Trageti Vlorë-Brindisi nuk ankorohet në port për shkak të erës së fortë
TIRANË, 5 janar/ATSH/ Trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk ka mundur të ankorohet mesditën e sotme për shkak të kushteve atmosferike të paqëndrueshme dhe erës së fortë që ka përfshirë gjirin e qytetit bregdetar.
Kapiteneria e Portit të Vlorës bëri të ditur për ATSH-në se “trageti nuk ka mundur të ankorohet, pasi ekziston rreziku i përplasjes me kalatën. Janë rreth 800 pasagjerë dhe 150 automjete që kanë prenotuar për të udhëtuar ditën e sotme, por nisja e tyre është pezulluar për arsye sigurie”.
Sipas Kapitenerisë, sapo të përmirësohen kushtet hidrometeorologjike detare trageti do të tentojë të akostohet në portin e Vlorës për të filluar procesin e imbarkimit të pasagjerëve dhe automjeteve të ndryshme.
Mësohet se për momentin trageti po qëndron në radë, ndërsa anijet e vogla janë të akostuara në Triport.
Më herët Kapiteneria e Portit të Vlorës informoi se deri më 7 janar për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe erës është pezulluar lundrimi i mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit.
/k.s/r.e/a.f/
The post Trageti Vlorë-Brindisi nuk ankorohet në port për shkak të erës së fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.