Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Main stream

Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta

31 December 2025 at 18:51

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026. Osmani në një videomesazh thekson se viti që po lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet.

“Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë. Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie”, thekson Osmani.

Sipas saj, Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese, ndërsa brenda vendit vazhdon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, ku të drejtat e njeriut, barazia dhe dinjiteti janë themeli ynë i përbashkët.

Ajo tha po ashtu se sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte po ashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi.

Në urimin e saj ajo thekso po ashtu se Viti 2026 që po vjen “na gjen me përgjegjësi të reja dhe me synime të qarta”.

“Synimi ynë mbetet një Kosovë akoma më e sigurt, akoma më e drejtë, akoma më e integruar dhe akoma më e zhvilluar. Një Kosovë ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku institucionet janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve dhe ku çdo i ri dhe e re ka perspektivë për të ndërtuar të ardhmen me dinjitet në vendin e vet”, tha ajo.

Në këtë natë të veçantë, Ajo ka uruar qytetarët për shëndet, paqe dhe begati.

“Le të jetë viti 2026 një vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën. Le ta nisim vitin e ri me besim në vete, në njëri-tjetrin dhe në Kosovën tonë. Gëzuar Vitin e Ri 2026 me shëndet e plot momente gëzimi e feste, për ju dhe për Republikën e Kosovës!”, tha ajo.


/KosovaPress//r.e/

The post Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti flet për kabinetin e ri qeveritar dhe procesin e zgjedhjes së presidentit

31 December 2025 at 18:49

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e qeverisë së re.

Gjatë vizitës së tij në KEK, i pyetur për emrat e ri në qeverinë e re, tha se i nevojitet një konfirmim nga Kryesia e Vetëvendosjes se a do të jenë i njëjtë si në legjislaturën e nëntë.

“Na duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve. Na duhet një mbledhje në Kryesi të Vetëvendosjes, sepse qartazi propozimet tona i kemi pasur për legjislaturën e nëntë tash të dhjetën kur t’i marrim rezultatet nuk ndryshon programi dhe orientimi. Do të jetë përbërja identike nuk mund ta them dot tash. Edhe nëse është e kërkon një rikonfirmim. Nuk besoj që mund të ketë ndryshime të mëdha”,  tha Kurti.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes në prill të vitit 2026, Kurti tha se do të takohet në ditët në vijim me presidenten aktuale  Vjosa Osmani që të diskutohen mundësitë, duke theksuar se duhen 80 deputetë të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit apo presidentes është hapi i tretë. Një herë është konstituimi i Kuvendit, formimi, pastaj vjen dhe ajo. Por para se të bëjmë çfarëdo, besoj se do të kemi një takim me presidenten aktuale Vjosa Osmani dhe do diskutojmë cilat janë shanset dhe mundësitë përpara, sepse na duhet të qëndrojmë 80 veta në sallë. Mund të duket më e lehtë pas rezultatit të 28 dhjetorit”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49.41 për qind dhe pritet t’i ketë 56 deputetë (pa votat e diasporës dhe me kusht).

The post Kurti flet për kabinetin e ri qeveritar dhe procesin e zgjedhjes së presidentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA në Kosovë uron Vitin e Ri, liston bashkëpunimet që rritën ekonominë

31 December 2025 at 18:47

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë (SHBA) ka uruar Vitin e Ri 2026 me një mesazh drejtuar qytetarëve në Kosovë, miqve dhe partnerëve, duke veçuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve mike.

Kjo ambasadë në urimin e saj shprehu  shpresën që viti i ardhshëm të sjellë zhvillim, paqe dhe progres për të gjithë.

“Ndërsa mirëpresim vitin 2026, u dërgojmë urimet tona më të ngrohta të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Kosovë. Urojmë që viti që vjen të sjellë paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët. Gëzuar Vitin e Ri nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ndërkaq, përmes një videomesazhi të realizuar nga stafi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, u përmend bashkëpunimi i ngushtë i zhvilluar gjatë vitit që po mbyllet, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sektorit privat në Kosovë. Në këtë kontekst, u theksua edhe roli i kompanive amerikane që kanë investuar në Kosovë.

Micah Savidge, shef i njësitit ekonomik në Ambasadën e Amerikës, theksoi se këto partneritete kanë kontribuar drejtpërdrejt në zgjerimin e mundësive ekonomike.

Ndërsa, Kevin Miles drejtor për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, theksoi progresin e arritur në fushën e sigurisë, duke përmendur bashkëpunimin me institucionet përkatëse të Kosovës.

Ndryshe, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, të hënën ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës pritet ta mbyllë vitin me rritje prej 3,9 për qind.

Këtu mund të ndiqni videomesazhin e plotë të Ambasadës së SHBA-së:


/KosovaPress//r.e/

The post Ambasada e SHBA në Kosovë uron Vitin e Ri, liston bashkëpunimet që rritën ekonominë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti premton pagë të 13-të për sektorin publik

31 December 2025 at 14:21

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sapo konstituohet Kuvendi dhe të formohet qeveria e re, do të miratojmë Ligjin për Buxhetin 2026 dhe do të marrin vendim për pagën e trembëdhjetë për punëtorët e sektorit publik.

Kurti tha se paga e trembëdhjetë nuk merret në dhjetorin e vitit 2026, por në fillim të vitit pasues. Ai përmendi edhe procedurat ligjore për miratimin e buxhetit, meqë nevojitet që ai të miratohet në dy lexime në Kuvend.

“Për të gjithë punëtorët e administratës publike, me Ligjin e Buxhetit për vitin 2026 që ne e kaluam një herë në mbledhje të qeverisë, por të cilin tash me legjislaturën e dhjetë do ta kalojmë në dy lexime, kam thënë se në këtë ligj të buxhetit parashihet paga e 13-të. Kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga. Por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, në dhjetorin e vitit 2026, por në vitin që nis nesër do të merret në fillim të vitit. Varësisht se kur konstituohet Kuvendi dhe do të formojmë qeverinë, por në mbledhjen e parë, përveç me vendimin për Ligjin e Buxhetit, do ta kemi edhe vendimin që pagën e 13-të ta japin në fillim të vitit”, tha ai.

Paga e 13-të ishte përfshirë në Projekt-buxhetin e vitit 2026, mirëpo i njëjti, për shkak të dështimit të formimit të qeverisë së re, nuk u dërgua në Kuvend.

Ky zotim ka qenë edhe gjatë fushatës zgjedhore të 28 dhjetorit. Kurti këto komente bëri të mërkurën pas vizitës në Telekomin e Kosovës.

/KosovaPress/

The post Kurti premton pagë të 13-të për sektorin publik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti në ditën e fundit të vitit: kthjellime, vranësira të pakta dhe borë në Korçë

31 December 2025 at 07:30

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se vendi ynë sot, në ditën e fundit të vitit 2025, do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Sipas parashikimit, moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me vranësira të pakta deri mesatare, kryesisht në formën e reve të mesme dhe të larta transparente në juglindje, në pjesën e parë të ditës.

Parashikohet prezencë e ngricave në akset rrugore, veçanërisht në zonat malore, si dhe mjegull e dendur dhe mjegullinë në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kryesisht në zonat luginore të vendit.

Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati i veriut, me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore do të arrijë shpejtësi deri në 17 m/s. Deti parashikohet me valëzim të forcës 3–4 ballë.

Temperaturat do të luhaten nga -8 gradë Celsius minimumi në zonat verilindore, deri në 11 gradë Celsius maksimumi në zonat bregdetare dhe të Ultësirës Perëndimore.

Temperaturat e parashikuara në qytete:
Shkodër: -2 / 6°C – diell
Kukës: -8 / 5°C – diell
Lezhë: -2 / 6°C – diell me pak re
Dibër: -8 / 2°C – diell
Durrës: 1 / 11°C – diell me pak re
Tiranë: 1 / 10°C – diell me pak re
Elbasan: 0 / 9°C – diell
Berat: -2 / 10°C – diell me pak re
Vlorë: 2 / 11°C – diell
Korçë: -4 / 6°C – diell, vranësira dhe reshje bore lokale
Gjirokastër: -5 / 5°C – diell
Sarandë: 4 / 9°C – diell

/r.e/

The post Moti në ditën e fundit të vitit: kthjellime, vranësira të pakta dhe borë në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 30 December 2025Main stream

Qeveria rrit kapitalin e Entit Kombëtar të Operimit Rrugor me 50 milionë lekë

30 December 2025 at 21:55

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar një shtesë në vendimin nr. 684, datë 6 nëntor 2024, për krijimin e shoqërisë aksionare “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR), sh.a., një institucion i ri rregullator për menaxhimin dhe operimin e rrugëve në vend.

Sipas vendimit të qeverisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i shtohet fondi prej 50 milionë lekësh në programin “Transporti rrugor”, i cili do të përdoret për rritjen e kapitalit të EKORR, sh.a., me qëllim mbulimin e veprimtarisë operative të entit. Ky fond do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit për vitin 2025.

Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/r.e/

The post Qeveria rrit kapitalin e Entit Kombëtar të Operimit Rrugor me 50 milionë lekë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE “pret” nga Kosova formim të shpejtë të institucioneve

30 December 2025 at 16:11

PRISHTINË, 30 dhjetor /ATSH/Në një deklaratë të përbashkët, përfaqësuesja e Lartë e Komisionit Evropian, Kaja Kallas dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dhënë qëndrim pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Ato përcjellin thirrjen e Bashkimit Evropian për një formim të shpejtë të institucioneve, ndërsa vlerësojnë se procesi zgjedhor reflektoi demokracinë në vend.

“Pas bllokadës politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, presim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të shtojë përpjekjet për reformat e domosdoshme lidhur me BE-në. Bashkimi Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor tregoi një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”.

Ndërsa për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian cilëson se mbetet një proces që duhet çuar drejt normalizimit.

“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i facilituar nga BE-ja, vazhdon të jetë mënyra e vetme që të dyja vendet të bëjnë përparim në rrugët e tyre evropiane. Presim që të gjitha detyrimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo kushte të mëtejshme. BE-ja është gati të organizojë një takim në nivel të lartë sapo kushtet e lejojnë”.

Bashkimi Evropian, sipas deklaratës, ka dërguar një Mision Ekspert Zgjedhor (EEM) i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore.

“Ne i bëjmë thirrje Kuvendit, sapo të formohet, të ratifikojë marrëveshjet lidhur me Planin e Rritjes. Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një instrument i kohëzuar i miratuar për periudhën 2024-2027 dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të përfituar të gjitha mundësitë nën Planin e Rritjes, për të mirën e popullsisë së saj”, shkruan deklarata”.

BE rikujton se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar ndërsa vazhdon synimi për lirimin e mëtutjeshëm të fondeve.

“Për të kujtuar, BE-ja po ecën përpara për të hequr masat ndaj Kosovës. 216 milionë EUR ndihmë financiare janë liruar tashmë pas transferimit të rregullt të pushtetit lokal pas zgjedhjeve lokale të fundit. Ne gjithashtu synojmë të lirojmë 205 milionë EUR shtesë në fillim të vitit të ardhshëm”.

/Kosovapress/

The post BE “pret” nga Kosova formim të shpejtë të institucioneve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Balla për protestën e opozitës: Krushqit nuk erdhën fare

29 December 2025 at 21:09

TIRANË, 29 dhjetor/ATSH/ Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas protestës së radhë të mbajtur nga Partia Demokratike.

Balla duke publikuar foto nga protesta thekson se, “krushqit nuk erdhën fare, vetëm hyzmeqarët ishin”.

“Edhe unë mendova mos ta nxjerr sot e lënë vetëm, por me kërkesë të publikut duhet transparencë”, përfundoi Balla.

Kujtojmë se ciklin e komenteve ironike me “krushq” Balla e nisi në protestën e parë të zhvilluar nga opozita më 17 nëntor para Kryeministrisë, ku kreu i grupit parlamentar të PS iu referua batutës së aktorit Besnik Çinari: “Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasmë!”.

/a.f/r.e/

The post Balla për protestën e opozitës: Krushqit nuk erdhën fare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti me diell dhe temperatura në minus

28 December 2025 at 07:15

TIRANË, 28 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se vendi ynë ditën e diel do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme, si pasojë e masave ajrore të thata me origjinë veriore.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, me vranësira të pakta kalimtare në relievet malore të lindjes.

Mjegull e dendur dhe mjegullinë pritet të ketë kryesisht në zonat luginore, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

Era do të fryjë nga verilindja në veriperëndim me shpejtësi mesatare 10 m/s, ndërsa në bregdet dhe në lugina pritet të arrijë deri në 18 m/s, e shoqëruar me valëzim në det të forcës 3–4 ballë.

The post Moti me diell dhe temperatura në minus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Projekti për të zhdukur opozitën dështoi, protesta të pandalshme

27 December 2025 at 20:13

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sot në Elbasan gjatë rrugës për në ‘Foltoren’ e Korçës.

Gjatë ndalesës, ai zhvilloi një takim me strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike në Elbasan, në kuadër të festave të fundvitit.

Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi qëndresën e demokratëve gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se përpjekjet për të asgjësuar opozitën kanë dështuar falë përkushtimit dhe sakrificës së qytetarëve.

Ai deklaroi se Partia Demokratike ka mbetur e palëkundur në mbrojtje të vlerave demokratike, të votës së lirë dhe të dinjitetit njerëzor.

Kryetari i PD-së akuzoi qeverinë për kapje të institucioneve, korrupsion dhe shndërrimin e Shqipërisë në një shtet të drejtuar nga krimi i organizuar.

Sipas Berishës, opozita ka arritur të faktojë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar se proceset zgjedhore në vend janë të manipuluara dhe se pushteti aktual nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve, shtoi ai.

Berisha theksoi se opozita nuk do të njohë asnjë pushtet të dalë nga manipulimi i votës dhe paralajmëroi intensifikimin e aksionit politik, përfshirë protesta të vazhdueshme qytetare, si mjet demokratik për rikthimin e shtetit ligjor dhe të standardeve demokratike.

Në përmbyllje të fjalës së tij, lideri historik u shpreh se Partia Demokratike do të vijojë betejën politike deri në rikthimin e demokracisë, duke theksuar se qëndresa qytetare është forca më e madhe përballë çdo përpjekjeje për autoritarizëm.

“U thamë shqiptarëve se, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje dhe ia faktuam, jo vetëm shqiptarëve, por edhe botës. Por iu thamë shqiptarëve do mbrojmë votën dhe njëlloj, të dashur miq si në 2001-shin ne damkosëm me fakte që u mblodhën, me qendrimet tuaja, i përmbasëm ato zgjedhje. Të njëjtën gjë bëmë tani. Ne ia dolëm t’i faktojmë mbarë botës se Edi Rama nuk zhvillon zgjedhje, zhvillon farsë elektorale”, tha Berisha.

“Projekti ishte që të zhdukeshim, dështoi ai. Projekti ishte të na i grabisnin zgjedhjet duke përdorur miliarda e miliarda. Ua zumë në fyt. I kapëm me presh në dorë. Tani dalin aferat e tyre të paimagjinueshme dhe thonë: jo, nuk pranojmë heqje imuniteti. Jo, nuk do të shkojmë para gjykatësit. Atëherë, ose gjykatësin e ligjit, ose gjykatësin popull, njërin nga të dy, Edi Rama shpresë nuk ke më.

“Askush të mos mendojë se protesta e vazhdueshme nuk do ketë rezultatin e vet. Jo, do ketë rezultat të shkëlqyer. Dhe ju garantoj unë ju, prova jonë, testi ynë është të fillojmë kë kohën e duhur protestën e përnatshme në sheshin e Tiranës dhe ata do ia mbathin si minj. Asgjë nuk i reziston dot qëndresës qytetare, forcës së opozitës”, përfundoi Berisha.

/a.f/

The post Berisha: Projekti për të zhdukur opozitën dështoi, protesta të pandalshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ski, Colturi e mbyll pa pikë zbritjen e dytë në Austri

27 December 2025 at 17:51

TIRANË, 27 dhjetor/ATSH/ Pas një vendi të tretë në zbritjen e parë të Slalomit Gjigant, në pistën e Semmeringut në Austri, Lara Colturi nuk arriti të marrë pikë në zbritjen e dytë, pasi nuk e përfundoi garën.

Në ndalesën e radhës të këtij sezoni në Semmering, italo-shqiptarja e mbylli lëshimin e parë në vendin e tretë me kohën 57 sekonda e 28 të qindtat, ndërsa në lëshimin e dytë nuk arriti ta përfundojë garën për shkak të një gabimi që në nisje.

Lara Colturi do të rikthehet sërish nesër në këtë pistë, por në disiplinën e Slalomit Special, ku synon podiumin për herë të katërt këtë sezon. Më herët, skiatorja kuqezi është ngjitur në podium në Levi, Gurgl dhe Copper Mountain.

Sa i përket garës së sotme, vendin e parë e zuri austriakja Julia Scheib, e ndjekur nga zvicerania Camille Rast dhe suedezja Sara Hector.

The post Ski, Colturi e mbyll pa pikë zbritjen e dytë në Austri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00

27 December 2025 at 15:06

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se  votimi në përfaqësitë diplomatike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit po kalon kryesisht i qetë.

Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në 29 përfaqësitë diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.  

“Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 36.89% apo 7.079 votues”, tha Elezi.

Identifikimi në vendvotimin e përfaqësisë diplomatike mund të bëhet përmes njërit nga tri dokumentet e Kosovës: letërnjoftim, pasaportë apo leje e vozitjes.

/Kosovapress/

The post Kosovë, votimet e diasporës deri në orën 13:00 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova voton për herë të katërt brenda vitit, KQZ është gati

27 December 2025 at 14:24

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/ Të dielën e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, janë ftuar të votojnë për herë të katërt brenda vitit.

Viti 2025 nisi me votime më 9 shkurt për Kuvendin e Kosovës, vazhdoi në vjeshtë me votimin për zgjedhjet lokale të 12 tetorit dhe 9 nëntorit dhe do të mbyllet me votimin e 28 dhjetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën në mëngjes ka shpërndarë materialin zgjedhor, përfshirë fletëvotimet për në 38 komunat e Republikës së Kosovës.

24 subjekte politike me 1,180 kandidatë janë në garë për ulëse në legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, prej të cilave 8 janë subjekte shqiptare me 624 kandidatë, ndërkaq pjesa tjetër janë subjekte nga radhët e komuniteteve pakicë që garojnë për 20 ulëse të garantuara.

Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi ka treguar për hapat e fundit që KQZ është duke ndërmarrë para fillimit të votimit, të dielën, në orën 07:00 të mëngjesit.

“Sipas planifikimeve, materialet zgjedhore që janë vendosur në Qendrat Komunale të Numërimit do të shpërndahen, si zakonisht, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës për në qendrat e votimit. Numri i qendrave të votimit që do të hapen më 28 dhjetor është 948, prej të cilave 910 për votimin e rregullt me 2,557 vendvotime. Po ashtu, do të hapen edhe 38 qendra të votimit me gjithsej 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht”, njoftoi Elezi.

Më tej, Elezi ka treguar se pas përfundimit të votimit, në vendvotime do të fillojë numërimi i pjesës së fletëvotimit ku qytetarët kanë përzgjedhur subjektet politike dhe se janë bërë përgatitjet që të dielën në mbrëmje të transmetohen rezultatet preliminare për subjektet politike. Sipas tij, rezultatet e para pritet të vijnë nga vendvotimet që kanë numër të vogël votuesish, të cilat përfundojnë numërimin në kohë më të shpejt.

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, numërimi i fletëvotimeve të subjekteve politike në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës bëhet në vendvotim, pasi të përfundojë procesi i votimit, ndërkaq, numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendnit të Kosovës bëhet në Qendra Komunale të Numërimit, duke filluar nga dita e hënë. KQZ ka bërë përgatitjet që më 28 dhjetor të publikohen rezultatet preliminare të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Rezultatet nga vendvotimet e para, do të fillojnë të publikohen duke filluar para orës 20:00 dhe ato do të përditësohen vendvotim pas vendvotimi. Pra, brenda një kohe të shkurtër pasi numërohen fletëvotimet e një vendvotimi, do të publikohen të dhënat në platformën e rezultateve”, tha ai.

Përveç rezultateve, KQZ do të publikojë edhe të dhëna për pjesëmarrjen e votuesve në pesë orare të ndryshme, 09:00, 11:00, 13:00, 15:00, 17:00 dhe 19:00.

Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote për të votuar brenda Kosovës është 1,999,204 votues, ndërkaq, në këtë listë nuk janë të përfshirë 77,086 shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit përmes postës apo në përfaqësitë diplomatike.

/Kosovapress/

The post Kosova voton për herë të katërt brenda vitit, KQZ është gati appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Varre masive dhe arkiva të mbyllura, Serbia pengon zbardhjen e fatit të të pagjeturve

27 December 2025 at 14:21

PRISHTINË, 27 dhjetor/ATSH/Serbia po angazhohet për ta ndryshuar marrëveshjen për të pagjeturit dhe nuk i është përgjigjur thirrjes së Bashkimit Evropian për takime të përbashkëta me Kosovës. Kështu thanë anëtarët e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, të cilët theksuar se nuk do të pranojnë ndryshimin e marrëveshjes së arritur.

Ata gjatë prezantimit të raportit vjetor të punës për 2025, kërkuan që Serbia t’i hap arkivat..

Kryetari i këtij komisioni Andin Hoti tha se vazhdojnë të kenë sfida sepse Serbia vazhdonë të mos bashkëpunojë për dhënien e informacioneve të besueshme dhe dhënien e arkivave.

Ai tha se Serbia ka refuzuar për tri herë radhazi të marrë pjesë në komisionin e përbashkët dhe Bashkimit Evropian, me arsyetimin se nuk pajtohen me disa pika të marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Njëra prej pikave shkruan se udhëheqësi i këtej komisioni të përbashkët obligohet të njoftojë 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për mos punën apo mosbashkëpunimin apo mos dakordimin, apo mos dhënien e informacioneve të njërës apo tjetrës palë që në këtë rast Serbia po tenton ta largojë këtë pikë nga termat e referencës sepse ajo po tenton t’i ikë përgjegjësisë që e ka për këtë çështje. Ne natyrisht që nuk do të pajtohemi dhe nuk do të ndodh një gjë e tillë. Ne do të vazhdojmë presionin tonë të vazhdueshëm bashkë me miqtë tanë ndërkombëtarë, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimin Evropian, qoftë Mbretërinë e Bashkuar, e cila ka qenë me ne gjatë këtyre viteve, që Serbia të pranojë patjetër hapjen e arkivave të klasifikuara kryesisht, në të cilat ne pretendojmë që përmban të dhëna për fatin e mbi 1571 personave që ne vazhdojmë me i pasur të zhdukur sot. “, tha ai.

Sipas tij, brenda këtij viti kanë arritur t’i përfundojnë 32 lokacione në Kosovë.

“Kur flasim për dokumente që ne i kemi pranuar nga Tribuni i Hagës, janë konfidente nga Komiteti i Kryqit të Kuq, të cilat neve si komision nuk na lejohet t’i shpërndajmë as t’i përdorim për zbardhjen e krimeve, na lejohet në mënyrë të kufizuar vetëm për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo lloj informacioni që e marrim nga ato 150 gigabajt për ne do të shërbej vetëm për zbardhje e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.

Viktor Haliti nga Instituti për Mjekësi Ligjore foli për angazhimin që e kishin ata në kërkimin e lokacioneve të parapara në Kosovë.

Kushtrim Gara nga komisioni tha se mbetet prioritare dhe imediate për t’u rikthyer në lokacione të tjera në territorin e Serbisë, lokacione tanimë të shënuara, apo për të vazhduar gërmime në lokacione që janë trajtuar gjatë këtyre viteve, si në rastin e lokacionit në afërsi të liqenit të Peruqas, pra në kufi me Bosnjën, apo dhe lokacionin në afërsi të rrjedhës së lumit Danub, përkatësisht në kufi me Rumaninë, pra te pjesa e Xherdapit, po në lokacionin e Petrovosellës. Janë varre masive të konfirmuara qysh në vitet e para të pasluftës.

“Për ne me prioritet të veçantë mbetet kërkesa për t’u rikthyer në varrin masiv në Batajnicë, afër Beogradit, meqë sipas analizave, informative, kemi kolauduar se në këtë lokacion vazhdojnë të jenë kufomat e të paktën 58 viktimave gjatë luftës në Kosovë…Të dhënat që po i shqyrtojmë prapë na kthejnë në ato territore por fatkeqësisht edhe gjatë vitit 2025 nuk është që kemi pas ndonjë datë se kur mund të rikthehemi në këto lokacione apo të vazhdojnë gërmimet në lokacione tjera të Serbisë”, tha Gara.

Ai shtoi se shumë shpejt do të kthehen në Rahovec për të vazhduar gërmimet, pasi ata dyshojnë se në gërmimet që kanë bërë, mund të ketë deri në tetë persona.

Ata kanë paraqitur edhe një hartë ku thanë se të gjitha institucionet e angazhuara, kanë realizuar mbi 2500 gërmime në territorin e Kosovës.

/Kosovapress/

The post Varre masive dhe arkiva të mbyllura, Serbia pengon zbardhjen e fatit të të pagjeturve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjedhjet në Kosovë, angazhohen rreth 100 prokurorë për mbrojtjen e votës së lirë

26 December 2025 at 13:07

PRISHTINË, 26 dhjetor/ATSH/ Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën e 28 dhjetorit, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

“Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor,  me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë mbahen këtë të diel, datë 28 dhjetor.

/KosovaPress//r.e/

The post Zgjedhjet në Kosovë, angazhohen rreth 100 prokurorë për mbrojtjen e votës së lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zgjidhet kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës

26 December 2025 at 12:46

PRISHTINË, 26 dhjetor/ATSH/ Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka emëruar gjyqtarin, Ngadhnjim Arrnin kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Arrni mori gjithsej 8 vota pro, asnjë kundër dhe një abstenim.

Në garë për këtë pozitë ishin edhe gjyqtarët, Alban Ajvazi dhe Kushtrim Shyti.

Kryesuesi i KGjK-së, Albert Zogaj tha se gjyqtarit, Arrni tani në pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ka mandat pesëvjeçar.

“Me 8 vota pro, një abstenim dhe asnjë kundër gjyqtari Ngadhnjim Arrni emërohet kryetar i Gjykatës në Prishtinë, mandati i të cilit është pesë vite”, tha ai.

Në mbledhjen e sotme Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar draftrregulloren për pagesën e shpenzimeve të procedurës penale në gjykatat e Republikës së Kosovës.

Për këtë rregullore, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se kjo rregullore të ketë impakt në politikat ndëshkimore, por edhe në të ardhurat e sistemit gjyqësor.

Sot KGjK kanë miratuar edhe draftrregulloren për sistemin qendror të evidencës penale në Republikën e Kosovës, si dhe draftrregulloren për regjistrat e personave që iu hiqet zotësia e veprimit, regjistrin e personave që iu hiqet e drejta prindërore, si dhe regjistrin e adoptimit.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe planin vjetor të punës së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për vitin 2026.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj tha se pikë kyçe në këtë plan të punës për vitin 2026 është drejtësia administrative.

KGJK sot ka miratuar edhe organogramin e përgjithshëm të gjykatave për vitin 2026. Me këtë rast, udhëheqësi i këshillit tha se sistemi gjyqësor i Kosovës ka numrin më të ulët të gjyqtarëve në nivel të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se ky është alarm për pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e sotme ka shpall tri pozita të lira për anëtar të këtij këshilli, pasi gjyqtarja Ivana Milenkoviç është emëruar nënkryetare e Gjykatës së Apelit.

/KosovaPress//r.e/

The post Zgjidhet kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova prezanton “Bursën e udhëtimit” për studentët

26 December 2025 at 10:19

PRISHTINË, 26 dhjetor/ATSH/ Qeveria në detyrë ka prezantuar sot bursën e udhëtimit për studentët përfitues.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para studentëve tha se përmes kësaj burse mbulohet kostoja e udhëtimit për studentët. Ai shtoi se kjo nismë paraqet vizion më të gjerë të qeverisë, ku arsimimi është i arritshëm, i drejtë dhe barabartë për të gjithë.

“Ne po adresojmë një sfidë reale me të cilën studentët janë përballur. Kjo bursë nuk është vetëm një përkrahje financiare, por tregon se shteti është në anën tuaj. Investimi në arsim është investim për të ardhmen”, tha ai.

/KosovaPress//r.e/

The post Kosova prezanton “Bursën e udhëtimit” për studentët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti sot, vranësira mesatare dhe rënie e lehtë e temperaturave

26 December 2025 at 07:30

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Në orët e mëngjesit parashikohen vranësira mesatare deri të dendura, me alternime kthjellimesh. Nga mesdita e në vijim, moti do të jetë kryesisht i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit, ndërsa vranësira kalimtare do të shfaqen në zonat malore në lindje.

Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare 9 m/s, ndërsa në bregdet dhe lugina do të arrijë deri në 18 m/s. Deti pritet të ketë valëzim të forcës 2–4 ballë.

Temperaturat minimale dhe maksimale të parashikuara për sot:/a.f/r.e/

The post Moti sot, vranësira mesatare dhe rënie e lehtë e temperaturave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me papa Leone XIV

25 December 2025 at 22:45

TIRANË, 25 dhjetor/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka ndarë një mesazh urimi në ditën e Krishtlindjes, duke kujtuar takimin me Shenjtërinë e Tij, papa Leone XIV.

Në mesazhin e tij, ministri Gonxhja thekson se në këtë ditë të shenjtë, kur kremtohet Lindja e Krishtit, rikthehet me reflektim te një moment domethënës nga Audienca Jubilare, e zhvilluar disa javë më parë në sheshin “Shën Pjetri”, në Vatikan. Ai e cilëson takimin si një ditë mbresëlënëse, të mbushur me mesazhe paqeje, dialogu dhe solidariteti, vlera universale që, sipas tij, marrin një kuptim edhe më të thellë në këtë festë.

Ministri Gonxhja uron që kjo ditë të jetë burim drite, shprese dhe harmonie për të gjithë.

Gjatë takimit, ministri Gonxhja, i shoqëruar nga bashkëshortja, përveç falenderimit dhe fjalëve të mirënjohjes, i dhuroi papës Leone edhe një disk vinili me këngët shqiptare të lirisë, një libër mbi vëllezërit Marubi dhe një pllaketë nderi në emër të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë.

Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan
1 nga 21
Vizita e ministrit Blendi Gonxhja në Vatikan

/a.f/r.e/

The post Gonxhja uron Krishtlindjen dhe kujton takimin me papa Leone XIV appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Këngëtari Ilir Shaqiri sjell këngën e tij më të re “Çlirimtarët”

25 December 2025 at 21:50

PRISHTINË, 25 dhjetor/ATSH/ Ilir Shaqiri vazhdon të sjellë në repertorin e tij këngë emocionuese dhe me tematikë nga lufta jonë çlirimtare.

Kënga e radhës “Çlirimtarët”, e cila ka zgjuar interesim të madh tek audienca e muzikës vendase. Kënga iu kushtohet ish-krerëve të luftës çlirimtare Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilat tash e pesë vjet po mbahen padrejtësisht në Hagë.

Së bashku me Ilirin, tingujve të këngës “Çlirimtarët” i bashkohen edhe Korab e Alte Shaqiri.

Teksti dhe muzika e këngës është shkruar nga vetë Ilir Shaqiri, ndërsa orkestrimi nga Korab Shaqiri.

/KosovaPress/

The post Këngëtari Ilir Shaqiri sjell këngën e tij më të re “Çlirimtarët” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌