FOKUS – 12 vende paralajmërojnë aksident bërthamor nga sulmet në Ukrainë
VJENË, 30 janar /ATSH-DPA/ – Dymbëdhjetë vende kanë paralajmëruar për rritjen e rrezikut të një aksidenti bërthamor në Ukrainë, gjatë një seance të posaçme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), të mbajtur sot në Vjenë.
”Sulmet e përditshme ruse ndaj infrastrukturës energjetike të vendit jo vetëm që kanë ekspozuar miliona ukrainas ndaj të ftohtit të dimrit, por po ndikojnë negativisht edhe në sigurinë bërthamore në Ukrainë, duke e afruar rrezikun e një aksidenti bërthamor shumë pranë realitetit”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre vendeve.
Sipas deklaratës, sulmet ndaj nënstacioneve dhe dëmtimi gjithnjë e më i madh i rrjetit elektrik rrezikojnë sigurinë bërthamore.
Dymbëdhjetë vendet theksuan se një furnizim i qëndrueshëm me energji elektrike është thelbësor për funksionimin e sigurt të centraleve bërthamore.
Edhe drejtori i përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, paralajmëroi në fjalën e tij se dëmtimi i nënstacioneve minon sigurinë bërthamore.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Rusisë në IAEA, Mikhail Ulyanov, e kundërshtoi këtë vlerësim.
”Ky është një pretendim i rremë”, u tha ai gazetarëve, duke shtuar se centralet bërthamore ukrainase mund t’i përballojnë pa vështirësi sulmet ruse ndaj nënstacioneve.
Edhe pse centralet bërthamore prodhojnë vetë energji, energjia elektrike e jashtme përdoret për ftohjen e materialeve radioaktive në impiante.
Në raste emergjente përdoren gjeneratorë rezervë.
Nëse sistemet e ftohjes dështojnë, në skenarin më të keq ekziston rreziku i shkrirjes së bërthamës./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – 12 vende paralajmërojnë aksident bërthamor nga sulmet në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.