SPAK arreston tetë persona për mashtrim kompjuterik, tre në kërkim
TIRANË, 18 janar/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar informoi sot mbi operacionin e zhvilluar dy ditë më parë në kryeqytet për goditjen e Call Center-ave, nga ku telefonoheshin dhe mashtroheshin shtetas italianë, për investime në kriptomonedha të ndryshme.
SPAK bëri të ditur se gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona, si dhe janë ekzekutuar urdhërndalimet për dy të tjerë dhe janë shpallur në kërkim tre persona, ndërkohë që të paktën 28 objekte ku ushtronin veprimtarinë e tyre Call Center-at janë kontrolluar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit.
“Në 9 janar regjistruam procedimin penal për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit Kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Procedimi u regjistrua në Byronë Kombëtare të Hetimit pas paraqitjes së gazetarëve italianë të emisionit investigativ ‘Le Iene’, që transmetohet në Mediaset. Ata kanë dorëzuar materiale të punës së tyre”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Gjatë këtij hulumtumi, SPAK bëri të ditur se është identifikuar një Qendër Thirrjesh (Call Center) që ndodhet në Tiranë, në ndërtesën “Atti Tower”, në rrugën “Ibrahim Rugova”, përballë Katedrales Ortodokse, nga ku, autorët e mirorganizuar dyshohet se kanë mashtruar shtetas italianë dhe europianë për investime në kriptomonedha të ndryshme.
“Investigimi mori shkas nga ankesat e disa shtetasve italianë të mashtruar nga Qendra e Thirrjeve. Gazetarët italianë mundën të infiltrojnë një shtetas italianë, i cili nisi të punojë aty dhe realizoi regjistrimin e të dhënave në ambientet e Qendrës së Thirrjeve. Nga të dhënat rezulton se në këtë veprimtari dyshohet të jenë përfshirë shtetas italianë, rezidentë në Itali dhe të tjerë që jetojnë në Shqipëri, ndërsa transaksionet kryheshin në kriptovaluta, në portofolet e monedhave virtuale të menaxhuara nga drejtuesit e këtij aktiviteti të kundraligjshëm, duke përdorur platforma mashtruese”, vijon njoftimi i SPAK.
Duke iu referuar materialeve video bëhet fjalë për një Qendër Thirrjesh, që ndodhej në katin e 9-të dhe të 13-të të “Atti Tower”. SPAK thekson se nga pamja e përgjithshme, dinamika e komunikimit dhe veprimet e personit që kryen regjistrimin apo edhe personave të tjerë, shihet se është një qendër e mirorganizuar e thirrjeve telefonike, me poste pune të ndara, role të përcaktuara dhe staf që operonte në gjuhën italiane, franceze, spanjolle dhe gjermane.
Pas regjistrimit të këtij procedimi penal, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë nisur menjëherë puna për identifikimin e organizatorëve dhe dokumentimin e aktiviteti kriminal të mashtrimit.
Nga veprimet e para hetimore të BKH-së, rezultoi se organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale kishin ngritur një strukturë të sofistikuar sigurie, me disa perimetra mbrojtës, duke përdorur jo vetëm kamerat filmike statike, por edhe personel civil vëzhgimi, jashtë kësaj qendre.
“Ekzistojnë indicie të qarta se mbrëmjen e datës 15 janar 2026, pas përfundimit të punës, pjesëtarë të këtij personeli vëzhgues, kanë njoftuar pronarët e Qendrës për një ndërhyrje të mundshme. Pas kësaj, në orët e para të mëngjesit të datës 16 janar 2026, janë larguar pajisjet dhe është boshatisur edhe ambienti i Qendrës së Thirrjeve”, thekson SPAK.
Pas ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Posaçme, hetuesit e BKH-së konstatuan në datën 16 janar 2026, boshatisjen e ambientit dhe largimin e pajisjeve dhe personelit. “Falë veprimeve të shpejta dhe të pandërprera hetimore u bë i mundur identifikimi i personave dhe automjeteve të përdorura për largimin e pajisjeve kompjuterike dhe sistemeve nga Call Center-i. Pas gjurmimit të tyre, në një kohë të shkurtër, u realizua kapja në flagrancë e disa shtetasve, të cilët kishin transportuar gjatë natës materiale drejt një ambient tjetër të marrë me qira në “Downtown One”, në bulevardin “Bajram Curri””, vijon më tej njoftimi për shtyp.
Pas kapjes në flagrancë të këtyre shtetasve, hetuesit kanë bërë kontrollin me iniciativë të ambientit në katin e 5-të të godinës, ku është konstatuar një Qendër tjetër Thirrjesh, në ndërtim e sipër. Aty u gjetën pajisje kompjuterike, telefona, harddisqe, laptopë, karta të ndryshme SIM, dokumente, blloqe me shënime. Personat e kapur në flagrancë, po transportonin një kosh mbeturinash, i cili përmbante sende të dyshuara të marra nga Qendra e Thirrjeve në rrugën “Ibrahim Rugova”, të cilat ishin duke i asgjësuar.
Në kushtet e kapjes në flagrancë është kërkuar mbështetja e punonjëve të Policisë të Drejtorisë Vendore Tiranë.
“Shtetasin e arrestuar në flagrancë janë 6 persona me inicialet: R.Gj., D.Q., E.Gj., E.M., R.P., O.K.. Gjithashtu, paralelisht me identifikimin e Qendrës së dytë të thirrjeve, në sajë të veprimeve verifikuese, janë nxjerrë dhe ekzekutuar urdhrat e ndalimit për shtetasit me inicialet; K.K. dhe H.XH., si të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Në ecuri të veprimeve hetimore, SPAK njofton se në datën 17 janar janë lëshuar dhe urdhrat e ndalimit për tre shtetas të tjerë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, të cilët nuk janë gjetur deri në këto momente.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara në 28 ambiente; banesa, automjete, zyra, garazhde, etj, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, qindra pajisje kompjuterike të cilat janë në proces verifikimi, sisteme monitorimi të kamerave, sisteme të rrjetit kompjuterik, pajisje memorizuese, server, dokumente të Qendrës së Thirrjeve, subjektit “Infinite” shpk dhe subjekteve të tjerë në proces verifikimi. Gjithashtu janë sekuestruar edhe automjete të përdorur nga autorët e dyshuar, motomjete si dhe një automjet luksoz i markës “Ferrari”, që dyshohet se i përket organizatorëve të këtij aktiviteti”, thuhet në njoftim.
Prokuroria e Posaçme vijon kryerjen e veprimeve hetimore për inventarizimin e të gjitha pajisjeve kompjuterike, sekuestrimin, analizimin e tyre si dhe identifikimin e të gjithë viktimave të veprës penale, në bashkëpunim me autoritetet e huaja.
Prokuroria e Posaçme falënderon në mënyrë të veçantë edhe stafin e emisionit investigativ italian “Le Iene” të “Mediaset”, falë punës të së cilëve, u bë e mundur inicimi dhe hetimi i këtij rasti të mashtrimit masiv në Qendrën e Thirrjeve në Shqipëri.
Gjithashtu, SPAK u tërheq vëmendjen qytetarëve dhe medias për fenomenin e mashtrimit online përmes Qendrave të Thirrjeve (Call Center) dhe kjo është një veprimtari që do vazhdojë të ndiqet me prioritet edhe në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Nga ana tjetër, një apel u shkon edhe shtetasve që punojnë në këto qendra, për t’u ndërgjegjësuar dhe për t’u mos bërë pjesë e veprimtarive të paligjshme.
/m.m/r.e/
The post SPAK arreston tetë persona për mashtrim kompjuterik, tre në kërkim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.