nuk do jetë i vetëm, por paralajmëroi se të njëjtin fat do kenë edhe disa drejtori të tjera.

“Dy fjalë për zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Dhe janë dy fjalë që duhen thënë, sepse edhe një herë tjetër u ngatërrua qëllimisht ose më falni idiotësisht, adresa fizike e zyrës me shërbimin për qytetarët.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ka kaluar prej kohësh nga një model shërbimi primitiv me sportele, radha, ecejake, zvarritje etj, etj, në një model shërbimesh online, ende i pambyllur plotësisht në të gjithë ciklin e vet, por gjithsesi përmes platformës, e-Albania, ky model mundëson që shumica e procedurave kadastrale, nuk kanë nevojë për paraqitjen fizikisht në një sportel të qytetarit. Kartela pasurie, vërtetime, regjistrime aktesh, kontratash, rivlerësime, të gjithë aplikohen dhe ndiqen online nga kudo, ku ndodhet qytetari, edhe nga Amerika.

Tani, gjithë kjo zhurmë dhe ky tension që u ndje në atë lëvizje, lidhet, jo vetëm me një perceptim të gabuar apo edhe informim të mangët, por edhe me një mendësi, e cila duhet përmbysur dhe duhet përmbysur, duke pasur parasysh që e nesërmja e afërt, jo e largët e Kadastrës, është një shërbim si plot shërbime të tjera, pa sportele, pa godina fizike të shpërndara në territor, por me akses në çdo shërbim, si një e drejtë themelore dhe një e drejtë që merret përmes celularit, që merret përmes kompjuterit më të afërt dhe që nuk ka asnjë lidhje me vendodhjen e zyrës.

Ky, nuk është i pari si veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen dhe ndërkohë, ajo që po punojmë për ditë pa pushim është që të sigurojmë mbylljen e ciklit, pra, jo më aplikim online dhe pastaj marrje mbrapsht të shërbimit me postë, por aplikim online dhe marrja e shërbimit menjëherë po aty online.”, tha Rama.

 

“El Pais”: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të preferuara të Ballkanit për turistët ndërkombëtarë

1 February 2026 at 09:04

Përballë turizmit masiv në destinacionet klasike evropiane, vende si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Bullgaria po fitojnë terren në mesin e turistëve që kërkojnë pushime më të lira dhe më pak të populluara, shkruan Elena Horrillo në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Pais”.

Vendet e Ballkanit vazhdojnë të thyejnë rekordin me numrin e lartë të turistëve. Më shumë se 1,1 miliardë turistë udhëtuan në vendet ballkanike midis janarit dhe shtatorit 2025, sipas raportit të fundit të Barometrit Botëror të Turizmit të kryer nga OKB-ja për TurizminTë dhënat treguan se numri i turistëve ishte 5% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe 3% më shumë se në vitin 2019, vitin para pandemisë.

E gjithë kjo, për shkak të inflacionit të lartë në shërbimet turistike dhe situatës gjeopolitike globale që nuk është aspak e qetë.

Pushimet në destinacione më të përballueshme dhe më pak të mbushura me turistë, të cilat kanë qenë gjithmonë nën radarin e vizitorëve, tani po renditen gjithnjë e më shumë mes vendeve të preferuara të turistëve.

Sipas raportit të fundit të “Skyscanner”, dëshira për të udhëtuar jashtë vendit vazhdon të rritet, por më shumë se një e treta e turistëve (34%) kërkojnë në mënyrë aktive të shmangin zonat e mbipopulluara dhe 31% planifikojnë të vizitojnë vende të njohura, por vetëm jashtë sezonit turistik.

Një përqindje e ngjashme e turistëve thotë se mbipopullimi ka ndikuar negativisht në përvojën e tyre të udhëtimit.

Në sferën e pushimeve të fundjavës ose pushimeve tre ose katër ditore – sipas “eDreams”, turistët po shikojnë drejt destinacioneve evropiane më të përballueshme, por më pak turistike, dhe kjo mbetet një trend në rritje.

Duke pasur parasysh këta faktorë, Ballkani po e vendos veten si një destinacion në zhvillim në hartën e turizmit.

Sipas të dhënave të ofruara nga “Booking.com”, të gjitha destinacionet në këtë rajon kanë potencial të konsiderueshëm rritjeje deri në vitin 2026, veçanërisht gjatë muajve të verës.

Bullgaria kryeson, me një rritje tprej 44% krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2025, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 35%. Kosova (23%), Shqipëria (20%), Mali i Zi (17%) dhe Serbia, me 3%.

Jo çuditërisht, Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, është ndër destinacionet e zgjedhura nga “Skyscanner” me çmimet më të përballueshme prej disa muajsh, dhe Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, është një nga vendet e rekomanduara për vitin 2026 – pasi kombinon në mënyrë të përkryer sharmin oriental të pazarit të vjetër osman me një qendër monumentale neoklasike të rinovuar.

Shqipëria

E njohur si Toka e Shqiponjave, Shqipëria po bëhet gjithnjë e më popullore. Nuk është çudi, që në vitin 2025 ajo priti 12 milionë turistë, një shifër pothuajse pesë herë më e madhe se popullsia e saj.

Tirana i bashkohet listës së kryeqyteteve evropiane më të vizituara nga turistët, pjesërisht falë aeroportit që ndodhet atje.

Turistët mund të bëjnë një shëtitje nëpër Sheshin Skënderbej, sheshin kryesor të qytetit, të vizitojnë Xhaminë Et’hem Behut, Muzeun Kombëtar ose Bibliotekën Kombëtare.

Megjithatë, nëse ka një vend që ia vlen vërtet të eksplorohet, është Bunk’Art 2, një bunker bërthamor i shndërruar në muze për të përkujtuar epokën e diktaturës së Enver Hoxhës.

Shqipëria gjithashtu krenohet me thesare arkeologjike si Parku Arkeologjik i Butrintit – me banjot termale dhe teatrin romak – dhe qytete të bukura historike si Berati dhe Gjirokastra.

Nëse jeni duke kërkuar një vend të izoluar, Thethi është porta hyrëse për në Alpet Shqiptare dhe fshatin e bukur të Valbonës.

Megjithatë, padyshim një numër më i madh turistësh tërhiqen nga Riviera Shqiptare, falë plazheve të saj magjepsëse.

E ashtuquajtura Riviera Shqiptare, në jugperëndim dhe e lagur nga deti Jon, shtrihet midis Vlorës dhe Sarandës me ujëra të kristalta, bukuri natyrore mahnitëse dhe çmime të arsyeshme.

Vendet kryesore përfshijnë Ksamilin, Gjirin e Dafinës dhe Syrin e Kaltër, një burim që, krenohet me ujërat mbresëlënëse ngjyrë bruz.

Dosja “Epstein”, reagon presidenti Donald Trump pas dokumenteve të publikuara

1 February 2026 at 08:32

Presidenti amerikan Donald Trump ka pretenduar se dosjet Epstein e “lirojnë” nga akuzat. Duke folur për herë të parë rreth dokumenteve të publikuara, Trump tha se ato e kishin liruar nga akuzat për lidhjet e tij me Epstein.

Ndërsa fluturonte për në Florida, presidenti amerikan tha: “Nuk e pashë vetë, por disa njerëz shumë të rëndësishëm më thanë se jo vetëm që më shfajëson mua, por është e kundërta e asaj që shpresonin njerëzit, e dini, e majta radikale”.

Aty përfshihen imazhe të ish-princit Andrew Mountbatten-Windsordhe të ish-ambasadorit britanik në SHBA, Peter Mandelson.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka bërë thirrje që Andrew të dëshmojë para Kongresit Amerikan për lidhjet e tij me Epstein.

“Nuk mund të jesh i përqendruar te viktima nëse nuk je i përgatitur ta bësh këtë”, shtoi ai.

Yesterday — 31 January 2026Main stream

I ngacmoi të dashurën, kushërinjtë qëllojnë me armë/ Durrës, ndërron jetë 45 vjeçari

31 January 2026 at 17:02

Ka nderruar jete ne spital 45 vjrcari i cili u plagos dy dite me pare ne shijak pas nje konflikti qe kishte me dy kusherinje. Burime nga policia e Durresit i thane ABC News se Denis Çumani nuk ka mundut ti mbijetonte plages se plumbit.

Nderkohe policia vijon kerkimet per arrestimin e dy kusherinjve Dorjan dhe Indrit Ferra. Sipas prokurorise, nje femer ka qene shkaku i perplasjes mes te rinjeve ne Shijak, ku mbeti i plagosur rende Denis Cumani. Burime nga grupi hetimit thane per ABC News se Denis Cumani ka ngacmuar vajzen me te cilen dilte Dorian Ferra. Teksa ky i fundit ndodhej ne lokal me vajzen, asaj i vinin vazhdimisht sms nga Denis Cumani dha ajo per te mos u konfliktuar djemte i fshinte sms. Pas insistimit se kush i shkruante te dashures se tij, Dorian Ferra e mesoi se kush ishte personi qe i shkruante. Merr si perforcim edhe kusheririn e tij, shtetasin Indrit Ferra dhe shkojne te shtepia e Denis cumanit dhe pas e kane qelluar me grushta dhe shkelma, i kane vene pistoleten ne koke dhe me pas ne brinje. E qellojne nje here ne brinje duke e lene te plagosur. Fillimisht i demtuari eshtë derguar ne spitalin e Durresit dhe nga aty me urgjence drejt spitalit te Traumes ne Tirane ku edhe nderroi jete sot.

NE FOTO- VIKTIMA DENIS CUMANI

 

Epstein me sytë nga Tirana? Ish-kryeministri i Norvegjisë i çon e-mail nga Shqipëria: Ka vajza të bukura!

31 January 2026 at 12:18

Emra të njohur politikanësh, biznesmenësh dhe personazhe të fuqishme janë përmendur në dosjet e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein. Miliona email-e nxjerrin në dritë detaje të panjohura më parë dhe vende që duket se ishin në rrethin e njerëzve të dyshuar dhe të akuzuar për krime.

Mes tyre është edhe Shqipëria e cila përmendet nga ish-Kryeministri norvegjez dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland. Në një e-mail të dërguar në 25 maj të vitit 2012, Jagland i shkruan Epstein se kishte vizituar Tiranën, ku vajzat ishin të jashtëzakonshme.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

“Përshëndetje Jeffrey. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) vajza të jashtëzakonshme. Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Kthehem të enjten”, shkruhet në mesazh.

Në kohën e këtij komunikimi Jagland mbante postin postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe ka qenë i angazhuar në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike që shpërtheu në janar 2011 dhe pas zgjedhjeve lokale të atij viti.

Bazuar në datat e shkëmbimit të mesazheve, kuptohet se email-i është dërguar një ditë pas vizitës zyrtarë të Jagland në Tiranë, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë përfshirë edhe kryeministrin e kohës Sali Berisha në kuadër të angazhimeve të Këshillit të Europës.

Në email nuk flitet për takime apo detaje të tjera, por duket se edhe Tirana, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Jeffrey Epstein dhe rrethit të tij.

Ndërkohë në dosjet e publikuara dalin në dritë edhe komunikime të tjera mes Jagland dhe Epstein, ku në një prej tyre flitet edhe për planifikimin e një vizite në ishullin e ish financierit në Karaibe.

Si paguajmë fishekzjarrët e PD/ KQZ ndan fondet për partitë, PD merr miliona lekë për… molotovë

31 January 2026 at 12:02

Mijëra euro për aksionin opozitar. KQZ ka bërë gati shpërndarjen e fondeve vjetore për partitë politike në 2026. Ndonëse jo vit zgjedhor, 3.5 milionë euro do t’u jepen partive. Rreth gjysmat e tyre, 1.66 milionë euro i merr PS, partia më e votuar nga shqiptarët, e cila ka dhe shumicën e mandateve në parlament.

PD do të marrë 800 mijë euro. Viti i kaluar zgjedhor ishte një periudhë me shumë shpenzime për selinë blu.

Vetëm në fushatë zgjedhore u shpenzuan 1.4 milionë dollarë për fushatuesin e Trump, La Civita, 800 mijë dollarë për organizimin e fushatës së zgjedhjeve të 11 majit dhe 6 milionë dollarë kontrata e lobimit në SHBA, edhe pse kjo me këste deri në 2027

Kurse këtë vit, të vetmet shpenzime që PD ka  planifikuar, veç disa foltoreve të Sali Berishës janë molotovët dhe fishekzjarrët që do të përdoren në protestat e premtuara para kryeministrisë për të rrezuar qeverinë.

Megjithatë, në shpërndarjen e fondeve bie në sy se, pavarësisht se opozita është ndarë në dhjetëra parti, të marra të gjitha së bashku, të vjetra dhe të reja marrin në total 1.68 milionë euro po aq sa PS, e cila e vetme mori mijëra vota dhe 30 mandate më shumë.

Kjo tregon se hileja e opozitës me partitë e vogla funksionoi. Mjaftoi firma për koalicionin Shqipëria Madhështore që 4 parti pa përfaqësim në parlament, por me deputetë fiktivë nga PD, të marrin secila nga rreth 60 mijë euro.

Endrit Shabani e nisi 2026 si Avokat Populli por partia e tij opozitare Nisma Thurje përfiton 40 mijë euro. Kurse Lulzim Basha, që për momentin është çaktivizuar nga politika reale, me koalicionin euroatlantik merr 45 mijë euro.

Lulzim Basha mund të jetë në arrati dhe partia e tij ka mbyllur dyqanin por dikur i përkëdheluri i Berishës vazhdon të jetë makinë parash. Dhe si molotovët, fishekzjarrët apo partitë pa përfaqësi, do të vijojnë të paguhen me mijëra euro nga taksat e qytetarëve./abcnews.al

EMRAT/ Kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, tre të arrestuar në Tiranë

31 January 2026 at 09:27

Policia e Shtetit ka identifikuar shtatë persona, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, dhe më pas i magazinonin në Tiranë dhe i shisnin në treg duke shmangur detyrimet tatimore.

Tre prej tyre janë arrestuar, kurse të tjerët janë proceduar penalisht.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.

Tre personat u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta.

Të arrestuarit Sofokli Bushi, Bilbil Llangozi dhe Ali Bushati akuzohen për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të paligjshëm.

“Travel and Tour Word”: Turistët francezë, gjermanë dhe amerikanë rrisin interesin për të eksploruar Shqipërinë

31 January 2026 at 08:07

Turizmi në Shqipëri po ndryshon profil: Rritet ndjeshëm interesi nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan faqja e njohur “Travel and Tour Word”.

Turizmi në Shqipëri po hyn në një fazë të re zhvillimi, me një ndryshim të dukshëm të strukturës së vizitorëve të huaj dhe një rritje të fortë të interesit nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo prirje evidentohet në një analizë të publikuar nga portali ndërkombëtar Travel and Tour World, i cili thekson se ‘’vendi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregjet turistike perëndimore’’.

Sipas raportimit, ndonëse Kosova dhe Italia vijojnë të jenë burimet kryesore të turistëve për Shqipërinë, ritmet më të shpejta të rritjes po regjistrohen nga tregje më të largëta dhe me fuqi më të madhe blerëse.

Turistët nga Gjermania dhe Franca po shfaqin interes në rritje për destinacione kulturore, natyrore dhe bregdetare, ndërsa vizitorët amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri, ende të paeksploruar plotësisht në Mesdhe.

Tirana, Durrësi dhe bregdeti mbeten në qendër të vëmendjes.

Tirana vazhdon të jetë porta kryesore e hyrjes për turistët e huaj, falë lidhjeve ajrore në rritje dhe zhvillimit të shërbimeve urbane.

Ndërkohë, Durrësi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për turizmin familjar dhe atë detar, për shkak të afërsisë me kryeqytetin dhe infrastrukturës hoteliere ekzistuese.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe bregdetit shqiptar, veçanërisht Rivierës së Jugut, ku zonat si Vlora, Himara, Dhërmiu dhe Saranda po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj gjatë sezonit veror. Artikulli vëren se rritja e fluksit po shoqërohet edhe me shtim të kërkesës për struktura akomoduese cilësore dhe shërbime turistike më të standardizuara.

Fluturimet dhe çmimet, një faktor ndikues

Një nga faktorët kryesorë që po nxit rritjen e turizmit është zgjerimi i rrjetit të fluturimeve ndërkombëtare, veçanërisht nga kompanitë ajrore low-cost, të cilat kanë shtuar ndjeshëm destinacionet drejt Tiranës. Kjo ka lehtësuar aksesin për turistët europianë dhe ka ulur kostot e udhëtimit.

Gjithashtu, çmimet relativisht më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera të Mesdheut, së bashku me natyrën e paprekur dhe trashëgiminë kulturore, e bëjnë Shqipërinë një alternativë gjithnjë e më tërheqëse për pushime.

Sfida për zhvillimin e qëndrueshëm

Pavarësisht rritjes së fortë sektori përballet me sfida serioze. Ndër to përmenden presioni mbi infrastrukturën, menaxhimi i mbetjeve, mbipopullimi sezonal dhe rritja e çmimeve në disa zona turistike, çka mund të ndikojë negativisht në përvojën e vizitorëve.

Ekspertët vlerësojnë se për të ruajtur ritmet e rritjes dhe për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike, Shqipëria duhet të investojë më shumë në turizëm të qëndrueshëm, planifikim urban dhe mbrojtje të mjedisit.

Turizmi, një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë

Sipas të dhënave zyrtare, numri i turistëve të huaj në Shqipëri ka arritur nivele rekord, duke e shndërruar turizmin në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë kombëtare.

Rritja e interesit nga tregje të reja shihet si një mundësi për të rritur të ardhurat, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën përtej turizmit masiv veror.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion emergjent europian, me potencial të madh, por edhe me nevojën për politika afatgjata që të garantojnë zhvillim të balancuar dhe cilësor.

Before yesterdayMain stream

“250 milionë euro për bujqësinë”/ Rama takim me fermerët: Çdo projekt do financohet. Do kemi më shumë fonde nga BE

By: Rovena
30 January 2026 at 10:42

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në kuadër të përgatitjes së Skemës Kombëtare 2026, ku theksoi nevojën për të ndërtuar politikat mbështetëse mbi një pasqyrë sa më reale të kërkesave dhe nevojave në terren.

Gjatë ciklit të dëgjesave në qarqe të ndryshme të vendit, Rama vuri theksin te mundësitë e pashfrytëzuara të financimit në bujqësi, duke nënvizuar se sfida kryesore nuk është mungesa e fondeve, por mungesa e informacionit, përgatitjes dhe aftësisë për t’i përthithur ato.

Ai bëri me dije se janë në dispozicion 250 milionë euro kredi me garanci shtetërore dhe interesa të ulëta, si dhe fonde në rritje nga Bashkimi Europian, por kërkoi angazhim më të madh nga bashkitë dhe bashkëpunim më të ngushtë me fermerët për hartimin e projekteve të qëndrueshme dhe të financueshme.

“Më vjen shumë mirë që shikojmë njëri-tjetrin këtu në këtë zonë pas një periudhe që nga zgjedhjet. Më vjen shumë mirë që jam këtu përsëri si pjesë e këtij cikli dëgjesash për të kolauduar të gjithë planin e mbështetjes për këtë vit. Dua të fokusohem në një aspekt që ka të bëjë me mundësitë e pashfrytëzuara, pasi ne jemi mësuar që i referohemi buxhetit të shtetit, por ai është vetëm një nga komponentët e zinxhirit të financimit të bujqësisë. Komponentët e tjerë janë pak më të vështirë, por janë komponentët që do të bëhen gjithnjë dhe më të pranishme. Duhen të gjithë të përpiqen të mësohen dhe të aftësohen për t’i shfrytëzuar.

Mund të them me plot gojë, që puna e financimit të ideve që secili ka nuk është më problem. Ajo që është problem është mungesa e informacionit dhe përthithjes për t’i thithur ato para. Ne do të kemi më shumë fonde nga BE, por që lidhen drejtpërdrejt me atë se sa të aftë jemi ne që t’i thithim këto fonde. Për këtë duhen disa gjëra që lidhen me një dosje, e cila duhet të ketë brenda një projekt dhe argumentet pse ky projekt duhet financuar. Ne kemi vënë në dispozicion të bujqësisë 250 milionë euro. Ku të gjithë mund të shkojnë dhe të marrin kredi që janë me garanci nga shteti dhe norma e interesit është shumë e ulët.

Kjo garanci është shfrytëzuar shumë pak. Sepse për ta shfrytëzuar këtë garanci duhet një përgatitje, duhet një dosje dhe një projekt. Në këtë aspekt ka një mangësi që ne nuk po e adresojmë dot siç duhet, dhe ka të bëjë me pushtetin vendor. Bashkitë duhet të jenë më shumë aktivë me fermerët dhe bujqit. Nuk duhet të ketë asnjë problem për financimin. Bashkitë dhe ju mund të krijoni nukle dhe struktura të përbashkëta për t’i marrë këto financime. Janë aty financimet presin”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

Skema kombëtare për fermerët/ Balluku: Buxheti 2026 më i madh historik për bujqësinë, blegtorinë e peshkimin

By: xhir jeta
30 January 2026 at 10:24

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë ishte e pranishëm në takimin me fermerët për Skemën Kombëtare 2026. Balluku tha se buxheti 2026 është buxheti më i madh në histori për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin

“Fryma në Divjakë dhe në Lushnje edhe kur kemi problematika apo dëme nga përmbytjet është komplet ndryshe.

Më është dashur të hy në serat tuaja, të marr mësime nga më të mirët këtu dhe të kuptoj që edhe tokat tuaja ranore e përballojnë më mirë përmbytjen.

Me rëndësi është të mirëkuptohemi, të mbështesim njëri tjetrin.

Qeveria e angazhuar maksimalisht në mbështetjen e fermerëve. Tek shihja 2025, mbi 600 mln lekë janë vënë në dispozicion të skema dhe janë ezauruar në 95% të tyre. Buxheti 2026 më i madh historik për bujqësinë, blegtorinë dhe peshkimin.” u shpreh Balluku./abcnews.al

Shansi i fundit për PD/ Territorialja, Mazniku: Duhet mbyllur deri në korrik. Është jetik për bashkitë dhe fondet e BE

By: Rovena
29 January 2026 at 20:22

Pas dorëzimit në Kuvend të propozimit për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën territoriale, mazhoranca ka përsëritur thirrjen për bashkëpunim ndaj opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i bëri apel Partisë Demokratike që të bashkohet në këtë proces.

Ndërsa bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, theksoi se vonesat po rrezikojnë një reformë jetike, e cila sipas tij duhet të përfundojë përpara zgjedhjeve për t’u dhënë kohë institucioneve dhe qytetarëve të përshtaten, si dhe për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian për fondet e kohezionit social.

“Unë besoj që kam qenë në një nivel sistematik me të gjithë komunikimet që kam pasur me kolegët e PD. Mazhoranca ka qenë gjithmonë në mënyrë sistematike për krijimin e reformës dhe të gjithë hapat për të shkuar drejt reformës. Por, kemi humbur dy muaj të rëndësishëm. Është shumë e rëndësishme që reforma territorial duhet tipikisht që të mbyllet para zgjedhjeve, në mënyrë që t’u jepet kohë njerëzve dhe forcave politike për të kuptuar.

Procesi duhet të bëhet mes korrik-gushtit 2026, duhet të mbyllur në korrik reforma territorial, që njerëzit të kuptojnë se çfarë ka ndodhur dhe bashkitë të veprojnë. Nëse humbasim këtë dritare, reforma territoriale nga një moment historik që nuk duhet humbur, në një diçka që nuk dihet se si ndodh. Reforma territorial është jetike. BE për vendet e reja anëtare jep fondet e kohezionin social, prandaj bashkitë duhet të jenë gati”, tha Mazniku./abcnews.al

Gazetari: PD fajëson mediat se nuk mbush sheshet! Analisti: ‘Fenomeni Boçi’, ka efekte kriminale

28 January 2026 at 20:36

Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndryshime në Kodin Penal që parashikojnë dënime deri në 5 vite burg për këdo që ushtron dhunë ndaj gazetarëve gjatë ushtrimit të detyrës së tyre.

Gazetari Flogert Muça në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, u shpreh se ligji nuk mbron gazetarët, por të vërtetën.

“Ja kanë fajin gazetarët sepse nuk përballon dot të vërtetën. Janë kanë fajin dronët sepse nuk mbush dot sheshet. Pra PD fajëson mediat se nuk mbush sheshet. Pafuqinë e tyre elektorale e kanë përkthyer në një “nukël online”, për të qëlluar mbi ata që i bëjnë disa pyetje të thjeshta. Ligji nuk mbron gazetarët, por të vërtetën”, tha ai.

Nga ana e tij analisti Frrok Cupi, tha se “fenomeni Boçi, ka efekte kriminale”.

“Ka efekte të drejtpërdrejta kriminale dhe këtë gjë Berisha e ka bërë që në fillimet e tij. Këta flasin me turmën dhe nuk flasim me akademi shkencore. Pra kemi të bëjmë me rreziqe të mëdha shumë për shoqërinë. Nëse Boçi guxon pas miratimit të ligjit që të mos preken dhe kërcënohen gazetarët, edhe policia nuk e merr nga tribuna dhe nuk e çon në burg atëherë nuk kemi asgjë ndryshe”, tha ai.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndryshimet në Kodin Penal forcojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.

Berisha i pari… në ekrane/ Shifrat nga AMA: Dominim absolut i PD. PS në “opozitë”

By: xhir jeta
28 January 2026 at 15:07

Nëse ka një fushë ku Sali Berisha dominon bindshëm politikisht, ajo ështe media.

Raporti më i fundit nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, tregon se Partia Demokratike zë 84.20% të hapësirës televizive në 3 ekranet kombëtare gjatë muajit dhjetor.

7-fish më shumë se sa Partia Socialiste, kurse nga partitë e reja, hapësirë ka fituar Shqipëria Bëhet me 2.24% për shkak të qëndrimit të Adriatik Lapajt përpara kryeministrisë.

Politikanit të cilit i është dhënë më shumë hapësirë nga tre televizionet kombëtare është po Sali berisha, 34.87% kurse kryeministrit Edi Rama 27.83%.

Ndryshimi është se gjatë dhjetorit Edi Rama në daljet e tij është shfaqur si kryeministër për aktivitete publike, kurse Berisha është shfaqur tërësisht për aktivitetin e tij partiak, nga konferencat e përditshme nga selia, foltoret dhe protestat.

Por ndërkohë, i vetmi që ankohet për censurë nga mediat është Sali Berisha. Në përditshmëri sa herë Berisha del në konferencat e mesditës, të paktën 9 ekrane televizive e japin live.

Kurse realiteti i censurës është po ashtu tjetër. Berisha ka urdhëruar gjithë zyrtarët e PD të rangut të parë dhe të dytë, të refuzojnë çdo ftesë nga studiot televizive nga mediat, duke sulmuar dhe etiketuar gazetarët dhe analistët, që përballen me deputetët e PD. Përjashtim bën vetem Syri TV./abcnews.al

Amerika “rrëmben” deputetët e rinj/ Leka: Berisha e ka ulur figurën e tij. Të rinjtë, të zhveshur nga ‘Berishizmi’

28 January 2026 at 13:32

Doktori shëtit në Strasburg, deputetët e rinj të PD shkojnë në Amerikë. Lajme jo të mira vijnë nga SHBA. Katër deputetë të rinj të PD do të kalojnë oqeanin me ftesë të Ëashingtonit për t’u trajnuar.

Sipas analistit Martin Leka, ftesa që u vjen të rinjve është një ogur i mirë pasi ata e shohin përqasjen vetëm tek të rinjtë, të cilët i cilësoi si të zhveshur nga sindroma e Berishizmit.

“Berisha tashmë po bëhet për gjynah, ka marrë një trastë ku del nëpër fshatra dhe kërkon qiqra në hell. Po dëmtohet shumë në opinionin shqiptar dhe kushdo që e sheh që lufton dhe shan vendin e tij, tregon se sa poshtë e ka ulur figurën e vet politike një lider që pretendon të vijë në pushtet dhe të cilësohet si lider i opozitës. Ka humbur nga personaliteti politik dhe do të vijojë të bjerë.

Një ambasador i huaj nuk ka atakuar Berishën, ndërkohë që e vetmja mënyrë për të kënaqur egon e tij është të shkojë në Strasburg, të zërë vendin e Albana Vokshit dhe të flasë për “narkoshtetin”. Në Shqipëri nuk shton asnjë votë, por as përkrahje politike ndërkombëtare.

Ndarja ka ndodhur, për sa kohë e vjetra përfaqësohet nga Berisha dhe ai është “non grata”. Të rinjtë konsiderohen si njerëz më pak të zhveshur nga sindroma e autoritarizmit dhe berishizmit. Ftesa që u vjen vetëm të rinjve është ogur i mirë, sepse ata e shohin përqasjen vetëm tek të rinjtë.”  / abcnews.al /

Kushtetuesja ende pa vendim/ Shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve

28 January 2026 at 09:36

Në mbështetje të nenit 73 të Kushtetutës, nenit 13, pika 5, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, si dhe duke marrë në konsideratë se në mbledhjen e parë të Këshillit, të zhvilluar më datë 19.12.2025, deputetë anëtarë të këtij këshilli kanë kërkuar që shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar “për dhënie e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit përkatës të Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit. / abcnews.al /

Ish-ambasadori Arben Çejku: Vizita e Ramës në Izrael ishte e guximshme dhe pragmatike

27 January 2026 at 20:27

TIRANË- Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Arben Çejku, ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Izrael, duke e cilësuar atë si një veprim të guximshëm dhe pjesë të real-politikës që ndjek kreu i qeverisë shqiptare.

Sipas Çejkut, Rama ka dëshmuar ndër vite se ndërmerr lëvizje që në pamje të parë duken të rrezikshme politikisht, por që në bilancin e tij shpesh kanë rezultuar të dobishme për politikën e jashtme të Shqipërisë. Ai theksoi se kryeministri ka thyer barriera jo vetëm me qëndrimet politike, por edhe me sjelljen dhe stilin e tij përfaqësues.

Ai shtoi në “Real Story” se Rama po ekzekuton një agjendë të qartë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka të drejtën legjitime të përfaqësojë Shqipërinë në këtë kuadër. Sipas tij, kryeministri po përpiqet të maksimizojë përfitimet politike në moment, duke krijuar mundësi edhe për një vizitë të mundshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një mikpritje nga presidenti Donald Trump.

Në këtë kontekst, ish-ambasadori përmendi edhe faktin që Rama nuk mori pjesë në Davos, por priti familjen Trump, duke dhënë mesazhin se nuk ndjek vetëm protokollin zyrtar, por kultivon edhe marrëdhënie personale në diplomaci.

“Mendoj që kryeministri e ka dëshmuar se di të bëjë disa lëvizje të guximshme, që në momentin e parë ne i shohim që mund ta rrezikojnë, por në bilancin e tij shpesh e kanë promovuar si një aventurier në politikën e jashtme, por jo gjithmonë e ka pasur problem këtë gjë. Shumicën e rasteve i kanë sjellë dobi, pra ka pasur guximin dhe ka thyer barriera, me veshje dhe me sjellje dhe qëndrim.

Me vizitën në Izrael duhet parë në kontekstin e një përvjetori dhe një kujtese që u realizua atje. Mendoj se të gjitha gjërat që bëhen në emër të shtetit shqiptar janë kontribut në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në fund të fundit, ai ekzekuton një agjendë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka të drejtë ta përfaqësojë Shqipërinë. Rama po përpiqet të fitojë sa të mundet në moment, duke krijuar mundësi për vete që të bëjë atë udhëtimin e famshëm në SHBA, nëse do ta bëjë, nuk e di, për të pasur një mikpritje nga presidenti Trump. Rama bën real-politikë, është pragmatist.

Nuk është hera e parë që ndërmerr riskun. Ai e di që me BE-në mbyllja e kapitujve do të marrë shumë kohë, ashtu siç e di që problematikat që janë trajtuar politikisht me SHBA-në i duken më emergjente për t’i përmbyllur.

Midis këtyre, ai zgjedh atë që merr më mirë. Nuk shkoi në Davos, priti familjen Trump dhe dha mesazhin e qartë që unë nuk jam protokollar, por kam edhe protokoll familjar, pra unë jam më afër familjes Trump”, tha ai.

Kuvendi në seancë plenare/ Ndryshime në Kodin Penal, ligje për energjinë dhe drejtësinë

By: Rovena
27 January 2026 at 08:35

Këtë të martë, 27 janar, Kuvendi i Shqipërisë mban seancën e radhës plenare në orën 10:00, ku do të shqyrtohen një sërë projektligjesh dhe aktesh normative me ndikim të gjerë në sektorë kyç të vendit.

Rendi i ditës:

– Akte normative dhe ligje për buxhetin dhe energjinë, duke përfshirë ndryshime në ligjin për buxhetin e vitit 2025.

– Projektligje për marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë bashkëpunimin strategjik me Italinë në shëndetësi, energji, mjedis, industri dhe siguri, si dhe aderimin në traktatin për pronësinë intelektuale dhe protokolle për ndalimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit.

– Ndryshime në Kodin Penal dhe sistemin e drejtësisë, duke përfshirë ligjet për gjyqtarët, prokurorët dhe organet e qeverisjes së drejtësisë.

– Ligje për sigurinë publike dhe shëndetin, përfshirë parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, kontrollin e barnave narkotike dhe të lëndëve psikotrope, si dhe rregullimin e importit dhe eksportit të armëve.

– Rregullime për transparencën dhe mediat, përfshirë lobimin, konfliktin e interesit dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit.

Rama përfundon sot vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë

By: Rovena
27 January 2026 at 08:16

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Jeruzalem, Izrael, në një vizitë zyrtare pune që ka nisur më 25 janar dhe do të përfundojë sot, 27 janar 2026, me pjesëmarrjen e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Kjo ngjarje ndërkombëtare zhvillohet për të adresuar sfidat globale në luftën kundër antisemitizmit.

Mëngjesin e kësaj të marte ai ka ndarë edhe një fotoalbum, krahas të cilit shkruan “se Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë”.

 

Berisha i vetmuar pas protestës/ Rama në Knesset, kreu i PD në korridoret e Strasburgut

26 January 2026 at 23:51

Ndërroi pllaka. Rama me ftesë nga Trump, Berisha pa ftesë tek europianët. Ftesa e dytë kryeministrin e çoi në Knesset, si për inat te doktorit, direkt pasi aty foli Donald Trump. Kreun i PD , zhgënjimi e çoi bashkë me zonjën Vokshi në Strasburg.

“Një përshëndetje të përzemërt nga selia e Asamblesë Parlamentare e Këshillit të Europës, ku jemi sot këtu bashkë me Albana Vokshin, për të vazhduar betejën tonë kundër narkoshtetit dhe Ramaduros.”

Ndryshimi i vetëm, nuk kishte audiencë përpara, veç Albana Vokshin e cila më shumë se spektatoren bëri operatoren, që kryetari i PD tu drejtohej virtualisht demokratëve.

Ftesa e Këshillit të Europës për delegacionin zyrtar ishte për Albana Vokshin, por Pyetja është po Berisha çdo aty?

Sipas Belind Këlliçit, i cili me fund për një dite realizoi endrrën ti zërë vendin doktorit, ftesa për Berishën nuk ishte për të hënë, por për të martë.

“Përshëndesim doktorin që sot na ndjek live nga Strasburgu, ai do të ketë nesër një aktivitet të rëndësishëm. Ka një fakt të pamohueshëm, Duhet ta dini se anëtarësimi i Shqipërisë në KiE, është meritë e jashtëzakonshme e Sali Berishës ne 1995. Sado të shpifin, sado të gënjejnë.”

Lajmësi demokrat I amerikaneve, foli pas me karikaturën e Ramaduros. Kësaj radhe lajmi nuk është çështje muajsh, por orësh.

“Ne kemi qëndruar edhe kur ai korruptonte mikun e tij Charles McGonigal, edhe kur çdo prezencë ndërkombëtare blihet. Por duhet ta dini, tani ky shtet i ka orët e numëruara”

Një premtim i vakët, mes një foltoreje të vaket. Ndaj një demokrat mes të paktëve, e kishte një lutje.

“Mirëmbrëma, shpresoj që kjo rimbrëma të mbërrijë në Bruksel, aty ku ndodhet lideri ynë historik Prof. Dr Sali Berisha që të rregullojë ca punë që po na mbajnë peng”

Por edhe në Bruksel, punët i rregullojnë socialistët. Niko Peleshi, takoi eurodeputeten e partive simotra të PD dhe njëkohësisht Presidenten e Parlamentit Europian, qe kontrollohet nga atë djathtët, për ti dhënë mbështetjen e plotë Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Tani për rrëzimin e qeverise dhe takimet e Berishës, do na duhet të presim deri ditën e martë.

❌
❌