Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 6 January 2026Main stream

Rruga Graboc i Epërm – Drenas e pakalueshme për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica

6 January 2026 at 15:46


Komuna e Obiliqit ka njoftuar qytetarët për situatën e vështirë në rrugën që lidh fshatin Graboc i Epërm me Drenasin, për shkak të daljes nga shtrati të lumit Drenica në segmentin rrugor Guri i Plakës.

“Rruga është e pakalueshme dhe qarkullimi është i rrezikuar”, thuhet në njoftimin e komunës, ku qytetarët ftohen të përdorin rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes.

Institucionet përkatëse janë në terren dhe po e monitorojnë situatën, duke ndërmarrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll rrezikun për qytetarët.

“Luten qytetarët të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përmirësimin e gjendjes”, theksohet në njoftim.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në këtë situatë. /Telegrafi/


Komuna e Shtimes apelon qytetarët për kujdes për shkak të reshjeve

6 January 2026 at 15:43


Komuna e Shtimes ka lëshuar një njoftim për qytetarët lidhur me reshjet e dendura që kanë përfshirë rajonin dhe që pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

“Situata aktualisht në komunën tonë është jashtë rrezikut, por kërkohet vigjilencë e vazhdueshme,” thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet lokale apelojnë që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që mund të rrezikojë sigurinë publike.

“Apelojmë te qytetarët që gjatë lëvizjes të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informojnë autoritetet për çdo rrezik të mundshëm,” theksohet në njoftim.

Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë:

  • Zjarrfikësit: 193
  • Policinë: 192
  • Emergjencat: 112
  • Drejtorinë për Shërbime Publike: +383 44 172 839

Institucionet e Komunës së Shtimes janë në gatishmëri të plotë për monitorim dhe ndërhyrje sipas nevojës.

Reshjet e shiut shkaktojnë vështirësi në Prishtinë, autoritetet paralajmërojnë qytetarët

6 January 2026 at 15:39


Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës ka njoftuar qytetarët për situatën e krijuar si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, duke bërë apel për respektimin e masave të sigurisë.

“Sipas raportimeve tona, ekipet e Kryeqytetit kanë intervenuar deri tani në mbi 40 raste, në bashkëpunim të plotë me të gjitha strukturat relevante. Situata është nën monitorim të vazhdueshëm,” theksojnë nga Drejtoria.

Autoritetet paralajmërojnë se gjatë orëve në vijim, nëse intensiteti i reshjeve vazhdon, mund të paraqiten vështirësi shtesë, veçanërisht në zonat rurale të Prishtinës.

Në këtë kontekst, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca u bën thirrje qytetarëve:

  • Të shmangin lëvizjet në zona të përmbytura dhe të mos kalojnë përmes ujërave të rrjedhshëm.
  • Të mos parkojnë automjetet pranë përrenjve, lumenjve dhe nënkalimeve.
  • Të sigurojnë bodrumet dhe hapësirat e ulëta të objekteve.
  • Të raportojnë çdo situatë emergjente tek numrat zyrtarë të emergjencës.

“Drejtoria po koordinon të gjitha aktivitetet dhe menaxhimin e situatës në terren, në bashkëpunim me ekipet komunale dhe shërbimet përkatëse. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe ju bëjmë thirrje për kujdes të shtuar,” shtojnë autoritetet.

Çdo situatë emergjente mund të raportohet në numrat e telefonit: 0800 122 33; 0800 122 44. /Telegrafi/


Situata pas reshjeve në Mitrovicë, Peci: Do të marrim të gjitha masat për sigurinë e qytetarëve

6 January 2026 at 15:27


Pas reshjeve të dendura të shiut, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka qenë në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale së bashku me zyrtarë nga Drejtoria për Menaxhimin e Emergjencave.

“Ne si komunë do të jemi pranë qytetarëve dhe me gjithë mekanizmin në dispozicion. Pas vlerësimit të situatës nga terreni, po marrim të gjitha masat e nevojshme për intervenim”, tha Peci në një postim në Facebook.

Ai theksoi se në të ardhmen, çdo projekt i investuar nga Komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate për të minimizuar në maksimum rreziqet e tilla potenciale.

“Qytetarët të jenë të qetë, gjendja është nën kontroll dhe drejt përmirësimit”, shtoi kryetari i Mitrovicës.

Komuna e Mitrovicës paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të ndërhyjë në kohë reale për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të pronave. /Telegrafi/


Situatë e rënduar në Rahovec, Bytyqi: Evakuime dhe dëme në infrastrukturë pas reshjeve të shiut

6 January 2026 at 15:21


Ekipet e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, në bashkëpunim me zjarrfikësit, janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit edhe në Komunën e Rahovecit për t’u përballur me situatën e krijuar nga reshjet e mëdha të shiut.

Drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, Besmire Bytyqi, thotë për KosovaPress se gjendja ka qenë jashtëzakonisht e rënduar në orët e para të ditës, por se aktualisht niveli i ujit ka shënuar rënie.

Sipas saj, ekipet janë duke intervenuar aty ku është e mundur, ndërsa në fshatin Çifllak janë evakuuar dy gra të cilat kishin mbetur të ngujuara në katin e dytë të shtëpisë së tyre.

Bytyqi ka bërë të ditur se ka vështirësi edhe në disa shtëpi banimi, ku uji ka depërtuar në podrumet e tyre, si dhe probleme në infrastrukturën publike.

“Bashkë me zjarrfikësit që nga orët e hershme të mëngjesit jemi në terren dhe po intervenojmë aty ku kemi mundësi. Gjendja ka qenë jashtëzakonisht shumë e renduar në orët e para të ditës. Fatmirësisht tani niveli i ujit ka rënë siç mund të shihni. Për momentin jemi në Çifllak. Në këto momente veçse i kemi evakuuar dy gra të çilat kanë mbetur të ngujuara në katin e dytë të shtëpisë së tyre. Kemi telashe me shtëpi të banimit ku ka hyrë uji në podrumet e tyre, kemi probleme me infrastrukturë publike”, thotë Bytyqi.

Ndërkaq, në komunën e Drenasit, konkretisht në Komoran, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut, disa biznese janë përballur me vërshime, ndërsa që nga orët e hershme të mëngjesit po tentojnë të largojnë ujin nga ambientet e tyre.

Shembet një pjesë e rrugës në Veterrnik të Prishtinës, Fushtica paralajmëron rast penal për kompaninë ndërtuese

6 January 2026 at 15:12


Një pjesë e rrugës në Veterrnik të Prishtinës është shembur, fillimisht duke u menduar se shkaku ishte reshjet e dendura që kanë kapluar Kosovën.

Telegrafi ka kontaktuar me Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i cili ka dhënë detaje mbi situatën.

“Shembja e dheut nuk ka ndodhur në rrugën kryesore, por në një rrugë dytësore. Na duhet të hapet edhe rast penal për shkak të rrezikimit të sigurisë publike”, tha Fushtica për Telegrafin.

Ai shtoi se shkaku është një operator privat që po kryen punime në atë zonë dhe nuk ka respektuar rregulloren.

“Inspektorët ia kanë ndërprerë realisht punën. Dje e kemi ndërprerë, e kemi mbyllë atë vendpunishte, i kemi vendosur shiritat”, tha ai.

“Inspektorët e ndërtimit do të marrin masa konform ligjit, domethënë do të pasojë dënimi për palën, në këtë rast për ndërtuesin”, shtoi Fushtica.

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca paralajmëroi se, nëse vërtetohet se kompania nuk ka përmbushur kriteret, mund t’i revokohet edhe leja.

“Tutje, do të vazhdojmë edhe me procedura tjera. Nëse vërtetohet që nuk i ka përmbushur kushtet e ndërtimit, atëherë mund edhe t’i revokohet leja”, deklaroi ai.

Fushtica theksoi gjithashtu: “Është duke u ndërtuar një objekt banesor dhe aty ka pasur rrëshqitje të dheut, në gropën punuese”. /Telegrafi/

Krenare Latifi Kçiku zgjidhet kryesuese e Kuvendit të Gjilanit, Hyseni thërret seancë të jashtëzakonshme për buxhetin 2026

6 January 2026 at 14:28


Pas zgjedhjes së Krenare Latifi Kçikut si kryesuese e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, kryetari i komunës, Alban Hyseni, njoftoi mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të premten për miratimin e buxhetit të vitit 2026.

“Krenare Latifi Kçiku është zgjedhur kryesuese e Kuvendit dhe ne sapo kemi nënshkruar ftesën për seancën e jashtëzakonshme, ku do të votohet buxheti i vitit 2026”, tha Hyseni pas votimit.

Kryetari theksoi se propozimi i buxhetit është i njëjti si ai i dorëzuar fundvitin e kaluar, i cili atëherë nuk kishte kaluar në Kuvend. Ai shtoi se, megjithëse numrat e votave janë të mjaftueshëm për miratimin e tij, ekzekutivi është i gatshëm për dialog me subjektet opozitare.

“Ne shprehim gatishmëri të bashkëpunimit me subjektet opozitare dhe i ftojmë që të votojnë buxhetin e komunës,” tha Hyseni, duke theksuar se çdo propozim i rëndësishëm për buxhetin mund të paraqitet deri të premten.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e miratimit të buxhetit: “Çështja e buxhetit është shumë e rëndësishme, ku vitin e kaluar komuna ka vuajtur shumë. Jemi të interesuar që sivjet buxheti të mos mbetet problem, por të bashkojë të gjitha subjektet politike dhe të marrë aprovimin ditën e premte".

Kjo seancë e jashtëzakonshme do të jetë test për bashkëpunimin mes pushtetit dhe opozitës, teksa kryesuesja e Kuvendit, Kçiku, do të luajë një rol kyç në drejtimin e diskutimeve dhe procedurave për miratimin e buxhetit. /Telegrafi/


Kryetari i Deçanit apelon qytetarët për kujdes të shtuar për shkak të vërshimeve

6 January 2026 at 14:19


Komuna e Deçanit ka raportuar se reshjet e vazhdueshme të shiut kanë krijuar rrezik në disa zona, ndërsa ekipet emergjente kanë qenë të angazhuara pa ndërprerje në terren. Kryetari i Komunës, Bashkim Ramosaj, ka bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët.

“Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona, mirëpo ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë pandërprerë në terren, veçanërisht në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në qytet”, tha Ramosaj.

Ai ka theksuar se gjendja aktuale nuk është shqetësuese, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Sipas tij, kompanitë dhe njësitë komunale janë të gatshme për ndërhyrje të menjëhershme:

“Kompania ‘Lika Trade’, e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ka intervenuar në pikat problematike, ndërsa NPL ‘Higjiena’, Njësia e Zjarrfikësve dhe kompania ‘Hidrodrini’ janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme”, shtoi kryetari.

Ramosaj gjithashtu ka paralajmëruar se reshjet pritet të vazhdojnë.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të ketë reshje të tjera shiu, të cilat mund ta vështirësojnë gjendjen, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem apo rrezik të mundshëm tek autoritetet komunale. Komuna e Deçanit mbetet në shërbim dhe pranë qytetarëve në çdo moment”, përfundoi Ramosaj. /Telegrafi/


Në Malishevë shtyhet fillimi i gjysmëvjetorit të dytë shkaku i vërshimeve

6 January 2026 at 14:13


Komuna e Malishevës ka njoftuar për shtyrjen e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe çerdhet për fëmijë.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, vendimi është marrë bazuar në parashikimet e Institutit Meteorologjik të Kosovës për përkeqësim të motit, si dhe në gjendjen e rënduar në terren në komunën e Malishevës, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve që kanë përfshirë pothuajse të gjitha vendbanimet.

“Ju njoftojmë se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2025/2026 shtyhet deri më datën 12 janar 2026”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim të Komunës së Malishevës.

Po ashtu, nga kjo drejtori bëhet e ditur se institucionet arsimore do të mbahen të informuara në vazhdim për të gjitha rrjedhat e përgatitjeve për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë.

“Ditët e humbura do të kompensohen gjatë muajve në vijim, kur të kemi mot të qëndrueshëm dhe të mirë”, thuhet më tej në njoftim.

Vendimi vlen për të gjitha shkollat dhe institucionet parashkollore në territorin e Komunës së Malishevës. /Telegrafi/


Totaj nis emërimet në qeverisjen lokale të Prizrenit, emërohen dy drejtorë

6 January 2026 at 14:07


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se sot ka nisur cikli i emërimeve për qeverisjen lokale, duke filluar me kabinetin e tij, me të cilin do të vazhdojë punën edhe gjatë këtij mandati.

“Sot, nisëm ciklin e emërimeve për qeverisjen lokale, duke filluar me kabinetin tim, me të cilin do të vazhdoj punën edhe në këtë mandat, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi”, ka shkruar Totaj.

Ai bëri të ditur se janë emëruar edhe dy drejtorë komunalë. Sipas tij, Drejtor i Shërbimeve Publike është emëruar Islam Ukaj, ndërsa Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës është emëruar Luljeta Veselaj Gutaj.

“Po ashtu, janë emëruar edhe dy drejtorë: Drejtor i Shërbimeve Publike është emëruar Islam Ukaj, ndërsa Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës, Luljeta Veselaj Gutaj”, thuhet më tej në postimin e kryetarit të Prizrenit.

Totaj ka paralajmëruar se procesi i kompletimit të ekzekutivit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me emërime të tjera.

“Në ditët në vijim do të vazhdojmë me kompletimin e ekzekutivit përmes emërimeve të tjera”, u shpreh ai.

Në fund, kryetari Totaj theksoi se qeverisja lokale në Prizren do të vazhdojë edhe në mandatin e dytë me përkushtim ndaj interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Me përkushtimin tashmë të dëshmuar, do ta vazhdojmë edhe mandatin e dytë të qeverisjes lokale në Komunën e Prizrenit, në shërbim të interesit publik dhe për mirëqenien e qytetarëve”, përfundoi Totaj. /Telegrafi/


Vërshime në Gjakovë pas reshjeve të dendura, zjarrfikësit evakuojnë disa familje

6 January 2026 at 14:00


Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, shumë zona të qytetit të Gjakovës janë përfshirë nga vërshimet, duke krijuar situatë të rënduar për një numër qytetarësh.

Nga Njësia e Zjarrfikësve në Gjakovë bëhet e ditur se ekipet emergjente janë angazhuar në terren që nga orët e hershme të mëngjesit dhe po intervenojnë pa ndërprerë për menaxhimin e situatës dhe ndihmën ndaj qytetarëve të prekur.

“Si pasojë e reshjeve të dendura, shumë zona të qytetit janë përfshirë nga vërshimet. Ekipet e Njësisë së Zjarrfikësve janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit, duke intervenuar pa ndërprerë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e zjarrfikësve.

Sipas tyre, ndërhyrjet kanë përfshirë evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, sigurimin e objekteve dhe menaxhimin e situatave emergjente, me fokus kryesor mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.

“Ndërhyrjet tona përfshijnë evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, sigurimin e objekteve dhe menaxhimin e situatave emergjente, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”, theksohet më tej.

Nga Njësia e Zjarrfikësve në Gjakovë bëjnë të ditur se ekipet mbeten në gatishmëri të plotë dhe do të vazhdojnë intervenimet sipas nevojës, në koordinim me institucionet përkatëse.

“I ftojmë qytetarët që për çdo rast emergjent të kontaktojnë numrat zyrtarë 193 ose 112 dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve”, thuhet në apelin drejtuar qytetarëve. /Telegrafi/


Vërshimet godasin Suharekën, pamje nga Semetishti tregojnë dëmet

6 January 2026 at 13:52


Pamje të reja të shpërndara nga fshati Semetisht i Suharekës dëshmojnë për pasojat e rënda të reshjeve të fundit të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime të mëdha në këtë zonë.

Siç shihet në pamje, uji ka përfshirë shtëpi, oborre dhe sipërfaqe bujqësore, duke e vështirësuar ndjeshëm jetën e banorëve dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Situatë e ngjashme është raportuar edhe në disa komuna të tjera të vendit, përfshirë Gjakovën, Skenderajn, Drenasin dhe Rahovecin, ku reshjet e dendura kanë sjellë përmbytje dhe probleme në infrastrukturë. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit me intervenime në terren për përmirësimin e sigurisë së qytetarëve nga vërshimet

6 January 2026 at 13:45


Nënkryetari i Komunës së Obiliqit, Berat Gashi, së bashku me Drejtorin e Shërbimeve Publike, Valon Svirca, dhe Drejtorin e Mjedisit, Rinor Kurteshi, kanë dalë në terren për të vlerësuar nga afër rastet e evidentuara në disa zona të komunës.

Sipas njoftimit të Komunës së Obiliqit, pas inspektimit në terren janë ndërmarrë intervenime konkrete me qëllim të eliminimit të problemeve në prona të caktuara, duke synuar përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe rritjen e nivelit të sigurisë për qytetarët.

“Pas vizitës në terren, janë ndërmarrë intervenime konkrete për eliminimin e problemeve në prona, duke synuar përmirësimin e mjedisit dhe rritjen e sigurisë për qytetarët”, thuhet në reagimin e komunës.

Po ashtu, nga Komuna e Obiliqit është bërë e ditur se institucionet komunale mbeten të përkushtuara për trajtimin e çdo shqetësimi të qytetarëve.

“Komuna mbetet e përkushtuar që çdo shqetësim i qytetarëve të trajtohet me seriozitet dhe të gjendet zgjidhje në kohë”, theksohet në njoftim. /Telegrafi/


Haradinaj: Përmbytjet janë urgjencë kombëtare, institucionet të shumëfishojnë përpjekjet

6 January 2026 at 13:39


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas situatës së krijuar nga reshjet e vazhdueshme të shiut, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës.

Haradinaj ka theksuar se gjendja është shqetësuese, duke bërë të ditur se në disa vendbanime ka nisur edhe evakuimi i banorëve.

“Situata e krijuar pas reshjeve të vazhdueshme, që kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të Kosovës, është tejet shqetësuese. Në disa vendbanime ka filluar edhe evakuimi i banorëve”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se ka kontaktuar me kryetarët e komunave që udhëhiqen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, për t’u informuar nga afër lidhur me veprimet që po ndërmerren në nivel lokal për përballimin e kësaj situate.

“Kam kontaktuar me kryetarët e komunave nga Aleanca, për t’u informuar mbi veprimet që po i ndërmerr pushteti lokal në përballimin e kësaj situate të rëndë”, ka theksuar ai.

Kreu i AAK-së ka kërkuar angazhim të shtuar nga institucionet qendrore dhe lokale, duke e cilësuar situatën si urgjencë kombëtare.

“Është urgjencë kombëtare që institucionet relevante, si në nivel qendror ashtu edhe lokal, të shumëfishojnë përpjekjet dhe veprimet për përballimin e kësaj gjendjeje”, ka përfunduar Haradinaj. /Telegrafi/


Po pastrohen mbeturinat në Veprën Marrëse në Llukë të Deçanit

6 January 2026 at 13:34


KRU Gjakova ka njoftuar se ekipet e saj janë duke punuar në terren për pastrimin e mbeturinave të sjella nga uji në Veprën Marrëse në Llukë të Deçanit.

Sipas njoftimit të kompanisë, ndërhyrja po bëhet me qëllim të mirëmbajtjes së sistemit dhe krijimit të kushteve për mbushjen e liqenit, pas reshjeve të fundit që kanë sjellë sasi të mëdha mbeturinash në këtë zonë.

Nga KRU Gjakova bëhet e ditur se punëtorët do të vazhdojnë angazhimin derisa të sigurohet funksionimi i rregullt i veprës marrëse dhe stabilizimi i gjendjes. /Telegrafi/


Raportohet se familja kosovare me tre fëmijë janë bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri

6 January 2026 at 13:04


Një familje nga Kosova së bashku me tre fëmijët raportohet se kanë mbetur të bllokuar në makinë nga përmbytjet në Shqipëri.

Sipas Top Channel, ata janë nisur nga Ndroqi, ndërkohë që rruga është e pakalueshme.

Sikurse shihet në pamje, automjeti ka mbetur i bllokuar, ndërsa po ndërhyhet.

Në rrugë ka prezencë të madhe të ujit për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

- YouTube www.youtube.com

Situatë e rënduar nga vërshimet në Drenas, disa familje të evakuara

6 January 2026 at 12:58


Komuna e Drenasit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar për qytetarët, pas reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve përgjatë lumit Drenica.

Uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë bërë të pakalueshme. Disa familje janë evakuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë në zona të prekura.

“Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te 'Trafoja', është bllokuar, po ashtu edhe rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të Vjetër dhe disa lagje të komunës,” thuhet në njoftimin e komunës.

Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin daljet pa nevojë dhe të përdorin rrugët alternative për të siguruar lëvizje të sigurt: “Kalimi nga qyteti i Drenasit për magjistrale bëhet nëpër Shtrubullovë-Krajkovë-Llapushnik, dhe alternativa tjetër është Drenas-Damanek-Krajkovë-Llapushnik.”

Komuna gjithashtu ka falënderuar qytetarët me automjete private që kanë ndihmuar ekipet emergjente në përballimin e situatës.

“Ekipet kompetente janë në terren, po bëjnë përpjekje për të lehtësuar gjendjen dhe po monitorojnë situatën. Çdo informacion shtesë do të bëhet publik me kohë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Komuna e Rahovecit u kërkon banorëve të Fortesës që ta shkyçin energjinë elektrike për arsye sigurie

6 January 2026 at 12:44


Komuna e Rahovecit, në bashkëpunim me KEDS-in, ka bërë apel për banorët e fshatit Fortesë për ndërprerjen e energjisë elektrike në shtëpitë e tyre, si pasojë e reshjeve të fundit të shiut.

Sipas njoftimit, kjo masë është e domosdoshme për të parandaluar dëmtimin e pajisjeve elektrike dhe instalimeve të brendshme kur energjia rikthehet në gjithë fshatin.

“Për shkak të situatës së krijuar nga reshjet e shiut, KEDS-i dhe organet komunale kërkojnë nga secili banor i fshatit Fortesë që të ndërpresë menjëherë energjinë elektrike në shtëpinë e tij”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë zbatimit të kësaj mase emergjente. /Telegrafi/


Komuna e Podujevës paralajmëron masa për operatorët që nuk rinovojnë lejet

6 January 2026 at 12:12


Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Komunën e Podujevës ka njoftuar të gjithë operatorët që ofrojnë shërbime transporti të udhëtarëve se është hapur procedura për vazhdimin e lejes së punës për vitin 2026.

Sipas njoftimit, “Operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e transportit në linjat urbano-periferik në vendbanimet rurale, si dhe operatorët e Auto Taxi dhe Radio Taxi, janë të obliguar të aplikojnë për rinovimin e lejes së punës deri më 26 janar 2026.”

Dokumentacioni mund të merret dhe dorëzohet në Zyrën për Qytetarë të Komunës, ndërsa Drejtoria paralajmëron: “Operatorët që nuk pajisen me vazhdimin e lejes së punës brenda afatit do të përballen me masa ndëshkuese dhe parandaluese sipas legjislacionit në fuqi.”

Për informacion të detajuar mbi kushtet dhe mënyrën e aplikimit, operatorët mund të konsultojnë vegëzat e bashkangjitura:

  • Autobus dhe Minibus – linjat për vendbanimet rurale (2026): [link]
  • Auto Taxi dhe Radio Taxi (2026): [link]
/Telegrafi/


Treni Pejë – Prishtinë – Pejë rifillon qarkullimin pas pengesave që kishin në shina

6 January 2026 at 12:05


Trainkos ka njoftuar udhëtarët se treni në linjën Pejë – Prishtinë – Pejë do të rifillojë qarkullimin duke ndjekur Orarin e Lëvizjes së trenave.

Sipas njoftimit, “Treni niset nga Peja në orën 12:10,” bëhet e ditur nga Trainkos.

Kompania falënderon udhëtarët për durimin gjatë ndërprerjes së mëparshme dhe rikujton se ekipet janë vazhdimisht në terren për të siguruar qarkullim të sigurt dhe në kohë. /Telegrafi/


❌
❌