Për Kremlinin, rezultati më i dukshëm i kapjes nga Shtetet e Bashkuara të Nicolas Maduros të Venezuelës është se kjo përbën një goditje ndaj ndikimit rajonal të Rusisë dhe ndaj krenarisë së Vladimir Putinit: një aleat i rëndësishëm i cili në maj kishte nënshkruar një marrëveshje të “partneritetit strategjik” me presdientin rus, papritur u rrëzua nga pushteti dhe ndodhet në një burg në Qytetin e Nju Jorkut.
Kapja e Maduros ndodhi pak më shumë se një vit pas rënies së Bashar al-Assadit, udhëheqësit sirian i cili i kishte siguruar Rusisë një pozicion të fortë në Lindjen e Mesme në këmbim të mbështetjes vendimtare në luftën kundër kundërshtarëve të tij – një tjetër goditje e madhe për përpjekjet e Putinit për të ringjallur praninë e Moskës në botë pas tërheqjes që pasoi shembjen e Bashkimit Sovjetik.
Jo vetëm kaq, por bastisja e SHBA-së në Venezuelë më 3 janar arriti brenda pak orësh diçka që Rusia nuk ka mundur ta bëjë në gati katër vjet që kur Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës dhe që shihej si një nga qëllimet e tij kryesore: largimin e një udhëheqësi shteti.
Por, përqendrimi i Rusisë në luftën kundër Ukrainës nënkupton se mbrojtja e Maduros nuk do të ishte realiste edhe nëse Moska do të donte ta bënte këtë, dhe dobia e Venezuelës për Rusinë ka rënë, të paktën në aspektin ekonomik, për shkak të sanksioneve dhe faktorëve të tjerë që kanë ulur prodhimin e naftës, një sektor ku Rusia ka interesa të mëdha.
Për Rusinë ka edhe anë pozitive. Moska mund ta përdorë operacionin amerikan si dëshmi se Uashingtoni kërkon t’u imponojë vullnetin e tij vendeve të tjera dhe shkel të drejtën ndërkombëtare kur i leverdis – një argument që për disa është bindës, pavarësisht luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Në një deklaratë më 3 janar, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për atë që e cilësoi si “akt të armatosur agresioni kundër Venezuelës” dhe i bëri thirrje SHBA-së “të lirojë presidentin e zgjedhur ligjërisht të një shteti sovran, dhe bashkëshorten e tij”.
Por, ajo që është edhe më e rëndësishme për Kremlinin sesa forcimi i këtij portretizimi të SHBA-së, thonë analistët, është shpresa se veprimet e Uashingtonit në Venezuelë dhe përqendrimi i presidentit amerikan, Donald Trump, në hemisferën perëndimore do t’i japin Moskës më shumë hapësirë manovrimi – si moralisht ashtu edhe ushtarakisht – për të vepruar, sipas dëshirës, në atë që e konsideron sferën e vet të ndikimit, veçanërisht në Ukrainë.
“Pavarësisht nga vendimet që merr Vladimir Putini në Ukrainë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që disa veprime të dënohen vetëm mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, i tha Radios Evropa e Lirë analistja politike me seli në Berlin, Alexandra Sitenko, e cila është eksperte për raportet e Rusisë me Amerikën Latine dhe rajone të tjera.
“Çfarë bëjnë fuqitë e mëdha”
Perceptimi i gjerë se operacioni amerikan e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare “nuk është aspak i keq për narrativin më të gjerë rus”, tha Mark Galeotti, analist për Rusinë dhe profesor nderi në Shkollën e Studimeve Sllave dhe Evropës Lindore të Kolegjin e Londrës, në podkastin e tij më 4 janar.
“Tek e fundit, këndvështrimi i Putinit në thelb është ajo se çfarë bëjnë fuqitë e mëdha dhe fuqitë e mëdha kanë sfera ndikimi. Dhe, nëse do t’i lejojmë Amerikës të ketë sferën e saj të ndikimit në Amerikën Latine, atëherë për rrjedhojë ne duhet të lejohemi të kemi sferën tonën sllave”, tha Galeotti.
Ndërkaq Sam Greene, profesor në Institutin e Rusisë në Kolegjin Mbretëror të Londrës shtoi: “Çdo zhgënjim nga fakti që Maduro u largua nga Uashingtoni do të zbutet nga një premtim për bashkëdominim global, në të cilin Moska do të fitonte të drejtën të bënte të njëjtën gjë në fqinjësinë e saj”.
Ka prova se Rusia ka kërkuar një marrëveshje të tillë që shumë kohë përpara se të niste luftën e saj kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Gjatë një mosmarrëveshjeje në të cilën Rusia ndihmoi në mbrojtjen e Maduros përballë përpjekjeve të një udhëheqësi opozitar të mbështetur nga SHBA-ja për ta rrëzuar atë, “rusët… po sinjalizonin shumë fuqishëm se donin disi të bënin një marrëveshje shumë të çuditshme këmbimi mes Venezuelës dhe Ukrainës”, i tha një komiteti të Kongresit në tetor të vitit 2019 Fiona Hill, e cila ishte këshilltarja kryesore për Rusinë dhe Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Trumpit nga prilli i vitit 2017 deri në korrik të vitit 2019.
Thelbi i mesazhit rus ishte: “Ju doni që ne të largohemi nga oborri juaj. Epo, ne kemi versionin tonë të kësaj. Ju jeni në oborrin tonë në Ukrainë”, u shpreh hill.
Faktori Ukrainë
Këtë herë, qasja e Rusisë dhe reagimi i saj relativisht i zbehtë ndaj kapjes së Maduros janë pjesë e një sërë zhvillimesh që tregojnë “se deri në çfarë mase dëshira e Rusisë për ta nënshtruar Ukrainën e dikton pjesën tjetër të politikës së saj të jashtme”, shkroi në X, Hanna Notte, drejtoreshë për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studime të Mospërhapjes.
“Putini shmangu bashkëpunimin me [ish-presidentin amerikan Joe] Biden në përpjekje për ta detyruar atë të heqë dorë nga Ukraina. Gjatë vitit të kaluar, ai është përpjekur të jetë në anën e mirë të Trumpit, këtë herë për ta joshur që të marrë anën e Rusisë kundër Ukrainës”, shkroi Notte.
“Qoftë duke ushtruar presion apo duke lavdëruar një udhëheqës amerikan, qëllimi përfundimtar i Rusisë mbeti i njëjtë: të krijojë një përçarje mes SHBA-së dhe Ukrainës”.
Përderisa toni dhe përmbajtja e diplomacisë mbi Ukrainën mund të ndryshojnë shpejt, deri tani nuk ka pasur ndonjë sinjal të një ndryshimi të madh në qëndrimin e SHBA-së që nga kapja e Maduros, e cila ndodhi ndërsa zhvilloheshin një sërë rundesh bisedimesh mes SHBA-së, Ukrainës, Evropës dhe Rusisë në konfigurime të ndryshme, teksa administrata e Trumpit po synon të ndërmjetësojë përfundimin e luftës.
Në një konferencë për media disa orë pas operacionit në Karakas, Trump tha se nuk ishte “i kënaqur me Putinin. Ai po vret shumë njerëz”.
Më 4 janar, ai përsëriti përfundimin e CIA-s dhe tha se nuk besonte se Ukraina kishte shënjestruar një nga rezidencat e Putinit në një sulm me dron muajin e kaluar, pasi më parë dukej se kishte pranuar pretendimin që, sipas tij, presidenti rus kishte shprehur në një bisedë telefonike.
“A do të thotë fokusi mbi Venezuelën dhe hemisferën perëndimore se Shtetet e Bashkuara do të shpërqendrohen?”, pyeti Galeotti.
Përgjigja e tij: “Sigurisht që mund të lindin pyetje se si pretendimi se do të drejtojë Venezuelën mund të vihet në praktikë. Por, nga ana tjetër, një superfuqi mund të ecë dhe të përtypë njëherësh çamçakëz. Nuk mendoj se kjo do të ketë ndonjë ndikim të veçantë mbi atë që ndodh me Ukrainën”.
Greene sugjeroi se nëse Kremlini shpreson për një marrëveshje të gjerë midis fuqive të mëdha dhe liri të plotë për të vepruar në Ukrainë, ai do të zhgënjehet.
“Përveç nëse u jepet në mënyrë të menjëhershme një e drejtë e plotë për të vepruar në Ukrainë, Moska do ta konsiderojë këtë si hipokrizi tipike amerikane, gjë që ka të ngjarë të prishë koalicionin e supozuar të hegjemonisë globale midis Putinit, Trumpit dhe [presidentit kinez] Xi [Jinping]”, shkroi ai./rel