Skandal jashtë pistës: Kampionja olimpike arrestohet nga policia pas vozitjes së rrezikshme
Atletja olimpike Sha'Carri Richardson i është lutur një oficeri policie që “të bashkëpunonte me të” gjatë një ndalese për tejkalim shpejtësie, duke thënë: “Po ju lutem, po ju përgjërohem”, sipas pamjeve nga kamera trupore të siguruara nga Fox News Digital.
Pamjet tregojnë kampionen olimpike duke iu lutur oficerit që të mos e arrestonte, pasi ishte kapur duke drejtuar makinën në mënyrë të rrezikshme.
Rreshteri Gerald McDaniels, i cili po lëvizte në korsinë qendrore, vuri re se Richardson po ndizte dritat e gjata ndaj makinës përpara saj dhe raportoi se Aston Martini i saj kishte arritur shpejtësinë 104 milje në orë në “State Road 429”, pranë Stoneybrook Parkway në Winter Garden, Florida. Për ta kapur, oficeri u detyrua të arrinte shpejtësi deri në 110 milje në orë.
“Do ta hiqja atë buzëqeshje nga fytyra jote”, i tha rreshteri Richardsonit sapo iu afrua dritares së pasagjerit. “Je ndaluar për shpejtësi të rrezikshme dhe të tepruar”.
Richardson u justifikua duke thënë se goma e pasme kishte presion 29 dhe se telefoni i kishte rrëshqitur, duke ndërruar mënyrën e funksionimit të makinës dhe duke shkaktuar rritjen e shpejtësisë. Ky shpjegim nuk e bindi McDanielsin.
“Po vozitje me 104 milje në orë në një zonë me kufi 65, me pajisje jo të rregullta, duke u ndezur njerëzve dritat që të largoheshin nga korsia, duke ndjekur shumë afër, duke përdorur çdo korsi për t’i kaluar të gjithë, duke më prerë rrugën, duke kaluar një makinë nga shpatulla e brendshme me dritat e emergjencës të ndezura. Do të shkosh në burg për shpejtësi të rrezikshme dhe të tepruar”, deklaroi oficeri.
Richardson u përgjigj se nuk e dinte që po ecte me aq shpejtësi, ndërsa rreshteri ia ktheu shkurt:
“Kjo është arsyeja pse të kanë dhënë një shpejtësimatës.”
“Unë jam një qytetare që respekton ligjin, zotëri”, tha Richardson, e cila vitin e kaluar ishte arrestuar për një incident me të dashurin e saj, atletin olimpik Christian Coleman, ishte nxjerrë nga një avion në vitin 2023 dhe ishte përjashtuar nga Lojërat Olimpike të Tokios për shkak të një testi pozitiv për marihuanë.
Pas disa shkëmbimeve fjalësh, vendimi i oficerit mbeti përfundimtar dhe realiteti u bë i pashmangshëm për Richardsonin, e cila këmbënguli se nuk kishte “asnjë qëllim” për të shkelur ligjin.
“Ju lutem, zotëri. Nuk po e bëja qëllimisht shpejtësinë. Ju lutem, zotëri. Po ju përgjërohem”, tha ajo.
“Ju lutem, mos më çoni në burg. Do të bëj gjithçka. Ju lutem, zotëri. Ju premtoj, nuk dua të shkoj në burg, jam këtu”.
Sha'Carri Richardson ka fituar medaljen e artë olimpike në stafetën 4x100 metra në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe triumfoi në garën e 100 metrave në Kampionatin Botëror 2023 në Budapest./Telegrafi
