Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 1 January 2026Main stream

Spiropali uron Qipron për Presidencën e BE: Kohë vendimtare për avancimin e procesit të zgjerimit

1 January 2026 at 12:35

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali i dërgoi një mesazh urimi homologut të saj qipriot, Costantinos Kombos, për marrjen e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian nga Qipro, prej 1 janarit të vitit 2026.

Spiropali i uroi presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën.

Ministrja e Jashtme thekson se Shqipëria është e gatshme të vazhdojë të bëjë pjesën e saj dhe të investojë në të nesërmen e saj, si pjesë e së ardhmes sonë të përbashkët europiane.

“I urojmë presidencës së Qipros çdo sukses në këto kohë vendimtare, për avancimin e një axhende europiane proaktive, duke përfshirë një proces zgjerimi gjithëpërfshirës, ​​të besueshëm dhe të suksesshëm që forcon Europën, vlerat e saj dhe perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Spiropali.

/m.m/a.f/

The post Spiropali uron Qipron për Presidencën e BE: Kohë vendimtare për avancimin e procesit të zgjerimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Viti i Ri 2025, atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në çdo qytet

1 January 2026 at 12:25

TIRANË, 1 janar /ATSH/ Nata e ndërrimit të viteve është pritur me një atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në të gjitha qytetet e vendit.

Nga veriu në jug, qytetarët sfiduan temperaturat tejet të ulëta, duke dalë në rrugë e sheshe për të festuar.

Ata preferuan të festojnë në sheshe, teksa ndoqën edhe spektaklin e fishekzjarreve të organizuar nga bashkitë, por edhe koncertet e ndryshme me këngëtarë të njohur të muzikës shqiptare.

Në Tiranë, qindra qytetarë e pritën Vitin e Ri 2026, në sheshin “Skënderbej”, mes spektaklit të fishekzjarreve, që ndriçoi qiellin e kryeqytetit dhe tingujve të muzikës.

Qytetarët e Elbasanit mirëpritën Vitin e Ri  duke mbushur sheshin kryesor dhe duke parë spektaklin e fishekzjarreve të hedhura nga Bashkia. Qyteti u ndez nga zhurma dhe ngjyrat e fishekzjarreve, teksa atmosfera festive ka qenë e veçantë.

Edhe në Lezhë, në Parkun përballë vendvarrimit të Skënderbeut, qytetarët pritën vitin 2026 me spektaklin magjepsës të fishekzjarreve, që kishte organizuar bashkia Lezhë.

Ndërsa në Korçë, nata e ndërrimit të viteve u prit me një spektakël fishekzjarresh tek Sheshi para Katedrales, ndërkohë që parashikohen koncerte dhe aktivitete të tjera muzikore gjatë ditëve të para të vitit.

Vlora festoi ndërrimin e viteve me muzikë dhe atmosferën unike të festës në një koncert të organizuar nga bashkia me këngëtarët Ronela Hajati, Sardi Strugaj dhe Lorenc Hasrama.

Me muzikë shkodrane nga këngëtari i njohur Sidrit Bejleri dhe spektakël fishekzjarresh qytetarët e Shkodrës pritën në shesh natën e ndërrimit të viteve.

 

/m.m/a.f/

 

The post Viti i Ri 2025, atmosferë festive dhe spektakël fishekzjarresh në çdo qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Krenar për shërbimin e FA në misionet ndërkombëtare

1 January 2026 at 14:55

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përshëndeti sot në një lidhje direkte online efektivët e Forcave të Armatosura shqiptare të angazhuar në misione dhe operacione jashtë vendit.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Begaj uroi ushtarët, nënoficerët dhe oficerët shqiptarë të angazhuar në misione jashtë vendit për festat, duke shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për shërbimin e tyre larg familjeve, në funksion të paqes, sigurisë dhe lirisë në botë.

Kreu i Shtetit theksoi se angazhimi i Forcave të Armatosura në misione në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Detin Egje, Irak, Sinai, Sudanin e Jugut, si dhe në strukturat mbështetëse për Ukrainën, është dëshmi e qartë e përkushtimit të Shqipërisë ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Atmosfera festive ju ka gjetur larg familjeve tuaja, por me një mision të rëndësishëm: të jeni në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut, në shërbim të paqes, të sigurisë dhe lirisë në mbarë globin. Ju mbani lart flamurin e Shqipërisë dhe ne ndihemi krenarë për shërbimin tuaj”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi se paqja dhe siguria nuk kanë çmim dhe garantimi tyre duhet të jetë i domosdoshëm.

“Sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë janë komplekse dhe kërkojnë që ne t’u përgjigjemi atyre sipas kërkesave jo vetëm duke rritur kontributin, por, mbi të gjitha, me një Forcë të Armatosur të aftë, me kapacitete mbrojtëse, moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme”, u shpreh Begaj.

Presidenti siguroi se Shqipëria do të vijojë të shtojë kontributet në misione dhe operacione jashtë vendit dhe do të jetë pjesëmarrëse kudo ku Aleanca të kërkojë.

“Marrja e komandës së batalionit shumëkombësh të Rezervës Operacionale të KFOR-it për vitin 2026 është dëshmi e qartë e përkushtimit tonë ndaj mbrojtjes kolektive, ndaj paqes, ndaj dhe sigurisë. Shpreh bindjen se drejtimi i kësaj strukture të rëndësishme do të jetë një tjetër arritje e Forcave tona të Armatosura”, u shpreh Presidenti Begaj.

1 nga 3

/m.m/a.f/

The post Begaj: Krenar për shërbimin e FA në misionet ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE

1 January 2026 at 10:39

TIRANË, 1 janar/ATSH. Presidenti Bajram Begaj i uroi sot suksese dhe arritje sa më të mira presidencës qipriote të Bashkimit Evropian për gjysmën e parë të vitit 2026.

Begaj vlerësoi se Qipro merr presidencën e BE-së, në këto momente shumë të rëndësishme për Evropën dhe për mbarë botën.

Presidenti shprehu bindjen se presidenca qipriote e BE-së do të jetë e përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Shpresojmë që Shqipëria të nisë mbylljen e kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

/m.m/a.f/

The post Begaj: Të mbyllim kapitujt e parë të negociatave gjatë presidencës qipriote të BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, humbin jetën 3 të rinj

1 January 2026 at 10:10

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Një aksident i rëndë me pasojë tre viktima ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur Bypassi.

Rreth orës 03:18, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.

“Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njofton policia.

/m.m/a.f/

The post Aksident në aksin Gjirokastër-Tepelenë, humbin jetën 3 të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Kushte dinjitoze trajtimi dhe protokolle europiane në shëndetësi

1 January 2026 at 10:09

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala u shpreh sot se në shëndetësi po punohet për protokolle europiane dhe kushte dinjitoze trajtimi, që askush të mos detyrohet të kërkojë ndihmë larg vendbanimit të tij.

Përmes një videomesazhi, Sala uroi në këtë fillimvit për një vit të ri të shëndetshëm dhe të paqtë në çdo familje shqiptare.

“Familja është vendi ku fillon gjithçka: kujdesi, forca, dashuria dhe shpresa. Është themeli mbi të cilin qëndron shoqëria jonë. Dua ta  nis me një falënderim të veçantë për ata që kujdesen për familjet tona edhe kur janë larg familjeve të tyre: mjekët, infermierët, stafet e urgjencës dhe profesionistët e qendrave rezidenciale. Ju jeni aty në momentet më të vështira, kur frika është e madhe dhe shpresa e brishtë. Falë jush, askush nuk ndihet vetëm”, u shpreh Sala.

Gjatë vitit që sapo lamë pas, Sala vlerësoi se është punuar si një ekip për të çuar përpara sfidat tona të përbashkëta në sistemin shëndetësor, ku në qendër është pacienti.

Ministrja theksoi se shëndeti nuk është vetëm një shërbim. “Është siguria që një prind ndien për fëmijën e tij. Është dinjiteti i një të moshuari. Është besimi se shteti është pranë  grupeve të margjinalizuara me përgjegjësi”, u shpreh Sala.

Sipas saj, shëndeti nuk fillon në spital, por fillon në familje. “Në kujdesin për njëri-tjetrin. Në solidaritet. Në bindjen se një shoqëri e fortë ndërtohet mbi familje të forta”, u shpreh ajo.

/m.m/a.f/

The post Sala: Kushte dinjitoze trajtimi dhe protokolle europiane në shëndetësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë

1 January 2026 at 10:03

TIRANË, 1 janar/ATSH/ Nga sot, 1 janar 2026, hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë.

Rritja e pagës minimale reflekton vijimësinë e politikave për rritjen graduale të të ardhurave dhe mbrojtjen e punëmarrësve.

Në vitet e fundit, paga minimale ka ndjekur një trend të qëndrueshëm rritjeje, si përgjigje ndaj rritjes së kostos së jetesës dhe nevojës për forcimin e mirëqenies sociale.

Nga 24 mijë lekë në vitin 2017, përmes rritjeve të vazhdueshme ndër vite, paga minimale arrin në 50 mijë lekë në vitin 2026, duke shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme.

Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë rreth 308 mijë të punësuar në sektorin publik dhe në atë privat.

Parashikimi afatmesëm i qeverisë është për ta çuar pagën minimale në 60 mijë lekë në vitin 2028 dhe 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.

/m.m/a.f/

The post Hyn në fuqi rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 31 December 2025Main stream

Begaj uron Vitin e Ri: Të kthejmë standardin evropian në realitet të prekshëm për çdo shqiptar

31 December 2025 at 16:34

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj uroi sot që “viti 2026 të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare”.

Në mesazhin e urimit drejtuar shqiptarëve me rastin e Vitit të Ri, Begaj u shpreh se “nata e ndërrimit të viteve është koha e reflektimeve, momenti kur ndalemi për të parë çfarë lamë pas dhe për të projektuar shpresat tona për motmotin e ri”.

“Kjo është, mbi të gjitha, festa e familjes. Vlerat që rriten brenda saj janë pikërisht ato që i japin forcë dhe qëndrueshmëri mbarë shoqërisë sonë. Kujdesi për brezin e ri nuk është thjesht një ndjenjë, por një zgjedhje e mençur për të ardhmen. Investimi te fëmijët dhe të rinjtë tanë është gurthemeli i Shqipërisë evropiane që aspirojmë”, tha Begaj.

Sipas tij, shqiptarët kanë treguar se dija, përkushtimi dhe puna e ndershme janë forca jonë më e madhe.

“Kemi dëshmuar arritje. Pas çdo suksesi, ka punë e sakrifica familjare që dëshmojnë se e ardhmja nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me angazhim të përditshëm. Puna juaj e ndershme, angazhimi dhe suksesi juaj forcojnë besimin dhe shpresën tek e ardhmja”, u shpreh Begaj.

Viti që po mbyllet, sipas Presidentit, ishte një vit përpjekjesh dhe sfidash, ku Shqipëria dëshmoi sërish vullnetin për të ecur përpara.

“Kemi ende punë për të ngushtuar pabarazitë dhe për të forcuar besimin tek institucionet. Forcuam rolin tonë ndërkombëtar dhe hodhëm hapa konkretë drejt Bashkimit Evropian. Kemi shënuar progres në forcimin e shtetit të së drejtës, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në pavarësinë e sistemit të drejtësisë”, shtoi ai.

Të inkurajuar nga sukseset dhe të përulur nga mosarritjet, Begaj u shpreh se “viti 2026 duhet të jetë viti i një përpjekjeje të përbashkët për ta kthyer standardin evropian në një realitet të prekshëm në jetën e çdo familjeje shqiptare”.

“Interesi kombëtar dhe dialogu duhet të udhëheqin veprimet tona për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të begatë, sepse ajo që na bashkon është më e fortë se çdo interes që na ndan”, shtoi Presidenti.

Në vigjilje të Vitit të Ri 2026, Presidenti uroi për bashkëpunim dhe bashkërendim rreth qëllimeve e interesave mbarëkombëtare.

“Përshëndetjet më të ngrohta dhe urimet më të mira kam sot për  shqiptarët kudo ndodhen në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët dhe Diasporën tonë! Ju jeni pjesë e pandarë e këtij kombi dhe energji vitale për të ardhmen tonë të përbashkët.

“Një urim të veçantë kam sonte për të gjithë mjekët, infermierët, pjesëtarët e Forcave të Armatosura, punonjësit e rendit, zjarrfikësit dhe gazetarët, si dhe të gjithë ata që sot janë në krye të detyrës dhe larg familjeve të tyre. Mendimi ynë shkon edhe për ata që këtë natë e kalojnë në spitale apo në kushte të vështira, larg ngrohtësisë së shtëpisë”, tha Presidenti.

Mbi të gjitha, Begaj uroi për Vitin e Ri 2026 më shumë besim te njëri-tjetri dhe më shumë mirëkuptim.

“Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, përgjegjësia jonë e përditshme dhe e nesërmja që ndërtojmë bashkërisht! Me përulësi për sfidat që kemi përpara, me besimin te vlerat e punës, solidaritetit dhe përgjegjësisë qytetare, dhe me vendosmëri për të  ndërtuar të ardhmen tonë evropiane, ju uroj nga zemra: Gëzuar Vitin e Ri 2026! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët! Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja!”, uroi Presidenti.

/m.m/j.p/r.e/

The post Begaj uron Vitin e Ri: Të kthejmë standardin evropian në realitet të prekshëm për çdo shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Kompensohen përfundimisht mbi 13 mijë familje ish-pronarësh

31 December 2025 at 10:29

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari bëri të ditur sot se mbi 13 mijë familje ish-pronarësh do të përfitojnë kompensim financiar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Lamallari theksoi se nga sot shteti shqiptar shlyen plotësisht dhe vë në vend përfundimisht të drejtën që u takon.

“Sapo miratuam listën me 3527 subjekte të cilët kompensohen përfundimisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave për pjesën e mbetur prej 30% me një fond prej rreth 1.4 miliard lekë. Mbi 13 mijë familje përfitojnë drejtpërdrejt nga buxheti i alokuar nga qeveria shqiptare”, theksoi Lamallari.

Sipas tij, “ky nuk është thjesht dhe vetëm një akt financiar dhe as vetëm përmbushja e detyrës funksionale por është një akt drejtësie, është respekt për pronën për ligjin dhe për qytetarin”.

“Shteti shqiptar shlyen ndaj tyre pjesën e mbetur prej 30% të kompensimit, si pronarë. Ne jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë të palëkundur për ta përmbyllur procesin e kompensimit ndaj të gjithë pronarëve, duke përmbushur kështu detyrimin që kemi karshi tyre dhe, sigurisht, si pjesë e angazhimit tonë për standardet evropiane, për një shtet të së drejtës dhe për një të ardhme ku prona, ligji dhe liritë themelore janë të shenjta”, theksoi ministri Lamallari.

/m.m/j.p/

The post Lamallari: Kompensohen përfundimisht mbi 13 mijë familje ish-pronarësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rijetësim i qendrës historike të Pogradecit

31 December 2025 at 08:57

TIRANË, 31 dhjetor/ATSH/ Rehabilitimi dhe rijetësimi i qendrës historike të Pogradecit do të jetë një mundësi e shtuar për qytetin, duke ndërlidhur itinerare kulturore e turistike.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri i rilindjes së qendrës historike të Pogradecit, ndërsa vlerësoi se ky investim do ta kthejë këtë zonë në një pol të rëndësishëm turistik.
Rama theksoi se projekti ruan njëkohësisht edhe arkitekturën e ndërtesave karakteristike dhe rrugicave me kalldrëm.
Krahas kësaj, projekti për rehabilitimin dhe rijetësimin e qendrës historike të Pogradecit parashikon daljen në dritë të një sërë objektesh historike të fillimshekullit XX.
Restaurimit dhe rijetësimit i është nënshtruar edhe Kalaja e Pogradecit një dëshmi e historisë dhe trashëgimisë kulturore, e lokalizuar në anën perëndimore të qytetit në një lartësi 205 metra mbi nivelin e liqenit. Kjo kala konsiderohet monument kulture.
Qendra historike e Pogradecit është hapësirë me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.
Në qendrën historike ndërhyrjet restauruese synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistiko-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional në kompozim dhe teknikë, duke mbajtur të pandryshuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale.
/m.m/j.p/

The post Rijetësim i qendrës historike të Pogradecit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

4.4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj

30 December 2025 at 14:30

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se të ardhurat nga turizmi gjatë 9-mujorit të parë të vitit kanë qenë domethënëse duke arritur në rreth 4.4 miliardë euro.

Gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët, Rama bëri një bilanc të arritjeve sipas sektorëve kryesorë të ekonomisë.

Duke u ndalur te truizmi, Rama tha se ky sektor ka shënuar rritje pozitive.

“Edhe këtë vit ka shënuar nga pikëpamja e fakteve, jo e ‘tenxhereve’, kuptohet, një rritje pozitive. Në turizëm kemi një hop tjetër domethënës, krahasimisht me vitin 2024, ku shënohet një rritje që i afrohet 7% që është një rritje domethënëse për sa i përket numrit të vizitorëve të huaj. Nuk flasim për pasaportat shqiptare”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ka pasur një rritje të konsiderueshme të hapësirës së plazheve publike me rreth 18% plus, krahasuar me një vit më parë, ose 1.1 milionë metër katrorë më shumë plazhe publike të shtuara.

“Nga 523 parcela ranore publike kemi shkuar në 1014 dhe në ndërkohë kemi vazhduar punën tani që flasim për sezonin e ardhshëm me disa risi të tjera pozitive në këtë drejtim”, shtoi ai. /j.p/

The post 4.4 miliardë euro nga turizmi në 9 muaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Jo të gjitha rastet e hetuara nga SPAK janë korrupsion

30 December 2025 at 12:50

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se jo çdokush që hetohet dhe akuzohet nga Prokuroria Speciale ka bërë korrupsion, ndërsa solli në vëmendje rastin e ish-kryetarit të bashkisë së Fushë-Arrëzit që ka kryer dënimin për prerje pemësh.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama theksoi se duhet të ndahet qartësisht graviteti i veprës penale, ndërsa e konsideroi këtë një dënim skandaloz.

Sipas tij, kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë dhe ka bërë burg për prerje pemësh.

“Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi procese shumë të zvarritura dhe kemi ndërkohë edhe Strasburgun që ka evidentuar gjëra shumë të rënda kur dikush ka vajtur atje, pasi ka kaluar këtë kalvar”, tha Rama.

Ndaj kryeministri kujtoi se jo çdo gjë që mendohet edhe nga dëshira e mirë për të luftuar me këto fenomene korrupsionin, shkon në atë drejtim.

“Nuk mundet dot të bëhet Shqipëria si në kohën e pleniumit të katërt, kap edhe përplas njerëz nga një mur në tjetrin, çorodit dynjanë me llafe”, shtoi Rama.

Rama kujtoi se ka edhe vepra të tjera si shpërdorimi i detyrës, të cilës i është kthyer edhe vetë BE së fundi sepse është një term ku futen njerëzit kollaj fare.

“Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion dhe për ta specifikuar sepse Kushtetuta thotë janë 3 pushtete të pavarura nga njeri-tjetri. Drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi por edhe anasjelltas. Cila është pavarësia ime apo e një ministri apo funksionari të lartë? Është pavarësia për të marrë vendime. Tek marrja e vendimeve nuk vjen dot një prokuror të thotë pse e vendose kështu. Kjo është katastrofë dhe ka ndodhur”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vetëm nëse vendimi ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar në mënyrë të paligjshme apo për të sjellë një dëm në mënyrë të vetëdijshme këtu është pavarësia e drejtësisë që vendos.

“Që kur mesazhet janë prova dhe që kur mesazhet janë ushqim për mediet? Që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave. Patjetër që mesazhesh dhe çdo gjë tjetër që lidhen me ‘çfarë tha, kush tha’ janë pjesë e një procesi. Por për çfarë i duhet pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar totalisht jeta dhe familja. Kush ja kthen atij njeriu mbrapsht jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufi dhe në drejtësinë demokratike nuk lejohen shumë nga ato gjëra që ndodhin këtu”, shtoi Rama. /j.p/

The post Rama: Jo të gjitha rastet e hetuara nga SPAK janë korrupsion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria do të prodhojë dronët luftarakë dhe sistemet antidronë

30 December 2025 at 12:24

TIRANË, 30 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama shprehu sot ambicien që Shqipëria të jetë vend prodhues i kapaciteteve ushtarake jo vetëm për nevojat e brendshme por edhe t’i eksportojë ato.

Në konferencën tradicionale të fundvitit me gazetarët, Rama u ndal te masat që janë marrë për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend dhe pritshmëritë nga ky sektor.

Kryeministri theksoi se ky është vit historik për ushtrinë tonë sepse janë hedhur themelet e industrisë së mbrojtjes “Made in Albania”.

“Kompania shtetërore ka nënshkruar 6 marrëveshje dhe më në fund do të prodhojmë uniformat në vendin tonë do ta bëjmë përmes këtij sistemi vendin tonë pikë referimi për prodhimin e uniformave. Ushtria suedeze qep një pjesë të uniformave të veta në Shqipëri në një marrëveshje kontraktuale private. Do të prodhojmë mjete të blinduara dhe të emergjencës”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se tani që flasim në Shqipëri po prodhohen një sërë mjetesh autoambulancash dhe mjete patrullimi policor.

“Do të prodhojmë dronet luftarakë dhe sistemet antidronë. Porositë e para janë kryer 6- mujorin e parë të 2026 do të shihni edhe produktet e para. Ne vazhdojmë punën për të realizuar kontrata të tjera për industrinë detare dhe ajrore”, shtoi Rama.

Rritja e buxhetit të mbrojtjes, sipas tij, është historike, pasi jemi pjesë e NATO-s.

“Sot është shumë e qartë që të gjitha vendet kanë nevojë të kenë bazën e tyre industriale dhe Shqipëria ka nisur ta bëjë këtë. Ndërkohë që kemi parë me pozitivitet të madh edhe një tendencë në rritje të qasjes së të rinjve ndaj FA, ku objektivi është që personeli aktiv të rritet me 30% deri në fund të këtij mandati”, tha Rama, ndërsa shtoi se 721 rekrutë të rinj i janë bashkuar FA-së vetëm këtë vit.

Kryeministri theksoi se kemi ushtrinë më të mirëpaguar në rajonin tonë, përfshirë edhe Serbinë, ndërsa siguroi se “do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen me paga të ushtarakëve tanë”.

Ambicia, sipas Kryeministrit Rama, është që ushtria jonë të arrijë në mesataren e vendeve të NATO-s.

Rama theksoi se ky vit që hyn na gjen me sistem raketor Javelin falë bashkëpunimit me SHBA-në.

“Jemi me tre anije patrulluese që i kemi dhuratë nga Italia. Kemi radarë të vëzhgimit ajror nga Franca”, shtoi Rama. /j.p/

The post Shqipëria do të prodhojë dronët luftarakë dhe sistemet antidronë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Zgjedhjet në Kosovë, shprehje e pjekurisë demokratike

29 December 2025 at 12:57

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali uroi sot popullin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit të cilat i vlerësoi si të zhvilluara me maturi, qetësi dhe përgjegjësi qytetare.

Spiropali e cilësoi zhvillimin e qetë të zgjedhjeve si “shprehje e pjekurisë demokratike që na bën krenarë”.

Spiropali uroi po ashtu Lëvizjen Vetëvendosje dhe Kryeministrit Albin Kurti për fitoren e arritur dhe besimin e marrë nga qytetarët, si dhe të gjithë spektrit politik për fushatën e standardet e arritura.

“Shqipëria dhe Kosova ecin së bashku krah për krah, me një zemër, një zë dhe në rrugë europiane, sepse ajo që na bashkon është me e madhe se çdo kufi”, u shpreh ajo.

Në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje fitoi me 49.3% të votave, duke siguruar 56 mandate.

/m.m/j.p/

The post Spiropali: Zgjedhjet në Kosovë, shprehje e pjekurisë demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sekuestrohen mjete piroteknike në Sarandë, procedohen penalisht dy shtetas

28 December 2025 at 12:36

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Policia e Sarandës, në vijim të kontrolleve për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, sekuestroi 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla.

Në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht dy pronarët e subjekteve tregtare.

Në prag të festave të fundvitit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë vijuar kontrollet në subjekte tregtare.

Gjatë kontrollit të ushtruar në dy subjekte tregtare në qytetin e Sarandës, u konstatuan 982 fishekzjarre dhe 250 kuti me kapsolla, të cilat mbaheshin për tregtim në kundërshtim me ligjin.

Lëndët piroteknike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale u referuan në Prokurori dhe nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasve L. M., 26 vjeç dhe M. H., 55 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/m.m/r.e/

The post Sekuestrohen mjete piroteknike në Sarandë, procedohen penalisht dy shtetas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Futbollisti nga Petrela, ambasador i turizmit shqiptar në Poloni

28 December 2025 at 11:29

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Futbollisti 27-vjeçar Juljan Shehu, i cili aktualisht luan me ekpin e Uidzeu Lodz në Poloni, ishte i ftuari i radhës i kryeministrit Edi Rama në podkastin “Flasim”.

Mesfushori nga Petrela, i cili e filloi karrierën e tij profesionale këtu në Shqipëri, me ekipin e Kastriotit më 2028-2019, dhe pasi spikati atje, u transferua tek ekipi i Laçit, ku qëndroi për tre sezone, 2019-2022, tregoi rrugëtimin e tij drejt skuadrës polake dhe sfidat me të cilat është përballur.

Ai është kthyer në një ambasador të Shqipërisë në Poloni, dhe ka fituar aq shumë popullaritet, sa shprehet se një agjenci turistike polake i thotë: “Sa herë ti bën gol, ne shtojmë një charter për në Shqipëri”.

Edhe kur vjen në Shqipëri, Juljani tregoi se sjell shumë turistë polakë që duan ta njohin vendin tonë.

Sipas tij, polakët e duan shumë Shqipërinë si pikë turistike. “Shqipëria është destinacioni i dytë për polakët për turizëm”, theksoi ai.

Duke folur për vështirësitë e fillimit në Poloni, siç ishte njohja me gjuhën, Juljani u shpreh se falë punës së palodhur ia ka dalë të arrijë suksesin.

Shehu luajti 98 ndeshje dhe shënoi 9 gola gjatë tre sezoneve.

Në vitin 2022 ai u transferua në Poloni te skuadra e Uidzeu Lodz, ku ka marrë një famë të madhe.

Juliani ka lindur në fshatin Petrelë në Tiranë dhe që i vogël e adhuronte futbollin. I ati, i cili ka pasur një servis makinash, e ka mbështetur për të ndjekur ëndrrën dhe talentin e tij. Juliani është i martuar me një vajzë shqiptare, po nga Petrela.

/r.e/

The post Futbollisti nga Petrela, ambasador i turizmit shqiptar në Poloni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Maturantët ekselentë, shembuj frymëzimi për shoqërinë

28 December 2025 at 10:26

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ 190 maturantë ekselentë nga e gjithë Shqipëria u vlerësuan me Medalje të Artë, në një ceremoni të përvitshme që zhvillohet në selinë e Kryeministrisë.

Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot këtë event, një nga momentet më frymëzuese të javës.

Rama theksoi se shembujt janë thelbësorë për çdo shoqëri dhe Medalistët e Artë të gjimnazit janë forca e një shembulli të shkëlqyer.

“Janë fëmijë që vijnë nga familje me status të ndryshëm social dhe ndër ta, ka fëmijë që vijnë edhe nga familje që mezi e arrijnë fundin e muajit, por shembulli i tyre na thotë të gjithëve se mund të kërkosh dhe të gjesh me plot të drejtë justifikime për të mos bërë atë që duhet”, theksoi Rama.

Kjo botë, sipas tij, “është e atyre që nuk kërkojnë justifikime, por që ecin përpara për të bërë atë që duhet”.

Gjatë podkastit “Flasim”, Kryeministri uroi që të gjithë fëmijët të rriten kështu, me ambicie dhe pa u dorëzuar kurrë në rrugën për realizimin e ëndrrës së tyre.

/m.m/r.e/

The post Rama: Maturantët ekselentë, shembuj frymëzimi për shoqërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Paqja fiskale, ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik

28 December 2025 at 10:20

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot paqen fiskale, një kapitull të ri partneriteti dhe besimi me sipërmarrjen.

Gjatë podkastit “Flasim”, kryeministri Rama u ndal te dialogu me sipërmarrjen për paqen fiskale, i cili ka vijuar edhe gjatë javës që lamë pas.

“Një kapitull i ri partneriteti dhe besimi sapo ka nisur me sipërmarrjen, natyrisht mbi themelet që tanimë janë hedhur dhe këtë javë folëm gjerë e gjatë, duke ndarë disa pikëpamje e duke pasur në qendër të diskutimit Paqen Fiskale, një zotim i fushatës sonë elektorale, që sot është ligj dhe duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm hyn në zbatim”, theksoi ai.

Në thelb, Rama tha se paqja fiskale synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, të shëndetshme mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.

“Ajo u jep mundësi ndërmarrjeve, që nuk janë në konflikt me ligjin të vetëkorrigjojnë deklarimet e të shkuarës, t’u rikthehen pasqyrave të mëparshme dhe për çdo korrigjim të paguajnë një tatimfitimi vetëm 5%”, shtoi ai.

Po ashtu, sipas Kryeministrit, marrëveshja mes sipërmarrjes dhe administratës mbi tavanin e ri të fitimit vjetor, sjell paqe e qetësi, shmang çdo inspektim dhe ul barrën burokratike, që shpesh peshon më shumë sesa barra fiskale.

Kryeministri theksoi se nga kjo nismë pritet më shumë formalizim, më shumë energji sipërmarrëse dhe më shumë ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Çlirimi i të gjitha sipërmarrjeve nga të gjitha gjobat e vjetra, borxhet e vjetra, sipas skedulës së përcaktuar shkon në këtë drejtim”, tha Rama.

/m.m/r.e/

The post Rama: Paqja fiskale, ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: “EuroAgro Albania”, kanal i hapur dialogu për fermerët dhe bizneset drejt anëtarësimit në BE

28 December 2025 at 10:14

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ “EuroAgro Albania”, një platformë e prezantuar këtë javë për fermerët, është një mekanizëm praktik dhe i domosdoshëm për përgatitjen e bujqësisë dhe sektorit ushqimor për tregun e përbashkët europian.

Kryeministri Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim” solli sot në vëmendje këtë instrument, ndërsa u shpreh se kapitujt 11, 12 dhe 13, që lidhen me bujqësinë, janë në zemër të procesit të negociatave të anëtarësimit.

“Do të jetë një sfidë e fortë, por çka kemi bërë në një dekadë, na jep besim dhe forcë se do të bëjmë gjithçka duhet për t’ia dalë edhe në dy vitet e ardhshme që t’i mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027”, siguroi Rama.

Kryeministri kujtoi se një dekadë më parë, vetëm 5600 fermerë merrnin një mbështetje simbolike nga shteti.

Ndërsa sot, sipas tij, “janë 67.500 fermerë që përfitojnë çdo vit mbështetje reale, e cila peshon në portofolin e fermës së tyre”.

“Eksportet dikur ishin një privilegj i një grushti fermerësh, ndërsa sot produktet shqiptare shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliard euro, ndërkohë që raporti i deficitit tregtar, pra eksporte dhe importe të produkteve ushqimore, ka zbritur nga 1 eksport, 9 import në 1 eksport dhe vetëm 3 import”, tha Rama.

Por, Kryeministri u shpreh se sot jemi në një tjetër nivel, por edhe sfidat janë të një niveli tjetër.

“‘EuroAgro Albania’ nuk është një website më shumë, nuk është një faqe më shumë në internet, por është një instrument pune, një udhërrëfyes hap pas hapi, si burim informacioni për standarde, afate dhe detyrime konkrete, si edhe një kanal dialogu i hapur për fermerët dhe bizneset në këtë rrugë drejt anëtarësimit”, tha Rama.

/m.m/r.e/

The post Rama: “EuroAgro Albania”, kanal i hapur dialogu për fermerët dhe bizneset drejt anëtarësimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ekonomia shqiptare u rrit me 3,75%, turizmi mbetet motori kryesor

28 December 2025 at 10:07

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se edhe në tremujorin e tretë të vitit, ekonomia shqiptare u rrit me 3,75%, një ritëm rritjeje mbi parashikimin dhe dukshëm më i lartë sesa mesatarja e vendeve të rajonit.

Në podkastin “Flasim”, Rama u ndal te zhvillimet kryesore ekonomike të javës që lamë pas, ndërsa theksoi se rritja ekonomike me 3,75% konfirmon performancën pozitive të ekonomisë sonë dhe reflekton një zgjerim të qëndrueshëm e të balancuar të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga konsumi, shërbimet, ndërtimi dhe investimet”.

“Edhe këtë javë zhurma e 700 tenxhereve politiko-mediatike, ku ziejnë me presion të lartë informacionet e marra në shkelje të ligjit nga kujdestarët e dosjeve e të veprimeve hetimore, nuk la asfare vend për lajmet e mira – paçka se kjo që kaloi ishte edhe javë Krishtlindjesh”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, turizmi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike.

“Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën afro 2,3 miliardë euro, vetëm në këtë tremujor, duke çuar suficitin e tregtisë së shërbimeve në rreth 1,9 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%. Për ta bërë të prekshme për të gjithë, theksoj se kjo performancë e fortë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave”, shtoi ai.

Po ashtu, Rama tha se “besimi i investitorëve mbeti i fortë edhe në tremujorin e tretë”.

“Investimet e huaja direkte arritën në rreth 450 milionë euro, me një rritje vjetore prej 10%, të përqendruara kryesisht në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia”, tha Kryeministri.

Kreu i Qeverisë theksoi po ashtu se rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2025 është shoqëruar me përmirësim të tregut të punës.

“Norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8,1%, por punësimi është rritur në 69,6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76,5%. Paralelisht dhe përsëri për ta bërë të prekshme gjithçka po them, paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit nga 776 euro në 830 euro, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga puna dhe një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të familjeve”, theksoi ai.

/m.m/r.e/

The post Rama: Ekonomia shqiptare u rrit me 3,75%, turizmi mbetet motori kryesor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌