Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Tre lojtarë nuk i thanë lamtumirë Xabi Alonsos pas largimit nga Real Madridi

13 January 2026 at 21:28


Largimi i papritur i Xabi Alonsos nga Real Madridi ka zënë lojtarët në befasi, pasi ata e mësuan lajmin nga deklarata zyrtare e klubit dhe jo nga një komunikim i brendshëm.

Kylian Mbappé ishte i pari që reagoi, duke i dhënë lamtumirën publikisht trajnerit. “Ishte e shkurtër, por ishte kënaqësi të luaja për ty dhe të mësoja prej teje. Faleminderit që më dhe besim që nga dita e parë. Do të të kujtoj si një trajner me ide të qarta dhe një kuptim të thellë të futbollit. Fat të mbarë në kapitullin tënd të ri”, shkroi francezi në Instagram.

Gjatë gjithë pasdites së së hënës, mesazhe mbështetëse kanë vërshuar nga lojtarët e tjerë të ekipit.

Vinícius Júnior, Trent Alexander-Arnold dhe Mastantuono janë të vetmit që nuk kanë publikuar mesazhe deri tani.

Endrick, i huazuar te Olympique Lyonnais, nuk ishte më nën komandën e tij, ndërsa Jude Bellingham ishte i fundit që tha disa fjalë respekti për trajnerin.

Largimi i Alonsos konfirmon sfidat e brendshme që trajneri ka pasur me lojtarët dhe klubin, megjithatë mbështetja e lojtarëve të tij të afërt tregon lidhjen e fortë që krijoi gjatë kohës së tij te Real Madridi. /Telegrafi/

Zyrtare: Benato Bekima Claude, përforcimi i ri i Ferzajt

13 January 2026 at 21:15


FC Ferizaj ka njoftuar nënshkrimin e Benato Bekima Claude, sulmuesi 19-vjeçar nga FC Riga, i cili do të jetë pjesë e skuadrës bardhë e kaltër.

Lojtari është gjithashtu pjesë e Kombëtares U21 të Kamerunit, dhe pritet të kontribuojë në repartin ofensiv të klubit.

Klubi thekson se Bekima është një shtesë për të përforcuar skuadrën dhe për të dhënë mundësi zhvillimi për talentet e reja.

“Besojmë se do të përshtatet mirë në ekip dhe do të ndihmojë skuadrën gjatë pjesës së mbetur të sezonit”, thuhet në njoftimin zyrtar.


FC Ferizaj në i uroj mirëseardhjen dhe i uron një start të suksesshëm me fanellën bardhë e kaltër. /Telegrafi/

Zyrtare: Michael Carrick emërohet trajner i Manchester United

13 January 2026 at 20:30


Manchester United njoftoi zyrtarisht emërimin e Michael Carrick si trajner i skuadrës së parë deri në përfundim të sezonit 2025/26.

Carrick, i cili ka luajtur 464 ndeshje për “Djajtë e Kuq”, fitoi pesë tituj të ligës Premier, FA Cup, dy League Cups, Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Kupën e Botës për klube gjatë karrierës së tij si lojtar.

Pas pensionimit në vitin 2018, ai u bashkua me stafin teknik të skuadrës së parë, duke punuar nën drejtimin e Jose Mourinho dhe Ole Gunnar Solskjaer. Gjatë periudhës si trajner i përkohshëm pas largimit të Solskjaer, Carrick udhëhoqi ekipin me profesionalizëm dhe respekt të madh.

In familiar surroundings 🏡 pic.twitter.com/qoQ60cwggt
— Manchester United (@ManUtd) January 13, 2026


Më pas, ish-reprezentuesi anglez drejtoi Middlesbrough për dy vite e gjysmë, duke filluar nga tetori i vitit 2022, përpara se të kthehej te Manchester United në rol udhëheqës.

“Është një nder i madh të kem përgjegjësinë për të drejtuar Manchester United. E di se çfarë duhet për të pasur sukses këtu, dhe fokusi im tani është të ndihmoj lojtarët të arrijnë standardet që presim në këtë klub të jashtëzakonshëm. Kam besim të plotë te talenti, përkushtimi dhe aftësia e tyre për të qenë të suksesshëm”.

Michael Carrick is back 🤝

Our former captain is our Head Coach for the remainder of 2025/26 🔴
— Manchester United (@ManUtd) January 13, 2026


“Ky sezon ka ende shumë për të luftuar. Ne jemi të gatshëm të bashkojmë të gjithë dhe t’u japim tifozëve performancat që mbështetja e tyre besnike meriton”, deklaroi Carrick. /Telegrafi/

Talenti nga Kosova që luan te Rijeka, Dominik Thaqi pëlqehet nga gjiganti holandez Ajax

13 January 2026 at 20:16


Ajax ka nisur një interes konkret për talentin e ri shqiptar Dominik Thaqi, futbollist i Rijekës, duke e futur atë në radar për të ardhmen.

Lajmi është konfirmuar nga agjenti i lojtarit, Matej Skegro, i cili bëri të ditur se klubi nga Amsterdami ka pyetur për situatën e Thaqit që nga dita e martë.

Thaqi i përket gjeneratës 2007–2008 dhe ende nuk është titullar i rregullt, por shihet si një projekt shumë premtues për shumë klube. Më parë, edhe Liverpooli e ka monitoruar nga afër përmes skautëve.

Pikërisht për këtë arsye, disa klube evropiane – përfshirë Ajaxin – po tentojnë ta sigurojnë herët, para se vlera e tij në treg të rritet ndjeshëm.

Ajax njihet për filozofinë e tij të investimit në talente të reja dhe zhvillimin e tyre afatgjatë, ndërsa profili i Thaqit përputhet me këtë strategji. Interesimi aktual konsiderohet kryesisht si fazë vëzhgimi dhe informimi, por nuk përjashtohet që në muajt e ardhshëm të konkretizohet me hapa më seriozë.

Para disa muajsh, Thaqi ishte kontaktuar nga FFK për të luajtur për Kosovën, por ai ende nuk ka dhënë përgjigje. Aktualisht, ai aktivizohet me Kroacinë U19. /Telegrafi/

Kane dhe Haaland udhëheqin garën për “Këpucën e Artë”, Muriqi në vendin e 20-të

13 January 2026 at 19:41


Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, dhe ai i Manchester Cityt, Erling Haaland, po udhëheqin garën për “Këpucën e Artë” këtë sezon, të dy me nga 20 gola të shënuar. Pritet që të dy yjet të qëndrojnë ndër pretendentët kryesorë deri në fund të kampionatit.

Përkrah tyre, Kylian Mbappe i Real Madridit ndjek me 18 gola, duke mbajtur edhe ai shpresat për të luftuar deri në fund për trofeun e golashënuesit më të mirë të Evropës.

Në listën e publikuar të martën nga “Kicker”, sulmuesi shqiptar Vedat Muriqi renditet në vendin e 20-të me 11 gola të shënuar. Ai ndan këtë shifër me lojtarë si Mason Greenwood i Marseille dhe Ferran Torres i Barcelonës.

Edicioni i kaluar i “Këpucës së Artë” u fitua nga Kylian Mbappe, i cili përfundoi me numrin më të lartë të golave në të gjithë kontinentin për sezonin 2024/25.

Vedat Muriqi po kalon një sezon të qëndrueshëm te Mallorca, duke kontribuar me gola dhe asistime, edhe pse nuk është ndër kryesuesit në garën evropiane të golashënuesve.

Kane dhe Haaland kanë treguar konsistencë të jashtëzakonshme këtë sezon, duke shënuar rregullisht për klubet e tyre dhe duke e mbajtur garën për “Këpucën e Artë” shumë të hapur.

Për Muriqin dhe lojtarët e tjerë që renditen pas kryesuesve, mbetet sfidë të shfrytëzojnë çdo mundësi për të ngjitur shkallët e rendtijes dhe për të përmirësuar performancën deri në përfundim të sezonit. /Telegrafi/

Juventus mund të shesë disa lojtarë për të financuar blerjen e përhershme të Chiesas

13 January 2026 at 19:16


Juventus duket se është afër një marrëveshjeje për të rikthyer Federico Chiesan në Torino gjatë afatit të janarit.

Sipas raportimeve të fundit, Bianconerët po mendojnë ta rikthejnë sulmuesin 28-vjeçar në formë të përhershme për të forcuar opsionet e sulmit nën drejtimin e Luciano Spallettit.

Chiesa u shit te Liverpool për rreth 15 milionë euro vetëm 18 muaj më parë, pasi te Juventusi kishte kontratë me një vit të mbetur. Për shkak të kërkesave të larta financiare dhe një historie dëmtimesh, marrëveshja e re nuk u arrit dhe italiani u largua në një transferim me çmim të ulët.

Tani, Juventus dëshiron ta rikthejë në Torino për të forcuar sulmin. Liverpool duket i gatshëm ta shesë Chiesan, por kërkon një marrëveshje të përhershme dhe jo huazim me opsion blerjeje.

Raportimet e javës sugjerojnë se Juventus mund të ofrojë një marrëveshje huazimi me detyrim blerjeje, e cila mund t’i kushtojë rreth 15 milionë euro përfshirë tarifën e huazimit dhe opsionin e blerjes.

Për të bërë vend për këtë transferim, Juventus do të duhet të bëjë disa ndryshime në ekipin e parë. Sipas Calciomercato.com, klubit i intereson të shesë Joao Mario gjatë këtij muaji. Mbrojtësi portugez thuhet se ka marrë oferta nga Crystal Palace dhe disa klube të tjera portugeze.

Gjithashtu, ekziston mundësia që Vasilije Adzic të dërgohet me huazim, një marrëveshje që mund të sjellë një tarifë shtesë që mund të përdoret për Chiesan.

Interes është shfaqur edhe për mbrojtësin qendror Federico Gatti, por raportimet e fundit nga fillimi i javës tregojnë se lojtari italian dëshiron të qëndrojë te Juventus dhe nuk ka ndërmend të largohet nga Allianz Stadium. /Telegrafi/

Gjesti i Mbappes tregon se sa shumë e donte Alonson - ai rrezikoi shumë për ta shpëtuar trajnerin nga shkarkimi

13 January 2026 at 18:08


Kylian Mbappe luajti me dhimbje të forta në finalen e Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës, duke rrezikuar një dëmtim serioz në gju për të mbrojtur punën e trajnerit të tij të respektuar, Xabi Alonso.

Sulmuesi francez vendosi të sfidonte paralajmërimet e stafit mjekësor për të ndihmuar ekipin në një ndeshje vendimtare, duke treguar lidhjen e veçantë me trajnerin e larguar.

Humbja 3-2 ndaj Barcelonës përfundimisht vulosi fatin e Alonsos, por sipas mediave franceze, Mbappé ishte i vetëdijshëm se kjo ndeshje mund të vendoste të ardhmen e trajnerit.

Golashënuesi më i mirë i klubit sakrifikoi gjendjen e tij fizike, duke luajtur edhe pse dëmtimi i tij do ta mbante jashtë fushës deri më 21 janar.

Lojtari nuk përdori qetësues dhimbjesh dhe luajti pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët mjekësorë. Vendimi i tij ishte i nxitur nga dëshira për të mbrojtur trajnerin dhe për të bërë gjithçka që mundej për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes.

Alonso këmbënguli që Mbappé të luante, madje edhe në një rol të kufizuar drejt fundit të ndeshjes, duke treguar besimin e tij të plotë te sulmuesi. Megjithatë, Barcelona arriti të fitonte dhe shkarkimi i Alonsos u bë menjëherë pas ndeshjes.

Pas njoftimit të largimit të Alonsos, Mbappé ishte lojtari i parë i Real Madridit që postoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke falënderuar trajnerin për besimin dhe udhëheqjen e tij.

Me largimin e Alonsos, epoka e Alvaro Arbeloas fillon te Real Madridi. /Telegrafi/

Zyrtare: Pas disa problemeve, Joao Cancelo prezantohet te Barcelona

13 January 2026 at 17:51


Pas një episodi të gjatë dhe të tensionuar, FC Barcelona më në fund konfirmoi nënshkrimin e huazimit të Joao Cancelos nga Al-Hilal.

Lajmi u bë i ditur fillimisht nga rrjetet sociale dhe faqja zyrtare e klubit katalanas, por disa minuta më vonë postimet u fshinë për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm nga ana e klubit saudit.

Mbrojtësi portugez, 31-vjeçar, ka mbërritur në Barcelonë me një fluturim privat për t’u nënshtruar testit mjekësor dhe për të finalizuar kontratën.

Once a culer, always a culer 💙❤️ pic.twitter.com/5xMYxnCMqP
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 13, 2026

Prezantimi i tij zyrtar ishte planifikuar për në orën 13:30, por përfundimisht u shty deri në orën 16:45 për shkak të nevojës për të shkëmbyer dokumentet për transferimin ndërkombëtar.

Cancelo do të mbajë fanellën me numrin ‘2’, të njëjtin që kishte gjatë huazimit të tij në sezonin 2023-24.

Në zyrat e Barçës, Cancelo nënshkroi kontratën e tij në prani të presidentit Joan Laporta, zëvendëspresidentit Rafa Yuste, drejtorit të futbollit Deco, anëtarit të bordit Joan Soler dhe familjes së tij.

Our No. 2️⃣ pic.twitter.com/jtgExyvhga
— FC Barcelona (@FCBarcelona) January 13, 2026

Finalizimi i marrëveshjes ishte vetëm çështje kohe sapo dokumentet të mbërrinin nga Al-Hilal. /Telegrafi/

Galatasaray bën ofertë për Arbër Hoxhën, por refuzohet nga Dinamo që preferon ofertë nga tjetri gjigant turk

13 January 2026 at 17:37


Galatasaray ka dërguar një ofertë zyrtare për Arbër Hoxhën, por Dinamo Zagrebi nuk është i gatshëm ta shqyrtojë largimin e sulmuesit shqiptar në këtë fazë të sezonit.

Sipas raportimeve te mediave turke dhe kroate, gjiganti kroat e konsideron Hoxhën një pjesë shumë të rëndësishme të skuadrës dhe planifikon ta mbajë atë edhe për pjesën pranverore të kampionatit.

Brenda klubit vlerësohet kontributi i tij në fazën vjeshtore dhe pritshmëritë janë që ai të vazhdojë të ketë rol kyç edhe në muajt në vijim.

Edhe pse Galatasaray ka shfaqur interes konkret, një transferim aktualisht nuk është në tryezë. Raportohet se një ofertë më bindëse nga Fenerbahçe – në një marrëveshje të mundshme që lidhet edhe me portierin Dominik Livaković (Fenerbahce) – do të ishte më e pranueshme për Dinamon, por situata mund të ndryshojë vetëm nëse paraqitet një propozim financiar i konsiderueshëm para mbylljes së afatit kalimtar.

Arbër Hoxha po kalon një sezon pozitiv me Dinamon, ku në 17 paraqitje në ligën vendase ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 3 asistime. Me Kombëtaren e Shqipërisë, ai numëron 21 paraqitje dhe 1 gol.

🚨 #TRANSFER
Galatasaray, rotasyonu güçlendirmek adına Dinamo Zagreb’in Arnavut milli yıldızı Arbër Hoxha için resmi teklif yaptı.

Yönetim, bu transferle kulübe zenginliği yaratmayı hedefliyor. 🟡🔴 pic.twitter.com/6Sh7uILD2G
— Spor Bülteni (@sporbultenicom) January 13, 2026


Kontrata e 27-vjeçarit me Dinamo Zagrebin është e vlefshme deri në qershor 2029, ndërsa vlera e tij aktuale në treg, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 2.5 milionë euro. Përveç Galatasarayt, interes për shërbimet e tij ka shfaqur edhe Hull City.

Dinamo Zagrebi e kishte transferuar Hoxhën në janar të vitit 2024 për një shumë të raportuar rreth 1 milion euro./Telegrafi/

Khabib i del në krah Alonsos: Real Madridi iu lut, tani e shkarkoi për shkak të fëmijëve të llastuar

13 January 2026 at 17:04


Ish-kampioni i pamposhtur i UFC-së dhe tashmë trajner, Khabib Nurmagomedov, ka reaguar publikisht ndaj shkarkimit të Xabi Alonsos nga posti i trajnerit të Real Madridit, duke dalë hapur në mbështetje të teknikut spanjoll.

“Nuk ka rëndësi nëse je në palestër apo në fushë, nëse punon me luftëtarë apo futbollistë – si trajner je shefi dhe udhëheqësi. Por nëse në ekipin tënd ekziston një ambient ku kërkesat e tua nuk respektohen, atëherë nuk jeni në të njëjtën rrugë,” ka shkruar Nurmagomedov.

Khabib vlerësoi lart figurën e Alonsos, duke e renditur atë mes trajnerëve më të mirë të epokës moderne.

“Unë besoj se Alonso është ndër tre trajnerët më të mirë sot. Nëse ekipi nuk ka funksionuar me të, atëherë duhet të ndryshohen lojtarët, jo trajneri,” theksoi ai.

Në një reagim edhe më të ashpër në rrjetet sociale, ish-luftëtari i MMA-së kritikoi kulturën e dhomës së zhveshjes në Madrid.

“Jam absolutisht i sigurt se asnjë trajner nuk do të merrej lehtë me një skuadër si kjo e Real Madridit. Duhet të heqësh qafe lojtarët problematikë. Një vit më parë e luteshin, tani e shkarkojnë për shkak të fëmijëve të llastuar. Xabi, TI JE MË I MIRI,” shkroi Khabib.

Nurmagomedov, i cili ka pranuar më herët se është tifoz i Real Madridit që nga viti 1998, e lidh pasionin e tij me finalen e Ligës së Kampionëve të atij viti.

Ndërkohë, sipas raportimeve të “The Athletic”, arsyeja kryesore e largimit të Alonsos lidhet me mosmarrëveshje të brendshme me disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, përfshirë Vinícius Júnior, Federico Valverde dhe Jude Bellingham, të cilët nuk ishin të kënaqur me qasjen taktike dhe stilin e menaxhimit të trajnerit.

Një tjetër version vjen nga radiostacioni spanjoll “La SER”, i cili citon një deklaratë të Alonsos në momentin e largimit.

“Nuk mund t’u japësh lojtarëve kaq shumë pushtet. Është e pamundur që një trajner të ketë autoritet në dhomën e zhveshjes nëse klubi është gjithmonë në anën e lojtarëve”, kishte thënë spanjolli. /Telegrafi/

Zyrtare: Besfort Zeneli bën hapin më të madh në karrierë, nënshkruan me Union Saint-Gilloise

13 January 2026 at 16:41


Mesfushori shqiptar nga Kosova, Besfort Zeneli, ka bërë hapin më të madh të karrierës së tij duke nënshkruar kontratë afatgjatë me kampionin e Belgjikës, Union Saint-Gilloise.

Zeneli (23) i bashkohet Unionit me efekt të menjëhershëm nga klubi suedez Elfsborg dhe ka firmosur kontratë deri në qershor të vitit 2030.

I rritur dhe formuar në akademinë e Elfsborgut, Zeneli u dallua që në moshë të re si një lider natyral. Në vitin 2021, ai pati një sezon të jashtëzakonshëm me ekipin U19, ku si kapiten shënoi 19 gola në vetëm 16 ndeshje.


Debutimin në Allsvenskan e bëri në shtator të vitit 2022, ndërsa në vitin 2024 u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të ekipit të parë.

Sezonin e fundit, Zeneli mbante rregullisht shiritin e kapitenit te Elfsborg, klub me të cilin regjistroi gjithsej 93 paraqitje, duke realizuar 5 gola dhe dhënë 15 asistime. Elfsborg e mbylli sezonin në vendin e tetë në kampionatin suedez.

Besfort Zeneli është vëllai i Arbër Zenelit, ish-yllit të Kombëtares së Kosovës, i cili ka shkëlqyer dikur me fanellën e “Dardanëve”.

Ndryshe nga Arbëri, Besforti ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë në nivelin A, pas paraqitjeve me Kosovën U21. Ai ka regjistruar deri më tani 5 paraqitje me kombëtaren suedeze, debutimin e së cilës e bëri më 22 mars 2025 ndaj Luksemburgut.


“Pas bisedës së parë me drejtuesit e Unionit, i thashë menjëherë agjentit tim se doja të vija këtu. Është një klub familjar, por në nivelin më të lartë”, ka deklaruar Zeneli për faqen zyrtare të klubit belg.

Te Union Saint-Gilloise, mesfushori kosovar do të mbajë fanellën me numrin 23. /Telegrafi/

Antonio Conte merr dënim të lartë për kartonin e kuq ndaj Interit

13 January 2026 at 16:24


Trajneri i Napolit, Antonio Conte, është dënuar me dy ndeshje pezullim në Serie A dhe me një gjobë prej 15 mijë eurosh, pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e së dielës kundër Interit në “Giuseppe Meazza”.

Vendimi është konfirmuar zyrtarisht nga Lega Serie A, e cila sqaroi se Conte nuk do ta udhëheqë Napolin nga stoli në dy ndeshjet e ardhshme kampionale, ndaj Parmës dhe Sassuolos.

Incidenti ndodhi në pjesën e dytë të sfidës kundër Interit, pasi vendasit fituan një penallti pas rishikimit me VAR. Conte reagoi ashpër ndaj vendimit, duke humbur kontrollin emocional.

Tekniku italian goditi topin nga zona teknike, veprim që solli kartonin e kuq. Para se të largohej nga fusha, ai gjithashtu hodhi një shishe në tokë dhe bërtiti me tone të ashpra në drejtim të gjyqtarit të katërt.

Napoli rikthehet në aksion që nesër, në ndeshjen e riplanifikuar të javës së 16-të kundër Parmës në shtëpi, ndërsa të shtunën do të përballet me Sassuolon, po ashtu në stadiumin “Diego Armando Maradona”, pa praninë e Contes në stol.

- YouTube www.youtube.com

Në të njëjtën xhiro të Serie A, kartonë të kuq morën edhe trajnerët Paolo Vanoli (Fiorentina) dhe Davide Nicola (Cremonese), por ndryshe nga Conte, ata u ndëshkuan vetëm me nga një ndeshje pezullim. /Telegrafi/

LeBron bleu 2% të aksioneve të Liverpoolit për 5.6 milionë euro në vitin 2011 - sot vlera e tyre është marramendëse

12 January 2026 at 23:51


Investimi i superyllit të NBA-së, LeBron James, në Liverpool Football Club në vitin 2011 ka rezultuar jashtëzakonisht fitimprurës.

James bleu atë vit 2% të aksioneve të klubit për 5.6 milionë euro, një lëvizje që tani vlen dhjetëra herë më shumë.

Në atë kohë, Forbes vlerësoi Liverpoolin rreth 473 milionë euro, dhe aksionet e James reflektonin një pjesëmarrje të vogël në një klub me perspektiva të mëdha.

Sot, vlera e klubit është rreth 4.1 miliardë euro, që do të thotë se 2% e aksioneve është rreth 82.3 milionë euro – një rritje prej rreth 1,400% nga investimi fillestar i yllit të basketbollit.

In 2011, LeBron James acquired 2% of Liverpool for $6.5 million. At that time, the total value of the club was approximately $325 million.

Today, with Liverpool’s current estimated valuation of $4.8 billion, 2% of that value would be approximately $96 million.

This means his… pic.twitter.com/m8ZpsL0TTB
— The Footy Section (@FTBLsection) January 12, 2026


Në vitin 2021, James shndërroi aksionet e tij direkte në Liverpool në një pjesëmarrje 1% në Fenway Sports Group (FSG), kompania ombrellë që menaxhon klubin. FSG ka një portofol të pasur me asete, përfshirë Boston Red Sox dhe Pittsburgh Penguins, duke e bërë investimin e James pjesë të një strategjie më të gjerë biznesi.

Sipas Forbes, FSG vlerësohet në 11.1 miliardë euro në vitin 2024, që do të thotë se aksionet e LeBronit prej 1% vlejnë rreth 111 milionë euro – një rritje gati njëzetfish nga investimi fillestar.

Rritja e vlerës së aksioneve lidhet me disa faktorë, përfshirë sukseset sportive të Liverpoolit, përfshirë fitimin e titullit të 20-të anglez në vitin e kaluar, performancën e fortë tregtare dhe zgjerimin e markës në tregjet globale, veçanërisht në Azinë dhe Amerikën e Veriut. /Telegrafi/

Spalletti tregon se cilat janë dy ekipet që janë mbi nivelin e Juventusit

12 January 2026 at 23:43


Pas fitores spektakolare 5-0 ndaj Cremonese në javën e 20-të të Serie A, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, theksoi se ekipi i tij ende nuk është në nivelin e Inter dhe Napolit, duke vënë në dukje se ka shumë për t’u përmirësuar për të konkurruar në krye të kampionatit.

Juventusi shfrytëzoi mundësinë për të ngushtuar diferencën me rivalët, duke shënuar me Bremer, Jonathan David, Kenan Yildiz, Weston McKennie dhe Filippo Terracciano (autogol), për të shënuar një fitore të thellë ndaj skuadrës së Davide Nicolas.

“Kam parë Inter-Napoli dhe ata treguan futboll në nivel të lartë, me lojë të hapur dhe karakter, duke reflektuar idetë e trajnerëve të tyre. Ne duhet të përmirësohemi shumë për t’iu afruar këtij niveli,” deklaroi Spalletti pas ndeshjes.

Spalletti gjithashtu komentoi vendimet e diskutueshme të gjyqtarit dhe VAR-it, duke thënë se sipas tij asnjë nga penalltitë e dhëna gjatë ndeshjes nuk duhej të ishte ekzekutuar, por pranoi se skuadra e tij kishte kontrolluar lojën.

Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në 39 pikë, duke u barazuar me Napolin dhe Romën, por ende ka më pak ndeshje të luajtura, ndërsa takimi i radhës do të jetë kundër Napolit të Antonio Contes.

Që nga marrja e detyrës në nëntor, Spalletti ka grumbulluar 24 pikë në Serie A me shtatë fitore, një më pak se lideri Inter, duke treguar përmirësime të dukshme, por ai thekson se për të arritur nivelin e Inter dhe Napolit, Juventusi ka ende rrugë për të bërë.

Spalletti është i fokusuar tek performanca e lojtarëve dhe përmirësimi i ekipit, duke hedhur poshtë mundësinë e rinovimit të kontratës së tij, e cila skadon më 30 qershor 2026.

“Këta lojtarë janë të fortë dhe të shpejtë, dhe ata do të na ndihmojnë të bëjmë përmirësimet e nevojshme për të konkurruar me ekipet më të mira në Serie A, si Napoli dhe Inter”, nënvizoi ai. /Telegrafi/

Pintus, çelësi i kthesës së Real Madridit pas largimit të Xabi Alonsos

12 January 2026 at 23:28


Real Madridi ka ndërmarrë masa të rëndësishme pas humbjes së thellë në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelonës, një disfatë që jo vetëm nxori në pah problemet e skuadrës, por edhe përshpejtoi vendimin për ndarjen me trajnerin Xabi Alonso.

Brenda drejtuesve të klubit ekzistonte bindja se projekti i trajnerit Alonso nuk arriti kurrë të konsolidohej plotësisht. Përtej vështirësive në zbatimin e filozofisë së tij të lojës, shqetësimi kryesor lidhej me gjendjen fizike të ekipit.

Lëndimet e shpeshta dhe rënia e dukshme e intensitetit në momentet vendimtare të ndeshjeve u konsideruan faktorë kyç që çuan në ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në këtë situatë, rikthimi i Antonio Pintus shihet si një lëvizje strategjike. Trajneri i njohur i përgatitjes fizike, një emër i respektuar prej vitesh në Valdebebas, rikthehet me misionin për të rikthyer ekipin në nivelin optimal fizik.

Brenda klubit besohet se përvoja dhe metodologjia e tij mund të jenë vendimtare për të ndryshuar ecurinë negative.

Ndryshimi në bankinë kompletohet me promovimin e Alvaro Arbeloas, ish-trajnerit të Castillas, i cili merr drejtimin e ekipit të parë.

Drejtoria sportive, me mbështetjen e presidentit Florentino Pérez, është e bindur se bashkëpunimi mes Arbeloas në aspektin taktik dhe Pintusit në përgatitjen fizike mund t’i japë Real Madridit stabilitet dhe konkurrueshmërri në fazën vendimtare të sezonit.

Vendimi u miratua këtë të hënë nga Bordi i Drejtorëve të klubit, i cili mbështeti unanimisht ndryshimin e kursit, me bindjen se kjo fazë e re do ta rikthejë Real Madridin në nivelin që pritet nga një klub i përmasave të tij./Telegrafi/

Paris FC shkakton termet, eliminon PSG-në nga Kupa e Francës

12 January 2026 at 23:13


Në një nga ndeshjet më të pritura të fazës së 1/8-ave të finales së Kupës së Francës, Paris FC ka shkaktuar një tërmet në futbollin francez duke eliminuar Paris Saint-Germain-in, favorit absolut të takimit.

Ndeshja përfundoi me fitoren 1-0 të Paris FC, në një performancë të jashtëzakonshme të skuadrës më të vogël, që tregoi karakter dhe vendosmëri të madhe ndaj gjigantit të Ligue 1.

Fillimi i ndeshjes ishte i tensionuar dhe PSG shfaqi dominimin e zakonshëm në posedim. Gonçalo Ramos kishte një rast të mirë në minutën e 23-të, por goditja e tij u prit nga portieri Obed Nkambadio, i cili do të bëhej heroi i Paris FC-së gjatë gjithë ndeshjes.

Paris FC nuk u dorëzua dhe gjeti golin vendimtar në minutën e 74-të, kur Ilan Kebbal shfaqi vizion të shkëlqyer dhe asistoi për Jonathan Ikone. Ky i fundit tregoi qetësi të jashtëzakonshme brenda zonës dhe mposhti portierin Costil me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të majtë, duke i dhënë avantazhin që do të mjaftonte për eliminim.

😲 Jonathan Ikoné surprises PSG!

👀 Paris FC takes the lead at the Parc thanks to the player trained at Paris Saint-Germain! pic.twitter.com/blCuPdeibT
— 𝗦𝗣𝗫 ✞ (@spxtrends) January 12, 2026


PSG tentoi me të gjitha mjetet të reagojë. Ousmane Dembélé, Vitinha dhe Bradley Barcola krijuan disa raste të pastra, por portieri Nkambadio dhe mbrojtja e Paris FC-së ishin të paarritshëm.

Ky eliminim shënon një nga surprizat më të mëdha të këtij edicioni të Kupës së Francës. /Telegrafi/

Juventusi “tregon dhëmbët” dhe frikëson rivalët – fitore bindëse ndaj Cremoneses

12 January 2026 at 22:47


Juventusi ka dhënë një sinjal të fortë në garën për kreun e Serie A, duke shkatërruar Cremonesen me rezultat të thellë 5-0 në ndeshjen e javës së 20-të.

“Zonja e Vjetër” dominoi nga minuta e parë deri në fund, duke treguar se është gati të sfidojë seriozisht favoritët për titull.

Ndeshja nisi furishëm për bardhezinjtë dhe që në minutën e 12-të erdhi goli i parë. Bremer befasoi të gjithë me një goditje me kokë nga distanca, duke devijuar një goditje të Fabio Mirettit dhe mposhtur portierin për epërsi 1-0. Vetëm tre minuta më vonë, Jonathan David ishte pranë golit, por goditja e tij u ndal në shtyllë.

Presioni i vazhdueshëm u shpërblye në minutën e 15-të, kur Khéphren Thuram asistoi bukur për Jonathan David, i cili me një goditje të saktë brenda zonës dyfishoi rezultatin në 2-0.

Nothing beats a goal at home 🤳🏟️#JuveCremonese [2-0] pic.twitter.com/vYdOtxyVZt
— JuventusFC 🇬🇧🇺🇸 (@juventusfcen) January 12, 2026


Juventusi pati mundësinë të shënojë nga pika e bardhë në minutën e 35-të, por Kenan Yıldız dështoi fillimisht nga penalltia, por nga topi i kthyer talenti turk nuk gaboi, duke realizuar golin e tretë për 3-0.

Pjesa e dytë nisi me një tjetër goditje për Cremonesen. Në minutën e 48-të, Filippo Terracciano devijoi topin në portën e tij pas goditjes së Weston McKennie, duke shënuar autogol dhe duke e çuar rezultatin në 4-0.

Juventusi vazhdoi të kontrollojë lojën, duke kryer edhe disa zëvendësime taktike, ndërsa Cremonese u përpoq të reagonte pa sukses.

Goli i pestë erdhi në minutën e 64-t, kur Weston McKennie u hodh në një krosim të Pierre Kalulu dhe me kokë realizoi për 5-0, duke vulosur përfundimisht fatin e ndeshjes.

Edon Zhegrova u fut në fillimin e pjesës së dytë dhe ishte pjesë e gëzimit të fitores më të thellë të Juventusit këtë sezon.

Me këtë fitore të thellë, Juventusi jo vetëm që merr tri pikë të rëndësishme, por tani ka 39 pikë dhe mban vendin e katërt, me katër pikë pas Interit lider. /Telegrafi/

Liverpooli fiton me katër gola ndaj Barnsley, shënon edhe Wirtz

12 January 2026 at 22:40


Liverpooli ka shënuar fitore ndaj Barnsley me rezultat 4-1 në kuadër të 1/32 e FA Cup, duke kaluar tutje.

Reds ishin serioz nga minuta e parë, duke krijuar raste nga minuta e parë.

Dominik Szoboszlai e hapi ndeshjen në minutën e 9-të, me një gol të bukur për 1-0.

Pa u mbyllur pjesa e parë, Jermie Frimpong shtoi shifrat në 2-0 pas asistimit të Mac Allister.

Adam Phillips I Barsleyt arriti të shënojë në minutën e 40-të për 2-1, duke e lënë të hapur pjesën e dytë.

Dilemat u mbyllën në minutën e 84-të, me Florian Wirtz që shënoi për 3-1, me një goditje të bukur.

Ekitike with a lovely flick to set up Wirtz's goal! What a link-up 🤝 pic.twitter.com/1aBXjDw6b8
— ESPN FC (@ESPNFC) January 12, 2026

Pa u mbyllur ndeshja, në kohën shtesë shënoi edhe Hugo Ekitike për 4-1.

Liverpooli do të takohet me Brighton në 1/16 e FA Cup. /Telegrafi/

Edhe 41 gola drejt numrit magjik - Ronaldo shënon, por Al Nassr humb derbin

12 January 2026 at 22:27


Sulmuesi i Al Nassr, Cristiano Ronaldo, ka shënuar gol ndaj Al Hilalit në ndeshjen e javës së 14-të të Ligës Profesionale Saudite, duke arritur një tjetër moment historik në karrierën e tij legjendare.

Ylli portugez hapi rezultatin në minutën e 42-të, pasi finalizoi një aksion të ndërtuar bukur nga ekipi i tij, me Kingsley Coman që asistoi për golin parë.

Ky realizim i dha Al Nassr epërsinë në një nga përballjet më të shumëpritura të sezonit në Arabinë Saudite.

Cristiano Ronaldo 40 yaşına geldiğinde kariyerinin 959. golüne ulaştı. pic.twitter.com/aTF4ZbTAeP
— SPARK HABER (@SparkHaberTr) January 12, 2026

Por loja në pjesën e dytë ndryshojë, me Al Hilal që shënoi tri herë, me Al Daësarin, Kannon dhe Ruben Neves, për fitoren e kampionit në fuqi, që përforcojnë vendin e parë me 38 pikë, ndërsa Al Nassr mbetet në vendin e dytë me 31 pikë.

Ky gol ishte i 959-ti në karrierën profesionale të Ronaldos, duke dëshmuar edhe një herë jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e tij të jashtëzakonshme në nivelet më të larta të futbollit.

Nga ky total, 817 gola i ka shënuar në nivel klubesh, ndërsa 142 gola me fanellën e Kombëtares së Portugalisë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Yesterday — 12 January 2026Main stream

“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime" - Arbër Hoxha hap letrat

12 January 2026 at 21:37


Sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha ka dhënë një intervistë të gjatë të hënën për kanalin zyrtar të Dinamo Zagrebit, ku foli për fillimet e tij në Kroaci, emocionet e golave dhe eksperiencën me kombëtaren.

Hoxha, 27 vjeç, e konsideron nënshkrimin me Dinamon si një moment historik në karrierën e tij.

“Kur nënshkrova për Dinamon ishte dita më e mirë e jetës sime. Dinamo është një klub i madh, me tifozë të shkëlqyer dhe një përgjegjësi të madhe”, ka deklaruar Hoxha.

Në pjesën e parë të këtij sezoni, Hoxha ka shënuar gola vendimtarë për ekipin kroat. Ai veçon veçanërisht një gol kundër Rijekës.

“Goli kundër Rijekës ishte i veçantë. Ishte minuta e 80-të dhe siguroi tri pikë për ekipin. Momente të tilla mbeten përgjithmonë në kujtesë”, tha Hoxha.

Sulmuesi i krahut ka regjistruar deri tani gjashtë gola dhe tre asistime në 17 ndeshje në elitën e futbollit kroat. Ai foli edhe për emocionet që përjeton para tribunave të mbushura me tifozë.

“Kur sheh tifozët duke kërcyer dhe duke kënduar, është një ndjenjë e jashtëzakonshme”, shtoi Hoxha.

Megjithëse i kënaqur me paraqitjet e ekipit deri më tani, Hoxha e di se objektivi kryesor i Dinamos mbetet i njëjtë: të fitojnë titullin kampion.

“Gjëja më e rëndësishme është të jemi të parët në kampionat dhe të rikthejmë titullin në Zagreb. Ky është prioriteti i klubit”, nënvizoi ai.

Reprezentuesi i Shqipërisë u transferua në Dinamo Zagrebin në vitin 2024 nga Slaven Belupo. Në Kroaci ka luajtur gjithashtu për Lokomotivën e Zagrebit, ndërsa në Kosovë ka mbajtur fanellën e Ballkanit, Besës, Istogut dhe Prishtinës.

Hoxha tregoi gjithashtu për rutinën e tij ditore në Zagreb dhe për eksperiencën e paharrueshme me kombëtaren shqiptare në Evropianin 2024, në ndeshjen kundër Kroacisë në Hamburg. Ai u inkuadrua në minutën e 85-të, në një ndeshje që përfundoi baras 2-2.

“Ka qenë një ndeshje e çmendur. Gjysma e tribunave ishte e mbushur me tifozë kroatë dhe gjysma me përkrahës shqiptarë. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme,” rrëfeu Hoxha.


Për kombëtaren e Shqipërisë, Hoxha ka zhvilluar 21 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Para se të bashkohej me Shqipërinë, ai kishte luajtur tre ndeshje për Kosovën. /Telegrafi/

❌
❌