Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 5 January 2026Main stream

Europa “ngre krye” ndaj Trump/ Mbështetje Groenlandës: Kufijtë nuk ndryshohen me forcë

By: xhir jeta
5 January 2026 at 15:20

Europa ka reaguar ndaj deklaratave më të fundit të Donald Trump për Groenlandën, e cila sipas presidentit amerikan i duhet Shteteve të Bashkuara për çështje sigurie. Kryeministri britanik Keir Starmer shprehu mbështetjen për kryeministren daneze Mette Frederiksen, duke theksuar se ajo ka të drejtë për të ardhmen e Groenlandës.

Starmer tha se e ardhmja e Groenlandës u takon njerëzve që jetojnë atje dhe udhëheqësve të tyre në Danimarkë për të vendosur. Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul tha se Groenlanda i përket Danimarkës dhe se NATO mund të diskutojë forcimin e mbrojtjes së saj nëse është e nevojshme.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë, dhe Gjermania po bisedonte me Danimarkën dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian për këtë çështje. Nga ana tjetër një zëdhënës i Komisionit uropian tha se Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë parimin e sovranitetit kombëtar dhe shprehu mbështetjen e plotë për Danimarkën.

Franca gjithashtu shprehu solidaritet, duke thënë se Groenlanda i përket popullit të saj. Presidenti Alexander Stubb i Finlandës tha se askush nuk vendos për Groenlandën dhe Danimarkën, përveç vetë atyre./abcnews.al

Maduro në gjykatë/ Kush është gjyqtari ortodoks hebre që do të kryesojë procedurat penale në gjyq

By: xhir jeta
5 January 2026 at 14:13

Çështja e bujshme kundër Nicolás Maduros i është caktuar gjyqtarit federal 92-vjeçar Alvin K. Hellerstein, i cili u emërua dhe u konfirmua nga Presidenti Bill Clinton në vitin 1998.

Hellerstein, një gjyqtar i lartë që nga viti 2011 në Distriktin Jugor të Nju Jorkut, ka kryesuar çështje që rrjedhin nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001, si dhe çështje të tjera që përfshijnë terrorizmin dhe sigurinë kombëtare.

Gjatë verës, ish-gjenerali dhe kreu i inteligjencës venezueliane Hugo Carvajal Barrios u deklarua fajtor para Hellerstein për akuzat që lidhen me narkoterrorizmin dhe trafikimin e drogës.

Hellerstein ka bërë gjithashtu lajme vitet e fundit kur ai mohoi kërkesat e Trump për të transferuar çështjen e tij penale për heshtje në gjykatën federale. Hellerstein zbuloi se rimbursimi i Trump për Michael Cohen, i cili lehtësoi pagesat e parave për heshtje për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, nuk ishin akte zyrtare të lidhura me presidencën e tij. Trump ende po e lufton këtë vendim.

Në pranverë, Hellerstein nxori një vendim që e ndalonte administratën Trump të përdorte Aktin e Armiqve të Huaj për të deportuar venezuelianët dhe e kritikoi administratën për deportimin e njerëzve në një burg të huaj “me shpresë të zbehtë për proces gjyqësor ose kthim”.

“Familja mbi të gjitha”/ Kevin Kampl largohet nga futbolli për t’i qëndruar pranë babait

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:48

Çdo fillim e ka një fund. Sidomos në futboll, kur ai vjen më shpejt, përgjithësisht për shkak të moshës. Por historia e tërheqjes së Kevin Kampl, mesfushorit 35 vjeçar të Leipzig ka një motiv tjetër.

Ai vendosi të ndërpresë kontratën me klubin gjerman jo për shkak të moshës, por për një zgjedhje zemre: të kthehej në shtëpi dhe të ishte pranë familjes së tij, të shkatërruar nga një tragjedi e dyfishtë.

Gjithçka ndryshoi tetorin e kaluar, me vdekjen e papritur të vëllait të tij Seki vetëm 51 vjeç. Një goditje shkatërruese, e përkeqësuar në javët që pasuan nga sëmundja e babait të tij. I përballur me kaq shumë pikëllim, Kampl nuk kishte dyshime: “Humbja e papritur e vëllait tim më bëri të kuptoj se sa e çmuar është koha dhe sa e rëndësishme është ta kalojmë atë me njerëzit më të afërt me ne”, shkroi ai në një mesazh prekës për tifozët.

Leipzig e ka kuptuar humanitetin e kërkesës, duke pranuar ndërprerjen e parakohshme të kontratës së tij e Kampl. Futbolliti slloven largohet pas thuajse një dekade lidershipi me skuadrën gjermane. Ai bëri 283 paraqitje, shënoi 13 gola dhe asistoi 23 herë, duke fituar dy Kupa të Gjermanisë dhe një Superkupë, si dhe duke arritur në një gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Për këtë Leipzig e nderoi për këtë vendim, ndërsa do t’i rezervojë një lamtumirë të denjë në ndeshjen e fundit të tij më 17 janar kundër Bayern Munich./abcnews.al

Brahim Diaz, “mbreti” i Marokut/ Sulmuesi i Real shënon, marokenët mundën 1-0 Tanzaninë

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:46

Maroku shpërblen parashikimet që e shohin si favorit në Kupën e Kombeve të Afrikës, duke siguruar kualifikimin për në fazën çerekfinale të turneut që po zhvillon në shtëpinë e tij.

Të zotët e shtëpisë mundën 1-0 Tanzaninë, ndërsa edhe një herë heroi I triumfit ishte Brahim Diaz. Futbollisti i Real Madrid vendosi të bashkohej me kombëtaren e vendlindjes së nënës së tij dhe duket se ka bërë zgjedhjen e duhur.

Ai shënoi golin e vetëm dhe të fitores në minutën e 64-rt, duke vulosur biletën e Marokut për në fazën tjetër. Për Brahim Diaz, ky ishte realizimi i katërt në po aqë ndeshje, duke bërë atë golashënuesin më të mirë dhe prerendent edhe për trofeun individual si “Lojtari I Turneut”

Në çertekfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës, marokenët do të përballen me Kamerunin. Dikur dominues i futbollit afrikan, ky i fundit kaloi 2-1 Afrikën e Jugut.

Tchamedu në pjesën e parë dhe Kofane në të dytën vendosën suksesin e Kamerunit. Për afrikano jugorët, goli i nderit u shënua vetëm në limitet e kohës së rregullt.

Përveç Marokut dhe Kamerunit, në çerekfinalet e Kupës së Kombeve të Afrikës, më parë ishin kualifikuar Sengali dhe Mali./abcnews.al

City, “asist” për Arsenal/ Skuadra e Guardiola ndalet 1-1 nga Chelsea, “Topçinjtë” arratisen

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:44

Manchester City nis vitin e ri, në të njëjtën mënyrë siç mbylli të vjetrin. Barazimi i dytë radhazi për skuadrën e Pep Guardiola, që nuk shkoi më shumë se shifrat 1-1 në sfidën më të madhe të javës së 20 të Premier League kundër Chelsea.

Një frenim tjetër I fortë, si një asist për rivalët e Arsenal, që shkëputet në garën për titullin kampion. “Cityzens” dominuan në stadiumin e tyre në të gjithë komponentët e lojës, ndërsa arritën të mbyllin pjesën e parë në epërsi falë golit të Tijani Reijnders në minutën e 42-të.

Edhe pas pushimit, të zotët e shtëpisë vijuan me të njëjtin ritëm, por me ndryshimin që nuk finalizuan aksionet e tyre. Kjo i lejoi Chelsea që t’i rezervonte një fund dramatik ndeshjes, me golin e barazimit të Enzo Fernandez vetëm në minutën e katërt shtesë. Një pikë shprese për Blutë e Londrës, që ende duhet të gjejnë një trajner pas largimit të Marsekës.

Pa vlerë ky rezultat për Manchester City, që tani ka gjashtë pikë më pak se kryesuesit e Arsenal. Në të njëjtat nota dramatike u shënjua edhe barazimi 2-2 i Liverpool në tranmsfertën kundër Fulham.

Vendasit mbyllën pjesën e parë në epërsi, falë golit të shpejtë të Uillson. Pas pushimit, Virtz barazoi shifrat, ndërsa në minutën e 94-rt, Cody Gakpo i ktheu ato në favor të kampionëve në fuqi.

Por festa e Liverpool u shua në minutën e 97, kur me një gol për reklamë të Rid, Fulham vulosi fatin e sfidës. Edhe për të kuqtë, ky ishte barazimi i dytë radhazi, por gjithsesi mbeten në vendin e katërt dhe kanë në dorë biletën e fundit për në Champions./abcnews.al

Amorim nuk është më “djall”/ Manchester United shkarkon nga detyra trajnerin portugez

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:42

Rrugët e Manchester United deh Ruben Amorim janë ndarë, pasi klubi anglez vendosi të shkarkojë nga detyra trajnerin portugez.

Me një vendim të publikuar në adresën zyrtare në internet, “Djajtë e Kuq” zyrtarizuan zërat që qarkullonin pas barazimit 1-21 në ndeshjen e fundit kundër Leeds.

Ky ishte një tjetër rezultat zhghënjyes, por jo arsyeja e vetme për largimin nga detyra të teknikut.

Sipas mediave angleze, durimi i Manchester United me Amorim kaloi limitet pas deklaratave të fundit të trajnerit, që kundërshtonin hapur zgjedhjet e klubit në tregun e transferimeve.

Ruben Amorim mori drejtimin e gjigandëve të futbollit anglez vetëm 14 muaj më parë, kur u transferua me pritshmëri shumë të mëdha nga Sporting Lisbonë për të zëvendësuar Erik Ten Hag.

Pavarësisht shgpenzimeve marramendëse në merkato, ai nuk arriti ti shpërblejë ato, ndërsa kur është mbyllur gjysma e parë e sezonit në Premier League, Manchester United renditet në vendin e gjashtë me 31 pikë dhe objektiv të vetëm ka pjesmarrjen në Kupat e Europës.

Pas shkarkimit të Amorim, klubi anglez ka vendosur që deri në zyrtarizimin e trajnerit të ri, skuadra do të drejtohet nga ish mesfushori Darren Fletcher./abcnews.al

Gonzales “bën” Mbappé, Real fiton/ Gonzalo Garcia shënon 3 gola e shkëlqen në duelin e La Ligës

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:41

Mungesa ishte e madhe, dhe frika po ashtu. Kilian Mbape nuk zbriti dot në fushë këtë herë për Realin, dhe dëmtimi i yllit francez mund të sillte një tjetër dështim.

Për fat, kjo nuk ndodhi dhe mbi 80 000 spektatorët në stadiumin “Santiago Bernabeu” ndoqën me shumë kënaqësi spektaklin e një talenti të ri.

Gonzalo Garsia shënoi tre gola në fitoren 5-1 ndaj Betisit, në ndeshjen e parë të La Ligës për këtë vit. Ishte pikërisht 21-vjeçari që pati detyrën e rëndë për të zëvendësuar kapitenin e Francës, por këtë herë ia doli më së miri.

Realizoi në minutat 20, 50 e 82, pra ishte ai që fiksoi shifrat 2-0 që dhanë besim për suksesin. E përditshmja “Marka” ngre në qiell sulmuesin e ri duke shkruajtur se Gonzalo është një magjistar, dhe duke treguar golat me kokë, me volej dhe me takë.

“Gonzale, ka lindur një yll”, – titullon gazeta tjetër madrilène, “AS”, – tregolësh i lojtarit të akademisë! Vërshëllima të tjera për Vinisiusin!” Golat e tjerë për Realin u shënuan nga Raul Asensio dhe Fran Garsia, në një ndeshje të dominuar, por në të cilën trajneri Shabi Alonso u vërshëllye sërish, këtë herë sepse nuk e ka aktivizuar më shumë djalin e Akademisë madrilène, apo siç quhet në Spanjë, kanterano.

Madridi mban vendin e dytë në kampionatin spanjoll me 45 pikë, katër pikë pas Barcelonës, ndërsa shpresa është që Mbape të jetë gati për gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës ndaj Atletikos të enjten e 8 janarit./abcnews.al

Inter rikthehet në krye/ Zikaltërit i përgjigjen me fitore bindëse rivalëve Milan e Napoli

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:39

Nuk e kanë larguar ende epitetin “i çmendur”, ndonëse po përpiqen shumë. Interi i trajnerit Kristian Kivu, pavarësisht hapave të shpeshtë të gabuar si në Champions apo në Botërorin e Klubeve, si edhe në Superkupën e Italisë, u ngjit sërish në krye të Serisë A.

Fitorja 3-1 ndaj Bolonjës ishte më shumë se e merituar, me zikaltërit që ishin dominues në “San Siro” që nga fillimi e deri në fund. Suksesi me shifrat 3-1 I lejoi të parakalonin Napolin e Milanin për të mbajtur vendin e parë, e për të qenë kandidatë kryesorë për “skudeton”.

Polaku Zielinski, kapiteni Lautaro Martinez dhe Markus Turam ishin autorët e golave. Për sulmuesin argjentinas janë 10 rrjeta këtë sezon, dhe është edicioni i shtatë radhazi që shënon me dy shifra, pra të paktën 10.

Vetëm tre lojtarë në historinë e Interit ia kanë dalë më shumë, Xhuzepe Meaca e Benito Lorenci për 9 sezone, dhe Alesandro Altobeli 8. “La Gazeta delo Sport” ka titullin për Interin e Madh, “Interona”: Dominon Bolonjën, garë me tre korsi për titullin kampion!”

I njëjti refren edhe nga “Il Korriere delo Sport”: Garë treshe, luftë për titullin! Maja Lautaro, Inter argëtohet, ndërsa Napoli është i përsosur!” Inter kryeson Serinë A me 39 pikë, Milani ka 38 dhe Napoli 37 pas 17 javësh kampionat./abcnews.al

“Vallja e golave” e Sulejmanit/ Sulmuesi i Shqipërisë U21 shënon dy herë të tjera në Apenine

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:37

Skuadra nuk po e ndjek, por ai po e bën të vetën. Flavio Sulejmani mund të cilësohet si një nga shpresat më të mëdha për sulmin e kombëtares shqiptare, ndërsa këtë sezon ka qenë vendimtar në Itali.

Sulmuesi 19-vjeçar shënoi dy gola të tjerë në kampionatin Shpresa në Itali, ndonëse përballja Lacio-Fiorentina përfundoi 2-2.

Shqiptari I dha epërsinë 2-0 lacialëve me rrjetat në minutat 5 e 16, por shokët e tij nuk e mbajtën dot rezultatin, dhe jo më kot kryeqytetasit janë në vendet e fundit.

Sulejmani ka 7 gola dhe 3 asistë këtë sezon në kampionatin Shpresa në Apenine, dhe kjo vetëm në 16 ndeshje, pra është një nga lojtarët më të mirë në kontributin përpara portës.

Ai ka tundur rrjetën e Fiorentinës, Torinos, Veronës, Sasuolos, Çezenës dhe Kremonezes, ndërsa asistet kanë qenë kundër Interit, Milanit dhe Kremonezes.

Sulejmani ka kaluar me sukses kombëtaret e moshave kuqezi, nga U16 deri në U21, duke shënuar 14 gola në 42 ndeshje, ndërsa ka luajtur dy herë për ekipin Shpresa të Shqipërisë.

Në mars, do të mbushë 20 vjeç dhe padyshim që do të nisë të mendojë për t’u ngjitur në futbollin profesionist, tek Lacio apo kudo qoftë./abcnews.al

Strakosha “mbyll portën”/ Portieri i Kombëtares ka statistika të shkëlqyera këtë sezon

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:32

Faktet janë kokëforta. Tomas Strakosha mund të mos jetë portieri më i qendrueshëm dhe i pagabueshëm në botë, por gjithsesi pas problemeve që pati në Greqi, është ngjitur në piedestal.

Viti 2025 ka qenë shumë pozitiv për të, dhe sezoni në vazhdim është një nga më të mirët që mbahet mend. Gardiani i Kombëtares shqiptare ka statistika që e bëjnë njërin nga më të mirët në Europë.

Në 44 ndeshje në 2025, Strakosha mbajti portën pa prekur 22 herë, mori vlerësime të larta dhe vetëm tre portierë në kontinentin e vjetër janë paraqitur më mirë se ai.

Këta janë Donaruma, Trubin dhe Kobel.

Pavarësisht ndonjë gabimi, ai ka shmangur shumë rreziqe dhe AEK i Athinës ndodhet në vendin e parë në Superligën e Greqisë edhe për meritë të tij, ashtu si edhe të sulmuesit serb, Joviç, dhe të lojtarëve të tjerë.

Po flasim për një rilindje pas problemeve që pati në Angli, dhe pasi u tregua fillimisht i pasigurt në Greqi. Strakosha ka vazhduar edhe me pritjet e penalltive, siç bëri ndaj Panathinaikosit, ndërsa ky nivel i lartë ka qenë vazhdimisht në kombëtare, duke nisur që nga Europiani 2024 në Gjermani të paktën./abcnews.al

Ismajli hero, Asllani “në ajër”/ Fate të ndryshme këtë sezon për dy lojtarët shqiptarë te Torino

By: xhir jeta
5 January 2026 at 12:30

Nuk ka qenë aspak një idil. U mendua se Kristian Asllani do të kishte oksigjen në karrierën e tij kur Interi e huazoi tek Torino, por për fat të keq kjo nuk po ndodh.

Edhe pse mesfushori ka qenë ndër më të mirët te kombëtarja shqiptare gjatë gjithë periudhës së fundit, në Serinë A po has probleme.

Ai u la në stol në ndeshjen e kësaj fundjave, që skuadra “granata” e fitoi 3-0 në fushën e Veronës, ndërsa krejt ndryshe ndodhi me Ardian Ismajlin.

Mbrojtësi I Shqipërisë ishte titullar, luajti deri në fund dhe shërbeu asistin e golit të tretë në minutat shtesë. Ndërkaq, duke qenë muaji janar, janë shtuar zërat se Asllani mund të largohet.

Drejtori sportiv I Torinos, Xhanluka Petraki, deklaroi për Skaj Sportin se pritet shumë më tepër nga futbollisti, duke e quajtur një lojtar të rëndësishëm, por që duhet të jetë më agresiv për të fituar vendin në formacion.

Nuk përjashtohet përfundimi I huazimit në janar dhe kthimi tek Interi, ndonëse administratori I deleguar zikaltër, Bepe Marota, tha për “DAZN”-in se nuk ka folur me klubin piemontez, ndërsa shtoi se nëse ndodh që huazimi të ndërpritet, do të përpiqen për t’i gjetur Asllanit një ekip tjetër, pasi nuk bën pjesë në planet e trajnerit Kivu.

Çfarë mund të na mësojë çështja Noriega për betejën e ardhshme ligjore të Maduros

By: xhir jeta
5 January 2026 at 10:32

Më shumë se tri dekada më parë, qeveria amerikane kreu arrestimin e udhëheqësit të një vendi të huaj: diktatorit panamez Manuel Noriega. Çështja e tij mund të shërbejë tani si një udhërrëfyes për prokurorët, avokatët mbrojtës dhe gjyqtarët e përfshirë në çështjen kundër presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Ashtu si Maduro, edhe Noriega u akuzua për pjesëmarrje në një operacion të gjerë kontrabande droge drejt Shteteve të Bashkuara. Edhe ai u kap gjatë një operacioni ushtarak në vendin e tij.

Avokatët e Noriegës nisën menjëherë një mbrojtje agresive, duke akuzuar Departamentin e Drejtësisë të administratës së presidentit George H.W. Bush për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të garancive të procesit të rregullt ligjor, përmes pushtimit të Panamasë dhe arrestimit të tij jashtë territorit amerikan.

Ata pretenduan gjithashtu se Noriega gëzonte imunitet si kryetar shteti i huaj.

Maduro, për të cilin prokurorët thonë se drejtoi “banda të sponsorizuara nga shteti” dhe lehtësoi trafikun e drogës në Venezuelë, ka gjasa të ngrejë “një sërë kundërshtimesh të rëndësishme ndaj ndjekjes penale”, të ngjashme me ato që tentoi Noriega, tha Steve Vladeck, analist ligjor i CNN dhe profesor në Qendrën Juridike të Universitetit Georgetown, në buletinin e tij One First.

Sipas Vladeck, çështja ka të ngjarë të përfshijë “argumente të reja kushtetuese dhe të së drejtës ndërkombëtare”, që mund të tërheqin disa nga avokatët më të njohur të mbrojtjes penale. “Kemi parë shumë pak raste të ngjashme me këtë,” tha të shtunën Elie Honig, analist i cështjeve ligjore CNN.

Argumentet e Noriegës përfundimisht dështuan: ai u gjykua dhe u shpall fajtor në vitin 1991, duke u dënuar me 40 vjet burg. (Në vitin 1992, një gjykatës federal vendosi se ish-diktatori ishte i burgosur lufte dhe duhej të përfitonte disa të drejta në burg, megjithëse gjykatësit nuk mund të caktojnë persona në institucione të caktuara penitenciare dhe aftësia e tyre për të zbatuar vendime të tilla është e kufizuar.)

Një faktor kyç në dështimin e mbrojtjes së tij ishte fakti se gjykatat amerikane “refuzuan të shqyrtonin ligjshmërinë e vetë pushtimit”, siç vuri në dukje Clark Neily nga instituti libertarian Cato Institute në një artikull të botuar të shtunën.

“Gjykatat federale vendosën se mënyra se si një i pandehur sillet përpara një gjykate amerikane — edhe me forcë, edhe nga territori i huaj — nuk e përjashton juridiksionin penal,” shkroi Neily.

Nëse Maduro përpiqet të argumentojë se është sjellë në SHBA në mënyrë të paligjshme, ekziston praktikë gjyqësore që shpjegon pse të pandehurit mund të ndiqen penalisht në SHBA edhe nëse janë transferuar atje në mënyrë të paligjshme.

Nëse prokurorët do të detyrohen të justifikojnë arrestimin e Maduros, ata mund t’i referohen një memorandumi të vitit 1989 nga Zyra e Këshilltarit Ligjor të Departamentit të Drejtësisë, të hartuar nga William Barr, ku pretendohej se presidenti kishte “autoritet të lindur kushtetues” për të urdhëruar FBI-në të arrestonte persona në vende të huaja, edhe nëse kjo shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Barr do të bëhej më vonë prokuror i përgjithshëm si në administratën Bush ashtu edhe në administratën e parë të Trumpit. Memorandumi i tij mbetet ende i debatueshëm mes juristëve.

“’Arrat’ më të forta për t’u çarë për prokurorët do të jenë argumentet e Maduros se ai gëzon një formë imuniteti,” tha Vladeck, “qoftë sepse ishte ‘kryetar shteti’ i Venezuelës, qoftë sepse, edhe nëse nuk ishte, veprat e dyshuara burojnë nga akte zyrtare të kryera me autoritet shtetëror.”

Në rastin Noriega, gjykatat iu nënshtruan vendimit të degës ekzekutive se ai nuk kishte të drejtë imuniteti dhe theksuan “natyrën qartësisht të paligjshme të veprimeve të pretenduara”. Megjithatë, ai rast kishte një dallim të rëndësishëm: Departamenti i Shtetit nuk e njihte Noriegën si kreun e Panamasë.

Nëse gjykatat do ta rishqyrtojnë këtë precedent për shkak të statusit të Maduros si president, mbetet për t’u parë, edhe pse Departamenti i Drejtësisë e përshkroi atë në aktakuzën e hapur të shtunën si “sundimtar de facto, por i paligjshëm” i Venezuelës.

Në fund, “ndjekja penale nuk do të jetë aspak një fitore e sigurt,” përfundon Vladeck, “sidomos sa i përket akuzave ndaj vetë Maduros.”/abcnews.al

Kryeministrja daneze: Trump të ndalë “kërcënimet” ndaj Groenlandës

By: xhir jeta
5 January 2026 at 10:10

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen i ka kërkuar Presidentit Amerikan Donald Trump të “ndalë kërcënimet” për marrjen nën kontroll të Groenlandës.

Mette Frederiksen tha se “nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që Shtetet e Bashkuara të marrin Groenlandën”, duke shtuar: “SHBA nuk ka asnjë të drejtë të aneksojë ndonjërin nga tre kombet e Mbretërisë Daneze.”

Deklaratat e saj vijnë pasi Katie Miller – bashkëshortja e një prej këshilltarëve të Trumpit, Stephen Miller – postoi në rrjetet sociale një hartë të Groenlandës me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “SOON” (“së shpejti”).

Trump e ka ngritur vazhdimisht mundësinë që Groenlanda të bëhet pjesë e aneksuar e SHBA-së, duke përmendur pozicionin e saj strategjik dhe pasuritë minerare, dhe i përsëriti pretendimet edhe pas komenteve të Frederiksen.

Në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të qeverisë daneze, Frederiksen tha se po i drejtohej SHBA-së “shumë drejtpërdrejt”.

Ajo theksoi se Danimarka – “dhe rrjedhimisht Groenlanda” – është anëtare e NATO-s dhe mbulohet nga garancia e sigurisë së aleancës. Danimarka, sipas saj, ka tashmë një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-në që i jep Uashingtonit akses në Groenlandë dhe ka rritur investimet në sigurinë e rajonit Arktik.

“Prandaj i bëj thirrje të fortë Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet ndaj një aleati historikisht të afërt dhe ndaj një vendi tjetër dhe një populli tjetër që e kanë thënë shumë qartë se nuk janë në shitje,” tha ajo.

Disa orë më vonë, në Air Force One, Trump e përsëriti qëndrimin. “Na duhet Groenlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë,” u shpreh ai./abcnews.al

Before yesterdayMain stream

Nga atentatet në Shkodër e Vlorë, te vrasja e krahut të djathtë të Shullazit në Rinas/ Ngjarjet kriminale që tronditën 2025

By: xhir jeta
31 December 2025 at 09:08

Viti 2025 la pas edhe një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, me pasoje humbjen e jetëve njerëzore. Persona të përfshirë në veprimtari kriminale, atentate mafioze, krimet familjare apo sherret me thika mes adoleshentëve, kanë qenë ngjarjet që kanë karakterizuar vitin 2025.

Ngjarjet kriminale të 2025

5 janar 2025. Shkodër, vritet brenda automjetit të tij 33-vjeçari Ramazan Mataj në fshatin Dragoç të Postribës.

12 janar 2025. Tiranë, vritet me armë zjarri pranë banesës në Selitë të vogël, Bujar Nasufi, 57 vjeç.

13 Janar 2025. Vlorë, vritet në atentat Kristian Marku (Bardhi) 30 vjec në autostradën Vlorë-Fier.

13 Janar 2025. Tiranë, vritet 81-vjeçari Xhemal Meta me sende të forta në fshatin Shëngjin i Vogël të Qafë Mollës.

16 Janar 2025. Bulqizë, Vasil Kamberi vjeçari kishte dalë për gjueti bashkë me kushëririn e tij të afërt Flamur Kamberi 34 vjeç, i cili e vrau aksidentalisht.

24 Janar 2025. Tiranë, vritet me armë zjarri brenda në makinë 48-vjeçari Lulzim Visha në Kamëz

1 shkurt 2025. Tiranë, krim në familje. Babai 74-vjeçar Hekuran Gjoni vret me thikë djalin e tij 41-vjeçar, Asim Gjoni.

18 shkurt 2025. Shkodër, 34-vjeçari Kolë Manaj vret me armë zjarri bashkëjetuesen, Anila Ndoka dhe më pas vret veten.

24 shkurt 2025. Kurbin, vritet me armë zjarri 67 vjeçari Dodë Mali te toka e tij. Autori Dashnor Tota banor i zonës u arrestua nga policia.

27 shkurt 2025. Tiranë, vritet me thikë nga babai 24-vjeçarja palestineze në një apartament me qira.

27 shkurt 2025. Shkodër, vritet me armë zjarri në oborrin e banesës 20-vjeçari, Pavlin Preka në fshatin Guci e re.

17 prill 2025. Lezhë, vritet në Pllanë te dera e lokalit të tij Gjovalin Prendi, babai i Sidorel Prendit alias Roan Brahimi.

27 prill 2025. Vlorë, vritet pranë banesës 58-vjeçari Renato Hoxhaj.

2 maj 2025. Shkodër, turisti amerikan vret me thikë bashkëshorten.

3 maj 2025. Laç, plagosen 3 të rinj dhe një shitëse ambulante, humb jetën 24-vjeçari Gerald Bitri.

7 maj 2025. Has, fqinji vret fqinjin për motive pronësie. Autori Ylber Jaku vetëdorëzohet.

20 maj 2025. Durrës, vritet sapo zbret nga makina 25-vjeçari Ermir Dedja.

1 qershor 2025. Lezhë, vritet me armë zjarri pranë banesës së tij në Tale 58-vjeçari, Pjetër Kaza.

10 qershor 2025. Burrel, vritet me thikë nga kushëriri i tij 64-vjeçari në Xibër.

9 korrik 2025. Mat, gjendet i vrarë brenda në liqenin e Shkopetit 23-vjeçari Renis Dobra.

24 korrik 2025. Fier, vajza mbyt me tel babanë, Anesti Rama në fshatin Frashër.

29 korrik 2025. Korçë, 31-vjecari Ilirjan Selmani vret dhe djeg banesën e partneres së tij 52-vjeçare, Kozeta Teço.

4 gusht 2025. Shkodër, vritet me armë zjarri 65-vjeçari Frok Lleshaj në Vaun e Dejës.

14 gusht 2025. Maliq, 14-vjeçari vret me thikë bashkëmoshatarin e tij.

20 gusht 2025. Divjakë, vritet me thikë 30-vjeçari Besmir Kumria. Arrestohet autori.

28 gusht 2025. Shkodër, vritet me armë zjarri nga shoku i tij, 61-vjeçari, Piro Prroni.

4 shtator 2025. Shkodër, vritet me armë zjarri Kristjan Kola.

8 shtator 2025. Shkodër, vritet Armando Pali, Liridon Kraja, plagoset Eugen Brajoviç dhe kamarierja e një lokali

24 shtator 2025. Durrës, 24-vjeçari vret me thikë 51 vjeçarin Valbon Beqiraj arrestohet autori.

27 shtator 2025. Tepelenë vritet me armë zjarri biznesmeni Italian 44-vjeçar Edoardo Sarchi. Arrestohet autori.

2 Tetor 2025. Tiranë, vritet me thikë 40-vjeçari Hajdar Ismailgeci në Babrru. Arrestohet autori, shok i viktimës.

4 tetor 2025. Sarandë, ekzekutohet me tritol në makinë, Isuf Jaçaj.  

6 tetor 2025. Tiranë, vritet në sallën e gjyqit, gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja.

22 tetor 2025. Durrës, vriten dy të rinj në Manëz pas një sherri në lokal.

28 tetor 2025. Durrës, djali 25-vjeçar vret me thikë babanë 69-vjeçar.

28 tetor 2025. Berat, 63-vjeçari vret me thikë 42 vjeçarin pas sherrit për xhiron me kalë.

28 tetor 2025. Tiranë, 41-vjeçari Filip Shehu vret me thikë kolegun picier  Indrit Ismaillari pas sherrit për proshutën.

1 nëntor 2025. Vlorë, vritet me armë zjarri 39-vjeçari Dalan Alliaj në fshatin Gjorm të Selenicës. Arrestohet kushëriri.

11 nëntor 2025. Tiranë, vriten në një atentat mafioz sapo dalin nga aeroporti i Rinasit, Gilmando Dani dhe punonjësi i AMP Mustafa Sheqeri.

12 nëntor 2025. Durrës, në fshatin Arapaj 17-vjeçari qëllon me grusht 52-vjeçarin i cili godet kokën në bordurë, më pas ndërron jetë në spital.

26 nëntor 2025. Durrës. 15 vjeçari Erjon Boba vritet me thikë nga bashkëmoshatari.

30 nëntor 2025. Elbasan, vritet sapo futet në makinë Mondi Mëhalla.

Kosovë/ Kush janë më të votuarit për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit?

By: xhir jeta
30 December 2025 at 15:55

Dy ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush do të jenë 120 anëtarët e rinj të Kuvendit të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është duke i numëruar votat për kandidatët për deputetë qysh nga e hëna dhe deri më tani janë numëruar mbi 40 për qind të tyre.

Në zgjedhje morën pjesë rreth 45 për qind të gati 2 milionë qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet i fitoi bindshëm Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Më mposhtë mund të shihni se kush janë pesë kandidatët më të votuar në secilën parti kur janë numëruar pak më shumë se një e treta e votave.

Lëvizja Vetëvendosje:
Albin Kurti 137.299 vota
Glauk Konjufca 106.954 vota
Albulena Haxhiu 55.845 vota
Hekuran Murati 55.292 vota
Donika Gërvalla 49.228 vota

Partia Demokratike e Kosovës
Bedri Hamza 61.924 vota
Arian Tahiri 29.430 vota
Përparim Gruda 27.363 vota
Uran Ismaili 21.504 vota
Sala Jashari 19.502 vota

Lidhja Demokratike e Kosovës
Lumir Abdixhiku 30.235 vota
Hykmete Bajrami 19.160 vota
Ukë Rugova 16.781 vota
Avdullah Hoti 14.781 vota
Doarsa Kica Xhelili 14.772 vota

Lista Serbe
Sllavko Simiç 16.616 vota
Igor Simiq 16.164 vota
Liljana Stefanoviç 15.718 vota
Nemanja Bishevac 13.143 vota
Zllatan Ellek 12.889 vota

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
Ramush Haradinaj 15.247 vota
Daut Haradinaj 9.315 vota
Besnik Tahiri 9.161 vota
Bekë Berisha 6.874 vota
Agim Çeku 6.183 vota

Sipas të dhënave paraprake, LVV-ja do t’i ketë 56 ulëse në Kuvend, pasuar nga PDK-ja me 23, LDK-ja me 15, Lista Serbe 9 dhe AAK-ja 6.

Personi më i votuar në Kosovë është Albin Kurti, i cili në zgjedhjet e rregullta të 9 shkurtit i fitoi 337.791 vota, duke thyer rekordin e deriatëhershëm të presidentes Vjosa Osmani (300.756 vota).

Mbetet të shihet nëse Kurti do ta forcojë këtë rekord apo jo./rel

Rrezikohet peshkaqeni i Mesdheut/ Peshkimi i paligjshëm, alarm për peshkaqenin e bardhë të madh

By: xhir jeta
30 December 2025 at 15:51

Peshkaqenët e Bardhë të mëdhenj në Detin Mesdhe janë në rrezik zhdukjeje dhe peshkimi i paligjshëm po kontribuon drejt kësaj rruge. Sipas një studimi nga shkencëtarët amerikane, në partneritet me organizatën britanike të bamirësisë “Blue Marine Foundation”, peshkaqenët e bardhë të mëdhenj janë ndër speciet më të kërcënuara dhe shumë po shiten në tregjet e peshkut të Afrikës së Veriut.

Peshkaqenët e bardhë të mëdhenj janë një nga më shumë se 20 speciet e peshkaqenëve mesdhetarë të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar, që do të thotë se është e paligjshme t’i peshkosh ose t’i shesësh. Megjithatë, duke monitoruar portet e peshkimit në bregdetin mesdhetar të Afrikës së Veriut, studiuesit zbuluan se të paktën 40 peshkaqenë të bardhë të mëdhenj janë vrarë atje vetëm në vitin 2025.

Shumë popullata peshkaqenësh, veçanërisht peshkaqenët e bardhë, kanë rënë ndjeshëm në Mesdhe në dekadat e fundit. Ndikimi i peshkimit industrial është intensifikuar dhe është e besueshme sipas shkencëtareve, që ata të zhduken në të ardhmen e afërt. Popullata e peshkaqenëve të bardhë të Mesdheut tani klasifikohet si në Rrezik Kritik nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës.

Bashkimi Europian dhe 23 vende rreth Mesdheut kanë nënshkruar një marrëveshje, e cila thotë se këto specie nuk mund të mbahen në anije, të lëvizen nga anija në breg, të transferohen, të ruhen, të shiten ose të ofrohen për shitje.

Marrëveshja ndërkombëtare thotë se peshkaqenët e bardhë të mëdhenj duhet të lirohen të padëmtuar dhe të gjallë kur është e mundur, edhe pse këto rregulla nuk merren me kapjet aksidentale dhe zbatimi ndryshon nga një vend në tjetrin.

Foshnja humb jetën nga zjarri/ Prizren, flakët përpinë banesën, tre të tjere në spital

By: xhir jeta
30 December 2025 at 15:36

Në prag të mbylljes së vitit, në Kosovë është shenuar një tjetër ngjarje e rëndë.

Nje foshnje 12 muajshe ka ndërruar jetë pas një zjarri që përfshiu një shtëpi banimi në qendër të Prizrenit, ndërsa tre të tjerë janë dërguar për trajtim mjekësor.

Lajmin është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Ai tha se fëmija ka vdekur si pasojë e helmimit nga thithja e monoksidit te karbonit.

“Sot, rreth orës 10:00, është raportuar për një zjarr në një shtëpi banimi në qendër të qytetit të Prizrenit. Si pasojë e zjarrit, një fëmijë rreth moshës 1 vjeç ka humbur jetën, Tre fëmijë të tjerë janë shpëtuar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm shëndetësor.” -sqarojnë autoritetet.

Bytyqi shtoi se zjarri është lokalizuar pothuajse plotësisht nga forcat zjarrëfikëse, ndërsa shkaqet do të hetohen nga organet kompetente dhe do të vërtetohen pas përfundimit të procedurave hetimore.

Histori rozë (dhe blu)/ Arrestohet Drejtoresha e Ministrisë së Brendshme, dogji shtëpinë e ish-bashkëjetuesit

By: xhir jeta
30 December 2025 at 15:31

Policia e Komisariatit nr.4, ka vënë në pranga, Drejtoreshën për Politikat e Migracionit, Azilit dhe Antitrafikimit, në Ministrinë e Brendshme, Alma Bime.

Sipas policisë, Bime është vënë në pranga për shkak se ka djegur disa orendi shtëpiake, në banesën e ish bashkëjetuesit të saj, Mareglen Tomori, po ashtu me detyrën e drejtorit të një organizate. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në fundjave, ndërsa në një tjetër episode, Bime, sipas policisë ka kërcënuar me mesazhe edhe një shtetas të huaj, i cili këto mesazhe i ka dorëzuar në polici.

Por kjo histori nuk nis këtu. Në muajin shtator, Alma Bime, pas një sherri me ish bashkëjetuesin, bëri denoncim në polici për dhunë.

Më 21 shtator, arrestoi, Mareglen Tomorin, drejtor i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (IPO), një organizatë, me status këshillimor, pasi u dyshua se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses së tij. Por pas daljes në gjykatë, Mareglen Tomori dhe Alma Bime, sipas të dhënave nga policia u pajisën të dy më urdhër mbrojtje./abcnews.al

Rama punët, Berisha fjalët/ Kryeministri analizon punën e 2025, kreu i PD bën analizën e Ramës

By: xhir jeta
30 December 2025 at 15:25

Sali Berisha mbajti konferencën e fundit këtë vit, për një përballje kokë më kokë në kohë reale dhe dixhitale me Edi Ramën.

Rama doli për të bërë bilancin e qeverisë, Berisha doli për ti bërë bilancin Ramës.

“Mbyllim këtu sot komunikimin me mediat, dhe nëpërmjet tyre me qytetarët, dhe është traditë të bëjmë një bilanc të shkurtër të këtij viti kulmor të narkoregjimit të Edi Ramës. Viti 2025 ishte një vit, në të cilin qytetarët shqiptarë u vodhën më shumë se kurrë në 35 vite, më shumë se kurrë në ekzistencën e tyre.Këtë vit shpërthyen në të katër anët ujërat e zeza të regjimit mafioz të Edi Ramës.”

Por për të dy ky vit nuk solli ndonjë ndryshim, Rama mbeti kryeministër, Berisha lider opozite, atëherë çfarë të reje pati në 2025?

“Pra zhvillimet e muajve të fundit, 11 maji dhe zhvillimet në vazhdim, provuan para çdo shqiptari se se Edi Rama ka zero legjitimitet në postin e tij. Dorëheqja ishte një opsion, ai nuk pranon, kështu që do e heqin shqiptarët”

Vit i ri, do të thotë premtim i ri. Një bilanc për opozitën mungoi. Berisha u premton demokratëve se vitin tjetër do rrëzoje Edi Ramën, por sështë e thënë që ti sjellë në qeveri.

“Rrëzimin e këtij regjimi, qeverinë teknike, zgjedhje të reja”

Sali Berisha e mbështet luften e tij te qytetari dixhitial. Aty i vinë thashethemet që më pas i shpërndan edhe në mediat që e duan fort se u jep çdo ditë spektakël falas. por këtë fundvit, me Edi Ramën humbi edhe betejën dixhitale. Shfaqja e tij në internet u ndoq 50 herë më pak se ajo e Edi Ramës. 50, sa shifra e mandateve që i vulosën humbjen në 11 maj. 50 është shifra e Sali Berishës që i shënoi këtë vit zgjedhor. Një ogur jo i mirë edhe për 2026.

❌
❌