KOMENT – Asnjë përparim për paqen në Ukrainë, pas takimit Trump-Zelensky
UASHINGTON, 29 dhjetor /ATSH-DPA/ – Takimi i shumëpritur mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky në Florida përfundoi pa ndonjë përparim të rëndësishëm, dje në mbrëmje vonë, edhe pse të dy udhëheqësit përshëndetën përparimin drejt një marrëveshjeje paqeje Ukrainë-Rusi.
Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve në rezidencën private të Trump në Mar-a-Lago, udhëheqësi amerikan tha se një marrëveshje “mund të jetë shumë afër” dhe mund të arrihet brenda “ndoshta disa javësh”.
Ndërkohë, Zelensky falënderoi Trump për një “diskutim vërtet të shkëlqyer” dhe tha se “ekipet e tyre do të takohen në javët e ardhshme për të finalizuar të gjitha çështjet e diskutuara”.
Për më tepër, Zelensky tha se Trump do të organizojë një samit me udhëheqësit evropianë në Uashington, me shumë mundësi në janar.
Dyshja zhvilloi bisedime me udhëheqësit evropianë para konferencës së tyre për shtyp.
Takimi në Mar-a-Lago erdhi si pjesë e përpjekjes së fundit diplomatike për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia në shkurt 2022.
Trump më parë tha se besonte se Zelensky dhe presidenti rus Vladimir Putin ishin “seriozë” për arritjen e paqes.
Presidenti amerikan shtoi se do ta telefononte përsëri Putinin pas takimit me Zelenskyn, pasi kishte zhvilluar një telefonatë me udhëheqësin rus më herët të dielën.
Zelensky ka kërkuar mbështetjen e Uashingtonit për një kornizë prej 20 pikash, pasi administrata Trump në fund të nëntorit zbuloi një propozim prej 28 pikash që shqetësoi Kievin dhe aleatët e tij duke përsëritur disa qëndrime ruse.
Kievi dhe partnerët evropianë kanë punuar që atëherë në planin alternativ, duke përfshirë edhe takimet e fundit në Berlin dhe Miami me zyrtarë të lartë të administratës Trump, ndërsa Uashingtoni ka zhvilluar gjithashtu bisedime të ndara me Moskën.
Rusia nuk është e përfshirë në bisedimet e Floridës dhe reagimet e Kremlinit ndaj negociatave kanë qenë të heshtura.
Pavarësisht se deklaroi gatishmërinë për të negociuar, Putin deri më tani ka mbajtur kërkesa maksimaliste, duke përfshirë pretendimet mbi zonën lindore të Donbasit të Ukrainës, të cilën Moska nuk e kontrollon plotësisht ushtarakisht.
Garanci sigurie
Ndërsa Trump është përpjekur t’i japë fund konfliktit përmes samiteve të nivelit të lartë, përfshirë pritjen e Putinit në Alaska në gusht, fokusi i përpjekjeve intensive diplomatike në javët e fundit ka qenë në zgjidhjen e një numri të pikave kyçe të ngërçit.
Këto përfshijnë garancitë perëndimore të sigurisë për Kievin në rast të sulmeve të përsëritura ruse, fatin e rajonit Donbas dhe kontrollin e termocentralit bërthamor të Zaporizhias, i cili është pushtuar nga forcat ruse që nga ditët e para të luftës.
Zelensky tha se ai dhe Trump diskutuan “të gjitha aspektet e kornizës së paqes”, duke përsëritur se plani i tij me 20 pika është “90% i dakordësuar”.
“Ne biem dakord që garancitë e sigurisë janë një moment kyç në arritjen e paqes së qëndrueshme”, tha udhëheqësi ukrainas.
Mbetet e paqartë se sa larg janë të gatshme të shkojnë fuqitë perëndimore në ofrimin e garancive për Kievin – dhe nëse Moska është e gatshme t’i pranojë ato.
Rusia këmbëngul se ”armëpushimi vetëm sa do ta zgjasë konfliktin”
Një pikë tjetër polemike është nëse palët ndërluftuese duhet të bien dakord për një armëpushim 60-ditor, një propozim i mbështetur nga Zelensky për t’u dhënë ukrainasve mundësinë të votojnë për një plan paqeje në një referendum.
Kremlini tha të dielën se Trump dhe Putin ranë dakord në telefonatën e tyre se një armëpushim i përkohshëm në Ukrainë vetëm sa do ta “zgjasë” konfliktin dhe do të “rrezikojë një rigjallërim të luftimeve”.
Moska ka thënë prej kohësh se dëshiron të shkojë menjëherë në një marrëveshje përfundimtare paqeje, duke anashkaluar një armëpushim paraprak./ a.jor.
The post KOMENT – Asnjë përparim për paqen në Ukrainë, pas takimit Trump-Zelensky appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.