Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Ditjona Statovci në postin e drejtoreshës së Drejtorisë së Administratës.
Sipas njoftimit të Komunës, Statovci ka përfunduar studimet për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT).
Ajo ka përvojë profesionale në sektorin civil dhe privat, duke mbajtur pozita të ndryshme në organizata joqeveritare, si dhe duke punuar si koordinatore projektesh dhe promovuese në disa kompani private.
Me rastin e emërimit, kryetari Bulliqi i ka uruar drejtoreshës së re suksese dhe punë të mbarë në ushtrimin e detyrës, duke shprehur besimin se ajo do të kontribuojë në përmirësimin e funksionimit dhe shërbimeve të administratës komunale. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Valbona Ibishi-Azemin në pozitën e drejtoreshës së Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport.
Sipas njoftimit të Komunës së Podujevës, Ibishi-Azemi ka përfunduar studimet bachelor në Universitetin “Dardania” në drejtimin Juridik, si dhe studimet bachelor për Gjuhë Angleze dhe Letërsi Amerikane në të njëjtin universitet.
Ajo ka përfunduar gjithashtu studimet postdiplomike, nivel master, në fushën e Gjuhës Angleze dhe Letërsisë Amerikane.
Në aspektin profesional, nga viti 2010 Ibishi-Azemi ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës angleze në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Zahir Pajaziti” në Orllan. Gjatë mandatit të kaluar, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës së Administratës Komunale në Podujevë.
Kryetari Bulliqi i ka uruar drejtoreshës së re suksese dhe punë të mbarë në ushtrimin e detyrës, duke shprehur besimin se angazhimi i saj do të kontribuojë në avancimin e fushës së kulturës, rinisë dhe sportit në komunë. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Arbnorë Uka-Osmani drejtoreshë të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, duke i besuar drejtimin e sektorit kyç financiar të komunës.
Arbnorë Uka-Osmani ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik, në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet, dhe ka një përvojë 16-vjeçare në sektorin bankar.
Gjatë karrierës së saj, ajo ka punuar si analiste për individë dhe biznese, si dhe si menaxhere për marrëdhënie me biznese.
Kryetari Bulliqi i uroi drejtoreshës Uka-Osmani suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re, duke theksuar rëndësinë e menaxhimit të përgjegjshëm të burimeve financiare të komunës. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka emëruar Behram Latifin drejtor të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.
Sipas njoftimit të komunës, Latifi ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, drejtimi i përgjithshëm. Ai ka përvojë profesionale në sektorin publik, ku ka shërbyer si zyrtar ligjor dhe zyrtar ekzekutiv në Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe në Inspektoratin e Punës, ku ka mbajtur disa pozita, përfshirë zyrtar të lartë për bashkëpunim profesional, ushtrues detyre i menaxherit të personelit dhe udhëheqës i Divizionit për Cilësi të Inspektimeve dhe Standardizim të Gjobave.
Po ashtu, Latifi ka përvojë edhe në sektorin privat, ku ka ushtruar detyra menaxheriale.
Kryetari Bulliqi i ka uruar Latifit suksese dhe punë të mbarë në detyrën e re, duke shprehur besimin se ai do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural në Komunën e Podujevës. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, zhvilloi një takim me qytetarë, ku prezantoi raportin e punës së Ekzekutivit për vitin 2025 dhe projektet që janë duke u realizuar.
Në fjalën e tij, Bulliqi theksoi se buxheti i vitit 2025, në vlerë prej 33,459,115 euro, është shpenzuar mbi 99 për qind. Ai prezantoi projektet kryesore që po vazhdojnë të realizohen, përfshirë ndërtimin e Pishinës Gjysmëolimpike në vlerë rreth 4 milionë euro, Qendrën Rezidenciale për të moshuar (2.5 milionë euro), Qendrën Multifunksionale (1 milion euro), Tregun e Gjelbër (1 milion euro), Kuzhinën Qendrore (700,000 euro) dhe ndërtimin e shkollave “Nuhi Gashi” në Bradash dhe “Jetullah Gashi” në Dobërdol, si dhe dy salla sportive.
“Te Drejtoria e Urbanizmit janë asfaltuar dhjetëra rrugë në qytet e fshatra dhe dhjetëra të tjera janë në proces. Përfshirë edhe rrugët e parapara në memorandumin me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bëhet fjalë për 50 km asfalt në vlerë mbi 9 milionë euro”, tha kryetari Bulliqi.
Ai gjithashtu përmendi projektet në sektorët e Shërbimeve Publike, përfshirë kolektorin e ujërave të zeza, ndërtimin e urave, ndriçimin publik dhe rrugët me kubëza. Në kulturë, u përmend ndërtimi i aneksit dhe rinovimi i Teatrit “Avdush Hasani” si dhe ndërtimi i terreneve sportive. Në shëndetësi, investimet përfshinë blerjen e pajisjeve, furnizimin me barna dhe subvencionimin e 991 qytetarëve me sëmundje kronike, si dhe mbështetjen e OJQ-ve si Hendikosi, Autizmi dhe OFAP.
Në bujqësi, komuna ka dhënë subvencione për fermerë, furnizim me fidanë mjedrash dhe feferonash, ndërsa janë në proces dhënia e 162 mëshqerrave. Në arsim, u theksua ndërtimi i çerdheve, përmirësimi i katër shkollave me masa efiçiente në vlerë 698,728.80 euro, furnizimi me kabinete informatike dhe për shkencat natyrore, si dhe bursa për studentë. Zhvillimi ekonomik përfshin mbështetjen e bizneseve ekzistuese dhe startup-eve dhe rregullimin e hapësirave publike në fshatrat Kerpimeh, Sfeçël, Llapashticë dhe Dumnicë.
Pas prezantimit të raportit, kryetari Bulliqi hapi diskutimin me qytetarët, të cilët parashtruan kërkesat e tyre dhe morën përgjigje direkte nga kryetari.
“Ky takim është një mundësi për të diskutuar drejtpërdrejt me qytetarët dhe për të ndarë rezultatet e punës së Ekzekutivit në mënyrë transparente”, tha Bulliqi. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka lëshuar një urdhëresë për ndalimin e përdorimit të mjeteve piroteknike dhe eksplozive në sheshe, rrugë, tregje dhe hapësira të tjera publike në të gjithë territorin e komunës.
Sipas urdhëresës, ndalesa hyn në fuqi nga data 22 dhjetor 2025 dhe do të vlejë deri më 3 janar 2026.
Personat që nuk respektojnë këtë vendim do të përballen me gjoba sipas rregullativës ligjore në fuqi.
Zbatimi i urdhëresës do të monitorohet nga Drejtoria e Inspekcionit, ndërsa qytetarët janë ftuar të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat për të parandaluar aksidentet gjatë festave të fundvitit. /Telegrafi/
Kandidati për deputet nga LVV, Glauk Konjufca, shoqëruar nga kryetari Qemajl Aliu, ka takuar të rinjtë e vullnetarët e Shtimes.
Ai ka theksuar se angazhimi i përbashkët duhet të vazhdojë për të vazhduar përpara rrugën e nisur të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ndërsa në Podujevë, bashkë me kryetarin Shpejtim Bulliqi, ka takuar vullnetarët atje, duke vlerësuar vullnetin e përkushtimin e tyre për fitoren e 28 dhjetorit.
Me qytetarët e Ferizajt e me qytetarët e Sllovisë së Lipjanit, Konjufca ka folur për punët e mira të Qeverisë Kurti, duke theksuar nevojën e vendosmërinë që të dielën e 28 dhjetorit të vazhdohet edhe për katër vite të tjera me siguri dhe begati, me Lëvizjen Vetëvendosje dhe numrin 116.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë një sërë emërimesh dhe riemërimesh në kabinetin ekzekutiv komunal, duke finalizuar përbërjen e udhëheqjes për mandatin e ri qeverisës.
Me këtë vendimmarrje, Fahri Restelica është emëruar Nënkryetar i Komunës së Podujevës. Ai ka përfunduar studimet në Fakultetin e Shkencave Politike dhe prej vitit 2008 ka ushtruar detyrën e zyrtarit të lartë në Agjencinë për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Restelica për disa vite ka qenë edhe koordinator i Lëvizjes Vetëvendosje në Besianë. Kryetari Bulliqi e ka uruar për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në punë.
Në vazhdën e emërimeve, Bahri Selimi është riemëruar drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim.
Selimi, jurist me profesion dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka drejtuar këtë drejtori edhe në mandatin e kaluar, ndërsa më herët ka udhëhequr Drejtorinë e Administratës.
Saranda Stublla është riemëruar drejtoreshë e Drejtorisë për Pronë, Kadastër dhe Gjeodezi. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik dhe këtë pozitë e ka ushtruar edhe gjatë mandatit të kaluar.
Shuajb Blakçori do të vazhdojë të udhëheqë Drejtorinë e Inspeksionit. Ai ka studiuar në Fakultetin Ekonomik, ndërsa studimet e magjistraturës i ka përfunduar në drejtimin Ekonomi e Gjelbër dhe Zhvillim i Qëndrueshëm Ekonomik.
Blakçori ka përvojë të konsiderueshme menaxheriale në sektorin privat dhe më herët ka shërbyer edhe si drejtor i Administratës në Podujevë.
Po ashtu, Vigan Salihu është riemëruar drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik. Ai ka përfunduar studimet master në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në drejtimin Agrobiznes dhe është i certifikuar në standardet e sigurisë ushqimore. Salihu më parë ka udhëhequr edhe Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Podujevës.
Kryetari Shpejtim Bulliqi ka uruar të gjithë të emëruarit për detyrat e reja dhe ka theksuar rëndësinë e punës profesionale dhe bashkëpunimit të ngushtë për avancimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin e qytetit. /Telegrafi/
Pas reshjeve të dendura të shiut që kanë nisur që nga mesnata, në Komunën e Podujevës është shënuar rritje e nivelit të ujit të lumenjve dhe përroskave.
Megjithatë, autoritetet lokale njoftojnë se situata aktualisht paraqitet stabile dhe pa rrezik të menjëhershëm, përcjell Telegrafi.
Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se po e monitoron gjendjen në terren në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa ekipet emergjente dhe ato të mirëmbajtjes janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në rast të paraqitjes së ndonjë problemi.
Qytetarët janë njoftuar që për çdo rast urgjence të kontaktojnë numrat zyrtarë të shërbimeve emergjente: Policia: 192, Zjarrfikësit: 193, Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Shpëtimit: 044 238 221.
Komuna apelon për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, veçanërisht në zonat pranë rrjedhave ujore. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe përfaqësuesja e Iniciativës “Education Empowerment Initiative” (EEI), Blerta Aliu, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për zbatimin e projektit “Edukimi Medial – Ekspertiza Nordike në Arsim”.
Ky projekt ka për qëllim forcimin e edukimit medial, sigurisë digjitale dhe mendimit kritik tek mësimdhënësit dhe nxënësit, si dhe promovimin e një qasjeje bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor, përcjell Telegrafi.
Me këtë marrëveshje, Komuna e Podujevës dhe EEI synojnë të ndihmojnë mësimdhënësit dhe nxënësit që të zhvillojnë aftësi për t’u orientuar me përgjegjësi në hapësirën digjitale dhe për të njohur e parandaluar dezinformimin.
Kryetari Shpejtim Bulliqi theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke e cilësuar si një domosdoshmëri në kohën e përdorimit masiv të teknologjisë dhe përhapjes së informacionit të rremë në platforma të ndryshme online.
Sipas marrëveshjes, ekspertët nordikë do të zhvillojnë një program “Training of Trainers” për ekipin lokal të EEI-së, me qëllim që ata të jenë të përgatitur për trajnimin e mësimdhënësve në shkollat e Podujevës.
Pas përfundimit të programit, trajnerët e certifikuar do të organizojnë sesione trajnimi me 30 deri në 40 mësimdhënës në shkollat e përzgjedhura, me fokus në: edukimin medial dhe analizën kritike të burimeve të informacionit, sigurinë digjitale dhe sjelljen e përgjegjshme në internet, parandalimin e dezinformimit dhe përmbajtjeve të dëmshme online.
Kohëzgjatja e këtij memorandumi është 18 muaj. /Telegrafi/
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetar të Podujeves pa balotazh, me 53% të votave. Kundërkandidatët e tij, Ekrem Hyseni nga LDK ka marrë 39%, Isak Shabani nga PDK 6%, Baki Feta nga AAK 0.85% dhe Xhemajl Hasani nga NISMA 0.50%.
I ftuar në “Kallxo Përnime”, Shpejtim Bulliqi i LVV-së ka folur për rezultatet e zgjedhjeve në Podujevë, por dhe për zhvillimet për formimin e Qeverisë.
Për Bulliqin koalicioni më i qëndrueshëm për Qeverinë e ardhshme do të ishte me Lidhjen Demokratike të Kosovë (LDK).
“Unë besoj që kryeministri është duke u përpjekur për të bërë numrat për të bërë qeverinë e re. Unë besoj që Kosova do të ketë qeverinë e re. Unë mendoj që koalicioni me LDK kish qenë më i qëndrueshmi për këtë mandat. Nuk kam informacione të sakta nëse veç kanë fillu të paktën këto procese për negociata. Pranverën e ardhshme e kemi çështjen e presidentit dhe nëse do të bëhen dy subjekte bashkë që potencialisht mund ta tejkalojnë sfidën e presidentit pa ndonjë telashe mendoj që do të ishte koalicion i qëndrueshëm. Më shumë janë kamuflazhe këto gjëra, kush ka raporte të këqija me Amerikën”- tha ai.Duke folur për postin e presidentit të Kosovës, Bulliqi tha se ai mund të jetë një nga kompromiset që do të mund të bëhet.
“Unë besoj që kanë nisë negociatat por këto javët e fundit kanë qenë intensive për shkak të zgjedhjeve lokale. Besoj që në momentin që vjen koha do të jenë numrat. Nëse hymë në një koalicion ne duhet të bëjmë kompromise, dhe njëri nga kompromiset mund të jenë posti i presidentit. Kjo çështje nuk duhet të bëhet mollë sherri”- tha ai.
“Ne jemi të gatshëm me çdonjërin prej subjekteve politike. Përveç me PDK që me ata është thënë jo. Por me subjektet e tjera që janë të gatshme për të ndihmuar. Unë nuk e di dhe nuk mund të përgjigjem me korrektësi nuk e di në çfarë raporti është LVV me AAK. Sipas mendimit tim koalicion i qëndrueshëm do të ishte me LDK. Ne këtë momentum që jemi askujt nuk i konvenon të shkojmë në zgjedhje të reja e aq më pak disa partive opozitare”- deklaroi ai./Kallxo.com
Në zgjedhjet lokale, disa kryetarë komunash kanë arritur të sigurojnë mbështetje të madhe qytetare, duke fituar me përqindje të larta të votave në komunat e tyre.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), aktualisht kryetari me përqindjen më të lartë të votave është Sami Lushtaku, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili fitoi në Komunën e Skenderajt me 83.45% të votave, duke lënë prapa të gjithë kandidatët e tjerë në nivel vendi.
Pas tij renditet Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili fitoi 58.78% të votave në Komunën e Istogut.
Në vendin e tretë është Agim Aliu nga PDK, që fitoi 56.47% të votave në Ferizaj.
I katërti në këtë listë është Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 53.42% në Podujevë, ndërsa menjëherë pas tij renditet Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, i cili mori 53.41% të votave në Malishevë.
Lista vazhdon me Ramiz Lladrovcin, kandidat i pavarur në Komunën e Drenasit, i cili fitoi me 52.32% të votave, dhe më pas me Bashkim Ramosajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që fitoi 51.57% në Deçan.
Ndërsa në fund të listës së kryetarëve që fituan me përqindje të larta janë:
Imri Ahmeti (LDK) – Lipjan me 51.15% të votave.
Mehmet Ballazhi (PDK) – Hani i Elezit me 50.94% të votave.
Kadri Rahimaj (LVV) – Kamenicë me 50.56%.
Qemajl Aliu (LVV) – Shtime me 50.47% të votave. /Telegrafi/
Në Komunën e Podujevës po vazhdon me ritme të shpejta procesi i numërimit të votave për kryetar komune.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 20:34 janë procesuar 28 nga gjithsej 113 vendvotime, që përbën 24,78% të totalit.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje!, Shpejtim Bulliqi, kryeson bindshëm me 51,57% të votave, që përkthehet në 4,555 vota.
Në vendin e dytë ndodhet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni, me 40,13% ose 3,545 vota të numëruara deri tani.
Ndërsa në vendin e tretë është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Isak Shabani, me 6,87% apo 607 vota.
Kandidatët tjerë kanë marrë përqindje më të ulëta:
Në ora 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e vendvotimit, të cilat kanë qenë të hapura që nga ora 07:00.
UBO Consulting ka publikuar rezultatet e Exit Poll-it në RTV Dukagjini, duke treguar se cilat komuna kanë fitues që nga raundi i parë dhe cilat do të shkojnë në balotazh.
Këto janë rezultatet: Shpejtim Bulliqi LVV 51.6%. Ekrem Hyseni LDK 37.8%, Isak Shabani PDK 9.9%. Baki Feta AAK 0.7%. /Telegrafi/
Komuna e Podujevës ka nisur sot ndërtimin e Parkut Bujqësor në fshatin Sfeçël, një projekt unik në nivel vendi që synon modernizimin dhe zhvillimin e sektorit të bujqësisë, përcjell Telegrafi.
Në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, deputetë, drejtorë e zyrtarë komunalë, si dhe banorë të zonës.
Ky projekt, me vlerë prej 1.4 milionë euro, pritet të shndërrojë Sfeçlën në një qendër të re të inovacionit bujqësor. Parku do të shtrihet në një sipërfaqe prej 6 hektarësh dhe do të përfshijë serra të madhësive të ndryshme për kultivimin e kulturave bujqësore, duke krijuar kushte të përshtatshme për prodhim, zhvillim dhe trajnime profesionale.
Kryetari Shpejtim Bulliqi tha se ky është një projekt strategjik për zhvillimin ekonomik të komunës:
“Ky park bujqësor do të krijojë kushte moderne për kultivim dhe inovacion në bujqësi. Synimi ynë është që Podujeva të bëhet shembull i zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe i përkrahjes për fermerët tanë.”
Ai falënderoi gjithashtu Organizatën “Qatar Charity”, e cila ka financuar hartimin e projektit, duke theksuar se bashkëpunime të tilla janë thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm të komunës.
Ky investim shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të bujqësisë lokale dhe rritjes së prodhimit vendor në komunën e Podujevës. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Peshkatarëve Sportivë dhe Rekreativë “Llapi”, të cilët së fundmi kanë fituar Kampionatin e Kosovës në disiplinën e Krapit – Krapiada 2025.
Në takim morën pjesë kryetari i shoqatës, Mirsim Topanica, si dhe anëtarët Labinot Babatinca, Argjent Abiti dhe Shpend Lahu, të cilët përfaqësuan me sukses komunën e Podujevës në këtë garë kombëtare, përcjell Telegrafi.
Kryetari Bulliqi i përgëzoi peshkatarët për arritjen e tyre, duke theksuar se ky sukses është rezultat i përkushtimit, bashkëpunimit dhe pasionit për sportin e peshkimit, si dhe një dëshmi e potencialit që ka Llapi në aktivitete sportive dhe rekreative.
Ai uroi që shoqata të vazhdojë me suksese edhe në garat e ardhshme, duke promovuar sportin dhe turizmin rekreativ në komunën e Podujevës. /Telegrafi/
Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë organizuan një aksion vullnetar për dhurim gjaku, i cili u zhvillua në ambientet e Urgjencës së re të qytetit.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte përmbushja e nevojave të pacientëve dhe sigurimi i gjakut për trajtimin e rasteve emergjente në spitalet e Kosovës, përcjell Telegrafi.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, falënderoi qytetarët për përgjigjen e tyre të shpejtë dhe pjesëmarrjen aktive në këtë iniciativë humanitare.
“Ky është një shembull i mirë i humanizmit të qytetarëve. Dhurimi i gjakut nga ata që gëzojnë shëndet të mirë mund t’ua shpëtojë jetën atyre që janë duke u trajtuar në spitalet e Kosovës”, tha Bulliqi.
Aksioni u prit me interesim të madh nga qytetarët, duke reflektuar vullnetin e komunitetit për të kontribuar në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të tjerëve. /Telegrafi/
Shpejtim Bulliqi, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Podujevën, ka marrë mbështetje të fuqishme nga personeli arsimor dhe shëndetësor në tubimin e mbajtur sonte.
Ai theksoi punën e bërë në ndërtimin e shkollave, çerdheve dhe përmirësimin e kushteve për mësimdhënie, si dhe avancimet në shëndetësi me pajisje moderne dhe infrastrukturë të re.
Personeli arsimor dhe shëndetësor vlerësuan ndryshimet e prekshme të qeverisjes dhe shprehën përkrahjen për vazhdimin e këtij rrugëtimi.
“Jemi bashkë për arsimin, shëndetësinë dhe secilën sferë të jetës,” tha Bulliqi.
Komuna e Podujevës ka shpërndarë sot 10 laktofrizë me kapacitet prej 300 litrash për fermerët llapjanë, në kuadër të projektit “Furnizim me pajisje për blegtori – Lot II”.
Në ceremoninë e dorëzimit morën pjesë kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, dhe drejtoresha e Bujqësisë, Lirie Hoti, përcjell Telegrafi.
Kryetari Bulliqi uroi fermerët përfitues dhe theksoi përkushtimin e komunës për të mbështetur vazhdimisht sektorin e bujqësisë. “Ndihma për fermerët do të jetë e vazhdueshme, sepse fuqizimi i blegtorisë dhe bujqësisë është prioritet i yni”, tha ai.
Projekti ka një vlerë prej mbi 41 mijë euro dhe përfshin, përveç laktofrizëve, edhe mikserë për përzierjen e ushqimit të kafshëve, të cilët do të shpërndahen në ditët e ardhshme. /Telegrafi/
Kandidati për kryetar të Podujevës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi, ka zhvilluar sot një takim me gra dhe vajza të komunës, duke theksuar rolin e tyre vendimtar në procesin zgjedhor të 12 tetorit.
Në këtë takim, Bulliqi tha se mbështetja e grave dhe vajzave është forca më e madhe e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë, ndërsa bashkë me kandidatet për asamblenë komunale prezantoi arritjet e mandatit aktual dhe zotimet për një mandat të ri.
“Gjatë këtij mandati kemi dëshmuar rezultate të prekshme, ndërsa për mandatin e ardhshëm kemi përgatitur plane konkrete që do të sjellin zhvillim dhe transformim për Podujevën. Bashkë me gratë dhe vajzat, ne do të vazhdojmë rrugën e ndryshimit", tha Bulliqi.
Ai shtoi se programi i ri do të fokusohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mundësive për të rinjtë dhe gratë, duke i përfshirë ato drejtpërdrejt në vendimmarrje.
“Bashkë për gratë, bashkë për Podujevën!”, ka shtuar Bulliqi.