TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencë për shtyp pas vizitës në Strasburg u shpreh se situata në vend që e cilësoi katastrofale, do rregullohet vetëm me protestat qytetare.
Berisha paralajmëroi protestë tjetër kombëtare pas asaj të 24 janarit.
Kreu i PD-së deklaroi se opozita është e vendosur që të përballet “dhëmb për dhëmb” me këtë regjim.
“Jehona e protestës ishte e fuqishme. Pritej nga miqtë tanë protesta e dytë, po me aq insistim sa ç’pritet nga të gjithë opozitarët shqiptarë. Qytetarët do flasin shumë shpejt dhe ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim”, tha ai.
Berisha ftoi qytetarët dhe opozitën që të vazhdojnë “këtë betejë gjer në fitoren tone”. Sipas tij, shpresa e vetme është opozita.
I pyetur në lidhje me imunitetin e deputetes Belinda Balluku, Berisha tha se “Edi Rama po tërheq zvarrë dhe poshtëron Gjykatën Kushtetuese”.
Sipas Berishës, Gjykata Kushtetuese nuk duhet të shqyrtonte çështje pa kaluar në Apel dhe në Gjykatën e Lartë.
Ai shtoi se “vetëm protesta është rruga e vetme, shpresa e vetme që shqiptarët t’i japin narkodiktatorit atë që i dhanë dikur diktaturës së parë”.
“Prandaj dhe do flasin qytetarët. Është koha e qytetarëve tani, nuk ka asnjë surprizë”.
Berisha tha se Rama duhet të japë dorëheqjen e të largohet menjëherë nga qeveria.
“Të japë dorëheqjen dhe të krijojë qeveri teknike për të bërë zgjedhje dhe të mos bllokohet drejtësia”, përfundoi kreu i Partisë Demokratike. /m.q/j.p/
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, deputeti i Partisë Demokratike, Isuf Çelaj, ngriti shqetësimin në lidhje me sjelljen e policisë gjatë protestës së opozitës më 24 janar.
Çelaj theksoi se qëndrimi i “forcave të policisë ndaj protestës së opozitës, ka qenë jo korrekt dhe joproporcional me shkallën e veprimit të protestuesve”.
Deputeti demokrat kërkoi nga kryetari i komisionit, Bledi Çuçi, që të mbajë qëndrim në lidhje me fjalët e përdorura nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së në parlament, sipas tij, të papërshtatshme.
“Ata janë njerëz që dalin aty për të protestuar kundër korrupsionit tuaj në këto 13 vite, kundër moszbatimit të ligjit, kundër shpopullimit, kundër diskriminimit, kundër varfërisë. Dalin për të luftuar ndryshimin dhe sjelljen e Shqipërisë në binarët e ligjit. Arrestuan fëmijë 10-vjeçarë dhe ministrja del dhe thotë se qëlloi me gurë policinë”, tha ai.
Shqetësimit të deputetit demokrat iu përgjigj ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, i cili deklaroi se qëndrimi i qeverisë është i qartë dhe i pandryshuar, respekton protestën si një të drejtë kushtetuese.
“Një sqarim për sa i përket insinuatës që ju ngritët ose ankesës që ngritët me të drejtë në fillim të kësaj seance për sa i përket protestës dhe protestuesve. Dua t’ju them që qeveria shqiptare respekton pafundësisht protestën është e drejtë kushtetuese.”
Ministri rikujtoi ngjarjet e 21 janarit dhe përkujtimin çdo vit të 4 dëshmorëve të atdheut.
“Nga ana tjetër ju e keni parë që si forcë politike në çdo janar të nderojmë protestues të paqtë që janë vrarë me duar në xhepa në mes të bulevardit dhe, duke pritur që drejtësia shqiptare të vendosë atë të drejtë të mohuar për shumë vite dhe që është një plagë që rrjedh ende gjak atje. Në nivel personal, ju e dini që unë i përkas një tradite fetare që protestën e ka gjenezën e vet”, tha ministri i Shtetit, në përgjigje të deklaratave të opozitës.
Në vijim të diskutimeve në Komision, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin iu përgjigj edhe aludimeve për keqmenaxhim dhe korrupsion, duke theksuar se Shqipëria ka kaluar në një fazë tjetër falë reformës në drejtësi dhe vullnetit politik.
“Nuk është që nuk ka pasur abuzime në 2013, por sot për shkak të këtij vullneti politik dhe për shkak të asaj reforme në drejtësi, ne mund të parandalojmë përmes administrimit, gjë që po ndodh,” deklaroi ministri.
Sipas tij, projektet e financuara nga Bashkimi Europian dhe instrumentet IPA po shërbejnë jo vetëm për zhvillim, por edhe për forcimin e kapaciteteve administrative, duke ndihmuar në ndarjen e keqfunksionimit nga korrupsioni.
Ministri akuzoi opozitën se po e politizon debatin dhe se çdo problem përpiqet ta etiketojë si korrupsion.
“Ju duket e gjitha korrupsion, sepse në forcën tuaj politike e keni të ngjizur korrupsionin nuk po ndaheni dot nga ajo që e keni vetë. Ju e dini vetë se keni bërë disa komisione kuvende që përpiqeni ta gjeni, kush korruptoi, kallëzime keni dhe ato kallëzimet që i bëni njëri-tjetrin për korrupsion” tha ministri.
Në përmbyllje, ministri bëri thirrje që diskutimi të mos politizohet dhe të mbetet në nivel teknik, veçanërisht sa i përket çështjeve të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian.
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi sot në Kryesinë e Kuvendit takim me Andreas Schieder, raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë.
Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të anëtarësimit, arritjet për vijimin e reformave, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Peleshi nënvizoi rritjen e rolit të Kuvendit në procesin e anëtarësimit dhe vijimin e negociatave, nëpërmjet përmirësimeve ligjore e strukturore, për rritjen e funksionit legjislativ dhe mbikëqyrjes parlamentare, me fokus të veçantë përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.
Në takim u theksua gjithashtu mbështetja e gjerë popullore dhe nevoja e rëndësia e konsensusit politik e parlamentar dhe marrja e përgjegjësive të përbashkëta për integrimin europian.
Në fokus të diskutimit ishte edhe përparimi në përmbushjen e kritereve të kapitujve 23 dhe 24, liria e medias, forcimi i institucioneve të pavarura dhe ndjekja nga Kuvendi e rekomandimeve të Komisionit Europian për vitin 2025. U vlerësua qasja e bazuar në rezultate dhe rëndësia e zbatimit në praktikë të reformave transformuese.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Europian për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë, ndërsa raporteri Schieder riafirmoi angazhimin për ta mbështetur këtë avancim, nëpërmjet rritjes së ndërveprimit të Parlamentit Europian me Kuvendin. /j.p/
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dënoi tre ish-zyrtarë të bashkisë së Tiranës për shkelje të barazisë në tendera e kryer në bashkëpunim, në lidhje me dosjen “5D”.
Vendimi u mor sot nga gjyqtarët Miliana Muça (kryesuese), Saida Dollani (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), pas ankimimeve të të pandehurve, Eglantina Zere, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulato vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më 17 qershor 2025.
Apeli i GjKKO ndryshoi vendimin e GjKKO-së për Eglantina Zere, ish-drejtuese e autoritetit kontraktor “Tirana Parking”. Eglantina Zere u dënua me shërbim prove për dymbëdhjetë muaj për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim. Zeres gjithashtu i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Gjithashtu Apeli GJKKO ndryshoi edhe vendimin për Rivjola Baxhan, Enkelejda Qytan, Bruno Koçin dhe Kristo Zhulaton, anëtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), të cilët u lanë në shërbim prove për dymbëdhjetë muaj, për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim
Atyre u hiqet edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit ndryshoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për prokurorin e Tiranës, Lazër Çardaku, duke e rikthyer në detyrë.
Vendimi u mor dje nga trupi gjykues i KPA-së, i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Sokol Çomo relator, Albana Shtylla, Ina Rama, Mimoza Tasi anëtare.
Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi me shumicë votash ndryshimin e vendimit të KPK-së marrë më 8 nëntor 2024.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori i Tiranës, Lazër Çardaku, u shkarkua nga detyra për probleme në kriterin e pasurisë, që në vlerësimin tërësor u konsideruan se e vendosnin në kushtet e cenimit të besimit të publikut te drejtësia. Ndërkohë, Çardaku u vlerësua i besueshëm në kriterin e figurës dhe se kishte arritur nivelin minimal kualifikues për profesionalizmin.
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar katalogun e përditësuar të mjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke vijuar procesin e transparencës dhe informimit publik mbi pasuritë që administrohen nga shteti. Ky publikim vjen vetëm pak ditë pasi AAPSK bëri publikë edhe katalogët e përditësuar të pasurive të tjera të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke ofruar një panoramë më të plotë të portofolit të pasurive nën administrim.
Katalogu i mjeteve përfshin një gamë të gjerë automjetesh dhe mjetesh të tjera, të ndara sipas statusit ligjor, mjete të sekuestruara dhe mjete të konfiskuara, për secilën prej të cilave paraqiten të dhëna të detajuara mbi bazën ligjore të sekuestrimit apo konfiskimit, përshkrimin teknik, vitin e prodhimit, si dhe vlerën e përafërt të pasurisë. Dokumenti përfshin si automjete të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe mjete me vlerë më të lartë tregu, duke reflektuar diversitetin e pasurive të administruara nga agjencia.
Publikimi i këtij katalogu synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në informacion, duke i dhënë mundësi çdo pale të interesuar të njihet me pasuritë e luajtshme që ndodhen nën administrimin e AAPSK-së. Njëkohësisht, ky hap krijon bazën për procese të mëtejshme të administrimit, përdorimit ose tjetërsimit të këtyre pasurive, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësore përkatëse.
Në vijim të publikimit të katalogëve të përditësuar të pasurive të paluajtshme, katalogu i mjeteve plotëson mozaikun e informacionit mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara në Shqipëri. Kjo qasje e integruar e AAPSK-së shihet si një element i rëndësishëm për forcimin e besimit publik, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe promovimin e një administrimi sa më efikas të pasurive që kanë kaluar në administrim të shtetit.
TIRANË, 29 janar /ASTh/ Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në Konkursin Ndërkombëtar për “Shtëpinë e Re të Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore”.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama falënderoi arkitektët e mbledhur për këtë konkurs të radhës të organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve, e cila sipas kreut të qeverisë do të jetë “në funksion të krijimit të mëtejshëm të kushteve për të përfituar nga partneriteti publik privat, hapësira të reja për funksione publike”.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë falënderoi edhe arkitektët që pranuan të jenë pjesë e kësaj jurie ndërkombëtare.
“Jam i bindur se do të kemi përsëri një ditë intensive emocionesh krijuese dhe një tjetër arsye për t’u ndjerë mirë në fund të ditës, duke arritur të vendosim një projekt tjetër në radhët e këtyre projekteve që siç prezantoi edhe drejtoresha e Korporatës Shqiptare të Investimeve, janë tanimë në një fazë të avancuar dhe madje një pjesë e tyre janë gati për të marrë lejen e zhvillimit dhe për të filluar nga puna”, tha Rama.
Rama tha se falë këtij procesi do të realizohen disa projekte, duke përfshirë ndërtimin e Bibliotekës Kombëtare, Pallatin e ri të Sportit, një stadium të ri si dhe zyra të reja për administratën shtetërore.
“Falë këtij procesi do të kemi pas kaq vitesh një stadium të ri të përmasave evropiane, një tjetër vepër arkitektonike të denjë për historinë e re që po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh; Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i më se i nevojshëm prej vitesh dhe njëkohësisht një tjetër vepër e spikatur në historinë jo thjesht të vendit tonë, por të arkitekturës bashkëkohore; do të kemi një kompleks të ri zyrash për administratën për një numër të konsiderueshëm institucionesh; Pallatin e ri të Sportit një vepër mbresëlënëse”, tha Rama.
Duke folur për projektet e reja që hyjnë sot në garën ndërkombëtare, Rama tha se i hapet rruga dy drejtimeve të reja për të ardhmen duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë të duart e solidaritetit të shoqërisë; jetimet dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të inspektorateve.
Rama nënvizoi se Shqipëria tashme është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkëkohore.
“Dua t’i përgëzoj dhe të gjitha studiot lokale që janë këtu të pranishme si partner të studiove ndërkombëtare, se ndërkohë që zhvillohen projekte, lidhen marrëveshje të reja. Shqipëria është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkohore, si një vend që ka një përqendrim të madh arkitektesh ndërkombëtar me shumë zë”, tha Kryeministri.
“Shqipëria është njëkohësisht dhe një universitet i hapur që u jep mundësi arkitektëve të rinj shqiptarë, studiove të reja në Shqipëri, që përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me këta mjeshtra dhe studio të mëdha me plot eksperiencë të marrin dije dhe të përfitojnë eksperienca që nuk ka asnjë universitet apo praktike punë në një studio të huaj që t’i jep”, tha Rama.
Para jurisë ndërkombëtare prezantohen sot projekt-idetë: Shtëpinë e Re të Fëmijëve, një hapësirë moderne dhe dinjitoze, e konceptuar për mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve pa kujdes prindëror si dhe kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore, që synon bashkimin e institucioneve inspektuese në një strukturë funksionale, më efikase dhe më të aksesueshme, në shërbim të qytetarëve. /j.p/
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se i gjithë sistemi i teknologjisë së informacionit të qeverisë është i bllokuar, duke e bërë praktikisht të pamundur marrjen e shërbimeve bazë nga tatimet, institucionet publike dhe platforma e-Albania.
“Biznesi është në krizë. Profesionistët e lirë po vuajnë më shumë se kushdo tjetër,” thekson ajo.
Tabaku theksoi se profesionistët e lirë nuk arrijnë dot të kryejnë veprimet më elementare: të gjenerojnë fatura, të llogarisin kostot apo të bëjnë një analizë minimale të punës së tyre ditore përmes sistemit self-care.
“Imagjinoni një profesionist të lirë, një biznes i vogël që punon nga mëngjesi në darkë, dhe nuk arrin dot të nxjerrë as një faturë të vetme,” thekson ajo.
Sipas deputetes së PD-së, bëhet fjalë për tatimpagues të rregullt, njerëz korrektë me shtetin, të cilët paguajnë taksa të rritura dhe kosto të larta fiskalizimi, por nuk marrin as shërbimin minimal në këmbim.
“Kjo është ‘qeveria e shërbimeve’. Kjo është qeveria e medaljeve të kota,” deklaron Tabaku, duke ngritur pyetjen se kush do të mbajë përgjegjësi për këtë situatë.
Në përfundim, ajo e cilëson realitetin aktual si paradoksal: një Shqipëri e shpallur ‘digjitale’, që nuk ofron dot as certifikata për biznesin dhe që ndaj sipërmarrjes shqiptare përgjigjet vetëm me “ERROR 404”.
Sipas saj, ky kolaps digjital po e zhyt biznesin në krizë dhe po minon besimin e qytetarëve te shteti.
TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri sot të ditur se mbi 345 milionë lekë dëmshpërblime janë dhënë për 15 bashkitë e prekura nga zjarret e verës.
Konkretisht, ministri publikoi edhe shifrat për ndarjen e dëmshpërblimeve nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, sipas bashkive.
Vera e 2025-ës është cilësuar si më e vështira në Shqipëri për shkak të dëmeve të shumta nga zjarret. Kompensimi për dëmet nga zjarri përfshin periudhën nga 15 qershori deri më 15 shtator.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi zhvilloi një takim me Pauline Girerd dhe Rania Fakhoury nga Expertise France.
Ministria e Drejtësisë njoftoi se gjatë takimit u nënvizua rëndësia bashkëpunimit të deritanishëm mes palëve, veçanërisht në fushën e drejtësisë për të mitur dhe asistimit të institucioneve të drejtësisë.
Po ashtu, sipas ministrisë të Drejtësisë u diskutuan mundësitë konkrete për forcimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të ardhmen, në funksion të reformave dhe rezultateve konkrete në sigurimin e nje drejtësie më të afërt dhe në shërbim të qytetareve.
Expertise France, si një entitet publik mobilizon ekspertizën franceze dhe ndërkombëtare për të mbështetur në përcaktimin dhe zbatimin e politikave publike, që u përgjigjen sfidave institucionale, ekonomike, demografike dhe sociale. Expertise France ndihmon për një qasje të integruar të politikave publike.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Gjykata Kushtetuese rrëzoi sot kërkesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Beqaj kërkoi shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj tij; vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fuqi masën “arrest me burg”; si dhe vendimin e Gjykatës së Lartë e cila rrëzoi rekursin ndaj tij.
Gjithashtu, Beqaj, kërkoi rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për çështjen e tij.
Ilir Beqaj prej 4 korrikut 2024 ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK për abuzimet me fondet e BE në SASPAC, kur ishte në krye të kësaj agjencie.
Ndërsa për dosjen e “Sterilizimit”, ish-ministri po ndiqet në gjendje të lirë.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Presidenti Bajram Begaj zhvilloi mbrëmjen e sotme pritjen me përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri. Gjatë fjalës përshëndetëse, Begaj i ftoi ambasadorët ta shohin Shqipërinë si shtëpinë e tyre.
Begaj i cilësoi marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përkatësinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut si themelet e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar.
Kreu i Shtetit bëri të ditur qëndrimin aktiv të Shqipërisë përballë zhvillimeve komplekse botërore, orientimin e palëkundur euroatlantik dhe angazhimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, Begaj rikonfirmoi politikat e fqinjësisë së mirë, forcimin e bashkëpunimit me vendet e Ballkanit Perëndimor, mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës, faktorit shqiptar në rajon dhe forcimin e lidhjeve me diasporën.
Duke iu referuar tranzicionit global, Begaj theksoi se Shqipëria e vlerëson atë me një përgjegjësi dhe vëmendje të shtuar.
“Përkatësia euroatlantike dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë”, theksoi Begaj, “nuk janë thjesht për llogari gjeopolitike, por zgjedhje identiteti dhe vlera të patjetërsueshme”.
Dhe këto parime, sipas Kreut të Shtetit, nuk mbeten në nivel deklarativ, por përkthehen në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme.
Duke iu referuar marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Begaj u shpreh, ndër të tjera, se ky partneritet, më shumë se një aleancë politike e ushtarake, është një marrëdhënie e veçantë historike, e ndërtuar mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë.
Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës përmendi ftesën e presidentit Trump për përfshirjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Presidenti i Republikës e cilësoi atë si vlerësim të Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë si një partner të besueshëm, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar.
Duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Begaj theksoi progresin që është bërë së fundmi me grup-kapitujt e negociatave dhe reformat transformuese, të cilat kanë shënuar kalimin nga aspirata, në një angazhim të strukturuar dhe të bazuar në meritë.
Evropa, theksoi Kreu i Shtetit, mbetet një projekt paqeje dhe vlerash që ndërtohet mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe respektin për liritë individuale.
Begaj e cilësoi prioritet forcimin e Aleancës Veriatlantike në një epokë ku siguria nuk mund të merret më e mirëqenë, e për këtë theksoi kontributin aktiv të Shqipërisë duke investuar në mbrojtje moderne dhe siguri kibernetike.
Për sa u përket zhvillimeve në rajon, Begaj e cilësoi Shqipërinë si një spirancë të orientimit euroatlantik në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar faktin se Shqipëria mbetet promotore e dialogut dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, e mbështet fuqishëm Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe angazhohet për fqinjësi të mirë, dialog dhe integrim evropian si horizont i përbashkët.
Një mesazh të veçantë Presidenti i Republikës përcolli edhe për diasporën, duke shprehur mirënjohje për angazhimin e saj në hapjen e Shqipërisë për zhvillimin e turizmit, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të lidhjeve.
Duke iu referuar prioriteteve të këtij viti, Kreu i Shtetit theksoi se viti 2026 përfaqëson për Shqipërinë një moment të rëndësishëm konsolidimi institucional dhe afrimi me standardet evropiane.
“Synimi ynë është të thellojmë këtë hapje, të forcojmë besimin dhe të krijojmë kushte që lidhja mes Shqipërisë, diasporës dhe partnerëve tanë të përkthehet në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim të mëtejshëm evropian”, deklaroi Presidenti i Republikës, në pritjen e përvitshme me përfaqësues të Trupit Diplomatik në Shqipëri.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro zhvilloi sot një takim me ekipin e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.
Sipas ministres, takimi u zhvillua “për të bashkërenduar punën, komunikimin dhe informimin mbi organizimin e provimeve kombëtare, atyre të Maturës Shtetërore, regjistrimin e nxënësve, administrimin e provimeve të shtetit, të cilat janë vetëm disa prej shërbimeve që ky institucion mbulon”.
Kumbaro gjithashtu bëri të ditur gjithashtu se “përmes bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, është në fazën përfundimtare dokumenti ligjor që reformon Qendrën e Shërbimeve Arsimore në Agjenci të Shërbimeve Arsimore”.
“Një entitet autonom që do të vijë me standarde të përmirësuara në zgjerimin e kapaciteteve dhe ofertës së shërbimeve, por edhe me metodologji të unifikuara ndërkombëtarisht si një tregues i qëndrueshëm dhe i suksesshëm drejt digjitalizimit të proceseve arsimore dhe përafrimit me kornizat evropiane të cilësisë”, shkruan Kumbaro.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Bashkia e Shkodrës ka kryer një sërë ndërhyrjesh në infrastrukturën arsimore të qytetit, duke synuar përmirësimin e kushteve, që nga shkollat 9-vjeçare e deri te fakultetet.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale disa foto nga shkollat në të cilat janë kryer ndërhyrje, ndërsa thekson se “shkollat e Shkodrës po rilindin me kujdesin që u ka munguar ndër vite”.
Ndërhyrjet nuk janë kryer vetëm në aspektin estetik, por për të rritur funksionalitetin dhe për të krijuar një mjedis më dinjitoz për nxënësit dhe mësuesit.
Ministria e Arsimit gjatë vitit 2025 për infrastrukturën shkollore në Shkodër ndau 7 milionë euro.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale kujtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Mbrojtjes së të Dhënave Personale me një sërë aktivitetesh ndërgjegjësuese, edukative dhe bashkëpunuese, që synojnë forcimin e kulturës së mbrojtjes së të dhënave dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve në epokën digjitale.
Në kuadër të kësaj dite, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDPC) dhe Kolegji Universitar i Biznesit (KUB) bashkëorganizuan një leksion të hapur me studentët, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale.
Gjatë këtij aktiviteti, komisioneri Besnik Dervishi theksoi se “të dhënat personale janë identiteti ynë. Ato janë thelbësore për çdo fushë të jetës dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet me kujdes, përgjegjshmëri dhe në përputhje me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”. Ai shtoi se Zyra e Komisionerit, si autoritet mbikëqyrës, ka një rol të drejtpërdrejtë në garantimin e respektimit të ligjit në fusha të ndjeshme.
Rektori i Kolegjit Universitar të Biznesit, Ylber Bezo, përshëndeti aktivitetin dhe theksoi se bashkëpunime të tilla me Zyrën e Komisionerit janë shumë të rëndësishme për studentët, pasi i ndihmojnë ata të kuptojnë se mbrojtja e të dhënave personale është thelbësore dhe pjesë e përgjegjësisë qytetare dhe profesionale.
Drejtorja e Kabinetit, Besa Velaj, dhe Sekretarja e Përgjithshme, Blerta Nerguti, të cilat ishin pjesë e këtij leksioni të hapur, shpjeguan rrugëtimin e miratimit të ligjit nr. 124/2024, nevojën për përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), si dhe sfidat e zbatimit të tij në praktikë.
Nerguti u ndal te roli i këtij ligji në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se mbrojtja e të dhënave personale është një nga kërkesat themelore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe një indikator kyç i forcimit të shtetit të së drejtës.
Ndërsa Velaj foli për arsyet që sollën nevojën për miratimin e këtij ligji, duke theksuar zhvillimin e shpejtë teknologjik, rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e të dhënave personale dhe ndikimin e projekteve ndërkombëtare ku Shqipëria është e përfshirë.
Gjithashtu sot Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale organizoi një fushatë ndërgjegjësuese dhe edukative, që përfshiu edhe shkolla të ndryshme të kryeqytetit dhe aktivitete publike. Qëllimi i saj ishte të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të rinjve, mbi rëndësinë e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përdorimin e kujdesshëm të teknologjisë në mjedisin online.
Fushata u realizua në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Tiranës përmes shpërndarjes së posterave informues në ambientet shkollore dhe klasat e nxënësve. Posterat përmbajnë këshilla praktike për përdorimin e sigurt të internetit, ruajtjen e të dhënave personale dhe mbrojtjen e informacionit individual. Në qendër të fushatës së këtij viti qëndron mesazhi: “Kujdesi për të dhënat personale është respekt për lirinë dhe dinjitetin e secilit prej nesh!”, i cili pasqyron angazhimin e institucionit për të forcuar besimin e qytetarëve në përpunimin e drejtë dhe të ligjshëm të të dhënave personale, në përputhje me parimet e ligjit nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Zyra e Komisionerit nënvizoi se mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të forcuar respektimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale, për të rritur transparencën dhe përgjegjësinë institucionale, si dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme të mbrojtjes së të dhënave personale në Shqipëri.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka regjistruar një rritje të ndjeshme të të ardhurave nga qiradhënia gjatë vitit 2025, duke reflektuar një përmirësim të dukshëm të performancës krahasuar me një vit më parë.
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat vjetore nga qiradhënia arritën në rreth 221,5 milionë lekë në vitin 2025, nga 159,2 milionë lekë në vitin 2024. Diferenca prej 62,3 milionë lekësh përkthehet në një rritje rreth 39% në bazë vjetore, një tregues i qartë i eficiencës më të lartë në administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
Analiza mujore tregon se rritja nuk ka qenë sporadike, por e shpërndarë përgjatë gjithë vitit, me disa muaj që kanë dhënë një kontribut veçanërisht të fortë. Marsi 2025 rezulton muaji me rritjen më të madhe krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024, me një diferencë prej 11,8 milionë lekësh. Një tjetër muaj me performancë shumë të mirë është qershori, ku të ardhurat u rritën me rreth 8 milionë lekë, ndërsa dhjetori shënoi gjithashtu një rritje prej 7,5 milionë lekësh, duke e mbyllur vitin me nivelin më të lartë mujor të të ardhurave.
Në muajin e fundit të vitit të kaluar, të ardhurat arritën në 23,2 milionë lekë, ndërsa edhe shtatori dhe korriku ishin muaj me të ardhura të konsiderueshme nga qiradhënia. Kjo ecuri sugjeron jo vetëm rritje të vlerës së arkëtimeve, por edhe një planifikim më të mirë dhe një shfrytëzim më efektiv të portofolit të pasurive të administruara.
Rritja e të ardhurave nga qiradhënia lidhet drejtpërdrejt me përmirësimin e praktikave të mirëmenaxhimit, rritjen e transparencës dhe profesionalizmit në administrimin e aseteve publike që burojnë nga proceset e sekuestrimit dhe konfiskimit. AAPSK ka arritur të kthejë këto pasuri në burime konkrete financiare për buxhetin e agjencisë.
Një pjesë e këtyre të ardhurave është përdorur gjithashtu për të mbështetur drejtpërdrejt agjencitë ligjzbatuese, në funksion të forcimit të kapaciteteve të tyre në luftën kundër krimit të organizuar. Financimi i pajisjeve, logjistikës apo nevojave të tjera operacionale për institucione të drejtësisë dhe rendit publik përbën një element thelbësor në misionin e AAPSK.
Në këtë kontekst, të ardhurat nga qiradhënia nuk përfaqësojnë thjesht një tregues financiar, por edhe një instrument politikash publike, që lidh drejtpërdrejt miradministrimin e pasurive me forcimin e shtetit ligjor. Performanca e vitit 2025 konfirmon se një menaxhim aktiv, transparent dhe i orientuar drejt rezultateve mund të prodhojë një impakt të shumëfishtë – financiar, institucional dhe shoqëror.
TIRANË, 28 janar /ATSh/ Prezenca e OSBE-së në Shqipëri njoftoi sot se “mirëpret ndryshimet e fundit në Kodin Penal lidhur me shpifjen, si një hap të parë të rëndësishëm drejt forcimit të lirisë së shprehjes”.
Përmes një njoftimi për mediet, prezenca e OSBE-së nënvizon se “forcimi i mbrojtjes për gazetarët pasqyron një rekomandim të hershëm të OSBE-së”.
Prezenca e OSBE-së theksoi se “ne vijojmë të inkurajojmë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe përdorimin e masave civile proporcionale”.
Kuvendi miratoi sot në orët e para të mëngjesit me 85 vota pro, ndryshimet në Kodin Penal.
Sipas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ndryshimet në Kodin Penal forcojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe lirinë e medias, duke përjashtuar përgjegjësinë penale për gazetarët që veprojnë me mirëbesim dhe në interes publik, ndërsa ashpërson ndëshkimet për dhunën dhe kërcënimet ndaj tyre.
TIRANË, 27 janar /ATSh/ Gjykata e Tiranës caktoi masën “detyrim paraqitje” për 19 protestues të arrestuar gjatë tubimit të opozitës mbrëmjen e 24 janarit, raportojnë mediet.
Ata dyshohet se hodhën molotovë dhe fishekzjarrë në drejtim të Kryeministrisë dhe më pas qëlluan me gurë dhe sende të forta drejt Kuvendit, ku për pasojë mbetën të plagosur 11 efektivë.
Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar masën e arrestit në burg për 5 persona, arrest shtëpie për 5 të tjerë dhe detyrim paraqitje për 9 protestues.
Të pranishëm jashtë ambienteve të gjykatës, ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike, të cilin ishin në mbështetje të protestuesve.
Deputeti Klevis Balliu i quajti akuzat shpifje, ndërsa deklaroi se, policia do të mbajë përgjegjësi për veprimet e saj.
“Arrestimi i patolerueshëm, kriminal, terrorist, i një 10 vjeçari i cili u mor zvarrë nga 5 narkopolicë të Ilir Prodës, që është një turp për Policinë e Shtetit dhe gjithë shtetin, faktoi përfundimisht se këta të kapur nga frika që i ka pllakosur, nuk dinë më çfarë bëjnë aq sa shoqëruan dhe arrestuan edhe një njeri të vetin, që ishte pjesë e strukturave të PS-së. Sepse këta nën frikën e sovranit nuk shikojnë më nga sytë. I garantoj se për dhunën dhe gazin e hedhur në rrugët e Tiranës, ata do të mbajnë përgjegjësi direkte”, deklaroi Balliu.
Avokatja Eda Grimçi tha se nuk kishte asnjë provë specifike që faktonte veprimet penale për asnjërin prej tyre.
“Pasi u njohëm me dosjet, pamë që nuk kishte asnjë provë ndaj tyre. Bëhej fjalë për prova të marra nga pamje filmike, që nuk kishin lidhje me të arrestuarit. Por edhe kjo ishte vetëm për 5 raste, për 14 raste të tjera nuk kishte as pamje filmike, as foto, por kishte vetëm një raport shërbimi ku në një rast firmosin 4 oficerë policie dhe në një rast 7 vetë dhe këto konsideroheshin si provë. Por këto nuk mund të konsiderohen të tilla, pasi në një vendim të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut kundër Shqipërisë, ka saktësuar se masat nuk duhet të tejkalojë faktin dhe në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e ligjshme, dhe nuk mund të kërkohet ‘arrest me burg’ kur nuk ka asnjë provë që fakton veprimin konkret. Bëhej fjalë për dyshime’, theksoi ajo.
TIRANË, 27 janar /ATSh/ Ministrja për Punët e Brendshme, Albana Koçiu tha sot se Policia e Shtetit veproi në përputhje me ligjin gjatë protestës së organizuar nga opozita më 24 janar.
Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për dhunë ndaj protestuesve, nga foltorja e Kuvendit, Koçiu nënvizoi se Policia e Shtetit kreu detyrën e saj më së miri dhe me përpikëri dhe se nuk ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve.
“Ajo që ndodhi ishte se policia u përball me dhunën gjatë tubimit politik të thirrur nga opozita. Punonjësit e policisë së shtetit u sulmuan me molotov, me lëndë piroteknike dhe sende të forta në zemër të kryeqytetit para institucioneve publike të rëndësishme dhe si pasojë e këtyre akteve pati edhe lëndime, ku 11 punonjës të policisë së shtetit u lënduan dhe u trajtuan pranë strukturave spitalore”, theksoi Ministrja e Brendshme.
“Policia e Shtetit ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave të ligjit të standardeve të profesionalizmit ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirre u shpërfillën dhe rreziku për jetën e punonjësve e të policisë u bë evident, atëherë institucionet dhe qytetarët gjithashtu ndihen të kërcënuar në këtë situatë, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës sipas parashikimeve ligjore”, tha ajo.
Koçiu shtoi se akuza se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pavërteta dhe të pabazuara.
Sipas saj çdo veprim është kryer mbi parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë ashtu siç e kërkon ligji.
“E drejta për protestë është një e drejtë kushtetuese dhe pacenueshme për këdo, por dhuna nuk është një e drejtë politike. Hedhja e molotovëve sulmi ndaj policisë dhe institucioneve nuk është protestë pro shkelje e ligjit dhe e cenimit të rendit demokratik”, tha ajo.
Koçiu shtoi se opozita duhet të dënojë dhunën e ushtruar dhe jo të mbrojë autorët.
“Sot duhet të kemi të gjithë guximin politik për të dënuar dhunën dhe mbrojtur rendin dhe sigurinë publike dhe jo të mbrohen autorët e dhunës apo të hodhën akuza ndaj punonjësve të policisë që kryen detyrën e tyre”, tha ajo.
Ministrja u ndal edhe tek shoqërimi i një të mituri në komisariat, ku sqaroi se ai është trajtuar siç e parashikon ligji për trajtimin e të miturve.
“Faktet janë këto, gjatë veprimeve të Policisë së Shtetit, siç edhe është njoftuar, shërbimet kanë konstatuar një të mitur duke gjuajtur me gurë dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të policisë së shtetit, për këtë arsye për të mbrojtur jetën e efektivëve, por edhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim ashtu siç e parashikon ligji”, informoi ministrja.
“I mituri nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshëm apo çnjerëzore, nuk është marrë në ambiente të përbashkëta me persona të rritur, por ka qëndruar në një ambient të përshtatshëm për ta trajtuar me kujdes të plotë, në përputhje me garancinë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Menjëherë pas mbërritjes së përfaqësuesit ligjor i mituri është lënë i lirë”, tha Koçiu.
Ajo shtoi se “askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike për të justifikuar dhunën. Të gjithë biem dakord që demokracia nuk ndërtohet me molotov, kush nxit dhe përdor dhunë duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë rendin e sigurinë dhe të mbrojë jetën e qytetarëve”.
TIRANË, 27 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë debatit në grupin parlamentar të Partive Popullore Evropiane në Strasburg mbi zgjedhjet në Shqipëri, paraqiti situatën në vend si një rrezik serioz për sigurinë e Evropës, duke e cilësuar atë si “narkoshtet”.
Berisha u shpreh se, kartele të drogës, të lidhura me qeverinë, dominojnë tregjet e drogës në Evropë dhe se Shqipëria është kthyer në një qendër të madhe të pastrimit të parave përmes ndërtimeve dhe resorteve turistike.
“Shpreha kërkesën që vendet anëtare të Këshillit të Evropës, parlamentet e këtyre vendeve të ngrenë zërin e tyre ndaj këtij rreziku serioz që u vjen nga një vend i vogël, i cili ka të gjitha potencialet e mëdha të zhvillimit dhe e ka zhytur regjimi në drogë, vetëm për qëllime elektorale”, tha Berisha.
Gjithashtu Berisha foli edhe mbi “terapinë konvertuese”, duke e cilësuar atë si një praktikë çnjerëzore dhe agresion ndaj fëmijëve. Sipas kryetarit të PD-së, kjo qasje synon vendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë në Shqipëri dhe më gjerë.
“Kjo propagandë është propaganda e ekstremit të majtë që synon rivendosjen e një diktature të rrezikshme të ekstremit të majtë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Evropë e botë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se, ndonëse debatet mbi këtë çështje ishin të ndara, në audiencë pati rezerva të mëdha ndaj raportit, i cili sipas tij tentonte të legjitimonte “terapinë konvertuese” ndaj fëmijëve.