Bora vështirëson qarkullimin në Kosovë, akset kryesore po mirëmbahen
PRISHTINË, 8 janar /ATSH/ Reshjet e borës që kanë përfshirë Kosovën, kanë vështirësuar qarkullimin rrugor, ndërsa autoritetet përgjegjëse sigurojnë se rrugët nacionale dhe rajonale po mirëmbahen dhe mbeten të kalueshme.
Megjithatë, ekspertët e komunikacionit vlerësojnë se kapacitetet institucionale ende nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha rrugët, veçanërisht ato të kategorive më të ulëta.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, deklaron për KosovaPress, se pastrimi i rrugëve nacionale, rajonale dhe autostradave po bëhet vazhdimisht nga operatorët ekonomikë të angazhuar, ndërsa ka sqaruar se trotuaret nuk janë përgjegjësi e nivelit qendror.
Sipas tij, aktualisht janë të angazhuar 19 operatorë ekonomikë që po veprojnë në të gjithë territorin e Kosovës, duke pastruar borën dhe duke hedhur kripë për të siguruar qarkullim të sigurt.
“Trotuaret nuk janë punë e jona, punë e jona janë rrugët. Rrugët jemi duke i pastruar, i kemi 19 operatorë ekonomikë që janë në të gjitha rrugët rajonale, në të gjitha rrugët nacionale, autostradë, duke pastruar, duke hedhur kripë e gjëra tjera, vazhdimisht 24 orë pandërprerë janë në terren. Është e pamundur mos me i taku në rrugë, në cilëndo rrugë që shkon në Kosovë, përveç rrugëve lokale që është përgjegjësi e komunave”, thotë Durmishi.
Ndërsa, eksperti i komunikacionit, Visar Baxhuku thekson se reshjet e mëdha dhe ulja e temperaturave kanë rritur vështirësitë në qarkullim për automjete dhe këmbësorë.
Mirëpo, siç thotë ai, “kapacitetet institucionale nuk po arrijnë që të gjitha rrugët, dhe kategoritë e rrugëve edhe më të ulëta”.
“Me ndryshimet klimatike të paraqitura që para dy dite me reshje të mëdha, e sidomos me uljen e temperaturave në ditën e sotme janë rritur vështirësitë në qarkullim për automjete dhe këmbësore ne pjesën e lëvizjeve në trotuar. Gjithë drejtuesit që kanë mundësi të shmangin udhëtimet në këto situata është e rekomandueshme të minimizojnë këto udhëtime. Por, në raste kur nuk mund të minimizojnë kujdesi duhet të jetë në nivel shumë të lartë.
Këto janë vështirësi periodike që paraqiten që çdo periudhe të viteve, por sërish kapacitetet institucionale nuk po arrijnë që të gjitha rrugët, dhe kategoritë e rrugëve edhe më të ulëta, përveç autostradave dhe nacionale të jenë në nivel të kënaqshëm të mirëmbajtës me qëllim të zhvillimit të trafikut të sigurte”, thotë Buxhuku.
Sot në vendin tonë po mban mot i ftohtë dhe me mundësi për reshje bore.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) temperaturat minimale do të lëvizin nda -5 deri -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mes -1 dhe 1 gradë Celsius.
E rënia e temperaturave, veçanërisht pas reshjeve të mëdha të shiut ditët e fundit, ka bërë që institucionet të apelojnë qytetarët për kujdes.
Thirrje për kujdes të shtuar në trafik ka bërë Policia e Kosovës, për shkak të rrezikut të ngricave të mundshme në rrugë.
/KosovaPress/
The post Bora vështirëson qarkullimin në Kosovë, akset kryesore po mirëmbahen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
