Rama: Strukturat në gatishmëri, vijon pandërprerje pastrimi i akseve rrugore
TIRANË, 8 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se gjatë natës për mbarëvajtjen e situatës nga reshjet, të gjitha njësitë operative kanë qenë në terren dhe puna vijon pa ndërprerje për pastrimin e askeve rrugore.
Sipas Ramës, ekipet e bashkive, Emergjencat Civile lokale, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore dhe Policia, kanë qenë në gatishmëri, teksa ekipet e kontraktorëve vijojnë në mënyrë të pandërprerë punën për pastrimin e askeve rrugore të prekura nga reshjet, rrëshqitjet e dheut, apo dëbora.
Duke bërë një përditësim për situatën në të gjithë vendin, Rama u ndal tek akset rrugore.
Sipas kreut të qeverisë gjatë natës kanë vazhduar reshjet e shiut dhe ka filluar dëbora në të gjithë zonën veriore dhe juglindore të vendit.
“Reshje dëbore ka pasur në Rajonin Verior: Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafë Morinë (doganë), Sopot-Kërrnajë, Qafë Mejdan-Tropojë-Buçaj Bulqizë, Qafë Bualli-Peshkopi, Peshkopi-Maqellarë, Hani i Hotit-Dogana Vermosh, Kukës-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Bajram Curri-Valbonë, Pukë-Fushë-Arrëz, Bogë-Theth dhe Qafë Mali-Fushë Dukagjin.
“Në Rajonin Qendror: Surrel Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Kërrabë-Elbasan.
“Në Rajonin Jugor: Llogora, Qafë Thanë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Leskovik”.
Rama nënvizoi se “kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren pa ndërprerje 24/7 për të bërë pastrimin e akseve rrugore”.
Kreu i qeverisë këshilloi qytetarët që të shmangin lëvizjet jo të domosdoshme me automjetet e tyre.
“Në këtë periudhë, zhvillimi i trafikut vetëm për udhëtime esenciale është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë e të gjithëve dhe për të lehtësuar punën e ekipeve të mirëmbajtjes së rrugëve.
Përdorimi i gomave dimërore është i detyrueshëm për automjetet që qarkullojnë në zonat malore apo ku është njoftuar për prezencë dëbore dhe ngricash”, theksoi Rama.
/m.q/a.f/r.e/
The post Rama: Strukturat në gatishmëri, vijon pandërprerje pastrimi i akseve rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.