Nga Kongresi i Bashkimit Demokratik për Integrim, është vendosur që edhe për një mandat me partinë të udhëheq kryetari aktual, Ali Ahmeti.
Pëveç Ahmetit, edhe Arbër Ademi të jetë Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së, ndërsa Sekretar organizativ është zgjedhur Nebi Rexhepi.
Nënkryetar i parë i BDI-së do të jetë Bujar Osmani, ndërsa nënkryetar do të jetë edhe Faton Ahmeti nga Tetova, Erkan Arifi nga Dega e Likovës, Arbana Pashollu nga Dibra dhe Arta Bilalli Zendeli nga Dega e Gostivarit.
Këshilli i ri i përgjithshëm i partisë sot në Kongres ka zgjedhur edhe anëtarët e Kryesisë Qendrore, ndërsa në të nuk janë shumë anëtarë të vjetër.
Në Kongres sot BDI miratoi edhe katër rezoluta dhe atë:
Rezoluta për përforcimin e karakterit unitar të shtetit dhe konsolidimin e barazisë funksionale, për shtetin e së drejtës
Rezoluta për drejtësinë e pavarur dhe rikthimin e besimit në institucione
Rezoluta për marrëveshjen kombëtare për përparim dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, si dhe atë për integrimin evropian.
Kujtojmë se në fjalimin e rastit, Ali Ahmeti tha se BDI është parti që lindi nga nevoja për barazi institucionale, teksa misioni i saj u arrit ndër vite kur shqiptarët filluan të përfaqësohen siç duhet nëpër institucionet e vendit. /Telegrafi/
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani sot përsëri e kritikuar ligjin për përfaqësim adekuat dhe të drejtë. Ai shkruan se propozim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është shembull klasik i mashtrimit politik.
"Shumë fjali t’bukura, shumë “vullnet të mirë”, por asnjë garanci reale. Ligjet nuk bahen për njerëz me qëllime të mira, ligjet bëhen pikërisht kur vullneti i mirë mungon, për t’i mbrojt qytetarët nga padrejtësia dhe arbitrariteti i pushtetit.
Dhe këtu është dallimi thelbësor me Balancuesin. Balancuesi ishte instrument konkret për zbatimin e amandamentin 6 të Kushtetutës, jo deklaratë politike.I ka mbrojtur të gjitha komunitetet, në çdo nivel. I ka mbrojt maqedonasit që në asnjë institucion të mos bien nën përqindjen e tyre në shtet, edhe aty ku nuk janë drejtues. I ka mbrojt shqiptarët, turqit, romët, vllehët.
Ia hiqte drejtuesve të institucioneve mundësinë të zgjedhin njerëz sipas preferencave etnike apo politike dhe i ka detyru t’i nënshtrohen një mekanizmi objektiv, ligjor dhe të automatizum, duke respektu plotësisht proceset e përzgjedhjes profesionale dhe meritokratike. Balancuesi nuk e ka anashkalu meritokracinë, përkundrazi, e ka mbrojt nga kapja politike. Heqja e Balancuesit është si heqja e klauzulës së inkluzionit në çdo shtet evropian.
Nuk është modernizim, është regres institucional. inkluzioni nuk është opinion dhe as modë ideologjike, është standard i përfshirjes dhe funksionimit të institucioneve moderne.
Më e rëndësishmja, Balancuesi ka vepru para punësimit, ex ante, e ka parandalu shkeljen, nuk e ka regjistru pasi është bë dëmi.E ka kthy barazinë nga vullnet i lirë në detyrim kushtetues.
Ky propozim ligj i ri e bën të kundërtën. E zhvendos barazinë nga e drejtë në dëshirë, nga obligim në politikë publike, në një shoqëri me paragjykime reale etnike", shkruan Osmani në profilin e tij në Facebook.
Ai shton se ky ligj nuk duhet të kaloj./Telegrafi/
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai i është përgjigjur nënkryetarit të BDI-së, Bujar Osmani, pasi ky i fundit përmes një qëndrimi të tij tha sot se Ligji për përfaqësim të drejtë nuk mund ta zëvendësojë balancuesin.
Sipas, Fetait, është vetë Osmani i cili në cilësinë e ministrit, ka dhënë mendim pozitiv për heqjen e balancuesit.
“Bujari qenka zgjuar pas flakareshës zgjedhore. Paska zbuluar se ligjet “nuk qenkan detyruese”. Sipas llogarisë së Bujarit, “vegla” (Balancuesi) qenka më e fuqishme se LIGJI. Bujar, si duket ndejtja e gjatë me Doktorin të ka ndikuar keq. Tash s’po dihet a ke pasur ti më shumë ndikim te ai, apo ai te ti. Sidoqoftë, mirë është të dihet se sa për Balancuesin, ti vetë në cilësinë e ministrit ke dhënë mendim pozitiv për heqjen e tij”, ka shkruar Fetai.
“Prandaj, kur projekt- ligji të vijë në procedurë parlamentare, ta debatojmë dhe ta votojmë. Është kaq e thjeshtë”, përfundon postimi i Fetait në rrjetet sociale.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani sot ka komentuar Ligjin për “përfaqësim adekuat dhe të drejtë” për të cilën dha mendim pozitiv edhe Komisioni i Venecia. Osmani thotë se ky ligj nuk mund të zëvendësoj Balancuesin për shkak se nuk vepron automatikisht, por varet nga vullneti i administratës.
"Pse ligji i ri për “përfaqësim adekuat dhe të drejtë” është i dobët dhe nuk mund të jetë zëvendësim për balansuesin: Sepse nuk është më i detyrueshëm, por orientues.
Sepse nuk vepron automatikisht, por varet nga vullneti i administratës.
Sepse nuk bllokon vendimmarrjen kur shkelet përfaqësimi, por vetëm e regjistron atë. Sepse nuk vepron ex ante po ex post.
Sepse nuk krijon pasoja juridike të drejtpërdrejta për mosrespektim.
Sepse e zhvendos barazinë nga e drejtë në politikë publike.
Sepse lejon interpretim, shtyrje dhe relativizim.
Sepse nuk garanton përfaqësim real, por menaxhim të përfaqësimit.
Balansuesi funksiononte sepse nuk linte hapësirë për improvizim", shkruan Osmani.
Ai thotë se ky ligj le vetëm hapësirë dhe kur ligji krijon hapësirë, pabarazia gjithmonë e shfrytëzon./Telegrafi/
Bujar Osmani ka reaguar sërish në rrjetet sociale, pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale. Ai në një postim shkruan se nuk pranon që të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit.
Osmani më tej thotë se "AKI mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve dhe Ali Ahmeti është dhe mbetet ideologu dhe udhëheqësi i pakontestueshëm i shqiptarëve".
Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim pranohet me dinjitet. E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin , sepse edhe në këto rrethana dua të lë pas vetes një trashëgimi të kulturës politike, ashtu siç veprova gjatë gjithë fushatës. Por arroganca e disave në Vlen po bëhet e gërditshme. Nuk e pranoj që për këtë arsye të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit".
"Me 114 mijë vota, AKI mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve.Ali Ahmeti është dhe mbetet ideologu dhe udhëheqësi i pakontestueshëm i shqiptarëve.Fyerjet ndaj tij nuk janë shenjë force politike, por shenjë dobësie morale. Këto sulme të ulëta kanë një qëllim, të sjellin demoralizim para raundit të dytë, por do të ndodhë e kundërta: BASHKIM dhe VENDOSMËRI".
"Shqiptarët dhanë mbështetje masive në raundin e parë, dhe në raundin e dytë duhet ta konfirmojmë kush e mban realisht vullnetin e tyre politik. AKI mbetet zëri i shqiptarëve, ndërsa Ali Ahmeti , shtylla e tyre morale dhe ideore. I ftoj të gjithë shqiptarët në raundin e dytë ta konfirmojmë këtë me dinjitet dhe masivitet", ka shkruar Osmani.
Izet Mexhiti do të jetë kryetari i komunës së Çairit në Maqedoninë e Veriut. Drejtuesi i VLEN fitoi me diferencë votash, përballë Bujar Osmanit, por mesazhet kryesore pas zgjedhjeve të së dielës ia dërgoi kreut të Aleancës Kombëtare për Integrim, Ali Ahmeti. “Jo unë, por votuesi shqiptar”, tha Mexhiti në A2 CNN, duke shtuar se […]
Kandidati i AKI-së për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, e ka pranuar humbjen në zgjedhjet lokale dhe e ka uruar kundërkandidatin e tij, Izet Mexhiti.
Osmani ka falënderuar votuesit e tij, duke thënë se fjala e fundit u takon qytetarëve, njofton Telegrafi Maqedoni.
"Në fillim dua të shpreh kënaqësinë time për ditën zgjedhore. Vlerësoj se kishim një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe besoj se kjo është e rëndësishme të theksohet. Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët gjatë gjithë fushatës: nga aktivistët dhe shokët partiakë dhe të koalicionit, mbështetësit, forumin e grave, forumin rinor. Ishte me të vërtetë një nder të punohej me përkushtim dhe sakrificë, një proces gjatë të cilit u krijua një vizion i bukur për Çairin, por edhe shumë miqësi të reja".
"Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë as e ligjshme në çdo aspekt, por unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në sitiata si kjo. Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme".
"Në fund, dua të falënderoj familjen time, ata e mbajtën barrën më të madhe të angazhimit tim politik, por nga aty mora edhe përkrahjen e fortë. Për hapat e ardhshëm politik, ditëve në vijim", ka shkruar Osmani në Facebook.
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti njëherit edhe kandidat i koalicionit VLEN për kryetar të komunës së Çairit, tha për TopChannel se qeveria aktuale nuk i ngjas asaj të Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit, pasi ai tha se kjo qeveri po përkrah decentralizimin fiskal dhe po zgjidh problemet nëpër komunat.
“Në të kaluarën kemi lëvizur me shumë pak përkrahje nga qeveria, kurse kjo qeveri më shumë përkrah decentralizimin fiskal. Nuk është si qeveria e Gruevskit dhe Ahmetit që ndanë 1 miliard euro për Shkupin në 2014, por që zgjidh probleme dekadash që nuk janë zgjidhur në komunat shqiptare”, tha Mexhiti.
Mexhiti tha e ish-partia e tij, BDI, është tjetërsuar dhe ka qenë gjatë në pushtet.
“Për hir të opinionit, unë kam qenë nga themelimi në BDI, por ajo është tjetërsuar dhe ka qenë gjatë në pushtet. Unë ika jo për pozita, por BDI-në e kapën ato që nuk ishin BDI, si Grubi, Osmani e të tjerë, dhe as unë sot nuk e njoh BDI. Këto ishin ndër arsyet që u largova. Kam punuar për bashkim të opozitës shqiptare dhe pretendojmë të bëjmë ndryshimin në nivel lokal. Kemi demokratizuar skenën politike dhe do t’ia lëmë kohës të tregojë zultatet”, tha Mexhiti.
Mexhiti tha se pret që këto zgjedhje të jenë demokratike, pasi nuk ka presione apo shantazhe.
Kandidatët e koalicionit VLEN dhe AKI edhe gjatë ditë së sotme kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.
Kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në rrjetet sociale ka njoftuar se sot ka takuar banorët e Reçicës së Madhe.
"Reçica e Madhe e vendosur për Tetovën që vazhdon përpara. Kënaqësi t’i takoj banorët e Reçicës së Madhe, ku prezantova punët që janë bërë dhe planet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Prezenca e madhe në këtë tubim na jep sigurinë se Tetova e ka kuptuar se ka vetëm një opsion që ia do të mirën këtij qyteti", ka shkruar Kasami.
Ndërsa kundërkandidati i tij Bajram Rexhepi, ka njoftuar se ka vizituar banorët e lagjes 146, ndërsa thotë se ka ofruar zgjidhje konkrete.
"Në këtë pjesë të rrugës 146, sot vizituam banorët e lagjes për të ofruar zgjidhje konkrete për disa nga problemet më të theksuara: Minimizimin e dëmeve gjatë vërshimeve të mundshme; Ndërtimin dhe asfaltimin e rrugës së shkatërruar, e cila paraqet vështirësi të madhe për banorët, veçanërisht gjatë dimrit; Kyçjen e shtëpive në rrjetin e ujësjellësit. Me plan dhe me përgjegjësi, këto probleme do të marrin fund", ka shkruar Rexhepi.
Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, sot ka takuar banorët e lagjes Gazi Babë.
"Sot në Lagjen e Gazi Babës duke takuar qytetarë, duke dëgjuar kërkesat, hallet e dertet e tyre bashkë me Shtabin tim zgjedhor. Ne jemi një zë me qytetarët, jemi një zë me Gazi Babën! Jemi një zë që ia VLEN", ka shkruar Mexhiti.
Ndërsa kundërkandidati i tij nga radhët e AKI-së Bujar Osmani, njoftoi se ka vizituar një fabrikë në Çair.
"Vizitova një fabrikë këtu në Çair, ku punojnë mbi 120 puntorë, kryesisht gra nga komuniteti ynë, që me përkushtim prodhojnë uniforma profesionale për zjarrfikësit, policët, postierët-në, në Gjermani e vende të tjera të Evropës. Uniforma që janë rezistente ndaj ujit dhe zjarrit, që mbajnë vulën “Made in Çair”. Pronari, Darko, është shembull i një sipërmarrësi që beson në fuqinë e punës këtu, në vendin tonë. E falënderova për kontributin e tij, për guximin dhe për besimin që i jep grave dhe të rinjve të Çairit përmes punës dhe dinjitetit", ka shkruar Osmani./Telegrafi/
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët, deklaroi se pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat do të rezultojnë me formimin e një qeverie të re dhe një përbërje të re të institucioneve në të gjitha nivelet.
“Menjëherë pas zgjedhjeve lokale do të pasojnë zgjedhjet parlamentare. Në qytetin e Shkupit, sipas sondazheve, raporti është pothuajse tetë me dy në favor të Aleancës Kombëtare për Integrim kundrejt VLEN-it. Po shkojmë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Do të ketë qeveri të re në mars dhe përbërje të re edhe në Qytetin e Shkupit,” deklaroi Osmani.
Ai theksoi se ndryshimi që do të nisë nga Çairi do të jetë vetëm hapi i parë drejt ndryshimeve më të gjera politike në vend. Osmani tha se fokusi i tij nuk janë burimet shtetërore, por fondet reale të Bashkimit Evropian.
“Aty janë fondet, miliarda euro të pashpërndara që qëndrojnë në dispozicion. Mjafton të kesh një ekip, të njohësh mirë anglishten, të ulesh e të shkruash projekte, të njohësh kriteret e BE-së dhe të arrish t’i tërheqësh ato mjete,” shpjegoi Osmani.
Ai theksoi se qëllimi i tij është ta zhvillojë Çairin përmes fondeve evropiane, e jo përmes parave partiake dhe klientelizmit.
“Çfarë mund të bësh me ato tetë milionë euro nga buxheti komunal, që shpenzohen për aktivistë partiakë, ose që vijnë nga Qyteti i Shkupit apo nga qeveria? Unë jam angazhuar për ta zhvilluar Çairin me mjetet e Bashkimit Evropian, dhe aty kam vendosur shpresat e mia,” përfundoi Osmani.
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, tha se refuzimi i kundërkandidatit të tij, Izet Mexhiti, për të marrë pjesë në debatet televizive , po ndodh nga frika.
“Unë e kam kursyer Mexhitin tashmë disa javë, sepse ai i ka refuzuar të gjitha ftesat e mëparshme për debate. E ka refuzuar ftesën e ‘Telma’, të ‘TV24’, si dhe të mediumi kosovar të Jeta Xharës”, deklaroi Osmani.
Ai theksoi se Mexhiti madje ka dërguar një njoftim deri te të gjitha mediat në gjuhën shqipe se nuk do të marrë pjesë në debate – gjë që, sipas Osmanit, është dëshmi se ai ka frikë nga përballja e drejtpërdrejtë dhe nga përgjegjësia për politikat e tij.
“Ka dërguar një mesazh te të gjitha mediat në gjuhën shqipe se nuk do të marrë pjesë në debat. Por unë nuk e kam ngritur këtë si çështje, sepse e shihni fushatën time – kam aq shumë projekte sa nuk kam kohë të merrem me frikën e kundërshtarit”, tha Osmani.
Osmani tha se kjo është gjendja, dikush fshihet, dikush fsheh diçka, dhe prandaj nuk del të përballet me qytetarët dhe me kundërkandidatët.
Kandidatët e VLEN-it dhe AKI-së, gjatë fundjavës kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale.
Të shtunën kandidatët e të dy koalicioneve për Komunën e Tetovës, lëshuan akuza ndaj njëri tjetrit.
Bajram Rexhepi nga AKI tha se po bëhet shantazh ndaj votuesve tetovarë dhe u kërkon banorëve të mos shesin votën.
“Tetovarët nuk do ta durojnë më këtë poshtërim. Është koha të kthejmë krenarinë tonë. Më 19 Tetor bëjmë ndryshimin që e meritojmë", deklaroi Bajram Rexhepi para qytetarëve të Shipkovicës.
Duke folur për situatën aktuale në komunë, Rexhepi theksoi se qytetarët janë të lodhur nga neglizhenca institucionale dhe nga premtimet boshe. Ai shpalosi zotimet për një qeverisje lokale transparente, me prioritet shërbimet bazë, zhvillimin ekonomik, arsim cilësor dhe infrastrukturë moderne për të gjitha lagjet dhe fshatrat.
Nga ana tjetër, Bilall Kasami nga VLEN ka deklaruar se e gjeti “Tetovën në një katrahurë të vërtetë dhe se me të në krye të Tetovës, është vendosur rend”.
“Tetovën e gjeta në gjendje katrahure. Nuk kishin punuar as për shqiptarët, as për maqedonasit, as për të rinjtë, as për të moshuarit, kishin punuar vetëm për një rreth të vogël interesash. Qyteti ishte i zhytur në borxhe, me rrugë të shkatërruara dhe shërbime të mjera”, tha Kasami.
Ai theksoi se sot Tetova është qytet që kujdeset për infrastrukturën, mjedisin, kulturën, artin dhe sportin, por edhe për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.
Ndërsa, gjatë ditës së sotme (e diel), kandidatët për Komunën e Dibrës, Ilirjan Fetahu dhe Fisnik Mela, kanë intensifikuar aktivitetet. Ilirjan Fetahu ka shpalosur katër prioritetet për zhvillimin e Dibrës.
“Hartimi planit gjeneral në të cilën do të përcaktohen zonat e destinuara për zhvillimin e ekonomisë, lagje dhe rrugë të reja. Do të krijojmë rini vendimmarrëse përmes formimit të Këshillit komunal rinor dhe Qendrës rinore. Një Dibër më të pastër e cila menaxhon mirë me mbeturinat dhe kthimin e hapësirave publike në lulishte. Bashkëpunim me OJQ, me shoqatat që veprojnë në Dibër me qëllim pasurimin e aktiviteteve kulturore. Regjim të ri të komunikacionit dhe hapësirave të reja për parkim”, tha Fetahu.
Kundërkandidati i tij, Mela ka takuar të rinjtë dhe ka premtuar se do të krijojë hapësira për fuqizimin e tyre.
“Rinia e Dibrës ka energji, ide dhe kurajo për ndryshim. Si kryetar i ardhshëm, angazhohem t’i mbështes, të krijoj hapësira për pjesëmarrjen e tyre dhe të zbatoj politika që fuqizojnë të rinjtë”, tha Mela.
Edhe kandidatët për kryetar të Çairit kanë vazhduar aktivitetet në ditën e shtatë të fushatës.
Izet Mexhiti, kandidati i VLEN-it ka prezantuar masterplanin e Çairit të krijuar nga arkitekti Bajram Vardar. Mexhiti tha se ky plan do të integrohet me planin gjeneral të ri të Qytetit të Shkupit i cili është në përpilim e sipër.
Nga ana tjetër, kundërkandidati i tij nga AKI-ja, Bujar Osmani ka promovuar projektin “Shkolla – shtëpia jonë e dytë”, me të cilin synon që si kryetar i ardhshëm i Çairit, të ngrit zhvillimin e kapacitetit të fëmijëve dhe të cilësisë së arsimit në përgjithësi./Telegrafi/
Bujar Osmani sot i është përgjigjur Izet Mexhitit lidhur me pyetjen e parashtruar, se BDI a do të pranonte të hynte në qeveri me "albanofobin" Hristijan Mickoski dhe OBRM-PDUKM, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Pyetja publike e Izet Mexhitit drejtuar krerëve të BDI-së vetëm se dëshmon se ata, të çenurit në Qeveri e shohin si mëshirë e Kryeministrit ndaj tyre, vlerëson kandidati i AKI-së për Çairin, Bujar Osmani.
Kjo, sipas Osmanit, është një sinjal alarmi për çdo shqiptar që jeton në Maqedoni të Veriut, ndërsa shpërfaq inferioritetin e VLEN-it në raport me Mickoskin dhe OBRM-PDUKM-në.
“Ajo që e tha kundërkandidati im është seriozisht trishtuese, ata treguan dhe tash ne e kuptojmë në fakt përse ata nuk e kundërshtojnë kryeministrin. Tash ne e kuptojmë në fakt se përse ata nuk e kundërshtojnë kryeministrin kur ai i ofendon, si i tha atij deputetit të Tetovës ‘kush është ai nuk ka asnjë peshe’, dhe pastaj ai deputeti doli dhe i kërkoi falje. Për shkak se ata raportin me partnerin e Qeverisë, e shohin si raport të mëshirës, a na merr apo nuk na merr?”, theksoi Osmani.
Sipas tij, ky është nënçmimi më i madh që i bëhet popullit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, pasi sipas tij, faktori politik shqiptarë duhet të përfaqësoj vullnetin e shqiptarëve, e jo dëshirat personale të kryeministrit.
“Ne sovranitetin vlerësojmë se e ka populli. Kur populli ta jep vullnetin për ti përfaqësuar ata, mua fare nuk më intereson se kush është në anën tjetër të tavolinës, unë hyjë aty për shkak se populli më ka votuar, jo për shkak se më do Mickoski”, theksoi Osmani. Ai edhe njëherë e përsëriti qëndrimin e tij se këto zgjedhje janë betejë mes dy koncepteve./Telegrafi/
Koalicionet politike AKI dhe VLEN sot kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të ditës së katër të fushatës për zgjedhjet lokale. Kandidatët për kryetar të Tetovës sot kanë pasur aktivitete të ndryshme.
Kryetari aktual, i cili garon edhe për një mandat nën ombrellën e VLEN-it, Bilall Kasami ka kryer inspektime në terren në Bllokun 70.
"“Në bashkëpunim me qeverinë me një investim prej 15 milionë denarë, arritëm një transferim të plotë të bllokut urban 70, në kuadër të transferimit të infrastrukturës rrugore të qytetit tonë. Po ndërtojmë shumicën e rrugëve në lagjen “Drenovë”, lagjen “Teqe”, lagjen “Potok”, lagjen “Kolltuk”, lagjen “jashtë Vardarit”, lagjen tek Xhamia e rinisë, lagjen “Tetovarja”, lagjen “Cetinska”, bllokun urban përballë Tregut të gjelbër apo siç njihet lagjja “Hajduçka”, në Reçicë te vogël dhe të madhe, Xhepçishtë, Sellcë, Llacë, Shipkovicë, Saraqinë”, tha Kasami.
Ndërsa kundërkandidati i tij vizitoi Reçicën e Madhe, prej ku tha se është turp sepse shtrohen rrugë në fushatë zgjedhore. “Miq, jemi në Reçicë të Madhe dhe është një turp që po ndodh këtu. Këto rrugë po shtrohen në fushatë zgjedhore, sepse ata e dinë se asnjë denarë në këto rrugë nuk do të bëhen në këtë mandat. Të gjitha këto rrugë do të duhet t’i paguajmë ne. Ne ju premtojmë banorëve të Reçicës se projekti i kanalizimit, në mandatin tonë do të bëhet realitet”, tha Rexhepi.
Ndërsa kandidati i VLEN-it për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti, prezantoi projektin e një shkolle të re që do të ndërtohet në Çair. Ai tha se kjo shkollë do të ketë kapacitet për 1300 nxënës e cila do të jetë me një ndërrim. Përveç kësaj Mexhiti bëri të ditur se do të ndërtohet edhe objekti i shkollës “Ardhmëria”.
“Sot para jush po e prezantoj ndërtimin e shkollës së re moderne në “Teneqe mëhallë” apo mëhalla e boshnjakëve. Për shkak se ka formën V të ndërtimit është ideja që të quhet Viktoria. Ky investim do t’u hapë dyert e dijes rreth 1300 nxënësve në një objekt prej 4700 metra katror me 54 klasa, 8 kabinete dhe 2 laborator të pajisur sipas standardeve më të larta”, tha Izet Mexhiti.
Kandidati i AKI-së për kryetar komune në Çair Bujar Osmani njoftoi se një ndër prioritetet kryesore të tij është edhe ai për pastërti në Çair, pasi siç tha, papastërtia po dëmton shëndetin e fëmijëve. Shtoi po ashtu se do të shpall gjendje të jashtëzakonshme ku do të marrin pjesë në pastrim kompanitë, nxënësit e shkollave, bashkësitë fetare dhe qytetarët. Bujar Osmani tha se brenda 60 ditëve do e themelojë ndërmarrjen komunale për higjienë në Çair, ku do të punësohen 120 punonjës.
“Ky do të jetë një ndër prioritetet e mia kryesore dhe kam thënë se projekti për pastërti në Çair do të jetë në dy rrugë, një ndërhyrëse ose intervente dhe nën dy strategjike ose afatgjate. Ditën e parë shpallim gjendje të jashtëzakonshme për papastërti në Çair, formojmë shtabin e krizës. Shtabi i krizës nuk do të jetë i përbërë vetëm prej komunës por të gjithë ata që duan të jenë pjesë e një aksioni masiv të pastrimit të Çairit, përfshirë kompanitë private, shkollat, bashkësitë lokale të qytetarëve”, pohoi Bujar Osmani. Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, ndërsa fushata do të zgjasë deri më 17 tetor./Telegrafi/
Koalicionet politike në Maqedoninë e Veriut sot në ditën e tretë kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 19 tetor.
Kandidati për kryetar në Komunën e Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, sot ka vizituar banorët në fshatin Falisht. Prej atje Kasami tha se "ky fshat është shembull i qartë se si puna e ndershme dhe vizioni i qartë sjellin ndryshim të prekshëm në jetën e qytetarëve".
"Janë realizuar dy projekte madhore, të cilat për dekada me radhë kishin mbetur vetëm premtime: Ndërtimi i rrugës moderne për fshatin Falisht; Zgjidhja përfundimtare e problemit me ujin e pijshëm, duke garantuar furnizim cilësor për çdo familje". “Këto janë dëshmi të qarta se ne nuk flasim me fjalë boshe. Ne punojmë, realizojmë dhe ndryshojmë realitetin. Falishti sot ka rrugë dhe ujë të pastër, ndërsa nesër Tetova do të ketë edhe më shumë projekte që e bëjnë jetën më të mirë për secilin qytetar”, ka deklaruar Kasami.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që më 19 tetor të japin mbështetje me votë për të vazhduar, siç tha, këtë rrugë të suksesshme të zhvillimit.
Ndërsa kandidati i VLEN-it për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, sonte ka takuar banorët e fshatit Gaber.
"Banorëve u përcolla lajmin e mirë se rikonstruksioni i rrugës ka nisur, dhe se ky projekt do të sjellë lehtësira të mëdha për ta, kështu duke i dhënë fund një problemi shumëvjeçar dhe duke lehtësuar qasjen e tyre drejt vendlindjes. Kjo është qeverisja jonë, e përkushtuar ndaj zhvillimit të barabartë të çdo zone dhe respektit për nevojat e secilit qytetar".
"Falënderoj banorët e Gaberit për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të sinqertë. Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ta, si për të dëgjuar, ashtu edhe për të vepruar", ka njoftuar Mexhiti.
Kurse kundërkandidati i tij nga koalicioni AKI, Bujar Osmani, në një konferencë për media e paraqiti vizionin e tij për zgjidhjen e problemit me parkimin, duke paralajmëruar se komuna po përballet me rrezik nga një kolaps i plotë i komunikacionit.
Ai e prezantoi strategjinë e ndarë në fazë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Plani afatshkurtër parasheh që në çdo lagje dhe çdo rrugë të sigurohen së paku dy vende të reja parkimi, një falas dhe një me pagesë, përmes zonave komunale të interesit dhe partneritetit publik-privat.
“Plani afatmesëm parasheh ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe mbi tokë me kate. Te shkolla ‘Vasil Gllavinov’ do të ndërtojmë një parking nëntokësor me dy kate me 1.000 vende, i cili do ta lirojë tërësisht bulevardin ‘Xhon Kenedi’ nga veturat. Te kopshti ‘Vesëza’ do të ketë një garazh nëntokësor me tre kate me rreth 520 vende, te sheshi i ri ‘Liria’ një parking nëntokësor me 380 vende, ndërsa te Sahat Kulla një garazh me kate me 120 vende”, tha Osmani.
Përveç këtyre, Osmani theksoi se plani i ri urbanistik do të parasheh edhe katër garazhe të tjera me kate me gjithsej edhe 1800 vende shtesë. Qasja afatgjatë, siç tha Osmani, lidhet me urbanizimin e plotë në vertikalë.
Ndërsa kandidati për kryetar të Tetovës nga AKI, Bajram Rexhepi, fushatën sot e ka vazhduar në rrjetet sociale, ku ka ngritur shqetësimin për gjendjen e qendrës së re tregtare, e cila sipas tij është lënë në harresë nga institucionet lokale dhe nuk po e përmbush funksionin që duhet të ketë për qytetarët dhe bizneset lokale.
“Qendra e re tregtare në Tetovë është lënë në harresë! Qytetarët dhe pronarët meritojnë që këtij objekti tregtar, në zemër të Tetovës, t’i kthehet shkëlqimi dhe gjallëria që i takon" deklaroi Rexhepi përmes një postimi.
Ai premton se me ardhjen e tij në krye të komunës, ky objekt do të trajtohet me prioritet dhe do të bëhet një hapësirë funksionale, dhe e hapur për të gjithë qytetarët e Tetovës.
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, tha se përfshirja e tij në garën zgjedhore nuk është rezultat i ndonjë strategjie politike ose llogaritjeje personale, por e nevojës së sinqertë për të artikuluar energjinë dhe revoltën e qytetarëve.
“Që nga dita e parë thashë: nuk hyra në këtë garë për të drejtuar komunën, por për të kanalizuar këtë energji të zemërimit dhe revoltës që e dëgjoj nga çdo person që kam takuar. Kam takuar mijëra njerëz gjatë këtyre tre muajve të fushatës. Ata flasin për dinjitetin tonë kombëtar që na është marrë dhe poshtëruar, por flasin edhe për dinjitetin e jetës në Çair. Po ndodh diçka e pazakontë. Një lloj mobilizimi që nuk është tipik partiak. Erdhën njerëz që më thanë: ne votuam vitin e kaluar për ta, por gabuam. Tani duam të mbështesim qëllimin tuaj. Erdhën njerëz të paangazhuar, që më thanë: kurrë nuk kemi votuar, kurrë nuk dalim në zgjedhje, jemi apolitikë. Por këtë herë nuk mund të heshtim,” theksoi Osmani.
Ai tha se zgjedhjet lokale janë betejë për shpresën e njerëzve që i kanë besuar.
“Hyra në këtë betejë pa asnjë llogari personale. Vendosa gjithë karrierën time politike në funksion të këtij misioni. Sepse nëse secili fillon të mendojë vetëm për veten, atëherë kujt i lëmë fatin e këtij populli, amanetin që na kanë lënë gjeneratat e mëparshme, të ardhmen e fëmijëve tanë? Çairi do të ketë një udhëheqje që do t’i rikthejë dinjitetin, do të rrisë vlerën e komunës, do të rrisë vlerën e pronave të qytetarëve dhe do të sigurojë një jetë normale për njerëzit që për vite me radhë janë privuar nga kjo për shkak të interesave komerciale të të tjerëve", tha Osmani.
OBRM-PDUKM ka reaguar ndaj deklaratës së Bujar Osmanit, i cili akuzoi Hristijan Mickoskin për albanofob dhe se i urren shqiptarët.
“Osmani dhe BDI, në pritje të debaklit që do t’i godasë në zgjedhjet e ardhshme lokale, me qëllim që të fitojnë ndikim mediatik, po ngrenë përsëri pluhur në publik, duke përhapur etno-nacionalizëm dhe gënjeshtra tek qytetarët. Mickoski dhe OBRM-PDUKM as nuk urrejnë askënd, as nuk janë albanofobë. Mund të jenë vetëm ata nga BDI, të cilët me sa duket nuk e duan popullin e tyre”, njoftoi OBRM-PDUKM në reagim ndaj deklaratës së kandidatit për kryetar të Çairit nga radhët e BDI-së.
Nga OBRM-PDUKM thonë se nëse Osmani dhe BDI do ta donin popullin e tyre, nuk do të kishin nënshkruar, siç thonë, marrëveshje kapitullimi me Bullgarinë dhe Greqinë, nuk do të kishin votuar për ndryshimin e emrit dhe Kushtetutës, nuk do të kishin luajtur futboll në ministri, nuk do të kishte të rinj që blejnë qendra tregtare në qendër të qytetit.
"Nëse Osmani dhe BDI do ta donin popullin e tyre, siç thonë ata, nuk do të kishte banorë të Haraçinës, Bogovinës, Dollnenit, Kërçovës, Likovës, Plasnicës, Strugës, Tearcës, Sarajit, që ecin nëpër baltë, pa furnizim me ujë, pa kanalizime, pa kushte themelore njerëzore për jetesë.
Ne besojmë se Osmani dhe BDI, para se të dalin të mbajnë fjalime para publikut, së pari duhet të shikojnë veten në pasqyrë", thuhet në reagimin e OBRM-PDUKM-së./Telegrafi/
Nuk u habita nga deklarata e Hristijan Mickoskit dhe "misioni" i tij për të larguar BDI-në nga skena politike. Mickoski është nga natyra albanofob dhe i urren shqiptarët, tha sot kandidati për kryetar komune i BDI-së, Bujar Osmani, në lidhje me mesazhet e Kryeministrit.
Osmani thotë se Mickoski "nuk ka asnjë shqiptar në ekipin e tij dhe kur udhëton jashtë vendit, nuk merr me vete shqiptarë". "Ai po e shfuqizon balancuesin sepse dëshiron t'i largojë (shqiptarët) nga institucionet. Ai po e shfuqizon gjuhën shqipe sepse e shqetëson dhe nuk dëshiron ta shohë në dokumente.
Kjo është më e fortë se ai dhe e kemi parë që nga dita e parë. Nuk na shqetëson sepse urrejtja e tij ndaj shqiptarëve projektohet edhe midis qytetarëve. Nuk do ta lejoj që ajo urrejtje të hyjë në Çair sepse bashkëjetesa këtu është e shenjtë për ne. Nëse ai e shfuqizon balancuesin, premtova se do të krijoja një Fond për Përfaqësim të Drejtë për Komunitetet në Çair. Nëse ai e shfuqizon gjuhën shqipe, ne do të krijojmë departamente gjuhësore këtu.
Kjo është arsyeja pse Çairi do të mbetet një oaz bashkëjetese në këtë stuhi", theksoi Osmani./Telegrafi/
Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, komentoi rezultatet e anketës së fundit të Agjencisë “Market Vision”, duke thënë se epërsia e BDI-së tashmë nuk mund të fshihet.
Osmani tha se BDI ka një epërsi bindëse ndaj koalicionit VLEN dhe këto rezultatet nga anketat e OBRM-PDUKM-së, po i pranojnë dhe deputetët e partisë në pushtet.
“Mëngjesin e sotëm pati debate të ndryshme se çfarë mesazhi dëshiron të japë, por ndoshta në përpjekje për të promovuar rezultatet e veta, OBRM-PDUKM ka harruar se po publikon një të vërtetë që përpiqen ta mbulojnë me javë e muaj, e ndoshta tashmë nuk mund ta fshehin. Një të vërtetë që tek shqiptarët këto zgjedhje po shndërrohen në një vendimmarrje plebishitare. OBRM-PDUKM është përpjekur ta shfrytëzojë anketën për të promovuar rezultatet e saj, në fakt ka zbuluar të vërtetën në bllokun politik shqiptar. Epërsia e BDI-së ndaj VLEN-it është edhe më e madhe", tha Osmani.
Osmani tha bëri thirrje për dalje masive në zgjedhjet lokale, pasi siç tha ai, është koha për ndryshim.
OBRM-PDUKM ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit të BDI-së për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, duke vlerësuar se pretendimet e tij për “emisarë” nga opozita janë “trillime dhe skenarë që ekzistojnë vetëm në fantazinë e tij”.
Nga OBRM-PDUKM thonë se BDI dhe LSDM janë në panik, prandaj dhe po krijojnë shpifje të tilla.
“Me deklarata të tilla, Osmani përpiqet të fshehë panikun në të cilin ndodhen BDI dhe LSDM para humbjes së sigurt zgjedhore. Truket e vogla të ‘kontit nga Zajazi’ nuk kalojnë as në kopsht fëmijësh. E vetmja porosi që sjellin përfaqësuesit e tyre është thirrja për përgjegjësi ndaj kartelit kriminal BDI-LSDM. Osmani sot nuk është gjë tjetër veçse zëdhënësi i fundit i kartelit që qytetarët e kanë njohur prej kohësh. Por mbrojtja e tij është e kotë – nuk ka më pazare dhe ndërhyrje politike prapa shpinës së popullit”, thonë nga OBRM-PDUKM.
Nga partia e Mickoskit thanë se pas 19 tetorit, BDI dhe LSDM do të shkojnë në pension politik.