Berisha: Demokratët kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur
TIRANË, 18 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarët në Kombinat (Tiranë), deklaroi se demokratët shqiptarë kanë treguar në mënyrë të përsëritur se të pamundurën e bëjnë të mundur, duke rikujtuar sfidat historike dhe sakrificat që ka kaluar vendi.
Berisha theksoi rëndësinë e përballjes me dy diktaturat që kanë shkatërruar jetën dhe lirinë e shqiptarëve.
“Diktatura e parë totalitare ishte më mizorja në Europë. Ajo pushkatoi me gjyq dhe pa gjyq mbi 7 mijë shqiptarë, internoi mbi 40 mijë dhe persekutoi mbi 100 mijë të tjerë. Diktatura e dytë, në 10 vite, përzuri nga vendi 1,1 milion shqiptarë dhe plaçkiti pasuritë publike dhe private, duke shndërruar drejtësinë në armë politike kundër opozitës dhe pluralizmit”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi se qeverisja aktuale sillet ndaj pasurive të qytetarëve si një pushtues i keq, duke krijuar ndjenja lodhjeje dhe dëshpërimi te qytetarët. Megjithatë, ai bëri thirrje që demokratët dhe qytetarët të mbajnë gjallë frymën e vendosmërisë dhe të mos harrojnë historinë e rezistencës së tyre.
Berisha rikujtoi sfidat e vitit 1991 dhe krizën e vitit 1997, duke vënë në dukje se Partia Demokratike ngriti kokën për të korrigjuar gabimet dhe për të ruajtur besnikërinë ndaj qytetarëve dhe vlerave demokratike. “Ne u ngritëm me vendosmëri dhe moral, duke thënë të vërtetën për shqiptarët dhe duke fituar besimin e tyre në vitin 2001”, tha ai.
Berisha përmendi gjithashtu protestat e filluara me pjesëmarrje minimale, që sipas tij, u shndërruan në fitore për demokratët dhe pluralizmin politik në vend.
“Partia Demokratike është parti që ndau epokat, është parti e interesit kombëtar. Ne guxuam që çështjen kombëtare ta shpallim yllin polar të PD, ndërsa dinjitetin dhe liritë e qytetarëve i vendosëm si themelin e programit tonë”, tha Berisha.
Ai theksoi se opozita ka përballuar presione të mëdha dhe përpjekje për ta shndërruar në një fasadë, duke përfshirë edhe lobimin me aktorë ndërkombëtarë kundër liderëve të saj.
Berisha vuri në dukje se secili anëtar i PD ka firmosur një akt madhor për të kundërshtuar përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të kapur dhe korruptuar opozitën.
/e.xh/r.e/
The post Berisha: Demokratët kanë faktuar se të pamundurën e bëjnë të mundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.