Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 29 January 2026Main stream

KQZ diskutime për forcimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore

29 January 2026 at 22:30

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Kryekomisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, së bashku me organizatën “Qëndresa Qytetare” zhvilluan një seminar për përmirësimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore dhe të hetimit administrativ.

Celibashi bën me dije se në këtë aktivitet morën pjesë anëtarë të organeve drejtuese të KQZ dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që veprojnë në fushën e zgjedhjeve.

Takimi u shfrytëzua si një platformë e strukturuar për diskutim dhe shkëmbim përvojash.

Sipas Celibashit, qëllimi kryesor i takimit ishte identifikimi i vështirësive të zbuluara në zgjedhjet e kaluara dhe prezantimi i propozimeve konkrete për forcimin e monitorimit të fushatave zgjedhore dhe të procesit të hetimit administrativ.

Gjatë punimeve u diskutuan tema të rëndësishme, si rekrutimi, trajnimi dhe certifikimi i monitoruesve të KQZ-së, metodologjia e monitorimit të fushatës zgjedhore, krijimi i një sistemi të aksesueshëm për gjurmueshmërinë e ankesave, rregullat e sjelljes gjatë periudhës zgjedhore dhe masat për parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike.

“Përmirësimi i këtyre mekanizmave synon ta bëjë monitorimin e procesit zgjedhor më efektiv, transparent dhe parandalues, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe integritetit të zgjedhjeve. Të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet e paraqitura nga “Qendresa Qytetare” dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile do të merren parasysh nga KQZ gjatë rishikimeve të kuadrit ligjor për zgjedhjet e ardhshme”, tha Celibashi.


/e.i/r.e/a.f/

The post KQZ diskutime për forcimin e mekanizmave të monitorimit të fushatave zgjedhore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Reforma territoriale duhet të bazohet te cilësia e shërbimeve për qytetarët

29 January 2026 at 22:14

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale, Arbjan Manziku u shpreh sot se procesi i reformës territoriale duhet të bazohet te parimet dhe cilësia e shërbimeve ndaj qytetarëve, dhe jo te hartat apo numrat.

I ftuar në një studio televizive, Manziku theksoi se reforma nuk ka ende një plan konkret, por është në fazë procesi.

Sipas tij, është me rëndësi konsultimi me qytetarët, veçanërisht ata të Paskuqanit, për një bashkim të mundshëm me bashkinë e Tiranës.

Ai kujtoi se reforma e vitit 2014 ishte një ndryshim epokal, por ende ka nevojë për përmirësime të mëtejshme.

“Ka pasur një tjetër komisioni para 4-5 vjetësh. Unë jam një nga njerëzit që jam pyetur në komision dhe kam dhënë mendim, dhe unë thashë që Kamza, Paskuqani dhe Vora të jenë pjesë e bashkisë së Tiranës. Në këtë rast është e rëndësishme të krijojmë reforma të qenësishme. Nuk kemi një plan, ne kemi një proces. Nuk kam një projektide as për numrat dhe hartat, unë e kam për parimet dhe reformat”, shtoi ai.

Mazniku theksoi se “kjo është një çështje që duhen pyetur më mirë qytetarët e Paskuqanit, nëse duan të bashkohen me Tiranën apo jo”.

“Të mbështetemi te parimi se sa mundësi kemi që t’u ofrojmë shërbime qytetarëve, qoftë në Paskuqan e zona të tjera. Rëndësi ka shërbimi sa më afër qytetarit. Reforma e 2014-ës është një ndryshim epokal, por ka akoma nevojë për ndryshime”, tha Mazniku.

/a.f/r.e/

The post Mazniku: Reforma territoriale duhet të bazohet te cilësia e shërbimeve për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Substanca toksike tek qumështi për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu

29 January 2026 at 22:12

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Qumështi për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA” është duke u hequr nga tregu, pas vendimit të marrë nga Agjencia e Kontrollit të Ushqimit (AKU).

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik se gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në qumështin formulë për foshnjat. Të dhënat e produktit:

AKU njofton se emri i produktit është APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED dhe data e skadencës është 10/11/2026.

Sipas njoftimit të AKU-së, trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

/e.i/r.e/a.f/

The post Substanca toksike tek qumështi për foshnja, AKU tërheq produktin nga tregu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Spaces in Dialogue”, 22 vite projekte arkitekturore në një ekspozitë

29 January 2026 at 20:54

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) është çelur ekspozita “Spaces in Dialogue”, një ekspozitë që sjell në vëmendje hapësirat, arkitekturën, kujtesën dhe përjetimin njerëzor.

Në çeljen e ekspozitës, i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se “Spaces in Dialogue” është një udhëtim në 22 vite projekte (2003–2025), të sjella si një arkiv i përbashkët.

Rama tha se “projektet konkurruese dhe fituese janë të integruara në skulpturën e sallës, ndërsa botimet origjinale mund të shihen në hapësirën tjetër”.

Sipas Ramës, ekspozita frymëzohet nga vepra e artistit konceptual gjerman Thomas Demand, që eksploron kujtesën kolektive përmes hapësirave dhe momenteve të rikrijuara.

Ekspozita “Spaces in Dialogue”, përcjellë te vizitorët një arkiv që nuk qëndron i heshtur, por ndërtohet, diskutohet dhe riformësohet.

Nëpërmjet tullave, mermerëve dhe dokumenteve arkitekturore, COD sjell në këtë ekspozitë 22 vite konkurse arkitekturore që kanë lindur nga dialogu dhe përgjegjësia kolektive.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 11 shkurt.

/e.i/r.e/a.f/

The post “Spaces in Dialogue”, 22 vite projekte arkitekturore në një ekspozitë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën

29 January 2026 at 20:48

TIRANË, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, Arbian Mazniku deklaroi sot se muaji korrik është afati i fundit për miratimin e reformës territoriale, ndaj nëse opozita nuk do të vijë në komision deri në 2 shkurt, do të ndryshohet formula e komisionit.

Gjatë një interviste në për “Abcnews”, Mazniku u shpreh se mazhoranca ka qenë në mënyrë sistemike jo vetëm e gatshme, por edhe me një plan shumë të ngjeshur pune drejt krijimit të reformës.

Për shkak të mungesës së opozitës në komision, Mazniku u shpreh se janë humbur dy muaj shumë të rëndësishëm.

Sipas tij në vitin 2027 janë zgjedhjet e ardhshme vendore dhe reforma territoriale, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të mbyllet një vit para zgjedhjeve.

Mazniku sqaroi se kjo bëhet për t’i lënë kohë forcave politike dhe publikut për t’u mësuar me ndarjen e re territoriale.

Manziku theksoi se korriku i këtij viti është afati i fundit për të mbyllur reformën territoriale, në mënyrë që t’i jepet kohë njerëzve dhe bashkive të bëhen gati për sistemin e ri.

“Aktualisht kemi dy muaj vonesë. Ndërkohë duhet kuptuar se reforma territoriale lidhet me bashkitë dhe është jetike për të përfituar fonde nga BE për t’u fuqizuar dhe arritur nivelet e BE-së”, u shpreh Mazniku.

Edhe pse PS ka numrin e nevojshëm të votave në Kuvend për ta miratuar reformën, Mazniku theksoi se do të ishte ideale që kjo të bëhej me konsensus tërësor politik, pra me dakordësi totale prej 40 votash.

“Duhet të kemi mekanizmin e mirë për t’i ofruar shërbime njerëzve. Ne ramë dakord për barazi në komision dhe për bashkëkryesim me opozitën. Por opozita nuk ka ardhur në mbledhje dhe ne kemi humbur 2 muaj shumë të rëndësishëm me agjendë të ngjeshur pune”, tha Mazniku.

Në rast se opozita nuk do të paraqitet në komision ditën e hënë (2 shkurt), Mazniku theksoi se PS ka firmosur kërkesën për Kuvendin që të bëhet ndryshimi i formulës së përfaqësimit (9 me 8).

“Njëlloj si në komisionet e tjera parlamentare bashkëkryesia do të kalojë në pozicionin e nënkryetarit dhe do të futemi në proces pune. Opozita do të ketë vendin e saj në komision. Numri i tyre nuk preket, vendet e tyre nuk preken. Janë të mirëpritur të jenë pjesë e dëgjesave që do të zhvillohen në terren por procesi nuk ndalet, sepse ne jemi bllokuar pa filluar akoma”, tha Mazniku.

/a.f/r.e/

The post Reforma territoriale, Mazniku: Do ta mbyllim në korrik, opozitën e presim deri të hënën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Protesta e shoferëve të kamionëve, zhbllokohet pika kufitare e Qafë Thanës

29 January 2026 at 20:24

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i pikës kufitare të Qafë Thanës dhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë bën me dije se autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se protesta e nisur që prej datës 26.01.2026, nga shoferët e kamionëve, do të pezullohet sot më datë 29.01.2026 dhe në orën 20:00, në të gjitha pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut do të fillojë qarkullimi normal i kamionëve.

Bllokada u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim të sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.

Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili do të lëshojë viza për transportuesit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Protesta e shoferëve të kamionëve, zhbllokohet pika kufitare e Qafë Thanës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manjani: Prodhuesit shqiptarë të rrisin përdorimin e inovacionit

29 January 2026 at 19:03

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) organizoi ditën e sotme një aktivitet në kuadër të prezantimit të platformës ExportON 2026.

Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, e pranishme në këtë tryezë, theksoi nevojën që prodhuesit shqiptarë të kalojnë në një nivel më të avancuar, përmes zinxhirëve të prodhimit me cikël të mbyllur, rritjes së përdorimit të inovacionit dhe forcimit të infrastrukturës së cilësisë sipas standardeve të BE-së.

Në aktivitetin e organizuar nga AIDA u mblodhën përfaqësues të institucioneve qendrore, autoriteteve rregullatore, sistemit financiar, organizatave të biznesit dhe sipërmarrjeve prodhuese e eksportuese, duke krijuar një platformë gjithëpërfshirëse dialogu mbi sfidat dhe perspektivat e sektorit.

Nga ana e qeverisë dhe institucioneve qendrore morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë, si dhe drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave dhe Metrologjisë, të cilët adresuan çështje fiskale, doganore, monetare dhe të infrastrukturës së cilësisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në prodhim dhe eksport.

Në tryezë kontribuuan gjithashtu Këshilli Ekonomik Kombëtar, Pro Export Albania, përfaqësues të industrisë së çimentos, industrisë së plastikës, si dhe shoqata të tjera të sektorëve të manifakturës, duke sjellë problematika konkrete dhe propozime për politika mbështetëse.

Gjatë diskutimeve u identifikuan sfida kryesore si mungesa e fuqisë punëtore, kostot e certifikimeve dhe teknologjisë, çmimet e energjisë dhe sfidat mjedisore.

/e.i/a.f/

The post Manjani: Prodhuesit shqiptarë të rrisin përdorimin e inovacionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend

29 January 2026 at 22:13

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, zhvilluan sot një takim me Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.

Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që sipas tyre, “po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike”.

Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte bllokimi i shqyrtimit të mandatit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Sipas deputetëve të PD-së, kjo çështje po mbahet peng në Këshillin e Mandateve përmes votave të shumicës socialiste, duke penguar rolin kushtetues të Kuvendit dhe duke ndërhyrë në proceset e pavarura të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.

Gjithashtu, deputetët raportuan për “mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë”. Sipas tyre, “ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë”.

Në këtë kontekst, përfaqësuesit e PD-së nënvizuan degradimin e rolit të Kuvendit, i cili sipas tyre po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder u informua në mënyrë të detajuar mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit europian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.

Ne emër të Partisë Demokratike, deputetët konfirmuan angazhimin për mbrojtjen e demokracisë, funksionimin e institucioneve dhe respektimin e shtetit të së drejtës, si parakushte themelore për rrugën europiane të Shqipërisë.

/m.m/r.e/a.f/

The post Përfaqësuesit e PD-së takim me Schieder: Po mbyllen hapësirat e opozitës në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla takon Raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Schieder

29 January 2026 at 18:44

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u takua sot në Kuvend me Raportuesin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Gjatë takimit u diskutua mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe përgatitjen e raportit vjetor për vendin tonë, i cili, pas miratimit në Komitetin e Politikës së Jashtme (AFET), do të votohet në seancën plenare të Parlamentit Europian.

Raportuesi Andreas Schieder, i cili po përgatit raportin vjetor për Shqipërinë, vlerësoi në debatin e fundit në Parlamentin Europian se Shqipëria mund të konsiderohet “favoriti kryesor” mes vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Takimi u zhvillua në kuadër të dialogut të vazhdueshëm institucional mes autoriteteve shqiptare dhe përfaqësuesve të Bashkimit Europian për avancimin e mëtejshëm të procesit të integrimit.

/m.m/a.f/

The post Balla takon Raportuesin e PE-së për Shqipërinë, Schieder appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpallen studiot fituese për Shtëpinë e Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore

29 January 2026 at 22:15


TIRANE, 29 janar/ATSH-Maela Marini/ Dy studio arkitekturore ndërkombëtare u shpallën sot fituese të Konkursit Ndërkombëtar për Shtëpinë e re të Fëmijëve dhe Kompleksin e ri të Inspektorateve Shtetërore.

Juria ndërkombëtare e cila vlerësoi projektet e paraqitura në këtë konkurs vlerësoi se edhe pse secili prej projekteve kishte tipare shumë të mira arkitekturore, asnjë prej projekteve nuk ishin plotësisht të suksesshme në trajtimin e të dyja komponentëve.

Ndaj juria vendosi të shpallë fitues studion “Taller Hector Barroso” për projektin e kampusit të fëmijëve dhe studion “Rojkind Arquitevtos S.C” për kullat shumëfunksionëshe.

Juria vendosi që dy projektet të zhvillohen nën bashkërendimin e një zhvilluesi të vetëm, ndërsa hartoi edhe një grup rekomandimesh drejt fazës zbatuese.

Projektet fituese u përzgjodhën mes propozimeve me vlera të spikatura arkitekturore, urbane dhe mbi të gjitha sociale.

/r.e/a.f/

The post Shpallen studiot fituese për Shtëpinë e Fëmijëve dhe Kompleksin e Inspektorateve Shtetërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale

29 January 2026 at 18:08

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari thirri sot një konferencë të nivelit të lartë me temë “E drejta për liri dhe siguri personale – nga Strasburgu te zbatimi në nivel kombëtar”, me fokus të veçantë adresimin e problemit të paraburgimit.

Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe Gianluca Esposito, drejtor i përgjithshëm për të Drejtat e Njeriut dhe Sundimin e Ligjit, Këshilli i Evropës, si dhe Nicola Lettieri, zëvendësprokuror i përgjithshëm në Gjykatën e Lartë të Kasacionit të Italisë dhe Theo Byl – gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Antwerp në Belgjikë. Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë tha se çështja e paraburgimit përbën një nga sfidat më të ndjeshme dhe më domethënëse për vendin tonë.

“Të dhënat flasin qartë: përdorimi i tepruar i masës së paraburgimit nuk është vetëm një problem statistikor, por një problem thelbësor i të drejtave të njeriut, i prezumimit të pafajësisë dhe i proporcionalitetit të ndërhyrjes së shtetit. Për fat të keq, Shqipëria vazhdon të mbajë një nga përqindjet më të larta të paraburgimit në Europë. Aktualisht, rreth 58% e personave në institucionet penitenciare janë të paraburgosur dhe kohëzgjatja mesatare e qëndrimit të tyre në paraburgim llogaritet në 253 ditë, krahasuar me 155 ditë në vendet evropiane, apo 63% më e lartë! Pra, mbi gjysma e personave që ndodhen në burgjet tona janë ende pa një vendim të formës së prerë, për më tepër, për një kohë shumë herë më të gjatë se ajo e zbatueshme në vendet e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në Bashkimin Evropian mesatarisht vetëm 1 në çdo 5 persona në sistemin penitenciar është i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.

Në vijim, ministri i Drejtësisë u shpreh se Shqipëria, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duhet të ndahet njëherë e mirë nga mendësia dhe politika e ashpër penale, e trashëguar nga e shkuara dhe të afrohet me atë të familjes në të cilën synojmë të aderojmë së shpejti.

“Tema e kësaj konference na fton të bëjmë pikërisht këtë, dhe koha më e mirë është tani: Kodi i Ri Penal do duhet të reflektojë marzhet e dënimit të zbatueshme në Bashkimin Evropian për të njëjtat vepra penale; Kodi i Procedurës Penale, do duhet ndryshuar për të garantuar qartë dhe pa ekuivok të njëjtat garanci procedurale për lirinë dhe sigurinë e personit, sipas standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, deklaroi Ministri i Drejtësisë.

Në vijim Lamallari theksoi se bashkëpunimi ynë me Këshillin e Evropës dhe partnerët ndërkombëtarë është thelbësor në këtë rrugë. Jurisprudenca e Strasburgut nuk duhet parë si kritikë nga jashtë, por si udhërrëfyes për përmirësim të brendshëm.

Ndërkohë që dy magjistratët e pranishëm në takim, falë njohjes shumë të mirë të gjendjes në Shqipëri, kanë përgatitur për llogari të Këshillit të Europës dy raporte mjaft të vlefshme, me gjetje dhe rekomandime për Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale në Shqipëri, dokumente të cilat janë vënë në dispozicion të të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim.

/m.q/j.p/r.e/

The post Lamallari: Të ndahemi nga mendësia dhe politika e ashpër penale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Marshim ndërfetar në Elbasan për paqen dhe mjedisin

29 January 2026 at 18:01

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Sheshi para stadiumit “Elbasan Arena” u kthye këtë të enjte në një pikëtakim të institucioneve, komuniteteve fetare, arsimit dhe qytetarëve, në kuadër të aktivitetit ndërgjegjësues “Mjedisi – përgjegjësi e përbashkët për paqen dhe jetën”, organizuar nga Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar (QBNFE).

Marshimi u parapri nga një aktivitet, që u hap nën moderimin e Ilirian Gjonit, anëtar i Bordit të QBNFE, ndërsa fjalën e mbajti dr. Arben Ramkaj, kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar. Në fjalën e tij, dr. Ramkaj theksoi se mjedisi nuk është një çështje e largët, por pjesë e drejtpërdrejtë e jetës së përditshme, duke nënvizuar se nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa një mjedis të shëndetshëm.

“Paqja fillon aty ku njeriu kujdeset për jetën, për shëndetin e tjetrit dhe për të ardhmen e brezave që vijnë,” u shpreh Ramkaj, duke bërë thirrje për bashkëpunim konkret mes institucioneve, komuniteteve fetare dhe qytetarëve.

Në vijim, pjesëmarrësit ndoqën fjalimet e përfaqësuesve të pushtetit vendor dhe qendror, ku u trajtuan politikat mjedisore, zhvillimi i qëndrueshëm dhe roli i qytetarit në mbrojtjen e natyrës. Mes tyre, drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, vlerësoi Elbasanin si një model të bashkëjetesës, tolerancës dhe ndërveprimit mes njerëzve përtej besimit të tyre, duke theksuar se kjo harmoni sociale është një vlerë e jashtëzakonshme që duhet ruajtur dhe forcuar, veçanërisht në kohët e sotme.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja theksoi angazhimin e vazhdueshëm të bashkisë në mbrojtje të mjedisit, përmes shtimit të sipërfaqeve të gjelbra, investimeve në hapësira publike dhe futjes së modeleve të suksesshme të diferencimit të mbetjeve në shkolla. Ai nënvizoi se këto iniciativa synojnë ta bëjnë Elbasanin një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të jetueshëm për qytetarët dhe veçanërisht për fëmijët.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla e cilësoi mjedisin si një prioritet strategjik kombëtar, duke theksuar se toka është pasuri e përbashkët dhe amanet për brezat që vijnë. Ai bëri thirrje për përgjegjësi të përbashkët në ruajtjen e tokës dhe natyrës, si bazë e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies shoqërore.

Ndërkohë, kryetarja e këshillit të qarkut Elbasan, Ermira Urupi e vuri theksin te përgjegjësia morale, personale dhe qytetare për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se respekti për natyrën është një detyrim që u përket të gjithëve dhe që reflektohet drejtpërdrejt në cilësinë e jetës.

Në vijim, drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vesa Llanaj Liço, theksoi se shkollat kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e qytetarit të ri. Ajo nënvizoi se të gjithë së bashku duhet të mblidhemi dhe të veprojmë si një trup i vetëm për të edukuar brezin e ri dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të arsimit dhe edukimit mjedisor, me kontribute nga drejtues të institucioneve arsimore dhe prezantimin simbolik të nxënësve të shkollës “Qamil Guranjaku”, të cilët përcollën mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen e mjedisit dhe formimin e qytetarit të përgjegjshëm.

Marshimi dhe aktiviteti u përshëndetën gjithashtu edhe nga përfaqësues të komuniteteve fetare në qytet, të cilët përcollën mesazhe të përbashkëta për paqen, bashkëjetesën, tolerancën dhe kujdesin ndaj mjedisit si vlerë e përbashkët shoqërore.

Pas fjalimeve, aktiviteti vijoi me një marshim simbolik përgjatë bulevardit “Aqif Pasha”, me ndalesa pranë busteve të figurave të shquara të qytetit. Në këto ndalesa, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të arsimit reflektuan mbi raportin mes besimit, shkencës dhe ruajtjes së ekuilibrave natyrorë, duke përcjellë mesazhe të përbashkëta për kujdesin ndaj “shtëpisë sonë të përbashkët”.

Aktiviteti u mbyll në sheshin “Aqif Pasha” me thirrje për aktivizëm qytetar dhe veprime konkrete në mbrojtje të mjedisit, si dhe me një moment artistik të interpretuar nga Lukë Mllugja. Në përmbyllje, u përcoll urimi për një vit 2026 më të gjelbër, më të shëndetshëm dhe më të qetë për qytetin e Elbasanit.

Nga marshimi ndër fetar në Elbasan
1 nga 5

/e.i/a.f/r.e/

The post Marshim ndërfetar në Elbasan për paqen dhe mjedisin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pret Raportuesin për Shqipërinë në PE: Mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në BE

29 January 2026 at 17:43

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali priti sot në një takim Raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Spiropali bëri të ditur se në takim u diskutua mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit.

“Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian”, bëri të ditur Spiropali.

Në këtë kuadër, Spiropali theksoi se u diskutua edhe mbi perspektivën e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit.

/m.m/a.f/r.e/

The post Spiropali pret Raportuesin për Shqipërinë në PE: Mbështetës i anëtarësimit të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: 140 tekste të arsimit parauniversitar në proces përditësimi, 44 në gjuhë të huaj

29 January 2026 at 17:37

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro njoftoi sot, se 140 tekste të arsimit parauniversitar janë në proces përditësimi, mes tyre 44 janë në gjuhë të huaj.

Në një takim me stafin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar (ASCAP), Kumbaro tha se po bëhet një punë voluminoze, me ekspertët më të mirë, për 140 tekste që po përditësohen për vitin e ardhshëm shkollor, duke përfshirë 44 tekste në gjuhë të huaj, por edhe për tekste krejtësisht të reja si Qytetaria dhe Gjuha Shqipe në klasat I, VI dhe X.

“Kjo agjenci ka në dorë dhe në zemër cilësinë e shkollës, përgatitjen e të gjithë kurrikulave, lëndëve, formimin e fëmijëve tanë, por dhe formimin e mësuesve të fëmijëve tanë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Arsimit, pohoi se pas një periudhe 10-vjeçare ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat e reja në arsimin parauniversitar.

“Janë 140 tekste që do të përditësohen, është një punë që nuk ka orar. Është një punë që bëhet nga ekspertë më të mirë lëndëve dhe kurrikulave në Shqipëri. Sivjet, për herë të parë ne do të bëjmë lëndë të reja, siç është Edukimi Qytetar për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë”, vijoi ajo.

Sipas Kumbaros, do të ketë përditësim edhe në lëndën e gjuhës shqipe dhe lëndët e teknologjisë së informacionit që nga klasa e parë fillore, deri në maturë.

/e.i/a.f/r.e/

The post Kumbaro: 140 tekste të arsimit parauniversitar në proces përditësimi, 44 në gjuhë të huaj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sulmuesi Fadairo firmos me Partizanin

29 January 2026 at 17:24

TIRANË, 29 janar/ATSh/ Partizani përforcon sulmin. Klubi kryeqytetas bën të ditur në një njoftim për mediet se ka nënshkruar me sulmuesin David Fadairo.

25-vjeçari ka firmosur kontratë për një vit e gjysmë, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.

“FK Partizani me kënaqësi zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me David Fadairo. Sulmuesi 25-vjeçar i bashkohet të kuqve pas aventurës gjatë këtij sezoni me Teutën, skuadër me të cilën u aktivizua 20 ndeshje në kampionat dhe Kupë. Fadairo pritet të sjellë më shumë cilësi dhe konkurrencë në repartin ofensiv”, përfundon njoftimi i klubit.

1 nga 5

/r.e/

The post Sulmuesi Fadairo firmos me Partizanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

OSBE mirëpret ndryshimet në Ligjin për Mediet Audiovizive: Rrisin transparencën mbi pronësinë mediatike

29 January 2026 at 18:04

TIRANË, 29 janar /ATSh/ Prezenca e OSBE-ODIHR në Shqipëri mirëpret miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Mediet Audiovizive, veçanërisht futjen e nenit 33/1 mbi transparencën e pronësisë së medieve.

Në një njoftim për mediet, OSBE thekson se “këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të transparencës së pronësisë mediatike dhe forcimit të llogaridhënies në sektorin audioviziv”.

“Këto ndryshime reflektojnë rekomandime kyçe të Prezencës së OSBE-së, të zhvilluara në bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të shkëlqyer me Autoritetin e Mediave Audiovizive”, thuhet në njoftim.

Sipas OSBE-së, krijimi i një databaze kombëtare për pronësinë mediatike, rritja e kërkesave për transparencë dhe përputhja me ligjin për pronarët përfitues e afrojnë legjislacionin shqiptar me standardet evropiane.

Prezenca e OSBE-së, nënvizon se nxit përpjekje të vazhdueshme për të siguruar transparencë dhe zbatim efektiv dhe mbetet e gatshme të mbështesë këto nisma.

/e.i/a.f/r.e/

The post OSBE mirëpret ndryshimet në Ligjin për Mediet Audiovizive: Rrisin transparencën mbi pronësinë mediatike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Bashkëpunim ndërkombëtar për avancimin e bujqësisë digjitale

29 January 2026 at 16:53

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Përparimi i reformave në sektorin agro-ushqimor dhe përafrimi i tyre me standardet e Bashkimit Evropian ishte në fokus të takimit të zhvilluar në Tiranë ndërmjet ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, dhe përfaqësuesve të donatorëve të huaj, Delegacionit të Bashkimit Evropian, Bashkëpunimit Gjerman për Zhvillim dhe Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO).

Gjatë takimit, ministri Salla theksoi rëndësinë e ndërtimit të sistemeve funksionale që synojnë përmirësimin e qeverisjes dhe administrimit në bujqësi, si dhe zbatimin e politikave të orientuara drejt Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) të Bashkimit Evropian.

Ministri vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për avancimin e bujqësisë digjitale, forcimin e shërbimeve këshillimore për fermerët, garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e sistemeve bujqësore të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike.

Nga ana e tyre, donatorët theksuan se synimi kryesor mbetet përkthimi i prioriteteve të reformave në rezultate konkrete për fermerët dhe komunitetet rurale, duke kontribuar në ndërtimin e një sektori agroushqimor modern, efikas dhe të qëndrueshëm.

Ky angazhim vjen në kuadër të mbështetjes së vazhdueshme për zhvillimin rural, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian për integrimin e sektorit bujqësor shqiptar në standardet evropiane.

1 nga 2

/e.xh/r.e/a.f/

The post Salla: Bashkëpunim ndërkombëtar për avancimin e bujqësisë digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Bashkëpunimi me “Bambino Gesù” sjell ekselencë pediatrike në Shqipëri

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala vizitoi sot Spitalin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë i cili do të bashkëpunojë me Spitalin Pediatrik Bambino Gesù (OPBG) në Romë, përmes zhvillimit dhe zbatimit të projektit “Qendra për Zhvillimin e Fëmijës”.

Sala vlerësoi se qeveria shqiptare mirëpret bashkëpunime të tilla edhe me spitale publike, për të sjellë në Shqipëri ekselencat mjekësore në fushën e trajnimit, kujdesit shëndetësor dhe kërkimit shkencor në fushën e pediatrisë.
“Këto bashkëpunime do të reduktojnë nevojën që këta fëmijë të zhvendosen drejt strukturave jashtë vendit”, u shpreh Sala.
Ministrja Sala tha se “ndërtimi i qendrave të ekselencës mjekësore në vendin tonë janë tregues i vëmendjes për një përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë së kujdesit për fëmijët dhe familjet në Shqipëri dhe rajon”.
/k.s/r.e/a.f/

The post Sala: Bashkëpunimi me “Bambino Gesù” sjell ekselencë pediatrike në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSK, mbështetje operacionit për gjetjen e 30-vjeçarit të mbytur në lumin Klos

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Kosovës, është e angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e të riut 30-vjeçar J.K që dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit pas një aksidenti me makinë në lumin Mat në bashkinë Klos në fillim të muajit.

Raportohet se kontingjenti i FSK-së që po ndihmon me rastin është i specializuar për kërkime nënujore.

AKMC informoi sot se në operacion janë angazhuar 10 forca dhe 2 mjete të Forcave të Armatosura, 5 forca dhe 1 mjet të MZSH Klos, si dhe 11 forca speciale të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

Sipas AKMC-së operacioni zhvillohet me koordinim të plotë ndërinstitucional dhe angazhim maksimal në terren.

I riu J.K ka qenë duke udhëtuar me makinë, ku drejtues ishte A.L, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit. /j.p/

 

/k.s/

The post FSK, mbështetje operacionit për gjetjen e 30-vjeçarit të mbytur në lumin Klos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë

29 January 2026 at 15:14

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, së bashku me kryetarin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji, pritën në një takim të veçantë, kryebashkiakun e Kuçovës, Kreshnik Hajdari.

Ministri bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë dhe mënyrat se si mund të pasurohet jeta kulturore e qytetit.

“Projekte interesante u paraqitën edhe për muzeun e ri të qytetit, një hapësirë që do të kontribuojë në rritjen e turizmit dhe do të sjellë më shumë vizitorë vit pas viti”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ky takim vjen pas vendimit se MTKS do të investojë rreth 1.4 milion euro për rijetësimin e kinemave në vend, gjatë vitit 2026.

Synimi është të rikthehet magjia e filmit tek publiku anekënd vendit. Pritet që, 7 salla kinemaje të përfitojnë nga modernizimi i teknologjisë dhe ambienteve, duke krijuar një hapësirë më tërheqëse dhe komode për të gjithë shikuesit që duan të shijojnë artin e filmit.

/j.p/

The post Diskutime mbi rijetësimin e aktivitetit kinematografik në Kuçovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌