Berisha: Qeveri teknike me dy objektiva, zgjedhje të lira dhe larg duart nga drejtësia
TIRANË, 9 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se opozita do të kërkojë krijimin e një qeverie teknike, e cila do të realizoje zgjedhje të lira si dhe do të ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë.
Gjatë fjalës së tij në takimin “Zgjidhja për Shqipërinë”, me partitë opozitare e aktorë të tjerë të shoqërisë civile, Berisha theksoi se opozita nuk do të vijë në pushtet me dhunë, po përmes votës së lirë.
“Ne kërkojmë një qeveri teknike thjesht me dy objektiva. Së pari përgatitjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ato nuk ekzistojnë më. Ne jemi forca politike opozitare, nuk vijmë në pushtet me dhunë. Jo, ne vijmë në pushtet me votën e shqiptarëve, vullnetin e tyre. Por ne jemi të sigurt në mënyrë absolute se ne i fitojmë zgjedhjet.
“Se Edi Rrama nuk i fitonte kurrë ato zgjedhje në qoftë se nuk do organizonte me paratë e taksapaguesve 4500 aktivitete për të mashtruar qytetarët. Ne kërkojmë të votojmë të qetë, të votojmë të lirë. Kërkojmë që krimi elektoral të shpallet krim i rëndë. Kërkojmë që ata që rrinë duarkryq ndaj krimit elektoral të ndëshkohen në mënyrën më të rëndë. Ndryshe Shqipëria të ardhme nuk ka. Historia ka provuar se zgjedhjet e lira, demokracia janë i vetmi regjim dhe sistem që krijon dhe ndërton të ardhme”, tha ai.
Së dyti, theksoi Berisha “qeveria do ketë detyrë të mos pengojë drejtësinë”.
“Drejtësia nuk është e pagabueshme, por drejtësia nuk pengohet. Që kur është krijuar shteti mijëra e mijëra vjet më parë, është vendosur që një grupi të vogël njerëzish t’i jepet përgjegjësia për shqyrtimin e shkeljeve të ligjit dhe ndëshkimin për to. Dhe në qoftë se këto i merr në dorë ekzekutivi, drejtësi nuk ka më. Siç po ndodh tani”, tha ai.
Berisha shtoi se “qeveria teknike do ketë detyrë larg duart nga sistemi i drejtësisë”.
Berisha theksoi se largimi i qeverisë duhet të bëhet nga popullii.
“Ideja se mund të vijnë të na e heqin nga jashtë është e gabuar. Ideja se mund të hiqet me procese gjyqësore është po kaq e gabuar, sepse ai bllokon. I vetmi që nuk mund t’i shpëtojë dot është gjykatësi popull. Ndaj dhe mendoj se në frymën e përgjegjësisë më të lartë ne duhet të dalim me një forum opozitar të zgjeruar. Forca politike, shoqëri civile, personalitete dhe cilido që është i gatshëm të përballemi me këtë regjim për të shpëtuar Shqipërinë”, tha Berisha.
/m.q/a.f/
The post Berisha: Qeveri teknike me dy objektiva, zgjedhje të lira dhe larg duart nga drejtësia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.