Pas reshjeve të pandërprera të shiut gjatë natës, situata në Komunën e Vitisë paraqitet stabile dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme, megjithëse autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në disa segmente të rrugëve, veçanërisht në fshatin Ramnishtë dhe në rrugën Skifteraj–Radivojc.
U.d. i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë, Naser Haziri, ka bërë të ditur se Njësia e Zjarrfikësve ndodhet vazhdimisht në terren dhe, në bashkëpunim me stafin e drejtorisë, po ndërmerr masa për të parandaluar përkeqësimin e situatës.
“Intervenimi është kryer edhe në rrugën Viti–Letnicë, ku për shkak të reshjeve kishte ndodhur shembja e dheut. Pas ndërhyrjes së shpejtë, rruga është e qarkullueshme dhe situata është nën kontroll”, ka theksuar Haziri.
Autoritetet komunale bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, veçanërisht në zonat ku uji ka depërtuar në rrugë, ndërsa ekipet kompetente mbeten në gatishmëri për çdo situatë eventuale. /Telegrafi/
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë njofton se pas publikimit më 26 janar 2026 të video-incizimeve dhe fotografive për identifikimin e personit të dyshuar lidhur me rastin e vjedhjes në Stacionin Policor Malishevë, është arritur të identifikohet i dyshuari.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e treguar, duke vlerësuar se ky bashkëpunim është thelbësor për parandalimin dhe luftimin e veprave penale.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, duke vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respektim të të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” njofton të gjithë konsumatorët se për shkak të punimeve të planifikuara në rrjetin e ujësjellësit në fshatin Shupkofc, furnizimi me ujë të pijes do të ndërpritet përkohësisht në disa zona.
Sipas njoftimit, ndërprerja do të prekë fshatin Kqiç, një pjesë të fshatit Shupkofc, si dhe një pjesë të zonës tek “Stacioni i Vjetër Hekurudhor” në Frashër.
KRU Mitrovica bën me dije se punimet janë të domosdoshme për përmirësimin e funksionimit të rrjetit dhe për sigurimin e furnizimit më të qëndrueshëm me ujë të pijes.
Ekipet teknike janë angazhuar për të përfunduar punimet sa më shpejt dhe për të rikthyer furnizimin normal.
“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve të zonave të prekura për shqetësimet e përkohshme”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Ekipi shëndetësor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjakovës është forcuar sot me shtatë mjekë të rinj specialistë, të cilët do të kontribuojnë në zgjerimin dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore për qytetarët.
Specialistët e rinj që iu bashkuan spitalit janë:
Dr. Lorena Rruka – Specialiste e Dermatologjisë
Dr. Fahruk Iljazi – Specialist i Endokrinologjisë
Dr. Arton Hoti – Specialist i Pulmologjisë
Dr. Halit Delija – Specialist i Pulmologjisë
Dr. Durim Nuza – Specialist i Pulmologjisë
Dr. Lisa Qurdina – Specialiste e Oftalmologjisë
Dr. Fatbardh Kadrija – Specialist i Gastroenterologjisë
Spitali i Gjakovës thekson se angazhimi i këtyre profesionistëve do të rrisë ndjeshëm kapacitetin dhe cilësinë e kujdesit mjekësor, duke mundësuar shërbime më të specializuara për pacientët.
Me këtë përforcim, institucioni shëndetësor synon të ofrojë trajtim më të avancuar dhe të plotë, duke i shërbyer më mirë nevojave shëndetësore të komunitetit. /Telegrafi/
Dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore dyshohet se janë sulmuar me mjete të forta nga katër persona në fshatin Dermjak të Hanit të Elezit, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Dy meshkuj kosovarë, zyrtarë të Ekonomisë Pyjore, kanë raportuar në stacionin policor në Hani të Elezit se ishin sulmuar me mjete të forta nga katër persona të dyshuar”, tha Veseli për Telegrafin, duke shtuar se viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt.
“Të dy zyrtarët janë trajtuar nga ekipi mjekësor, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet”, ka theksuar ai.
Veseli bëri të ditur se një person i mitur është arrestuar dhe, me urdhër të prokurorit për të mitur, është dërguar në mbajtje për 24 orë.
“Lidhur me rastin, është arrestuar një person i mitur dhe me urdhër te prokurorit për të mitur është dërguar në mbajtje për 24 orë, ndërsa te dyshuarit e tjerë ende janë në arrati dhe janë në kërkim policor”, shtoi ai.
Rasti është iniciuar si “lëndim trupor”, dhe Policia e Kosovës vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të mbetur.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo informacion të dobishëm për ndihmën në zbardhjen e këtij rasti. /Telegrafi/
Sezoni i gjuetisë për vitin kalendarik 2025–2026 është mbyllur zyrtarisht në Han të Elezit, duke filluar nga data 27 janar 2026.
Vendimi është marrë nga Shoqata e Gjahtarëve “Syri i Shqiponjës” në Han të Elezit dhe është bërë publik më 27 janar 2026. Sipas këtij vendimi, nga data e lartpërmendur ndalohet ushtrimi i gjuetisë për sezonin aktual.
Me këtë vendim janë njoftuar Drejtoria Komunale e Bujqësisë dhe Pylltarisë, Policia e Kosovës në Han të Elezit, si dhe seksionet dhe shoqatat përkatëse të gjuetisë.
Nga Shoqata e Gjahtarëve “Syri i Shqiponjës” bëhet e ditur se mbyllja e sezonit të gjuetisë është në përputhje me rregullat dhe praktikat ligjore në fuqi, me qëllim të mbrojtjes së faunës dhe respektimit të cikleve natyrore të egërsirave.
Autoritetet dhe shoqata u bëjnë thirrje gjuetarëve që të respektojnë këtë vendim dhe të zbatojnë dispozitat ligjore përkatëse. /Telegrafi/
Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit ka njoftuar se është zgjatur afati për paraqitjen e kërkesave për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimore.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në mbështetje të një vendimi të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me të cilin afati për dorëzimin e aplikacioneve për procesin e legalizimit është zgjatur për dymbëdhjetë muaj.
Me këtë vendim, qytetarëve të Komunës së Drenasit u mundësohet vazhdimi i paraqitjes së kërkesave për trajtimin administrativ të objekteve të ndërtuara pa leje, brenda periudhës së re të përcaktuar.
Aplikimet për legalizim bëhen pranë Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, në përputhje me procedurat dhe dokumentacionin e paraparë me legjislacionin në fuqi.
Nga komuna u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kushtet ligjore që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të caktuar. /Telegrafi/
Në mbrëmjen e tretë të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës së Janarit 2026”, publiku gjilanas pati rastin të ndjekë shfaqjen “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, prodhim i Teatrit të Ferizajt “Adriana”, me tekst të dramaturgut Jeton Neziraj dhe regji të Agon Myftarit.
Shfaqja ngjalli interesim të madh të artdashësve dhe u mirëprit në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, e cila po organizohet nga Komuna e Gjilanit, Drejtoria për Kulturë dhe OJQ “Varg e Vi”. Në sallë ishte e pranishme edhe kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Krenare Latifi – Kqiku.
“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” është një vepër që ka një jetë të gjatë skenike, pasi është interpretuar edhe nga teatro të tjera dhe ka lënë gjurmë jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Shfaqja trajton një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së re të Kosovës, periudhën para shpalljes së pavarësisë, kur një trupë teatrore përballet me presion të madh politik dhe institucional për të realizuar një shfaqje solemne, ndonëse gjithçka rreth datës, simbolikës dhe përmbajtjes ishte ende e paqartë.
Përmes situatave absurde dhe komike, shfaqja pasqyron përpjekjet e trupës për të zbuluar sekretin e datës së shpalljes së pavarësisë dhe për të siguruar tekstin e fjalimit të kryeministrit, ndërkohë që realiteti i teatrit mbetet i rëndë dhe i mbushur me vështirësi. Një linjë tjetër narrative lidhet me personazhin e punëtorit teknik, i cili përpiqet të realizojë ëndrrën e tij për të fluturuar dhe për të lobuar për njohjen e Kosovës, por që përfundon në mënyrë simbolike mbi Teatrin e Kosovës.
Kjo shfaqje-komedi politike dhe satirike, përmes ironisë dhe humorit, vendos në qendër të kritikës politikën e kohës, raportin e saj me artin, shoqërinë e pasluftës, korrupsionin dhe rolin e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, duke krijuar një dialog të drejtpërdrejtë mes artit dhe realitetit shoqëror.
Në role u paraqitën aktorët e Teatrit “Adriana” nga Ferizaj, Blin Mani, Nexhat Xhokli, Dardane Mehmeti, Sherif Bega dhe Elton Tahiri. Skenografia u realizua nga Mentor U. Berisha, kostumet nga Eleonora Gagica, muzika nga Lindita Isufi, ndërsa ndriçimi nga Hajrullah Elezi. Në realizimin e shfaqjes kontribuuan edhe Avni Ajvazi si mjeshtër skene, Naim Berisha në zërim dhe ton, Krenare Hajdari në grim, Florim Hashani në rekuizitë dhe teknikë skene bashkë me Valmir Hashanin, dizajni grafik nga Ngadhënjim Ismani dhe drejtori i Teatrit, Fatmir Hyseni.
Festivali “Talia e Flakës së Janarit 2026” do të vazhdojë në mbrëmjen e katërt me shfaqjen “God Bless America” nga Teatri i Gjilanit, me autor dhe regjisor Fatos Berisha. /Telegrafi/
Dy zyrtarë të Ekonomisë Pyjore dyshohet se janë sulmuar me mjete të forta nga katër persona, në një incident të ndodhur në fshatin Dermjak të Hanit të Elezit.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se rasti është raportuar të hënën pasdite, më 26 janar 2026, rreth orës 18:10.
“Dy meshkuj kosovarë, zyrtarë të Ekonomisë Pyjore, kanë raportuar në stacionin policor në Hani të Elezit se ishin sulmuar me mjete të forta nga katër persona të dyshuar”, tha Veseli.
Sipas tij, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në emergjencën e Ferizajt.
“Të dy zyrtarët janë trajtuar nga ekipi mjekësor, ndërsa gjendja e tyre po monitorohet”, ka theksuar ai.
Ai ka shtuar se të dyshuarit janë ende në arrati dhe se Policia e Kosovës është duke zhvilluar veprime hetimore për identifikimin dhe arrestimin e tyre.
“Të dyshuarit gjenden në arrati”, ka përfunduar Veseli.
Rasti është iniciuar si “lëndim trupor”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitë kompetente policore. /Telegrafi/
Magjistralja Ferizaj–Gjilan është mbyllur për qarkullim në segmentin e fshatit Sojevë, si pasojë e vërshimit të trasesë së rrugës pas reshjeve të mbrëmshme të shiut.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale të Ferizajt, Kanun Veseli, ka bërë të ditur për Telegrafin se grumbullimi i ujit në rrugë ka pamundësuar qarkullimin e automjeteve në këtë aks.
“Aksi rrugor Ferizaj–Gjilan, në segmentin tek fshati Sojevë, për shkak të grumbullimit të ujit në rrugë, është i mbyllur për qarkullim”, ka deklaruar Veseli.
Ai ka shtuar se për të gjitha automjetet që udhëtojnë në këtë drejtim janë përcaktuar rrugë alternative.
“Të gjitha automjetet udhëzohen të shfrytëzojnë rrugën Ferizaj–Mirosal–Gjilan dhe anasjelltas”, ka theksuar Veseli.
Sipas Policisë, kjo nuk është hera e parë që ky segment rrugor vërshohet, pasi situata të ngjashme janë shënuar edhe gjatë reshjeve në fillim të këtij viti, si dhe vitin e kaluar, duke shkaktuar dëme në biznese dhe toka përreth.
Policia Rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe kushteve të vështirësuara atmosferike.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të përshtatin shpejtësinë e lëvizjes me kushtet aktuale të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/
KRU “Bifurkacioni” ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të fundit të shiut, është rritur niveli i turbullirës së ujit, duke ndikuar në procesin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Sipas njoftimit, banorët e Hanit të Elezit që furnizohen me ujë nga Fabrika e Ujit në Dimcë do të kenë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë deri në stabilizimin e gjendjes.
Nga kjo kompani bëhet e ditur se situata është duke u monitoruar vazhdimisht dhe se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për normalizimin sa më të shpejtë të furnizimit me ujë.
KRU “Bifurkacioni” u ka shprehur falënderim konsumatorëve për mirëkuptimin gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka prezantuar projektin e hartuar për Trenin në Parkun Memorial Bllaca ’99, i cili parashihet të transformohet tërësisht në muze përkujtimor.
“Në këtë fillim jave, po ju prezantojmë projektin e hartuar për Trenin në Parkun Memorial Bllaca ’99, i cili parashihet të transformohet i gjithi në muze përkujtimor”, ka deklaruar Ballazhi.
Sipas tij, projekti ka për qëllim riaktivizimin e kësaj strukture ekzistuese si hapësirë muzeale dhe dokumentuese, duke i dhënë një dimension të ri memorial këtij lokacioni me rëndësi historike.
“Ky projekt synon riaktivizimin e kësaj strukture ekzistuese si hapësirë muzeale dhe dokumentuese, duke përfshirë ekspozitë kushtuar luftës së fundit, si dhe prezantimin e artefakteve dhe materialeve që dëshmojnë ngjarjet e asaj periudhe dhe shumë me rëndësi për Kosovën”, është shprehur kryetari i komunës.
Ballazhi ka theksuar se rëndësia e këtij projekti qëndron në ruajtjen dhe institucionalizimin e kujtesës historike, si dhe në edukimin e brezave të ardhshëm.
“Rëndësia e këtij projekti qëndron në ruajtjen dhe institucionalizimin e kujtesës historike, në dokumentimin e përvojës së luftës përmes dëshmive autentike, si dhe në forcimin e rolit të Parkut Memorial Bllaca ’99 si hapësirë e edukimit, reflektimit dhe ndërgjegjësimit publik për brezat e tanishëm dhe të ardhshëm”, ka deklaruar ai.
Sipas njoftimit, hartimi i projektit është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Hanit të Elezit dhe Agjencionit për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale. /Telegrafi/
Komuna e Prishtinës shënon këtë vit 34 vjetorin e fillimit të Shtëpive-Shkolla, një kapitull i rëndësishëm i historisë kombëtare që dëshmon unitetin dhe solidaritetin e popullit tonë, ku dijes i është dhënë përparësi si gur themelor i mbijetesës.
Në këtë përvjetor, Komuna kujton pronarët që hapën dyert e shtëpive të tyre, mësimdhënësit që mbajtën gjallë mësimin dhe nxënësit që u rritën me bindjen se dija sjell liri.
“Në Shtëpitë-Shkolla u mbrojt dija. Aty, në dhoma shtëpish, arsimi u shndërrua në akt qëndrese dhe në shprehje të dinjitetit kombëtar”, thuhet në njoftim.
Komuna thekson se historia e këtyre shtëpive-shkolla është dokumentuar në librin “Shtëpitë-Shkolla” nga Fadil Aliu, i biri i Mehmeti Aliut – Hertica, i cili së bashku me familjen e tij kontribuoi në ruajtjen dhe përhapjen e arsimit ndër breza.
Libri evidenton rëndësinë e qëndresës dhe rolin e edukimit në mbajtjen gjallë të identitetit kombëtar. /Telegrafi/
KRU Hidroregjioni Jugor njofton të gjithë konsumatorët e Njësisë Malishevë se për shkak të një defekti në rrjetin e ujësjellësit në Rrugën “Imer Krasniqi”, ekipet e saj do të realizojnë punime teknike për sanimin e tij.
Punimet do të fillojnë nesër, më 27.01.2026, nga ora 09:00, dhe gjatë kohës së punimeve mund të ketë ndërprerje të përkohshme ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijes në disa zona të Njësisë Malishevë.
Sipas njoftimit, ekipet janë të angazhuara që punimet të përfundojnë sa më shpejt të jetë e mundur dhe furnizimi të rikthehet në normalitet.
KRU Hidroregjioni Jugor falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
KRU “Mitrovica” ka bërë thirrje për të gjithë konsumatorët që të kryejnë pagesën e faturave të papaguara brenda afatit të përcaktuar, me qëllim të garantimit të furnizimit të rregullt dhe cilësor me shërbime.
Sipas njoftimit, pagesa në kohë është obligim ligjor dhe kontribuon drejtpërdrejt në mirëmbajtjen e sistemit. Moskryerja e pagesave mund të sjellë masa sipas rregulloreve në fuqi, përfshirë edhe ndërprerjen e shërbimit.
KRU Mitrovica apelon te qytetarët që të respektojnë afatet për pagesa, në mënyrë që shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit të funksionojnë pa ndërprerje. /Telegrafi/
Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se Zyra e Gjendjes Civile do të vazhdojë të ofrojë shërbime edhe gjatë pauzës zyrtare, me qëllim të rritjes së cilësisë së shërbimeve administrative dhe lehtësimit të qasjes së qytetarëve në shërbimet komunale.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet do të ofrohen pa ndërprerje në intervalin kohor nga ora 12:00 deri në ora 13:00.
Ky vendim është marrë nga Drejtoria e Administratës e Komunës së Fushë Kosovës, duke theksuar angazhimin institucional për të qenë sa më afër qytetarëve dhe për të siguruar qasje të barabartë dhe efikase në shërbimet e gjendjes civile, edhe gjatë orarit të pauzës. /Telegrafi/
Në Prokurorinë Themelore në Prizren u zhvillua një takim ndërinstitucional me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Prokurorisë së Kukësit, Policisë së Trafiqeve nga Tirana, Policisë për Hetimin e Trafikimit dhe Kontrabandimit me Migrantë, si dhe përfaqësuesve të Departamentit për Kufij të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Prokurorja e Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë e Prizrenit, Ervehe Gashi, e priti delegacionin dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të kontrabandimit me migrantë.
Gjatë takimit u diskutua për shkëmbimin e informatave, koordinimin e veprimeve hetimore dhe mekanizmat konkretë për një reagim më efikas ndaj këtij fenomeni, i cili përbën shqetësim serioz për sigurinë dhe sundimin e ligjit në rajon.
Pjesëmarrësit u dakorduan për vazhdimin e komunikimit të rregullt dhe forcimin e bashkëpunimit praktik, me qëllim parandalimin dhe luftimin efektiv të kontrabandimit me migrantë dhe formave të tjera të krimit të organizuar ndërkufitar.
Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në forcimin e partneritetit me institucionet homologe brenda dhe jashtë vendit, në funksion të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së rendit publik. /Telegrafi/
Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Fahri Restelica, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Behram Latifi, kanë vizituar nga afër punimet që po zhvillohen për ndërtimin e kanalit të ujitjes së tokave bujqësore në fshatin Lupç i Poshtëm.
Ky projekt, me një vlerë prej rreth 110 mijë eurosh, do të mundësojë ujitjen e afërsisht 80 hektarëve tokë bujqësore në këtë zonë.
Nënkryetari Restelica shprehu se projekti do të kontribuojë në rritjen e prodhimit bujqësor dhe efikasitetin e punës së fermerëve.
Ai gjithashtu theksoi se “investimet në bujqësi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen me qëllim të zhvillimit të këtij sektori si shtyllë e zhvillimit ekonomik lokal”.
Drejtori Latifi shtoi se projekti synon përmirësimin e infrastrukturës ujitëse dhe mbështetjen e fermerëve në rritjen e prodhimit, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të rajonit. /Telegrafi/
Komuna e Skenderajt ka bërë të ditur se Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka vendosur të zgjasë afatin për dorëzimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve pa leje.
Sipas njoftimit, ky afat është zgjatur për 12 muaj nga data e nënshkrimit, duke u shtrirë deri më 20 janar 2027.
Komuna fton të gjithë qytetarët që të dorëzojnë aplikimet brenda këtij afati për të përfituar nga procesi i legalizimit.
Ky vendim është marrë në bazë të Nenit 9, paragrafi 2 të Ligjit Nr. 08/L-184, i cili ndryshon dhe plotëson Ligjin Nr. 06/L-024 për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka nënshkruar një marrëveshje të re bashkëpunimi me Koordinatorin e Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, Abdurrahman Bejtullahu, me qëllim ofrimin e ndihmës sociale dhe realizimin e projekteve të banimit për familjet me kushte të vështira ekonomike.
Nga Komuna e Gjakovës bëhet e ditur se kjo marrëveshje synon forcimin e mbështetjes institucionale për rastet sociale, duke krijuar mundësi konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve në nevojë.
Institucioni komunal ka theksuar se mbetet i përkushtuar të jetë pranë kategorive më të ndjeshme shoqërore në Gjakovë, ndërsa bashkëpunimi i vazhdueshëm me Shoqatën Humanitare “Bereqeti” vlerësohet si tejet i rëndësishëm.
Shoqata “Bereqeti” njihet për angazhimin e saj gjatë gjithë vitit në misionin humanitar, duke ofruar ndihmë për familjet në nevojë, ndërsa Komuna ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe bashkëpunimin e deritanishëm. /Telegrafi/