Rikthim i shumëpritur: Ylli i skuadrës kthehet në stërvitje para derbit katalunas
Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo është rikthyer në stërvitje të hënën pas disa javësh mungesë, çka përforcon ndjeshëm opsionet mbrojtëse të liderit të La Ligës përpara derbit katalanas të këtij fundjave.
Reprezentuesi i Uruguait u shfaq në fushë së bashku me bashkëlojtarët dhe trajnerin Hansi Flick gjatë një seance stërvitore me dyer të hapura në stadiumin “Johan Cruyff”.
Mungesa e Araujos kishte ngjallur shumë spekulime në mediat lokale, të cilat raportuan se ai kishte marrë një pushim për arsye të shëndetit mendor.
Flick kishte sqaruar më herët se mbrojtësi nuk ishte në dispozicion për shkak të “një situate private”, vetëm disa ditë pasi Araujo ishte kritikuar ashpër për kartonin e kuq që kontribuoi në kolapsin e Barcelonës dhe humbjen 3-0 ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve.
🫶 @ronaldaraujo_ pic.twitter.com/vhLHCMxb9S
— FC Barcelona (@FCBarcelona) December 29, 2025
“Araujo nuk është i gatshëm për momentin për shkak të një situate private”, kishte deklaruar Flick në atë periudhë.
Rikthimi i tij vjen në një moment kyç për katalanasit, pasi qendërmbrojtësi tjetër, Andreas Christensen, pritet të mungojë për disa muaj për shkak të një lëndimi në gju, duke e bërë praninë e uruguaianit edhe më të rëndësishme për stabilitetin e prapavijës.
Derbi i së shtunës ndaj Espanyolit pritet të zhvillohet në stadiumin “RCDE” dhe konsiderohet si një nga përballjet më interesante të viteve të fundit mes dy skuadrave të Barcelonës.
Espanyoli, që aktualisht renditet i pesti, po kalon një nga sezonet më të mira në historinë e tij moderne, vetëm një vit pasi mezi shmangu rënien nga elita në sezonin 2024/25.
Për Barcelonën, kthimi i Araujos në stërvitje përpara këtij dueli përbën një lajm shumë pozitiv, në një ndeshje ku rivaliteti lokal dhe forma e mirë e kundërshtarit pritet të testojnë seriozisht ambiciet e liderit të kampionatit./Telegrafi
