Rama në podkast me boksierin Jurgen Uldedaj, që ka ngritur flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare
TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Në podkastin “Flasim – Yje të vitit”, Episodi 12, Sezoni 5, kryeministri Edi Rama kishte të ftuar boksierin Jurgen Uldedaj.
Megjithëse që prej vitit 2017 stërvitet midis Gjermanisë dhe Anglisë, Jurgen Uldedaj ndeshet me siglën e flamurit kuqezi, duke përfaqësuar Shqipërinë në çdo ndeshje ndërkombëtare. Ai ka bërë që flamuri shqiptar të ngrihet me krenari në shumë arena evropiane dhe botërore, duke e kthyer çdo fitore në një moment emocionues për sportin kombëtar.
Uldedaj u shpall në tetor të këtij viti kampion bote në versionin IBO Cruiserweight (International Boxing Organization) për peshën e rëndë.
Në nisje të podkastit Uldedaj i dorëzoi kryeministrit Rama një dhuratë simbolike nga federata e boksit IBO, një nga pesë federatat e boksit profesionist botëror.
Uldedaj tregoi për nisjen e karrierës së tij dhe nisjen drejt Gjermanisë.
“Jetoj në Gjermani prej 11 vitesh, atje e zhvilloj përgatitjen fizike, në pjesën malore të Mynihut. Atje kam trajnerin kryesor të përgatitjes fizike, ndërsa në Angli kam trajnerin e boksit, që bëj stërvitje teknike”, tha ai.
Kryeministri Rama e pyeti Uldedajn se si filloi kjo ngjitje, nga momenti kur la Lezhën dhe si e zgjodhi rrugën për të vazhduar.
“Çuditërisht sportistët vijnë nga paraardhës sportistë, unë asnjë pjesëtar të familjes nuk e kam pasur sportist. Para pak kohësh u shpalla edhe “Qytetar Nderi” i Lezhës. E kam filluar në Lezhë, kam qenë pak i shëndoshë dhe u futa për t’u dobësuar pak, ishte mosha që fillon merr peshë. Aty fillova, ishin trajnerët që spikatën talentin. Hyra direkt në boks, pasi isha luftarak, tek sporti i boksit gjeta edhe veten”, theksoi Uldedaj.
Ky sport, shtoi ai, është komplet e kundërta, të disiplinon të jep një kulturë që nuk ta jep çdo lloj sporti.
“Në Lezhë ishte vetëm hapi i parë shkak u bëra edhe unë të iknim në Tiranë edhe për shkollë edhe për stërvitje më profesionale. Në Shqipëri ndenja 6-7 vite, kam ikur 17 vjeç në Gjermani, derisa ndenja në Shqipëri u bëra pjesë e ekipit kombëtar mora medalje bronzi në kampionat evropian dhe botëror dhe e mbylla me medalje ari”, tha Uldedaj.
Më tej, Uldedaj tregon se “në Gjermani nënshkrova kontratë me një nga klubet më prestigjioze, zhvillova një karrierë prej 15 ndeshjesh. Në 2018 kam bërë ndeshje në Shqipëri me gjermanët dhe ka qenë aktiviteti i parë i boksit profesionist në Shqipëri dhe nga atëherë nuk kam marrë më pjesë në Shqipëri. Më mungon dhe shumë shpejt do të bëjmë diçka të madhe këtu”.
I pyetur nga Kryeministri nëse është dëmtuar gjatë ndeshjeve, Uldedaj tha se “ka qenë një periudhë dëmtim pas dëmtimi. Një sportist duhet të jetë shumë i fortë psikologjikisht, aq sa edhe fizikisht, në sportet individuale, sepse unë kam thyer dorën, bërrylin, jam bërë 4 herë operacion. Këto janë disa pjesë që vetëm sportisti dhe rrethi i shokëve i përjetojnë, kur dalim në ring ose në fushë shohin ndeshjen, por nuk e dinë se çfarë është hequr për të ardhur deri aty”.
Pyetjes së Kryeministrit nëse ka parë ndonjë talent shqiptar që mund të jetë i niveleve të larta, Uldedaj iu përgjigj se “nuk i kam ndjekur aq nga afër, por Shqipëria gjithmonë ka nxjerrë talente, dëshira ime është që kur të përfundoj t’iu vij në ndihmë talenteve të vegjël”.
/k.s/r.e/
The post Rama në podkast me boksierin Jurgen Uldedaj, që ka ngritur flamurin shqiptar në arenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.