FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës
UASHINGTON, 28 janar /ATSH-DPA/ – Qeveria e përkohshme e Venezuelës ka rënë dakord t’i paraqesë Shteteve të Bashkuara të Amerikës për miratim një buxhet mujor, deklaroi sot sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Duke folur në një seancë dëgjimore të një komisioni të Senatit, Rubio tha se qeveria amerikane vendos se për çfarë mund dhe nuk mund të përdoren fondet, në kuadër të asaj që ai e quajti një “mekanizëm afatshkurtër”.
“Në fakt, ata janë zotuar të përdorin një pjesë të konsiderueshme të këtyre fondeve për të blerë ilaçe dhe pajisje drejtpërdrejt nga Shtetet e Bashkuara”, tha ai, duke shtuar se drejtuesit e Venezuelës kanë qenë shumë bashkëpunues.
Në fillim të janarit, forcat amerikane sulmuan Venezuelën dhe kapën udhëheqësin e saj autoritar, Nicolas Maduro, si edhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke e futur vendin e Amerikës së Jugut në një fazë trazirash politike.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të ringjallë industrinë e madhe të naftës në Venezuelë dhe ka premtuar fitime të mëdha si për veten e tij, ashtu edhe për popullin venezuelian.
Menjëherë pas grushtit të shtetit, presidenti Trump njoftoi gjithashtu synimin për ta drejtuar Venezuelën në mënyrë tranzitore, pa sqaruar saktësisht se si e parashikonte këtë proces.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me zëvendëspresidenten e Maduros, Delcy Rodríguez, e cila ka marrë detyrën si presidente e përkohshme e vendit./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Rubio: SHBA miraton çdo muaj buxhetin e qeverisë së Venezuelës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.