Korniza e bashkëpunimit me OKB 2027–2031, Balluku: Përqendrohemi në forcimin e kapitalit njerëzor
TIRANË, 15 janar /ATSh/ Në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara, u vlerësua përmbushja e objektivave të kornizës 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.
Zëvëndëskryeministrja njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bëri të ditur se ndërsa 2026 është viti përmbyllës i programit aktual, po përgatitet korniza e re 2027–2031, e cila synon të vazhdojë forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OKB-së.
“Ky bashkëpunim do të përqendrohet në forcimin e kapitalit njerëzor, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, tha Balluku.
Qeveria dhe partnerët e OKB-së theksuan angazhimin për të vijuar punën e përbashkët për një Shqipëri më moderne, më të fortë dhe më afër Bashkimit Europian, duke shfrytëzuar përvojat dhe mësimet e nxjerra nga korniza aktuale të bashkëpunimit.
Ministrja Balluku nënvizoi se rezultatet e arritura deri tani tregojnë një avancim të dukshëm në kapacitetet institucionale, implementimin e politikave sociale dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e projekteve të qëndrueshme që fuqizojnë komunitetet lokale dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, i pranishëm në këtë aktivitet bëri të ditur se përmes konsolidimit fiskal, përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe zgjerimit të hapësirës buxhetore, garantohet që më shumë fonde t’i dedikohen mbrojtjes sociale, mbështetjes së pensioneve, shëndetësisë, arsimit, punësimit dhe zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Malaj po ashtu siguroi për angazhimin për adresimin e prioriteteve edhe në kuadër të agjendës së re 2027-2031, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për proceset integruese drejt Bashkimit Evropian.
/e.xh/j.p/a.f/
The post Korniza e bashkëpunimit me OKB 2027–2031, Balluku: Përqendrohemi në forcimin e kapitalit njerëzor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.