Riho Terras, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën, ka komentuar rezultatet e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare, duke theksuar se ato mund të vendosin pikën përfundimtare mbi bllokadën politike që ka kushtuar vendit miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian.
“Rezultati i zgjedhjeve të Kosovës duhet të përfundojë më në fund bllokadën politike që i ka kushtuar vendit miliona euro fonde të BE-së”, ka shkruar Terras në një postim në rrjetin social X, raporton Telegrafi.
Ai gjithashtu nënvizoi përgjegjësinë e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se: “Kryeministri Albin Kurti tani ka një mandat të qartë dhe përgjegjësinë për të qeverisur në mënyrë më pragmatike”.
Raporti i Terras vjen në një moment kur Kosova shpreson për formimin e shpejtë të Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, që i japin mundësi vendit të rifillojë projektet dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/
Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, e udhëhequr nga Nenad Rashiq, ka falënderuar qytetarët për besimin e dhënë gjatë Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare.
Në një komunikatë për media, partia bëri të ditur se me mbështetjen e qytetarëve, që është shprehur përmes 4,600 votash të fituara, ajo rikthehet sërish si subjekt parlamentar.
Sipas partisë, ky rezultat është një konfirmim i fortë se zëri i qytetarëve nuk mund të heshtë.
“Mbështetja juaj është fuqia që na obligon të vazhdojmë luftën për liri, drejtësi dhe mbijetesën e popullit tonë. Ju keni treguar se besoni në politikën e përgjegjësisë, dinjitetit dhe qëndrueshmërisë, dhe për këtë ju falënderoj sinqerisht”, theksohet në njoftim.
Partia shtoi se do të vazhdojë të përfaqësojë qytetarët në institucionet e vendit dhe të përkthejë këtë besim në rezultate konkrete.
“Ne e shohim këtë besim si një nder të madh, por edhe si obligim për të qenë më të fuqishëm, më prezent dhe më të përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh lidhur me zhvillimet gjatë procesit të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare, ku janë evidentuar disa shkelje të ligjit lidhur me fshehtësinë dhe integritetin e votës.
Në Drenas, rreth orës 14:30, është raportuar se një i dyshuar mashkull kosovar ka kryer veprën e cenimit të fshehtësisë së votimit. Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.
Në Gjilan, një rast pengimi i procesit zgjedhor dhe cenimi i fshehtësisë së votimit u regjistrua rreth orës 11:08, raporton.
I dyshuari mashkull, pasi e kishte plotësuar fletëvotimin, e ekspozoi atë para se ta depozitonte në kutinë e votimit. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Ranillug, gjatë datave 26-27 dhjetor, një e dyshuar femër kosovare u arrestua për dyshimin se kishte ushtruar ndikim mbi votuesit e partive të tjera. Pas marrjes në pyetje, ajo u lirua po ashtu në procedurë të rregullt.
Policia ka raportuar gjithashtu disa incidente të asgjësimit të dokumenteve të votimit. Në Shtime, rreth orës 16:25, një i dyshuar mashkull gris fletëvotimin e tij dhe të një votueseje tjetër. Rasti po trajtohet në përputhje me urdhër të prokurorit.
Në Prizren dhe Suharekë janë regjistruar ngjarje të ngjashme: një i dyshuar gris fletëvotimin, ndërsa një tjetër fotografoi votën e tij dhe e publikoi në rrjetet sociale; të dy rastet janë në procedurë të rregullt.
Një incident tjetër u regjistrua në Pejë rreth orës 20:00, ku u raportua se një fletëvotim kishte vulën e ndryshme nga fletëvotimet e tjera të KQZ-së.
Rasti, i cili ka përfshirë falsifikim të mundshëm të rezultateve të votimit, është nën hetim nga prokuroria, ndërsa fletëvotimi është sekuestruar. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se objekti i Komunës do të pajiset përfundimisht me ashensor, duke krijuar kushte më të mira të qasjes për personat me nevoja të veçanta.
Përmes një njoftimi publik, Peci theksoi se instalimi i ashensorit do të mundësojë lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët që kanë vështirësi në qasje, duke e bërë institucionin komunal më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë.
Ky projekt, sipas tij, është pjesë e angazhimit të Komunës së Mitrovicës për përmirësimin e infrastrukturës publike dhe respektimin e standardeve të qasjes universale.
“Nuk ndalemi”, ka shkruar kryetari Peci, duke sinjalizuar vazhdimin e investimeve dhe projekteve që synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/
Lëvizja Vetëvendosje është fituese e Zgjedhjet të Jashtëzakonshme Parlamentare të 28 dhjetorit 2025, duke arritur të marrë 49,30 për qind apo 429, 979 vota, kur janë numëruar 99,26 për qind e kutive, përjashtuar këtu votat e diasporës, ato me kushte dhe me asistencë.
Në këtë situatë, VV me partnerët e saj e ka të hapur rrugën për të formuar qeverinë, e cila nuk ishte e mundur nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku vendi u fut në një bllokadë mbi nëntëmujore.
Por, si ndahen ulëset në Kuvendin e Kosovës në situatën aktuale?
Sipas projeksioneve të mandateve, Lëvizja Vetëvendosje, me 49,30 për qind të votave të fituara, pritet të ketë 56 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Bazuar në shpërndarjen e mandateve sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës, me 21,01 për qind të votave, siguron 23 ulëse parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet me 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës arrin të sigurojë 6 mandate.
Në raport me zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025, Vetëvendosje shënon rritje prej tetë ulësesh, nga 48 që kishte në përbërjen e kaluar të Kuvendit. Në anën tjetër, PDK-ja regjistron humbje të një mandati, ndërsa LDK-ja pëson rënie më të madhe, duke humbur pesë ulëse nga 20 sa kishte më parë. AAK-ja, e cila në zgjedhjet e kaluara ishte në koalicion me Nismën, kishte siguruar gjithsej 8 mandate.
Përveç mandateve të partive parlamentare, 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera.
Për konstituimin e Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe më pas formimin e Qeverisë, kërkohet mbështetja e së paku 61 deputetëve.
Vlen të cekte se në prill të vitit 2026, Kosova do të ketë edhe zgjedhjen e presidentit/es, andaj Lëvizja Vetëvendosje do të shpresoj që nuk do të ketë bllokadë për zgjedhjen e të parit të vendit.
Formula D’Hondt është një metodë matematikore për shpërndarjen e mandateve në zgjedhje parlamentare ose lokale, e përdorur në shumë vende, përfshirë edhe Kosovën. Ajo synon që numri i ulëseve në Kuvend t’u ndahet partive në përpjesëtim me numrin e votave të fituara.
Lëvizja Vetëvendosje ka fituar sërish Zgjedhjet Parlamentare, pas atyre të 9 shkurtit të këtij viti, ku nuk u arrit krijimi i qeverisë, ndonëse u votua kryeparlamentari.
VV po shkon drejt një momenti historik si parti, duke vendosur një rekord të ri në zgjedhjet e mbajtura në Kosovë.
Partia e drejtuar nga Albin Kurtit, kur janë numëruar 99,26 për qind sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, ka marrë plotë 429,979 vota, përkthyer në përqindje 49.30.
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka mbajtur në konferencë për media për daljen e votuesve deri në ora 15:00.
Ai po ashtu bëri të ditur se probleme me energji elektrike po vazhdon të ketë, por që ka intervenuar KEDS-i.
“Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së nga qendrat e ndryshme të votimit jemi duke pranuar se si është duke shkuar procesi zgjedhor”, tha Radoniqi.
“Sipas këtij raporti, u bë e ditur se kishte mungesë të energjisë në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës dhe dy qendra të tjera në Obiliq dhe Novobërdë”.
“Për të gjitha këto raste është informuar KEDS-i dhe intervenimi ka qenë në kohë rekorde”.
“Nga të dhënat preliminare që kemi marrë nga 96 për qind e qendrave të votimit, dalja është 28.65 për qind”.
“Sipas të dhënave nga Zgjedhjet Parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, dalja ishte 28.32 për qind”, shtoi kreu i KQZ-së. /Telegrafi/
Qytetarët e Kosovës u janë drejtuar për herë të katërt kutive të votimit, pasi aktualisht janë duke votuar për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Më 9 shkurt, asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte shumicën, duke bërë që vendi të futej në një bllokadë mbi nëntë muaj.
Kur jemi tek Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ofruar shifrat se sa qytetarë kanë votuar.
Deri në ora 15:00, 28.70 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar, raporton Telegrafi.
Por, cilat komuna po prijnë me daljen më të madhe deri më tani.
Zveçani është komuna që prinë me daljen me të madhe, pasi 46.11 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar.
Më pas është Ranillugu, ku 43.78 për qind e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, e më pas është Novobërda, me 40.70%.
Mamusha është e katërta me daljen më të madhe votuesve, pasi kanë votuar 39.31 për qind, derisa në Shtërpcë kanë votuar 37.05 për qind. /Telegrafi/
Kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Antiç, është shoqëruar sot në Policinë e Kosovës për t’u intervistuar, nën dyshimet se ka ushtruar ndikim dhe presion ndaj votuesve gjatë procesit zgjedhor.
Burime të Telegrafit bëjnë të ditur se Antiç po merret në pyetje nga Prokuroria për ndërhyrje në vullnetin e lirë të qytetarëve.
Sipas të njëjtave burime, rasti lidhet me pretendime se kryetarja komunale ka vepruar në kuadër të një skeme të organizuar, e cila synonte orientimin e votës në favor të Listës Serbe, përmes formave të detyrimit dhe shantazhit.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë edhe me zyrën për informim në Policinë e Kosovës për rajonin e Gjilanit, mirëpo deri në kohën kur është publikuar lajmi nuk ka marrë informatë. /Telegrafi/
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Dimal Basha, ka shfrytëzuar sot të drejtën e votës në kuadër të Zgjedhjeve Parlamentare, duke votuar në shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj.
Pas votimit, kryeparlamentari Basha e cilësoi ditën e zgjedhjeve si festë të demokracisë, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në procesin zgjedhor.
Ai falënderoi të gjithë akterët institucionalë për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit.
“Zgjedhjet janë ditë feste për demokracinë, ku qytetarët e shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Falënderoj të gjithë akterët për organizimin e procesit zgjedhor dhe bëj thirrje për një pjesëmarrje sa më të lartë, që së bashku të vendosim për të ardhmen tonë”, ka deklaruar Basha. /Telegrafi/
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në Zgjedhjet Parlamentare, duke theksuar rëndësinë e votës për të ardhmen e vendit.
Pas përfundimit të votimit të tij, Limaj deklaroi se dita e sotme përfaqëson një moment kyç për forcimin e institucioneve dhe funksionalitetin e shtetit.
Ai vlerësoi se vendimi i qytetarëve nëpërmjet votës është përcaktues për drejtimin zhvillimor të Kosovës.
“Sot, secili qytetar ka mundësinë që përmes votës së lirë t’i japë shpresë dhe perspektivë zhvillimit të shtetit të Kosovës”, u shpreh Limaj.
Deri në ora 13:00, 11.07 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar. /Telegrafi/
Qytetarët e Kosovës u janë drejtuar për herë të katërt kutive të votimit, pasi aktualisht janë duke votuar për Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Më 9 shkurt, asnjëra nga partitë nuk arriti të krijonte shumicën, duke bërë që vendi të futej në një bllokadë mbi nëntë muaj.
Kur jemi tek Zgjedhjet e Jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror Zgjedhor ka ofruar shifrat se sa qytetarë kanë votuar.
Deri në ora 13:00, 11.07 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar, raporton Telegrafi.
Por, cilat komuna po prijnë me daljen më të madhe deri më tani.
Ranillugu është komuna që prinë me daljen me të madhe, pasi 33.28 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar.
Më pas është Shtërpca, ku 23,46 për qind e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, e më pas është Novobërda, me 20.89%.
Gjilani është i katërti me daljen më të madhe votuesve, pasi kanë votuar 15.93 për qind, derisa në Lipjani kanë votuar 15.48 për qind. /Telegrafi/
Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është në gatishmëri të plotë operative, duke vënë në funksion të gjitha kapacitetet e disponueshme prodhuese për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike për qytetarët, në kushtet e rënies së temperaturave dhe rritjes së konsumit.
Sipas njoftimit zyrtar të KEK-ut, që nga data 19 dhjetor 2025, korporata ka rritur angazhimin operacional në nivel maksimal, duke operuar aktualisht me pesë njësi gjeneruese.
Si rezultat i këtij angazhimi, prodhimi ditor i energjisë elektrike po arrin rreth 20,640 MWh, duke kontribuar ndjeshëm në stabilitetin e furnizimit dhe në qëndrueshmërinë e sistemit elektroenergjetik të Republikës së Kosovës.
KEK sqaron se në kushte normale operimi, zakonisht funksionon me katër njësi gjeneruese, ndërsa një njësi mbahet si rezervë e nxehtë për nevoja teknike dhe mirëmbajtje periodike.
Megjithatë, pavarësisht moshës së avancuar të stabilimenteve, falë angazhimit të vazhdueshëm të stafit teknik dhe përkushtimit të menaxhmentit, është bërë e mundur operimi paralel me pesë njësi, me përjashtim të dy ndërhyrjeve të shkurtra teknike në një nga njësitë.
Nga KEK theksojnë se korporata mbetet e përkushtuar që të mbajë në operim sa më shumë kapacitete prodhuese që është e mundur, gjithmonë duke respektuar standardet e sigurisë teknike dhe stabilitetit operacional.
“Qëllimi ynë kryesor është garantimi i një prodhimi të qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe siguria energjetike e qytetarëve, veçanërisht në periudhat me kërkesë të rritur”, thuhet në njoftimin e KEK-ut. /Telegrafi/
Kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur se sa është numri i qytetarëve që kanë votuar deri në ora 11:00.
Sipas Radoniqit, 8.27 për qind e qytetarëve kanë votuar deri në ora 11:00, derisa ka pasur ankesa për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë komuna.
“Procesi i votimit në të gjitha komunat është duke u zhvilluar në mënyrë të rregullt, dhe deri më tani kur flasim, nuk ka pasur ndonjë incident të raportuar”, tha Radoniqi, raporton Telegrafi.
“Çdo informacion që kemi, jemi duke e pranuar me seriozitet të plotë dhe në bazë ligjore”.
“Sipas raportit të orës 11:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar për ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë qendra të votimit që i takojnë gjashtë komunave si: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Gjilan dhe Graçanicë”.
“Komisionet kanë njoftuar KEDS-in në lidhje më këtë situatë. Në Rahovec, po ashtu kemi marr raportimet se në disa fletëvotime janë vërejtur shenja të dukshme në numra, kjo ka shkaktuar ankesa në radhët e këshillave të vendvotimit”.
“Deri në ora 11:00, 8.27 për qind e qytetarëve kanë votuar. Deri në të njëjtën kohë të Zgjedhjeve Parlamentrae të mbajtur më 9 shkurt, numri i qytetarëve që kanë votuar është 8.58 për qind”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është drejtuar qytetarëve që të dalin të votojnë në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme Parlamentare.
Ai ka thënë se qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet dhe për të ardhmen euroatlantike.
“Është një ditë e mirë, ditë e mbarë dhe shpresoj që gjithçka të shkoj mirë”, tha Abdixhiku.
“Uroj që qytetarët të votojnë për zhvillim, stabilitet, për të ardhme euroatlantike dhe të largohen nga zymtësia dhe bllokada që na ka shoqëruar në këto vite”.
“Le të fitojë populli i Kosovës, siç di të fitojë në ditën e zgjedhjeve”, shtoi më tej ai. /Telegrafi/
Dy qytetarë kanë raportuar në polici një rast të dyshuar të cenimit të përcaktimit të lirë të votuesve dhe kanosjes, që ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në Mitrovicë të Veriut.
Sipas informatave zyrtare, ankuesit kanë deklaruar se në intervalin kohor nga ora 18:55 deri në ora 18:59 të datës 27.12.2025 janë përballur me ushtrim presioni ndaj tyre, në lidhje me Zgjedhjet Parlamentare.
"Dy ankues kanë raportuar në lidhje me ushtrimin e presionit ndaj tyre për Zgjedhjet Parlamentare", thuhet në raportin e Policisë, përcjell Telegrafi.
Lidhur me rastin, autoritetet kompetente kanë njoftuar prokurorin e shtetit, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar rrethanat dhe për të identifikuar personat e përfshirë.
Policia ka bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për trajtimin e rastit dhe garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës. /Telegrafi/
Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar të shtunën rreth orës 18:05 në Ferizaj, ku persona të panjohur kanë depërtuar në një shtëpi banimi dhe kanë vjedhur armë, stoli ari dhe para të gatshme.
Sipas informatave të para, nga shtëpia janë marrë një armë e gjatë, një armë gjuetie, një sasi stoli ari si dhe para kesh, ndërsa pronarit i është shkaktuar dëm material.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, të cilat kanë nisur procedurat hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.
Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë lidhur me rrethanat e ngjarjes apo vlerën e dëmit të shkaktuar.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që, nëse kanë informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit, t’i raportojnë ato në stacionet policore përkatëse. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i është drejtuar qytetarëve të vendit pasi që ushtroi të drejtën për të votuar.
Kreu i PDK-së ka ftuar qytetarët që të dalin të ushtrojnë të drejtën e tyre, për të përcaktuar se kush do të udhëheq me vendin në katër vitet e ardhshme.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të votojnë sipas vullnetit të tyre dhe besoj që do të jetë një ditë e mirë”, tha Hamza.
“Pres që të jetë një rezultat i mirë dhe deri më tani është duke shkuar gjithçka mirë”.
Hamza u pyet nëse ka dëgjuar për ndonjë parregullsi: “Jo, deri më tani nuk ka dëgjuar për ndonjë incident dhe shpresoj që të shkojë mirë”. /Telegrafi/
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka vlerësuar lartë përgatitjen dhe profesionalizmin e institucioneve përgjegjëse për organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë.
Në një postim të publikuar në Facebook, Hargreaves bëri të ditur se gjatë mëngjesit ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku nga afër është informuar për ecurinë e procesit dhe gatishmërinë institucionale.
“Një tjetër proces zgjedhor është duke u zhvilluar. Vizita ime sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve theksoi profesionalizmin dhe përgatitjen e stafit të KQZ-së, këshilltarëve, policisë dhe prokurorëve, të gjithë të gatshëm që dita e sotme të shkojë mbarë”, ka shkruar ambasadori britanik, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se në mbarë vendin janë të angazhuar shumë persona për mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar procesin si një përpjekje të gjerë institucionale dhe qytetare.
“Ka kaq shumë njerëz të përfshirë në të gjithë vendin. I uroj Kosovës një tjetër demonstrim të suksesshëm të demokracisë”, përfundoi Hargreaves.
Procesi zgjedhor në Kosovë po përcillet edhe nga përfaqësues të misioneve diplomatike dhe vëzhgues ndërkombëtarë, të cilët kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe transparente për forcimin e demokracisë në vend. /Telegrafi/