Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së”, ka shkruar Kurti në një postim publik.
Ai ka theksuar se kjo blerje është realizuar gjatë mandatit të tij qeverisës dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së Kosovës.
“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, Panzerfaust 3 është një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, i cili përdoret edhe nga ushtritë e vendeve të NATO-s.
Në fund, kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/
Policia e Kosovës në prag të festave të fundvitit ka bërë apel që festat të kalohen qetë dhe pa përdorim të mjeteve pirotenike.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një mesazh drejtuar qytetarëve bën të ditur se kanë hartuar planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
“Tani jemi në prag të festave të fundvitit. Në emër të Policisë së Kosovës ju urojmë festat e fundvitit, me urimin që ju dhe familjet tuaja të gëzoni shëndet dhe mbarësi në jetë.
Si çdo vit edhe këtë vit, pritet të organizohen manifestime të ndryshme, si në ambiente familjare, në ambiente të hapura, po ashtu edhe në sheshe e lokacione të mbyllura.
Për të kaluar festat sa më qetë dhe pa incidente, Policia e Kosovës ka hartuar me kohë planet policore të cilat parashohin masat dhe shtimin e prezencës policore.
Mirëpo, një kontribut të madh dhe të pamohueshëm në siguri dhe parandalim të incidenteve mund të jepni edhe ju qytetarë të dashur dhe këtë më së miri mund ta bëni duke festuar në mënyrë të qetë e të drejtë, pa përdorim të mjeteve të rrezikshme, e sidomos pa përdorimin e tyre nga fëmijët.
Andaj, të festojmë dhe të kontribuojmë së bashku, që këto festa të kalojnë të qeta dhe pa incidente”.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar një video ku prezanton një nga pesë zotimet e tij kryesore, me fokus të drejtpërdrejtë lehtësimin e barrës për punëtorët dhe familjet e Kosovës.
Në mesazhin e tij, Hamza thekson se rritja e kostos së jetesës dhe e çmimeve po e zvogëlon pagën reale të punëtorëve, duke premtuar reformë të drejtpërdrejtë tatimore si kryeministër.
“E di që kostoja e jetesës është rritur dhe familjet tuaja e ndjejnë këtë barrë çdo muaj. Paga juaj reale zvogëlohet nga tatimet, ndërsa çmimet vetëm sa shkojnë e rriten”, është shprehur Hamza.
Sipas planit të prezantuar në video, Qeveria Hamza do të zbatojë një sistem të ri tatimi në paga:
“Pagat deri në 400 euro nuk do të tatohen fare. Pagat nga 400 deri në 800 euro do të tatohen me 8%. Pagat mbi 800 euro do të tatohen me 10%”, ka shpjeguar Hamza.
Hamza thekson se ky model synon rritjen e të ardhurave reale dhe përmirësimin e mirëqenies familjare, duke e bërë shtetin aleat të punës dhe punëtorit.
“Më shumë të ardhura dhe më shumë mirëqenie për familjen tuaj. Sepse, me mua Kryeministër, puna do të shpërblehet më shumë,” deklaron ai.
Në përmbyllje të videos, Hamza nënvizon se ky është misioni i tij politik, duke përsëritur sloganin e fushatës: “Bashkë. Përpara.”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një nga kafenetë e Mitrovicës, takoi disa aktivistë, qytetarë e mërgimtarë.
Ai me ta diskutoi për Trepçën si asetin më të rëndësishëm të vendit dhe një nga investimet kapitale më të mëdha të planifikuar për mandatin e ardhshëm.
Përmes një bashkëpunimi strategjik me një korporatë me përvojë të dëshmuar në industrinë minerare, nga një shtet aleat dhe mik i Kosovës, janë paraparë të ndahen 50 milionë euro, tha Kurti.
Ai gjithashtu i informoi të pranishmit se ky projekt synon skanimin e plotë të pasurive natyrore të vendit, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e qartë të potencialit të nëntokës, duke mundësuar shfrytëzimin dhe vurjen në funksion të rritjes ekonomike në vend.
Mediat sociale po e dëmtojnë autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”, ku qytetarët përballen çdo ditë me përmbajtje të pakontrolluara, përfshirë dezinformata që intensifikohen sidomos gjatë fushatave zgjedhore.
Kështu u shpreh Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.info, në episodin e pestë të “Përballje Podcast”, duke folur për gjetjet nga monitorimi i dezinformimit në periudha zgjedhore.
Sipas Rizanajt, me shfaqjen e mediave sociale, secili ka mundësi të hapë faqe apo llogari dhe të shpërndajë informacione, shpesh të emërtuara me prapashtesa si “info” apo “gazeta”, duke krijuar përshtypjen e rreme të burimeve mediatike.
“Kjo ia ka marrë autoritetin medias kredibile dhe gazetarisë profesionale, duke krijuar mjegull informativ në rrjete sociale,” tha Rizanaj shkruan Telegrafi.
Ai theksoi se sot shumica e qytetarëve informohen kryesisht përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata, gjë që e ka rritur nevojën për platforma të verifikimit të fakteve dhe për media profesionale e kredibile.
Dezinformimi gjatë fushatave dhe përdorimi i AI
Rizanaj tha se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe, kanale dhe llogari të reja që shpërndajnë përmbajtje manipuluese, duke filluar nga deklarata të vjetra të ripublikuara, imazhe të edituara e video të prera, deri te përmbajtje të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi identifikuar video të gjeneruara me inteligjencë artificiale, të cilat improvizohen si intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme", tha ai, transmeton Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Sipas Rizanajt, këto përmbajtje synojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në perceptimin e audiencës dhe të votuesve, duke e bërë verifikimin e informacionit edhe më të domosdoshëm.
Duke folur për gjetjet e raportit të fundit të HIBRID.info, Rizanaj tha se mediat ruse, si Russia Today dhe Sputnik, operojnë në Ballkanin Perëndimor kryesisht në gjuhën serbe, me synim arritjen e një audience sa më të gjerë.
“Narrativat e këtyre mediave amplifikohen nga tabloidet dhe mediat e afërta me pushtetin në Serbi dhe më pas arrijnë te komuniteti serb në Kosovë”, tha ai.
Sipas Rizanajt, target audienca e këtyre mediave mbetet komuniteti serb, i cili vazhdon të informohet kryesisht nga tabloidet serbe, duke mos pasur alternativa të tjera të besueshme.
“Këto narrativa riciklohen vazhdimisht dhe shpërndahen si informacione të besueshme, ndonëse kanë agjendë të qartë politike,” theksoi ai. /Telegrafi/
Mungesa e edukimit medial dhe ndryshimi i shpejtë i mënyrës se si qytetarët informohen po e bëjnë shoqërinë kosovare gjithnjë e më të cenueshme ndaj dezinformimit, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore.
Kështu u tha në episodin e pestë të “Përballje Podcast”( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë) ku Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), foli për rolin e organizatës, sfidat aktuale të mjedisit informativ dhe nevojën për edukim medial të qëndrueshëm.
Mulliqi theksoi se roli i AGK-së është zgjeruar përtej mbrojtjes së gazetarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit.
“AGK-ja është themeluar si organizatë që i mbron të drejtat e gazetarëve, por roli ynë është zgjeruar edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe luftimin e fenomeneve që e dëmtojnë integritetin e profesionit,” tha Mulliqi shkruan Telegrafi.
Ajo përmendi trajnime, akademi, punëtori dhe vizita studimore si pjesë të aktiviteteve të vazhdueshme të AGK-së për ngritjen e kapaciteteve profesionale të gazetarëve.
Foto: Ridvan Slivova
Ajo shtoi se ciklet e shpeshta zgjedhore e kanë bërë dezinformimin një fenomen të vazhdueshëm në diskursin publik.
Drejtoresha e AGK-së vlerësoi se gazetarët, falë trajnimeve, janë më të përgatitur për të demantuar dezinformatat, por problemi kryesor mbetet mungesa e edukimit medial te publiku.
“Gazetarët kanë ditur si t’i përgënjeshtrojnë dezinformatat, por kur përballen me qytetarët, shihet qartë mungesa e edukimit mediatik,” tha Mulliqi.
Sipas saj, qytetarët shpesh nuk arrijnë të dallojnë mes një lajmi të verifikuar dhe përmbajtjeve mashtruese që qarkullojnë në rrjete sociale.
Mulliqi theksoi se lufta kundër dezinformimit nuk mund të fitohet pa e bërë edukimin medial pjesë të sistemit arsimor.
“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur këtë problem. Edukimi medial duhet të institucionalizohet dhe të fillojë që në moshë të hershme,” tha ajo.
Ajo theksoi se zhvillimi i të menduarit kritik është mburoja më e fortë ndaj dezinformimit, sidomos në një kohë kur inteligjenca artificiale e ka vështirësuar edhe më shumë dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës./Telegrafi/
Besiktasi ka marrë një fitore të madhe në udhëtim ndaj Fenerbahces me rezultat 2-1 në kuadër të Kupës së Turqisë.
Vendimtar në këtë fitore të mysafirëve ishte ylli kosovar Milot Rashica i cili asistoi tek goli i fitores, duke kompletuar kështu një ndeshje fantastike.
Besiktasi kaloi fillimisht në epërsi në minutën e 33-të pas golit të realizuar nga Vaclav Cerny që realizoi për rezultatin 1-0.
Vendasit u kundërpërgjigjën në minutën e 43-të të ndeshjes duke shënuar për të barazuar shifrat në 1-1 me anë të Marco Asensios që ishte i saktë nga pika e bardhë.
Kur po luheshin minutat e fundit dhe dukej që ndeshja do të përfundonte pa fitues, Rashica prodhoi një moment magjie.
29-vjeçari me një super pasim prej afro 30 metrash, e gjeti në mënyrë fantastike sulmuesin çek Cerny, i cili me gjakftothësi realizoi golin e fitores dhe të dytin e tij personal në këtë derbi.
Për Rashicën ky ishte asistimi i tij i tretë në të gjitha garat këtë edicion, duke konfirmuar kështu formën e shkëlqyer nëpër të cilën po kalon./Telegrafi/
Glauk Konjufca qëndroi në Therandë, ku takoi të rinjtë dhe vullnetarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai tha se ata reflektuan forcën e brezit që beson dhe vepron për Republikën, prandaj ishte i bindur se ky rrugëtim, është ai drejt fitores së madhe më 28 dhjetor.
Konjufca vazhdoi takimet e tij edhe me qytetarët e Budakovës, në prani të të cilëve u vu theksi te vendosmëria për të mos lëshuar pe për sovranitetin, sigurinë dhe begatinë.
Glauk Konjufca më pas qëndroi në odat e familjeve Kryeziu, Paçarizi, Morina dhe Halili. Në mes bisedash të hapura e mikpritjes tradicionale, u diskutua për identitetin kombëtar, historinë dhe vizionin për të ardhmen e përbashkët.
Sipas Konjufcës takimet e tilla e rikonfirmojnë rrugëtimin e drejtë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i nisur më 2021, duhet të vazhdojë me përkushtim, pa lëshuar pe e pandalshëm drejt 28 dhjetorit.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet e 28 dhjetorit, Uran Ismaili, ka theksuar se sigurimet shëndetësore është dashur të jenë prioritet kombëtar i qeverisjes aktuale, mirëpo kjo nuk ka ndodhur deri më tani.
Ismaili tha se Kosova ka jetëgjatësinë më të ulët në Evropë, ndërkohë që qytetarët paguajnë nga xhepi rreth 40 për qind të shpenzimeve shëndetësore, dyfish më shumë se norma e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Ne paguajmë shumë dhe jetojmë pak,” u shpreh Ismaili.
Ai kujtoi se gjatë kohës sa ka qenë ministër i Shëndetësisë kishte nisur kontakte konkrete për ndërtimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, përfshirë bashkëpunimin me siguruesin më të madh publik gjerman, i cili kishte dërguar edhe delegacion në Kosovë dhe ishte shprehur i gatshëm të ndihmonte në këtë proces.
Sipas Ismailit, pas largimit të tij nga Ministria e Shëndetësisë nuk është ndërmarrë më asnjë hap në këtë drejtim, duke e cilësuar këtë si mungesë serioze të kujdesit institucional ndaj barrës financiare që qytetarët përballen çdo ditë.
Ai theksoi se me Bedri Hamzën në krye të qeverisë, sigurimet shëndetësore dhe gjendja e shëndetësisë në përgjithësi do të trajtohen si prioritet kombëtar, për t’u ofruar qytetarëve mirëqenie dhe mbrojtje reale.
Dezinformimi gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë mbetet një rrezik serioz për integritetin medial dhe proceset demokratike, ndërsa format e tij po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, veçanërisht përmes mediave sociale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale.
Kështu u tha në episodin e pestë të serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), ku u diskutua roli i organizatave të shoqërisë civile në luftën kundër dezinformimit, me fokus të veçantë periudhën zgjedhore.
Në këtë episod të ftuar ishin Getoarbë Mulliqi, drejtoreshë e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), dhe Festim Rizanaj, hulumtues në platformën HIBRID.
Ajo nënvizoi se AGK-ja, përveç mbrojtjes së gazetarëve, ka zgjeruar rolin e saj edhe në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe integritetit të informacionit, përmes trajnimeve, akademive dhe bashkëpunimit me platforma të verifikimit të fakteve.
Foto: Ridvan Slivova
“Gazetarët kanë qenë të përgatitur për t’i demantuar dezinformatat, por problemi kryesor është mungesa e edukimit mediatik te qytetarët,” theksoi ajo.
Sipas Mulliqit, mungesa e edukimit medial në sistemin arsimor dhe shfaqja e portaleve të përkohshme gjatë fushatave e bëjnë mjedisin informativ edhe më të brishtë.
Ndërsa hulumtuesi nga HIBRID, Festim Rizanaj, tha se mediat sociale kanë ulur autoritetin e medias profesionale dhe kanë krijuar një “mjegull informativ”.
“Sot shumica e njerëzve informohen përmes mediave sociale, ku qarkullojnë lloj-lloj informacionesh, përfshirë edhe dezinformata,” tha Rizanaj në “Përballje Podcast” me kreyredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ai paralajmëroi se gjatë fushatave zgjedhore hapen qindra faqe dhe llogari që shpërndajnë përmbajtje të rreme, përfshirë deklarata të vjetra, imazhe të manipuluara dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale.
“Së fundmi kemi edhe video të krijuara me inteligjencë artificiale, të cilat imitojnë intervista të mediave kosovare për t’i dhënë legjitimitet përmbajtjes së rreme,” shtoi ai.
Narrativa nga mediat ruse dhe serbe
Rizanaj prezantoi edhe gjetjet e hulumtimeve të fundit të HIBRID.info, duke theksuar ndikimin e mediave ruse dhe serbe në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor.
“Narrativat e Russia Today dhe Sputnik në gjuhën serbe amplifikohen nga tabloidet në Serbi dhe arrijnë te komuniteti serb në Kosovë,” tha ai.
Sipas tij, këto narrativa shpesh e paraqesin Listën Serbe si të vetmen alternativë politike për serbët në Kosovë, ndërsa institucionet e Kosovës dhe kryeministrin në detyrë si kërcënim për mbijetesën e tyre.
Foto: Ridvan Slivova
Thirrje për edukim medial
Të dy panelistët u pajtuan se zgjidhja afatgjate nuk qëndron vetëm te demantimi i dezinformatave, por te edukimi medial i qytetarëve.
“Ne nuk kemi shkop magjik për ta zgjidhur problemin, por edukimi medial duhet të institucionalizohet,” tha Mulliqi.
Ndërsa Rizanaj theksoi rëndësinë e orientimit të publikut drejt mediave kredibile.
“Media serioze kanë ekipe, burime dhe verifikim. Faqet në rrjete sociale me prapashtesa ‘info’ apo ‘gazeta’ nuk janë domosdoshmërish media,” tha ai.
Diskutimi u mbyll me thirrje për bashkëpunim më të madh ndërmjet mediave tradicionale, organizatave të shoqërisë civile dhe platformave të fakt-checking-ut, për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe proceset demokratike në Kosovë./Telegrafi/.
Ky është episodi i pestë i serisë “Përballje Podcast” ( Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), që synon të nxisë debat për rolin e mediave, sfidat e besueshmërisë dhe ndikimin e dezinformimit gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. /Telegrafi/
Në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi - FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, është publikuar episodi i pestë i serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet”.
Përdorimi i sistemeve digjitale për menaxhimin e pyjeve ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e transparencës, përmirësimin e monitorimit dhe forcimin e qeverisjes mjedisore në Kosovë.
Nexhmije Kamberi, Zyrtare për biodiversitet në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, tha se këto sisteme mundësojnë monitorim në kohë reale përmes imazheve satelitore dhe GIS-it.
“Sistemet digjitale lehtësojnë koordinimin institucional, rrisin transparencën dhe mundësojnë qasje në të dhëna të verifikuara,” tha Kamberi shkruan Telegrafi.
Ajo theksoi se digjitalizimi ndihmon edhe në harmonizimin e legjislacionit pyjor me standardet evropiane dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.
Ajo theksoi se teknologjia mundëson monitorim më efikas të gjendjes së pyjeve.
“Monitorimi përmes imazheve satelitore dhe GIS-it mundëson analiza në kohë reale mbi ndryshimet e mbulesës pyjore,” u shpreh ajo.
Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO. Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/.
Ortopedi Arian Bujupi gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka sqaruar dallimin mes krisjes dhe thyerjes së kockës, duke theksuar se këto dy gjendje nuk janë të njëjta as për nga ashpërsia, as për nga mënyra e trajtimit dhe rikuperimit.
Sipas Bujupit, krisja e kockës përkufizohet si një vijë e hollë në kockë dhe konsiderohet si dëmtim më i lehtë.
“Ka shumë pak raste kur krisjet operohen”, ka theksuar ai, duke shtuar se këto dëmtime zakonisht shërohen më shpejt dhe me komplikime minimale.
Ndryshe nga krisjet, Bujupi tha se thyerjet e kockave paraqesin një problem shumë më serioz.
Sipas tij, ato nënkuptojnë shkëputjen e kontaktit ndërmjet dy pjesëve të kockës, çka e bën trajtimin më kompleks.
Bujupi theksoi se shumica e thyerjeve kërkon ndërhyrje operative, sidomos kur pozicioni i kockës nuk është i kënaqshëm.
"Në disa raste, thyerjet mund të trajtohen edhe pa operacion, përmes repunimit dhe imobilizimit, por kjo varet nga pozicioni dhe stabiliteti i kockës. Jo çdoherë te kockat rezultatet me repunim janë të kënaqshme dhe mandej duhet të operohen”, ka shpjeguar Bujupi.
Për më shumë shikoni podcatin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Pyjet e Kosovës përbëjnë rreth 45 për qind të territorit të vendit, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre ndodhet brenda zonave të mbrojtura, përfshirë rezervatet strikte, parqet kombëtare dhe peizazhet e mbrojtura.
Kështu u tha në kuadër të serisë së podcasteve që pasqyrojnë rezultatet e programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi - FAO me mbështetje nga Bashkimi Evropian dhe Suedia.
Në episodin e pestë të serisë së podcasteve “Duaj e Ruaj Pyjet” mysafire ishte Nexhmije Kamberi, zyrtare për biodiversitet në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, e cila tha se pyjet në zonat e mbrojtura kanë rëndësi të veçantë për ekosistemin.
“Pyjet brenda këtyre zonave karakterizohen me biodiversitet shumë të pasur dhe kanë rol të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit ekologjik, mbrojnë burimet ujore dhe ndikojnë në mikroklimë,” u shpreh Kamberi shkruan Telegrafi.
Sipas Kamberit, pavarësisht statusit ligjor, gjendja e pyjeve në zonat e mbrojtura vazhdon të jetë problematike.
“Sa i përket gjendjes së pyjeve në zonat e mbrojtura, gjendja është ende sfiduese,” tha ajo.
Ajo theksoi se kërcënimet kryesore lidhen me aktivitetet ilegale dhe faktorët klimatikë.
“Në radhë të parë, prerjet e pakontrolluara mbesin shqetësim kryesor, sepse shkaktojnë reduktimin e biodiversitetit,” theksoi Kamberi transmeton Telegrafi.
“Zjarret janë gjithashtu problematikë, ndërsa ndryshimet klimatike ndikojnë negativisht përmes rritjes së temperaturave dhe paraqitjes së thatësisë, që mundëson shfaqjen e parazitëve dhe dëmtuesve,” shtoi ajo.
Kamberi vuri në pah edhe ndikimin e ndërtimeve infrastrukturore.
“Ndërtimet infrastrukturore që po ndodhin në zonat e mbrojtura ndikojnë në defragmentimin e habitateve dhe zvogëlojnë sipërfaqet pyjore,” tha ajo.
Duke folur për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve, Kamberi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional.
“Bashkëpunimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse mundëson shkëmbimin e njohurive dhe përmirësimin e gjendjes në terren,” u shpreh ajo.
Ajo vlerësoi edhe sistemet digjitale të të dhënave për pyje të prezantuara nga programi i FAO-s.
“Sistemet digjitale lehtësojnë koordinimin institucional dhe rrisin transparencën, duke bërë të mundur qasjen e publikut dhe institucioneve në të dhëna të verifikuara,” tha Kamberi.
“Ato përmirësojnë monitorimin e pyjeve përmes analizave në kohë reale, duke përdorur imazhe satelitore dhe GIS,” shtoi ajo.
Kamberi përmendi edhe shembuj konkretë të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
“Një shembull konkret është ripyllëzimi në Komunën e Dragashit, i mbështetur nga FAO, i cili ka ndikuar pozitivisht në gjendjen e ekosistemeve pyjore,” tha ajo.
“Po ashtu, falë bashkëpunimit institucional dhe angazhimit të vullnetarëve, është arritur të parandalohet dhe menaxhohet zjarri në rajonin e Prevallës,” shtoi Kamberi.
Në mesazhin përmbyllës, Kamberi theksoi rëndësinë e pyjeve për jetën dhe shëndetin publik.
“Mjedisi natyror, biodiversiteti dhe pyjet janë pasuri e jashtëzakonshme e vendit tonë dhe ruajtja e tyre është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë neve. Pyjet janë të rëndësishme për stabilitetin ekologjik, për shëndetin publik dhe për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Prandaj, pyjet duhet t’i ruajmë bashkërisht,” përfundoi Kamberi.
Ky podcast është pjesë e serisë së podcasteve të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë”, të zbatuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO. Video është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe Suedisë. Përmbajtja e saj nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bashkimit Evropian dhe Suedisë./Telegrafi/
Gjatë administrimit të provave materiale në seancën ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, janë shfaqur video nga restauranti "Etnokuqa", ku pasi Liridona, Naimi dhe fëmijët hyjnë, pas pak minutave në të kundërtën e tyre ulet edhe Granit Plava.
"Në orën 18:32 dhe 44 sekonda, kamera e Etnokuqes e kanë inicizuar ardhjen nga kamerat e brendshme në restorant, shihet se si familja Murseli vjen, ja vetura e markës Seat… Në orën 18:35, hyrja e Granit Plavës në restaurantin Etno Kuqa i cili do të ulet në të kundërtën e familjes Murseli", tha ajo.
Në pamje shihet edhe Naim Murseli, lëviz brenda restaurantit dhe i drejtohet tavolinës së Granit Plavës.
Po ashtu, janë shfaqur video edhe nga shtëpia kur së bashku me fëmijët dalin nga aty dhe hypin në makinë./kp/
Pezullimi i përkohshëm i Lotarisë Amerikane ka ngritur shqetësime të shumta te mijëra aplikantë, përfshirë edhe shqiptarët që çdo vit presin me interes këtë program emigrimi.
I ftuar në emisionin “Dita jonë” në A2 CNN, eksperti i emigracionit në SHBA, Lorenc Mansaku, paralajmëroi se situata mbetet e paqartë dhe se pezullimi mund të prekë edhe personat që tashmë e kanë fituar lotarinë.
Sipas Mansakut, aktualisht janë pezulluar të gjitha aplikimet për ndryshim statusi brenda Shteteve të Bashkuara, ndërsa Departamenti i Shtetit, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, po shqyrton hapat e mëtejshëm.
“Nuk kanë dalë ende udhëzime të qarta. Jemi në një fazë zhvillimi dhe flasim hipotetikisht, por ekziston rreziku që pezullimi të shtrihet edhe te intervistat në konsullata, përfshirë edhe Shqipërinë”, u shpreh ai.
Eksperti theksoi se, nëse kjo ndodh, edhe fituesit që janë në pritje të intervistës mund të përballen me vonesa ose pezullim të procesit.
“Kam frikë se ky pezullim mund të zgjasë dhe ndoshta të shkojë përtej afatit të programit, që përfundon më 30 shtator 2026”, tha Mansaku.
Ai kujtoi se Lotaria Amerikane nuk mund të hiqet përfundimisht pa një vendim të Kongresit, pasi kjo do të kërkonte ndryshime në Aktin e Emigracionit dhe Nënshtetësisë.
Megjithatë, sipas tij, administrata aktuale synon një rishikim të programeve të emigracionit, duke favorizuar punonjës të kualifikuar dhe kritere më të forta për pranimin e emigrantëve.
Në këtë situatë të paqartë, Mansaku kishte një sugjerim për ata që tashmë e kanë marrë vizën.
“Këshilla ime është që të udhëtojnë mundësisht sa më shpejt, sepse nuk dihet se çfarë udhëzimesh do të jepen më vonë për personat që kanë fituar vizën dhe në vazhdim. Pra, në këto momente nëse dikush ka fituar vizën duhet të udhëtojë sa më parë në mënyrë që ta shmangë këtë pezullim. E zëmë dikush ka bërë intervistën, ka fituar vizën të shkojë nesër. Që nesër në këtë situatë të paqartë ku nuk dihet se çfarë urdhri do dalë nesër”, tha ai.
I pyetur nëse mund të kthim mbrapsht të këtyre personave, Mansaku u përgjigj: “Jo, këtë nuk e mendoj. Në momentin që hyn në Shtetet e Bashkuara ndoshta mund të ketë një vonesë në marrjen e Green Card. Ndoshta kjo mbetet për t'u parë, por në momentin që ka hyrë në Amerikë, ai person quhet person me Green Card”. (A2 Televizion)
Ndërtimi në Kosovë nuk është më i përqendruar vetëm në kryeqytet, por po shtrihet me intensitet të lartë edhe në komunat dhe regjionet tjera të vendit, ku po zhvillohen projekte të reja banesore dhe urbane dhe jo vetëm.
Kështu u tha në “Përballje Podcast” nga Faton Hoxha, i cili theksoi se “boom” ndërtimi po vërehet në të gjitha regjionet e Kosovës.
“Në secilin prej regjioneve të Kosovës ka boom ndërtimi – Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan dhe Ferizaj”, u shpreh Hoxha.
Sipas tij, Ferizaji është ndër komunat me zhvillimin më të shpejtë ekonomik dhe ndërtimor pas Prishtinës, ndërsa Prizreni po shënon zgjerim të madh drejt zonave përreth.
“Prizreni praktikisht po bashkohet me zonat përreth përmes projekteve të mëdha ndërtimore”, tha Hoxha shkruan Telergafi.
Ai theksoi se edhe Gjakova po përjeton rritje të ndjeshme të ndërtimeve të reja, pavarësisht madhësisë së qytetit, ndërsa zhvillim të vazhdueshëm po shënojnë edhe Peja, Gjilani dhe Mitrovica.
Foto: Ridvan Slivova
Hoxha shtoi se dhënia e lejeve të reja ndërtimore dhe vazhdimi i projekteve të mëdha tregojnë qartë se kërkesa për banesa ekziston edhe jashtë kryeqytetit.
“Përderisa po jepen leje të reja ndërtimi, kjo tregon se ka kërkesë. Në momentin që nuk ka kërkesë, nuk ka as ndërtim”, theksoi ai.
Në përmbyllje, Hoxha tha se ndërtimi do të vazhdojë në të gjitha këto komuna për aq kohë sa ekziston interes real për blerje.
“Derisa ka blerës dhe kërkesë reale, ndërtimi nuk do të ndalet”, përfundoi ai./Telegrafi/.
I ftuari i radhës në podcastin “Arena e Yjeve” ishte ish-futbollisti i njohur Faton Zejnullahu. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munichdhe Exfis.
Zejnullahu ka folur me nota shumë pozitive për progresin e madh që ka shënuar futbolli i Kosovës vitet e fundit, duke theksuar se Kombëtarja tashmë është konkurruese ndaj çdo kundërshtari, pavarësisht emrit apo reputacionit.
Ai theksoi se zhvillimi nuk vërehet vetëm te përfaqësuesja, por edhe te futbolli vendor, duke marrë si shembull lojtarët që kanë kaluar nëpër Superligën e Kosovës dhe sot performojnë pa vështirësi në nivele më të larta.
“Kosova ka ecur shumë, shumë përpara. Edhe jam i lumtur që kur te shoh Kosovën me cilindo shtet po është e barabartë me secilën, po Lufton me secilën”.
“Po i shoh lojtarët që kanë luajtur në ligën tonë dhe po luajnë pa asnjë problem domethënë liga jonë ka shumë cilësi, por edhe prej se ka ardhur Foda, mendoj se është rritur shumë”.
“Unë i përcjelli shumë ligën e Kosovës. Nuk pritoj, ndoshta kur luhej të premten, të shtunën, të dielën, dy ndeshje gjithmonë i kam parë plus Prishtinën tri ndeshje në javë”.
“Ka ndodhë ne kemi luajtur të premten, tani nuk e di se me kë, Foda ka qenë në stadium e ka parë ndeshjen”.
“Jam shku të shtunën për ta parë Dritën, ka qenë në stadium, prej aty të dielën kam qenë me pa Ballkanin, edhe atje ka qenë në stadium, që selektorat tjerë nuk i kam parë më përpara”, ka deklaruar Zejnullahu.
Episodin e plotë me Faton Zejnullahun mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/
“Pse ia dedikova golin tim Ronaldos? Sepse ai ka qenë gjithmonë shumë i mirë me mua, më ka ndihmuar të përshtatem në Madrid, tani është miku im dhe kam një marrëdhënie shumë të mirë me të”.
“Dua t’i dërgoj urimet e mia më të mira, Gëzuar Krishtlindjet dhe një Vit të Ri të lumtur”.
“Në vitin 2026, do ta japim jetën për këtë klub. Kemi shumë gjëra për të dëshmuar”.
“Kur isha një djalë i vogël, thosha se dhurata ime e ëndrrave për ditëlindje do të ishte të luaja një ndeshje për Real Madridin. Sonte, ajo ëndërr u bë realitet”, ka deklaruar Mbappe./Telegrafi/