Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 12 January 2026Main stream

Kontrolli teknik i mjetit kërkohet edhe kur ndryshon pronari

12 January 2026 at 15:56

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Një udhëzimi i ri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për kontrollin teknik të mjeteve është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ky udhëzim parashikon se pas çdo ndryshimi të pronarit, mjeti duhet të nënshtrohet kontrollit teknik, pavarësisht nga data e fundit e kontrollit. Kontrolli kërkohet gjithashtu kur mjeti ka përshkuar 160 000 kilometra.

Udhëzimi i cili ishte në fuqi, parashikonte që autoriteti kompetent mund të kërkojë kontroll teknik përpara afatit të rregullt, në rastet kur mjeti ka pësuar aksidente që ndikojnë në komponentët kryesorë të sigurisë, si rrotat, suspensoni, zonat e deformimit, sistemet airbag, drejtimi ose frenat. Po ashtu, kontrolli mund të kërkohej kur janë kryer ndryshime ose modifikime në sistemet e sigurisë ose të mjedisit, ose kur siguria në rrugë është e rrezikuar.

Me hyrjen në fuqi të udhëzimit të ri, kontrolli teknik do të kërkohet edhe kur ndryshon pronari i mjetit.

Udhëzimi i ri parashikon gjithashtu përdorimin e platformave elektronike të Bashkimit Evropian për shkëmbimin e informacionit mbi certifikatat e kontrollit teknik, leximin e odometrit dhe historikun e aksidenteve, duke siguruar transparencë dhe monitorim më të mirë për inspektorët, pronarët e mjeteve dhe studiuesit e aksidenteve. /j.p/

The post Kontrolli teknik i mjetit kërkohet edhe kur ndryshon pronari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e ligjit të ri për bankat

12 January 2026 at 15:16

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Në strategjinë e saj afatmesme, Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e një ligji të ri për sektorin bankar, i cili do të harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare, duke forcuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Banka publikoi sot strategjinë afatmesme për periudhën 2026-2028.

Ligji synon të përmirësojë qeverisjen e bankave, mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, menaxhimin e rreziqeve kibernetike dhe integrimin e faktorëve mjedisorë dhe ESG në proceset mbikëqyrëse.

Ai është pjesë e një pakete masash që synon rritjen e rezistencës së sistemit financiar ndaj krizave dhe zhvillimeve të papritura ekonomike.

Strategjia përfshin gjithashtu përmirësimin e transparencës së statistikave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e teknologjisë së informacionit, për të siguruar një sistem bankar modern, efikas dhe të besueshëm për qytetarët dhe bizneset.

Strategjia afatmesme 2026-2028 ofron udhëzime gjithëpërfshirëse dhe shërben si një udhërrëfyes për aktivitetet e Bankës së Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke identifikuar përparësitë dhe zhvillimet. Strategjia shërben gjithashtu si një kornizë e përgjithshme dhe udhëzues për përgatitjen e tre viteve të buxhetit, duke përdorur qasjen e menaxhimit të bazuar në rezultate. /j.p/

The post Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e ligjit të ri për bankat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Doganat përpunuan 462 mijë deklarata importi gjatë 2025-ës

12 January 2026 at 15:04

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Administrata Doganore ka shënuar gjatë vitit 2025 nivelin më të lartë të përpunimit të deklaratave doganore, duke reflektuar rritje të ndjeshme të aktivitetit ekonomik dhe forcim të mbledhjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë përpunuar rreth 462 mijë deklarata importi të tipit IM4, të cilat përfaqësojnë treguesin kryesor të hyrjes së mallrave për konsum dhe prodhim në vend.

Deklaratat e importit IM4 lidhen drejtpërdrejt me pagesën e detyrimeve doganore dhe tatimore, si TVSH-ja dhe akcizat, dhe përbëjnë një element kyç në financimin e buxhetit të shtetit. Rritja e numrit të tyre dëshmon jo vetëm shtimin e volumit të tregtisë, por edhe formalizimin e mëtejshëm të veprimtarisë ekonomike.

Administrata Doganore e vlerëson këtë rezultat si dëshmi të mirëmenaxhimit, rritjes së efektivitetit operacional dhe angazhimit të vazhdueshëm të strukturave doganore në lehtësimin e tregtisë dhe forcimin e kontrollit.

Sipas DPD-së, digjitalizimi i proceseve, përmirësimi i shërbimit ndaj biznesit dhe përdorimi i analizës së riskut kanë kontribuar në përshpejtimin e përpunimit të deklaratave dhe uljen e kohës së qëndrimit të mallrave në doganë.

Sipas Administratës Doganore, trendi rritës i deklaratave të importit gjatë vitit 2025 reflekton rritjen e kërkesës në tregun vendas, zhvillimin e sektorëve prodhues dhe tregtarë, si dhe besimin e biznesit në sistemin doganor. /j.p/

The post Doganat përpunuan 462 mijë deklarata importi gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Parku eolik në Tropojë hap kyç drejt sovranitetit energjetik, investim strategjik amerikan

12 January 2026 at 13:54

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi sot se parku i energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë, me kapacitet 600 MW, përbën një zhvillim tejet domethënës në rrugën drejt sovranitetit energjetik të vendit dhe një investim të rëndësishëm të kompanisë amerikane CWP.

Në takimin për prezantimin e këtij projekti ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, si edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.

Gjatë fjalës së saj, Balluku theksoi se projekti mishëron vizionin e qeverisë shqiptare për zhvillimet energjetike dhe strategjinë afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë.

“Parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik, është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit”, u shpreh Balluku.

Sipas saj, ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe investimet e huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata.

“Shqipëria po kalon nga varësia pothuajse e plotë nga hidrocentralet, në një model modern të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri strategjike”, tha Balluku.

Ajo nënvizoi se ky tranzicion nuk është thjesht një ide apo premtim, por një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra konkrete dhe me megavat-orë që ndryshojnë hartën energjetike të vendit.

Balluku kujtoi se ky rrugëtim ka nisur në vitin 2018, kur për herë të parë qeveria shqiptare filloi të fliste për një strategji të bazuar në diversifikimin e burimeve dhe jo më vetëm në varësinë nga kushtet atmosferike apo nga hidrocentralet ekzistuese.

“Investimet e huaja direkte janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe institucional. Vetëm në vitet e fundit, mbi 1,5 miliardë euro investime private janë angazhuar ose janë në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme si energjia diellore dhe ajo e erës,” u shpreh Balluku.

Ajo bëri të ditur se në total, gjatë këtyre viteve, në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme.
Sot, sipas saj, vendi ka mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese fotovoltaike në operim dhe rreth 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhues.

Balluku theksoi se ekziston gjithashtu një portofol projektesh që synon ta çojë kapacitetin e ri prodhues të energjisë së rinovueshme përtej 1500 MW, me teknologji fotovoltaike dhe eolike, si edhe mbi 1600 MW kapacitete të reja depozituese në fazë studimi dhe vlerësimi financiar.

“Parku fotovoltaik i Karavastasë, një nga parqet më të mëdha në rajon, me 140 MW kapacitet të instaluar, është sot një nga projektet që e bën Shqipërinë krenare dhe e kthen në një model për t’u ndjekur në të gjithë rajonin”, u shpreh ajo.

Në lidhje me energjinë e erës, Balluku deklaroi se Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete përmes projektit të kompanisë amerikane CWP, me kapacitet të pritshëm prej 600 MW. Ajo theksoi se ky zhvillim nuk është rastësi dhe nuk është rezultat i politikave të pastudiuara, por i një strategjie të qartë.

Balluku vlerësoi angazhimin e kompanisë CWP dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke theksuar edhe sfidat që shoqërojnë projekte të tilla, pasi korridoret e erës në Shqipëri ndodhen kryesisht në zona kodrinore dhe malore mbi 1200 metra lartësi dhe kërkojnë kohë të gjatë studimi dhe implementimi.

“Janë projekte që kërkojnë një periudhë të gjatë përgatitore dhe studimore, por kur ndërtohen siç duhet dhe me të gjitha studimet e nevojshme, ato kanë një ndikim të rëndësishëm në ekonominë e vendit”, u shpreh Balluku, duke shtuar se diversifikimi energjetik e bën Shqipërinë më të qëndrueshme përballë ndryshimeve klimatike. /j.p/

The post Balluku: Parku eolik në Tropojë hap kyç drejt sovranitetit energjetik, investim strategjik amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Bllokim i aksit Tiranë-Rinas netëve të 13 dhe 14 janarit, lëvizja përmes rrugëve alternative

12 January 2026 at 13:42

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se për shkak të punimeve për ndërtimin e mbikalimit të ri në Qafë Kashar, do të ketë bllokim të rampës në drejtim të Tiranë-Rinas gjatë natës në datat 13 dhe 14 janar 2026, në oraret 20:00-06:00.

Qarkullimi i mjeteve drejt aeroportit të Rinasit do të realizohet përmes rrugëve alternative si aksi Vorë-Fushë Krujë (kthesa e Rinasit), apo rrugëve dytësore Tiranë-Kamzë-Valias-Rinas dhe rrugës Kashar-Thumanë, e ndërtuar nga koncesionari.

Autoriteti Rrugor Shqiptar u kërkon drejtuesve të mjeteve të ndjekin sinjalistikën provizore dhe të planifikojnë lëvizjen në kohë. /j.p/

The post ARRSH: Bllokim i aksit Tiranë-Rinas netëve të 13 dhe 14 janarit, lëvizja përmes rrugëve alternative appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zero taksë karboni për energjinë me origjinë shqiptare, sipas Komisionit Europian

12 January 2026 at 11:40

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, nënvizoi sot se energjia shqiptare prodhohet kryesisht nga burime të rinovueshme, dhe për këtë arsye ka taksë zero të karbonit.

Në takimin për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku të pranishëm ishin edhe kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn, Balluku shpjegoi se Shqipëria ka investuar në mënyrë strategjike në energji të qëndrueshme si hidrocentrale, parqe eolike dhe energji diellore.

“Nuk po flasim më për plane në letër, por për megavat-orë të instaluara, për miliarda euro investime të huaja dhe projekte që funksionojnë në terren, duke vjelur avantazhet e një sistemi që garanton se prodhimi energjetik vjen nga burime të rinovueshme. Për rrjedhojë, taksa e karbonit për energjinë me origjinë shqiptare, sipas Komisionit Europian, është zero. Kjo sepse Shqipëria ka investuar në mënyrë të zgjuar dhe ka politika të qarta që garantojnë integrimin e tregut energjetik me atë europian”, tha Balluku. /j.p/

The post Zero taksë karboni për energjinë me origjinë shqiptare, sipas Komisionit Europian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Niveli i arkëtimeve të energjisë 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013

12 January 2026 at 11:32

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, foli sot për tregues të përmirësuar të rrjetit energjetik shqiptar, gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.

Balluku theksoi se humbjet në rrjetin e shpërndarjes janë reduktuar ndjeshëm, nga 45% në vitin 2013 në 16,9% në fund të vitit 2025.

Ndërkohë, niveli i arkëtimeve ka arritur 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013, një tregues, sipas saj, i qartë i rritjes së eficiencës dhe menaxhimit modern të sektorit energjetik.

Ajo shtoi se përmirësimet në rrjet janë të shoqëruara me rritje të kapaciteteve gjeneruese dhe përditësime teknologjike të rrjetit të shpërndarjes në zonat qendrore dhe rurale, duke siguruar mbulim të plotë të konsumit vendas dhe eficencë maksimale.

“Ndërprerjet e energjisë elektrike kanë arritur nivelin më të ulët historik, ndërsa avaritë zakonisht rikuperohen brenda disa minutash. Përditësimet teknologjike të rrjetit të shpërndarjes vazhdojnë rregullisht në zonat qendrore dhe rurale, ndërkohë që rehabilitimi i plotë i HEC-eve në kaskadën e Drinit është në proces”, theksoi ajo. /j.p/

The post Balluku: Niveli i arkëtimeve të energjisë 100%, krahasuar me 70% në vitin 2013 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Gati pjesa shqiptare e linjës së transmetimit të energjisë me Maqedoninë e Veriut

12 January 2026 at 11:13

TIRANË, 12 janar/ATSH/ Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vuri theksin te rëndësia strategjike e linjave të transmetimit dhe interkonjeksioneve energjetike.

Gjatë takimit për prezantimin e parkut eolik në Tropojë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, si edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn,

Balluku tha se Shqipëria ka investuar ndjeshëm në zhvillimin e rrjetit të transmetimit, duke e lidhur tashmë sistemin energjetik me të gjithë vendet fqinje.

Ajo bëri të ditur se linja e transmetimit me Maqedoninë e Veriut është pothuajse e përfunduar nga ana shqiptare, ndërsa u shprehu besimin që edhe pala fqinje të përshpejtojë punimet, në mënyrë që të vihet sa më shpejt në funksionim dhe të garantohet vijimësia e Korridorit 8.

“Shqipëria është sot një nga vendet më të mirëlidhura në rajon për sa i përket sistemit të transmetimit, çka u jep garanci të forta investitorëve të huaj që zhvillojnë projekte eolike dhe fotovoltaike, pasi kanë të siguruar akses në tregun e lirë energjetik, jo vetëm ballkanik, por edhe europian”, deklaroi Balluku.

Ajo nënvizoi se investimet në transmetim nuk synojnë vetëm forcimin e rrjetit tokësor, por edhe krijimin e lidhjeve të reja strategjike me Europën.

Në këtë kuadër, Balluku bëri të ditur se po punohet për ndërtimin e një kabulli nënujor, i cili do të lidhë drejtpërdrejt Shqipërinë me Italinë, duke e pozicionuar vendin si një nyje të rëndësishme energjetike në rajon.

Sipas saj, këto zhvillime kanë sjellë vlerësime të larta për Shqipërinë nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Sektori energjetik është gjithashtu një tregues i qartë në ecurinë drejt integrimit të vendit, duke qenë një nga sektorët më të vlerësuar nga organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë. Shqipëria është klasifikuar ndër vendet e para në nivel botëror për qëndrueshmërinë energjetike, si edhe një nga sektorët me ecurinë më pozitive, sipas vlerësimeve të raportit të progresit të Komisionit Europian për vitin 2026”, tha Balluku.

Sektori energjetik, tha Balluku, është një nga sektorët më të vlerësuar në procesin e integrimit europian, duke u cilësuar si një nga fushat me ecurinë më pozitive në raportet e progresit të Komisionit Europian.

Balluku shtoi se investimet përfshijnë dhe studimin e teknologjive të reja, përfshirë pompat hidrike të parashikuara për kaskadën e Drinit dhe HEC-in e Moglicës. Këto zhvillime, sipas saj, pritet të rrisin kapacitetet prodhuese të vendit me rreth 1,600 MW të reja.

“Falë politikave të qarta dhe investimeve të qëndrueshme në transmetim dhe integrim tregu, Shqipëria ofron sot siguri për investitorët dhe garanci për zhvillim afatgjatë të sektorit energjetik”, u shpreh zv.kryeministrja Balluku. /j.p/

 

The post Balluku: Gati pjesa shqiptare e linjës së transmetimit të energjisë me Maqedoninë e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore

12 January 2026 at 09:09


TIRANË, 12 janar/ATSH/ Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta të shënuara gjatë natës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se temperaturat minimale kanë zbritur deri në -18°C në Valbonë, -15°C në Kukës dhe Qafë Thanë, si dhe -10°C në Dibër.

Ndërkohë nuk janë regjistruar reshje shiu apo dëbore.

Sipas ARRSH-së, kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë të shtuar, duke kryer pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht gjatë udhëtimeve në zonat malore me prezencë dëbore. /j.p/

1 nga 2

The post ARRSH: Qarkullimi i mjeteve vijon normalisht në të gjitha akset rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Salla dhe Cara në Mamurras: Ndihmë për evakuimin e bagëtive, verifikim dëmesh nga reshjet

11 January 2026 at 14:45

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me kryetaren e bashkisë Kurbin, Majlinda Cara, vizituan sot fermën e fermeres Flora Brozi në Mamurras.

Ferma mbarështon rreth 120 krerë bagëti dhe shpendë dhe është prekur nga reshjet intensive të ditëve të fundit, të cilat kanë krijuar vështirësi për vijimin normal të aktivitetit blegtoral.

Si pasojë e situatës së krijuar, u bë e mundur evakuimi i tufës së bagëtive, duke u sistemuar përkohësisht në zonën e Fushë Milot, në kushte më të sigurta.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën të ditur se në bashkëpunim me grupet e verifikimit të bashkive, ndodhet në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara në gjënë e gjallë, rezervat ushqimore për kafshët dhe në sektorin bujqësor.

“Procesi i vlerësimit do të shërbejë për të përcaktuar masat e mbështetjes për të gjithë fermerët e prekur nga kushtet e pafavorshme atmosferike në zonë”, tha Salla. /j.p/

The post Salla dhe Cara në Mamurras: Ndihmë për evakuimin e bagëtive, verifikim dëmesh nga reshjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd

11 January 2026 at 14:22


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë zonat malore të Librazhd, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe në jetën e përditshme të banorëve.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Maringlen Disha, bëri të ditur se në disa zona trashësia e dëborës ka arritur deri në 60 centimetra.

Sipas tij, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike, strukturat vendore janë në terren për përballimin e situatës.

“Ekipet e Bashkisë Librazhd dhe të Emergjencave Civile ndodhen në terren gjatë gjithë kohës, duke punuar për mbajtjen e rrugëve të hapura dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve që kanë nevojë”, tha ai.

Disha u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të lëvizin vetëm kur është e domosdoshme dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna nga strukturat përgjegjëse.

Në rast nevoje, qytetarët mund të kontaktojnë numrat e emergjencës 129, 128 dhe 112. /j.p/

The post Reshje bore deri në 60 cm në zonat malore në Librazhd appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër

11 January 2026 at 12:49

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Drejtori i Autoriteti Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi sot nga afër aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, i shoqëruar nga drejtori Rajonal i ARRSH-së, Andi Shkurta, për të vlerësuar situatën e krijuar pas shkarjes së dherave në këtë segment.

Inspektimi u fokusua në zonën e njohur si “Shkalla e Zezë”, ku tre ditë më parë një rrëshqitje masive dheu bllokoi plotësisht qarkullimin rrugor.

Pas ndërhyrjes së menjëhershme të ARRSH-së dhe mjeteve të kontraktorit, u bë e mundur hapja e përkohshme e rrugës dhe garantimi i kalimit të mjeteve.

Aktualisht, qarkullimi në këtë aks kryhet me një kalim të alternuar, pasi rrëshqitja vijon të jetë aktive dhe paraqet rrezikshmëri.

Kreu i ARRSH-së, Kozeli bëri të ditur se shkaku kryesor i situatës lidhet me reshjet e shumta, erozionin dhe formacionin gjeologjik argjilor të zonës.

Sipas tij, situata do të mbahet në monitorim të vazhdueshëm.

“Menjëherë pas kalimit të situatës së emergjencës, ARRSH do të ndërhyjë në të gjithë aksin me një projekt të plotë, me qëllim dhënien e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për këtë segment rrugor”, tha Kozeli. /j.p/

The post Kozeli: ARRSH do të ndërhyjë për zgjidhje të qëndrueshme në aksin Tepelenë-Gjirokastër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tomini: Mbi 238 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit nga shtatori deri në janar

11 January 2026 at 12:43


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Përballë rritjes së virozave sezonale, strukturat shëndetësore po intensifikojnë vaksinimin si masë kryesore për mbrojtjen e popullatës, si në qendrat shëndetësore ashtu edhe në banesat e personave që nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në to.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Eugena Tomini, gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Nr. 2 dhe një vizitë në familjen Berxolli, u shpreh se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të parandaluar komplikacionet dhe simptomat e rënda të viruseve gripale, veçanërisht te grupet më të rrezikuara.

Sipas saj, në periudhën shtator 2025-janar 2026 janë vaksinuar gjithsej 238 886 persona, një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se rritja e mbulimit vaksinor tregon ndërgjegjësim më të lartë të qytetarëve dhe angazhim të vazhdueshëm të sistemit shëndetësor për mbrojtjen e shëndetit publik gjatë sezonit të virozave. /j.p/

The post Tomini: Mbi 238 mijë qytetarë të vaksinuar kundër gripit nga shtatori deri në janar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nikolas Bushi, shqiptari nga Amerika që solli ventrilokizmin në “Albania’s Got Talent”

11 January 2026 at 10:56

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Nikolas Bushi, i riu shqiptar që jeton prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po tërheq vëmendje me një talent të veçantë dhe pak të njohur në Shqipëri, ventrilokizmin, artin e të folurit pa lëvizur buzët.

Nikolas ka ardhur disa herë në Shqipëri, ndërsa këtë tetor u rikthye për të marrë pjesë në Albania’s Got Talent, ku u shndërrua në një nga emrat më të komentuar të finales. Ai interpreton përkrah kukullës së tij, Chris, një personazh plot sarkazëm dhe humor, që sipas Nikolasit, është pjesa më argëtuese e këtij arti.

Në podkastin “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, ai rrëfen se pasioni për ventrilokizmin nisi rreth tetë vite më parë, i frymëzuar nga spektakli America’s Got Talent, të cilin e ndoqi për herë të parë në vitin 2017. Që nga ajo kohë, Nikolas ka praktikuar vazhdimisht këtë disiplinë artistike, duke e kthyer nga një kuriozitet në një profesion të mirëfilltë.

Sot, ai e sheh veten si një kontribuues në njohjen dhe përhapjen e këtij arti në Shqipëri, ku ventrilokizmi ka qenë pothuajse i panjohur.

Nikolas tregon se po punon për projekte të reja dhe se në të ardhmen mund të realizojë edhe bashkëpunime surprizë.

Mes Shqipërisë dhe Amerikës, Nikolas Bushi po ndërton një rrugëtim artistik të veçantë, duke sjellë për publikun shqiptar një formë argëtimi ndryshe, ku iluzioni, humori dhe kreativiteti ndërthuren në një eksperiencë unike skenike. j.p

The post Nikolas Bushi, shqiptari nga Amerika që solli ventrilokizmin në “Albania’s Got Talent” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Pensionet hynë nga ky janar në fazë rritjeje afatgjatë

11 January 2026 at 10:15

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se viti 2026 shënon një kthesë të rëndësishme për pensionet në Shqipëri, duke konfirmuar nisjen e rritjes graduale të tyre, në përputhje me angazhimin e marrë gjatë fushatës zgjedhore dhe të miratuar nga Kuvendi.

Në podkastin “Flasim”, Kryeministri u shpreh se rritja e pensioneve ka nisur që nga ky janar, sipas kategorive përkatëse, ndërsa shtesa do të dyfishohet çdo vit. Sipas tij, pensionistët në janarin e ardhshëm do të përfitojnë dyfishin e shtesës së këtij viti, në janarin pasues trefishin, më pas katërfishin, ndërsa në Shqipërinë 2030 ky progresion do të ndalet te pesëfishimi i shtesës së janarit 2026.

Rama e cilësoi këtë proces si një çlirim personal dhe institucional, duke theksuar se ai është rezultat i viteve reformash, rritjes ekonomike dhe përmirësimit rrënjësor të mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave. Sipas Kryeministrit, këto reforma e kanë sjellë vendin në një pikë ku rritja e pensioneve realizohet pa cenuar stabilitetin financiar të shtetit.

Ai kujtoi se për vite me radhë qeveria ka treguar përmbajtje, duke mos ndërmarrë rritje të nxituara, për të mos rrezikuar financat publike.

“Unë e di se si i kam shtrënguar dhëmbët për të bërë durim, se si ndihesha se si sikletosesha, se si mezi i nxirrja fjalët kur thosha s’ka mundësi, nuk kemi lekë për ta bërë, s’është e mundur, duhet fillimisht të rrisim mundësitë e shtetit, s’e bëjmë dot se nuk mund të minojmë shtëpinë, ku rriten fëmijët tanë… E pra duruam, por më në fund erdhëm në këtë pikë, sepse punuam çdo ditë për kthesën që sapo ka nisur dhe më e mira është e gjitha përpara për gjyshet dhe gjyshërit e këtij vendi”, deklaroi Rama.

The post Rama: Pensionet hynë nga ky janar në fazë rritjeje afatgjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga përmbytjet, prioritet

11 January 2026 at 09:58

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga përmbytjet dhe fatkeqësitë natyrore është prioritet i qeverisë, bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se procesi do të vijojë pas përfundimit të verifikimeve në terren. Nē podcast-in “Flasim” në rubrikën “Shënimet e javës”, Rama u ndal te situata e fundit e shkaktuar nga reshjet e dendura duke vënë në dukje se askush nuk do të mbetet pa përkujdesje.

Kryeministri u shpreh se motoja “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm” është parim udhëheqës sa herë që vendi dhe njerëzit përballen me fatkeqësi, që nga tërmeti shkatërrues e deri te dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, zjarret apo situata të tjera emergjente.

Ai siguroi familjet e dëmtuara nga përmbytjet e fundit se shteti qëndron pranë tyre me të njëjtin dinjitet njerëzor, shtetëror dhe politik, duke përmbushur çdo detyrim, si për banesat ashtu edhe për gjënë e gjallë.

Sipas Kryeministrit, puna e institucioneve nuk do të ndalet me përmirësimin e kushteve të motit, por do të vijojë me riparimin e dëmeve në infrastrukturë dhe dëmshpërblimin e familjeve të prekura.

“Ekipet e verifikimit janë në terren që nga dita e parë, ndërsa Ministria e Financave ka përgatitur paraprakisht planin me skenarët e dëmshpërblimit dhe po pret përfundimin e verifikimeve për të kaluar në fazën e kompensimit”, tha ai.

Duke iu referuar përvojave të mëparshme, Kryeministri nënvizoi se qeveria ka shlyer borxhet e trashëguara nga përmbytjet e mëparshme dhe nuk ka krijuar më detyrime të tilla ndaj qytetarëve, duke theksuar se kjo është një Shqipëri që nuk i lë më vetëm njerëzit e saj.

“E mos harroni, kur ne erdhëm në qeveri, në malin e borxheve që na lanë trashëgim aleatët e sotëm të fatkeqësive, ishin edhe dy kodra të larta borxhesh nga përmbytjet e zonës së Shkodrës. Ne i shlyem një më një ato borxhe për ata njerëz dhe nuk kemi hyrë më në asnjë borxh të kësaj natyre me njerëzit e këtij vendi, sepse erdhëm për të ndërtuar një Shqipëri tjetër dhe kjo është Shqipëria tjetër, që nuk i le vetëm njerëzit e saj. Kurrë më”, deklaroi Rama. J.p

The post Rama: Dëmshpërblimi i familjeve të prekura nga përmbytjet, prioritet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qarkullimi me zinxhir në disa akse rrugore

11 January 2026 at 09:50


TIRANË, 11 janar/ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se reshje dëbore janë regjistruar në zonën veriore dhe juglindore të vendit, duke prekur akse të rëndësishme si Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Razëm, Kukës-Shishtavec, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Qafë Mali-Fierzë, Qafë Bualli-Krastë, Ersekë-Leskovik, Maliq-Kufi Gramsh, Libonik-Rëmbec-Plasë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Zemblak-Dog. Goric dhe Qafë Thanë.

Në disa segmente rrugore qarkullimi kryhet me zinxhir, konkretisht në degëzimin Vermosh-Dogana, aksin Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë-Trau-Teleferik, Krujë-Sarisalltik, si dhe në Qafë Mali-Fierzë.

Ndërkohë, problematika më të theksuara paraqiten në aksin Qafë Thore-Theth, ku rruga është e bllokuar si pasojë e rënies së orteqeve, në Qafë Dushk-Sevaster në kilometrat 10-11, ku qarkullimi zhvillohet me një korsi për shkak të ngushtimit të rrugës, si dhe në aksin Përmet-Tre Urat, në zonën e Urës së Petranit, ku janë konstatuar shkarje masive aktive.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi se kontraktorët janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë të shtuar, për pastrimin dhe mbajtjen hapur të akseve rrugore, me qëllim garantimin e qarkullimit normal dhe shmangien e problematikave për përdoruesit e rrugës.

Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht kur lëvizin drejt zonave malore ku ka prezencë dëbore.

The post Qarkullimi me zinxhir në disa akse rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Vijon puna nga ekipet në këto ditë moti të keq

11 January 2026 at 09:13

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Të gjitha strukturat e shtetit janë angazhuar në terren për t’u ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga përmbytjet të shkaktuara si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit që kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se strukturat e emergjencave civile, forcat e ushtrisë, policia, pushteti vendor dhe institucionet e tjera përgjegjëse po punojnë pa ndërprerje për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Sipas Kryeministrit, përveç ndërhyrjeve për evakuimin e banorëve nga zonat më të rrezikuara, ekipet në terren kanë kryer edhe evakuimin e gjësë së gjallë, duke shmangur dëme të mëtejshme për familjet që jetojnë me blegtori. Paralelisht, janë siguruar furnizime me ushqime dhe ndihma bazë për banorët në zonat ku qarkullimi ka qenë i vështirë ose i pamundur, si dhe ushqim për bagëtinë.

“Kemi të gjitha strukturat në gatishmëri të plotë”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se monitorimi i situatës vijon në mënyrë të pandërprerë.

Autoritetet kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht në zonat pranë lumenjve dhe përrenjve, ndërsa strukturat përgjegjëse po ndjekin nga afër ecurinë e reshjeve dhe nivelin e ujërave, për të ndërhyrë menjëherë në rast nevoje.

Në zonat ku situata paraqitet më e stabilizuar autoritetet kanë nisur edhe procesin e vlerësimit të dëmeve, me qëllim ndërmarrjen e hapave përkatës për dëmshpërblimin e familjeve dhe rikuperimin e zonave të prekura.

Kryeministri shprehu mirënjohje të veçantë për të gjitha ekipet e angazhuara këto ditë.

“Puna po vijon, mirënjohje për të gjithë ekipet e angazhuara këto ditë në mot të keq”, u shpreh Rama. j.p

1 nga 18
Screenshot
Screenshot
Screenshot

The post Rama: Vijon puna nga ekipet në këto ditë moti të keq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arbana: Strukturat në terren, mbështetje banorëve të prekur nga përmbytjet

9 January 2026 at 20:55

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana bëri të ditur sot se të gjitha strukturat e bashkisë janë të angazhuara për të menaxhuar situatën pas reshjeve të fundit dhe për të mbështetur banorët e prekur nga përmbytjet.

“Bashkia është në terren dhe po punon pa ndërprerje për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për të ofruar ndihmë të menjëhershme familjeve të prekura”, deklaroi ai.

Arbana informoi se tashmë është punuar për pastrimin dhe sistemimin e rrugëve dhe kanaleve kulluese, për të siguruar qarkullimin e lirë dhe sigurinë e qytetarëve. Po ashtu, është bërë kontroll dhe pastrim i pusetave, për parandalimin e përmbytjeve dhe funksionimin normal të rrjetit kullues.

Nga ana tjetër, Arbana tha se është bërë edhe shpërndarja e pakove ushqimore dhe ndihmave për familjet e prekura. Ndërkohë ka nisur edhe puna për vlerësimin dhe dokumentimin e dëmeve në banesa, biznese dhe infrastrukturë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo problematikë pranë strukturave përgjegjëse.

“Bëni vetëdeklarimin e dëmeve nëse nuk jeni kontaktuar ende nga grupet e terrenit”, apeloi Arbana.

1 nga 3

/r.e/

The post Arbana: Strukturat në terren, mbështetje banorëve të prekur nga përmbytjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arens Çela emërohet drejtues i Prokurorisë Tiranë, Altin Dumani do të ofrojë ekspertizë në Kosovë

9 January 2026 at 20:40

TIRANË, 9 janar/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë emëroi sot prokurorin Arens Çela në drejtimin e Prokurorisë Tiranë për një mandat 3-vjeçar, që përfundon në vitin 2029.

Gjithashtu, Këshilli miratoi kërkesën e prokurorit Altin Dumani për të marrë pjesë si folës dhe ekspert kryesor në trajnimin për prokurorë, hetues dhe gjyqtarë nga Kosova, të organizuar nga ambasada britanike në Prishtinë.

Në vijim, Këshilli nisi procedurat e verifikimit të pasurisë dhe figurës për kandidatin për drejtues në Prokurorinë e Lezhës, Arben Nika, dhe për kandidatin për riemërim në drejtimin e Prokurorisë Fier, Elion Mustafaj.

Po ashtu, u miratua pezullimi i procedimit disiplinor ndaj magjistratit Dritan Gripshi, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat.

/r.e/

The post Arens Çela emërohet drejtues i Prokurorisë Tiranë, Altin Dumani do të ofrojë ekspertizë në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌