Te Tottenham e mbrojnë mbrojtësin holandez pasi ia theu këmbën Isakut
Trajneri i Tottenhamit, Thomas Frank, ka dalë publikisht në mbrojtje të Micky van de Ven, pasi tekniku i Liverpoolit, Arne Slot, e akuzoi mbrojtësin holandez për ndërhyrje të pamatur që çoi në thyerjen e këmbës së Alexander Isak.
Frank theksoi se situata ishte pjesë e dinamikës së lojës dhe se Van de Ven veproi si çdo mbrojtës që përpiqet të parandalojë një gol.
“Sigurisht që nuk jam dakord. Po flasim për një mbrojtës që do të bëjë gjithçka për të parandaluar një gol. Topi ka rrëshqitur në anën e tij dhe ai po bën gjithçka që mundet për të bllokuar gjuajtjen”, u shpreh Frank para gazetarëve.
Trajneri i Tottenhamit shtoi se fatkeqësisht momenti nuk përfundoi mirë për sulmuesin e Liverpoolit. “Për fat të keq, Isaku e la veten të qetë në momentin e gjuajtjes dhe Van de Ven ndërhyri në të", tha Frank, duke nënvizuar se dëmtimi ishte më shumë pasojë e rrethanave sesa e qëllimit.
Isak do të mungojë për disa muaj për shkak të frakturës, ndërsa Frank zbuloi se lojtarët kanë komunikuar mes tyre dhe e kanë sqaruar situatën.
“E di që ata dy lojtarë e kanë zgjidhur atë, kështu që kjo është një shenjë e mirë”, përfundoi trajneri. /Telegrafi/
