FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit
OSLO, 30 janar /ATSH-DPA/ – Norvegjia i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër “aktorëve” iranianë, pas vrasjes së protestuesve antiqeveritarë në Iran, njoftoi sot Ministria e Jashtme norvegjeze.
BE-ja e shpalli dje Gardën Revolucionare Islamike të Iranit organizatë terroriste, për shkak të shtypjes së dhunshme të protestave.
Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, mijëra, e ndoshta dhjetëra mijëra persona, besohet se janë vrarë.
Vendimi i BE-së për Gardën Revolucionare pasoi një hap formal për vendosjen e sanksioneve ndaj 31 individëve dhe entiteteve të tjera iraniane.
Ata akuzohen se mbajnë përgjegjësi për represionin brutal të protestave dhe për mbështetjen e vazhdueshme të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Espen Barth Eide, tha se Oslo e ka dënuar dhunën ndaj civilëve, si publikisht ashtu edhe në kontakte të drejtpërdrejta me autoritetet iraniane.
“Ne kemi theksuar se përdorimi i gjerë i ekzekutimeve, arrestimeve, torturës dhe ndërprerjeve të gjata të internetit si instrumente kontrolli është plotësisht i papranueshëm”, deklaroi Barth Eide.
“Rikonfirmojmë thirrjen tonë ndaj autoriteteve iraniane për të respektuar të drejtat e njeriut dhe për të garantuar qasje të lirë dhe të papenguar në informacion”, shtoi ai.
Norvegjia nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, por është e lidhur ngushtë me bllokun evropian./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Norvegjia i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.