Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 10 January 2026Main stream

KINEMA – Aktori i famshëm turk, Can Yaman arrestohet për trafik droge

10 January 2026 at 13:59

ANKARA, 10 janar /ATSH/ – Aktori i famshëm turk, Can Yaman është arrestuar në Turqi si pjesë e një hetimi mbi trafikimin dhe përdorimin e drogës midis personazheve të njohur, gazetarëve dhe personazheve VIP në Stamboll, sipas rainewsofficial.

Yaman, shumë i njohur në Itali për rolet e tij kryesore në disa seriale televizive të suksesshme, përfshirë “Sandokan” të kohëve të fundit, por edhe për njohuritë e tij të thella të gjuhës italiane, u arrestua mbrëmë së bashku me gjashtë persona të tjerë, përfshirë aktoren Selen Gorguzel.

Yaman u gjet me disa doza droge me vete.

Të shtatë të arrestuarit tani po i nënshtrohen një sërë testesh në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të përcaktuar nëse, kur dhe çfarë droge kishin konsumuar.

Policia kontrolloi nëntë klube të ndryshme nate në metropolin e Bosforit mbrëmë duke arrestuar disa tregtarë dhe menaxherët e lokaleve ku shiteshin narkotikë.

Në javët e fundit, si pjesë e të njëjtit hetim, më shumë se 20 personalitete të argëtimit, personazhe të famshëm dhe gazetarë janë kapur nga policia.

Hetimi ka të bëjë me akuzat për “posedim droge ose stimuluesish për përdorim personal”, “lehtësim të përdorimit të drogës” dhe “inkurajim të një personi për t’u angazhuar në prostitucion, lehtësim të një praktike të tillë ose ndërmjetësim ose sigurim të një vendi për prostitucion”.

Midis shtatë të arrestuarve nga policia turke, përveç Yaman dhe aktores së saj Gorguzel, thuhet se janë edhe Ayse Saglam dhe Ceren Alper, si dhe pronarë klubesh, menaxherë dhe influencerë./  a.jor.

The post KINEMA – Aktori i famshëm turk, Can Yaman arrestohet për trafik droge appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Deklarata e Shqipërisë për Iranin dhe vlera e të folurit hapur

10 January 2026 at 13:30

TIRANË, 10 janar /ATSH/ – Ndërsa protestat përhapen në të gjithë Iranin dhe autoritetet përgjigjen me dhunë vdekjeprurëse dhe një bllokim të internetit në të gjithë vendin, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali lëshoi ​​një deklaratë që arriti të depërtojë në mjegullën e zakonshme diplomatike, shkruan Klea Ukaj për faqen The Kosovo Dispatch, sipas https://www.kosovodispatch.com/.

”Spiropali dënoi “përdorimin brutal dhe joproporcional të forcës”, pohoi solidaritetin me “protestuesit paqësorë” dhe i quajti ndërprerjet e internetit dhe frikësimin atë që janë në të vërtetë: dëshmi të një regjimi që ka frikë nga populli i vet.

Për një shtet të vogël evropian, formulimi ka rëndësi.

Në momente si ky, gjuha nuk është dekorim. Është pozicionim.

Protestat që tani hyjnë në javën e tyre të tretë nuk kufizohen më në një qytet ose në një ankesë të vetme.

Ato që filluan në fund të dhjetorit si trazira ekonomike – e shkaktuar nga rënia e rialit, inflacioni i pakontrolluar dhe avullimi i fuqisë blerëse – është zgjeruar në një sfidë mbarëkombëtare ndaj autoritetit të Republikës Islamike.

Demonstratat janë raportuar në dhjetëra qytete dhe provinca. Thirrjet kanë kaluar nga kërkesat e thjeshta në sulme të drejtpërdrejta ndaj sistemit politik dhe udhëheqjes së tij.

Reagimi i shtetit ka ndjekur një skenar të njohur.

Forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare dhe milicinë ”Basij”, kanë përdorur municione luftarake, gaz lotsjellës dhe arrestime masive.

Shifrat e viktimave janë të vështira për t’u verifikuar në kushte ndërprerjeje të energjisë, por monitoruesit e pavarur dhe mediat ndërkombëtare raportojnë dhjetëra vdekje dhe qindra arrestime.

Më 8 janar, Irani në mënyrë efektive shkëputi pjesë të mëdha të vendit nga interneti global – një hap që regjimet e rezervojnë për momentet kur kanë frikë nga humbja e kontrollit narrativ, jo nga mospajtimi rutinë.

Ky është realiteti për të cilin flet deklarata e Spiropalit. Nuk është teprim retorik, por është një sinkronizim me faktet.

Ajo që e dallon ndërhyrjen e Shqipërisë nuk është se dënon dhunën – shumë qeveri e dënojnë – por sa drejtpërdrejt e bën këtë.

Nuk ka gjuhë të tipit ”jemi të shqetësuar”, asnjë thirrje për ”përmbajtje nga të gjitha palët”, asnjë përpjekje për të zbehur përgjegjësinë.

Duke pohuar se liria e shprehjes dhe protesta paqësore janë të drejta themelore dhe jo privilegje, deklarata i vendos autoritetet iraniane, jo demonstruesit, në shkelje të normave ndërkombëtare.

Ky formulim është më i mprehtë se ai që ka dalë nga pjesa më e madhe e Evropës.

Bashkimi Evropian ka dënuar dhunën dhe ka shprehur mbështetje për të drejtat e njeriut, por gjuha e tij kolektive mbetet e kujdesshme, e kalibruar për të ruajtur kanalet diplomatike dhe për të shmangur përshkallëzimin. Shtetet anëtare individuale kanë folur më me forcë, por shpesh brenda kufijve të përmbajtjes institucionale. Rezultati është qartësi morale e zbutur nga kujdesi procedural.

Shtetet e Bashkuara kanë shkuar më tej në retorikë, me zyrtarë të lartë që mbështesin publikisht të drejtën e protestuesve për t’u mbledhur dhe e paralajmërojnë Teheranin kundër gjakderdhjes së mëtejshme. Por, zëri i Uashingtonit është i pandashëm nga përballja më e gjerë strategjike – negociatat bërthamore, siguria rajonale, zbatimi i sanksioneve – gjë që në mënyrë të pashmangshme e ndërlikon mënyrën se si priten deklarata të tilla brenda Iranit.

Në të kundërt, Shqipëria nuk ka asnjë ndikim mbi Teheranin, asnjë ekspozim ekonomik për të menaxhuar dhe asnjë marrëveshje strategjike për të mbrojtur. Pikërisht për këtë arsye fjalët e saj kanë një peshë të ndryshme. Ato nuk janë instrumentale. Ato janë deklarative.

Kontrasti me aktorët e tjerë globalë është mësimor. Rusia ka mbetur kryesisht e heshtur, duke shmangur si miratimin e masave të ashpra ashtu edhe kritikat e qarta – një qëndrim në përputhje me marrëdhënien e saj transaksionale me Teheranin dhe ndjeshmërinë e saj ndaj trazirave të brendshme.

Kina ka qenë më e qartë, duke theksuar “stabilitetin” dhe duke kundërshtuar “ndërhyrjen e jashtme”, një gjuhë që në mënyrë implicite përputhet me narrativën e regjimit dhe pasqyron ankthin më të gjerë të Pekinit për përhapjen e protestave.

Heshtja dhe stabiliteti, në këtë kontekst, janë zgjedhje.

Zgjedhja e Shqipërisë përputhet me një model.

Gjatë dekadës së fundit, Tirana është përafruar vazhdimisht me qëndrimet perëndimore mbi Ukrainën, regjimet e sanksioneve dhe normat demokratike. Ajo e ka hartuar politikën e saj të jashtme rreth një pretendimi të thjeshtë: legjitimiteti rrjedh nga qytetarët, jo nga shtrëngimi. Ky qëndrim nuk ka qenë gjithmonë pa kosto, por ka qenë koherent.

Koherenca është monedha e shteteve të vogla.

Shqipëria nuk mund të formësojë rezultate në Iran. As shumica e atyre që lëshojnë deklarata nuk munden. Por, mund të vendosë nëse zëri i saj përputhet me parimet që kërkohen diku tjetër – duke përfshirë edhe më afër vendit, në debatet mbi sovranitetin e Kosovës, të drejtat e pakicave dhe përdorimin e forcës nga shteti.

Kjo qëndrueshmëri është ajo që i jep besueshmëri deklaratës së Spiropalit.

Nuk i kërkon Iranit të përmbushë një standard që vetë Shqipëria e shmang. Nuk bën përjashtime për gjeopolitikën. E trajton shtypjen si shtypje, pavarësisht se ku ndodh.

Asgjë nga këto nuk duhet ekzagjeruar. Deklaratat nuk i rrëzojnë regjimet.

Autoritetet iraniane nuk do ta rikalibrojnë përgjigjen e tyre pse një ministër i Jashtëm ballkanik i dënoi ato.

Por, deklaratat formësojnë të dhënat diplomatike.

Ato përcaktojnë se kush foli qartë dhe kush zgjodhi paqartësinë kur kostot e qartësisë dukeshin të ulëta, por implikimet ishin të larta.

Protestat e Iranit janë ende duke u zhvilluar. Rezultati është i pasigurt. Ajo që është tashmë e qartë është se regjimi është i gatshëm të përdorë dhunë dhe izolim për të ruajtur kontrollin. Në atë mjedis, vija e vërtetë ndarëse ndërkombëtare nuk është midis atyre që mund të ndikojnë në ngjarje dhe atyre që nuk munden.

Është midis atyre që e përshkruajnë realitetin qartë dhe atyre që shikojnë diku tjetër.

Shqipëria zgjodhi rrugën e parë.

Në momente si ky, kjo zgjedhje nuk është simbolike. Është vetë thelbi”, përfundon Klea Ukaj për faqen The Kosovo Dispatch, sipas https://www.kosovodispatch.com/./ a.jor.

The post KOMENT – Deklarata e Shqipërisë për Iranin dhe vlera e të folurit hapur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Një në pesë gjermanë kërkon të emigrojë

10 January 2026 at 09:00

BERLIN, 10 janar /ATSH-DPA/ – Një në pesë persona në Gjermani thotë se ka konsideruar largimin nga vendi, sipas një ankete.

Studimi nga Qendra Gjermane për Integrim dhe Kërkime mbi Migracionin (DeZIM) zbuloi se 21% e të anketuarve raportuan se mendonin për emigrimin.

Ata që vetë emigruan në Gjermani kishin dy herë më shumë gjasa të merrnin në konsideratë largimin (34%).

Motivimi më i zakonshëm ishte shpresa për një jetë më të mirë, e përmendur nga afërsisht gjysma e atyre që mendonin të largoheshin.

Njerëzit me sfond migrimi gjithashtu përmendën shpesh përvojat e diskriminimit.

Megjithatë, planet konkrete për të emigruar ishin të rralla.

Vetëm 2% kishin ndërmend të shpërnguleshin jashtë vendit brenda një viti.

”Në vitin 2024, 1,2 milionë persona u larguan nga Gjermania”, sipas Zyrës Federale të Statistikave.

Studimi vuri në dukje se debatet publike mbi emigracionin shpesh anashkalojnë faktin se njerëzit largohen rregullisht nga Gjermania, një trend me implikime për ndryshimet demografike të vendit dhe mungesat e fuqisë punëtore.

Konsideratat për emigrim ishin më të larta në mesin e njerëzve me lidhje familjare me Turqinë, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut (39%), të ndjekura nga emigrantët nga ish-Bashkimi Sovjetik (31%) dhe vendet e BE-së (28%).

Hulumtuesit anketuan 2 933 persona midis verës 2024 dhe verës 2025, duke i kërkuar secilit pjesëmarrës pesë herë të gjurmonte luhatjet.

Ata gjetën pak ndryshime në përgjithësi, përveç një rritjeje prej afërsisht 10 pikë përqindjeje në konsideratat për emigrim midis emigrantëve dhe pasardhësve të tyre pak para zgjedhjeve federale në shkurt 2025./  a.jor.

The post FOKUS – Një në pesë gjermanë kërkon të emigrojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – Franca në alarm portokalli për dëborë dhe akull

10 January 2026 at 07:48

PARIS, 10 janar /ATSH-AFP/ – Gjashtë rajone në Francën verilindore janë sot në një alarm portokalli për dëborë dhe akull për shkak të reshjeve të dëborës që priten edhe në lartësi shumë të ulëta, sipas ”Météo-France”.

Rajonet Jura, Doubs, Territoire de Belfort, Haute-Saône, Haute-Marne dhe Vosges do të mbeten në alarm të paktën deri në mesnatë, tha parashikuesi i motit në buletinin e tij të fundit, duke paralajmëruar për “vështirësi në drejtim”.

Të dielën, departamentet Jura dhe Doubs do të mbeten nën këtë nivel alarmi deri në orën 06:00.

”Météo-France” parashikon një periudhë reshjesh dëbore ndonjëherë edhe deri në fusha, me 5-10 centimetra të mundshme deri në 300 metra lartësi, pas kalimit të stuhisë ”Goretti”, e cila filloi në Gjermani dhe vendet e Beneluksit.

Reshjet e dëborës mund të kalojnë 10 centimetra, duke arritur deri në 20 centimetra, midis 400 dhe 500 metrave, dhe të arrijnë deri në 40 centimetra mbi 500 metra në zonat më të larta malore.

Shërbimi publik i motit parashikon që bora të bjerë edhe deri në 200-300 metra.

”Një zgjatje e alarmit të motit është e mundur”, paralajmëroi ai./ a.jor.

The post METEO – Franca në alarm portokalli për dëborë dhe akull appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Konservantët ushqimorë shtojnë frekuencën e kancerit dhe diabetit

10 January 2026 at 07:25

PARIS, 10 janar /ATSH-AFP/ – Sulfite, nitrite, sorbate… Të gjetura gjerësisht në ushqimet e përpunuara, këta aditivë janë dyshuar për vite me radhë se kontribuojnë në zhvillimin e sëmundjeve të caktuara.

Dy studime të mëdha franceze tani tregojnë se ato shoqërohen me një rrezik më të madh të kancerit dhe diabetit.

“Nuk është për shkak se konsumojmë produkte me konservantë që do të prekemi menjëherë nga kanceri, por duhet të kufizojmë frekuencën e ekspozimit ndaj këtyre produkteve”, tha Mathilde Touvier, epidemiologia që mbikëqyri këto dy studime.

“Mesazhi për publikun e gjerë është që, kur përballen me një raft supermarketi, të zgjedhin ushqimet më pak të përpunuara”, theksoi ajo.

Gjetjet e këtyre studimeve, të kryera nga i njëjti ekip nga Instituti Kombëtar Francez i Shëndetit dhe Kërkimeve Mjekësore (Inserm) dhe të botuara në revistat BMJ dhe ”Nature Communications”, duhet të interpretohen me kujdes, duke pasur parasysh madhësinë e moderuar të rreziqeve të vëzhguara.

Megjithatë, ky hulumtim është jashtëzakonisht i fuqishëm.

“Këto rezultate mund të kenë implikime të rëndësishme për shëndetin publik, duke pasur parasysh praninë e kudondodhur të konservuesve në një gamë të gjerë ushqimesh dhe pijesh”, përfundon studimi i botuar në ”Nature Communications”, i cili përqendrohet në rrezikun e diabetit.

Këto botime vijnë në një kohë kur rreziqet shëndetësore të shumë ushqimeve të përpunuara janë gjithnjë e më të dokumentuara mirë, por rregullimi i tyre mbetet subjekt i mosmarrëveshjeve politike.

Në Francë, publikimi i një plani strategjik mbi ushqimin dhe klimën u bllokua në minutën e fundit në vjeshtë, për shkak të mosmarrëveshjeve qeveritare mbi rreziqet që paraqesin ushqimet ultra të përpunuara.

Në të kundërt, Mbretëria e Bashkuar sapo ka ndaluar reklamat televizive gjatë ditës për ushqime të caktuara të përpunuara.

Në këtë kontekst, dy studimet e botuara të enjten ofrojnë përgjigje të rëndësishme.

Kjo është hera e parë që studiuesit kanë qenë në gjendje të dallojnë kaq saktë rreziqet që lidhen me secilin konservues.

Studiuesit i bazuan gjetjet e tyre në një studim të një grupi të madh francezësh – më shumë se 100 000 – të ndjekur për disa vite me pyetësorë shumë të rregullt në lidhje me dietën e tyre si dhe të dhëna të sakta mbi përbërjen e produkteve që konsumonin.

– Rreziqe të vlerësuara dobët –

Ata arrijnë në përfundimin se konsumi i disa konservantëve – veçanërisht sorbateve, sulfiteve dhe nitriteve – shoqërohet me një incidencë më të lartë të kancerit.

Lidhja më e fortë është midis nitritit të natriumit (E250) dhe kancerit të prostatës, rreziku i të cilit rritet me rreth një të tretën.

Ky nivel rreziku mbetet i kufizuar në nivel individual – për krahasim, pirja e duhanit rrit rrezikun e kancerit të mushkërive me më shumë se 15 herë tek duhanpirësit e rëndë.

Megjithatë, në nivel kolektiv, ai përfaqëson një numër të konsiderueshëm sëmundjesh shtesë, duke pasur parasysh praninë e përhapur të këtyre aditivëve në ushqim.

Dhe, krahasuar me kancerin, rreziqet e lidhura me konservantët ndonjëherë duken më të theksuara për diabetin. Për shembull, konsumi i rregullt i sorbatit të kaliumit (E202) shoqërohet me një incidencë dyfish më të madhe të kësaj gjendjeje.

Ndërsa këto studime janë metodologjikisht të shëndosha, ato nuk përcaktojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkakësore midis këtyre problemeve shëndetësore dhe konsumit të aditivëve në fjalë.

Sulfitet, për shembull, gjenden kryesisht në pijet alkoolike, siç theksohet nga dy studiues që nuk janë përfshirë në këto studime, Xinyu Wang dhe Edward Giovannucci, në një koment të botuar në të njëjtin numër të BMJ. Prandaj është e vështirë të bëhet dallimi midis efektit të këtyre konservuesve dhe efektit të dokumentuar mirë të vetë alkoolit.

Për më tepër, ata theksojnë se “konservuesit ofrojnë përfitime të konsiderueshme duke zgjatur afatin e ruajtjes së produkteve dhe duke ulur kostot e ushqimit (…) për ata me të ardhura më të ulëta”.

Por përdorimi i këtyre aditivëve është “shumë i zakonshëm dhe shpesh i vlerësuar dobët, ndërsa efektet e tyre afatgjata janë të pasigurta”, vërejnë këta studiues. Studimi i Inserm gjithashtu argumenton për një rivlerësim të rregullores së tyre, duke përfshirë, në veçanti, “kufizime më të rrepta në përdorimin e tyre”./  a.jor.

The post KOMENT – Konservantët ushqimorë shtojnë frekuencën e kancerit dhe diabetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 10/01/2026

10 January 2026 at 07:11

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – 80 vjet më parë, Asambleja e parë e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u mbajt kryeqytetin britanik.

BUDAPEST (Hungari) – Kongresi i partisë ”Fidesz” i kryeministrit Viktor Orban.

NJU JORK (Shtetet e Bashkuara) – 10-vjetori i vdekjes së këngëtarit britanik David Bowie.

ALTENMARKT (Austri) – Ski Alpin – Kupa Botërore për femra.

ADELBODEN (Zvicër) – Ski Alpin – Kupa Botërore për meshkuj./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 10/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 9 January 2026Main stream

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 09/01/2026

9 January 2026 at 07:33

CRANS-MONTANA (Zvicër) – Ceremoni funebre në nderim të viktimave të zjarrit në një bar.

ZVICËR – Ditë kombëtare zie në nderim të viktimave të zjarrit në barin në Crans-Montana.

VATIKAN (Selia e Shenjtë) – Urimet e papa Leones XIV për Vitin e Ri për trupin diplomatik.

ROMË (Itali) – Konferenca për shtyp e Melonit për Vitin e Ri.

VARSHAVË (Poloni) – Demonstratë e fermerëve kundër marrëveshjes BE-Mercosur.

MARTIGNY (Zvicër) – Ceremoni për nder të viktimave të zjarrit vdekjeprurës në Zvicër, në prani të presidentit francez, Macron.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Trump takohet me drejtuesit e kompanive të naftës për të diskutuar Venezuelën.

ÇIKAGO (Shtetet e Bashkuara) – Seancë dëgjimore paraprake për të caktuar datën e dënimit në rastin e Ovidio Guzmán, djalit të “El” Chapo./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 09/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

MV – Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona

8 January 2026 at 14:16

SHKUP, 8 janar /ATSH-AA/ – Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut kanë shkaktuar përmbytje, rrëshqitje toke dhe dëme infrastrukturore në disa rajone të vendit, ndërkohë autoritetet e emergjencës kanë shpallur nivel të verdhë paralajmërimi për përmbytje.

Drejtoria për Çështje Hidrometeorologjike (UHMR), e cila në rrjetet sociale njoftoi një nivel të verdhë paralajmërimi, u bëri thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe ndjekje të udhëzimeve zyrtare, duke paralajmëruar për rrezik potencial nga dalja lokale e lumenjve dhe përrenjve sezonal, si pasojë e reshjeve të dendura që kanë përfshirë vendin.

Qendra për Menaxhim me Kriza (CUK) njoftoi se kreu i qendrës, Muhamed Ali, së bashku me ekipet kujdestare të linjës emergjente dhe sektorit për operacioni po monitorojnë vazhdimisht situatën, si dhe u bëri të thirrje qytetarëve të raportojnë çdo vështirësi apo rrezik.

Sipas të dhënave të mbledhura nga thirrjet dhe ndërhyrjet deri në orën e mbrëmjes, reshjet intensive kanë shkaktuar probleme në disa rajone të vendit.

Të dhënat nga CUK tregojnë se në rajonin e Gostivarit dhe rrethinës, respektivisht në aksin rrugor Gostivar-Strazhë është shënuar rrëshqitje dheu në rrugë, por qarkullimi po zhvillohet normalisht. Gjithashtu në drejtimin Tetovë-Banjë ka rrëshqitje në rrugë, duke vështirësuar qarkullim.

Ndërkaq, në fshatin Balin Dol janë regjistruar përmbytje nga lumi Vardar, ku janë përmbytur rreth 10 parcela bujqësore dhe disa oborre, ndërkohë është shënuar edhe ulje e prodhimit të energjisë në ‘HEC Mavrovë’.

Përmbytje janë raportuar edhe në fshatrat Malo Turçan dhe Banjë e Epërme nga lumenjtë Lakaviçka dhe Sushiçka, me tokë bujqësore të përmbytur dhe mungesë mekanizmi adekuat për ndërhyrje nga ana e komunës.

Në rajonin e Manastirit dhe rrethinës, në fshatin Lera ka përmbytje pranë urës, me rrezik për përhapje drejt zonës së banuar. Në fshatin Porodin gjithashtu është raportuar përmbytje në një fermë pule, ndërsa në disa fshatra të Komunës së Resnjës janë përmbytur oborre dhe toka bujqësore, megjithëse lumenjtë nuk kanë dalë nga shtrati.

Në rajonin e Ohrit janë regjistruar përmbytje në bodrume, garazhe dhe oborre, ku kanë ndërhyrë komuna dhe shërbimet publike. Në Kërçovë, disa objekte banimi janë përmbytur në rrugën Prilepska dhe rreth 60 persona janë evakuuar në palestrën sportive ‘Hristo Uzunov’.

Nga CUK theksuar se të gjitha shërbimet përgjegjëse janë në terren dhe po ndërhyjnë për të menaxhuar pasojat e motit të rëndë./  a.jor.

The post MV – Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje dhe rrëshqitje toke në disa zona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Trump: SHBA do të tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare

8 January 2026 at 08:40

UASHINGTON, 8 janar /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi tërheqjen e vendit të tij nga 66 organizata ndërkombëtare duke thënë se ato nuk u shërbejnë më interesave kombëtare të SHBA-së.

Një memorandum presidencial i nënshkruar nga Trump u drejtohet departamenteve dhe agjencive federale që të ndërpresin pjesëmarrjen dhe financimin për 31 entitete të Kombeve të Bashkuara dhe 35 organizatave joOKB “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Shtëpia e Bardhë tha se organizatat veprojnë në kundërshtim me interesat kombëtare të SHBA-së, sigurinë, prosperitetin ekonomik ose sovranitetin.

Shumë nga organizatat e prekura janë aktive në fusha të tilla si politika e mjedisit dhe klimës ose barazia gjinore.

“Presidenti Trump po i jep fund pjesëmarrjes së SHBA-së në organizata ndërkombëtare që minojnë pavarësinë e Amerikës dhe shpërdorojnë paratë e taksapaguesve në axhenda joefektive ose armiqësore”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha në X se Uashingtoni po tërhiqej nga ato që ai i përshkroi si “organizata ndërkombëtare anti-amerikane, të padobishme ose shpërdoruese”.

Ai shtoi se një shqyrtim i organizatave të tjera ndërkombëtare po vazhdonte.

Që kur u rikthye në detyrë, Trump ka ndërmarrë hapa për të nxjerrë SHBA-në nga disa korniza ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe agjencinë kulturore të OKB-së, UNESCO./ a.jor.

The post FOKUS – Trump: SHBA do të tërhiqet nga 66 organizata ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Stuhia ”Goretti” paralizon Anglinë, Uellsin dhe Irlandën

8 January 2026 at 07:39

LONDËR, 8 janar /ATSH/ – Mbretëria e Bashkuar është përgatitur për reshje të dendura dëbore dhe erëra të forta, ndërsa stuhia ”Goretti” po lëviz sot në të gjithë vendin, sipas BBC të enjten.

Meteorologët kanë lëshuar një paralajmërim të verdhë për dëborë dhe erëra të forta në pjesë të Anglisë, Uellsit dhe Irlandës, së bashku me një numër alarmesh të verdha për motin që përfshijnë pjesë të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar.

Ata u bënë thirrje shoferëve të tregojnë “kujdes të jashtëzakonshëm” për shkak të rrezikut të akullit të zi, pasi nëntë fëmijë u plagosën në një përplasje midis një autobusi shkolle dhe një autobusi në Reading.

”Goretti”, i emëruar nga parashikuesit francezë, ka të ngjarë t’i nënshtrohet “ciklogjenezës shpërthyese” – e njohur edhe si “bombë moti”.

Termi ciklogjenezë shpërthyese përdoret kur presioni qendror bie me 1,0 milibar (mb) në orë gjatë një periudhe 24-orëshe.

Në përgjithësi rezulton në shpërthime veçanërisht të fuqishme të erës gjatë një periudhe prej disa orësh.

Dëbora dhe kushtet e akullta kanë shkaktuar gjithashtu kaos të përhapur në udhëtime në të gjithë Evropën, me mijëra njerëz të bllokuar në aeroportet në Paris dhe Amsterdam pasi fluturimet u anuluan.

Të paktën gjashtë persona kanë vdekur në incidente të lidhura me motin në të gjithë Evropën këtë javë – pesë në Francë dhe një në Bosnjë-Hercegovinë./ a.jor.

 

The post FOKUS – Stuhia ”Goretti” paralizon Anglinë, Uellsin dhe Irlandën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 08/01/2026

8 January 2026 at 07:33

PARIS (Francë) – 30-vjetori i vdekjes së ish-presidentit francez, François Mitterrand.

BRUKSEL (Belgjikë) – Eurozona – Shifrat e papunësisë për nëntorin (Eurostat).

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Bilanci tregtar për tetorin 2025.

TUNIS (Tunizi) – Seancë dëgjimore në gjyqin kundër gazetarëve Mourad Zeghidi dhe Borhen Bssais.

KUVAJT (Kuvajt) – Trofeu i Kampionëve PSG-Olympique Marseille./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 08/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Aliyev: Azerbajxhani nuk do të dërgojë trupa në operacionet paqeruajtëse jashtë vendit

7 January 2026 at 14:37

TIRANË, 7 janar /ATSH/ – Azerbajxhani nuk ka ndërmend të dërgojë trupa për të marrë pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë kufijve të tij, përfshirë Gazën, deklaroi presidenti azer, Ilham Aliyev.

I intervistuar nga kanalet televizive azere, Aliyev tha se Azerbajxhani kishte qenë në kontakt me administratën amerikane të Donald Trump me një listë pyetjesh në lidhje me operacionin e një force paqeruajtëse në Gaza.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari të CBC TV lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të Azerbajxhanit në ndonjë operacion paqeruajtës në Rripin e Gazës, Aliyev deklaroi se ”ne kemi marrë kërkesa të tilla. Natyrisht, përpara se të marrim një vendim, duhet të kuptojmë qartë se cili do të ishte mandati i operacionit dhe çfarë lloj operacionesh janë planifikuar. Ne kemi përvojë në pjesëmarrjen në operacione paqeruajtëse në Irak, më parë në Kosovë dhe sigurisht në Afganistan, prandaj jemi shumë të vetëdijshëm për strukturën operative”, sipas një shënimi të ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë.

”Sa i përket situatës në Rripin e Gazës, në pikëpamjen tonë, mbetet e paqartë se kush do ta japë mandatin dhe çfarë natyre do të ketë ai. A do të jenë këto operacione paqeruajtëse apo për zbatimin e paqes? Këto janë dy gjëra të ndryshme. Ne natyrisht nuk jemi të gatshëm për opsionin e dytë dhe asnjëherë nuk kemi konsideruar pjesëmarrjen në to. Në lidhje me misionin tonë paqeruajtës në Afganistan, fatmirësisht, dhe pjesërisht falë qëndrimit tonë, ne nuk patëm asnjë viktimë. Nuk pati humbje gjatë atyre viteve, sepse ne e përcaktuam funksionin tonë si mbrojtje të objekteve strategjike. Ne kurrë nuk u përfshimë në operacione luftarake dhe nuk po konsideroj asnjë pjesëmarrje në operacione luftarake jashtë Azerbajxhanit”, deklaroi Aliyev.

”Faktori i dytë, të cilin ua kemi komunikuar partnerëve tanë amerikanë, është se vendi im ka vuajtur nga agresioni; është një vend që ka pësuar humbje të rënda, në një masë më të vogël në Luftën e Parë të Karabahut, por shumë më tepër në Luftën e Dytë të Karabahut. Çdo qytetar i Azerbajxhanit është i çmuar për ne. Ne nuk kemi ndërmend të rrezikojmë jetën dhe shëndetin e azerëve për shkak të të tjerëve. Kur ne ishim në vështirësi, u lamë në fatin tonë. Askush nuk na mbrojti. Për më tepër, me gjithë respektin dhe solidaritetin për Palestinën, as Palestina nuk na mbrojti në mënyrë të veçantë. Po, pati rezoluta nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC) të mbështetura nga të gjithë. Ne jemi mirënjohës për këtë, ashtu siç Azerbajxhani ka mbështetur gjithmonë Palestinën dhe krijimin e një shteti palestinez në OKB, në Lëvizjen e të Paangazhuarvedhe në OIC”, theksoi ai.

”Çështjet e vendeve arabe duhet të zgjidhen nga vetë vendet arabe. Jam thellësisht i bindur se vendet myslimane joarabe nuk duhet të veprojnë pa marrë parasysh rrethanat. Kjo nuk do të çojë në asgjë të mirë. Ekziston Liga Arabe. Liga Arabe ka një qëndrim mjaft të qartë dhe ne e ndjekim atë. Ka vendime të OCI-së. Ne kemi marrë pjesë në miratimin e tyre dhe i ndjekim ato. Prandaj, shfaqja e një aktivizmi të panevojshëm dhe dalja përpara nuk është rruga më e mirë”, shtoi Aliyev.

”Sa i përket mundësisë së pjesëmarrjes në veprime në Lindjen e Mesme, ne u befasuam nga deklarata e ambasadorit të SHBA-së në OKB, i cili pretendoi se Azerbajxhani kishte dhënë pëlqimin e tij. Ne nuk kemi dhënë pëlqimin dhe i kemi bërë të ditur administratës amerikane përmes kanaleve diplomatike se deklarata të tilla të rreme janë të papranueshme dhe krijojnë një përshtypje të gabuar… Ne kemi përpiluar një pyetësor me më shumë se 20 pyetje dhe ia kemi dorëzuar palës amerikane. Derisa këto pyetje të sqarohen, nuk parashikohet asnjë pjesëmarrje e Azerbajxhanit në ndonjë mision”, tha presidenti azer, Ilham Aliyev./  a.jor.

The post FOKUS – Aliyev: Azerbajxhani nuk do të dërgojë trupa në operacionet paqeruajtëse jashtë vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 07/01/2026

7 January 2026 at 07:33

NAQURA (Liban) – Takim i komitetit të monitorimit të armëpushimit midis Izraelit dhe Libanit.

KOLUMBI – Protesta kundër kërcënimeve të Donald Trump kundër presidentit Petro.

SAINT-TROPEZ (Francë) – Funerali i Brigitte Bardot në Kishën Notre-Dame de l’Assomption në Saint-Tropez.

VATIKAN (Selia e Shenjtë) – Takimi i kardinalëve i thirrur nga papa Leone XIV.

BERLIN (Gjermani) – Vlerësimi i emetimeve të gazrave serrë.

PARIS (Francë) – Partnerët socialë takohen për të negociuar mbi ndërprerjet e punësimit të dakorduara reciprokisht dhe kontratat afatshkurtra.

LOS ANXHELES (Shtetet e Bashkuara) – Dënimi për Erik Fleming, ndërmjetës në vdekjen e aktorit Matthew Perry nga një mbidozë ketamine./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 07/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Autonomia, siguria dhe zgjerimi në qendër të presidencës qipriote të BE-së

6 January 2026 at 16:01

– Qiproja po merr drejtimin e BE-së në kohë të trazuara gjeopolitike. Përpjekjet për ta drejtuar bllokun drejt një autonomie më të madhe – duke mbetur e hapur ndaj botës – do të formësojnë prioritetet nga siguria dhe mbështetja për Ukrainën te zgjerimi, migracioni dhe buxheti i ardhshëm afatgjatë – 

BRUKSEL, 6 janar /ATSH-enr/ – Qiproja sapo ka marrë përsipër presidencën e radhës të BE-së për herë të dytë, por bota ka ndryshuar që kur mbajti rolin e fundit 6-mujor në vitin 2012.

Duke marrë stafetën nga Danimarka, për gjashtë muajt e ardhshëm përfaqësuesit qipriotë do të kryesojnë takimet ministrore dhe do të ndërmjetësojnë në mosmarrëveshjet midis vendeve të BE-së.

Evropa tani “përballet me sfida të reja dhe të pashembullta që rrjedhin nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe situata në Lindjen e Mesme, në një mjedis global që ndryshon me shpejtësi dhe me paqëndrueshmëri në rritje”, tha Erato Kozakou-Markoulis, ministrja e Jashtme qipriote në vitin 2012.

Megjithatë, “Evropa nuk dorëzohet para krizave, nuk ka frikë nga sfidat. Përkundrazi, ajo i mirëpret ato si mundësi dhe evoluon”, tha presidenti qipriot Nikos Christodoulides në një ceremoni më 21 dhjetor, ku u prezantua programi dhe prioritetet e presidencës.

Christodoulides ishte zëdhënësi i presidencës së parë qipriote në vitin 2012.

Për të arritur “një Bashkim që mund të qëndrojë i fortë, i qëndrueshëm dhe i sigurt”, presidenca qipriote ka dalë me pesë shtylla kryesore: siguria, konkurrueshmëria, zgjerimi, autonomia dhe ekuilibri fiskal, sipas Christodoulides.

Fjala mbizotëruese është autonomia, në përputhje me moton e Nikozisë “Një bashkim autonom. I hapur ndaj botës”.

Emblema për gjashtë muajt e ardhshëm përmban qëndisje tradicionale qipriote që përfaqëson diellin mesdhetar.

“Zemra e logos është ideja e fillit: e brishtë më vete, por e fortë dhe kohezive kur është e ndërthurur me të tjera. Është një metaforë për forcën që vjen nga uniteti”, sipas qeverisë qipriote.

Siguria mbetet përparësi kryesore

Christodoulides tha se pushtimi rus i Ukrainës demonstroi në “mënyrën më të qartë të mundshme” nevojën për të forcuar arkitekturën evropiane të sigurisë dhe gatishmërinë e mbrojtjes. “Mbështetja për Ukrainën do të mbetet përparësia kryesore e presidencës qipriote”, shtoi ai.

Që nga fillimi, Qiproja dëshiron të bëjë përparim në mbështetjen financiare për Kievin, duke u bazuar në rezultatin e samitit të BE-së të muajit të kaluar, ku Bashkimi Evropian ra dakord për një kredi prej 90 miliardë eurosh (105.4 miliardë dollarë) për Ukrainën.

Më 14 shkurt, në përvjetorin e katërt të pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë, presidenca qipriote shpreson të miratojë një paketë të mëtejshme sanksionesh kundër Rusisë, duke e bërë atë të 20-tën.

Vizioni qipriot është i një Bashkim Evropian të fortë që mbron kufijtë dhe interesat e tij strategjike, ndërsa ndërton partneritete dhe aleanca bazuar në vlerat demokratike dhe respektin për të drejtën ndërkombëtare.

Presidenca qipriote premton të zbatojë me shpejtësi Librin e Bardhë të vitit të kaluar për Mbrojtjen – një kornizë për të rritur investimet në mbrojtje – si dhe të ecë përpara me të gjitha iniciativat kryesore të mbrojtjes, duke përfshirë instrumentin financiar SAFE (Veprimi i Sigurisë për Evropën) dhe EDIP (Programi i Industrisë Evropiane të Mbrojtjes).

Qiproja e konsideron sigurinë një “koncept të gjerë, gjithëpërfshirës dhe shumështresor” që shkon përtej forcimit të mbrojtjes – duke i dhënë gjithashtu përparësi “menaxhimit efektiv” të migracionit, për shembull.

Pakti i BE-së për Migracionin dhe Azilin do të hyjë në fuqi më 12 qershor, duke premtuar menaxhim më të mirë të migracionit, kontrolle më efektive dhe kthime më të shpejta të azilkërkuesve të dështuar.

Tre rregullore të tjera për migracionin janë në proces miratimi: Rregullorja e Kthimit, Rregullorja e Vendit të Tretë të Sigurt dhe Rregullorja e Vendit të Sigurt të Origjinës, duke hapur rrugën për dëbimin e migrantëve që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në BE.

Të qëndrosh i lidhur dhe konkurrues

Vendndodhja strategjike e Qipros ka nxitur një tjetër përparësi: zbatimin e Paktit për Mesdheun, një iniciativë që synon thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët jugorë të Mesdheut të BE-së.

Christodulides synon të paraqesë projektet kryesore në një samit informal të prillit në Qipro. Pjesëmarrësit pritet të përfshijnë 10 udhëheqësit e partnerëve të Fqinjësisë Jugore të BE-së, si dhe Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Ishulli i Qipros është i ndarë në një pjesë jugore të qeverisur nga grekët qipriotë dhe një pjesë veriore të qeverisur nga turqit qipriotë, të cilët shpallën në mënyrë të njëanshme pavarësinë në vitin 1983 dhe njihen vetëm nga Turqia.

Një përparësi tjetër qipriote është forcimi i marrëdhënieve të BE-së me organizatat rajonale si Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit dhe Lidhja e Shteteve Arabe, pjesë e përpjekjeve të Nikozisë për të përforcuar lidhjet e bllokut me partnerët e saj në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun lindor.

Kjo përfshin marrëveshjen kufitare të vetë Qipros me Libanin: Në nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje që përcakton zonat e tyre ekskluzive ekonomike, me qëllim hapjen e tregtisë në lindje të detit Mesdhe.

Në përgjithësi, Qiproja dëshiron të shfrytëzojë sa më shumë pozicionin e saj: strategjik jo vetëm për flukset e migracionit dhe për marrëdhëniet rajonale, por edhe si një qendër e mundshme energjie në një kohë kur BE-ja po finalizon zëvendësimin e gazit dhe naftës ruse.

Lidhshmëria, veçanërisht për ishujt dhe rajonet periferike, është gjithashtu një gur themeli i Strategjive Portale dhe Detare Industriale që presidenca qipriote do të promovojë.

Zgjerimi i BE-së për paqe

Nikozia është në favor të zgjerimit si një mjet për të zgjeruar sferat e paqes, demokracisë, sigurisë dhe stabilitetit.

Ai thekson fuqinë transformuese të zgjerimit në vendet kandidate që janë të përkushtuara për reforma dhe për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të gjata të fqinjësisë bazuar në ligjin, vlerat dhe parimet evropiane.

Christodulides përmendi Ukrainën, Moldavinë dhe Ballkanin Perëndimor në veçanti, duke nënvizuar angazhimin e presidencës qipriote për përparim të prekshëm në proceset e pranimit të këtyre vendeve.

Megjithatë, aspiratat e anëtarësimit të Ukrainës janë në një bllokim, me Hungarinë që bllokon çdo përparim në negociata. Sipas rregullave të BE-së, çdo fazë e procesit të pranimit duhet të mbështetet nga të 27 vendet e BE-së.

Sfida e buxhetit afatgjatë

Një problem koke që rrezikon të lërë në hije presidencën qipriote është buxheti i ardhshëm afatgjatë i BE-së për vitet 2028-2034. Danimarka hartoi draftin e parë nën presidencën e saj, duke e lënë Qipron të bëjë përparim të konsiderueshëm në arritjen e një kompromisi.

Buxheti shtatëvjeçar mbulon të gjitha shpenzimet kryesore të BE-së, nga subvencionet bujqësore dhe fondet e kohezionit për rajonet më pak të zhvilluara, deri te ndërtimi i infrastrukturës së transportit dhe mbështetja e vendeve në zhvillim jashtë bllokut.

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, synon të arrijë një marrëveshje mbi kornizën financiare shumëvjeçare (KFSH) deri në fund të vitit 2026. Ky afat kohor është thelbësor për të siguruar vazhdimësinë në programet e financimit të BE-së, tha kohët e fundit Costa.

Qëllimi i Nikozisë është të arrijë në një pozicion negociues deri në fund të qershorit, kur përfundon presidenca e saj – megjithëse miratimi i KFSH-së pritet të jetë sfidues.

Propozimi fillestar i Komisionit Evropian u kritikua menjëherë nga Parlamenti Evropian, veçanërisht duke pasur parasysh planet për të bashkuar fondet për fermerët dhe rajonet – të cilat përbëjnë rreth gjysmën e buxhetit të përgjithshëm të BE-së – në fonde të vetme të menaxhuara nga 27 kryeqytetet e bllokut.

Sipas sistemit aktual, rajonet luajnë një rol kyç në menaxhimin e fondeve.

Priten dy vjet negociata intensive.

Prioritete të tjera për gjashtë muajt e ardhshëm përfshijnë forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë BE-në dhe zbatimin e Planit Evropian të Strehimit të Përballueshëm, si dhe forcimin e tregut të vetëm të BE-së dhe lidershipit të saj dixhital mes sfidave globale.

Ceremonia zyrtare e hapjes do të mbahet nesër në Nikozia ose Lefkosia siç e quajnë kryeqytetin qipriotët greqishtfolës./ a.jor.

The post ANALIZË – Autonomia, siguria dhe zgjerimi në qendër të presidencës qipriote të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Shtatë vende evropiane shprehin solidaritet me Groenlandën, pas kërcënimit të fundit të Trump

6 January 2026 at 14:00

KOPENHAGË, 6 janar /ATSH-DPA/ – Shtatë vende evropiane kanë shprehur solidaritet me Groenlandën, ndërsa Shtetet e Bashkuara kërcënojnë të aneksojnë ishullin Arktik, duke thënë se vetëm Groenlanda dhe Danimarka kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tij.

Deklarata e përbashkët u nënshkrua nga udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Britanisë së Madhe dhe Danimarkës, të cilës i përket Groenlanda.

Ajo u lëshua sot, pas komenteve të përsëritura nga presidenti Donald Trump në lidhje me nevojën për ta vënë ishullin Arktik nën kontrollin e SHBA-së.

Të dielën në mbrëmje, një ditë pasi Uashingtoni rrëzoi udhëheqësin autoritar të Venezuelës, Trump u tha gazetarëve të territorit danez të administruar në mënyrë autonome se “ne kemi nevojë për Groenlandën nga pikëpamja e sigurisë kombëtare”.

Në deklaratën e tyre të përbashkët, udhëheqësit evropianë theksuan se Groenlanda është “pjesë e NATO-s”.

“Siguria në Arktik duhet të arrihet kolektivisht, në bashkëpunim me aleatët e NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke mbështetur parimet e Kartës së OKB-së, duke përfshirë sovranitetin, integritetin territorial dhe paprekshmërinë e kufijve”, tha deklarata.

“Groenlanda i përket popullit të saj. I takon Danimarkës dhe Groenlandës, dhe vetëm atyre, të vendosin për çështjet që kanë të bëjnë me Danimarkën dhe Groenlandën”, shtoi ajo.

Që nga rikthimi në detyrë në janar, Trump ka ringjallur një ide nga mandati i tij i parë për të fituar kontrollin e ishullit – dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës.

Danimarka dhe Groenlanda i hedhin poshtë këto përpjekje.

Presidenti amerikan beson se Groenlanda është strategjikisht e rëndësishme si për mbrojtje ashtu edhe si burim pasurie minerale./  a.jor.

The post KOMENT – Shtatë vende evropiane shprehin solidaritet me Groenlandën, pas kërcënimit të fundit të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Vdes mjeshtri hungarez i filmit Bela Tarr

6 January 2026 at 12:44

BUDAPEST, 6 janar /ATSH-AFP/ – Regjisori hungarez i filmit, Bela Tarr vdiq sot në moshën 70-vjeçare, njoftoi regjisori Bence Fliegauf për agjencinë kombëtare hungareze të lajmeve, MTI në emër të familjes Tarr.

Mjeshtri hungarez i filmit, i cili vdiq pas një sëmundjeje të gjatë, ishte i njohur për punën e tij shpesh të zymtë, përfshirë “Satantango” (1994), një epik shtatëorësh rreth rënies së komunizmit në Evropën Lindore dhe rënies së tij materiale dhe shpirtërore, i adaptuar nga romani i fituesit të çmimit Nobel në Letërsi, Laszlo Krasznahorkai, bashkëpunëtorit të tij të ngushtë./ a.jor.

The post KINEMA – Vdes mjeshtri hungarez i filmit Bela Tarr appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 06/01/2026

6 January 2026 at 07:33

PARIS (Francë) – Takim i aleatëve të Kievit në “Koalicionin e të Gatshëmve”.

BOTË – Dita e Ujit të Bekuar për besimtarët katolikë dhe ortodoksë.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Peshimi vjetor simbolik i kafshëve në Kopshtin Zoologjik të Londrës.

VATIKAN (Selia e Shenjtë) – Mbyllja e Jubileut të Kishës Katolike me mbylljen e “Derës së Shenjtë”.

LISBONË (Portugali) – Debat televiziv me të gjithë kandidatët për zgjedhjet presidenciale të 18 janarit.

MOSKË (Rusi) – Presidenti rus Vladimir Putin merr pjesë në një Meshë të Krishtlindjeve Ortodokse.

LAS VEGAS (SHBA) – Panairi i Elektronikës së Konsumatorit (CES)./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 06/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Maduro paraqitet përpara gjykatës

5 January 2026 at 14:04

NJU JORK, 5 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti i rrëzuar i Venezuelës, Nicolas Maduro, iu drejtua sot një gjykate të Nju Jorkut, sipas pamjeve të drejtpërdrejta të transmetuara nga mediet amerikane, dy ditë pasi u rrëmbye në Karakas gjatë një operacioni tronditës ushtarak amerikan.

Pamjet televizive treguan Maduron 63-vjeçar me pranga, të shoqëruar nga disa oficerë të zbatimit të ligjit, të armatosur rëndë.

Paraqitja e tij e parë në gjykatë është planifikuar të fillojë në mesditë (17:00 GMT)./ a.jor.

The post NJU JORK – Maduro paraqitet përpara gjykatës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 05/01/2026

5 January 2026 at 07:33

UKRAINË – Takim i shefave të shtabeve të përgjithshme të vendeve aleate me Kievin për të diskutuar garancitë e sigurisë për Ukrainën (vendndodhja e paspecifikuar).

PARIS (Francë) – Vendim në gjyqin e 10 personave të akuzuar për ngacmim kibernetik ndaj Brigitte Macron.

FRANCË – Grevë nga mjekët e përgjithshëm.

ANKARA (Turqi) – Bisedë telefonike midis Donald Trump dhe Recep Tayyip Erdogan.

VATIKAN (Selia e Shenjtë) – Konferencë për shtyp mbi Vitin Jubilar.

BUDAPEST (Hungari) – Konferencë për shtyp që shënon fillimin e vitit të ri akademik me  kryeministrin hungarez Viktor Orban.

HARBIN (Kinë) – Hapja e festivalit të skulpturave të akullit dhe dëborës.

LOS ANXHELES (Shtetet e Bashkuara) – Çmimet e 31-ta të ”Critics Choice”.

CORPUS CHRISTI (Shtetet e Bashkuara) – Hapet gjyqi për Adrian Gonzales, ish-oficer policie në shkollën Uvalde, vendi i një masakre të fëmijëve në vitin 2022.

TUNIS (Tunizi) – Vazhdon gjyqi për zyrtarët e ”Terre d’Asile Tunisie”, të akuzuar për ndihmë ndaj migrantëve.

ABUXHA (Nigeri) – Seancë dëgjimore në çështjen kundër ish-ministrit të Drejtësisë, Mohammed Adoke për një skandal të madh korrupsioni.

KUETO (Ekuador) – Këshilli Zgjedhor i Ekuadorit shpall rezultatet e referendumit mbi bazat ushtarake të huaja dhe Kushtetutën e re./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 05/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 04/01/2026

4 January 2026 at 07:33

CRANS-MONTANA (Zvicër) – Meshë në kishë me peshkopin e Dioqezës së Sionit, i cili do të bëjë homazhe për viktimat e zjarrit.

LISBONË (Portugali) – Hapja zyrtare e fushatës për zgjedhjet presidenciale të 18 janarit.

PEKIN (Kinë) – Vizitë e presidentit të Koresë së Jugut, Lee Jae-myung.

PEKIN (Kinë) – Vizitë e ministrit të Jashtëm pakistanez Mohammad Ishaq Dar si pjesë e dialogut strategjik Kinë-Pakistan.

PALM SPRINGS (Shtetet e Bashkuara) – Gala e Çmimeve të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit.

TEHERAN (Iran) – Seanca dëgjimore e apelit të regjisorit iranian Jafar Panahi./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 04/01/2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌