Një grua ka raportuar se është ngacmuar seksualisht nga një person.
Sipas raportit të policisë bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:00, në Obiliq.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është ngacmuar seksualisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë kundër institucionit të Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe prokurorit Ols Dado, shkruan A2 CNN. Në këtë padi, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror.
Sipas Veliajt, emërimi i Ols Dados në vitin 2008 është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi ai, sipas pretendimeve, është emëruar prokuror pa kryer Shkollën e Magjistraturës, një kriter i domosdoshëm ligjor për ushtrimin e këtij funksioni. Veliaj thekson se Dado ka kaluar nga statusi i noterit direkt në atë të prokurorit, pa përmbushur kushtet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi në atë kohë.
Në padi thuhet se ky emërim i paligjshëm ka sjellë pasoja të rënda institucionale dhe administrative, jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, por edhe për Republikën e Shqipërisë në tërësi. Sipas kryebashkiakut, veprimet e ndërmarra nga Dado në ushtrimin e funksionit të tij si prokuror kanë ndikuar drejtpërdrejt në procese që lidhen me administrimin vendor dhe interesin publik. (A2 Televizion)
Psikologia dhe kriminologia Dita Makasqi, gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka folur gjerësisht për rëndësinë e risocializimit, veçanërisht tek të rinjtë që shfaqin sjellje devijante apo kanë kryer vepra penale në një fazë të hershme të jetës.
Sipas Makasqit përgjatë viteve, shoqëria shpesh ka paragjykuar të rinjtë për veprime të caktuara të bëra në moshë të re, pa marrë parasysh se koha, edukimi dhe mbështetja mund t’i ndryshojnë rrënjësisht.
“Ka raste kur të rinjtë, të cilët janë paragjykuar për vepra të kryera në rini, pas një periudhe dhjetëvjeçare janë kthyer në një pikë që askush nuk do ta kishte imagjinuar", shprehet Makasqi.
Sipas saj, kjo është dëshmi e qartë se një person ka vlera dhe ka potencial për t’u risocializuar, nëse i jepet mundësia e duhur.
Ajo thekson se edhe një person që ka kryer një krim dhe e ka vuajtur dënimin, nuk duhet të mbetet i etiketuar përgjithmonë.
Përkundrazi, siç tha ajo me punë profesionale gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, ai mund të shndërrohet në një individ funksional dhe efektiv për shoqërinë në të ardhmen.
Makasqi vë theks të veçantë tek ndërhyrjet e hershme për të rinjtë që janë në fazën e rritjes dhe që shfaqin shenja të sjelljeve devijante.
Ajo thekson se në Kosovë ka me qindra psikologë – shkollorë dhe klinikë – të cilët janë të përgatitur profesionalisht për të punuar me këtë kategori të rinjsh.
Sipas saj, krijimi i programeve rehabilituese është thelbësor dhe duhet të ndodhë para se situata të përshkallëzohet në forma më të rënda.
Një rol kyç në këtë proces, sipas Makasqit, e kanë familjet.
Ajo thekson se familjet duhet të ndërtojnë një dialog të hapur dhe të vazhdueshëm me fëmijët e tyre dhe të mos i lënë ata të izolohen në “botën e tyre”.
Në ditët e sotme, sipas saj, fëmijët dhe të rinjtë janë tepër të preokupuar me telefonat, aplikacionet dhe përmbajtje të kota, të cilat shpesh i shtyjnë drejt modelimit të sjelljeve devijante.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Në shkollën e mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë, sot është mbajtur një ligjëratë nga zyrtarë të Gjykatës Speciale, e organizuar për nxënësit e kësaj shkolle.
Kjo ngjarje ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht në rrafshin politik.
Në lidhje me këtë ligjëratë ka reaguar deputeti i zgjedhur, Artan Behrami, i cili ka shprehur shqetësimin e tij për përmbajtjen e prezantimit të mbajtur para nxënësve.
Sipas Behramit, gjatë ligjëratës Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është cilësuar si “organizatë e përbashkët kriminale”, pretendim që ai e ka quajtur të papranueshëm dhe tejet shqetësues.
Mirëpo, në lidhje me këtë ligjëratë ka reaguar deputeti i zgjedhur, Artan Behrami duke thënë se në këtë ligjëratë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është quajtur si ‘organizatë e përbashkët kriminale”.
“Zyrtarë të Gjykatës Speciale me aprovimin e menaxhmentit të Gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, shkojnë dhe u mbajnë ligjërata nxënësve të kryeqytetit. E pabesueshme! Ligjëratë qysh UÇK-ja qenka organizatë e përbashkët kriminale a? Qysh, UÇK-ja ka bërë spastrim etnik në Kosovë a? E frikshme! Ftoj të gjithë prindërit që të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në këto ligjërata! Ftoj të gjitha institucionet e Arsimit të Ulët dhe të Lartë që të refuzojnë çfarëdo bashkëpunimi me këtë gjykatë”, ka shkruar Behrami. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit E.I., pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri E.I. ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.
"Veprimi dyshohet se është kryer ndaj ish-bashkëshortes së tij, dhe paraburgimi është caktuar mbi bazën e kushteve ligjore të parapara me Kodin e Procedurës Penale".
Paraburgimi i është caktuar nga data 20.01.2026, ora 13:50, dhe do të zgjasë deri më 19.02.2026, ora 16:00. /Telegrafi/
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) rikujton se Rregullorja për Licencimin e Operatorëve të Shërbimeve të Kripto-Aseteve me aktivitet këmbimi, si hap i parë drejt rregullimit gradual të këtij sektori dhe rritjes së transparencës në Republikën e Kosovës, ka hyrë në fuqi më 29 nëntor 2025.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me hyrjen në fuqi të saj, subjektet që janë objekt i licencimit obligohen që, brenda një afati prej 90 ditësh (deri më 1 mars 2026), të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për aplikim për licencë dhe për përshtatje të plotë me kërkesat e përcaktuara në këtë Rregullore.
BQK rikujton se afati i mbetur deri më 1 mars 2026, për dorëzimin e aplikacioneve për licencë dhe për përmbushjen e kërkesave të Rregullores gjatë kësaj periudhe kalimtare, është afati i fundit brenda se cilës të gjithë aplikantët duhet të kenë aplikuar, në pajtim me kërkesat e kësaj Rregulloreje. Pas përfundimit të këtij afati, ushtrimi i veprimtarisë së ofrimit të shërbimeve të kripto-aseteve pa licencë të BQK-së ose në mospërputhje me kërkesat rregullative do të konsiderohet shkelje e dispozitave të Rregullores dhe do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi", thuhet në njoftim.
BQK inkurajon të gjitha palët e interesuara që t’i përmbushin këto detyrime brenda afateve të përcaktuara, me qëllim të sigurimit të një zbatimi të plotë dhe efektiv të kornizës rregullative, si dhe të funksionimit të qëndrueshëm dhe transparent të këtij sektori.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe përmes zbatimit të masave të veçanta hetimore, në lidhje me rastin e koduar “Bregdeti” me datën 21.01.2026 rreth orës 23:00 afër pikëkalimit kufitar në Merdare është ndaluar i dyshuari H. S. i cili ishte duke e drejtuar një kamion me targa vendore dhe gjatë kontrollit në kamion janë gjetur të fshehura 68 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 76 kilogramë e 800 gramë.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se është realizuar edhe urdhër kontrolli i shtëpisë së të dyshuarit, në asistencë të njësisë së NJRSH-së, dhe gjatë kontrollit janë gjetur: 1 armë zjarri me 5 fishekë të kalibrit 9.9 mm, 2 vetura, 1 kamion, 1 telefon celular dhe para të gatshme 2.950 euro.
"Në vazhdimësi të operacionit, me datën 22.01.2026, është realizuar bastisje edhe në dy lokacione, shtëpitë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në fshatin Godishnjak – Podujevë dhe gjatë kontrollit të tyre janë gjetur: 4 paketime të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 4 kilogramë e 454 gramë, 2 vetura, 2 telefona celularë, thasë najloni të zbrazur ngjyrë të zezë dhe ngjitës, që kanë shërbyer për paketimin narkotikëve".
Siç thuhet në njoftim janë gjetur një armë zjarri me gaz e modelit Signasauser.
Me urdhër të prokurorit të shtetit ndaj tre të dyshuarve është lëshuar aktvendimi për ndalimin prej 48 orëve, ndërkaq prokurori i shtetit me kohë do të ndërmarr të gjitha veprimet e mëtutjeshme hetimore.
Prokurori i shtetit dhe Policia e Kosovës, mbeten të përkushtuara në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme me qëllim ndriçimit të veprave penale dhe vendosjen e kryerësve të tyre para organeve kompetente, me qëllim të sigurimit të një mjedisi sa më të sigurtë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë duke qëndruar sot në Bruksel për takime në kuadër të dialogut me të cilin nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen.
Kjo u konfirmua për Telegrafin nga Yuliya Matsyk, zyrtare shtypi për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë, fqinjësinë dhe zgjerimin.
“Mund të konfirmojmë se EUSR Sorensen po organizon sot në Bruksel një takim të rregullt të Kryenegociatorëve mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Më shumë informacion mund të ndahet pas takimit”, tha Matsyk.
Ndërkaq, këto takime zakonisht zhvillohen së pari ndaras mes lehtësuesit të BE-së me palët e pastaj, nëse palët bien dakord zhvillohet edhe takimi i përbashkët trepalësh. /Telegrafi/
Kosova tashmë është bërë pjesë e Bordit të Paqes, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Marrëveshja u nënshkrua në Davos, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke shënuar një moment domethënës për rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ajo që ra veçanërisht në sy gjatë kësaj ngjarjeje ishte edhe shtrëngimi i duarve mes presidentes Osmani dhe presidentit Trump, në mesin e shumë përfaqësuesve dhe liderëve nga shtete të ndryshme të botës, edhe pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit.
Një tjetër detaj interesant i kësaj ngjarjeje ishte fakti se Vjosa Osmani ishte e vetmja grua në mesin e liderëve botërorë të pranishëm, duke e bërë përfaqësimin e Kosovës edhe më të veçantë dhe simbolik në një tryezë të dominuar nga figura mashkullore. /Telegrafi/
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka autorizuar sot Kryeministrin Edi Rama për të nënshkruar marrëveshjen e aderimit të Shqipërisë në Kartën e Bordit të Paqes, një iniciativë ndërkombëtare për promovimin e stabilitetit dhe paqes në zonat e konfliktit.
Bordi ndërkombëtar synon të promovojë stabilitetin, rivendosjen e qeverisjes së ligjshme dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në territore të prekura nga konflikti.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në praninë e presidentit të SHBA-së, Donald Trump ka nënshkruar marrëveshjen për pjesëmarrjen në Bordin e Paqes në Davos.
Osmani u pa duke shkëmbyer edhe një bisedë të shkurtë me presidentin Trump, ku më pas nënshkroi marrëveshjen e cila u prit me duartrokitje nga të pranishmit e tjerë.
Por, çka është Bordi i Paqes?
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t'u bërë pjesë e të ashtuquajturit "Bordi i Paqes" dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.
Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një "bord ekzekutiv" të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues. /Telegrafi/
Në Gjykatën Kushtetuese ka filluar seanca lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, ku po shqyrtohet ankimi i kryeministrit Edi Rama pas pezullimit të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.
Seanca, me relator gjyqtar Sandër Beci, u hap në orën 10:00 dhe po zhvillohet pa praninë e zv/kryeministres, pasi ajo nuk figuron si palë në proces.
Në këtë rast, Këshilli i Ministrave përballet me përfaqësuesit e SPAK-ut, prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko. Për më tepër, Presidenca dhe Kuvendi kanë dërguar përfaqësues të tyre si palë të interesuara.
Ndërkohë, GJKKO ka refuzuar pjesëmarrjen, duke argumentuar se një pjesëmarrje e tillë do të dëmtonte parimin e ndarjes së pushteteve.
Seanca ka nisur me relacionin e gjyqtarit Sandër Beci. /Euronews.al/
Ka nisur seanca plenare në Kuvend ku në rendin e ditës është votimi i projektligjit në lidhje me ftesën e presidentit të SHBA, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
Deputeti Gazment Bardhi ka thënë se janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes duke kërkuar nga presidenti që të japë miratimin për hyrjen në fuqi.
"Kjo marrëveshje që ne miratojmë pas 12 orëve, hyn në fuqi pas 35 ditëve. Na thoni, ku e ke i urgjencën? Ndërkohë që kemi shansin të respektojmë Kushtetutën. Gjatë kësaj jave i kërkojmë miratimin Presidentit që të na japë autorizimin që ligji të hyjë në fuqi dhe e bëjmë efektive brenda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren/ ne jemi kundër kërkesës për procedurë të përshpejtuar”, tha ai. /Tch/
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:30 në një lokal në rrugën “UÇK” në Prishtinë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosoëvs për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Sipas tij, sektori i Hetimeve të Kryeqytetit në koordinim të plotë me Prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
“Sot rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën për një rast Vjedhje e rëndë, që ka ndodhur në një lokal në rrugën UÇK në Prishtinë. Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit në koordinim të plotë me Prokurorinë janë duke punuar për zbardhjen e rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar”, ka thënë Pllana. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës, përmes Zyrës Doganore në Prishtinë, në kuadër të aktiviteteve të rregullta të kontrollit doganor dhe menaxhimit të riskut, ka realizuar një kontroll të detajuar doganor ndaj një dërgese të ardhur nga Turqia.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se gjatë këtij kontrolli, zyrtarët doganorë kanë zbuluar dhe sekuestruar gjithsej 237,000 copë/pako për ambalazhim të 20 cigareve, të cilat mbanin mbishkrimin “DRINA”.
"Malli nuk ishte i deklaruar në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi dhe dyshohet se kishte për qëllim përdorimin për prodhim ose paketim të produkteve të duhanit në kundërshtim me dispozitat ligjore, me ç’rast efekti në parandalim nga humbjet potenciale fiskale është rreth 340,000 euro", thuhet në postim.
Tutje bëhet e ditur se janë ndërmarrë menjëherë veprimet procedurale përkatëse, përfshirë sekuestrimin e mallit dhe inicimin e procedurave administrative kundërvajtës dhe hetimore, në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e tregut dhe shëndetit publik, si dhe në garantimin e konkurrencës së ndershme për bizneset që veprojnë në përputhje me ligjin. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se ka ngritur aktakuzën e parë lidhur me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për veprën penale “Asgjësimi i dokumenteve të votimit”, e paraparë me nenin 217 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 28 dhjetor 2025, në një qendër të votimit në qytetin e Shtimes i pandehuri me inicialet M.A., ka dëmtuar dokumentet e votimit lidhur me zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
"Me këto veprime janë përmbushur elementet e veprës penale për të cilën është ngritur aktakuza pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda", thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin publik se të gjitha rastet eventuale që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor të 28 dhjetorit 2025, do të trajtohen me prioritet dhe në përputhje të plotë me ligjin, me qëllim të mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor dhe sundimit të ligjit. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen edhe 28 komuna të tjera.
Sipas të dhënave që rezultojnë në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri më tani janë rinumëruar 40.16 të votave, apo 1 mijë e 27 vendvotime të procesuara.
Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi. /Telegrafi/
Vendimi i kryetarit aktual të Komunës së Zveçanit, Dragisha Millovi, për ndërprerjen e kontratave të dy zyrtarëve komunalë po cilësohet i kundërligjshëm. Ish-kryetari i komunës, Ilir Peci, thotë se arsyet e përmendura në vendim nuk qëndrojnë dhe se procedura është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.
Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka thënë për KosovaPress se kryetari aktual javën e kaluar ua ka ndërprerë kontratat dy zyrtarëve komunalë, ndonëse ata ishin të punësuar me afat të pacaktuar.
Ai theksoi se arsyet e përmendura në vendim, mungesa e vlerësimit, trajnimeve dhe buxhetit, nuk qëndrojnë dhe nuk përbëjnë bazë ligjore për largimin e tyre nga puna.
“Javën e kaluar, kryetari i tanishëm ka marrë vendim dhe ua ka ndërprerë kontratat, vendimet e përgjithshme që i kanë pasur zyrtarët komunalë. Gjatë kohës sime si kryetar, ata janë punësuar me afat të pacaktuar, mirëpo pas gjashtë muajsh është dashur t’u vazhdohet emërimi, ndërsa tani u është ndërprerë kontrata me tri pika të përmendura në vendim. Këto tri pika nuk kanë të bëjnë me largimin e dy zyrtarëve. Pika e parë ka qenë se nuk është bërë vlerësimi i duhur i tyre, ndërkohë që vlerësimi është bërë sa kam qenë unë kryetar i komunës. Për momentin nuk ka pasur kush ta bëjë vlerësimin, pasi nuk ka pasur shefa sektorësh e as drejtorë, pra nuk ka pasur persona përgjegjës për vlerësim. As kryetari i komunës nuk ka thirrur ndonjë takim për të parë se çfarë pune kanë kryer këta zyrtarë gjatë gjashtë muajve. Pika e dytë është se gjoja nuk kanë kryer seminare të mjaftueshme, por seminaret nuk mund t’i kërkojnë vetë zyrtarët. Ato caktohen nga zyra e kryetarit dhe stafi i tij. Pika e tretë është se komuna e Zveçanit nuk ka buxhet, çka nuk qëndron. Çdo komunë, kur hap një vend pune, e parasheh buxhetin për tërë periudhën, sidomos kur kontratat janë me afat të pacaktuar dhe jo për gjashtë muaj apo një vit. Pra, këto tri pika nuk qëndrojnë asnjëra”, thekson Peci.
Peci tha se është njoftuar nga dy zyrtarët e larguar dhe se qëndron në mbështetje të tyre, duke theksuar se drejtësia duhet të respektohet në rastin e tyre.
“Jam lajmëruar menjëherë nga disa zyrtarë të komunës, konkretisht nga këta dy zyrtarë që janë larguar nga puna. Unë, si asamblist dhe i vetmi shqiptar në Komunën e Zveçanit, jam në mbështetje të tyre dhe në mbështetje të së drejtës”- ka deklaruar Peci
Ai ka thënë se vendimi për ndërprerjen e kontratave është i kundërligjshëm dhe tash po ndiqet në rrugë ligjore nga Këshilli dhe Gjykata.
“Në një takim kam marrë pjesë me kryetarin e tanishëm të Zveçanit dhe dy zyrtarët. I kam sqaruar se, bazuar në këto pika, bëhet fjalë për shkelje ligjore dhe se vendimi nuk është i drejtë. Megjithatë, ai është kryetar dhe e ka marrë vendimin. Tani, Këshilli apo Gjykata janë instancat ku po ndiqen të gjitha rrugët ligjore”- ka thenw Ilir Peci
Vedat Musa, i larguar nga puna në Komunën e Zveçanit, ka thënë për KosovaPress se arsyet e përmendura nga kryetari aktual Dragisha Milloviq janë skandaloze.
Musa ka shtuar se, duke qenë me akt-emërim, paga e tij duhet të sigurohet deri në daljen në pension.
“Arsyet e përmendura në vendimin për shkarkimin tim nga pozita që kam pasur, nga kryetari i tanishëm Dragisha Milloviq, janë skandaloze. E para, se komuna nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të paguar asistentë administrativë. E dyta, se nuk ka raport vlerësimi nga drejtori apo kryetari i komunës për periudhën pesëmujore sa ka qenë kryetar Ilir Peci. Unë e di dhe e kam me vete vendimin për vlerësimin që më është bërë për periudhën pesëmujore. Po ashtu, kur shteti hap konkurs për një pozitë të caktuar, buxheti sigurohet për atë pozitë. Unë jam me akt-emërim dhe përderisa je me akt-emërim, paga të sigurohet deri në pension“- tha Musa
Ai ka thënë se po përgatitet një ankesë në Këshillin e Pavarur dhe është i bindur se vendimi do të kthehet në favorin e tyre, pasi nuk kanë kryer asnjë shkelje.
Musa shtoi se kryetari i tanishëm i ka ftuar në takim vetëm pasi kishte marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës, pa ditur se kush ishte dhe çfarë pune kryente, çka sipas tij e bën vendimin për shkarkimin të papërshtatshëm.
“Në Këshillin e Pavarur jemi duke përgatitur ankesën për ta dorëzuar dhe jam i bindur se vendimi do të kthehet në favorin tonë, pasi nuk kemi bërë asnjë shkelje, qoftë edhe më të voglën. Nuk e di në çfarë baze është mbështetur kryetari, sepse thuhet se nuk ka vlerësim nga drejtori, ndërkohë që unë kam qenë pa drejtor, pa mbikëqyrës të drejtpërdrejtë dhe pa shef. Kryetari na ka ftuar në takim vetëm pasi kishte marrë vendimin për ndërprerjen e kontratës. Paramendojeni, ai e kishte marrë vendimin për shkëputjen e kontratës së punës dhe më pas më pyeste si e kam emrin dhe në cilën drejtori punoj. Kjo tregon se ai nuk e ka pasur idenë se kush jam dhe çfarë pune bëj, e jo më të marrë vendim për shkarkimin tim nga puna”- përfundoi ai.
Rasti i ndërprerjes së kontratave të dy zyrtarëve në Komunën e Zveçanit ka ngritur dyshime për shkelje ligjore dhe keqmenaxhim, sipas ish-kryetarit Ilir Peci dhe të larguarit Vedat Musa.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Komunën e Zveçanit për sqarime lidhur me këtë vendim, por deri në momentin e publikimit nuk ka marrë asnjë përgjigje. /Telegrafi/
Zhvillim të një rëndësie historike për Kosovën e ka quajtur presidentja Vjosa Osmani, ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, për t’iu bashkuar Bordit të Paqes për Gazën, raporton KosovaPress.
Osmani tha se Kosova ka marrë ftesën si anëtare themeluese dhe se e njëjta do të ofrojë përvojën e vet në shtetndërtim.
Ajo tha se përfshirja e Kosovës në këtë organizatë multilaterale të udhëhequr nga SHBA-ja e fuqizon Kosovën në aspektin ndërkombëtar.
“Ky është një zhvillim i një rëndësie historike për Republikën e Kosovës. Në radhë të parë se kjo është një organizatë ndërkombëtare, është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë se kjo organizatë themelohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati ynë strategjik dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA-ja ka përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtet-ndërtim. Në ndërtim të paqes, në ndërtim aleancash, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vende të tjera të botës... Me krenari të madhe kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump. E falënderoj për vlerësimin, besimin dhe gatishmërinë, siç e thekson në letër, që të punojmë edhe për një kohë të gjatë për realizimin e misionit për paqe dhe siguri në botë. Ne si Kosovë, sado që jemi shtet i vogël, mund të kemi kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”, tha ajo.
E para e vendit tha se në ftesën që ka pranuar dhe dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese, por u lihet shteteve anëtare që ta bëjnë këtë në mënyrë vullnetare.
“Edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet ndonjë çështje pagese, por u lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare. Megjithatë, për të gjitha çështjet jemi në koordinim me SHBA-në. Kontributi i Kosovës do të jetë domethënës për shkak të përvojës tonë për ndërtimin e paqes. Kosova është një ndër sukseset më të mëdha amerikane. Një prej sukseseve më të mëdha të aleancës euroatlantike në ndërtimin e paqes. Kemi çfarë të ofrojmë në aspektin e përvojës, perspektivës dhe vizionit për një iniciativë të tillë. Është me rëndësi që Kosova do të jetë e barabartë dhe është ftuar nga themeluesja dhe udhëheqësja e kësaj organizate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është një arritje e fuqizimit tonë ndërkombëtar dhe e aleancës me SHBA-në”, shtoi ajo.
Këto komente Osmani i bëri pas akademisë përkujtimore në shënim të 20-vjetorit të vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar, i parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor 2025, që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të Gazës dhe rindërtimin e institucioneve civile.
Krahas Kosovës, ftesë ka marrë edhe Shqipëria. /Kp/Telegrafi/
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka uruar presidenten Vjosa Osmani pas ftesës që mori nga presidenti, Donald Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes në SHBA.
Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar: “Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”.
Sipas tij, kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global.
“Si dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, ka shkruar Haradinaj. /Telegrafi/