Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 January 2026Main stream

Nis regjistrimi fillestar i pronave në tre fshatra të bashkive Elbasan, Gjirokastër e Këlcyrë 

14 January 2026 at 17:26

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) njofton se ka nisur faza e afishimit publik për regjistrimin fillestar të pronave në tre fshatra të vendit, në kuadër të procesit të formalizimit dhe regjistrimit të pronësisë.

Sipas njoftimit, procesi po zhvillohet në këto zona kadastrale: ZK 2707, fshati Mlizë (bashkia Elbasan); ZK 3622, fshati Tranoshisht (bashkia Gjirokastër) dhe ZK 3007, fshati Podgoran Mal (bashkia Këlcyrë).

Gjatë kësaj faze, e cila do të zgjasë 45 ditë, janë të afishuara për qytetarët listat e pronave, me sipërfaqet dhe emrat e pronarëve të identifikuar, si dhe hartat kadastrale përkatëse.

Sipas njoftimit të AShK-së, banorët e këtyre zonave njoftohen se mund të konsultojnë në çdo kohë materialet e afishuara dhe, për çdo pretendim apo nevojë për saktësim, mund të paraqesin kërkesa me shkrim pranë drejtorive vendore përkatëse të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës .

Vendndodhjet ku janë afishuar materialet janë: Njësia administrative Shushicë (bashkia Elbasan); njësia administrative Antigone (bashkia Gjirokastër) dhe njësia administrative Sukë (bashkia Këlcyrë).

Pas përfundimit të fazës së afishimit publik, banorët do të kenë mundësinë të aplikojnë për regjistrimin dhe certifikimin e pronës përmes portalit “e-Albania”, sipas procedurave në fuqi.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Nis regjistrimi fillestar i pronave në tre fshatra të bashkive Elbasan, Gjirokastër e Këlcyrë  appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berat, shiten 8,3 tonë plastikë dhe 80 tonë karton e letër në ankandin e parë të riciklimit

14 January 2026 at 15:18

TIRANË, 14 janar /ATSh/  Bashkia Berat vijon të promovojë menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve përmes projektit të riciklimit, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Projekti synon të rrisë ndarjen e mbetjeve në burim, të mbështesë ekonominë qarkulluese dhe të ulet sasia e mbetjeve të depozituara në landfill, duke përfshirë qytetarët dhe bizneset në procesin e riciklimit dhe duke krijuar mundësi të reja për tregun lokal të materialeve të ricikluara.

Në kuadër të këtij projekti, u zhvillua me sukses ankandi i parë i shitjes së plastikës, ku u shiten 8,3 tonë mbetje plastike të ndara nga qytetarët dhe bizneset. Po ashtu, gjatë ankandit u shiten rreth 80 tonë karton dhe letër, duke dëshmuar funksionimin e procesit të ndarjes së mbetjeve dhe aktivitetin e ekonomisë qarkulluese.

Kryetari i Bashkisë Berat, Ervin Ceca, u shpreh se, rezultatet e këtij ankandi tregojnë se ndarja e mbetjeve në burim po funksionon; uljen e sasisë së mbetjeve në landfill dhe mbështetjen e ekonomisë qarkulluese dhe ndërgjegjësimin për riciklimin.

Sipas tij, bashkia synon që procesi të vazhdojë dhe të zgjerohet për të përfshirë më shumë qytetarë dhe biznese, duke forcuar mbrojtjen e mjedisit dhe promovuar praktika të qëndrueshme në menaxhimin e mbetjeve. /j.p/

The post Berat, shiten 8,3 tonë plastikë dhe 80 tonë karton e letër në ankandin e parë të riciklimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BB: Ekonomia e Shqipërisë, rritje 3,5% në 2026

14 January 2026 at 15:09

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv edhe në vitin 2026, me një rritje prej 3,5%, duke konfirmuar projeksionin e saj të mëparshëm dhe duke e pozicionuar Shqipërinë mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në raportin “Global Economic Prospects”, Banka Botërore parashikon se i njëjti nivel rritjeje, 3,5%, do të ruhet edhe gjatë vitit 2027, duke reflektuar qëndrueshmëri makroekonomike dhe ecuri pozitive të sektorëve kryesorë të ekonomisë.

Sipas institucionit financiar ndërkombëtar, mesatarja e rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vitin 2026 parashikohet në 3,1%, pas një performance më të moderuar në vitin 2025. Në këtë kontekst, Shqipëria renditet ndër ekonomitë me rritje më të lartë në rajon.

Raporti evidenton se edhe Kosova pritet të regjistrojë normën më të lartë të rritjes, me 3,8% në vitin 2026 dhe 3,9% në vitin 2027. Ndërkohë, ekonomia e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje-Hercegovinës parashikohet të rritet me rreth 3%, ajo e Malit të Zi me 3,2%, ndërsa Kroacia me 2,9%.

Vlerësimet e Bankës Botërore pasqyrojnë pritshmëri pozitive për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, në një mjedis rajonal dhe global të karakterizuar nga pasiguri dhe ritme të moderuara rritjeje. /j.p/

 

The post BB: Ekonomia e Shqipërisë, rritje 3,5% në 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis evidentimi i pasojave të përmbytjeve në Maliq, dëme në të mbjellat e drithërave

14 January 2026 at 13:12

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Në Bashkinë Maliq ka nisur puna e komisionit për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë nga reshjet intensive të shiut që përfshinë vendin tonë gjatë ditëve të fundit.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale për Bujqësinë në qarkun Korçë, Vullnet Gjolla, informoi për ATSH se procesi i vlerësimit po zhvillohet në terren dhe po ndiqet nga afër nga strukturat përkatëse.

Sipas Gjollës, zonat më të prekura në qarkun Korçë janë fusha e Maliqit, e cila paraqet problematika të përsëritura për shkak të strukturës së tokës torfike, e cila mban ujë në sipërfaqe gjatë reshjeve intensive.

Ai sqaroi se dëmet janë evidentuar në disa njësi administrative, përfshirë Pojanin, Pirgun, Vreshtasin dhe bashkinë Maliq.

“Dëmet janë konstatuar kryesisht në të mbjellat bujqësore, veçanërisht në drithërat e mbjella gjatë muajit nëntor, të cilat janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të rëna gjatë këtij muaji” bëri të ditur Gjolla.

Sa i përket sektorit të blegtorisë, drejtori i Drejtorisë Rajonale për qarkun Korçë theksoi se nuk janë konstatuar dëme.

Procesi i evidentimit të dëmeve vijon dhe të dhënat përfundimtare do të përpilohen pas përfundimit të verifikimeve në terren, në bashkëpunim me strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile. e.xh/j.p/

The post Nis evidentimi i pasojave të përmbytjeve në Maliq, dëme në të mbjellat e drithërave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forcohet dollari, bie lehtë euroja

14 January 2026 at 13:09

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, të mërkurën dollari amerikan forcoi pozitat në raport me lekun, krahasuar me një ditë më parë, ndërsa euroja shënoi rënie.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan këmbehet me 82,81 lekë ose 0,06 lekë më shumë ndërsa euroja zbriti me 0,02 lekë, duke u kuotuar në vlerën e 96,53 lekëve.

Paundi britanik këmbehet me 111,42 lekë, ose 0,04 lekë më pak se ditën e martë dhe franga zvicerane zbrit me 0,24 lekë duke u këmbyer sot me 103,43 lekë. /j.p/

Monedha Kryesore Lekë për njësi të monedhës së huaj
Dollar Amerikan USD 82.81 +0.06
Euro EUR 96.53 -0.02
Poundi Britanik GBP 111.42 -0.04
Franga Zvicerane CHF 103.43 -0.24
Jeni Japonez (100) JPY 52.20 +0.12
Dollari Australian AUD 55.38 -0.05
Dollari Kanadez CAD 59.64 +0.02
Korona Suedeze SEK 9.01 0.00
Korona Norvegjeze NOK 8.23 +0.02
Korona Daneze DKK 12.92 0.00
SDR SDR 113.09 +0.01
Ari(OZ 1) XAU 383935.32 +4,452.92
Argjend(OZ 1) XAG 7498.19 +412.20
Juani Kinez (onshore) CNY 11.88 +0.02
Juani Kinez (offshore) CNH 11.88 +0.01
Lira Turke TRY 1.92 0.00

The post Forcohet dollari, bie lehtë euroja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE

13 January 2026 at 23:08

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kryepeshkopi i Shqipërisë, imzot Joani zhvilloi sot në Bruksel një seri takimesh me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në institucionet europiane.

Gjatë kësaj vizite, kryepeshkopi Joan u takua me komisionerin europian për Transportet e Qëndrueshme dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas. Biseda u përqendrua në rëndësinë historike të veprës së kryepeshkopit të lumur Anastas dhe në vizionin e Fortlumturisë së Tij për të ardhmen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Kryepeshkopi theksoi angazhimin e tij që Kisha të mbetet një zë i fuqishëm, i pavarur dhe aktiv në shoqërinë shqiptare, e cila përballet me sfida të rëndësishme si emigracioni i të rinjve dhe ndryshimet demografike.

Gjithashtu, Fortlumturia e Tij u takua me kryetarin e Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, eurodeputetin Marco Tarquinio, takim që mbart rëndësi të veçantë për shkak të rolit kyç që ky delegacion luan në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Në vijim, kryepeshkopi Joan zhvilloi një takim me bashkëkryetaren e grupit të punës për Dialogun Ndërfetar në Parlamentin Europian, eurodeputeten Željana Zovko, gjatë të cilit u diskutuan çështje që lidhen me lirinë fetare në Europë. Gjatë bisedës u theksua modeli i bashkëjetesës harmonike ndërfetare në Shqipëri, si dhe sfidat me të cilat përballen komunitetet fetare, veçanërisht në lidhje me çështjet pronësore.

Në të gjitha takimet, Fortlumturia e Tij nënvizoi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është i dobishëm jo vetëm për komunitetet fetare dhe Kishën Orthodhokse të Shqipërisë, por edhe për popullin shqiptar dhe për vetë Europën.

Këto takime u zhvilluan në kuadër të vizitës së kryepeshkopit Joan në Bruksel, nga 12 deri më 15 janar 2026, me rastin e konferencës që do të mbahet më 14 janar në Parlamentin Europian, me temë “Jeta, Vepra dhe Trashëgimia e Kryepiskopit të lumur Anastas”, e organizuar nga Parlamenti Europian në nderim të kryepeshkopit Anastas, në përvjetorin e parë të ndarjes së tij nga jeta.

Prania e kreut të Kishës Ortodokse të Shqipërisë në qendrën e institucioneve europiane vlerësohet si e rëndësishme në këtë moment të rëndësishëm për procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kisha Ortodokse e Shqipërisë, përmes veprimtarisë së saj të gjerë sociale, arsimore dhe shpirtërore, vazhdon të mbetet një urë lidhëse e rëndësishme mes Shqipërisë dhe Europës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Kryepeshkopi Joan zhvillon takime në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji

13 January 2026 at 22:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Kreu i Aviacionit Civil Shqiptar, Maksim Ethemaj, deklaroi se Aeroporti Ndërkombëtar i Rinasit operon me nivel të lartë sigurie, falë sistemeve të kamerave, kontrollit të aksesit dhe protokolleve të avancuara të sigurisë.

Në një intervistë televizive ai njoftoi se vitin e ardhshëm Aeroporti do të ketë gjashtë porta të reja dhe 17 kabina check-in, të cilat do të lehtësojnë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve.

Sa i përket linjave të reja të fluturimeve, Ethemaj bëri të ditur se Shqipëria do të ketë fluturime direkte me Kanadanë, me fluturimin e parë jashtë Europës që pritet në qershor. Po ashtu, nga Kopenhaga do të ketë fluturime të përditshme, ndërsa do të shtohen linjat drejt disa qyteteve të Suedisë.

Ethemaj njoftoi se po zhvillohen negociata me Marokun, Norvegjinë, Katarin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjerimin e rrjetit të fluturimeve.

Kreu i Aviacionit Civil theksoi se në rastet e motit të keq, fluturimet nuk kryhen, pasi prioritet është siguria e udhëtarëve. Ai shtoi se anulimet për shkak të kushteve atmosferike nuk konsiderohen të shkaktuara nga linjat ajrore dhe udhëtarët nuk kompensohen, duke u bazuar në parimin e force majeure.

Gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të Aviacionit Civil, 12 milionë turistë vizituan Shqipërinë, duke rritur numrin e udhëtarëve në Aeroportin e Rinasit dhe duke konfirmuar rëndësinë e zgjerimit të linjave ajrore.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Ethemaj: TIA rrit kapacitetet, fluturime me Kanadanë dhe negociata me ShBA, Katar e Norvegji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 13 January 2026Main stream

“24 orë nga jeta e një votuesi”, premierë në Teatrin Kombëtar ArTurbina

13 January 2026 at 20:47

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Teatri Kombëtar ArTurbina solli sot për artdashësit premierën e  komedisë satirike “24 orë nga jeta e një votuesi”, një vepër që përmes humorit të mprehtë dhe satirës godet realitetin e përditshëm të qytetarëve.

Spektatorët që kishin mbushur sallën, patën mundësinë të përjetojnë një kombinim unik të humorit dhe kritikës shoqërore, në një mbrëmje të mbushur me emocione dhe të qeshura.

Në skenë luajtën aktorët Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj, të shoqëruar nga tre muzikantë.

Vepra u realizua nga dhe nën regjinë e Driada Dervishi, bazuar në motive të Naun Shundit, me tekstin “E të tjera, e të tjera” nga Teodor Keko, dhe muzikë të kompozuar nga Aulon Naçi.

Për gjashtë mbrëmje, nga 13 deri më 18 janar, shikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin këtë komedi çdo ditë, në orën 20:00.

Ky produksion ofron një eksperiencë teatrale të mbushur me humor, satirë dhe reflektim mbi jetën e përditshme të votuesit shqiptar.

1 nga 10
"24 orë nga jeta e një votuesi" në ArTurbina, foto: Andrin Hoxha

/e.xh/r.e/a.f/

The post “24 orë nga jeta e një votuesi”, premierë në Teatrin Kombëtar ArTurbina appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FA vazhdon evakuimet e banorëve në Fier

13 January 2026 at 20:17

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Forcat Tokësore (FT) vijojnë me angazhimin në terren për evakuimin e banorëve dhe të gjësë së gjallë nga zonat e përmbytura në bashkinë Fier, ku reshjet intensive kanë krijuar situata emergjente.

Efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Jugut janë angazhuar që në orët e para të mëngjesit në evakuimin e popullsisë dhe sigurimin e zonave të rrezikuara, duke punuar në kushte të vështira dhe duke garantuar mbështetje të menjëhershme për komunitetet e prekura.

Në kuadër të operacionit, Forcat Tokësore kanë organizuar: Transportin e banorëve drejt zonave të sigurta; evakuimin e gjësë së gjallë; dhënien e ndihmave emergjente, përfshirë ushqime, ujë dhe strehim të përkohshëm.

Operacionet zhvillohen në koordinim të ngushtë me autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencave civile, për të siguruar që ndërhyrjet të jenë të shpejta dhe efektive.

Forcat Tokësore vijojnë patrullimet dhe monitorimin e zonave të rrezikuara, duke u siguruar që çdo qytetar i prekur nga përmbytjet të marrë ndihmën e nevojshme dhe duke minimizuar pasojat e situatës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post FA vazhdon evakuimet e banorëve në Fier appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave

13 January 2026 at 22:20

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në punimet e Forumit të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), i cili po zhvillohet në Vjenë, Austri.

Në kuadër të këtij forumi, Guvernatori prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai theksoi rëndësinë e investimeve të huaja direkte si një faktor kyç në mbështetje të rritjes ekonomike dhe forcimit të qëndrueshmërisë makroekonomike.

Gjatë fjalës së tij, Sejko u ndal edhe në zhvillimet në sektorin bankar shqiptar, duke nënvizuar se treguesit financiarë konfirmojnë një sistem bankar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe rezistent ndaj goditjeve të jashtme, i cili është i aftë të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Guvernatori nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Bankës së Shqipërisë në drejtim të modernizimit të infrastrukturës financiare, përfshirë përmirësimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e mbikëqyrjes bankare, si dhe avancimin e agjendës së integrimit evropian.

Në këtë kontekst, Sejko vuri në dukje se aderimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) përbën një hap të rëndësishëm strategjik, duke e pozicionuar vendin në të njëjtin nivel funksional me tregun evropian të pagesave dhe duke lehtësuar transaksionet financiare për qytetarët dhe bizneset.

Forumi i vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore mbledh përfaqësues të lartë institucionalë, ekspertë ekonomikë dhe drejtues të institucioneve financiare, duke shërbyer si një platformë diskutimi mbi sfidat dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik në rajon dhe më gjerë.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Sejko: Shqipëria në të njëjtin nivel me tregun evropian të pagesave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet qendra për trajtimin dhe akomodimin e qenve endacakë në Korçë

13 January 2026 at 20:05

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në Bashkinë e Korçës është vënë në funksion qendra e re për trajtimin dhe akomodimin e qenve endacak, një investim i rëndësishëm që synon përmirësimin e mirëqenies së katërputroshve dhe rritjen e sigurisë për komunitetin.

Kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, ndau në rrjete sociale pamje nga ambientet ku janë akomoduar katërputroshët teksa u shpreh se qendra ka një kapacitet të konsiderueshëm dhe ofron kushte të përshtatshme për trajtimin e qenve endacakë, të cilët kapen dhe menaxhohen sipas standardeve të përcaktuara.

“Qentë vaksinohen, ushqehen rregullisht dhe mbahen në kushte të përshtatshme nga një staf i specializuar, veçanërisht në këto ditë të ftohta, kur kujdesi është edhe më i domosdoshëm”, tha Filo.

Ai theksoi se funksionimi i kësaj qendre kontribuon jo vetëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për kafshët, por edhe në garantimin e një mjedisi më të sigurt për qytetarët.

Në këtë kuadër, Bashkia Korçë u bën thirrje banorëve, organizatave të mbrojtjes së kafshëve dhe të gjithë dashamirësve të kafshëve që, nëse dëshirojnë, mund të kontribuojnë në kujdesin për qentë endacakë ose t’i adoptojnë ata, duke u ofruar një familje dhe një ambient të ngrohtë.

“Kujdesi për kafshët është një tregues qytetarie dhe humanizmi. Së bashku mund të bëjmë më shumë për të përmirësuar standardet e jetesës dhe bashkëjetesën në komunitetin tonë”, u shpreh kryebashkiaku Filo.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Çelet qendra për trajtimin dhe akomodimin e qenve endacakë në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nënstacioni i ri 110/20 kV në Kamzë siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona

13 January 2026 at 19:54

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Punimet për ndërtimin e nënstacionit të ri 110/20 kV në Kamzë po vijojnë me ritme të shpejta. Ky investim strategjik, synon të përmirësojë furnizimin me energji elektrike, të rrisë sigurinë e rrjetit dhe të garantojë shërbim më cilësor për qytetarët e zonës.

Kryetari i bashkisë së Kamzës, Rakip Suli ndau në rrjete sociale pamje nga ky investim, teksa u shpreh se, “projekti i ri do të sigurojë energji të qëndrueshme dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit për qytetarët dhe bizneset”.

Investimi përfshin: 2 transformatorë, 41 kabina dhe 30 kilometra rrjet 20 kilovolt.

Ky projekt realizohet me mbështetjen e qeverisë dhe financimin e Qeverisë Gjermane përmes KfW, duke u konsideruar një investim strategjik për forcimin e rrjetit energjetik dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

Nënstacioni i ri do të shërbejë për zonat: Fushë-Kamzë; Valiasin e Ri; Valiasin e Vjetër; Laknasin; Lagjen Lura dhe Lagjen 6, Bathore.

“Ky investim është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të rrjetit energjetik dhe përmirësimit të shërbimit për qytetarët. Ai do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm dhe do të minimizojë ndërprerjet e energjisë elektrike në zonë”, tha kryetari Suli.

Projekti pritet të përfundojë në periudhën e ardhshme dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e komunitetit në bashkinë e Kamzës.

/e.xh/r.e/a.f/

The post Nënstacioni i ri 110/20 kV në Kamzë siguron energji të qëndrueshme për gjashtë zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UBT prezanton 13 programe Bachelor të unifikuara me Universitetin BOKU

13 January 2026 at 18:57

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) prezantoi sot 13 programe Bachelor të zhvilluara dhe të unifikuara në bashkëpunim me Universitetin BOKU të Vjenës, një nga institucionet më prestigjioze në Austri dhe Evropë.

Këto programe bazohen në standarde akademike të larta dhe synojnë të ofrojnë një arsim universitar konkurrues dhe modern në fushën e bujqësisë dhe shkencave të jetës.

Në pritje të misionit të Universitetit BOKU në fund të muajit janar, UBT organizoi sot në ambientet e universitetit, një takim informues me maturantët e Tiranës, ku nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me ofertën studimore, mundësitë akademike dhe perspektivat profesionale që ofrojnë këto programe.

Përfaqësuesit e UBT theksuan rëndësinë e zgjedhjes së një programi studimi që përputhet me zhvillimet bashkëkohore në sektorin e bujqësisë dhe kontribuon në formimin e specialistëve me kompetenca europiane.

/e.xh/r.e/a.f/

The post UBT prezanton 13 programe Bachelor të unifikuara me Universitetin BOKU appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve

13 January 2026 at 17:36

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi sot situatën në zonat e përmbytura të qarkut të Fierit, ku deklaroi se gjendja po shkon drejt përmirësimit, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij dhe është kryer evakuimi i plotë i banorëve të prekur.

“Jemi në një stad përmirësimi të situatës, pasi lumi Seman është kthyer në shtratin e tij. Sigurisht, kjo zonë është shumë pranë hidrovorit dhe vijon të ketë prezencë uji, por e rëndësishme është që, ndonëse rreth 20 banesa janë prekur, asnjë nga qytetarët nuk është dëmtuar. Evakuimi i plotë i të gjithë banorëve është realizuar”, u shpreh Balluku.

Ajo informoi se më herët kishte pasur vështirësi në kontaktimin e dy barinjve në zonë, por situata është zgjidhur. “Kishim para pak orësh një situatë me dy barinj, të cilët nuk arrinim t’i kontaktonim, megjithatë ata janë gjetur dhe janë të sigurt. Gjithçka është zhvilluar nën mbikëqyrjen e forcave të Emergjencave Civile, por edhe të gjithë grupeve të tjera të angazhuara”, tha Balluku.

Zëvendëskryeministrja vlerësoi rolin e Forcave të Armatosura në përballimin e situatës emergjente. “Forcat e Armatosura kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në këto ditë të vështira dhe sfiduese, pothuajse në të gjithë vendin”, nënvizoi ajo.

Balluku bëri të ditur se në dy deri në tri ditët në vijim nuk parashikohen reshje, çka do të krijojë kushtet për ndërhyrje rikuperuese. “Kjo do të jetë koha për të rikuperuar dëmtimet që kanë ndodhur në argjinatura. Jemi duke diskutuar me inxhinierët e bordit të kullimit për hapat që do të ndërmerren. Gjithsecili është në krye të detyrës dhe po i përgjigjet kërkesave të qytetarëve”, deklaroi ajo.

Duke iu drejtuar banorëve të zonave të përmbytura, Balluku apeloi për bashkëpunim me pushtetin vendor. “Të gjithë banorët që kanë nevojë për mbështetje, veçanërisht për ushqimin e bagëtive, duhet të kontaktojnë menjëherë pushtetin vendor. Janë në dispozicion rezervat e shtetit, si për nevojat personale, ashtu edhe për ushqimin e bagëtive. Ne jemi në terren gjatë gjithë kohës dhe do të vazhdojmë deri në përmirësimin total të kushteve”, tha Balluku.

Sa i përket menaxhimit të prurjeve ujore, Balluku theksoi se shkarkimet nga kaskada e Devollit janë ulur në minimum.

“Duke qenë se ndikimi i kësaj kaskade vjen në lumin Seman, shkarkimet janë ulur në kuotën minimale dhe janë më të ulëta se prurjet aktuale. Kompania ‘Statkraft’ i është përgjigjur thirrjes sonë për të ulur sa më shumë shkarkimet, ashtu siç është bërë edhe me kaskadën e Drinit, e cila është menaxhuar në mënyrën më të mirë duke minimizuar përmbytjet në Fushën e Shkodrës”, u shpreh Balluku.

Në vijim, ajo bëri të ditur se do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve.

“Do të na duhet të bëjmë të gjitha riparimet e nevojshme dhe vlerësimin e dëmeve. Më pas, në bashkëpunim me bashkitë dhe grupet e ngritura nga Emergjencat Civile, do të realizohet një shpërndarje e drejtë e kompensimit, sipas një skeme që po ndërtohet nga Ministria e Financave dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si për banesat e prekura, ashtu edhe për dëmet në serra dhe toka bujqësore”, deklaroi ajo.

E pyetur për dëmtimet në argjinaturën e lumit Seman, Balluku sqaroi se bëhet fjalë për dëmtime dhe jo çarje të plota.

“Kemi dëmtime të argjinaturës së Semanit. Do të ketë riparime të menjëhershme, sapo të bjerë niveli i ujit, dhe më pas ndërhyrje më të thella për të përforcuar të gjitha segmentet e prekura. Pikat problematike janë identifikuar dhe do të riparohen menjëherë”, përfundoi Balluku.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Balluku: Semani është kthyer në shtratin e tij, do të kryhet vlerësimi i plotë i dëmeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime

13 January 2026 at 17:10

TIRANË, 13 janar /ATSh/ Në kuadër të Censit Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërorë 2026, në Shqipëri janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët do të marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj theksoi se Censi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit përbën një nga proceset më të rëndësishme shkencore për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit.

“Prej vitit 1967, ky census mbledh çdo vit të dhëna të çmuara për biodiversitetin, falë mijëra vëzhguesve në mbarë botën”, u shpreh ministri Jaupaj.

Ai nënvizoi se përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili do të zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Sipas Ministrisë së Mjedisit, të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Dimëror i Shpendëve Ujorë realizohet çdo vit në bashkëpunim me institucione shtetërore, ekspertë të biodiversitetit dhe vëzhgues të specializuar, duke kontribuar në ruajtjen afatgjatë të shpendëve të ujit dhe habitateve të tyre natyrore.

/r.e/a.f/

The post Censi i shpendëve ujorë 2026, 102 specialistë të angazhuar në 34 vendnumërime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër

12 January 2026 at 22:53

TIRANË, 12 janar /ATSh/ Të gjitha strukturat përkatëse qendrore dhe vendore janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës, si pasojë e reshjeve intensive të shiut të ditëve të fundit.

Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me institucionet qendrore, Forcat e Armatosura dhe strukturat e Emergjencave Civile, po vijon ndërhyrjet në terren për menaxhimin e situatës dhe mbështetjen e familjeve të prekura. Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci ndau pamje nga operacionet e ndihmës, ku shfaqen ndërhyrje të ndryshme në zonat e përmbytura.

Sipas Becit, strukturat bashkiake në bashkëpunim me Forcat e Armatosura janë të angazhuara në shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet, banesat e të cilave janë përmbytur nga uji, si dhe në sigurimin e bazës ushqimore për bagëtinë, me qëllim lehtësimin e situatës për banorët dhe fermerët e zonave të prekura.

Ai bëri të ditur se edhe gjatë ditës së sotme ka vijuar shpërndarja e ndihmave nga Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Rezervat e Shtetit, konkretisht për zonën e Obotit, një nga zonat më të prekura nga përmbytjet.

Në kuadër të këtij operacioni janë shpërndarë koncentrat për bagëtitë dhe ujë i pijshëm, për të minimizuar vështirësitë e shkaktuara nga prania e ujit dhe për të garantuar furnizimin bazë për familjet e prekura.

Autoritetet vendore bëjnë me dije se ndihma po shpërndahet për çdo familje të prekur nga përmbytjet dhe se angazhimi do të vijojë deri në normalizimin e plotë të situatës, ndërkohë që strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri për të përballuar çdo zhvillim të mëtejshëm të situatës.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Vijon shpërndarja e ndihmave për familjet e prekura nga përmbytjet në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KESH: Prodhimi ditor në tre HEC-et e Drinit arrin 26.000 MWh

12 January 2026 at 20:58

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESh) bëri të ditur sot se prodhimi ditor në tre HEC-et e kaskadës së lumit Drinit është 26.000 MWh, ndërkohë që vijojnë shkarkimet nga HEC-et e Komanit, Fierzës dhe Vaut të Dejës.

Sipas KESH, nivelet në liqenet e kaskadës së Drinit janë: HEC-i i Fierzës 292,6 mmnd; HEC-i i Komanit 171,6 mmnd; HEC i Vaut të Dejës 74,8 mmnd.

Prurjet natyrore në hidrocetralin e Fierzës janë 650 m3/s; në Koman 300 m3/s dhe në atë të Vaut të Dejës 120 m3/s.

Ndërsa shkarkimet nga HEC-i i Fierzës shënojnë 300 m3/s; nga HEC-i i Komanit 600 m3/s dhe nga HEC-i i Vaut të Dejës 700 m3/s.

/e.xh/r.e/a.f/

The post KESH: Prodhimi ditor në tre HEC-et e Drinit arrin 26.000 MWh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta

12 January 2026 at 18:42

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro mori pjesë sot në shkollën “Avni Rustemi” në nisjen e Konkursit Kombëtar të Gjuhës Shqipe, i cili zhvillohet njëkohësisht në të gjithë Shqipërinë për nxënësit e klasave IX.

Gjatë takimit me konkurrentët e parë, ministrja Kumbaro u uroi suksese të gjithë nxënësve, duke e cilësuar këtë garë si një konkurs të veçantë që ushqehet nga dashuria për gjuhën shqipe dhe që po kthehet në një traditë të rëndësishme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare.

“Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe është një nismë e përvitshme, e cila këtë vit ka nisur më 12 janar dhe do të përfshijë të gjitha klasat IX në shkallë vendi. Ky konkurs nuk ka vlerë vetëm për nxënësit, por edhe për mësuesit, pasi garanton që gjuha shqipe të jetë në “duar të sigurta” dhe të mësohet me cilësi ndër breza”, u shpreh Kumbaro.

Ministrja e cilësoi konkursin si një proces njëkohësisht zbavitës dhe sfidues, që nxjerr në pah talentet e reja dhe që do të vijojë me fazat e kualifikimit në nivel shkolle, bashkie dhe qarku, për të përfunduar në finalen kombëtare, e cila do të transmetohet në Televizionin Publik Shqiptar.

“Kjo nuk është thjesht një garë shkollash, por një konkurs kombëtar i gjuhës shqipe, që synon të lartësojë përdorimin korrekt dhe të bukur të shqipes”, u shpreh ministrja.

Në përfundim, Kumbaro u bëri thirrje nxënësve të jenë kreativë dhe origjinalë edhe në botën digjitale, duke theksuar se të qenit inovativ do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh bukur shqip.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Nis Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe për nxënësit e klasave të nënta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rritje e transaksioneve bankare, 356 mijë pagesa me vlerë 5,6 miliardë euro në 11 muaj

12 January 2026 at 17:24

TIRANË, 12 janar /ATSH/ Transaksionet përmes sistemit bankar shënuan rritje gjatë vitit 2025.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në 11 muajt e parë të vitit janë procesuar 356.609 pagesa në euro, me një vlerë totale prej 5,6 miliardë eurosh, duke shënuar një rritje prej 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas BSH-së, vetëm gjatë muajit nëntor janë realizuar 32.714 transaksione në euro, me një vlerë prej 513,8 milionë eurosh, duke reflektuar intensifikimin e përdorimit të kanaleve bankare për pagesat ndërkufitare dhe transaksionet tregtare.

Rritja e transaksioneve elektronike po nxitet nga digjitalizimi i shërbimeve, kostot më të ulëta dhe lehtësia në përdorim, faktorë që janë përmirësuar falë sistemeve të pagesave si AIPS dhe SEPA.

Banka e Shqipërisë parashikon që në periudhën në vijim ky trend të përforcohet edhe më tej me implementimin e sistemit Instant Payment, i cili do të mundësojë pagesa në kohë reale.

/e.xh/a.f/r.e/

The post Rritje e transaksioneve bankare, 356 mijë pagesa me vlerë 5,6 miliardë euro në 11 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mot i paqëndrueshëm të dielën, reshje shiu dhe dëbore

11 January 2026 at 07:30

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se vendi ynë ditën e diel do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Sipas SHMU-së, moti parashikohet me kthjellime të herëpashershme dhe alternime vranësirash të cilat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në juglindje të vendit.

Në zonën e Alpeve, në verilindje në lartësinë mbi 100 metra dhe juglindje mbi 200-300 metra priten reshje dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar, në pjesën tjetër të vendit reshje lokale bore me intensitet të ulët. Pas orëve të pasdites reshjet e shiut dhe dëborës pritet të ndërpriten në të gjithë territorin.

Mjegull e dendur/mjegullinë dhe shikim i reduktuar për shkak të reshjeve të shiut dhe dëborës.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim–verilindje 10 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet deri 22 m/s, shoqëruar me dallgëzim 4-5 ballë.

/e.xh/r.e/

The post Mot i paqëndrueshëm të dielën, reshje shiu dhe dëbore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌