Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë konferencës së tij vjetore deklaroi se ky është me shumë gjasë fjalimi i tij i parafundit dhe ndoshta edhe fjalimi i fundit vjetor në postin e presidentit të republikës.
“Ky është sigurisht fjalimi i tij i parafundit dhe ndoshta fjalimi i fundit vjetor si president i republikës. Është shumë e mundur që të jetë e fundit”, tha Vuçiç, duke lënë të hapur mundësinë e shkuarjes drejt zgjedhjeve të parakohshme në 2026.
Kujtojmë se ai ka plotësuar kërkesën kryesore të opozitës dhe studentëve që protestojnë prej disa muajsh nëpër sheshe, duke njoftuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vitin e ri që po vjen, 2026.
Kjo deklaratë pasoi nismën e studentëve për mbledhjen e nënshkrimeve anembanë Serbisë, ku kërkohej shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Vuçiç tha se bllokuesit e rrugëve donin të krijonin, si në Ukrainë, revolucionin e quajtur “Maidan”, duke e futur vendin në kaos me pushtimin e ndërtesave të Presidencës dhe Asamblesë Kombëtare. Sipas presidentit, ata do të kishin pasur sukses nëse nuk do të kishte pasur rezistencë popullore.
“E kemi pranuar kërkesën e tyre kryesore. Vitin e ardhshëm do të shkojmë në zgjedhje parlamentare, por vetëm se nuk do të jenë aq të lumtur kur t’i numërojnë votat. Do të shkojmë në zgjedhje që t’i mposhtim kundërshtarët tanë politikë, që janë pa program e pa ide në çdo qytet të Serbisë.
U organizuan më shumë se 25,000 tubime të paligjshme. Ata bllokuan trafikun dhe u përpoqën që të kishte viktima. Kjo është arsyeja pse them se ata donin të krijonin një Maidan, duke krijuar kaos. Zgjedhjet nuk fitohen me gënjeshtra, por me punë të vërtetë, duke luftuar për qytetarët e Serbisë, duke luftuar për popullin”, tha ai pak ditë më parë.
PRISHTINË, 29 dhjetor/ATSH/- Kosova sot ka përmbyllur me sukses procesin për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas rezultateve preliminare publikuar në platformën e KQZ-së, LVV ka fituar 49.30% të votave, e pasuar nga PDK me 21.01% dhe LDK me 13.59%, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sipas këtyre rezultateve ka marr 5.68% të elektoratit.
Në bazë të këtyre rezultateve, LVV siguron 56 mandate, PDK me 23 mandate, LDK merr 15 mandate, AAK 6 mandate, Lista Serbe 10 mandate, komunitetet e tjera 10 mandate.
PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit po kryeson në zgjedhjet e 28 dhjetorit, teksa numërimi i votave është drejt përfundimit.
Me 93.43 për qind të votave të numëruara (deri në orën 21:40), LVV-ja ka 411.120 vota apo 49.99 për qind.
Diferenca në vota mes partisë së Kurtit dhe PDK-së së Bedri Hamzës – që është në vend të dytë me 21.07 për qind të votave – është 237.875 vota.
Sipas rezultateve të fundit të publikuara nga KQZ-ja, LVV është rrugës për të formuar vetë ekzekutivin e ri të vendit.
Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë.
Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Sipas të dhënave preliminare, dalja në zgjedhje është 45 për qind.
Zgjedhjet u monitoruan nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.
PRISHTINË, 28 dhjetor /ATSH/ Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, shpreson që të ketë pjesëmarrje masive në zgjedhjet e sotme.
Ai pasi votoi në Fakultetin Juridik në Prishtinë, tha se pret që rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të jetë i qartë.
“Uroj që legjilstura e ardhshme e dhjetë të konstituojë Kuvendin dhe formojë Qeverinë”, tha ai.
Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1 999 204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 77 086 votues.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Ditën e sotme, në Kosovë zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00.
Rreth 2 milionë e 76 mijë e 290 votues qytetarë, kanë të drejtë vote në këto zgjedhje, të cilat janë të dytat parlamentare që mbahen brenda një viti.
Në garë janë gjithsej 1.146 kandidatë nga 23 subjekte politike, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, në këto zgjedhje janë të regjistruar për të votuar gjithsej 1 milion e 999 mijë e 24 qytetarë.
Gara për postin e kryeministrit përfshin Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Bedri Hamzën nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe Ramush Haradinajn.
Një ditë më parë, të drejtën e votës e ushtroi diaspora, ku sipas të dhënave, pjesëmarrja arriti në 81%.
Sot ka votuar edhe Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili e hodhi votën e tij në Pejë.
Pas votimit, Radoniqi u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike.
PRISHTINË, 13 dhjetor /ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar vendimin e KQZ-së për mos certifikimin e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Në vendimin e publikuar sot, PZAP thotë se vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për mos certifikimin e kandidatëve më 10 dhjetor është i mangët, jo i plotë dhe nuk i trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjektit politik.
“Në mungesë të një arsyetimi të mirëfilltë ligjor konkludohet se vendimi i tillë nuk mund të qëndrojë juridikisht pasi që nuk përmban as vlerësimin e duhur të fakteve në raport me dispozitat ligjore të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregulloren e certifikimit të subjekteve politike”, thuhet në vendim.
Lista Serbe në zgjedhjet e parakohshme hyn me gjithsej 33 kandidatë. /KosovaPress/
Për herë të parë, partitë politike kanë shfaqur transparencë për shpenzimet dhe burimet gjatë fushatës zgjedhore, falë raportit “Kostoja e Politikës në Kosovë”, një bashkëpunim nga organizata jo-qeveritare Demokraci Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD).
Albert Krasniqi nga OJQ-ja D+, e cila ka fokus ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë, ka shpjeguar se ky raport paraqet një zbulim ndaj kritereve që kanë përdorur partitë politike për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që përfaqësojnë partitë e tyre politike gjatë zgjedhjeve parlamentare të radhës dhe njëkohësisht edhe koston e përdorur gjatë fushatës.
“Qëllimi i raportit ka qenë që të shohim cilat kanë qenë kriteret që partitë politike kanë aplikuar kur kanë hartuar listat e tyre për kandidatët e zgjedhjeve. Qëllimi i dytë ka qenë që të shohim se cila ka qenë kostoja që kandidatët kanë pasur në fushatë zgjedhore, dhe pastaj i treti ka qenë se cilët kanë qenë obligimi që ata kanë marrë pas marrjes së mandatit, nëse kanë pasur kosto shtesë pas kësaj. Kemi zhvilluar intervista gjysmë të strukturuara me 15 kandidatë për deputetë, 10 prej tyre kanë qenë të zgjedhur suksesshëm dhe pesë të cilët kanë qenë kandidatë. Kjo është një mostër shumë e vogël dhe nuk është përfaqësuese, por, qëllimi ka qenë që ta marrim direkt prej kandidatëve, dhe është hera e parë që kanë folur publikisht për shpenzimet dhe burimet gjatë fushatës zgjedhore, në mënyrë që të japin një pasqyrë pak më të përgjithshme se si zhvillohet fushata. Kemi organizuar dy fokus grupe, një me kandidatë të partive polikë dhe një me ekspertë dhe gazetarë që janë marrë me fushatën zgjedhore për t’i verifikuar gjetjet të cilat kanë qenë prej këtij studimi”, tha ai.
Raporti ka marrë mostra për përfaqësuesit e tri parti kryesore politike të Kosovës, ku sipas Krasniqit Lëvizja Vetëvendosjes ka përdorur një prej këtyre kritereve, aspektin gjeografik të përfaqësimit.
“Në Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatët na kanë thënë se është marrë parasysh aspekti gjeografik i përfaqësimit, me ndikimin që këta persona kanë në zonat nga të cilat vijnë. Pastaj, ka qenë aftësia polarizuese e kandidatëve, në kuptimin e përfaqësimit të temave qendrore, politike dhe ballafaqimit me rivalët politikë. Pastaj, aktivistë të hershëm dhe ata që kanë pasur një pushtet ekzekutiv kanë pasur përparësi në lista. Afërsia me liderin dhe me strukturat e partisë politike ka qenë një kriter tjetër i pashkruar, por kandidatët e kanë ditur se kjo ka pasur peshë se kush është vendosur në listë dhe pozicionin të cilin kanë pasur. Dhe, figura nga akademia dhe bota e showbizit, persona të cilët kanë përkrahës dhe mund të sjellin vota të reja në subjekte politike”, tha ai.
Ndërkaq, sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës ka pasur kriter edhe që të mos kenë aktakuza kandidatët.
“Te Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë kriter që të mos kenë aktakuza, të jetë një listë e pastër dhe me integritet. Të jenë figura politike, dhe të jenë profilizuar në fusha të caktuara. Mosha dhe kandidatët që nuk kanë pasur angazhime të më hershme politike, e cila ka qenë një përpjekje për të paraqitu reforma në parti . Pastaj, historiku i kontributit për vendin dhe lidhjet me luftën E UÇK-së, ka qenë diçka që kanë pasur parasysh në hartimin e listës dhe elementi gjeografik për përfaqësim jashtë rajonit të Drenicës, për shkak se janë parë si një parti politike e cila ka një bazë aty”, tha ai.
Në fund, studimi ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka përdorur këto kritere, ku afërsia me liderin është konsideruar si një përparësi për renditjen në listën e LDK-së.
“Te Lidhja Demokratike e Kosovës, na është thënë që synimi ka qenë ta mbrojnë votën konservative të LDK-së, janë vendosur figura aktiviste të hershme të partisë, politike, profile profesionale, kandidatë të cilët kanë pasur ose kanë krijuar lidhje me komunitetin e biznesit, ose që tregojnë një kuptim për mënyrën se si zhvillohet ekonomia ose ndërmarrësia. Qëllim është që partia të duket një parti e fortë në aspektin ekonomik. Por, edhe afërsia me liderin është konsideruar si një përparësi për renditjen në listën e LDK-së”, tha ai.
Në publikim u fol edhe për kostot e përdorura gjatë fushatës dhe u prekën çështjet e pabarazisë gjinore gjatë shpenzimeve. /KP/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot në mbledhjen e radhës kandidatët për deputetë të subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, por jo edhe të Listës Serbe.
Kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe kanë qenë Sami Kurteshi e Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Sami Kurteshi tha se janë kundër certifikimit të kandidatëve të partisë serbe, e përkrahur nga Beogradi zyrtar.
“Unë, besoj që edhe kolegu im, jam kundër certifikimit të Listës Serbe bashkë me kandidatët e tyre”, ka thënë anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi.
Me gjashtë abstenime, dy vota kundër, dhe tre vota për është refuzuar certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe.
“Kush është për, tre, kush është kundër, dy, abstenime, gjashtë abstenime. Atëherë refuzohet certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe”, ka thënë kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Lista Serbe ka 33 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.
Muzikantë, aktorë e fytyra të njohura të skenës edhe këtë vit do t’i drejtohen votuesve për një ulëse në Kuvend.
Zgjedhjet e Parakohshme të 28 dhjetorit po e shndërrojnë garën politike në një skenë ku shoubizi dhe politika takohen sërish.
Në listat e Lëvizjes Vetëvendosje, aktorja Adriana Matoshi synon mandatin e tretë, ndërsa këngëtarja Edona Llalloshi kërkon konfirmimin e dytë të votuesve.
Në Partinë Demokratike të Kosovës rikthehet këngëtari Genc Prelvukaj, i cili në zgjedhjet e shkuara nuk arriti të siguronte vota të mjaftueshme.
Ndërkohë, këngëtarja dhe arkitektja Eliza Hoxha garon për një mandat të ri, pas një angazhimi të vazhdueshëm në Kuvend.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës vjen me emra të njohur: fituesi i Big Brother VIP Kosova 2, Lumbardh Salihu, rikthehet në garë, ndërsa prurja e re e këtij subjekti është këngëtarja Adelina Thaçi.
Sa i përket probabilitetit të suksesit, gjithçka mbetet në duart e votuesve.
PRISHTINË, 7 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka miratuar mbi 70 mijë aplikime për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Sipas të dhënave preliminare, gjatë periudhës 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor) përmes platformës elektronike të KQZ-së, janë pranuar mbi 84.700 aplikime për regjistrim për votim jashtë Kosovës, prej të cilave janë aprovuar rreth 71.900 ndërkaq janë refuzuar rreth 6.700. Në vlerësim e sipër janë rreth 5.900 aplikime”, ka thënë Elezi në disa përgjigje me shkrim.
Ai ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e votuesve janë regjistruar për të votuar përmes postës, mbi 51.000 prej tyre, për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga adresat e kutive postare jashtë Kosovës dhe rreth 2.500 të tjerë janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
“Rreth 18.000 shtetas janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike”, ka thënë mes të tjerash Elezi.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, KQZ-ja pati regjistruar afro 105 mijë qytetarë në diasporë për të votuar në atë proces.
Në ato zgjedhje, Kosova e ka organizuar për herë të parë votimin fizik nëpër përfaqësitë diplomatike, përkatësisht në 16 ambasada dhe 14 konsullata në 19 shtete të ndryshme të botës.
Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi për partitë politike të Kosovës ishte e pamundshme që të arrinin konsensus për të ecur përpara, pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, meqë asnjëra parti nuk arriti t’i siguronte numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para dhe fitoi 48 ulëse në Kuvend, duke i lënë prapa Partinë Demokratike të Kosovës me 24 ulëse, Lidhjen Demokratike të Kosovës me 20, Listën Serbe me nëntë dhe koalicionin mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla.
Ulëset e tjera ishin të rezervuara për pakicat.
Disa parti në Kosovë kanë qenë në favor të caktimit të 28 dhjetorit si datë për zgjedhje, me arsyetimin se shumë shtetas të Kosovës nga diaspora kthehen në vendlindje në kohën e festave.
Në mesin e tyre ka qenë Lëvizja Vetëvendosje, e cila i ka fituar shumicën e votave të diasporës më 9 shkurt.
Disa parti tjera kanë përmendur problemet eventuale që mund të dalin me monitorimin e procesit më 28 dhjetor, pasi një pjesë e vëzhguesve ndërkombëtarë mund të mos jenë të angazhuar, marrë parasysh që një pjesë e madhe e botës është në periudhë pushimesh.
Megjithatë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka arsyetuar vendimin e saj, duke thënë se KQZ-së i është dashur kohë për t’u përgatitur, meqë vendi i ka mbajtur edhe dy procese tjera zgjedhore në tetor dhe nëntor – dy raunde të zgjedhjeve lokale. /REL/
Zafir Berisha ka bërë të ditur se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të jetë pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ku shfaqet duke shtrënguar duart me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Berisha tha se në këtë garë zgjedhore po hyn me motivin për të kontribuar në luftimin e “të keqes që ka kapluar Kosovën”, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si mashtruese dhe të dëmshme për vendin.
“Me Ramush Haradinajn na lidh e kaluara për liri, por edhe përgjegjësia që kemi ndaj vendit nga i cili nuk heqim dorë. Prandaj rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, shkroi ai.
Në postimin e tij, Berisha kritikoi ashpër kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke e quajtur “kandidat kukull” dhe duke akuzuar figurat brenda partisë se po e përdorin atë për interesa të tyre.
“E di që kam shumë miq e bashkëpunëtor që kanë pritur të jap kontributin tim krah Bedri Hamzës. Por dua t’ju them hapur, Bedriu në këtë garë është vetëm një kandidat kukull në duarët e ‘pionerëve’ pa libreza të PDK… Unë nuk kam mund të jam pjesë e asaj loje”, ka shkruar ai.
Berisha theksoi se angazhimi i tij politik është për Kosovën dhe jo për “skenarë të dështuar” apo për “figurina politike që tunden sipas interesit të dikujt tjetër”.
Me këtë rreshtim, AAK-ja përforcon listën e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke shtuar një figurë të njohur të spektrit politik kosovar.
Një ditë para përfundimit të afatit për finalizimin e listave të kandidatëve për deputetë, partitë politike thonë se po përpiqen të krijojnë një listë konkurruese dhe gjithëpërfshirëse që reflekton diversitetin dhe përvojën brenda strukturave të tyre.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, deklarojnë se janë afër finalizimit të listave, siç shtojnë duke kombinuar edhe emra të rinj me figurat e njohura politike.
Të njëjtit bëjnë të ditur se në listat e kandidatëve për deputetë do të jenë edhe deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë, e cila për shkak të krizës politike nuk mori asnjë vendim.
Në anën tjetër, analistët politikë u bëjnë thirrje partive politike që në listat e tyre të kenë njerëz profesionistë dhe energji të reja.
Partitë politike deri tani veç kanë bërë publike disa nga emrat që do të jenë kandidatë për deputetë, por kanë kohë deri më datën 7 dhjetor për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.
Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se 50 për qind e listës do të përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat e partisë, kurse 50 për qind tjetër, do të caktohen nga kryesia dhe kryetari, Albin Kurti.
Ajo nuk tregon se si do të ndahet lista edhe me partnerët e koalicionit, Guxo, Alternativa dhe PShDK.
“Ne jemi në përgatitjet e fundit sa i përket listës zgjedhore. Data 7 është afati i fundit kur ne do të dorëzojmë listën. Natyrisht, ne si LVV kemi pasur thirrjet te të gjithë anëtarët e LVV-së që kanë interes të kandidojnë dhe adresojnë të gjitha procedurat në raport me këtë. 50 për qind e listës përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat dhe 50 për qind nga kryesia dhe kryetari Albin Kurti. Ende nuk kemi vendosur dhe janë diskutime që po zhvillohen mes Kurtit, Gërvallës dhe Kusari-Lilës. Jemi duke punuar në këtë drejtim. Besoj se të dielën do të jenë të gjitha informacionet sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje”, thekson ajo.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Artan Behrami, thotë se do të kenë edhe emra të rinj në listën zgjedhore, krahas figurave eminente të partisë.
“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me traditën që lista e saj të ketë emra të rinj. Do të ketë shumë freskime dhe prurje të reja përmes të cilave ne besojmë dhe shpresojmë që do të kemi një votë të re. Ne e kemi kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën, i cili ka treguar se është figurë përbashkuese dhe nuk është figurë përçarëse.
Me këtë energji të mirë dhe me këtë energji të përbashkimit do të hyjmë në fushatë me shpresën që ata që dikur e kanë votuar LVV-në të kthehen rreth vizionit të Bedri Hamzës… Ka qenë praktikë e etabluar në PDK që ata që kanë qenë deputetë mund të garojnë sërish për deputetë. Unë besoj se ky mandat shtatë-tetë mujor nuk ka qenë mandat fare. Për neve që kemi qenë për herë të parë deputetë, fushata zgjedhore e 9 shkurtit nuk ka përfunduar dhe është vazhdimësi e asaj fushate”, thotë Behrami.
Kurse, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, thotë për KosovaPress, se janë duke kompletuar listën, e cila sipas saj, është rifreskuar, për dallim nga zgjedhjet e fundit. Ajo konfirmon se në listë do të jenë edhe ish-deputetët e legjislaturës së kaluar.
“LDK-ja është duke kompletuar listën për kandidatë për deputetë, por edhe kandidatët tanë që janë për ekzekutiv dhe udhëheqësin e listës, kryetarin Abdixhiku, që është i nominuar për kryeministër të Kosovës. Mendoj se kësaj here do t’ia dalim shumë më mirë sepse kemi një listë të rifreskuar, një vizion të qartë. Jemi duke bartur një peshë historike për t’ua zgjidhur problemet qytetarëve të Kosovës. Duke marrë parasysh të gjitha këto komponentë, besoj se LDK-ja do të dalë më mirë se kurrë… (ish-deputetët e legjislaturës së nëntë) patjetër që do të jenë, secili prej tyre që ka ambicie do të jetë në këtë listë pasi kanë fituar së voni edhe ata vota”, deklaron Lushaku.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nisma-s, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve rreth listave të tyre zgjedhore.
Ndërsa analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KP, se partitë politike duhet të sjellin energji të reja në listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, nëse në lista do të jenë të njëjtit njerëz, është e vështirë që skena politike të reformohet.
“Ajo që partitë duhet obligativisht të bëjnë është të sjellin resurse të reja njerëzore, profesionale. Profesionistë të rinj, djem dhe vajza të reja dhe të rifreskojnë edhe skenën politike. Nëse do të jenë të njëjtit njerëz që kanë qenë deri tani, s’ka shumë shpresë që skena politike mund të reformohet dhe të mund të ketë ndonjë ndryshim pozitiv. Prandaj, shpresa e vetme për një rezultat pozitiv edhe pas 28 dhjetorit është që partitë të bëjnë maksimumin në ndryshimin e imazhit të tyre. Po ashtu edhe fuqizimin e aspektit profesional sepse me këtë populizëm ekstrem nuk mund të ketë asnjë perspektivë pozitive”, thekson Muhaxhiri. /kp/
Të premten nuk pati distancim publik nga Partia Demokratike lidhur me gjuhën e kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtatku, ndaj ish-deputetes, Adriana Matoshi. Por as në Lëvizja Vetëvendosje për komentet paraprake të Matoshit ndaj Lushtakut. Profesorë vlerësojnë se “gjuha e egërsuar” është e nxitur nga polarizimi që u krijua gjatë bllokadës dhe përpjekjeve për “t’ia lënë fajin njëra tjetrës”.
Në një telefonatë ku fillimisht u pyet nëse tërhiqet nga një deklaratë seksiste dhe e papranueshme, kryetari i ri i Skenderajt, Sami Lushtaku, përshkallëzoi edhe më shumë në gjuhën e përdorur ndaj ish-deputetes, Adriana Matoshi.
Drejtuesi i emisionit Debat Plus, Ermal Panduri i tërhoqi menjëherë vërejtjen Lushtakut, duke e cilësuar të papranueshme nivelin e gjuhës.
“Jo, jo, kjo është gjuhë e papranueshme”
Por, ky ishte vetëm vazhdim i një komunikimi me gjuhë përulëse e fyese që kishte nisur më herët ndërmjet Matoshit të LV-së dhe Lushtakut të PDK-së.
Pasi tha se “gjuha e egërsuar dhe stigmatizuese” ndaj kundërshtarëve është ambientuar në “kulturën e komunikimit politik”, profesori Fadil Maloku e lidhi atë me bllokadën dhe përpjekjet e palëve “për lënien fajit” njëra-tjetrës.
“Kjo gjuhë për mendimin tim është rritur si pasojë e polarizimit që u bë në ngërçin e shkaktuar nga ish-opozita dhe nga ish-qeveria, dhe kjo është ende aktuale. Unë mendoj që në zgjedhje e jashtëzakonshme që do të mbahen kjo do të rritet dhe do të ashpërsohet edhe gjuha”, ka thënë Fadil Maloku, profesor i Sociologjisë.
Parakusht për një fushatë përmbajtjesore, sipas profesorit Dorajet Imeri është distancomi i partive nga kjo gjuhë dhe kërkim-falja publike nga akterët e përfshirë.
“Aktualisht në skenën tonë politike është duke dominuar një gjuhë vërtetë fyese dhe ofenduese, kjo nuk është gjuhë e ashpër, kjo natyrisht që nuk është programore, kjo nuk është as gjuhë politike. Kjo më shumë është një gjuhë para politike, do ta quaja. Ofendimi deri në këtë nivel i kundërshtarëve politikë, duke i cilësuar me terma kaq përulës unë besoj që nuk i përket një klase politike të përgjegjshme dhe të ndërgjegjshme”, ka thënë Dorajet Imeri, profesor i Shkencave Politike.
Këtë gjuhë ende pa nisur fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, profesori Maloku e lidhi edhe me mungesën e ofertës programore të partive.
“Do të duhej të bënin një ofertë programore, një program të shkurtë sepse koha është e shkurtë, sidomos në sferën ekonomike, që unë nuk kam pa ende”, ka thënë Fadil Maloku, Profesor i Sociologjisë.
Edhe pse kanë vazhduar komentet dhe publikimet në rrjetet sociale, as Partia Demokratike e as Lëvizja Vetëvendosje nuk janë distancuar publikisht nga deklaratat e anëtarëve të tyre./Tv Dukagjini/
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjen e parakohshme të 28 dhjetorit në Kosovë.
Më 2 dhjetor, KQZ-ja s’e kishte certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme. Ngjashëm kishte vepruar edhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale më 12 tetor.
Si në dy rastet e kaluara, edhe në këtë të fundit, partia më e madhe e serbëve në Kosovë ishte ankuar në PZAP. Dhe PZAP-ja sërish i ka dhënë të drejtë.
Në vendimin e publikuar më 5 dhjetor, PZAP-ja ka thënë se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm dhe jokushtetues.
“Vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me nenet 31 dhe 45 të Kushtetues, si dhe në kundërshtim me nenet 16, 17, 26, 27 dhe 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Urdhërohet KQZ-ja ta konfirmojë subjektin politik Lista Serbe në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në vendimin e PZAP-së.
Në mbledhjen e së martës në KQZ, dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kundërshtuan certifikimin e Listës Serbe, ndërsa kryesuesi Kreshnik Radoniqi e anëtarja serbe votuan pro. Ndërkohë shtatë anëtarët e tjerë abstenuan./koha.net
Lista Serbe nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, por kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë, ka bërë ankesë sot në PZAP dhe pret që të jetë pjesë e garës zgjedhore..
Kjo ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e partisë, e cila gëzon mbështetjen e plotë të Beogradit zyrtar dhe kreut të saj Aleksandar Vuçiq.
Në një konferencë për media, kryetari i Listës Serbe Zllatan Elek e ka përmendur Kosovën me emrin e ish-regjimit dhe jo atë kushtetuese.
“Për herë të tretë mbahen zgjedhjet në hapësirën e Kosovës dhe M... këtë vit. Fatkeqësisht, për herë të tretë kemi situatën ku KQZ-ja në Prishtinë shkel të drejtat e popullit serb dhe nuk e certifikon Listën Serbe, thjesht e zhduk Listën Serbe dhe nuk i lejon subjektit tonë politik që të marrim pjesë në këto zgjedhje. Pse e themi këtë? Lista Serbe është bindshëm më e forta si parti serbe në hapësirat e Kosovës e M...”, tha Elek.
Ai tha se kjo parti ka dhjetë kryetarë në komunat me shumicë serbe dhe se ka të drejtë pjesëmarrjeje në zgjedhje.
“Për fat të keq, regjimi i Albin Kurtit në Prishtinë dëshiron t’ia pamundësojë pjesëmarrjen Listës Serbe dhe njëherësh t’ua pamundësojë të drejtën popullit serb që të zgjedhë përfaqësuesit legjitimë nga radhët e popullit serb”, tha ai.
Ai tha se janë ankuar sot në PZAP kundër vendimit të KQZ-së për mos certifikim të Listës Serbe dhe pret që ajo të anulohet, duke shtuar se kjo parti do të fitojë të dhjetë ulëset në zgjedhjet e dhjetorit
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
BE-ja vlerëson se ky hap dëmton standardet e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe bie ndesh me praktikat ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, BE shprehet se “keqardhja” për vendimin e KQZ-së lidhet me ndikimin politik në vendimmarrje.
Sipas tyre, politizimi i institucionit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera rrezikon integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve.
Me dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime, Lista Serbe mbeti jashtë listës së subjekteve të miratuara për garë, një situatë e ngjashme me zgjedhjet e 9 shkurtit, ku po ashtu nuk u arrit shumica e nevojshme për certifikim.
Reagime për vendimin e KQZ-së më herët dhanë edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, si dhe Misioni i OSBE-së, të cilët po ashtu shprehën shqetësime për pasojat që ky vendim mund të ketë në procesin zgjedhor.
Shkodër, 27 nëntor /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar sot në Shkodër se zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit janë normale në një sistem demokracie.
Ajo tha se shpreson që Kuvendi i dalë nga zgjedhjet e reja do të konstituohet sa më shpejt pasi qytetarët presin të merren vendime të tjera në të mirë të vendit.
“Situatat politike apo kjo që po ballafaqohet Kosova për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë normale në demokraci. Shpresa ime është që menjëherë pas zgjedhjeve të kemi konstituim të Kuvendit. Shpresoj që të kemi qeveri sa më parë, sepse qytetarët e Kosovës mezi presin. Festa e 28 Nëntorit i bashkon të gjithë shqiptarët”, tha Osmani.
Ajo theksoi se çdo iniciativë që e afron më shumë Kosovën me Shqipërinë është shumë e mirëseardhur.
“Unë besoj që rruga Shkodër-Gjakovë, do të hapë edhe më shumë rrugë të tjera jo vetëm fizike dhe gjeografike, edhe rrugë bashkëpunimi, në ekonomi, turizën dhe kulturës”, u shpreh Osmani.
Osmani ka mbërritur sot pasdite në qytetin e Shkodrës, ku është pritur në takim nga kryebashkiaku Benet Beci.
Ajo tha se “secila vizitën në Shkodër është e veçantë. Është kënaqësi që kthehem sërish. Është një qytet që e ka ndihmuar Kosovën në momentet më të rënda. Ju e dini që edhe në 1998-1999, qytetarët e Gjakovës kanë ndenjur këtu. Shkodra ka qenë krahë nesh edhe për rindërtimin tonë. Edhe tani po ecim përpara si dy shtete që synojmë integrimin në BE. Është emocion që në prag të festës së flamurit gjendemi në Shkodër”.
“Për ne është festë e katërfishtë, ku përveç festës së Flamurit është dita e Pavarësisë së Shqipërisë nesër. Për ne është e rëndësishme sepse është ditëlindja e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe është dhe përvjetori i daljes publike të UÇK-së. Sot festojmë gjithashtu ditën e forcës së ushtrisë sonë. Si Kosova dhe Shqipëria qëndrojnë sot të forta dhe në rrugën drejt ntegrimit në BE për shkak të mbështetjes së aleatëve. Nesër do të jem në Vlorë dhe Tiranë për të vazhduar festën e përbashkët”, tha Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur për situatën e qeverisë në vend, duke i cilësuar zgjedhjet e jashtëzakonshme si normale në një sistem demokracie.
Sipas saj, kuvendi duhet të konstituohet sa më shpejt sepse qytetarët e Kosovës mezi presin të merren vendime të tjera në të mirë të vendit.
“Situatat politike, apo kjo që po ballafaqohet Kosova për zgjedhjet e jashtëzakonshme janë normale në demokraci. Shpresa ime është që menjëherë pas zgjedhjeve të kemi konstituim të Kuvendit. Shpresoj që të kemi qeveri sa më parë sepse qytetarët e Kosovës mezi presin. Festa e 28 nëntori i bashkon të gjithë shqiptarët.
Çdo iniciativë që e afron më shumë Kosovën me Shqipërinë është shumë e mirëseardhur. Unë besoj që kjo rrugë, Shkodër-Gjakovë, do të hapë edhe më shumë rrugë të tjera jo vetëm fizike dhe gjeografike, edhe rrugë bashkëpunimi, në ekonomi, turizën dhe kulturës’, u shpreh Osmani.
PRISHTINË, 24 nëntor /ATSH/ Buxheti për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, do të jetë 7 milionë e 771 mijë e 486 euro.
Në këtë shumë përfshihen tri kategoritë kryesore, pagat dhe shtesat, mallra dhe shërbime dhe shpenzime komunale për zgjedhjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotshme përveç se miratoi këtë buxhet, mori vendim edhe për kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për subjektet politike të cilat do të certifikohen për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës.
Sipas vendimit të KQZ-së, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë deri në 2,047,149 euro, pra një (1) euro për votues të regjistruar. Kjo llogaritje është bërë duke u mbështetur në Rregulloren Zgjedhore nr. 07/2024 për fushatën e zgjedhjeve, monitorimin dhe deklarimin financiar si dhe duke u mbështetur në të dhënat e listës preliminare të votuesve, sipas të cilës numri i votuesve në vendin tonë është 2,076,422.
Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se një subjekt politik i certifikuar nuk mund ta tejkalojë vlerën.
“Më datë 22 nëntor 2025 zyra nga Sekretariati i KQZ, ka pranuar numrin e përgjithshëm të votuesve sipas ekstraktit të parë të përgatitur nga Agjencia për Regjistrim Civil. Ky numër përfshin 2 milionë e 706 mijë e 422 votues, andaj lidhur me këtë zyra i rekomandon KQZ, që ta aprovoj kufizimin e shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve në vlerë 2 milionë e 706 mijë 422 euro për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që mbahen me 28 dhjetor. Një subjekt politik i certifikuar nuk mund të tejkaloj vlerën”, tha Buzhala.
“Vlera totale e buxhetit të planifikuar kap shumën e 7 milionë e 771 mijë e 486.53 euro, ku në këtë shumë përfshihen tre kategoritë kryesore, pagat dhe shtesat në vlerë 109 mijë euro, mallra dhe shërbime 1 milionë e 652 e 575 euro dhe shpenzime komunale 9 mijë e 500 euro. Te mallrat dhe shërbimet janë disa aktivitete kryesore që mbulohen, shtypja e fletëvotimeve, broshura dhe lista e votuesve, shërbimet postare për organizimin e votimit jashtë vendit, pako të trajnimit, doracak të trajnimit, transporti i materialit zgjedhor, format zgjedhore, kabinat e votimit, ngjyra martikulare, furnizimi me vula, materiale administrative për vendvotime, transporti nga QNR në depo si dhe tërheqja e shortit për renditjen”, tha Buzhala.
Për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit ishin planifikuar 8.7 milionë euro, ndërsa sipas raporteve të KQZ-së, shuma e shpenzuar është rreth 7.9 milionë euro. /KosovaPress/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë parlamentare në një takim të përbashkët konsultativ pas dështimit të formimit të qeverisë ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Sipas burimeve të Telegrafit, takimi është thirrur për nesër në orën 10:30.
Në ftesën që u është dërguar partive thuhet: “Ftoheni në një takim të përbashkët konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.
Ky zhvillim vjen pas seancës së sotme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor.
Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes.
Kosova ndodhet në krizë që prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ku Vetëvendosje fitoi shumicën e votave, por jo mjaftueshëm për të formuar Qeverinë vetëm.
Kuvendi vonoi të konstituohej për rreth gjashtë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve politike, ndërsa procesi u sfidua disa herë në Gjykatën Kushtetuese. /Telegrafi/