Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 23 December 2025Main stream

Gonxhja: Projekti i Teatrit të ri Kombëtar, në fazën e realizimit ndërtimor

23 December 2025 at 20:00

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Projekti për Teatrin e Ri Kombëtar ka hyrë tashmë në etapën e realizmit ndërtimor ndërsa punimet vazhdojnë me intensitet pas hedhjes së themeleve.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja informoi se pas përfundimit të fazës komplekse të punimeve nëntokësore, projekti ka hyrë në etapën e realizimit ndërtimor, duke marrë formë një hapësirë ikonike për artin dhe kulturën.

Sipas tij, Teatri i Ri Kombëtar, vepër e një prej arkitektëve më të shquar bashkëkohorë, Bjarke Ingels dhe studios daneze BIG, po ngrihet si një nga teatrot më të bukur dhe më përfaqësues të ndërtuar në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Godina e re e Teatrit Kombëtar po merr formë në vendin ku ngrihej teatri i vjetër. Sipas projektit, ndërtesa është ndarë në dy pjesë: një për aktorët dhe administratën, dhe një tjetër për publikun.

Teatri i Ri Kombëtar do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por pritet të hyjë në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.

Ky teatër dita-ditës po ngrihet si vepër arkitektonike që do ta transformojë kryeqytetin në një destinacion europian të artit dhe arkitekturës bashkëkohore.

/e.i/j.p/

The post Gonxhja: Projekti i Teatrit të ri Kombëtar, në fazën e realizimit ndërtimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Atmosferë festive në Përmet

23 December 2025 at 19:08

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Atmosfera festive e dhjetorit ka përfshirë edhe qytetin e Përmetit.

Bredhi gjigant në qendër të qytetit, dritat shumëngjyrëshe dhe dekori i veçantë e kanë “veshur” Përmetin me një atmosferë festive për këtë muaj të fundvitit.

Kryeministri Edi Rama, ndau momente nga festa në qytet, ku u bashkuan shumë qytetarë, të cilët shijuan momentin e ndezjes së dritave të pemës dhe koncertin e grupit artistik të fëmijëve.

Atmosfera e krijuar nga zbukurimet dhe dritat e shumta do ta shoqërojë këtë muaj gjithë qytetin e Përmetit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, por edhe vizitorëve të ndryshëm.

/e.i/j.p/

The post Atmosferë festive në Përmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Forcohet roli në mbrojtjen e territorit, shtohet pozicioni i Prefektit Detar

23 December 2025 at 18:45

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Propozimet për ndryshime në ligjin “Për prefektin e qarkut”, u diskutuan në një tryezë konsultative të drejtuar nga ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, së bashku me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo, në të cilën ishin të pranishëm të gjithë prefektët e qarqeve në vend.

Sipas draftit të përgatitur, në ligjin e ri do të forcohet roli i prefektit në çështjet që kanë të bëjnë me mbrojtjen e territorit, po gjithashtu edhe për emergjencat civile e për aspekte të ndryshme të sigurisë publike.

Një risi e propozuar është ajo e funksionit të “Prefektit Detar”, i cili ka në përgjegjësi mbrojtjen e vijës bregdetare.

Gjatë kësaj tryeze konsultative u vlerësuan propozimet e bëra dhe u bënë sugjerime interesante në lidhje me projektligjin e ri.

Duke qenë se po afrohemi drejt fundit të vitit, ministrja Koçiu u kërkoi prefektëve të qarqeve një angazhim edhe më të fortë për të koordinuar strukturat në garantimin e rendit e sigurisë publike gjatë festave që po afrojnë, por edhe në lidhje me masat që duhen pasur parasysh në raste emergjencash.

Projektligji “Për Prefektin e Qarkut” synon të riformësojë rolin e prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në territor dhe të forcojë mekanizmat e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor.

Projektligji parashikon një rol më aktiv të prefektit në ndërlidhjen e veprimtarisë së administratës shtetërore me pushtetin vendor, si dhe në raportimin e drejtpërdrejtë pranë Kryeministrit në rastet kur problematikat nuk gjejnë zgjidhje në nivel ministror.

Risi e paketës ligjore është krijimi i institucionit të “Prefektit Detar”, një strukturë e re që synon forcimin e sigurisë në zonat bregdetare. Sipas projektligjit, do të emërohen dy prefektë detarë, me qendra në Durrës dhe Vlorë, me juridiksion mbi dhe nën lumin Seman. Prefekti Detar do të ketë përgjegjësi të gjera në koordinimin e sigurisë detare, monitorimin e vijës bregdetare, menaxhimin e burimeve detare, sigurinë e plazheve, luftën kundër aktiviteteve të paligjshme në det dhe drejtimin e strukturave për emergjencat civile detare.

/e.i/j.p/

The post Koçiu: Forcohet roli në mbrojtjen e territorit, shtohet pozicioni i Prefektit Detar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Komuna e Tetovës, qendër dinamike arsimore dhe kulturore

23 December 2025 at 16:37

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut vizitoi komunën e Tetovës.

Spiropali u prit fillimisht nga kryetari i komunës Bilall Kasami.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon.

Më tej, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës.

“Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët”, theksoi Spiropali nga shkolla e mesme mjekësore.

Kryediplomatja shprehu emocione nga performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës, aty ku, siç theksoi ajo, një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë.

Ministrja Spiropali zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministrin Hristijan Mickosk dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit fqinj.

Nga vizita e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në Komunën e Tetovës
1 nga 12

/e.i/j.p/

The post Spiropali: Komuna e Tetovës, qendër dinamike arsimore dhe kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shpallen fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025

22 December 2025 at 14:03

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka përmbyllur Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025, një iniciativë që u zhvillua përgjatë disa muajve, me qëllim identifikimin e talenteve të reja në nivel kombëtar.

AKSK njofton se maratona u organizua në tre kategori kryesore: Maratona për Universitetet dhe Shkollat Profesionale, Maratona për Vajzat dhe Gratë, si dhe Maratona Speciale për personat me nevoja të veçanta, duke reflektuar një qasje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Formati i kësaj nisme ngjalli interes të lartë, me mbi 1000 aplikantë, prej të cilëve më shumë se 500 konkurrentë u përzgjodhën për të marrë pjesë aktive në fazat konkurruese.

Sipas AKSK, pjesëmarrësit u testuan përmes sfidave teknike të nivelit profesional, të implementuara dhe të administruara përmes platformës SimSpace, e financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Sfidat përfshinë analiza, menaxhim incidentesh, simulime proaktive, si dhe zgjidhje skenarësh me kompleksitet të lartë.

Në aktivitetin e finales së maratonës, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, theksoi se Maratona Kombëtare e Sigurisë Kibernetike është një format që bashkon studentë të universiteteve, vajza dhe gra, si dhe persona me aftësi të kufizuara.

Ai nënvizoi se kjo maratonë shërben si një mekanizëm konkret për identifikimin e talenteve dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale, të domosdoshme për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend, si dhe për zhvillimin e sigurt të shërbimeve digjitale në vend.

Fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025

Maratona për vajzat dhe gratë:

Vendi I: Ana Kaci

Vendi II: Adriana Roci

Vendi III: Irva Dafa

Maratona për studentët:

Vendi I: Earta Joca

Vendi II: Sidrit Zela

Vendi III: Orgito Leka

Vendi III: Firdeus Dikelari

Vendi III: Asim Lecini

Vendi III: Emanuel Dervishi

Vendi III: Abdurrahman Sejta

Vendi III: Arkel Lahi

Maratona speciale për persona me aftësi të kufizuara:

Vendi I: Dorina Olldashi

Vendi II: Erblin Karaj

Vendi III: Alvaro Dunja

Maratona për Universitetet:

Vendi I: Akademia e Forcave të Armatosura

Vendi II: Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit

Vendi III: Universiteti “Neë York”

/e.i/a.f/

The post Shpallen fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia plan masash për protestën e PD-së, bllokim i disa akseve rrugore

22 December 2025 at 12:04

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Partia Demokratike do të zhvillojë sot në orën 18:00 një protestë para Kryeministrisë.

Në kuadër të këtij tubimi, policia e Tiranës njoftoi se ka ndërmarrë të gjitha masat me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit.

Sipas Policisë së Shtetit, në zbatim të këtyre masave, me qëllim garantimin e mbarëvajtjes së tubimit, ditën e sotme do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore.

Policia cilëson se nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”.

Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia bën të ditur se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.

/e.i/

The post Policia plan masash për protestën e PD-së, bllokim i disa akseve rrugore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Braho: Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale

22 December 2025 at 10:47

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Klodian Braho mori sot zyrtarisht detyrën si drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Braho me një mandat tre vjeçar, zëvendëson në këtë detyrë Altin Dumanin.

Kreu i ri i SPAK, Klodian Braho nënvizoi se marrja e detyrës është një angazhim për të respektuar Kushtetutën, për të mbrojtur pavarësinë e SPAK dhe për të forcuar besimin e qytetarëve. Braho tha se “falë mbështetjes së ndërkombëtarëve, SPAK po përforcohet”.

“Falënderoj paraardhësin në detyrë z. Kraja për vendosjen e gurëve të parë në institucion për të marrë formën që ka sot si dhe z. Dumani për guximin dhe integritetin duke përforcuar figurën e SPAK. Fokusi im do të mbetet forcimin i funksionimit të brendshëm. Institucioni do të vazhdojë të komunikojë në mënyrë të qartë me median dhe publikun brenda kornizave ligjore. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale. Unë besoj se jemi një skuadër dhe duhet të punojmë krah për krah me përkushtim për zotimin tonë për respektimin  Kushtetutës”, tha Braho.

Klodian Braho u zgjodh me drejtues i ri i SPAK, duke marrë 7 vota nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Përpara dorëzimit të stafetës te Braho, ish-kreu i SPAK, Dumani tha se sot mbyllet një kapitull që ka qenë ndër më sfiduesit në karrierën e tij 26 vjeçare si prokuror.

“Drejtimi i Prokurorisë së Posçame ka qenë një privilegj i madh, por edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme. Në rrugën tonë jemi ndeshur me vendime të vështira, sfida institucionale dhe presione të mëdha. Në çdo hap kemi punuar me integritet, profesionalizëm dhe vendosmëri. Sot, e them me bindje se SPAK është më i fortë, më i konsoliduar dhe më i besueshëm se më parë”, tha Dumani.

“Këto arritje janë rezultat i punës së palodhur të të gjithëve, prokurorëve, oficerëve të BKH-së, hetuesve financiarë, ekspertëve, stafit administrativ, kabinetit dhe çdo punonjësi që ka kontribuar me ndershmëri dhe kurajo.

Ju falënderoj për përkushtimin dhe sakrificat. Ju shpreh mirënjohjen partnerëve tanë ndërkombëtare, të cilët kanë qenë krah nesh në çdo etapë me ekspertizë të pakushtëzuar. Kontributi i tyre ka qenë i çmuar për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ndërtimin e standardeve që kemi sot. Një falënderim i veçantë për publikun shqiptar, besimi i tij ka qenë forca jonë më e madhe. I uroj shumë suksese z. Braho në detyrën e re dhe kam bindjen se ai do të mbështetet mbi trashëgiminë 6-vjeçare duke e çuar përpara misionin e SPAK me integritet e vendosmëri”, tha Dumani.

Prezantohet kreu i ri i SPAK - Foto: Andrin Hoxha
1 nga 13
Prezantohet kreu i ri i SPAK - Foto: Andrin Hoxha

/e.i/a.f/

The post Braho: Misioni i SPAK shkon përtej mandateve individuale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor

22 December 2025 at 10:25

TIRANË, 22 dhjetor /ATSH/ Historia e tretë e kopertinës e “World Health Voices” i është kushtuar Profesoreshë Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një eksperte e njohur ndërkombëtarisht në imazherinë onkologjike, karriera e së cilës ka përfshirë Universitetin e Cambridge-it (Mbretëri e Bashkuar), Memorial Sloan Kettering Cancer Center (Nju Jork, SHBA), Policlinico Gemelli (Romë, Itali)  dhe tani drejtimin kombëtar për shëndetësinë.

Gjatë kësaj bisede, ministrja Sala reflekton mbi thirrjen e saj të hershme drejt mjekësisë, rrugëtimin shkencor të bazuar në inovacion dhe kërkimin onkologjik, si dhe angazhimin për të ndërtuar një sistem shëndetësor më të barabartë, modern dhe të përqendruar te pacienti për Shqipërinë.

Si Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala mbulon jo vetëm shëndetësinë, por edhe mirëqenien sociale, një portofol që ajo e përshkruan si “gjigant”.

Në sektorin e shëndetësisë, Sala ka përcaktuar tre fusha të mëdha, Onkologjia dhe Rrjeti Shqiptar i Kancerit, Një sistem i unifikuar diagnostik si dhe Inteligjenca artificiale dhe integrimi digjital.

Duhet të përmirësojmë shërbimet e kancerit në Shqipëri”, shprehet Sala e cila planifikon krijimin e Rrjetit Shqiptar të Kancerit, me një Institut Onkologjik në Tiranë në qendër.

Rrjeti është në ndërtim e sipër dhe do të krijohet në gjashtë muajt e ardhshëm, dhe instituti do të vijojë gjatë vitit pasues”, vijon ajo duke shtuar se “ne duam ta çojmë mjekësinë e kancerit te pacienti, jo pacientin te mjekësia”.

Kjo do të shoqërohet me standardizimin e protokolleve onkologjike dhe hedhjen e bazave, brenda rreth dy vitesh, për kapacitetet e provave klinike në Shqipëri.

Ministrja deklaron se: “ne duam që Shqipëria të ketë kapacitet për të zhvilluar prova klinike, për të hapur derën e inovacionit në mënyrë të strukturuar”.

Diagnostika është  një tjetër fushë e lidhur ngushtë me formimin e saj profesional dhe Sala synon që të ndërtojë një sistem sistem diagnostik të integruar mirë në të gjithë vendin. 

Me një popullsi rreth 2.4 milionë banorë, ajo vëren se “Shqipëria është si një qytet i madh, madje jo shumë i madh, po të mendosh për disa qendra urbane globale”.

Kjo shkallë, sipas saj, është avantazh. “Shqipëria mund dhe do të ketë një sistem diagnostik të unifikuar në afat të mesëm dhe të gjatë”.

Shtylla e tretë është inteligjenca artificiale dhe shëndetësia digjitale, e lidhur ngushtë si me onkologjinë ashtu edhe me diagnostikën.

Ne duam të krijojmë një sistem bazë të integruar, një ‘backbone’, që lidh sisteme të ndryshme dhe siguron ndërveprueshmëri”, deklaron ministrja Sala.

Ajo sqaron se: “në afat të shkurtër, ne tashmë po përmirësojmë kushtet dhe protokollet në onkologji. Në tre muaj nuk mund të ndryshosh gjithçka, por mund të fillosh”. 

Në fillim të vitit të ardhshëm, ajo pret të ketë një hartëzim të plotë të këtyre tre fushave strategjike dhe plane konkrete veprimi. “Do t’i kemi hartëzuar fushat, do të kemi përcaktuar veprimet, do të kemi identifikuar ekipet dhe do të kemi planifikuar financimin, sepse financimi duhet planifikuar paraprakisht”, nënvizon ministrja e Shëndetësisë. 

Përtej shëndetësisë, ministrja Sala është shumë e vetëdijshme për sfidat dhe mundësitë në fushën e mirëqenies sociale.

Shqipëria po përgatitet për një hap historik: anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. “Këto katër vite janë një moment shumë historik për ne, për t’u përqendruar njëkohësisht si në shëndetësi ashtu edhe në mirëqenie sociale”, deklaron Sala ku një fokus kryesor është përafrimi ligjor, veçanërisht në fushën e mirëqenies sociale.

Kur pyetet posaçërisht për onkologjinë pediatrike, Sala shprehet se “kur them onkologji, kjo përfshin onkologjinë pediatrike dhe sëmundjet hematologjike malinje. Gjithçka.”

Brenda Rrjetit të ardhshëm Kombëtar të Kancerit, tre qendra kryesore do të funksionojnë nën ombrellën e Institutit Onkologjik në Tiranë, Hemato-onkologjia, Onkologjia pediatrike dhe Onkologjia e përgjithshme.

Integrimi i kërkimit shkencor në zemër të sistemit shëndetësor është një prej sfidave shprehet Sala dhe shtyllë kyçe e kësaj strategjie është AI dhe inovacioni i drejtuar nga të dhënat.

Ne do të inkurajojmë shumë ‘spin-off’ të AI-së të vijnë në Shqipëri dhe të punojnë me ne, sepse do të krijojmë një dataset kombëtar që është mjaft specifik mesdhetar, për sa i përket stilit të jetesës dhe modeleve të sëmundjeve”, deklaron ministrja. 

Si një lidere globale në imazherinë onkologjike, Evis Sala pyetet shpesh për një shqetësim që shumë në këtë fushë e kanë në heshtje: A do t’i zëvendësojë AI radiologët?

Ajo përgjigjet pa hezitim: “Nëse do ta rimendoja veten sot, me AI-në që po merr përsipër disa detyra, mendoj se radiologu do të jetë më shumë si një dirigjent orkestre, që orkestron mjete të ndryshme të AI-së”. 

Ajo e hedh poshtë kategorikisht idenë se radiologjia si specialitet do të zhduket.

Geoffrey Hinton e kishte gabim, dhe kjo është provuar, pavarësisht ndikimit të tij në nivel Nobeli dhe mendjes së tij brilante. AI nuk do ta zëvendësojë radiologun. Por me siguri do ta zëvendësojë radiologun që nuk përdor AI”, shprehet Sala.

Mesazhi i saj për brezin e ri është i qartë dhe shkon përtej imazherisë: “Nëse nuk di të përdorësh AI-në, nëse nuk e përdor AI-në, je i vjetëruar. Kjo vlen për onkologjinë dhe për çdo fushë tjetër”.

Sala e sheh AI-në si një forcë çliruese, jo si kërcënim. “Shumë detyra janë të mërzitshme dhe përsëritëse. Kush dëshiron të numërojë më nyjet pulmonare? Të gjitha këto do t’i bëjë AI, e integruar në sistemet tona”, vijon ajo.

Motivimi i saj në krye të Ministrisë së Shëndetësië është të përdorë gjithë përvojën e saj, gati 30 vjet në vende, sisteme shëndetësore dhe rrethana të ndryshme, për të bërë ndryshim në atdhe.

Nëse do të mbahet mend për diçka si ministre, ajo shpreson të jetë për tre fushat që ka zgjedhur si shtylla. “Nëse arrij të bëj ndryshim, bashkë me ekipin, në onkologji, AI digjitale dhe diagnostikë, atëherë do ta kem bërë mirë punën”, shprehet Sala.

Kur pyetet se çfarë do t’u thoshte të rinjve në fillim të karrierës, Sala rikthehet te temat që kanë formësuar jetën e saj: mentorët, lëvizshmëria, rezistenca dhe karakteri. “Duhet ta shihni botën. Ishte një hap i madh kur shkova për felloëship në Sloan Kettering, djali im ishte 11 vjeç. Kur bëra specializimin, ai ishte katër. Është e vështirë, sidomos me familje. Por shihni botën. Mos qëndroni në të njëjtin vend”, apelon ministrja Sala. 

Këshilla e saj është praktike dhe filozofike njëkohësisht: ndërto rezistencë; shko dhe shih si bëhen gjërat diku tjetër, si mirë ashtu edhe keq; dhe mëso nga ajo që nuk bëhet mirë, për të mos e përsëritur.

https://oncodaily.com/magazine/evis-sala-albania-minister-of-health-2025

The post Sala për “World Health Voices”: Tre shtylla reforme për të transformuar kujdesin shëndetësor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teuta: Lojtarët tanë u dhunuan nga tifozët dhe lojtarët e Flamurtarit, ndeshja nuk duhej vijuar

20 December 2025 at 13:52

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Klubi Sportiv Teuta e konsideron një skandal hyrjen e tifozëve në fushë gjatë sfidës së luajtur mbrëmjen e të premtes mes Flamurtarit dhe skuadrës durrsakë, e cila u ndërpre për rreth 30 minuta.

Gjatë zhvillimit të ndeshjes, që mbylli ditën e parë të javës së 17-të të Superligës, në minutën e 69’, pas një përplasjeje mes një lojtari të Flamurtarit dhe një lojtari të Teutës, në fushë hynë tifozët e tribunës përballë, të cilët goditën lojtarët “miq”.

Gjyqtari ndaloi lojën, duke e rifilluar pas largimit të tifozëve nga stadiumi. Në një reagim për mediat, Teuta publikoi edhe pamje nga incidenti dhe kërkoi masa të ashpra nga FSHF.

“Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga lojtarët kundërshtarë dhe tifozët vlonjatë. KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të”, thuhet në njoftim.

“Ky episod tronditi lojtarët, të cilët kaluan në një gjendje shoku psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C). KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të vazhdonte ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u marrë parasysh dhuna e paprecedentë në fushë”, vijon njoftimi.

KF Teuta nënvizoi se ndeshja u kthye në “ferr” dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm për të luajtur futboll.

“KF Teuta disponon edhe një video tjetër ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte. KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten, pasi njollosin futbollin shqiptar”, thuhet në njoftim.

Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, që u luajt dje në stadiumin e Vlorës, përfundoi në barazim 2-2. Ndeshja ofroi emocione deri në sekondat e fundit. Ndeshja u ndërpre kur rezultati ishte 1-0 në favor të Teutës, ndërsa pas rifillimit vlonjatët përmbysën rezultatin, por pa arritur të marrin tri pikë, pasi Teuta barazoi gjithçka në sekondat e fundit.

/e.i/a.f/r.e/

The post Teuta: Lojtarët tanë u dhunuan nga tifozët dhe lojtarët e Flamurtarit, ndeshja nuk duhej vijuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mjegull në Kukës, Policia apel për kujdes në Rrugën e Kombit

20 December 2025 at 13:22

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Policia e Shtetit u bëri apel sot drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të prezencës së mjegullës në Rrugën e Kombit.

Policia njoftoi se segmenti Tuneli i Kalimashit–Morinë është me shikueshmëri të reduktuar për shkak të mjegullës, ndaj apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, të ulin shpejtësinë dhe të zbatojnë udhëzimet e punonjësve të Policisë.

Shërbimet e Policisë së Njësisë për Sigurisë Rrugore në bashkëpunim me Policinë Rrugore të DVP Kukës, ndodhen në terren për monitorimin e qarkullimit dhe për t’ju ardhur në ndihmë drejtuesve të automjeteve.

Policia cilëson se në rast nevoje për ndihmë, telefononi në numrin 129.

/e.i/a.f/r.e/

The post Mjegull në Kukës, Policia apel për kujdes në Rrugën e Kombit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nisma “Shqipëria bëhet”, protestë përpara Kryeministrisë

20 December 2025 at 12:58

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Aktivistë të lëvizjes “Shqipëria bëhet” dhe një grup qytetarësh po zhvillojnë një protestë përpara godinës së Kryeministrisë.

Në nisje të protestës, ka pasur edhe një përplasje me aktivistëve dhe forcave të policisë, pasi efektivët kanë tentuar të heqin gjeneratorin e vendosur përballë Kryeministrisë. Kjo ka çuar në përplasje fizike mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Kryetari i lëvizjes “Shqipëria bëhet”, Adriatik Lapaj, në fjalën e tij, tha se tani është koha e së mirës kundër së keqes.

“Është koha që brezi i ri të bashkohet. Është koha e së mirës kundër së keqes. Nuk trembem nga procedimet penale. Për të gjithë ata që kanë në shtëpi të sëmurë me kancer dhe nuk gjejnë ilaçe. Për të gjithë ata që vuajnë nga ky regjim i hajdutëve, që me një mesazh jep 50 milionë euro, te gjithë bashkë te japim një duartrokitje për ata funksionarë të drejtësisë që po përballen me këtë kancer malinj”, tha Lapaj.

Nisma “Shqipëria bëhet” e Lapajt protestë, Foto Florian Abazaj
1 nga 15
Nisma “Shqipëria bëhet” e Lapajt protestë, Foto Florian Abazaj

/e.i/a.f/

The post Nisma “Shqipëria bëhet”, protestë përpara Kryeministrisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtësia dhe pronat, Lamallari kërkon shërbim më cilësor për qytetarët

20 December 2025 at 13:54

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim pune me drejtues dhe punonjës të Agjencisë së Trajtimit të Pronës.

Lamallari kërkoi gjatë takimit përmirësimin e ndjeshëm të shërbimit ndaj qytetarëve, rritjen e efikasitetit në trajtimin e dosjeve të prapambetura, respektimin rigoroz të afateve ligjore, rritjen e transparencës dhe cilësisë së komunikimit me qytetarët, si dhe forcimin e përgjegjshmërisë institucionale në çdo hallkë të procesit.

“Për Ministrinë e Drejtësisë, çështjet pronësore kanë një prioritet të lartë pasi lidhen drejpërdrejtë me të drejtat themelore të qytetarëve dhe besimin e tyre tek shteti.

Angazhimi ynë është i qartë dhe i palëkundur, më pak burokraci, më shumë shërbim dhe rezultate konkrete në kohë”, tha Lamallari, ndërsa theksoi se pret nga drejtuesit dhe punonjësit e kësaj agjencie që detyrat e lëna t’i përmbushin në kohë e konform ligjit.

/e.i/a.f/

The post Drejtësia dhe pronat, Lamallari kërkon shërbim më cilësor për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Eni Vasili i jep Orkestrës së RTSH-së “Çmimin e Karrierës”: Xhevahir në kurorën e çdo festivali

20 December 2025 at 10:50

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, e cilësoi Festivalin e Këngës së RTSH-së, si një shtyllë të identitetit kulturor që ka mbijetuar përtej sistemeve politike.

Në fjalën e saj përshëndetëse, në natën e tretë të Festivalit të RTSH-së, Vasili tha se “në këtë festival ka ndodhur ajo që politika do të kishte dashur shumë ta realizonte: shqiptarët nga e gjithë bota të mblidheshin në Tiranë, në qendrën e shqiptarisë. Ky festival do të jetojë gjatë”.

“Këtu ka ndodhur diçka që nuk ka ndodhur askund tjetër: shqiptarët janë bashkuar. Nga të gjitha trevat, ata kanë ardhur, kanë kënduar, kanë garuar dhe kanë qenë bashkë”, tha Vasili.

Ndryshe nga vitet e tjera, Çmimi i Karrierës këtë edicion nuk shkoi për një individ, por për një organizëm të tërë si Orkestra Simfonike të RTSH-së.

Eni Vasili e cilësoi orkestrën si “xhevahirin në kurorën e çdo festivali”, pa të cilën ky event nuk do të ishte i mundur.

Çmimi u tërhoq nga drejtoresha e Orkestrës, Blerta Ristani, e cila tha se “artistët e kësaj orkestre bëjnë profesionin më të bukur në botë. Kjo është magjia e të bërit muzikë së bashku”.

Nata e tretë e Festivalit të Këngës, u mbajt mbrëmjen e kaluar mes hiteve të nostalgjisë që u interpretuan nga artistë të ndryshëm në skenën e Pallatit të Kongreseve.

/e.i/a.f/

The post Eni Vasili i jep Orkestrës së RTSH-së “Çmimin e Karrierës”: Xhevahir në kurorën e çdo festivali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Festivali i Këngës në RTSH, 23 këngëtarët që garojnë në natën finale

20 December 2025 at 09:33

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Në natën e tretë të edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, u shpallën 23 artistët finalistë që do të ngjiten në skenë mbrëmjen e natës finale.

Prezantuesit e këtij edicioni, Salsano Rrapi dhe Arilena Ara njoftuan se televotimi është hapur zyrtarisht për 23 këngëtarët finalistë që do të garojnë në natën finale të së shtunës.

23 këngëtarët finalistë kanë të bashkëshoqëruar edhe kodin përkatës përmes së cilit shqiptarët mund të votojnë nga Shqipëria dhe Kosova.

Publiku shqiptar do të ketë mundësi që të votojë me SMS nga Shqipëria dhe Kosova deri në pesë herë nga i njëjti numër telefoni.

Nga Shqipëria mund të votoni në numrin 56789 ku një mesazh kushton 60 lekë, ndërsa nga Kosova votoni në numrin 55789 ku një mesazh kushton 1 euro.

Fituesi i Festivalit të Këngës do të shpallet përmes një bashkimi votash, 50 për qind vlerësimi i jurisë dhe 50 për qind vota e publikut përmes SMS-ve, duke fituar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.

Tre netët e Festivalit të Këngës në RTSH, përcollën te spektatorët dhe teleshikuesit, emocione të mëdha, mes këngëve, performancave artistike dhe natës së nostalgjisë, me hitet e famshme muzikore të interpretuara ndër vite në skenën e këtij kompeticioni të rëndësishëm artistik.

/e.i/a.f/

The post Festivali i Këngës në RTSH, 23 këngëtarët që garojnë në natën finale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mjekët e Spitalit të Traumës shmangin komplikacionet te 23-vjeçari i aksidentuar

20 December 2025 at 10:47

TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Ekipi i mjekëve në repartin e ortopedisë në Spitalin Universitar të Traumës, ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale të suksesshme te një pacient 23 vjeçar, pas një aksidenti automobilistik.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, njoftoi se falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, u shmangën komplikacionet te pacienti që kishte pësuar një aksident automobilistik.

Sipas MSHMS, pacienti paraqiti një luksacion posterior sternoklavikular sinister, një dëmtim i rrallë dhe kompleks, me rrezik të lartë, por me ndërhyrjen kirurgjikale “Reponim i hapur me fiksim me FiberTape”, e realizuar sipas metodave bashkëkohore më të avancuara, u arrit të shmangen komplikacionet dhe komprimimi i enëve të mëdha të gjakut që dalin nga zemra.

Prof. Dr. Vilson Ruci, Shef i Shërbimit Universitar të Ortopedisë, e cilësoi këtë ndërhyrje kirurgjikale si shumë të komplikuar që u arrit të realizohej me sukses dhe pacienti për më pak se dy muaj do t’i rikthehet jetës normale.

Ndërsa, Prof. Dr. Arben Zenelaj, shef i Shërbimit të Kirurgjisë së Këmbës Diabetike dhe Angiokirurgjisë, tha se “ky rast ishte i vështirë edhe për shkak të realizimit të sintezës së kockës së thyer, por edhe për shkak të komlikacioneve të larta që mund të ndodhnin si pasojë e dëmtimit të enëve kryesore të gjakut, të cilat ndodhen në zonën e gjoksit”.

“Rasti shkoi mirë, i pakomplikuar, në një kirurgji të kompletuar. Pacienti është mirë dhe ka dalë nga spitali”, tha Zenelaj.

MSHMS i shprehu mirënjohjen ekipit të mjekëve të SUT, Prof. Dr. Vilson Ruci Shef i Shërbimit Universitar të Ortopedisë, Prof. Dr. Arben Zenelaj, Shef i Shërbimit të Kirurgjisë së Këmbës Diabetike dhe Angiokirurgjisë, Dr. Lorenc Bode, Kirurg Ortoped, anestezistët  Dr. Rexhina Sturçe dhe Dr. Ardit Kuqi, Dr. Kremantin Canaj, specializant Ortoped, instrumentare Mirushe Merja dhe infermiere Deonada Çoku.

/e.i/a.f/

The post Mjekët e Spitalit të Traumës shmangin komplikacionet te 23-vjeçari i aksidentuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmet shëndetësore e psikologjike nga konsumimi i pijeve energjike tek adoleshentët

20 December 2025 at 09:07

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Edhe pse pijet energjike nuk lejohet të shiten për fëmijët nën 18 vjeç, sërish konsumimi i tyre nga të rinjtë mbetet problematikë shqetësuese për prindërit dhe mjekët.

Ndërsa prindërit mund edhe të mos jenë në dijeni të konsumimit të herëpashershëm të pijeve energjike nga fëmijët e tyre, episodet e nervozizmit, mungesës së fokusit dhe sjellje të tjera alarmante janë thirrje ndërgjegjësuese për kontroll më të rreptë.

Nga ana e tyre, mjekët theksojnë se konsumimi i pijeve energjike nga adoleshentët dhe të rinjtë lidhet me pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor, përfshirë dëmtimin e zemrës, çrregullime të sistemit nervor, probleme të përqendrimit dhe rritje të rrezikut për varësi.

Mjekja kardiologe, Anila Shahini, njëherësh drejtuese e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë, tha për ATSH-në se në praktikën e përditshme klinike përballet me të rinj dhe adoleshentë me ankesa për probleme të zemrës, të cilat lidhen me konsumimin e pijeve energjike.

“Konsumi i tepërt i pijeve energjike shkakton presion të lartë të gjakut, rrahje të shpeshta dhe të forta të zemrës, ndjesi marrjeje fryme dhe ankth. Konsumi i pijeve energjike mund të shkaktojë aritmi edhe te të rinj që nuk kanë pasur më parë probleme të njohura të zemrës. Kjo lidhet kryesisht me përmbajtjen e lartë të kafeinës në këto pije. Ato përmbajnë nga 80–300 miligramë kafeinë, ndërkohë që një filxhan i zakonshëm kafeje përmban deri në 100 miligramë kafeinë. Përveç kafeinës, pijet energjike përmbajnë edhe substanca shtesë si guarana, taurina dhe L-karnitina”, tha Shahini.

Mjekja thekson se probleme shfaqin të rinjtë që i konsumojnë shpesh dhe ata që kanë faktorë predispozues si tolerancë të ulët ose intolerancë ndaj kafeinës, rrahje të zemrës me tendencë të lartë mbi 80 rrahje/minutë, natyrë të ndjeshme ose episode ankthi, pagjumësi, periudha stresi apo mbingarkese mendore, si gjatë provimeve, si edhe mbingarkesë fizike ose emocionale në punë.

“Gjithmonë më të kujdesshëm ndaj konsumit të tepërt duhet të jenë ata që kanë pasur më herët probleme të zemrës si çrregullime të ritmit, sëmundje të valvulave, sëmundje të muskulit të zemrës, pamjaftueshmëri kardiake apo sëmundje të arterieve koronare. Kujdes duhet të kenë edhe individët me hipertension më të madh se 130/90 ose mbi vlerat optimale 120/80. Kur pijet energjike kombinohen me aktivitet intensiv fizik, ato bëhen edhe më të rrezikshme, sepse vetë aktiviteti fizik rrit punën e zemrës dhe në këto kushte shtohet rreziku për efekte të dëmshme”, tha Shahini.

Ajo shton se kombinimi i pijeve energjike me ato alkoolike sjell pasoja edhe më të rënda.

“Kombinimi i pijeve energjike me alkoolin mund të shkaktojë gjithashtu probleme të sistemit nervor, stomakut dhe mëlçisë, për shkak të ndërveprimit të përbërësve. Paraqitjet më të shpeshta në urgjencë te të rinjtë janë çrregullimet e ritmit të zemrës apo rritja e vlerave të presionit arterial si pasojë e abuzimit në përgjithësi dhe konsumit të tepërt të pijeve energjike”, vijoi ajo.

Mjekja kardiologe shprehet se ekziston edhe mundësia e krijimit të varësisë nga pijet energjike, pasi ekziston varësi nga konsumimi i shpeshtë i tyre, e lidhur me sasitë e larta të kafeinës, sheqerit dhe stimuluesve si taurina dhe guarana.

“Kjo varësi është si fizike, ashtu edhe psikologjike. Trupi ndërton tolerancë ndaj përbërësve dhe për të marrë të njëjtin efekt, kërkohet gradualisht sasi më e madhe. Me rritjen e sasisë rritet edhe mundësia për efekte të dëmshme në zemër dhe jo vetëm. Sipas udhërrëfyesve të shoqatave evropiane dhe amerikane të pediatrisë, për moshën 12–18 vjeç, maksimumi ditor i kafeinës është deri në 100 miligramën. Adoleshentët janë më të ndjeshëm ndaj efekteve të kafeinës se të rriturit. Edhe brenda dozave të sugjeruara, kafeina mund të shkaktojë çrregullime gjumi, ankth, rritje të rrahjeve të zemrës, presion të lartë të gjakut dhe shqetësime në stomak. Autoritetet shëndetësore këshillojnë fuqimisht që fëmijët dhe adoleshentët të mos konsumojnë kurrë pije energjike për shkak të përmbajtjes së lartë të kafeinës, sheqerit dhe stimuluesve si taurina, të cilat kanë efekt të shpejtë dhe të fortë në zemër”, pohoi Shahini.

Kardiologia Shahini u bën thirrje të rinjve dhe adoleshentëve që të ndjekin një dietë e shëndetshme duke kombinuar karbohidrate, proteina dhe yndyra për energji të qëndrueshme.

Apeli i psikologes: Prindërit të rrisin vëmendjen ndaj fëmijëve

Përveç, ndikimit që pijet energjike kanë në shëndetin e adoleshentëve, një tjetër pasojë është aspekti psikologjik.

Psikologia Jonida Haxhiu, tha për ATSH-në se tërheqja e të rinjve nga pijet energjike në këndvështrimin psikologjik më së shumti vjen për shkak të efektit stimulant që këto pije kanë në organizëm dhe tendenca për të përsëritur një efekt i cili mendohet se përmirëson performancën.

“Një arsye po aq potenciale për të filluar, por edhe për të vazhduar përdorimin e pijeve energjike është edhe modelimi i sjelljes së bashkëmoshatarëve e jo pak herë, edhe presioni i tyre për përdorimin e tyre. Problemi kryesor, sipas ekspertëve lidhet me substancat stimuluese që këto pije kanë, të cilat jo në pak raste janë lidhur me raportime të gjendjeve të ankthit, ngarkesë emocionale, pagjumësi, vështirësi përqendrimi etj”, tha ajo.

Psikologia Haxhiu pohon se konsumi i pijeve energjike ndikon në shumicën e rasteve në mënyrë direkte te gjumi, duke shkaktuar probleme në cilësinë e gjumit.

“E nesërmja pa gjumë e vendos individin në vështirësi për përmbushjen e detyrimeve të tij, sikurse është ngarkesa shkollore një nga impenjimet prioritare të adoleshentit, duke e kthyer në një nevojë marrjen e pijeve energjike për përballimin e tyre. Në shumicën dërrmuese të rasteve një adoleshent që përdor pijet energjike me frekuencë të lartë, shfaq vështirësi në përmbushjen e detyrimeve shkollore, gjë e cila mund të shkaktojë nga ana tjetër debate, konflikte, ndjesi negative”, theksoi Haxhiu.

Ajoi shtoi se përdorimi i pijeve energjike lidhet me ankthin, irritimin, uljen e përqendrimit dhe një sërë efektesh të tjera të papëlqyeshme.

“Për adoleshentët shpesh është e vështirë menaxhimi i sjelljeve të tilla që lidhen me një ndikim në përjetimin psikologjik, por edhe me modele të përhapura apo të preferuara midis bashkëmoshatarëve. Prindërit është shumë e rëndësishme të kenë vazhdimisht në konsideratë faktin që sjelljet e shëndetshme krijohen dhe marrin përforcimin kryesor në familje. Kjo do të thotë që prindërit duhet të kujdesen shumë që të krijojnë – sidomos nëpërmjet modelit të tyre – sjelljet e shëndetshme tek fëmijët, të cilat duhet patjetër të përforcohen dhe marrin vëmendje edhe kur fëmija rritet, pra kalon në adoleshencë, moshë në të cilën shtohen edhe modele të tjera sikurse shoqëria, apo ndikime si mediet sociale”, tha Haxhiu.

/e.i/j.p/r.e/

The post Dëmet shëndetësore e psikologjike nga konsumimi i pijeve energjike tek adoleshentët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbrëmje nostalgjie në natën e tretë të Festivalit të Këngës në RTSH

19 December 2025 at 23:05

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Një natë përpara finales së madhe të edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, u mbajt sot në Pallatin e Kongreseve, nata e tretë e këtij kompeticoni artistik.

Spektakli i sotëm është etiketuar ““Nata e Nostalgjisë”, përmes tingujve dhe këngëve më të njohura ndër vite të autorëve dhe poetëve të Festivalit.

Nata e tretë, nisi me performancën e këngëtares, njëherësh prezantueses së këtij edicioni, Arilena Ara, e cila interpretoi hitin “Shaj”, për t’u duartrokitur gjatë nga spektaktorët e pranishëm në Pallatin e Kongreseve.

Bashkëprezantuesi, Salsano Rrapi tha se në natën finale, do të kalojnë pesë artistë të rinj që interpretojnë ditën e sotme.

Më pas, mbrëmja vazhdoi me interpretimin e këngëtarëve Alis dhe Anxhela Peristeri, të cilën risollën në skenë, hitin e famshëm të Ardit Gjebreas, “Jon”.  Gjithashtu, Sara Kapo dhe Eneda Tarifa kënduan një prej këngëve të të mirënjohurës Alida Hisku, “Vajzat e fshatit tim”.

Të tjerë këngëtarë të njohur që u ngjitën në skenën e natës së tretë të edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, ishin Lynx dhe Altin Goci, Rezarta Smaja dhe Sidrit Bejleri, Luna Çausholli dhe Kelly, Kleansa dhe Gili, Erik Lloshi dhe Mateus Frroku etj.

Në “Natën Nostalgjike” të mbrëmjes së sotme, kompozitori Zef Çoba tha se “festivali është një sintezë arritjesh artistike, si në fushën e krijimtarisë muzikore dhe poezisë, ashtu edhe në interpretimin instrumental me orkestrën e mrekullueshme të RTSH-së dhe në mënyrë të veçantë nga artistët vokalë. Në këto vite, evolucioni i vokalit ka arritur nivele shumë të mira. Festivali është gjithashtu një spektakël i bukur, ku magjia e skenës e bën përvojën të paharrueshme”.

Më 20 dhjetor, mbahet edhe nata finale ku do të shpallet edhe fituesin e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Formula e përzgjedhjes së fituesit/es së këtij viti, është një balancë mes votave të jurisë (50%) dhe votave publikut (50%) përmes votimit me SMS.

Nata e III e festivalit të këngës në RTSH - Foto: Andrin Hoxha
1 nga 14
Nata e III e festivalit të këngës në RTSH - Foto: Andrin Hoxha

/e.i/r.e/a.f/

The post Mbrëmje nostalgjie në natën e tretë të Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lahuta bashkon brezat në festimin e njohjes nga UNESCO

19 December 2025 at 22:30

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Lahuta, një nga thesaret më të çmuar të identitetit tonë kulturor, është tashmë pasuri botërore, e shpallur pjesë e listës së UNESCO-s për mbrojtje urgjente.

Mbrëmjen e sotme, nën tingujt e duarve të lahutarëve, u bënë bashkë copëza të trashëgimisë shqiptare ndër breza.

Në aktivitetin e organizuar në Kinostudio, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zv.ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, artistë e lahutarë të njohur, u përcoll një pjesë e kulturës dhe artit të lahutës, përmes tingujve nga mjeshtrat duarartë dhe lahutarëve.

Në fjalën e rastit, ministri Gonxhja e cilësoi këtë si një moment historik për trashëgiminë tonë kulturore.

Gjatë mbrëmjes, u interpretuan në lahutë disa performanca, si dëshmi mes kulturës dhe dialogut që e mban gjallë këtë trashëgimi ndër breza.

Arti i të luajturit dhe të kënduarit me lahutë, është i kultivuar ndër shekuj në hapësirat rurale shqiptare duke përfaqësuar një dimension të kujtesës kulturore kombëtare.

Përfshirja e lahutës në listën e UNESCO-s, siguron vazhdimësinë e ruajtjes dhe trashëgimisë së një simboli unik të identitetit shqiptar.

Të pranishmit në aktivitetin e mbrëmjes së sotme, duartrokitën gjatë çdo performancë artistike të realizuar me valle, këngë e lahutë, duke mos fshehur emocionet pas tingujve që erdhën si dëshmi e çmuar e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore.

Tingulli i Lahutës - Foto: Andrin Hoxha
1 nga 12

/e.i/r.e/a.f/

The post Lahuta bashkon brezat në festimin e njohjes nga UNESCO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Delegacioni i KLP-së, vizitë studimore në Spanjë

19 December 2025 at 21:56

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Delegacioni i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zhvilloi një vizitë studimore në Spanjë, ku u prit në Prokurorinë e Përgjithshme të Spanjës nga prokurorja e përgjithshme, Teresa Peramato Martín, dhe Francisco Jiménez-Villarejo Fernández, prokuror i lartë dhe drejtues i njësisë së Bashkëpunimit Ndërkombëtar.

KLP njofton se në takim mori pjesë edhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.

Sipas KLP-së, gjatë vizitës u shkëmbyen përvoja mbi organizimin dhe qeverisjen e prokurorisë, menaxhimin e karrierës së prokurorëve, digjitalizimin e proceseve, si dhe rëndësinë e komunikimit institucional dhe marrëdhënieve me median për rritjen e transparencës dhe besimit publik.

Vizita u realizua me mbështetjen e projektit EU4Justice, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përafrimit me standardet evropiane.

Vizita konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Spanjës për proceset e reformës në drejtësi në Shqipëri dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe sundimin e ligjit.

/e.i/r.e/a f/

The post Delegacioni i KLP-së, vizitë studimore në Spanjë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhjetori festiv në Libohovë

19 December 2025 at 20:55

TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot pamjet e atmosferës festive të dhjetorit që ka mbërritur edhe në bashkinë e Libohovës.

Mes muzikës dhe koncertit të grupit artistik të fëmijëve, u ndezën edhe dritat shumëngjyrëshe të bredhit gjigant në qendër të Libohovës.

Dekori i këtij viti është shtrirë përtej qendrës së Libohovës, me drita festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike të qytetit.

Atmosfera e krijuar nga zbukurimet dhe dritat e shumta do ta shoqërojë këtë muaj gjithë qytetin e Libohovës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve, por edhe vizitorëve të ndryshëm.

/e.i/r.e/a.f/

The post Dhjetori festiv në Libohovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌