Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Main stream

Osmani në SHBA: Presioni që ushtrohet përmes vendimeve nga Gjykata Kushtetuese, mund të çojë në destabilizim

4 February 2026 at 19:46


Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim, në një fjalim të mbajtur në Capitol Hill, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ngriti alarmin për zhvillimet e fundit në Ballkanin Perëndimor.

Ai përmendi tentativën për prekjen e Marrëveshjes së Ohrit, duke shtuar se sot presioni nuk ushtrohet më vetëm me mjete ushtarake, por përmes narrativave politike dhe institucioneve, duke përmendur konkretisht rolin e Gjykatës Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut si pjesë e një klime që mund të çojë drejt destabilizimit.

Ai nënvizoi se Ballkani Perëndimor tashmë është pjesë e hapësirës së konkurrencës strategjike dhe se integrimi rajonal, infrastruktura dhe bashkëpunimi politik janë elemente kyçe të parandalimit modern. Në këtë kontekst, Osmani përmendi edhe Iniciativën e Korridorit 8, të cilën e cilësoi si projekt sigurie për krahun jugor të NATO-s.

Ai apeloi që rajoni të mos trajtohet vetëm si hapësirë për menaxhimin e krizave, por si investim strategjik në arkitekturën euroatlantike të sigurisë, duke paralajmëruar se injorimi i këtyrezhvillimeve sot mund të prodhojë pasoja serioze në të ardhmen.

Protesta për konfiskimin e automjeteve për shoferët pa leje, MPB paralajmëron masa

4 February 2026 at 19:03


Qindra qytetarë të prekur nga masa e sekuestrimit të automjeteve për drejtim pa dhënë provimin e vozitjes protestuan në Shtip, Koçan, Strumicë, Prilep, Manastir dhe Resnjë, për shkak të marrjes së automjeteve të tyre, në përputhje me nenin 297 të Kodit Penal për “drejtim të pakujdesshëm të mjetit motorik”.

Në Shtip, një grup qytetarësh dogjën goma në rrugë, pas çka ndërhyri Shërbimi i Zjarrfikësve për të shuar zjarrin dhe për të normalizuar gjendjen.

Në Koçan, qytetarët u mblodhën në lagjen Trajanovo Trllo. Në Manastir u bllokua rruga magjistrale drejt Resnjës, pranë lagjes Bair, ndërsa protesta vazhdoi edhe sot nëpër rrugët e qytetit. Motivi i përbashkët i të gjitha protestave është pakënaqësia ndaj konfiskimit të automjeteve, të cilat, sipas qytetarëve, kanë qenë mjeti i tyre kryesor i punës dhe burim jetese për familjet e tyre.

Nga MPB njoftuan se nuk ka pasur prishje të rendit dhe qetësisë publike në protestat e mbrëmshme, por në koordinim me Prokurorinë Publike, po ndërmerr masa dhe aktivitete për veprim të mëtejshëm.

Misajllovski në samitin REAIM: Është konfirmuar gatishmëria e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit maqedono-spanjoll në mbrojtje

4 February 2026 at 18:23


Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski sot ka marrë pjesë në hapjen e Samitit të tre global për inteligjencë artificiale në mbrojtje – REAIM, që po mbahet në A Korunja, Mbretëria e Spanjës.

Ngjarja organizohet me ftesë të ministres spanjolle të Mbrojtjes, margarita Robles Ferndandes.

Në samit, në të cilin marrin pjesë ministra, përfaqësues shtetërore nga vendet anëtare të OKB-së, bashkësia akademike dhe organizatat ndërtkombëtare, diskutohet për zhvillimin përgjegjës të inteligjencës artificiale në konteskt ushtarak dhe rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare.

Në kuadër të ngjarjes, siç njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes, Misajllovski ka realizuar takim dypalësh me ministren Robles, në të cilën është konfirmuar gatishmëria e përbashkët për avancimin e bashkëpunimit në mbrojtje mes dy vendeve.

Dy ministrat kanë biseduar për më shumë aktivitete të mundshme të përbashkëta dhe për përgatitjen e një Plani të ri për bashkëpunim.

Ministri Misajllovski theksoi se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë mbrojtëse kërkon bashkëpunim të fortë midis aleatëve për të siguruar sigurinë dhe stabilitetin. Sipas tij, ftesa për në REAIM është një konfirmim shtesë i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe me Spanjën.

Në deklaratën e tij, Misajllovski kujtoi se në nëntor 2024, Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë kandidat nga Ballkani Perëndimor që nënshkroi Partneritetin e sigurisë dhe mbrojtjes me Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi do të vazhdojë të japë një kontribut të fortë në sigurinë rajonale dhe kolektive.

Ministria e Drejtësisë e refuzoi kërkesën e studentëve shqiptarë, provimi i jurisprudencës do të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase

4 February 2026 at 17:40


Ministria e Drejtësisë ka refuzuar kërkesën e 385 studentëve shqiptarë të cilët kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Nga Ministria e Drejtësisë vlerësojnë se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Në një përgjigje të gjatë në të cilën gjen shumë nene dhe ligje të cituara nga ministria thonë se gjuha shqipe dhe alfabeti i saj janë zyrtar, por deklarojnë se Ligji për Provimin e Jurisprudencës nuk përmban dispozita për dhënien e provimit të jurisprudencës në një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase.

“Zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: Me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi. Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaruan nga ministria për televizionin Shenja.

Nga ky dikaster thonë se për t’u bërë gjykatës, prokurorë, avokat e për të ushtruar profesione të tjera që lidhen me juridikun, duhet me patjetër të njohësh në mënyrë aktive gjuhën maqedonase.

“Një nga kushtet për zgjedhjen e gjyqtarit është që personi të zotërojë në mënyrë aktive gjuhën maqedonase. Në përputhje me nenin 61 të Ligjit për prokurorinë publike për prokurorë publik mund të emërohet gjegjësisht të zgjidhet një person, i cili e zotëron në mënyrë aktive gjuhën maqedonase”, deklaruan nga ministria.

Për çështjen e provimit shqip të jurisprodencës ka reaguar sot edhe ambasadori shqiptar në RMV, Denion Mejdani duke deklaruar se kërkesa e studentëve për qasje të barabartë në arsim dhe në proceset profesionale është pjesë e një debati më të gjerë për zbatimin praktik të të drejtave të garantuara me ligj dhe funksionimin efektiv të institucioneve.

Kujtojmë se kjo përgjigje e Ministrisë së Drejtësisë vjen një javë pasi studentët shqiptarë kërkuan që provimi i jurisprodencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe. Këtë kërkesë ata e mbështetën në një peticion të nënshkruar nga 385 studentë nga universitete të ndryshme të fakulteteve juridike. /shenja

LSM e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80 për qind

4 February 2026 at 17:00


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë e dorëzoi në Kuvend iniciativën me të cilën pagat e funksionarëve duhet të ulen për 80%.

Sipas propozimit të LSM-së, funksionarët në vend do të kishin pagë deri rreth 1.000 euro, në vend të 2.000 deri 3.000 eurove sa janë tani.

“Iniciativa është në drejtim që edhe ata, ashtu si punëtorët, ashtu siç i bindin punëtorët se jetohet mirë me pagë minimale, të ndryshohet neni 11 i të njëjtit ligj dhe në vend që si deri tani baza për përllogaritjen e pagës së funksionarëve të jetë paga mesatare, të jetë paga minimale. Për më tepër kërkojmë që koeficienti i kompleksitetit për përcaktimin e kompensimit të pagave të përcaktuara me këtë ligj të ulet për 40 për qind, ose gjithsej 80 për qind ulje të pagave të funksionarëve”, tha Sllobodan Trendafilov nga LSM.

Nga LSM paralajmëruan bllokimin e rrugëve pranë institucioneve kyçe të vendit, në rast se kërkesa e tyre nuk pranohet.

DPHM: Deri të shtunën do të mbajë mot i ndryshueshëm, nga e diela ftohtë dhe borë në male

4 February 2026 at 16:25


Në ditët në vazhdim pritet të mbajt mot i ndryshueshëm me vranësira dhe relativisht i ngrohtë me reshje të kohëpaskohshme të shiut që në vende të caktuara do të jenë më të dendura.

Sipas njoftimeve nga DPHM, gjatë natës në pjesët juglindore të vendit priten reshje mbi 20 litra për metër katror.

Të premten do të ketë reshje më intensive të shiut në pjesët perëndimore të vendit. Do të fryjë erë mesatare, herë pas herë e përforcuar.

Nga e diela paralajmërohet ftohje e motit, me çka reshje bore priten në zonat malore dhe në disa nga vende më të larta të vendit.

Yesterday — 3 February 2026Main stream

Rokas: Maqedonia ka prolonguar implementimin e reformave, gjyqësori ka mbetur pa përparim

3 February 2026 at 20:54


Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov tha se forcimi i efikasitetit dhe pavarësisë së gjyqësorit është një nga prioritetet më të larta shtetërore dhe një parakusht për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucione.

“Ky është një moment kritik dhe vendimtar për sistemin e drejtësisë. Ne duhet ta perceptojmë situatën qartë dhe me objektivitet, sepse vetëm përmes një vlerësimi të saktë mund të arrijmë zgjidhje të qëndrueshme”, tha Filkov.

Euroambasadori Mihalis Rokas, kujtoi se në raportin e Komisionit Evropian, gjyqësori mori vlerësim “pa përparim” dhe se niveli i pajtueshmërisë me BE-në është “i moderuar”.

“Në vend kanë ndodhur një seri prolongimesh në implementimin e reformave. Në konceptin e ri për Planin për Rritje, BE nuk është donator, por ‘investitor’ në sundimin e ligjit, sepse paratë lidhen me rezultatet”, deklaroi Rokas.

Sipas analizës së projektit “Mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit”, mungesa e gjykatësve dhe personelit gjyqësor vlerësohet si problemi më kritik në gjyqësor, me tendencën që çdo vit të përkeqësohet, teksa Maqedonia e Veriut funksionon me numër dyfish më të vogël të gjykatësve për kokë banori.

KSHPK do të hetojë anëtaren Cveta Ristovska

3 February 2026 at 20:16


Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSPK) ka nisur procedura për verifikimin e konfliktit të interesit dhe fshehjes së pasurisë ndaj anëtares së tij, Cveta Ristovska. Hetimi është i përqendruar në financimin e fushatave zgjedhore, pasi kompania “Bust DOOEL”, në pronësi të njërit prej djemve të Ristovskës, ka përfituar nga 35.000 euro nga fushatat e Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkovës gjatë vitit 2024.

Rasti konsiderohet problematik për shkak se pikërisht Komisioni Antikorrupsion është institucioni kompetent për mbikëqyrjen dhe kontrollin e financimit të këtyre fushatave zgjedhore.

Ristovska dyshohet se në formularin e deklarimit të pasurisë ka ometuar të deklarojë se dy djemtë e saj janë pronarë të agjencive të marketingut.

Ajo i ka mohuar akuzat, duke theksuar se fëmijët e saj nuk jetojnë në një familje të përbashkët me të që nga viti 2017 dhe se aktivitetet e tyre afariste janë të pavarura nga funksioni i saj publik.

Ristovska thekson se në çdo rast kur ekziston rrezik për konflikt interesi, ajo kërkon përjashtim nga vendimmarrja.

Rritet numri i të prekurve me sëmundjeve të rralla në Maqedoni, apelohet për dhurimin e organeve

3 February 2026 at 19:34


Zonja Sonja Stoleska është një person e cila jeton me zemër të dhuruar, ndërsa apeli i saj është që njerëzit të jetë më të vetëdijshëm se dhurumi i organeve të një familjari që nuk jeton më, mund të shpëtojë jetë.

“Unë u sëmura në ‘98-tën dhe kur kisha 33 vjeç, 1 vjet e gjysmë u trajtova në Maqedoni dhe pastaj shkova në Beograd, sepse vetëm atje më pranuan sepse shtet tjera nuk na pranonin neve nga Maqedonia sepse nuk ishim as dhurues organesh as pranues organesh. 18 muaj prita në Beograd 89 punkcione abdominale, 37 punkcione dhe mbi 1000 albumine pritet shumë vështirë por pas asaj jetohet shumë mirë dhe për këtë apeloj që vetëdija e dhurimit të organeve të ngrihet në nivelin më të lartë të mundshëm”, thotë pacientja Sonja Stoleska.

Dhjetë deri në pesëmbëdhjetë pacientë janë me mbështetje mekanike të zemrës, ndërsa ka edhe persona me probleme të zemrës që nuk mund ta sigurojnë atë preparat dhe presin donator zemre.
Pacientja më e re që pret transplantim të zemrës është një 26 vjeçe. Të tjerë pacientë që e presin prej vitesh janë të moshës 26 deri 43 vjeç.

“Deri më tani në Maqedoni nuk është bërë transplantim i pacientëve që janë me mbështetje mekanike në zemër. Është bërë transplantimi i një zemre të sëmurë në të shëndoshë, megjithatë mendojmë se është koha të filloj edhe transplantimi tek ata pacient sepse ka pacient që presin 7 vite në listën për transplantim. Kjo ndodh sepse nuk ka donatorë”, tha Lena Radeva Najdeska, bashkëshorte e një pacienti me zemër mekanike.
Profesor doktor Sasho Dohçev thotë se është mëkat mbi 100 pacient të presin për dhurim veshkësh.

“88 është pak sepse në listën e pritjes janë mbi 100 pacient. Për veshkë është gjynah që të presin aq shumë njerëz për të pranuar organe. Dënojnë në dy javë, 10 ditë kemi termine për transplant”, deklaroi Sasho Dohçev.

Regjistri jozyrtar në Maqedoninë e Veriut numëron mbi 408 diagnoza me sëmundje të rralla. /tv21

Qeveria e RMV-së miratoi programin e punës për vitin 2026

3 February 2026 at 18:50


Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, deklaroi se qeveria në seancën e sotme e miratoi programin e punës së Qeverisë për vitin 2026, i cili përfaqëson një dokument strategjik, gjithëpërfshirës dhe reformues prej mbi 400 faqesh, që definon qartë prioritetet, dinamikën dhe vizionin për zhvillimin e shtetit në periudhën e ardhshme.

Programi, sqaroi ajo, është i strukturuar sipas fushave që përfshijnë kompetencat e pushtetit legjislativ, por edhe të atij ekzekutiv, dhe përfaqëson hartën tonë të qartë për reformat që vijojnë dhe që do të ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve, funksionalitetin e institucioneve, por edhe në perspektivën evropiane të shtetit.

“Ky Program është një plan i qartë me vizion, afate dhe përgjegjësi. Ai pasqyron vullnetin politik të kësaj Qeverie për reforma, stabilitet, por edhe një të ardhme evropiane dhe përfaqëson themelin tonë të fortë për një vit në të cilin Qeveria do të japë rezultate”, theksoi Miteva.

Programi qeveritar, siç shpjegoi ajo, parashikon zgjidhje të reja moderne ligjore dhe sistemike në kujdesin shëndetësor dhe arsim, ndërsa prioritetet përfshijnë transformimin digjital, reformat në gjyqësor dhe administratën publike, si dhe programe që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të standardeve të jetesës në fushat e mjedisit jetësor, kujdesit shëndetësor, sigurisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

“Në lidhje me pjesën legjislative, ose atë që nënkuptojmë si kompetencë të Kuvendit, fokusi është vendosur aty ku shteti ka përgjegjësinë më të madhe, shëndetësia dhe arsimi. Janë parashikuar ligje të reja, bashkëkohore dhe sistemore që rregullojnë arsimin e lartë dhe të mesëm, veprimtarinë kërkimore-shkencore, por edhe shërbimin pedagogjik, si dhe avancimin e statusit dhe zhvillimit profesional të kuadrit mësimdhënës. Këto zgjidhje janë të orientuara drejt cilësisë, aksesueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit arsimor, si themel i zhvillimit afatgjatë”, theksoi Miteva.

Paralelisht, tjeksoi ajo, Qeveria po e shtyn fuqishëm edhe transformimin digjital, mes tjerash përmes miratimit të Ligjit të ri për faturën elektronike, me të cilin digjitalizimi i procedurave tatimore bëhet shtyllë kyçe e reformës tatimore. Me këtë do të sigurojmë më shumë efikasitet, më shumë transparencë, por edhe më pak barrë administrative për qytetarët dhe për kompanitë.
Reforma në drejtësi, nënvizoi ajo, mbetet prioriteti ynë i lartë.

“Në kompetencë të Ministrisë së Drejtësisë janë parashikuar ndryshime të Kodit Zgjedhor, me inkorporimin e plotë të rekomandimeve nga misionet ndërkombëtare, si një sinjal i qartë për përkushtimin ndaj standardeve demokratike, zgjedhjeve të ndershme, por edhe sundimit të ligjit”, shtoi Miteva.

Në lidhje me reformën në administratën publike theksoi se janë parashikuar ligje sistemore për shërbimin e lartë drejtues, avancimin e cilësisë në sektorin publik dhe për herë të parë vendosjen e një sistemi unik të pagave në sektorin publik.
“Bëhet fjalë për zgjidhjen e një problemi shumëvjeçar, ku pagat rregullohen në mënyrë të fragmentuar, shpesh të pakoordinuara dhe në kundërshtim me parimet kushtetuese. Zgjidhja e re sjell drejtësi, transparencë dhe më e rëndësishmja, pajtueshmëri me Agjendën Reformuese, më saktësisht me hapin 18”, tha Miteva.

Në pjesën e dytë të Programit, atij që i referohet akteve dhe materialeve për të cilat vendosim ne si Qeveri, informon se janë parashikuar një sërë programesh që synojnë përmirësimin e drejtpërdrejtë të standardit të jetesës, në fushën e mjedisit jetësor, shëndetësisë, sigurisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale.

“Për vitin 2026 është planifikuar Plani Operativ për masa aktive për punësim, i bashkërenduar me nevojat reale të tregut të punës, me qëllim rritjen e përfshirjes së personave të papunë dhe integrimin më efikas të kategorive të ndjeshme. Në kontekstin ekonomik dhe promovues, po hapet një kapitull i ri përmes brendimit nacional të turizmit, ekonomisë dhe shtetit, nën një imazh të qartë, të identifikueshëm dhe bashkëkohor. Kjo është një mundësi e fuqishme që Maqedonia të pozicionohet në mënyrë strategjike para publikut evropian si një destinacion tërheqës turistik dhe një ekonomi e qëndrueshme e hapur, me potencial serioz investimi”, tha zëdhënësja qeveritare.

Në shëndetësi, shtoi ajo, Ministria e Shëndetësisë inicion përgatitjen e Strategjisë për mjekët e rinj 2026–2030, diçka që ka një qëllim të qartë: mbajtjen, motivimin dhe zhvillimin profesional të kuadrit mjekësor.

“Jemi të vetëdijshëm se në një kohë të mungesës dhe largimit të punonjësve shëndetësorë, kjo strategji do të vendosë mbështetje sistemore, mentorim, por edhe edukim të vazhdueshëm, gjë që në afatgjatë do të thotë një sistem shëndetësor më i fortë dhe më i qëndrueshëm”, deklaroi Miteva.

Gjithashtu, është shumë e rëndësishme të theksohet se për herë të parë do të ngrihet edhe Qendra për aftësi digjitale në administratën publike, një instrument kyç për transformimin digjital të shtetit. Programet do të jenë të dedikuara për të gjitha strukturat, që nga ato drejtuese, vendimmarrësit dhe ekspertët e kibernetikës, por edhe për të gjithë kuadrin administrativ, sepse digjitalizimi nuk është një projekt, por për ne përfaqëson një proces afatgjatë.

LSM më 10 shkurt do të nisë me bllokadat, kërkojnë rritje të pagës minimale në 600 euro

3 February 2026 at 18:10


Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë do të fillojë më 10 shkurt me një bllokadë në Kuvendin e Maqedonisë dhe vazhdojnë më 12 shkurt me bllokada para Odës Ekonomike.

Bllokada para Qeverisë është paralajmëruar për më 17 shkurt.

“Dje skadoi afati që mijëra punëtorë ua dhanë deputetëve në Kuvend për të bërë ndryshime të shpejta në Ligjin për pagën minimale, të cilët do ta rrisin atë në 600 euro, ndërsa të tjerat do të rriten me diferencën nga rritja e pagës minimale, pra me të paktën 6.000 denarë. Qëndrimi injorant i treguar nga deputetët ndaj punëtorëve na ka bërë që të kalojmë në fazën e dytë të aktiviteteve që po zbatojmë për rritjen e pagave të punëtorëve”, tha sot kryetari i LSM-së, Slobodan Trendafilov.

Nesër, në orën 11:00, LSM do t’i paraqesë Kuvendit një nismë për ndryshime në Ligjin për pagat dhe shpërblimet e tjera të deputetëve të Kuvendit dhe personave të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar.

“Me këtë nismë, po e ndryshojmë nenin që përcakton bazën për llogaritjen e pagave, në mënyrë që në vend të pagës mesatare aktuale si bazë për llogaritjen e koeficientit të kompleksitetit, baza të jetë paga minimale për koeficient kompleksiteti. Në këtë mënyrë, po u japim atyre mundësinë të tregojnë se nuk do të lejojnë një rritje shtesë të inflacionit në Maqedoni dhe se janë të gatshëm të ulin pagat e tyre me 40 për qind vetëm duke ndryshuar këtë dispozitë ligjore, dhe gjithashtu të ulin koeficientët e kompleksitetit me 40 përqind”, tha Trendafilov.

Nëse nuk e bëjnë këtë, LSM po nis një nismë për të mbledhur 10,000 nënshkrime për t’u bërë propozues i autorizuar i ndryshimeve të tilla ligjore. Një grevë e përgjithshme njëzet e katër orëshe mbetet një mundësi, dhe nuk përjashtohet mundësia e organizimit të një proteste tjetër si ajo e mbajtur të mërkurën e kaluar.

Lidhur me heqjen e seksionit të pagave nga Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive, LSM thotë se nuk do t’u lejojë punëtorëve të heqin dorë nga një e drejtë e fituar dikur e garantuar me Kushtetutë dhe ligj.

Toshkovski: Dy shoferë kanë shënuar rekord, i kanë nga 40 ndalesa për drejtim të automjetit

3 February 2026 at 17:31


Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi në Tv Alfa se gjithsej 508 kundërvajtje ka regjistruar sistemi “Qyteti i sigurt” dje deri në orën 20 në ditën e dytë të zbatimit të tij zyrtar. Prej tyre, 454 janë për shpejtësi të tejkaluar, 42 janë për kalim në dritë të kuqe, 12 janë për automjete të paregjistruara.

Numri i djeshëm i kundërvajtjes është përafërsisht i njejtë si edhe të dielën kur filloi “Qyteti i sigurt”.

Toshkovski është i kënaqur nga, siç theksoi, numri i vogël i dënimeve dhe pret ashtu edhe të mbetet gjatë tërë periudhës 24-orëshe.

Statistika e MPB-së tregon se në katër vitet e fundit, pjesa më e madhe e kundërvajtjeve, përkatësisht 55.405 qytetarë, kanë nga një ndalesë të shqiptuar. Sipas Toshkovski, janë ata qytetarë të cilëve çdoherë mund t’u ndodhë të kryejnë kundërvajtje.

Me dy kundërvajtje janë 7 987 shoferë, përderisa me nga tre aktvendime fuqiplote për ndalesë të drejtimit të automjetit kanë 1 863 shoferë.

Theksoi se janë 677 persona me katër ndalesa, 291 me pesë ndalesa, ndërsa rekord kanë shënuar dy shoferë të cilët kanë nga madje 40 ndalesa të shqiptuara për drejtim të automjetit motorizues.

Risteski: Paga minimale nuk rritet me vendime të momentit, por duke analizuar realitetin ekonomik

3 February 2026 at 16:50


Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, ka deklaruar se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale.

Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj dialogut social trepalësh në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social (KES) dhe se është e hapur për diskutim transparent për të gjitha çështjet.

“Sipas zgjidhjes sistematike që është miratuar në kuadër të KES-it dhe me mbështetjen e Lidhjes së Sindikatave, paga minimale rregullohet sipas një formule të miratuar disa vite më parë. Atëkohë, kjo zgjidhje u paraqit si një fitore e madhe, duke garantuar rritje të pagës minimale pa ndërhyrje administrative apo politike. Sot, i njëjti subjekt ka ndryshuar plotësisht narrativën, duke kërkuar rritje prej 50 për qind jashtë kësaj formule ligjore, pavarësisht stabilizimit të ekonomisë dhe inflacionit prej 4 për qind. Këto kërkesa, pa marrë parasysh produktivitetin e punës si tregues kyç ekonomik, janë pa logjikë ekonomike,” deklaroi Risteski.

Ai shtoi se krahasimet e thjeshta me shtetet e tjera mund të krijojnë një pasqyrë të shtrembëruar, pasi çdo ekonomi ka strukturën dhe veçoritë e saj. Ai vlerësoi se zgjidhja e çështjeve ekonomike kërkon një qasje serioze.

“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut karakterizohet nga një strukturë specifike, ku mbi 90 për qind e kompanive janë mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe zejtarë dhe tregtarë individualë, të cilët punësojnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore dhe do të preken drejtpërdrejt nga këto vendime. Po ashtu, sektorët intensivë të punës, si industria e tekstilit dhe ajo e lëkurës, ku paga minimale është më e përhapur, mund të rrezikohen seriozisht nga rritje të pamenduara. Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar në zbatimin e politikave që forcojnë ekonominë dhe rrisin standardin jetësor, por kjo nuk arrihet përmes vendimeve ad-hok apo ndërhyrjeve administrativo-politike. Paga minimale duhet të rritet në mënyrë sistematike, të qëndrueshme dhe në përputhje me realitetet ekonomike,” deklaroi Risteski.

Before yesterdayMain stream

Prokuroria dorëzoi aktakuzë për disa persona, për një rast korrupsioni me fondet IPARD

2 February 2026 at 20:28


Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Penale të Shkupit për një rast korrupsioni lidhur me fondet IPARD.

Një person akuzohet për dhënie ryshfeti dhe shpërblim për ndikim të paligjshëm, tre persona për marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm, ndërsa një person tjetër për marrje ryshfeti.

Sipas prokurorisë, drejtuesi i një kompanie kishte aplikuar për mbështetje financiare, por aplikimi nuk plotësonte kushtet.

Për ta ngritur në renditje dhe për ta miratuar shumën e plotë, ai kishte premtuar 50 mijë euro dhe kishte dhënë 5 mijë euro për persona që të ushtronin presion për vendim të paligjshëm.

Prokuroria kërkon vazhdim të masave të paraburgimit dhe konfiskim të parave e pajisjeve të përdorura në vepër.


Për një vendparkim, 66 vjeçari nga Gostivari ka sulmuar fizikisht një grua dhe djalin e saj

2 February 2026 at 19:43


Një nënë nga Gostivari së bashku me djalin e saj, kanë denoncuar në polici fqiun e tyre për sulm fizik.

Sipas deklaratës,sulmi ka ndodhur për një vendparkim.

Të enjten në ora 19:25, në stacionin policor në Gostivar, B.M. 48-vjeçe dhe djali i saj D.S. (20) nga Gostivari kanë denoncuar se në rrugën “Goce Dellçev” në Gostivar, pas një debati të shkurtër për një vendparkim, janë sulmuar fizikisht nga fqinji i tyre I.Q. (66), i cili ka përdorur edhe një objekt të fortë. Rreth orës 19:45, I.Q. është paraqitur vetë në stacionin policor dhe po ndërmerren masa për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rastit, ndërsa ndaj tij do të vijojë parashtresa përkatëse", thuhet në raportin e policisë.

Dimitrieska-Koçoska: Hetimet financiare destinohen në konfiksimin real të pronës dhe në mbrojtjen e interesit publik

2 February 2026 at 19:03


Ministria e Financave, Gordana Dimitrievska-Koçoska deklaroi se me konstituimin e Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskimin e Pronave, Maqedonia krijon mekanizëm qendror dhe të koordinuar për luftën e intensifikuar kundër krimit financiar, pastrimit të parave dhe fitimit të paligjshëm të pronës.

Në mbledhjen e sotme konstituive, ajo theksoi se themelimi i këshillit paraqet hap krucial nga politikat deklarative drejt qasjes sistemike të bazuar në përgjegjësinë të qartë, koordinimin institucional dhe rezultatet e matshme.

“Hetimet financiare dhe konfiskimi i pronës së fituar në mënyrë të paligjshme nuk janë vetëm çështje sigurie dhe drejtësie, por ndikojnë drejtpërdrejt edhe në stabilitetin fiskal, integritetin e sistemit financiar dhe besimin e qytetarëve në institucionet”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Siç theksoi ministrja, Ministria e Financave, si institucion qendror në këtë proces, ka kompetencë shumë dimensionale përmes institucioneve nën ombrellën e saj – Drejtorinë e Policisë Financiare, Drejtorinë Doganore dhe Sistemin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Në kuadër të Strategjisë nacionale për hetimet financiare dhe konfiskimin e pronave për periudhën 2025–2028, Ministria po ndërmerr aktivitete konkrete, të matshme dhe thelbësore që orientohen në përmirësimin e efikasitetit të sistemit.

Në këtë drejtim, po përforcohet korniza juridike që përkrah drejtpërdrejt efikasitetin e hetimeve financiare.

“Drejtoria e Policisë Financiare në vitin 2025 nisi 58 hetime financiare që përfshinin rreth 400 persona fizikë dhe 95 persona juridikë, ku 33 hetime tashmë kanë përfunduar dhe pjesa tjetër është në vazhdim. Në suaza të Ligjit për Konfiskimin e Pronës në Procedurën Civile, me iniciativën e prokurorive publike, janë siguruar masa gjyqësore për pronat me vlerë mbi 38 milionë denarë”, theksoi ministrja dhe nënvizoi faktin se në vitin 2022 u kryen vetëm 9 hetime financiare, në vitin 2023 u kryen 17 hetime dhe në vitin 2024 u kryen 10 hetime financiare.

Ministrja theksoi se këto numra tregojnë qartë se hetimet financiare nuk janë vetëm procedura formale, por destinohen në konfiksimin real dhe në mbrojtjen e interesit publik.

Ajo deklaroi se po investohet në forcimin e kapaciteteve institucionale përmes përforcimit sistematik të kuadrit, pajisimit teknik me faza dhe dixhitalizimit të njësive të specializuara, ndërsa segment kryesor është krijimi i ndërveprimit të plotë dhe shkëmbimit elektronik të të dhënave ndërmjet institucioneve, si parakusht për hetimet financiare në kohë dhe të suksesshme.

Paralelisht me aktivitet vendore, po përforcohet edhe bashkëpunimi ndërkombëtar me agjencitë e Bashkimit Evropian dhe rrjetet ndërkombëtare realevante, mes të cilave me EUROPOL-in, CEPOL-in, EUROJUST-in dhe OLAF-in, me qëllim të shkëmbimit të informacioneve, përvojave dhe praktikave adekuate.

Të enjten do të zhvillohen bisedime në Qeveri për rritjen e pagës minimale

2 February 2026 at 18:25


Sindikata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatave të qytetarëve DOJSH, e konfirmoi se të enjten në orën 16:45 në Qeveri do të ulen në tryezën e negociatave lidhur me kërkesat e Sindikatës për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë.

Nga Sindikata e DOJSH-së, mes tjerash, theksojnë se Qeveria, sipas tyre, menjëherë ka dalë me ofertë për rritje të rrogave të të punësuarve në administratë dhe jurisprudencë pas protestës së mbajtur më 28 janar.

“Theksojmë se të punësuarit kanë të drejtë për të drejtat e fituara, të caktuara me marrëveshjet kolektive dhe rritjen e re të rrogave nënkuptojnë të drejta materiale shtesë, për çka angazhohet Sindikata e DOJSH-së”, qëndron në kumtesën e DOJSH-së.

Kryeministri Hristian Mickoski të enjten pasdite do të takohet me Sindikatën e DOJSH-së. Takimi është caktuar për në orën 16:45, ndërsa vjen pasi që Mickoski dha ofertë për rritje të rrogave për çka DOJSH tha se është e pranueshme dhe do të bisedohet plotësisht në suaza të organizatave sindikale.

Lloga: Kërkesa për dhënien e provimit të Jurisprudencës edhe në shqip u dërgua në Kuvend, por e tërhoqën nga procedura pa asnjë arsyetim

2 February 2026 at 17:31


Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar në Facebook për kërkesën e studentëve shqiptarë të juridikut për mbajtjen e provimit të jurispodencës edhe në gjuhën shqipe.

Lloga sqaron se ky ligj edhe pse u dorëzua në Kuvend në janarin e vitit 2024, i njejti është tërhequr nga procedura parlamentare.

Ai ka hedhur akuza edhe ndaj partnerit shqiptar në qeveri, koalicionit VLEN, që sipas tij do të duhej të zgjidhnin këtë problematikë e jo të detyrohen studentët të nënshkrujnë peticione.

Reagimi i plotë:

Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për Provimin e Jurisprudencës është dorëzuar në Kuvendin e RMV-së më 24 janar 2024. Këtij veprimi i është paraprirë duke krijuar nga ana ime si Ministër i Drejtësisë edhe Komisionin i ri për dhënien e provimit të Jurisprudencës, ku në cdo provim, njëri nga dy profesorët ishte shqiptar - parakusht ky për zbatimin e ndryshimeve ligjore, përkatësisht që provimi të jepet edhe në gjuhën shqipe. Fatkeqësisht, me ardhjen e Qeverisë VLEN–OBRM-PDUKM, propozimligji u tërhoq nga procedura parlamentare pa asnjë arsyetim, as nga Qeveria/Ministria e Drejtësisë dhe as nga Kryetari i Kuvendit dhe partneri qeveritar, z. Afrim Gashi.Ky akt qyqar i kësaj qeverisjeje të dobët dëshmon edhe njëherë pafuqinë politike të një grumbulli partish që vetes i kanë vënë emrin VLEN, por që nuk vlejnë as pesë pare. Kjo situatë tregon thelbin e tyre: se nuk janë të zotë të hedhin asnjë hap në drejtim të zgjidhjes së problemeve, në asnjë fushë, bile as aty ku të tjerët ua kanë lënë materialet e gatshme mbi tavolinë.Sot, studentët shqiptarë detyrohen t’u drejtohen institucioneve dhe titullarëve të këtyre institucioneve përmes peticionesh – si pasojë direkte e paaftësisë dhe pafuqisë së disa qeveritarëve shqiptarë të nënshtruar, por edhe si rezultat i veprimeve të disa politikanëve albanofobë maqedonas nga ZNAM dhe OBRM-PDUKM.

"Dërgimi i trurit në SHBA nga Maqedonia", përgjigjet Aleksej Duma

2 February 2026 at 17:09


Maqedonia e Veriut ishte e përfshirë në zbulimin e dosjeve që lidhen me miliarderin e ndjerë amerikan Jeffrey Epstein, por e gjithë procedura u krye ligjërisht, tha për DW ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, Aleksej Duma.

Shkencëtarët amerikanë të lidhur me Universitetin e Kolumbias kanë krijuar një bankë të madhe truri njerëzor të destinuar për kërkime mbi vetëvrasjet, skizofreninë dhe çrregullime të tjera psikiatrike. Koleksioni përfshin rreth 1,000 tru - disa nga njerëz që kanë kryer vetëvrasje, dhe disa si mostra kontrolli.

Maqedonia përmendet në këtë kontekst, pasi kontribuoi me mostra.

Raporti thotë se truri u mor pas vdekjes, u ngri menjëherë dhe u transportua në Shtetet e Bashkuara nën kontroll të rreptë, ku u arkivua dhe u shënua me kode QR. Protokollet strikte ishin në fuqi: truri udhëtonte në kushte të kontrolluara, i paketuar në enë speciale dhe i ruajtur në -80°C.

Profesor Aleksej Duma, ish-drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Shkup, shpjegon për DW se sa mostra dhe për çfarë qëllimesh u dërguan nga Maqedonia në Shtetet e Bashkuara.

"Ishte projekti më i madh ndërkombëtar në të cilin morëm pjesë", tha Duma.

Ai shpjegoi në një deklaratë për Deutsche Welle se ishte një projekt ndërkombëtar, në të cilin vendi ishte i përfshirë duke dërguar 10 deri në 15 mostra. Procedura për dërgimin e mostrave në Shtetet e Bashkuara kryhej sipas rregullave dhe kontrolleve shumë të rrepta. Çdo mostër duhej të miratohej nga Komitetet e Etikës nga Maqedonia dhe ato Amerikane.

"Mostrat udhëtonin më ligjërisht me aeroplan, kalonin nëpër doganë dhe kishin dokumentacion të plotë për to. Pa leje, një mostër nuk mund të hynte në Shtetet e Bashkuara", deklaroi Duma, i cili hedh poshtë mundësinë e përfitimit nga e gjithë procedura.

Ai thekson gjithashtu se shifra prej 1,000 truri nuk i referohet mostrave nga Maqedonia, por të gjithë koleksionit nga disa vende.

Maqedonia siguronte rreth 10-15 mostra në vit.

“Duke marrë parasysh që kishim 300 deri në 350 autopsi nga të gjitha fushat çdo vit, pyetja është se sa prej tyre vdiqën për shkak të vetëvrasjes. Në fund të fundit, numri zbret në 10-15 raste”, thotë Duma.

Ai nuk mban mend nëse leja nga familjet për ndërhyrjen kërkohej në atë kohë, apo vetëm pëlqimi i Komitetit të Etikës dhe një letër informuese.

Profesor Duma, nga kjo distancë kohore, thotë se ata kanë marrë të dhëna interesante rreth skizofrenëve dhe lidhjes së tyre me vetëvrasjet.

"Pjesa jonë ishte të punonim mbi morfologjinë - nëse ka ndonjë ndryshim në tru që është karakteristikë e vetëvrasjeve. Për më tepër, një universitet tjetër punoi në gjetjen e barnave", deklaroi ai.

Duma është i vendosur se projekti ka sjellë rezultate të rëndësishme shkencore, duke sqaruar se janë zhvilluar metoda për njohjen e ndryshimeve morfologjike në vetëvrasje, janë fituar njohuri të reja rreth lidhjes midis skizofrenisë dhe vetëvrasjeve, rezultatet janë përdorur në studime të shumta ndërkombëtare, poashtu Maqedonia ka marrë pajisje, laboratorë dhe mundësinë për studime doktorature për shkencëtarë të rinj.

Kuvendi dhe Qeveria e RMV-së nuk e pranuan peticionin e studentëve në gjuhën shqipe, e kërkuan në gjuhën maqedone

2 February 2026 at 16:41


Të shtunën u bë i ditur lajmi se 385 studentë shqiptarë të fakulteteve juridike në Maqedoninë e Veriut, kanë nënshkruar një peticion me një kërkesë të qartë dhe legjitime që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Kërkesa e studentëve është dërguar tek Ministria e Drejtësisë, Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve, Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut.

Mevlan Ademi, ish-kryertar i Parlamentit Studentor, në televizionin Alsat, deklaroi se Kuvendi dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk e pranuan peticionin në gjuhën shqipe, pasi kërkuan që i njejti të jetë në gjuhën maqedone.

“Tek Agjencioni, tek Inspektorati dhe tek Ministria e Drejtësisë mu lejua që ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ndërsa në Kuvend dhe tek qeveria na u kërkua që të jetë në gjuhën maqedone. U revoltova dhe i pyeta se përse nuk më lejohet ta dorëzojë në gjuhën shqipe, ata nuk më dhanë arsye por më thanë se pa maqedonisht nuk të japim vulë. Pastaj u detyrova ta përkthej dhe ta dorëzojë në gjuhën maqedone”, tha Ademi.

Ademi sqaroi se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme ndër vite për këtë të drejtë, deri më sot kërkesa e studentëve nuk është marrë parasysh, ndaj pret që këtë herë kjo kërkesë të konkretizohet.

❌
❌