Rikthimi i Kostas Tsimikas te Liverpooli nga Roma duket edhe më i mundshëm, pasi disa burime raportojnë se “Reds” janë gati t’i drejtohen klubit italian për të ndërprerë huazimin e mbrojtësit.
Reprezentuesi i Greqisë pritet të kthehet në “Anfield” gjatë këtij muaji, sidomos nëse Andy Robertson realizon kalimin te Tottenham. Mediat italiane kishin raportuar që në fillim të javës se Roma ishte e gatshme ta dërgonte Tsimikasin mbrapsht, pasi 29-vjeçari nuk ka bindur gjatë periudhës së tij të huazimit në Olimpico.
Tashmë, sipas gazetarëve Ben Jacobs dhe Fabrizio Romano, Liverpooli është i përgatitur të bëjë një kërkesë zyrtare për rikthimin e Tsimikasit, me Robertson që është pranë transferimit te Tottenham.
Kapiteni i Skocisë raportohet se është i etur për t’u zhvendosur në Londrën e Veriut, çka do ta bënte Tsimikasin zëvendësuesin e tij në skuadrën e Liverpoolit.
Ben Jacobs shton se burime pranë Tsimikasit konfirmojnë se vetë lojtari është i interesuar për një rikthim te Liverpooli.
Mbrojtësi i majtë grek ka grumbulluar vetëm 672 minuta lojë gjatë huazimit te Roma, duke dhënë një asistim në 16 paraqitje gjithsej./Telegrafi
Trajneri i Chelseat, Liam Rosenior, ka këmbëngulur se Cole Palmer është pjesë e planeve afatgjata të klubit, mes zërave të fundit për një largim të mundshëm.
Palmer realizoi gol në fitoren e Chelseat ndaj Brentfordit në ndeshjen e fundit të Liga Premier, por u la pushim në takimin e Ligës së Kampionëve kundër Pafos, teksa vazhdon rikuperimin nga një lëndim në ijë.
23-vjeçari ka zhvilluar vetëm 12 ndeshje në kampionat këtë sezon dhe është paraqitur vetëm një herë në Ligën e Kampionëve, duke shënuar gjithsej pesë gola në këto takime.
Që nga transferimi i tij në Stamford Bridge në verën e vitit 2023, vetëm Mohamed Salah (81), Erling Haaland (78) dhe Ollie Watkins (62) kanë më shumë përfshirje direkte në gola sesa Palmer (59) në elitën e futbollit anglez.
Ditët e fundit, Palmer është lidhur me një transferim të mundshëm te Manchester United, pavarësisht faktit se Chelsea ka ende shanse reale për të fituar tre trofe këtë sezon.
Megjithatë, Rosenior ka hedhur poshtë këto spekulime, duke theksuar se fokusi i tij i vetëm është rikthimi i plotë i anglezit në formën më të mirë.
“Kam pasur shumë biseda me Cole dhe ai duket shumë i lumtur këtu. Ai është shumë i lumtur që është pjesë e këtij klubi”.
“Ai është një pjesë shumë e rëndësishme e planeve tona afatgjata. Është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe çdo futbollist, gjatë karrierës së tij, kalon periudha të vështira për shkak të lëndimeve”.
“Detyra ime dhe e klubit është ta vendosim në një situatë ku ai të mund të performojë vazhdimisht në nivelin që dëshiron. Kishte frustrim në ndeshjen ndaj Brentfordit, por kjo vinte sepse ai kishte dhimbje dhe nuk mund të luante në nivelin më të lartë të mundshëm”.
“Duhet të kujdesemi për të dhe kjo është arsyeja pse nuk e aktivizova në ndeshjen e fundit”.
“Duhet të kujdesem për lojtarët. Jo vetëm për Cole, por për disa lojtarë në grup, dhe nuk mund t’i detyrojmë të luajnë”.
“Unë dua që në fund të sezonit të jemi të përfshirë në ndeshje të mëdha dhe në kompeticione të mëdha”./Telegrafi
Trajneri Mikel Arteta ka pranuar se Arsenali është ende “larg perfektes”, pavarësisht epërsive komode që skuadra e tij ka krijuar si në Ligën Premier ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
“Topçinjtë” e nisin fundjavën me një avantazh prej shtatë pikësh në krye të Liga Premier, megjithëse kjo diferencë mund të ulet në katër pikë deri në momentin kur të presin Manchester Unitedin të dielën.
Paralelisht, Arsenali kryeson edhe në Ligën e Kampionëve, me tre pikë më shumë se ndjekësit, ndërsa fitorja e mesjavës ndaj Interit i ka siguruar matematikisht vendin në dyshen e parë të renditjes me 36 skuadra.
Pep Guardiola e ka cilësuar Arsenalin si skuadrën më të spikatur në Angli, ndërsa sipas modelit parashikues të Opta-s, londinezët kanë 93.1 për qind shanse për të fituar titullin e Ligës Premier. Megjithatë, Arteta ka paralajmëruar se ekipi i tij nuk është ende një produkt i përfunduar.
“Nuk e di, mendoj se jemi një skuadër që dëshiron vazhdimisht të përmirësohet. Po bëjmë shumë gjëra siç duhet, por jemi larg perfektes”.
“Qëllimi ynë i vetëm është të ruajmë nivelin që kemi arritur dhe të përpiqemi të përmirësohemi sërish”.
“Mund të shohësh gjithnjë e më shumë ndeshje një kundër një që po pushtojnë jo vetëm Ligën Premier, por edhe Evropë. Nëse duam të kemi shanse për të fituar trofe të mëdhenj, duhet të dominojmë të gjitha fazat e lojës”.
Përballja e së dielës ndaj Manchester Unitedit e sheh Artetën kundër një kundërshtari ndaj të cilit ka fituar tetë nga 12 duelet e tij në kampionatin anglez. Megjithatë, ekziston edhe një precedent që i kujton Arsenalit se asgjë nuk është e sigurt.
Fitorja e parë dhe e vetme e Michael Carrick si trajner i përkohshëm i Manchester Unitedit në Liga Premier erdhi pikërisht kundër Arsenalit të Artetës, me një sukses 3-2 në “Old Trafford” në dhjetor të vitit 2021./Telegrafi
Barcelona ka nisur tashmë planifikimet për afatin kalimtar të verës. Pavarësisht kufizimeve financiare, klubi katalanas po kërkon zgjidhje kreative për të realizuar një goditje të madhe në merkato.
Sipas raporitmeve të mediave spanjolle po merr formë një ide me rrezik të lartë, por edhe me potencial të madh përfitimi. Barcelona dëshiron një sulmues të ri dhe brenda klubit ekziston bindja se skuadra aktuale po funksionon në një nivel të kënaqshëm, edhe pse ka mungesa të rëndësishme lojtarësh kyç.
Kjo situatë ka inkurajuar drejtuesit e Barcelonës të mendojnë për lëvizje që deri pak kohë më parë do të dukeshin të paimagjinueshme. Njëra prej tyre lidhet drejtpërdrejt me Atletico Madridin.
Sipas “El Nacional”, Barcelona po shqyrton seriozisht mundësinë e një marrëveshjeje shkëmbimi për të siguruar shërbimet e Julian Alvarez. Ideja është që të reduktohet ndjeshëm shuma e parave cash, duke përfshirë lojtarë në negociata.
Dy emrat që kanë dalë në skenë janë Gavi dhe Marc Casado. Dyshja vlerësohet së bashku rreth 70 milionë euro dhe plani i Barcelonës është të shtojë rreth 30 milionë euro të tjera, për ta bërë paketën më të pranueshme për Atletico Madridin.
Gavi ka hasur vështirësi për të rikthyer ritmin optimal pas lëndimit, ndërsa brenda klubit ekzistojnë dyshime se sa kohë do t’i duhet për t’u kthyer në formën e tij më të mirë. Ndërkohë, Casado ka dalë jashtë rotacionit të rregullt për arsye teknike, pa ndikuar ndjeshëm në performancat e skuadrës.
Kjo ka forcuar ndjesinë te drejtuesit se largimi i tyre nuk do të ulë cilësinë e lojës së Barcelonës në fushë. Nga ana tjetër, te Atletico Madridi raportohet se kjo ofertë po merret seriozisht.
Diego Simeone ka qenë prej kohësh admirues i intensitetit dhe mentalitetit luftarak të Gavit, ndërsa disiplina dhe etika e punës e Casados përputhen mirë me filozofinë e trajnerit argjentinas.
Nga këndvështrimi i Atleticos, marrja e dy lojtarëve të rinj me hapësirë të madhe zhvillimi përbën një skenar tërheqës. Simeone e kupton rëndësinë e Julian Alvarez, por ekziston edhe pranimi se largimi i tij, herët a vonë, mund të jetë i pashmangshëm./Telegrafi
Juventusi do të presë Napolin të dielën në mbrëmje në një përballje shumë të pritur të Serie A, por në një zhvillim të pazakontë, të dy trajnerët, Luciano Spalletti dhe Antonio Conte, kanë refuzuar të mbajnë konferencat tradicionale për shtyp para ndeshjes.
Sfida Juventus–Napoli nuk është vetëm një duel mes vendit të tretë dhe të pestë në një garë jashtëzakonisht konkurruese në krye të tabelës, por edhe një ribashkim i dyfishtë.
Conte rikthehet përballë klubit ku ka qenë lojtar dhe trajner fitues titujsh, ndërsa Spalletti vjen si ish-fitues i Scudettos me Napolin.
Pavarësisht peshës së madhe të këtij takimi, Conte ka vendosur të përqendrohet ekskluzivisht te stërvitja, pas barazimit 1-1 ndaj Copenhagenit në Ligën e Kampionëve në mesjavë. Trajneri i Juventusit ka zgjedhur të mos flasë me mediat në prag të kësaj ndeshjeje.
Nga ana tjetër, Spalletti ishte parashikuar të dilte para gazetarëve rreth orës 16:00 sipas kohës lokale të premten, por konferenca e tij për shtyp u anulua rreth dy orë para se të niste.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kjo nuk është hera e parë këtë sezon që Conte apo Spalletti shmangin konferencat për shtyp, por rasti i kësaj ndeshjeje konsiderohet veçanërisht i çuditshëm, duke marrë parasysh rëndësinë dhe profilin e lartë të sfidës mes Juventusit dhe Napolit./Telegrafi
Alvaro Arbeloa ka dalë në mbrojtje të Jude Bellinghamit, ndërsa për Vinicius Junior ka shprehur dëshirën që braziliani të vazhdojë të shkruajë histori me Real Madridin.
Të dy yjet e madrilenëve kanë qenë në qendër të kritikave të ashpra javët e fundit, si nga një pjesë e tifozëve të Real Madridit ashtu edhe nga mediat spanjolle. Situata kulmoi në mesjavë, kur Bellingham reagoi drejtpërdrejt ndaj kritikëve pasi shënoi gol në fitoren bindëse 6-1 ndaj Monacos në Ligën e Kampionëve.
Pikërisht përpara përballjes së Real Madridit me Villarrealin në LaLiga, Arbeloa ka zgjedhur të flasë hapur për mesfushorin anglez, duke theksuar kënaqësinë që ka pasur duke punuar me të.
“Është radha ime të flas për atë që kam përjetuar. Në ndeshje me të, madje edhe në seancat stërvitore, ai ka treguar aftësinë e tij, teknikën, lidershipin dhe karakterin”.
“Përpjekja që ai ka bërë ka qenë e jashtëzakonshme; ka mentalitet fitues, i ka të gjitha cilësitë që i duhen një lojtari të Real Madridit. Jam shumë i kënaqur me të”.
Nga ana tjetër, Vinicius Junior ishte një nga protagonistët kryesorë ndaj Monacos, duke kontribuar me dy asistime dhe një gol. Megjithatë, e ardhmja e tij në “Santiago Bernabeu” vazhdon të shoqërohet me pikëpyetje.
“Nuk është në dorën time, kjo është një çështje mes klubit dhe lojtarit. Sigurisht që shpresoj të vazhdojë të bëjë histori këtu”.
Në kampionat, Real Madridi ndodhet vetëm një pikë pas Barcelonës dhe Arbeloa beson se skuadra ndodhet në një moment vendimtar të sezonit./Telegrafi
Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht se mesfushori ofensiv 18-vjeçar, Ethan Nwaneri, është transferuar te Olympique Marseille në formë huazimi deri në fund të sezonit 2025/26.
Produkti i akademisë Hale End, i cili hyri në histori kur debutoi në Ligën Premier në moshën vetëm 15 vjeç e 181 ditë kundër Brentfordit në shtator të vitit 2022, duke u bërë lojtari më i ri ndonjëherë në këtë kompeticion, do të ketë tani mundësinë të grumbullojë minuta të rëndësishme në ekipin e parë në Ligue 1.
Nwaneri ka zhvilluar 12 ndeshje me Arsenalin në sezonin aktual, ndërsa shpërthimi i tij i vërtetë erdhi sezonin e kaluar, kur u aktivizua plot 37 herë në të gjitha garat, prej tyre 16 si titullar. Ai regjistroi 26 paraqitje në Liga Premier dhe shtatë të tjera në Ligën e Kampionëve, duke u konsideruar si një nga talentet më premtues të klubit londinez.
Mesfushori i ri nënshkroi kontratën e tij të parë profesionale në mars të vitit 2024, sapo mbushi 17 vjeç, ndërsa në gusht të këtij viti firmosi një marrëveshje të re afatgjatë me Arsenalin, çka tregon besimin e madh që klubi ka tek zhvillimi i tij.
Golave të parë me fanellën e Arsenalit i gëzoi në shtator të vitit 2024, kur shënoi dy herë në ndeshjen e Carabao Cup kundër Bolton Wanderers, përpara se të realizonte edhe golin e tij të parë në Ligën Premier në nëntor, në përballjen ndaj Nottingham Forest.
💬 "I think it fits the way of playing for the qualities that we want to see for Ethan, so it’s going to be a great experience for him."
Mikel on Ethan Nwaneri's loan move to Marseille 👇 — Arsenal (@Arsenal) January 23, 2026
Në njoftimin zyrtar, Arsenali i uroi suksese talentit të ri gjatë aventurës së tij në Francë.
“I urojmë Ethanit gjithë të mirat gjatë kohës së tij te Marseille dhe presim me padurim ta shohim duke zhvilluar talentin e tij në një nga ligat më të forta të Evropë”.
Nwaneri është pjesë e përfaqësueses së Anglisë U-21 dhe ka përfaqësuar “Tre Luanët” në çdo nivel që nga U-16 e lart. Ai është pjesë e Arsenalit që nga mosha tetëvjeçare dhe shihet si një projekt afatgjatë për të ardhmen e klubit./Telegrafi
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje në një skemë të dyshuar mashtrimi me vlerë rreth 100 mijë euro, e cila aktualisht është nën hetim nga Gjykata e Instruksionit nr. 22 në Barcelonë.
Çështja nuk ka asnjë lidhje me FC Barcelonën dhe lidhet me pretendimet se Laporta ka mashtruar një grua përmes investimeve të lidhura me kompanitë Core Store dhe CSSB Limited.
Në një deklaratë publike, duke reaguar ndaj raportimeve për paraqitjen e tij në gjykatë më 16 janar 2026, Laporta ka sqaruar qartë qëndrimin e tij, duke renditur disa pika kryesore për të hedhur poshtë akuzat.
“Unë nuk kam marrë pjesë në nënshkrimin e asnjë kontrate të lidhur me mashtrimin e pretenduar dhe nuk e njoh fare ankuesen”.
“Nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë përfaqësues apo agjent i CSSB Ltd., dhe për këtë arsye nuk kam nënshkruar asnjë kontratë dhe nuk kam marrë fonde në emër të kësaj kompanie”.
Sa i përket një dokumenti të përmendur nga avokati i paditëses, Laporta ka sqaruar se firma e tij figuron vetëm në cilësinë e dëshmitarit, në përputhje me praktikën standarde në juridiksionin përkatës.
“Firma ime shfaqet vetëm si dëshmitar, siç është praktikë normale ligjore, dhe jo si palë kontraktuese”.
“Jam plotësisht i bindur se hetimi do të vërtetojë se nuk kam luajtur asnjë rol në këtë çështje, aq më tepër që në fazën fillestare ankesa nuk u pranua për shqyrtim”.
Në fund, Laporta ka bërë të ditur se rezervon të drejtën për të ndërmarrë veprime ligjore ndaj mediave që, sipas tij, kanë publikuar informacione të njëanshme ose të pasakta, të cilat dëmtojnë imazhin dhe reputacionin e tij personal dhe profesional./Telegrafi
Juventusi ka nisur tashmë planifikimin për të ardhmen e repartit ofensiv për verën e ardhshme, me synimin për të zëvendësuar Dusan Vlahovic dhe për të sjellë emra të rinj kyç në sulm.
Mes profileve që bardhezinjtë po ndjekin me vëmendje është edhe Fisnik Asllani, i cili aktualisht aktivizohet te Hoffenheim.
Sulmuesi 1.91 metra i gjatë po kalon një sezon pozitiv, duke regjistruar 19 paraqitje në Bundesliga dhe Kupën e Gjermanisë, ku ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë pesë asistime.
Hoffenheim e vlerëson Asllanin rreth 30 milionë euro, një shifër që e bën operacionin të vështirë, por gjithsesi konkret për një lojtar të ri me potencial të madh zhvillimi.
Interesi për të nuk mungon, pasi edhe Bayern Munich po e monitoron situatën, me klubin bavarez që e sheh si një alternativë të mundshme për të ardhmen, përfshirë edhe skenarin e zëvendësimit të Harry Kane.
Plani i Juventusit, duke shpresuar që edhe Youssef En-Nesyri të ketë ndikim pozitiv nëse, siç pritet, transferohet në janar, është ndërtimi i një reparti të ri sulmues. Ideja është një treshe e përbërë nga sulmuesi maroken, Openda dhe Asllani, ndërsa Jonathan David nuk konsiderohet më prioritet për bardhezinjtë, raportojnë mediat italiane pranë klubit nga Torino.
Ndërkohë, Asllani do të largohet nga Hoffenheim por aktualisht është i fokusuar që ta kualifikojë skuadrën gjermane në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/
Liga Profesionale Saudite po përgatit një ofensivë të madhe në tregun e transferimeve këtë verë, me Mohamed Salah dhe Vinicius Jr të identifikuar si dy objektivat kryesorë.
Klubet saudite kanë shqyrtuar tashmë mundësinë e transferimit të Salah gjatë këtij afati, por Liverpooli nuk ka treguar asnjë gatishmëri për negociata. Sulmuesi egjiptian, tashmë 33 vjeç, ende nuk ka vendosur nëse është gati të largohet nga futbolli elitar evropian në fund të sezonit.
Interesi nga Arabia Saudite pritet të intensifikohet gjatë verës, kur klubet do të kenë më shumë fleksibilitet për të realizuar transferime të bujshme, për shkak të skadimit të disa kontratave të profilit të lartë.
Situata e Vinicius Jr po ndiqet gjithashtu nga afër, pasi bisedimet për një kontratë të re me Real Madridin kanë ngecur. Marrëveshja aktuale e brazilianit skadon në vitin 2027, çka e mban ende të hapur të ardhmen e tij.
Ndërsa disa brenda Ligës Saudite e shohin Salah si një ikonë globale që do ta ngrinte ndjeshëm profilin e kampionatit, të tjerë besojnë se Vinicius Jr përfaqëson një investim më strategjik dhe afatgjatë.
Vera pritet të jetë vendimtare për ambiciet e Ligës Profesionale Saudite, e cila synon të vazhdojë afrimin e yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror./Telegrafi
Ylli i futbollit Cristiano Ronaldo po e konsideron seriozisht pensionimin nga futbolli vitin e ardhshëm.
Pesë herë fituesi i Topit të Artë që ka fituar thuajse të gjitha trofetë në futboll është duke konsideruar të ardhmen, ndërsa një nga opsionet më të mundshme është largimi nga Al Nassr si dhe t’i “varë këpucët”.
Sipas asaj që raporton gazetari i njohur Ben Jacobs, Ronaldo pritet të largohet nga Al Nassr në verën e vitit 2027 dhe po konsideron seriozisht pensionimin nga futbolli.
Në bazë të raportimit, Ronaldo tashmë ka vendosur që të ndërpresë bashkëpunimin me klubin arab, me këta të fundit që po shpresojnë ta mbajnë duke i ofruar përqindje në aksionet e skuadrës.
Arabia Saudite po shpreson ta mbajë Ronaldon si ambasador, si dhe t’i jap plotë 15 për qind të aksioneve të Al Nassr, aty ku do të bëhet drejtuesi i klubit, një objektiv që portugezi e ka shprehur publikisht disa herë.
Cristiano Ronaldo is likely to leave Al Nassr in the summer of 2027, and the five-time Ballon d’Or winner could potentially retire from football.
Even if he extends by a further year, plans are being put in place to prevent a sharp decline in global interest when… pic.twitter.com/n5r3duQgA3 — The Nassr Tribune™️ (@AlNassrTribune) January 22, 2026
Kujtojmë, Ronaldo aktualisht është i fokusuar për ta fituar titullin në Arabinë Saudite, si dhe Kupën e Botës me kombëtaren e Portugalisë, trofeu i vetëm që ende nuk e ka shijuar.
Përpos tyre, ish ylli i Real Madridit ka bërë të qartë se ka për objektiv të bëhet golashënuesi i parë që shkon në shifrën e 1 mijë golave./Telegrafi
Paris Saint-Germain po përgatit një ofertë të madhe verore për mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez, por “Blutë” kanë vendosur një çmim shumë të lartë për reprezentuesin e Argjentinës, që varion nga 100 deri në 140 milionë euro.
Me kontratën e tij të vlefshme deri në vitin 2032, Chelsea ndodhet në një pozitë shumë të fortë për të kërkuar një shumë të konsiderueshme për njërin nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, ndërsa çdo marrëveshje e mundshme do të renditej ndër transferimet më të mëdha të afatit të ardhshëm kalimtar.
PSG ka shfaqur interes konkret për fituesin e Kupës së Botës dhe tashmë ka pasur kontakte joformale me përfaqësuesit e lojtarit, megjithatë ende nuk është dorëzuar asnjë ofertë zyrtare.
Kampionët e Francës e pranojnë se transferimi i Enzo Fernandez nuk do të jetë aspak i lehtë, duke marrë parasysh kohëzgjatjen e kontratës së tij në “Stamford Bridge” dhe vlerësimin e palëkundur të Chelseat.
Real Madridi, i cili më herët ishte lidhur me ish-yllin e Benficas, ka hequr dorë nga ndjekja e tij, duke e lënë PSG-në si pretenduesen më serioze në këtë fazë./Telegrafi
Manchester United janë gati të nisin bisedimet me Kobbie Mainoo për një kontratë të re.
Në të njëjtën ditë kur United konfirmuan se një mesfushor kyç do të largohet nga “Old Trafford” – me Casemiron, që së shpejti mbush 34 vjeç, i cili do të largohet në fund të këtij sezoni – klubi po synon tani të sigurojë të ardhmen e një tjetër mesfushori, shumë më të ri, përmes një marrëveshjeje të përmirësuar ndjeshëm.
Raportohet se tashmë ka pasur kontakte fillestare me përfaqësuesit e Mainoos, me planin për t’u ulur dhe për të diskutuar detajet e një kontrate të re dhe më të favorshme, e cila do ta sillte pagën e tij më afër nivelit të bashkëlojtarëve dhe statusit që ai gëzon në skuadër.
Si produkt i akademisë së Manchester United, paga e Mainoos aktualisht është ndër më të ulëtat në mesin e lojtarëve të ekipit të parë. Megjithatë, duke qenë se 20-vjeçari nuk ishte pjesë e planeve të ish-trajnerit Ruben Amorim dhe me 18 muaj të mbetur në kontratën ekzistuese – plus një opsion për një vit tjetër – hapja e negociatave të reja nuk ishte parë më herët si prioritet nga klubi.
Napoli ishte mes disa klubeve të mëdha evropiane të interesuara për Mainoon, por pavarësisht raportimeve se reprezentuesi i Anglisë ishte i gatshëm të shqyrtonte një huazim këtë muaj për të fituar më shumë minuta, “Sky Sports News” mësoi se Manchester United nuk kishte ndërmend ta pranonte një mundësi të tillë dhe e konsideron Mainoon si pjesë kyçe të së ardhmes së klubit.
Mainoo nuk e nisi asnjë ndeshje të Ligës Premier këtë sezon nën drejtimin e Amorim, por u aktivizua si titullar në mundësinë e parë nga trajneri i ri, Michael Carrick, fundjavën e kaluar.
Mesfushori i ri dha një paraqitje shumë bindëse në fitoren 2–0 të United ndaj Cityt në derbin e Mançesterit, duke forcuar edhe më shumë bindjen e klubit për ta lidhur atë me një kontratë afatgjatë./Telegrafi
Përzgjedhësi i kombëtares rumune, Mircea Lucescu, është shtruar me urgjencë në spital këtë javë dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
Problemet shëndetësore të teknikut 80-vjeçar kanë nisur nga një ftohje e rëndë që ai pësoi pas Krishtlindjeve, e cila më pas ka ndikuar edhe në zemër. Lucescu përfundoi në shtrat spitali pasi u shtrua urgjentisht nga mjekët në Bukuresht.
Ai u godit nga një ftohje e fortë gjatë pushimeve dimërore, por situata u komplikua për shkak të problemeve kardiake dhe moshës së avancuar. Fillimisht, trajneri iu nënshtrua një trajtimi shumë intensiv, por nuk arriti të rikuperohej dhe, përkundrazi, gjendja e tij u rëndua më tej.
Mircea Lucescu kishte përgatitur një program shumë të detajuar për këtë periudhë, duke pasur parasysh se pas dy muajsh kombëtarja e Rumanisë do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e playoffit kualifikues për Kupën e Botës, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Trajneri i “trengjyrëshave” kishte planifikuar të ishte i pranishëm në Antalya gjatë muajit janar, aty ku shumica e skuadrave të Superligës turke po zhvillonin përgatitjet dimërore, për të ndjekur nga afër lojtarët që kishte në vëzhgim. Megjithatë, problemet shëndetësore ia pamundësuan praninë, ndaj ai u detyrua t’i dërgonte bashkëpunëtorët e tij për të mbledhur informacion në terren.
Gjendja e dobët shëndetësore nuk i ka lejuar Lucescus të ndjekë asnjë ndeshje të Superligës turke, ku tashmë është zhvilluar një javë kampionati.
Për më tepër, tekniku rumun kishte planifikuar ta studionte me shumë kujdes kundërshtarin, por nuk arriti ta realizojë këtë plan./Telegrafi
Bashkimi e ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Kosovës duke eliminuar GO+ Pejën në përballjen mjaftë dramatike.
Skuadra prizrenase triumfoi me rezultat 70-73 (22-20, 17-22, 11-12, 20-19).
Peja e nisi më mirë për ta mbyllur çerekun e parë me dy pikë avantazh, mirëpo Bashkimi u këndell në çerekun e dytë duke e përmbysur rezultatin, për të shkuar tre pikë përpara.
Çereku i tretë ishte tepër i baraspeshuar, ku Bashkimi e mbylli me një pikë avantazh (11-12), ndërsa pavarësisht përpjekjeve Peja nuk arriti të shkaktonte ndonjë përmbysje për t’i thyer mysafirët (20:19).
Vlen të ceket së në minutën e fundit, ndeshja u ndëprrerë për disa minuta shkaku i pakënaqësive të tifozëve të Pejës që hodhën gjësende në parket.
Tifozët vendas në shenjë proteste gjuajtën mjete tymosëse si dhe bënë fyerje në drejtim të kryesisë së klubit pejan.
Më i dalluari në këtë sfidë ishte Lake me 17 pikë, ndihmuar nga Armstead me 13 sosh. Ndërsa te Peja më i dalluari doli të jetë Flatten me 17 pikë./Telegrafi/
Arsenal dhe Barcelona po udhëheqin garën për nënshkrimin e Julian Alvarez verën e ardhshme, me të dy klubet që e shohin sulmuesin argjentinas si një pjesë kyçe për ambiciet e tyre madhore.
Sipas ekspertit të transferimeve Ekrem Konur, Arsenali e konsideron Alvarezin si sulmuesin që i mungon për ta fituar më në fund titullin e Ligës Premier, ndërsa Barcelona e sheh atë si zëvendësuesin ideal afatgjatë të Robert Lewandowskit.
Atletico Madridi ka vendosur një çmim shumë të lartë për kartonin e lojtarit, që tejkalon 150 milionë euro, me mundësinë që shifra të rritet deri në 200 milionë euro, në varësi të bonuseve dhe negociatave.
Alvarez iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City në vitin 2024 për një shumë prej 82 milionë funtesh dhe ka qenë në formë të shkëlqyer që nga transferimi. Në sezonin e tij të parë, ai shënoi 29 gola, ndërsa në këtë edicion ka shtuar edhe 11 të tjerë.
Megjithë suksesin personal, 25-vjeçari ende nuk ka fituar trofe madh nën drejtimin e Diego Simeones. Atletico e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e tretë në La Liga dhe aktualisht renditet i katërti, tetë pikë prapa liderëve të Barcelonës.
Interesi i Arsenalit dhe Barcelonës pritet ta bëjë verën e ardhshme jashtëzakonisht të nxehtë në merkato, por mbetet të shihet nëse ndonjë klub do të jetë i gatshëm të përmbushë kërkesat financiare të Atletico Madridit për njërin nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë./Telegrafi
Tensioni po rritet në Kataluni përpara ndeshjes së fundit të Barcelonës në fazën e ligës së Ligës së Kampionëve, që do të luhet të mërkurën, më 28 janar.
Barcelona e mbylli fazën e ligës sezonin e kaluar në vendin e dytë pa shumë vështirësi, por këtë edicion gjërat kanë qenë dukshëm më të komplikuara. Para ndeshjes finale, katalanasit ende nuk e kanë të sigurt kualifikimin automatik në fazën e 1/8 së finales përmes një renditjeje në tetëshen e parë.
Hansi Flick dhe lojtarët e tij janë të vendosur ta shmangin raundin e playoffit, por paraqitjet e paqëndrueshme në Evropë do të thonë se gjithçka do të vendoset në përballjen e tetë të kësaj faze.
Ja çfarë duhet të arrijë Barça për të siguruar kalimin direkt në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve:
Barcelona hyn në ndeshjen e fundit të fazës së ligës jashtë tetëshes së parë, por fitorja 4–2 ndaj Slavia Prague e ka ngritur në vendin e nëntë të renditjes. Aktualisht, katalunasit kanë 13 pikë, po aq sa edhe shtatë skuadra të tjera, përpara përballjes së favorshme ndaj FC Copenhagen në “Camp Nou”.
Për të siguruar një vend në top tetë, fitorja ndaj danezëve është e domosdoshme. Tri pikë të tjera do t’i jepnin Barcelonës shanse shumë të mira për kualifikim direkt, sidomos duke pasur parasysh se dy skuadra që janë mbi ta në renditje, Paris Saint-Germain dhe Newcastle United, do të përballen mes vete në xhiron e fundit.
Megjithatë, me Chelsea, Sporting CP, Manchester City, Atletico Madrid dhe Atalanta që kanë gjithashtu nga 13 pikë, diferenca e golave pritet të jetë vendimtare nëse skuadrat përfundojnë me pikë të barabarta. Barcelona ka aktualisht golavarazh +5, por është më e dobët në këtë aspekt krahasuar me PSG, Newcastle dhe Chelsea, ndërsa është në të njëjtin nivel me Sportingun.
Për këtë arsye, Flick dhe skuadra e tij nuk do të kërkojnë vetëm fitoren ndaj Copenhagen, por një fitore sa më bindëse për të rritur gjasat e përfundimit në tetëshen e parë.
Një barazim do t’i zvogëlonte ndjeshëm shpresat e Barcelonës për kualifikim automatik, pasi do të varej nga dështimet e skuadrave të tjera me pikë të barabarta, si dhe nga rezultatet e Interit, Juventusit dhe Borussia Dortmundit. Një humbje do të ishte pothuajse fatale.
Sa u përket rivalëve direkt me nga 13 pikë, Chelsea ka përballjen më të vështirë, pasi udhëton te kampioni aktual i Serie A, Napoli. Sporting do të ketë një transfertë të komplikuar te Athletic Club, ndërsa Manchester City pret Galatasarayn. Atletico Madridi pret Bodo/Glimt, Atalanta udhëton te Union Saint-Gilloise, ndërsa PSG pret Newcastle në Francë.
Gjithsesi, Flick e di se Barcelona e ka të sigurt të paktën kualifikimin në fazën me eliminim direkt. Fitorja ndaj Slavia Prague ka garantuar një vend në raundin playoff, por në “Camp Nou” janë të vendosur të shmangin edhe dy ndeshje shtesë.
Mungesa e një vendi në tetëshen e parë nuk do të ishte fundi i botës. Kampioni aktual i Evropës, PSG, sezonin e kaluar e mbylli fazën e ligës vetëm në vendin e 15-të, ndërsa Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe Real Madridi arritën deri në çerekfinale pa u kualifikuar automatikisht në 1/8 e finales./Telegrafi
Legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard ka vlerësuar trajnerin aktual të klubit, Arne Slot, për paraqitjen bindëse ndaj Marseille, por njëkohësisht e ka paralajmëruar trajnerin holandez se duhet të ndalojë së foluri vazhdimisht për vështirësitë kundër skuadrave që mbrohen thellë.
Skuadra e Slot përfitoi maksimalisht nga loja e hapur dhe stili progresiv i Marseille, duke regjistruar një fitore të qetë 3–0 në Ligën e Kampionëve, në një sezon që përndryshe ka qenë problematik për Liverpoolin.
Vetëm fundjavën e kaluar, Burnley arriti të nxirrte një barazim 1–1 në “Anfield”, një rezultat që u shoqërua me fishkëllima nga tifozët vendas, por që, sipas Slot, ishte një ndeshje pozitive për skuadrën e tij.
“E di pse nuk jemi konstantë dhe kjo lidhet kryesisht me faktin se një ndeshje e hapur është krejtësisht ndryshe nga përballja me një bllok të ulët”.
“Nuk mund ta krahasosh këtë ndeshje me atë të sonte, kur të dyja skuadrat duan të presojnë dhe të ndërtojnë lojën nga prapavija. Nëse jemi jokonsistentë, kjo ndodh sepse hasim vështirësi kundër blloqeve të ulëta”.
Megjithatë, Gerrard mendon se Slot duhet ta mbyllë këtë diskutim.
“Ai duhet të ndalojë së përmenduri blloqet e ulëta. Këto blloqe kanë ekzistuar kundër Liverpoolit që kur luaja unë. Kjo është thjesht mënyra se si skuadrat përballen me Liverpoolin”.
Pavarësisht kritikës, ish-kapiteni i Liverpoolit pati edhe fjalë pozitive për trajnerin aktual.
“Jam vërtet i lumtur për të. Nuk është aspak e lehtë të punosh nën atë presion. Taktikat e tij ishin perfekte sonte. Ai meriton shumë lavdërime dhe respekt”./Telegrafi
Mesfushori Casemiro do të largohet nga Manchester United në fund të këtij sezoni, sapo t’i skadojë kontrata aktuale.
33-vjeçar ka në kontratë një opsion për zgjatje edhe për një vit tjetër, por skuadra angleze përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se bashkëpunimi nuk do të vazhdojë.
"The Athletic" kishte raportuar në janar se klauzola e zgjatjes njëvjeçare mund të aktivizohej edhe automatikisht nëse Casemiro do të niste si titullar një numër të caktuar ndeshjesh, që besohet të jetë 35, gjatë sezonit 2025/26.
Megjithatë, pas eliminimeve të hershme të Manchester United nga të dyja kupat vendase, braziliani do të duhej të ishte titullar në të gjitha 16 ndeshjet e mbetura të Liga Premier për ta arritur këtë shifër, diçka që konsiderohet shumë pak e mundshme.
Reprezentuesi i Brazilit iu bashkua Manchester United nga Real Madridi në verën e vitit 2022, në një transferim që i ka kushtuar klubit anglez të paktën 60 milionë funte (rreth 80.9 milionë dollarë).
Paga e Casemiros ka qenë 15 milionë funte në vit për tre sezonet (përfshirë edhe aktualin) në të cilat United nuk ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, ndërsa ka shkuar në 18 milionë funte në sezonin e vetëm kur klubi ka qenë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm të klubeve në Evropë.
Këtë sezon, Casemiro ka qenë titullar në shumicën e ndeshjeve të Manchester United nën drejtimin e Ruben Amorim, Darren Fletcher dhe Michael Carrick. Ai ka munguar vetëm në dy humbjet në kupa për shkak të rotacionit, si dhe në ndeshjet e Liga Premier ndaj Brentford dhe Aston Villa për shkak pezullimi.
Që nga ardhja nga Madridi, ai ka qenë një figurë konstante në formacionin e United, edhe pse paraqitjet e tij kanë qenë herë pas here objekt kritikash.
Casemiro will leave Manchester United when his contract expires at the end of the season.
Gjatë këtij sezoni, Casemiro ka regjistruar 21 paraqitje, duke e çuar numrin total të ndeshjeve me fanellën e Manchester United në 146.
Braziliani mbetet gjithashtu pjesë e rregullt e përfaqësueses së Brazilit dhe pritet me shumë gjasë ta përfaqësojë vendin e tij në Kupën e Botës që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë./Telegrafi