Zyrtarja e Ministrisë së Brendshme, Alma Bine ka thyer masën e arrestit shtëpiak dhe ka shkuar të djegë makinën e ish-partnerit, vetëm një javë pasi është denoncuar prej tij se i kishte hyrë në banesë dhe i kishte vënë flakën krevatit dhe orendive të tjera në banesë.
Për këtë arsye policia ka njoftuar arrestimin e 43-vjeçares e cila ka mbajtur detyrën e drejtoreshës së Emigracionit në Ministrinë e Brendshme.
Sipas burimeve zyrtare, arrestimi i saj u krye pas konstatimit se Bime kishte thyer masën e vendosur nga gjykata, ndërkohë që ndaj saj rëndojnë edhe akuza të reja për ngjarje të përsëritura dhune dhe kanosjeje ndaj ish-bashkëjetuesit, Mareglen Tomori.
Më herët, gjatë muajit dhjetor, Alma Bime ishte shoqëruar nga Policia nën dyshimet për kanosje të një shtetasi të huaj përmes mesazheve, si edhe për djegien e orendive shtëpiake në banesën e ish-bashkëjetuesit, e ndodhur në rrugën “Hysen Xhura”, në zonën e Kinostudios. Pas kësaj ngjarjeje, gjykata kishte caktuar ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, masë e cila rezulton të jetë shkelur.
Sipas të dhënave të hetimit, më 31 dhjetor, Bime dyshohet se ka tentuar sërish t’i vërë flakën banesës së ish-bashkëjetuesit, si dhe ka tentuar ta plagosë atë, çka ka çuar në përkeqësimin e pozitës së saj ligjore dhe arrestimin nga shërbimet e Policisë.