KINEMA – Bashkëshortja e presidentit Trump shfaq premierën e dokumentarit ”Melania”
UASHINGTON, 29 janar /ATSH-AFP/ – Melania Trump shfaqi sot dokumentarin e saj të ri, që premton një pamje nga pas skenave të rikthimit në pushtet të bashkëshortit të saj, një dokumentar i financuar nga një marrëveshje disa milionëshe me ”Amazon”.
I titulluar thjesht ”Melania”, dokumentari po shfaqet në një premierë me tapet të kuq në qendrën së fundmi të riemëruar ”Trump-Kennedy Center” në Uashington, me pjesëmarrjen e Zonjës së Parë dhe vetë presidentit Donald Trump.
Por, me raportime për shitje të dobëta të biletave për filmin e 55-vjeçares së lindur në Slloveni, shuma e madhe e paguar nga gjiganti amerikan i teknologjisë ka ngjallur pyetje nëse ”Amazon” po përpiqet thjesht të fitojë favor nga presidenti.
”Ky dokumentar ofron një dritare në një periudhë të rëndësishme për Amerikën”, tha Melania Trump ndërsa goditi dje kambanën e Bursës së Nju Jorkut.
”Për herë të parë në histori, njerëzit do të dëshmojnë 20 ditët që çuan deri te betimi përmes syve të një Zonje të Parë në ardhje”, shtoi ajo.
Melania Trump ka qenë një figurë shpesh misterioze që nga rikthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, duke preferuar të kalojë kohën me djalin tyre, Barron, në Nju Jork dhe Florida.
Por, ajo tha se ”dokumentari, që do të shpërndahet globalisht nesër dhe më pas do të shfaqet ekskluzivisht në ‘Amazon Prime’, do t’u japë njerëzve një vështrim pas enigmës sime”.
”Do të shohin se si punoj, kush jam, si komunikoj me njerëzit dhe do të më njohin pak më shumë”, i tha ajo ”Fox and Friends”.
Çifti Trump zhvilloi të shtunën një shfaqje private në Shtëpinë e Bardhë, disa orë pas ngjarjes ku agjentët e emigracionit qëlluan për vdekje protestuesin Alex Pretti në Minneapolis, incident që shkaktoi zemërim kombëtar.
Në një nga seritë e intervistave promovuese këtë javë për filmin, Melania Trump bëri thirrje për bashkim pas vrasjes në Minneapolis./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post KINEMA – Bashkëshortja e presidentit Trump shfaq premierën e dokumentarit ”Melania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.