Senati i SHBA-ve ka bllokuar një paketë financimi të nevojshme për të shmangur mbylljen e qeverisë federale, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe drejtuesit demokratë vazhdojnë negociatat lidhur me operacionet e zbatimit të ligjit për emigracionin të administratës Trump.
Demokratët po kërkojnë që financimi për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) të hiqet nga një projektligj shpenzimesh federale me vlerë 1.2 trilionë dollarë, pas vrasjes fatale të një qytetari amerikan në Minneapolis javën e kaluar.
Sipas CBS, Shtëpia e Bardhë dhe udhëheqja demokrate në Senat janë afër një marrëveshjeje që do të siguronte një zgjatje afatshkurtër të financimit për DHS-në. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, mbyllja e dytë e qeverisë brenda pak muajsh mund të nisë këtë fundjavë.
Projektligji i shpenzimeve ka kaluar tashmë në Dhomën e Përfaqësuesve, por për të avancuar në Senat nevojiten 60 vota. Aktualisht, republikanët kanë vetëm 53 senatorë nga 100 gjithsej, çka do të thotë se miratimi i projektligjit kërkon mbështetjen e disa demokratëve.
Ndër ndryshimet që kërkojnë demokratët janë detyrimi që agjentët federalë të marrin urdhër gjykate para arrestimeve dhe rregulla më të qarta për mënyrën se si identifikohen gjatë operacioneve.
Një votim procedural për të avancuar buxhetin dështoi të enjten me rezultatin 45-55. Të gjithë demokratët votuan kundër, së bashku me tetë republikanë që shprehën shqetësime për shpenzime të panevojshme.
Më herët këtë javë, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, deklaroi se do të votojë kundër çdo legjislacioni që financon ICE-në derisa kjo agjenci të kufizohet dhe të reformohet. Nga ana tjetër, udhëheqësi republikan i shumicës në Senat, John Thune, tha se negociatat po zhvillohen në mënyrë “produktive”.
Nëse bëhen ndryshime, projektligji do të duhet të miratohet sërish nga Dhoma e Përfaqësuesve, deputetët e së cilës nuk pritet të kthehen në Uashington deri të hënën.
Të mërkurën, disa senatorë demokratë përshkallëzuan kërkesat, duke kërkuar hapur largimin e sekretares së DHS-së, Kristi Noem, si dhe ndryshime strukturore në agjencitë e Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Patrullës Kufitare (CBP). “Kjo çmenduri, ky terror duhet të ndalet”, u shpreh Schumer.
Disa republikanë reaguan kundër këtyre kërkesave, me senatorin John Cornyn nga Teksasi që tha se “çdo ndryshim nuk duhet të vijë në kurriz të mbylljes së qeverisë”.
Në rast të një “mbylljeje të pjesshme”, jo i gjithë aparati federal do të ndalet. Disa agjenci tashmë janë financuar deri në fund të vitit fiskal 2026, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Çështjeve të Veteranëve. Megjithatë, agjenci të tjera si Departamenti i Mbrojtjes, Shëndetësisë, Thesari dhe sistemi federal i gjykatave do të preken.
Në praktikë, një mbyllje e zgjatur mund të shkaktojë ndërprerje në funksionimin e gjykatave, kërkimin mjekësor apo vonesa në statistikat e punësimit. Edhe Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme (IRS) mund të preket, duke ndikuar në përpunimin e taksave dhe rimbursimeve.
Mbyllja e fundit e qeverisë zgjati 43 ditë, nga 1 tetori deri më 12 nëntor të vitit të kaluar, duke u bërë më e gjata në historinë e SHBA-ve. Ajo la rreth 1.4 milionë punonjës federalë pa punë ose duke punuar pa rrogë dhe shkaktoi ndërprerje serioze në ndihmën ushqimore dhe transportin ajror. Në total, që nga viti 1981, SHBA-të kanë përjetuar 16 mbyllje të qeverisë, disa prej të cilave kanë zgjatur vetëm disa ditë.