Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

ARRSH plan masash për fundvitin, 800 punonjës në terren 24 orë dhe 130 borëpastruese

31 December 2025 at 17:47

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hartuar një plan masash, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt gjatë ndërrimit të viteve.

Drejtori i përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli bëri me dije se temperaturat do të jenë ndjeshëm të ulëta dhe për këtë arsye janë ndërmarrë masa paraprake, veçanërisht në akset rrugore që rrezikojnë bllokimin nga reshjet e dëborës.

Sipas Kozelit, në terren do të jenë në gatishmëri 130 borëpastruese, 577 mjete të tjera ndihmëse, si dhe rreth 800 punonjës, të cilët do të jenë në gatishmëri 24 orë.

“Po ashtu, janë prokuruar 5300 tonë kripë dhe 1800 tonë granil për siguruar që të gjitha akset të jenë të lira nga dëbora”, tha ai.

Kozeli u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve “që të pajisen me goma dimërore dhe të kenë zinxhirë në makinat e tyre kjo për të siguruar që mos të kenë bllokime të akseve dhe qarkullimi të jetë i vazhdueshëm”.

/m.q/a.f/r.e/

The post ARRSH plan masash për fundvitin, 800 punonjës në terren 24 orë dhe 130 borëpastruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla urim për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare

31 December 2025 at 17:26

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla përcolli një mesazh urimi për qytetarët dhe fermerët shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve, duke vënë theksin te roli i fermerëve në zhvillimin e vendit dhe tek objektivat për vitin e ri.

Në mesazhin e tij, ministri Salla theksoi se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke shprehur mirënjohjen për punën, sakrificën dhe kontributin e përditshëm të fermerëve në ndërtimin e një bujqësie më të fortë dhe të një Shqipërie më të zhvilluar. Ai nënvizoi se fermerët shqiptarë janë shtylla e sigurisë ushqimore dhe e ekonomisë rurale, duke mbajtur gjallë tokën, traditën dhe prodhimin vendas edhe në kohë të vështira.

Ministri Salla bëri të ditur se Viti i Ri nis me ambicie të reja për sektorin bujqësor, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë investime, rritje të digjitalizimit dhe zgjerim të mundësive për produktet shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Në përmbyllje të mesazhit, ai uroi që viti i ri të shënojë një hap përpara drejt zhvillimit, bashkëpunimit dhe mirëqenies për çdo familje shqiptare, duke përcjellë urimet për shëndet, paqe dhe mbarësi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e mbylli mesazhin e tij me urimin: Gëzuar Vitin e Ri!

/m.q/a.f/r.e/

The post Salla urim për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urimi i ambasadës së SHBA për Vitin e Ri: Partneriteti ynë forcohet përmes vlerave të përbashkëta

31 December 2025 at 16:32

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë uroi sot qytetarët për Vitin e Ri.

Përmes një videomesazhi, Ambasada amerikane nënvizoi se “ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026!”.

Ambasada e SHBA theksoi se partneriteti mes dy vendeve vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta.

“Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta! Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!”, shkroi Ambasada amerikane.

/m.q/a.f/r.e/

The post Urimi i ambasadës së SHBA për Vitin e Ri: Partneriteti ynë forcohet përmes vlerave të përbashkëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë

31 December 2025 at 16:30

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Në prag të ndërrimit të viteve, urgjenca kombëtare e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, së bashku me ekipet e urgjencës mjekësore në të gjithë vendin qëndron në vijën e parë të shërbimit, larg tryezave familjare, por pranë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një vizitë në QSUNT, prej nga uroi bluzat e bardha për Vitin e Ri.

“Kam ardhur t’ju falënderoj për punën që bëni për mbështetjen që jepni sepse jeni ju këtu në QSUT, por edhe në të gjitha urgjencat e tjera në vend, që ushtroni një profesion fisnik por edhe sakrifikon sepse nuk jeni me familjet tuaja. Bashkëpunoni shumë mirë dhe me shërbimin e urgjencave dhe është një koordinim i mirë, në të gjithë vendin.

“Ju uroj që nata të jetë e qetë faleminderit që jeni në krye të detyrës, sepse kur jeni në një gatishmëri të tillë qytetarët ndihen më të qetë për të kaluar një natë festive siç duhet të jetë dhe ndërrimi i vitit”, tha Sala.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se “me gatishmëri të pandërprerë, 24/7, duke garantuar reagim profesional dhe shërbim të sigurt, gjatë 2025, vetëm në QSUNT janë trajtuar 125 mijë raste, ku ditët e fundit kanë marrë shërbim rreth 300 pacientë në ditë.

Mesazhin e ndau në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan “në prag të ndërrimit të viteve, së bashku me ata që çdo ditë punojnë në shërbim të kujdesit tuaj shëndetësor”.

/m.q/a f/r.e/

The post Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha mesazh urimi për Vitin e Ri: 2026, viti i shpresës së madhe

31 December 2025 at 16:24

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në vigjilje të Vitit të Ri 2026, përmes një mesazhi uroi shqiptarët për Vitin e Ri. Gjatë fjalës së tij Berisha, tha se viti që lam pas ishte një nga më të vështirat për shqiptarët.

“Sonte ne presim vitin e ri 2026! Ndaj dhe unë nga zemra ju uroj, kudo që ndodheni, në votrat familjare, në lokale, në udhëtime, në Shqipëri, në botë, në institucionet e vuajtjes së dënimit, në spitale. Gëzuar vitin e ri 2026. Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese.

“Por, siç është tradita, nuk mund të ndahemi nga ky vit pa hedhur një vështrim drejt tij. Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin. Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë. Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta. Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Evropë.

“Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë. Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare. Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet”, tha Berisha.

Gjatë mesazhit të tij, Berisha tha se “me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Do bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë shqiptare, rikthimin e votës së lirë. Për të shpëtuar familjen shqiptare nga një ligj shkatërrimtar për gjininë dhe familjen. Për të shpëtuar Shqipërinë nga rrokullisja e saj e madhe. Pra, këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar. Ndaj dhe unë dua sonte t’ju uroj ju, gëzuar kudo që ndodheni. Një vit të mbarë në lartësinë e shpresave dhe pritshmërive tuaja”, tha Berisha.

/m.q/a.f/

The post Berisha mesazh urimi për Vitin e Ri: 2026, viti i shpresës së madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

441 mijë thirrje në QKUM gjatë 2025, Brataj: Festoni me përgjegjësi

31 December 2025 at 16:04

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore u bëri sot thirrje qytetarëve që të festojnë me përgjegjësi dhe kujdes për jetën tyre dhe të të tjerëve.

Kreu i QKUM, Skënder Brataj theksoi se gjatë këtij viti “patëm 441 mijë thirrje, nga të cilat 144 mijë ishin vizita të kryera në shtëpitë tuaja dhe 50 mijë konsulta mjekësore nga njësia e koordinimit”.

Brataj gjithashtu theksoi se qytetarët duhet të tregohen të kujdeshëm në përdorimin e mjeteve piroteknike.

“Mjetet piroteknike përdoren gjatë festave, por keqpërdorimi i tyre përbën rrezik serioz, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë. Rreziqet kryesore janë djegiet e rënda të duarve, fytyrës dhe trupit, dëmtime të syve deri në humbje shikimi, zjarre në ambiente të hapura dhe të mbyllura”, tha ai.

Brataj theksoi se duhet të përdoren vetëm mjetet e certifikuara dhe të lejuara me ligj.

Gjithashtu ai bëri thirrje që fëmijët të mbahen larg tyre.

“Mbani distancë sigurie, mbani fikëse zjarri afër. Mos i ndizni në dorë, mos i drejtoni nga njerëzit, mos i përdorni në ndikimin e alkoolit. Në rast aksidenti si djegie, ftoheni zonën me ujë të rrjedhshëm për 20-25 minuta. Syrin e dëmtuar mos e fërkoni, por mbulojeni lehtë”, tha Brataj.

Brataj gjithashtu bëri thirrje që mos të teprohet në konsumin e alkoolit.

“Festa mbaron, por pasojat zgjasin gjatë gjithë jetës”, e përmbylli Brataj mesazhin.

/m.q/r.e/a.f/

The post 441 mijë thirrje në QKUM gjatë 2025, Brataj: Festoni me përgjegjësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet 67-vjeçari në Pogradec, dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur

30 December 2025 at 23:11

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Një ngjarje e rëndë është shënuar në një fshat të Pogradecit. Sipas raportimeve në medie, një 12-vjeçare nga ky fshat dyshohet se është abuzuar seksualisht, para 4 muajsh nga një 67-vjeçar, po nga i njëjti fshat.

Ngjarja ka ndodhur 4 muaj më parë në banesën e 67-vjeçarit, por është zbuluar vetëm tani pasi 12-vjeçarja ka mbetur shtatzënë dhe është 4-muajshe.

E mitura, sipas medieve ka rrëfyer në praninë e psikologut të gjithë ngjarjen dhe se si autori kishte abuzuar seksualisht me të me forcë duke e lidhur, në banesën e tij.

Kanë qenë prindërit e vajzës të cilët e kanë çuar për vizitë atë pasi ajo po shtonte peshë në mënyrë të pakuptimtë dhe mjekët i kanë informuar se vajza ishte shtatzënë 4-muajshe.

Pas ngjarjes, policia ka arrestuar 67-vjeçarin. Të afërmit e tij, sipas medieve, thonë se 67-vjeçari është baba i katër fëmijëve dhe është bërë gjysh.

/m.q/a.f/r.e/

The post Arrestohet 67-vjeçari në Pogradec, dyshohet se abuzoi seksualisht me një të mitur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 30 December 2025Main stream

Përcaktohen kriteret dhe procedurat për financimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Shqipëri

30 December 2025 at 22:02

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin që përcakton procedurat dhe kriteret për financimin e aktiviteteve sportive me karakter ndërkombëtar, të cilat kanë impakt social, kulturor, ekonomik dhe turistik, kur zhvillohen në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas vendimit, për të përfituar financim, subjektet aplikante duhet të jenë të regjistruara ligjërisht, të kenë njohje zyrtare nga federatat ndërkombëtare përkatëse dhe të dëshmojnë eksperiencë dhe kapacitete organizative në organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare.

Aktivitetet e propozuara duhet gjithashtu të kenë ndikim të dukshëm ekonomik, turistik dhe mediatik, përfshirë numrin e pjesëmarrësve ndërkombëtarë, delegacioneve dhe ekspozimin ndërkombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Procedurat e aplikimit parashikojnë paraqitjen e kërkesës gjatë gjithë vitit buxhetor pranë ministrisë përgjegjëse për sportin, duke përfshirë dokumentacion të detajuar për programin, planin teknik dhe financiar të aktivitetit. Një komision ad hoc vlerëson aplikimet dhe brenda 30 ditësh propozon miratimin ose mosmiratimin e financimit, ndërsa vendimi përfundimtar merret nga ministri përkatës.

Pas lidhjes së kontratës, pagesat realizohen sipas planit financiar dhe faturave të paraqitura nga subjekti aplikues, duke përfshirë edhe tarifat e pjesëmarrjes, kur parashikohen në kontratë. Për monitorimin e zbatimit të aktiviteteve ndërkombëtare ngrihet një grup monitorimi prej tre anëtarësh të caktuar nga ministri përgjegjës.

Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit është ngarkuar për zbatimin e tij.

Lexo të plotë vendimin

/m.q/a.f/

The post Përcaktohen kriteret dhe procedurat për financimin e aktiviteteve sportive ndërkombëtare në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

30 mijë lekë shpërblim për efektivët e Policisë së Shtetit, pagë e plotë për 1500 punonjës civilë

30 December 2025 at 20:32

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë përfituar shpërblime financiare me rastin e festave të fundvitit, pas një vendimi të marrë 10 ditë më parë nga drejtori i përgjithshëm Ilir Proda.

Kështu fondet kanë kaluar në bankë për të gjithë punonjësit e policisë, të cilët kanë përfituar 30 000 lekë shpërblim.

Ndërkohë 1500 punonjës civilë të Policisë së Shtetit, të angazhuar në detyra dhe shërbime specifike, kanë përfituar për herë të parë një rrogë të plotë shpërblim.

/m.q/a.f/r.e/

The post 30 mijë lekë shpërblim për efektivët e Policisë së Shtetit, pagë e plotë për 1500 punonjës civilë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alen Sherri sërish pjesë e Serisë A, Cagliari e rikthen nga huazimi

30 December 2025 at 20:08

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Alen Sherri është rikthyer më herët se sa ishte planifikuar te Cagliari në Serinë A të futbollit në Itali, kjo sipas Sky Sport. Portieri i kombëtares shqiptare kishte kaluar në huazim te Frosinone në Serinë B për një sezon, por marrëveshja mes klubeve është ndërprerë.

Vendimi i klubit nga Sardenja lidhet me largimin e portierit të dytë, Boris Radunovic, i cili është transferuar te Spezia për të pasur më shumë hapësira aktivizimi. Në këto kushte, drejtuesit e Cagliarit kanë vendosur të mos investojnë në një portier të ri, por të rikthejnë Sherrin, kartonin e të cilit e blenë nga Egnatia në verën e vitit 2024.

Eksperienca e Sherrit te Frosinone nuk rezultoi pozitive, pasi ai u aktivizua vetëm në një ndeshje kundër Monzës duke sepse u dëmtuar rëndë në fytyrë dhe qëndruar gjatë jashtë fushave të blerta.

Gjithçka është mbyllur mes palëve, ndërsa rikthimi i portierit shqiptar te Cagliari pritet të zyrtarizohet pas 2 janarit, me hapjen e merkatos dimërore në Itali.

/m.q/r.e/a.f/

The post Alen Sherri sërish pjesë e Serisë A, Cagliari e rikthen nga huazimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski

30 December 2025 at 18:57

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi e mbylli vitin 2025 në Kupën e Botës në Ski Alpine me një tjetër sukses ndërkombëtar.

Në ndalesën e 15-të të këtij kompeticioni, të zhvilluar në Semmering, Austri, 19-vjeçarja u rendit në vendin e tretë, duke siguruar podiumin e katërt për Shqipërinë gjatë këtij sezoni.

Me këtë rezultat, Colturi u pozicionua në vendin e 7-të të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine.

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi arritjet skiatores që përfaqëson Shqipërinë. Sipas tij, Colturi, konfirmoi nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Një sukses i jashtëzakonshëm për 19-vjeçaren, e cila mban vendin e 7-të në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës në Ski Alpine. Lara Colturi numëron 4 podiume në 15 gara të sezonit 2025–2026, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2025 ka arritur 6 podiume në total, duke konfirmuar nivelin elitar dhe përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkroi Gonxhja.

1 nga 5

/m.q/r.e/a.f/

The post 4 podiume në 15 gara, Lara Colturi renditet e 7-ta në Kupën e Botës në Ski appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama në festën e fundvitit me socialistët e Tiranës

30 December 2025 at 18:21

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim me rastin e fundvitit me anëtarë të Partisë Socialiste dhe drejtues të strukturave të PS-së në Tiranë.

Rama shprehu mirënjohjen “për çdo anëtar dhe aktivist të familjes së madhe të Partisë Socialiste” dhe theksoi se “me besimin e patundur tek forca jonë e pandalshme përpara, uroj nga zemra shëndet e mbarësi për çdo familje të vogël të secilës dhe secilit prej jush”.

“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tuaja! Të dytin dua ta bëj për të gjitha vajzat, dhe gratë që janë këtu dhe shëndetin e tretë, dua ta ngre për të gjitha ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, për ata që janë në vijën e dytë, në vijën e tretë, që janë kryetarë të partisë, që janë kryetarë të organizatave”, u shpreh Rama, në fjalën e tij para socialistëve të Tiranës,

Ndërkohë, drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu u shpreh se “sot është një moment për të uruar njëri tjetrit një vit sa më të mbarë dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, për një vit plot me shpresë, me energji, me besim, se e nesërmja dhe Viti i Ri patjetër, do të jetë një vit shumë i mirë dhe më e mira është gjithmonë përpara”.

/m.q/a.f/r.e/

The post Rama në festën e fundvitit me socialistët e Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali në pritjen e fundvitit: Fuqizojmë diasporën si një trup i vetëm nga Tirana në mbarë botën

30 December 2025 at 17:50

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot pritjen e fundvitit me gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të MEPJ-së.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se “e gjithë energjia jonë, dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës”.

Spiropali shtoi se “rruga jonë evropiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Evropë”.

Sipas ministres, anëtarësimi në BE, mbetet vokacioni kombëtar i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, një proces i thellë transformues.

Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, ministrja e Jashtme theksoi se 2025-a ishte një vit jashtëzakonisht i mbarë për Shqipërinë dhe diplomacinë shqiptare.

“33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ditur të ecë kaq shpejt më parë. Prandaj, në 2026-n, mbështesim njehsimin e mëtejshëm të shpejtësisë së negociatave, në shpejtësinë e avancimit të reformave dhe mbylljes së grupkapitujve”, tha Spiropali.

Në vitin që po lëmë pas, shtoi Ministrja, avancuam rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në vendet tona partnere dhe më gjerë, në botë.

“Prandaj, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe diasporës. Për herë të parë, kemi një mekanizëm të qartë koordinues, që nga Tirana, bashkërendon si një trup i vetëm me diasporën tonë nga Kalifornia deri në Sidnej. Kemi krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë”, deklaroi Spiropali.

Spiropali ndau bindjen se ligji i ri “Për shërbimin e jashtëm”, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusit të diplomatit, do ta vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr pikërisht këtë angazhim historik në rrugën drejt BE-së.

“Në 2026-ën, duhet të bëjmë të mundur, që grimcat e së ardhmes sonë evropiane, të mos jenë më reflektimi, por gjithmonë e më shumë, përditshmëria jonë, normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.

/m.q/a.f/r.e/

The post Spiropali në pritjen e fundvitit: Fuqizojmë diasporën si një trup i vetëm nga Tirana në mbarë botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordon Prodës titullin “Anëtar Nderi”

30 December 2025 at 17:26

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordoi titullin “Anëtar Nderi”, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Nëpërmjet titullit të akorduar Prodës, shoqata vlerësoi punën e Policisë së Shtetit, si dhe përkushtimin dhe profesionalizmin e saj.

Një vlerësim i tillë, praktikë e ProAlbNGO, më herët, iu është akorduar për kontribut, eurodeputetëve, senatit italian, rajonit të Lazios, etj.

Kryetari i Shoqatës, Fatjon Softa, vlerësoi Prodën për mbështetjen e dhënë për emisionin “Alo Policia – Siguria në Fokus”, si hapësirë komunikimi që lidh qytetarët, me shërbimet e Policisë, si dhe për bashkëpunimin në kuadër të institucioneve të sigurisë publike, si dritare komunikimi që sjell pranë qytetarëve, shërbimet, përkushtimin dhe sakrificat e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit.

Proda në fjalën e tij vlerësoi rëndësinë e medias, si urë lidhëse mes Policisë dhe qytetarëve, si dhe rolin e emisionit “Alo Policia”, për pasqyrimin e punës dhe sakrificës së qindra-mijëra djemve dhe vajzave, grave dhe burrave, që shërbejnë çdo ditë për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërive.

Të pranishëm gjatë takimit ishin edhe Igli Zepishta dhe Blerta Lata, drejtues të shoqatës, të cilët shprehën vlerësim për reagimin dhe profesionalizmin e Policisë në ndihmë të qytetarëve.

1 nga 3

/m.q/a.f/r.e/

The post Shoqata “Profesionistët e Lirë për Shqipërinë” i akordon Prodës titullin “Anëtar Nderi” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 26 mijë qytetarë të pajisur me vendim legalizimi gjatë 2025-ës

30 December 2025 at 17:00

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) bëri të ditur se gjatë këtij viti, 26 216 qytetarë janë pajisur me vendim legalizimi.

Sipas ASHK-së kjo legalizimi hedh një hap të rëndësishëm drejt sigurisë juridike të pronës dhe përmbylljes së një procesi të shumëpritur.

Numri më i lartë i vendimeve të legalizimit, është marrë në muajin dhjetor me 3081 vendime.

“Falënderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin dhe durimin e treguar deri në finalizimin e procesit”, nënvizon ASHK.

/m.q/a.f/r.e/

The post Mbi 26 mijë qytetarë të pajisur me vendim legalizimi gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Berisha uron Kurtin: Kosova triumfon me votë të lirë

29 December 2025 at 15:41

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha përshëndeti zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, duke i cilësuar si një sukses të vërtetë të demokracisë dhe një shembull frymëzues për shqiptarët.

Ai theksoi se procesi zgjedhor në Kosovë u zhvillua me standarde të larta demokratike, me garë të lirë, administrim korrekt dhe respektim të vullnetit të qytetarëve.

“Dje Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10-mujor. Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri”, pasi sipas tij, kryeministri Edi Rama “e ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale”.

Kryetari i PD, Sali Berisha uroi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për fitoren, si dhe të gjitha forcat politike për pjesëmarrjen dhe respektimin e verdiktit të sovranit, duke e quajtur Kosovën “krenari të shqiptarëve”.

“Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoritetet e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.

“Uroj fituesin e zgjedhjeve Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe një herë, urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!”, tha Berisha.

/m.q/j.p/r.e/

The post Berisha uron Kurtin: Kosova triumfon me votë të lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten qindra shoferë në Tiranë

29 December 2025 at 15:34

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Policia Rrugore në Tiranë, me qëllim garantimin e sigurisë rrugore dhe menaxhimin e fluksit të shtuar të qarkullimit në prag të festave të fundvitit, ka intensifikuar kontrollet dhe patrullimet në të gjitha akset kryesore, dytësore dhe nyjat lidhëse të kryeqytetit.

Policia njoftoi se si rezultat i kontrolleve të shtuara, janë konstatuar shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, për të cilat janë vendosur masat administrative: 529 masa për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; 389 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 256 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 346 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse; 170 masa për mosrespektim të radhës së qarkullimit dhe 87 masa për parakalim të gabuar.

Gjithashtu, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor dhe për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor, janë arrestuar/proceduar penalisht 39 shtetas dhe janë bllokuar 20 automjete.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duke kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në parandalimin e aksidenteve dhe në mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve. /j.p/r.e/

The post Shkelën rregullat e qarkullimit rrugor, gjobiten qindra shoferë në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Opozita do të fillojë protestat, bulevardi rruga e fitores

29 December 2025 at 14:24

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme me gazetarët, deklaroi se opozita do të nisë protesta të qëndrueshme, duke i konsideruar ato rrugën e vetme për përmbysjen e asaj që ai e quajti “regjim i narkoshtetit”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve të dalin çdo ditë në shesh, duke theksuar se fitorja nuk varet nga numrat, por nga guximi dhe vendosmëria.

“Opozita do të fillojë protesta pa asnjë diskutim. Opozita po bën gjithçka për të qartësuar tek çdo qytetar se, rruga e vetme është protesta e qëndrueshme. Se është koha, sot më shumë se kurrë të vendosi për të marrë përsipër misionin tonë të ri, të përmbysjes së regjimit të narkoshtetit”, deklaroi Berisha.

Ky mision, sipas tij, do të përmbushet sapo mijëra shqiptarë të vendosin të dalin në shesh çdo ditë.

“Të protestojnë kundër regjimit. Të ndahen nga apatia, lodhja, mërzitja, zhgënjimi që i ka pushtuar. Bulevardi është sheshi, është rruga e fitores”, tha Berisha.

Ndërkaq, Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas Berishës, Kryeministri mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale, pasi jo vetëm që mbron Ballukun nga drejtësia, por edhe ndërhyn në institucionet e pavarura, përfshirë Gjykatën Kushtetuese.

Berisha tha se opozita e ka mbledhur ligjërisht Këshillin e Mandateve dhe se Balluku “de facto” nuk ka më imunitet.

“Opozita mblodhi komisionin, mbledhja e komisionit është plotësisht e ligjshme dhe për opozitën Balluku nuk ka më imunitet. E mban vetëm Edi Rama që nuk lejon arrestimin e saj.  Opozita do i përgjigjet përsëri me rrugë ligjore, dhe me protesta të fuqishme”, tha ai.

Berisha nënvizoi gjithashtu se të dhënat e sigurisë kombëtare kanë kaluar në duart e bandave dhe armiqve të Shqipërisë dhe NATO-s.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Opozita do të fillojë protestat, bulevardi rruga e fitores appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sadushi: Dosjet e prapambetura në Gjykatën e Lartë u ulën me 61% në pesë vite

29 December 2025 at 14:02

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, paraqiti sot në konferencën e fundvitit me gazetarët, bilancin e vitit 2025, duke vënë theksin te rezultatet konkrete dhe sfidat reale.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi theksoi se në pesë vitet e fundit backlogu është ulur me 61%, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, me një normë likuidimi që arrin 273%.

“Ulja e backlogut me 61% është një tregues domethënës i performancës së Gjykatës së Lartë, veçanërisht në kushtet kur në gjykatat e apelit stoku i çështjeve vijon të rritet. Rezultati i arritur është produkt i një volumi pune të jashtëzakonshëm, i disiplinës institucionale dhe i një strategjie të qëndrueshme. Kështu, në pesë vitet e fundit janë dhënë 39.269 vendime, duke e reduktuar backlogun në 14.081 çështje. Vetëm gjatë vitit 2025 janë dhënë 6.876 vendime, prej të cilave 2.506 nga Kolegji Administrativ, 2.395 nga Kolegji Civil dhe 1.975 nga Kolegji Penal. Krahas 4 vendimeve njësuese, të cilat kanë përcaktuar standarde të reja për zbatimin e ligjit, presin zgjidhjen e tyre edhe 4 vendime të tjera”, tha Sadushi.

Sipas tij mesatarja prej 429 vendimesh për gjyqtar dëshmon përkushtim dhe stërmundim profesional, por jo një situatë normale pune.

“Referuar numrit të vendimeve të dhëna dhe 2.513 çështjeve të reja të regjistruara, norma e likuidimit ka arritur në 273%. Çdo gjyqtar ka dhënë mesatarisht rreth 429 vendime në vit. Këto shifra nuk përfaqësojnë një “normalitet” gjyqësor; ato janë stërmundim profesional dhe dëshmi se Gjykata e Lartë ka ruajtur funksionimin e sistemit nën presion të vazhdueshëm strukturor”, tha Sadushi.

Gjithashtu, Sadushi evidentoi problematikën e rekurseve të papranueshme, që konsumojnë kohë gjyqësore pa përmbushur standardin kasacional.

“Vijon të mbetet problem serioz cilësia e dobët rekurseve. Nuk e kanë kaluar testin e  pranueshmërisë 60% e rekurseve në Kolegjin Civil, 71% në Kolegjin Administrativ dhe 82% në Kolegjin Penal. Për rrjedhojë, koha gjyqësore po shpenzohet për ankime që nuk plotësojnë standardin ligjor të gjykimit kasacional. Kjo nuk i shërben as qytetarit, as shtetit, as vetë drejtësisë.

“Në fushën administrative dhe pjesërisht në atë civile, rekurset e papranueshme u përkasin kryesisht organeve publike. Në vitin 2025, organet publike rezultojnë gjyq-humbëse në 55% të çështjeve administrative (1.016 çështje), ndërsa individët dhe subjektet privatë në 42% (777 çështje). Në fushën penale, prokuroria rezulton gjyq-humbëse në 18.4% të çështjeve (302 çështje), ndërsa individët në 80.2% (1.323 çështje). Kjo situatë evidenton problematika në përfaqësimin ligjor, moshartimin siç duhet të rekurseve, mosndjekjen apo mosnjohjen e praktikës së Gjykatës së Lartë dhe ngatërrimin e rolit të gjykatës kasacionale me gjykatat e faktit. Filtri kasacional në hyrje i zbatuar nga Kolegji Administrativ ka funksionuar me eficiencë: 32% e rekurseve administrative të regjistruara janë konstatuar haptazi të pabazuara, duke frenuar shtimin artificial të çështjeve në pritje”, tha ai.

Sipas tij rezultatet e Gjykatës së Lartë janë reale, por ato nuk përfaqësojnë panoramën e plotë të drejtësisë shqiptare. Mungesa e gjyqtarëve, veçanërisht në gjykatat e Apelit, sipas Sadushit, mbetet nyja kryesore që rrezikon krijimin e backlogut të ri.

“Sistemi sot prodhon backlog të ri për shkak të mungesave strukturore. Çdo ngarkesë e krijuar sot në shkallë të parë dhe apel, nesër do të jetë ngarkesë për Gjykatën e Lartë. Mungesa e gjyqtarëve është problemi themelor i sistemit të drejtësisë. Aktualisht janë 307 gjyqtarë efektivë në detyrë, përballë 417 të parashikuar nga struktura organizative, çka do të thotë se sistemi funksionon me vetëm 73.6% të kapacitetit të tij, ose me 110 gjyqtarë më pak. Kjo situatë bëhet edhe më shqetësuese nëse merret parasysh se deri në vitin 2028 nga Shkolla e Magjistraturës parashikohet të dalin jo më shumë se 67 gjyqtarë të rinj. Nëse i referohemi standardeve të CEPEJ, Shqipërisë do t’i nevojiteshin rreth 587 gjyqtarë, çka nxjerr në pah një disproporcion të thellë ndërmjet nevojave reale dhe kapaciteteve aktuale të sistemit. Ky realitet dëshmon mungesë vizioni strategjik për hyrjet e reja në sistem. Sot është domosdoshmëri të  merren masa konkrete për korrigjimin e menjëhershëm të kuotave të pranimit në Shkollën e Magjistraturës. Në këtë panoramë të përgjithshme mungesash, gjykatat e apelit përbëjnë sot hallkën më kritike të sistemit gjyqësor, duke funksionuar me vetëm 55.9% të trupës gjyqësore të parashikuar, çka rrezikon seriozisht aftësinë e tyre për të përballuar volumin e çështjeve dhe për të garantuar afate të arsyeshme gjykimi”, tha Sadushi.

Sadushi nënvizoi se “në këtë atmosferë presioni strukturor, Gjykata e Lartë ka garantuar funksionimin e sistemit, përmes përgjegjësisë institucionale dhe punës intensive, pavarësisht mungesës së kapaciteteve reale”.

“Kjo është sfida thelbësore e drejtësisë sot: jo thjesht të funksionojë falë përpjekjes së jashtëzakonshme të njerëzve që e mbajnë në këmbë, por të garantojë që ky funksionim të jetë i qëndrueshëm. Një sistem nuk mund të mbështetet pafundësisht te sakrifica individuale. Pa politika për njerëzit, pa investim në kapacitetet njerëzore dhe pa vizion afatmesëm, nuk ka drejtësi që reziston. Qytetari nuk pret justifikime, por kërkon funksionim të drejtë, cilësor dhe në kohë të sistemit gjyqësor”, tha ai.

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi
1 nga 3

/m.q/j.p/

The post Sadushi: Dosjet e prapambetura në Gjykatën e Lartë u ulën me 61% në pesë vite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Garanci statutore për përfaqësimin e departamentit Brain Gain dhe diasporës në PD

29 December 2025 at 13:25

TIRANË, 29 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë prezantimit sot të drejtimit të ri të departamentit Brain Gain dhe programit për vitin 2026, vlerësoi kontributin e këtij departamenti si një faktor kyç në momentet më të vështira të PD-së dhe të opozitës shqiptare.

Berisha theksoi se Brain Gain, i përbërë nga intelektualë dhe profesionistë të diasporës, ka luajtur rol themelor në mbrojtjen e trashëgimisë politike, kulturore dhe identitare të PD-së.

Berisha gjatë fjalës së tij tha se PD ka pasur mangësi në përfshirjen e diasporës dhe anëtarëve të Brain Gain në strukturat drejtuese, duke theksuar nevojën për garanci statutore që të sigurojnë përfaqësim dhe hapësira reale për ta.

“Rrethana komplekse, duhet ta pranojmë këtu, bënë që PD të mos ishte e hapur në kuptimin më të plotë të fjalës për integrimin e tyre. Dhe këta djem dhe vajza, nuk morën vendet që meritonin në forumet e kësaj partie”, u shpreh Berisha

“Nuk gjetën hapësirat që meritonin në zhvillimet e mëpasme. Këtu duhet të pranojmë, PD ka një problem themelor ndaj këtij departamenti, por edhe ndaj diasporës, të cilit duhet t’i japë përgjigje sa më parë. Procedurat e përcaktuara nga kjo parti, atyre u mungon karakteri universal që duhet të ketë partia, në kuptimin që kjo nuk është parti vetëm e atyre që jetojnë në Tiranë, Tropojë apo Gjirokastër, por është parti edhe atyre që jetojnë në Paris, Londër, Berlin, Uashington dhe kudo që janë. Nuk është parti vetëm e degëve të saj në Lezhë, Durrës apo Peqin, por është edhe parti e degëve të saj në Athinë, Milano, Paris dhe vende të tjera. Në këtë kontekst është e domosdoshme që këto mangësi të marrin përgjigje statusore”, deklaroi Berisha.

“Nuk duhet të jenë zgjidhjet çështjet e vullnetit të kryetarit apo kryesisë të partisë, zgjidhjet duhet të jenë garanci statutore. Dhe në këtë kuadër ne i japim përgjigjen më të mirë, korrigjojmë padrejtësinë që është bërë ndaj tyre, por edhe ndaj diasporës. Dhe kjo padrejtësi duhet të finalizohet me përcaktime të qarta në statutin e partisë”, tha Berisha.

Në përfundim, Berisha garantoi se PD do të japë hapësira më të gjera për Brain Gain dhe të rinjtë profesionistë, duke e cilësuar këtë betejë politike si “shansin historik” për ndryshimin e Shqipërisë dhe ndarjen e saj nga, sipas tij, e keqja më shkatërrimtare e dekadave të fundit.

/m.q/j.p/

The post Berisha: Garanci statutore për përfaqësimin e departamentit Brain Gain dhe diasporës në PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌