Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 January 2026Main stream

Lumi Vjosa del nga shtrati, sasia e ujit arrin 6.8 metra mbi nivelin e detit

7 January 2026 at 08:55


Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e pazarit, pranë Ura e Mifolit, si pasojë e prurjeve të larta të ujit. Sipas të dhënave të fundit, niveli i Vjosës ka arritur në 6.8 metra mbi nivelin e detit.

Autoritetet kanë njoftuar të gjitha familjet që jetojnë pranë lumit të marrin masa paraprake dhe të jenë të vëmendshme ndaj çdo rreziku të mundshëm.

Ndërkohë, prurjet vijojnë të mbeten të larta nga zonat e Gjirokastrës dhe Përmetit, çka po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e mëtejshme të nivelit të lumit.

Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa u bëhet thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e strukturave të emergjencës./euronews/

Vdes një shtetas i huaj në QKUK, policia nis hetimet

7 January 2026 at 08:51


Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë, shtetas i huaj ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 06:00 të mëngjesit.

Vdekja e tij u konstatua nga ekipi mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Hetimet për shkaqet e vdekjes janë në zhvillim. /Telegrafi/

Sot vazhdon numërimi i votave tjera të mbërritura me postë

7 January 2026 at 08:24


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të vazhdojë numërimi i pjesës tjetër të fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar se bëhet fjalë për fletëvotimet e tërhequra më 2 dhe 5 janar 2026 nga kutitë postare jashtë Kosovës, të cilat tashmë janë sjellë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Sipas njoftimit të KQZ-së, më 2 janar janë tërhequr gjithsej 8,180 pako me fletëvotime nga kutitë postare në Pragë, Londër, Paris, Zagreb, Stokholm, Stamboll, New York, Kanbera dhe Kopenhagë.

Ndërkaq, më 5 janar janë tërhequr edhe 11,867 pako të tjera nga 13 kuti postare në qytete të ndryshme, përfshirë Tiranën, Berlinin, Vjenën, Bernën, Brukselin, Hagën, Podgoricën, Oslon, Shkupin, Otavën, Ljublanën, Romën dhe Prishtinën.

Numërimi i këtyre fletëvotimeve po zhvillohet në QNR dhe përfshin pjesën e dytë të votave të ardhura përmes postës nga diaspora.

KQZ ka theksuar se procesi do të vazhdojë gjatë ditës së sotme, deri në përfundimin e numërimit të këtyre pakove. /Telegrafi/

Vengu: Mbi 100 efektivë në teren për tu përballur me vërshimet

7 January 2026 at 08:16


Situata e motit të keq dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në disa rajone të vendit, përfshirë përmbytje nga përroi i Ficos që ka dalë nga shtrati dhe ka mbuluar rrugë e zona të banuara në Gjirokastër.

Në këto kushte, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ka shprehur sot mirënjohje për punën e repartit të emergjencës së Gërhotit dhe ekipeve të tjerë të angazhuar në terren për të përballuar situatën e vështirë.

Ai thekson se deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, “djemtë e Repartit të Gërhotit kanë luftuar me prurjet e vrullshme të reshjeve në Gjirokastër dhe kanë kontribuar në mbështetjen e operacioneve të shpëtimit dhe menaxhimit të ujit.

Në terren po punojnë mbi 100 efektivë, dhjetëra mjete dhe pompa me kapacitet të lartë, të vendosura jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në Lezhë, Durrës, Gjirokastër dhe zonat fqinje, ku reshjet kanë shkaktuar vërshime dhe probleme me infrastrukturën rrugore.

Sipas Vengut, ky mobilizim synon të “garantojë sigurinë e banorëve dhe përballimin e çdo situate”, ndërsa ekipet përgatiten edhe për ditët në vijim.

Situata e motit ka qenë alarmante në shumë qarqe të vendit, ku reshjet intensive të shiut janë raportuar të përmbytura rrugë dhe zona të banimit, ndërsa emergjencat civile janë angazhuar për ndërhyrje dhe koordinim të masave të sigurisë për qytetarët në zonat më të prekura. /Telegrafi/

Mundësi për vërshime tjera - mot i vranët dhe me shi parashikohet edhe sot

7 January 2026 at 08:04


Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me shi.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të sillen prej 1deri në 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale mes 4 dhe 6 gradë Celsius.

Instituti ka paralajmëruar se reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit do të vazhdojnë, dhe se mund të ketë vërshime të tjera lokale.

Ndryshe, si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec, Klinë, etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale.

Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre. /Telegrafi/

Vërshimet në Kosovë, dy komuna shpallin gjendje të jashtëzakonshme - mësimi shtyhet deri më 12 janar

7 January 2026 at 07:55


Situata me vërshime mbetet nën vëmendje edhe sot, ndërsa Juniku dhe Malisheva kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut nga përmbytjet.

Ekipet e emergjencës janë të angazhuara në terren dhe autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm.

Rajonet më të prekura vazhdojnë të jenë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova, ku janë raportuar vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara, ndërsa në Gjakovë është kërkuar edhe evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.

Në komunat e tjera, gjendja vlerësohet relativisht e qetë dhe stabile, por nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes sistemit të komunikimit emergjent.

Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe procesi i nisjes së mësimit, i cili do të fillojë më 12 janar.

Për situatën e krijuar me vërshime kanë reaguar të martën përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive deri tash në opozitë.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.

“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.

Nga Partia Demokratike (PDK) u kanë bërë thirrje institucioneve qendrore që ta marrin përgjegjësinë e plotë, duke i aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë në menaxhim të situatës emergjente.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes.

Yesterday — 6 January 2026Main stream

Vërshimet bllokojnë akset kryesore të Drenasit, Lladrovci bënë thirrje për kujdes

6 January 2026 at 14:36


Komuna e Drenasit po përballet me vërshime të rënda, që kanë goditur dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci njoftoi se nga mëngjesi, niveli i ujit është rritur vazhdimisht, me ç’rast ka vërshuar dhjetëra shtëpi, biznese dhe hapësira publike.

Rrugët kryesore në drejtim të Komoranit, te Trafoja dhe te ura e Bucollëve janë ndërprerë për qarkullim, ndërsa vështirësi po raportohen edhe te ura e Shtrubullovës.

Lladrovci ka shtuar se dalja në magjistrale po bëhet përmes rrugëve alternative. Po ashtu, qindra hektarë tokë janë të vërshuara, ndërsa rryma është ndërprerë për shkak se po rrezikohet Trafoja kryesore e komunës. Kryetari paralajmëron se priten vështirësi edhe për furnizimin me ujë.

Në këtë situatë, Lladrovci falënderoi institucionet dhe qytetarët për përkrahjen e tyre.

“Falënderoj Presidenten, Osmani-Sadriu për gatishmërinë e përkrahjes, ministrat në detyrë të linjës, z. Elbert Krasniqi dhe z. Hysen Durmishi, AME-në, qytetarët për solidaritetin dhe ndihmën me mjete personale, zyrtarët e komunës dhe institucionet tjera që janë të angazhuara për tejkalimin e gjendjes”, ka shkruar Lladrovci.

Ai shtoi ftoj qytetarët për kujdes të shtuar dhe të respektojnë ndalesat e organeve kompetente për qarkullim në disa rrugë.

Komuna e Drenasit vijon të monitorojë situatën dhe të angazhohet për të siguruar ndihmë dhe për të menaxhuar emergjencën. /Telegrafi/

Rëndohet situata nga reshjet në Kukës, bllokohen 10 fshatra

6 January 2026 at 14:00


Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë gjithë natës dhe në vazhdimësi, situata në territorin e Bashkisë Kukës paraqitet problematike.

Si rezultat i shembjeve, prezencës së gurëve dhe inerteve në rrugë, si dhe prurjeve të përrenjve, janë bllokuar akset rrugore si më poshtë:

Rruga e fshatit Tejdrinë, Njësia Administrative Ujmisht. Rruga që lidh lagjen Haravel me fshatin Lusën

Rruga e fshatrave Lojmë dhe Orçikël, Njësia Administrative Zapod

Rruga e fshatit Borje, Njësia Administrative Shishtavec

Gjithashtu, janë evidentuar dëmtime në rrugë në Njësitë Administrative: Malzi, Kolsh, Surroj, Zapod, Shishtavec dhe Topojan.

Si pasojë e erës së fortë, është regjistruar edhe një dëmtim i çatisë së një ndërtese shkollore në fshatin Bele, Njësia Administrative Zapod. /TCH/

KMDLNj thërret protesta kundër shtrenjtimit të ujit dhe rrymës

6 January 2026 at 12:54


Viti 2026 ka nisur me lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës. Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike, faturat e ujit nga janari do të shënojnë rritje deri në 40 për qind, ndërsa paralajmërohet edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, duke theksuar se qytetarët tashmë po përballen me fatura të papërballueshme.

Sipas tyre, ZRrE ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit të energjisë në një kohë kur “këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare dhe po ngulfatin bizneset, një numër jo i vogël i të cilave është buzë falimentimit”.

Në reagimin e saj, KMDLNj akuzon institucionet për mungesë vullneti për mbrojtjen e qytetarëve.

“Shkaku i moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në Mafien Energjetike”, thuhet në njoftim.

Organizata paralajmëron se shtrenjtimi i ujit dhe energjisë elektrike do të ketë pasoja zinxhirore në ekonomi.

“KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe për pasojë do të paguajmë fatura shumë më të larta për artikuj tjerë të domosdoshëm për mbijetesë si dhe për shërbime”, thuhet në njoftim.

Sipas KMDLNj-së, ndonëse faturat e ujit dhe mbeturinave mund të jenë ende të përballueshme, situata me energjinë elektrike është alarmante.

“Faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe bizneset”, theksohet më tej.

KMDLNj ka bërë thirrje për reagim qytetar, duke ftuar protesta masive.

“KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë këto shtrenjtime duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje partive politike që të mbrojnë interesin publik.

“KMDLNj fton pozitë dhe opozitë të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo të Mafies Energjetike”, thuhet në reagim, duke kërkuar gjithashtu transparencë për inkasimin e energjisë në veri të Kosovës dhe diferencën e çmimit të rrymës.

Në fund, KMDLNj paralajmëron se mosreagimi do ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen sociale.

“Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet, ndërsa kjo gjendje në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentim bizneset”. /Telegrafi/

Numërohen mbi 50% e votave me kusht, këto janë rezultatet e deritanishme

6 January 2026 at 12:46


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me publikimin e rezultateve nga numërimi i votave me kusht në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës 2025.

Sipas të dhënave të përditësuara deri më tani nga 31 vendvotime të numëruara nga 57 gjithsej (54.39%), Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49.06% të votave, që përkthehet në 2,086 vota.

Në vendin e dytë renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.29% ose 820 vota, ndërsa e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 11.08% (471 vota).

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës renditet e katërta me 7.62% (324 vota)

KQZ ka bërë të ditur se procesi i numërimit po vazhdon dhe se rezultatet përfundimtare do të publikohen pas përfundimit të numërimit të të gjitha vendvotimeve dhe verifikimeve përkatëse. /Telegrafi/

Uji arrin deri te dritaret, disa zona të Gjakovës nën ujë

6 January 2026 at 12:33


Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar gjendje të rënduar edhe në qytetin e Gjakovës dhe në disa fshatra përreth.

Në disa zona, niveli i ujit ka arritur deri te dritaret e shtëpive, ndërsa në disa raste ka depërtuar edhe brenda tyre.

Pamje nga rrugët “Myrtë Zeneli”, “Jakova” në Pjetërshan dhe “Bekim Fehmiu”, si dhe nga fshatrat Shqiponjë, Babaj i Bokës, Rracaj dhe përgjatë rrjedhës së lumit Erenik, tregojnë përmbytje të konsiderueshme.

Si pasojë e dëmtimeve, ura në rrugën “Fehmi Agani” është në gjendje të rëndë dhe është ndaluar për qarkullim, ndërsa autoritetet lokale po monitorojnë situatën dhe apelojnë për kujdes të shtuar. /Telegrafi/




Çahet rruga në Polluzhë të Rahovecit, fshati rrezikon të bllokohet

6 January 2026 at 12:18


Rruga në fshatin Polluzhë të komunës së Rahovecit është dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke rrezikuar bllokimin e plotë të qarkullimit drejt këtij fshati.

Banorët e zonës kanë shprehur shqetësim për situatën, pasi çarja e rrugës ka vështirësuar lëvizjen e automjeteve.

Autoritetet komunale janë njoftuar për rastin dhe pritet që ekipet përkatëse të dalin në terren për të vlerësuar dëmet dhe për të ndërmarrë masa emergjente për sanimin e dëmit të shkaktuar.

Reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, çka mund ta përkeqësojë gjendjen dhe të rrisë rrezikun për bllokim total të fshatit Polluzhë. /Telegrafi/

telegrafi.com

Fushë Kosova përballet me vështirësi pas reshjeve, ekipet komunale në gatishmëri

6 January 2026 at 12:10


Si pasojë e reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit, Komuna e Fushë Kosovës po përballet me vështirësi në disa zona.

Autoritetet komunale kanë njoftuar se situata po monitorohet nga afër dhe ekipet përkatëse janë në gatishmëri të plotë.

“Në disa zona të komunës janë evidentuar vështirësi si pasojë e reshjeve të shiut”, thuhet në njoftimin e Komunës së Fushë Kosovës.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Izia Mjeku, ka dalë në terren për të monitoruar gjendjen aktuale.

Komuna ka bërë të ditur se “ekipet përkatëse janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në rast nevoje, me qëllim parandalimin dhe menaxhimin e çdo situate të mundshme”.

Duke iu referuar Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, Komuna paralajmëron se reshjet e shiut me intensitet të ndryshëm pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, gjë që mund të shkaktojë “vërshime lokale, probleme në komunikacion dhe në sistemet e kanalizimit”.

Në fund, Komuna e Fushë Kosovës ka apeluar tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes dhe të shmangin zonat e përmbytura. /Telegrafi/


​Kolona në magjistralen Fushë Kosovë - Prishtinë si pasojë e reshjeve të shiut

6 January 2026 at 12:01


Qytetarët që lëvizin në magjistralen Fushë Kosovë – Prishtinë po përballen me kolona të gjata trafiku, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut që po vazhdojnë në vend.

Bazuar në të dhënat e fundit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë regjistruar mbi 25 mm reshje shiu, ndërsa pritet që reshjet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm.

Ndërkohë Komuna e Prishtinës ka apeluar qytetarët për kujdes, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Vështirësi në qarkullim e përmbytje janë raportuar në disa komuna, si ajo e Malishevës dhe Gjakovës. /KP/

IKSHPK del me këshilla për qytetarët pas reshjeve të shiut

6 January 2026 at 10:37


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka apeluar tek qytetarët për kujdes të shtuar pas reshjeve të shtuara të shiut në disa zona të vendit, duke theksuar ndikimin e mundshëm të tyre në shëndetin publik.

Sipas njoftimit të IKSHPK-së aktualisht nuk ka të dhëna për ndotje të ujit.

Megjithatë Instituti shprehet se qytetarët që furnizohen me ujë nga bunarë të pambrojtur, për arsye sigurie nga aspekti bakteriologjik, rekomandohet që uji të vlohet para përdorimit ose të shfrytëzohen burime alternative për furnizim me ujë të sigurt.

Instituti gjithashtu paralajmëron për kujdes me ushqimin.

“Ushqimi të ruhet në vende të sigurta dhe të mos konsumohet ushqimi që ka qenë në kontakt me ujin e shiut”, thuhet në njoftim.

Grupet më të ndjeshme, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, duhet të shmangin lëvizjet e panevojshme.

“Rekomandohet që grupet më të ndjeshme të shmangin lëvizjet e panevojshme”, njofton IKPSHK.

IKSHPK fton qytetarët të tregojnë kujdes për shëndetin e tyre dhe të ndjekin këshillat e institucioneve për të parandaluar rreziqet shëndetësore. /Telegrafi/

Verifikimi i pasurisë? APK nuk konfirmon, Osmani mirëpret çdo kontroll

6 January 2026 at 10:29


Pasuria e presidentes Vjosa Osmani u raportua se do ti nënshtrohet një verifikimi nga ana e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Lidhur me këtë nga Presidenca kanë bërë të ditur se nuk kanë informacione për një gjë të tillë.

Këshilltar i presidentes, Bekim Kupina ka deklaruar për Telegrafin se presidentja mirëpret çdo verifikim nga cilido institucion.

“Presidentja Osmani mirëpret çfarëdo verifikimi nga cilido institucion, që është i bazuar në pavarësi, paanshmëri, integritet, ligj dhe fakte të vërteta, por jo në fushata njollosjesh, të cilat dihet mirëfilli pse po ndodhin në këtë fazë”, tha Kupina për Telegrafin.

Nga ana tjetër, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka bërë të ditur se në këto momente nuk mund të japin asnjë koment mbi këtë çështje, duke mos e konfirmuar e as mohuar një procedurë të mundshme ndaj presidentes. /Telegrafi/

Gjendet i vdekur një burrë në oborrin e shtëpisë në Fushë Kosovë

6 January 2026 at 10:12


Një mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij në Fushë Kosovë.

Vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku në vendin e ngjarjes.

Rrethanat e rastit ende nuk janë të qarta, ndërsa me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Kapen mbi 59 mijë euro të padeklaruara në Leposaviq, i dyshuari intervistohet

6 January 2026 at 10:06


Policia e Kosovës ka sekuestruar një shumë prej rreth 59,055 eurosh në automjetin e një mashkulli kosovar, i cili dyshohet për shpërlarje parash.

Paratë janë sekuestruar me vendim të prokurorit deri sa të provohet origjina e tyre. Rasti ka ndodhur të hënën në Leposaviq rreth orës 20:00.

Gjatë kontrollit në automjetin e të dyshuarit janë marrë edhe certifikata e biznesit nga ARBK dhe ATK, si dhe raporti ditor fiskal, të cilat do të shërbejnë si prova në hetime.

I dyshuari është intervistuar nga policia dhe është liruar, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë sipas procedurave të rregullta. /Telegrafi/

Policia konfiskon drogë dhe armë në Prishtinë, dy të arrestuar

6 January 2026 at 09:57


Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prishtinë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, si dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë kontrollit, tek një i dyshuar mashkull kosovar janë gjetur dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike.

Kontrolli në tri lokacione të ndryshme ka rezultuar me konfiskimin e 516.86 gram marihuanë, 1,095 euro para në dorë, një armë automatike AK-47, një pistoletë, dy telefona dhe dy peshore digjitale.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për këtë rast vazhdojnë. /Telegrafi/

Evakuohen banorët në Malishevë për shkak të reshjeve të shiut

6 January 2026 at 09:47


Banorët e Turjakës në komunën e Malishevës kanë filluar të evakuohen nga zonat e rrezikuara pas reshjeve të dendura të shiut që kanë rritur nivelin e ujit në digën e lumit Mirusha.

Largimi i banorëve po bëhet për shkaqe sigruie, ndërkaq autoritetet komunale po vazhdojnë të monitorojnë situatën nga afër.

Rritja e nivelit të ujit ka ngritur shqetësime për stabilitetin e digës, prandaj banorët e zonave përreth po dërgohen në vende më të sigurta.

Autoritetet bëjnë apel për qetësi dhe bashkëpunim me ekipet e shpëtimit.

Reshjet pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditës, ndërsa IHMK ka paralajmërojuar për mundësi përmbytjesh në disa zona. /Telegrafi/

❌
❌